Vdekja e Isait a.s. - argumente nga hadithet e Profetit s.a.
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Përveç argumenteve të tjera që jep Kurani Famëlartë për vdekjen e Hazret Isait a.s. ka plot argumente edhe në hadithe të të Dërguarit të Allahut s.a.. Më poshtë do të lexoni disa prej tyre.

Disa argumente nga hadithet e të Dërguarit të Allahut s.a. për vdekjen e Hazret Isait a.s. 

Argumenti i parë

Imam Buhariu sjell një hadith të Profetit Muhammed s.a.v.s., i cili tregon se edhe Hazret Isai a.s., edhe Profeti Muhammed s.a.v.s., në ditën e gjykimint, do të jenë në dijeni për devijimin e ndjekësve të tyre dhe si të tillë, që të dy do të shfajësohen përpara Zotit të Madhërishëm duke thënë se ata kanë qenë përgjegjës për aq kohë sa kanë jetuar me ta. Vlen të theksohet se në këtë hadith, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. përdor për veten e tij të njëjtin ajet, të cilin joahmedianët e përdorin për të provuar se Zoti i Madhërishëm e ka marrë Hazret Isain a.s. me trup dhe me shpirt. Le ta lexojmë hadithin e Pejgamberit s.a.v.s..

Hazret Ibne Abasi r.a. thotë se i Dërguari i Allahuts.a.v.s. ka thënë:

Isai - Vdekja e IsaitIsai - Vdekja e Isait“Disa nga shokët e mi (në Ditën e Gjykimit) do të ndahen nga e majta (d.m.th. në xhehenem) dhe disa nga e djathta (d.m.th. në xhenet), atëherë unë do të them: “Po shokët e mi”?!

Do të thuhet: “Ata janë prej atyre që janë devijuar prej kohës kur ti je ndarë nga ata.” Unë do të them ashtu siç tha robi i mirë Isai, biri i Merjemes: Jam dëshmitar për atë sa kam jetuar midis tyre, e pasi më more shpirtin, Ti ishe mbikëqyrës i tyre. Ti je Dëshmitar për çdo gjë!” (Buhari, Libri i të Dërguarve, nr. i hadithit 3447)

Hadithi është shumë i qartë në kuptimin e tij. Edhe Hazret Isai a.s. edhe Profeti Muhammeds.a.v.s. në Ditën e Gjykimit, do të shprehin padijeninë e tyre për devijimin e të krishterëve apo të muslimanëve pas largimit të tyre nga kjo botë. Pra, nëse do të kthehet Hazret Isai a.s. edhe një herë, i cili do të vijë pikërisht për të thyer kryqin, ai menjëherë do të njoftohet për devijimin e të krishterëve. Atëherë si mund të gënjejë ai para Zotit në Ditën e Gjykimit duke thënë se nuk dinte ç’kishte ndodhur pas tij?!

Së dyti, ky hadith gjithashtu sqaron përgjithmonë se kuptimi i fjalës “felem-ma taveffejtani (tavaffa)” si për Profetin Muhammed s.a.v.s., ashtu edhe për Hazret Isain a.s., është “pasi më more shpirtin” ose “pasi më shkaktove vdekjen”.

Prandaj Hazret Ibni Abasi r.z., që është një sahab i njohur i Profetit Muhammeds.a.v.s. dhe komentues pionier i Kuranit të Madhërishëm, pohon që kuptimi i kësaj fjale është “të të jap vdekjen ty”, gjë që përshkruan Imam Buhariu në librin e tij të haditheve. Hazret Imam Buhariu thotë:

Isai - Vdekja e Isait“Ibni Abasi thotë muteuefika do të thotë të të shkaktoj vdekjen”. (Sahih Buhari, Kitabut Tefsir, Suretul Maidah, “ma xha’alallahu min bahiratin…”)

Ish-kryeimami i universitetit të famshëm islamik “El-Az’har” të Egjiptit, Sheikh Mahmoud Shaltut rreth kësaj fjale thotë:

Isai - Vdekja e Isait“Fjala “tavafa” u përmend në Kuran kaq shumë herë në një kuptim të caktuar, saqë ai është bërë kuptimi i parë dhe i përgjithshëm i saj dhe ajo nuk përdoret për ndonjë kuptim tjetër, përveç se nëse shoqërohet me ndonjë fjalë tjetër që i japin një kuptim të ri”. (Sheltut, El-fataua, f. 61)

Themeluesi i Xhematit Musliman Ahmedia, duke komentuar këtë ajet, thotë:

Tani, daç përktheji fjalët “kur Ti ma more shpirtin”, daç padrejtësisht rri ngultas duke komentuar “kur Ti më more mua me gjithë trupin tim”, me cilindo rast, ky ajet deklaron se Hazret Isai a.s. s’ka për të ardhur përsëri në Tokë. Sepse, nëse ai vjen prapë në këtë botë, para Ditës së Kiametit, dhe thyen kryqin, atëherë duke qenë profet, si është e mundur që ai të gënjejë në Ditën e Gjykimit para Zotit dhe të thotë: – Unë nuk di asgjë që pas meje umeti im e ka përvetësuar këtë besim të gabuar dhe mua dhe nënën time kanë bërë zota. Një njeri që vjen edhe një herë në këtë botë, qëndron dyzet vjet këtu, lufton me të krishterët, dhe po ashtu, ai është edhe profet, si është e mundur që ai të thotë një gënjeshtër kaq të rëndë: – Unë nuk di asgjë.

Pra, ky ajet ndalon Isain a.s.  të vijë prapë në këtë botë, përndryshe, ai do të duhet të njihet si njeri i pandershëm. Edhe nëse ai ende jeton në qiell, ky ajet e ndalon atë të kthehet në tokë deri në Ditën e Kiametit, atëherë a do të vdesë ai në qiell? A është aty vendi ku ai do të varroset? Mirëpo kjo do të kundërshtonte një ajet tjetër që thotë:

Isai - Vdekja e Isait

Në këtë tokë do të vdisni”[1]. Prandaj, e gjithë kjo me të vërtetë tregon se Hazret Isai a.s. nuk ka shkuar në qiell me trupin e tij fizik, por ka ndërruar jetë. Libri i Allahut me qartësi të plotë e ka vendosur këtë. A nuk është gjynah atëherë ta kundërshtosh përfundimin që është nga Libri i Allahut?” (“Testamenti”, f. 17-18, Prishtinë, 2011)

Argumenti i dytë – Konsensusi i parë i sahabëve ishte për vdekjen e profetëve të mëparshëm

Është vërtetuar edhe nga historia, se të gjithë es-habët e Profetit Muhammeds.a.v.s. unanimisht ranë dakord se të gjithë profetët, para tij, kanë vdekur. Në Buhari është përmendur shumë qartë se mbledhja e parë e es-habëve, pas vdekjes së Profetit Muhammed s.a.v.s., ishte bërë pikërisht mbi faktin se të gjithë profetët para Profetit Muhammeds.a.v.s. kishin vdekur dhe se edhe ai ishte njëri prej tyre.

Ditën kur kishte ndërruar jetë i Dërguari i Allahut s.a.v.s., shumë nga es-habët e tij nga pikëllimi i thellë, e humbën kontrollin. Edhe një njeri i përmbajtur si Hazret Umeri r.a., doli i zemëruar përpara njerëzve dhe me shpatë të zhveshur deklaroi: kushdo që thotë se i Dërguari i Allahuts.a.v.s. ka ndërruar jetë, unë do t’ia pres kokën. Vetëm kur erdhi Hazret Ebu Bekri dhe i qetësoi es-habët duke lexuar pikërisht ajetin që lexuam më lart dhe duke provuar se si të gjithë profetët, edhe i Dërguari i Allahuts.a.v.s. ka ndërruar jetë. Në Buhari rrëfehet:

“Ndërkohë Hazret Umeri r.a. po u drejtohej njerëzve, erdhi Hazret Ebu Bekri r.a. dhe i kërkoi Hazret Umerit r.a. të ulej. Por ai e refuzoi. Megjithatë, njerëzit e lanë atë dhe i kushtuan vëmendje fjalës së Ebu Bekrit r.a. Ai tha: O njerëz, ata që adhuruan Muhammedins.a.v.s. le ta dinë se Muhammedis.a.v.s. ka ndërruar jetë. Por ata që ndër ju adhuruan Allahun, le të dinë se Allahu jeton dhe nuk do të vdesë kurrë. A nuk ka thënë Allahu:

“Muhammedis.a.v.s. është vetëm një i dërguar dhe të gjithë të dërguarit përpara tij kanë ndërruar jetë….”

Hazret Ibni Abasi thotë: Për Zotin, sikur njerëzve u duk që Zoti e zbriti këtë ajet në Kuran, ditën kur e lexoi Ebu Bekri. Të gjithë e pranuan dhe pastaj, aty nuk ishte njeri që nuk e recitonte këtë ajet. Said Bin Musajib transmeton: Umeri r.a. tha: “Pasha Zotin, atë ajet sikur e kam dëgjuar vetëm kur e lexoi Ebu Bekri. Unë gati u humba, këmbët më filluan të dridheshin dhe rashë në tokë. Vetëm kur e lexoi këtë ajet Ebu Bekri, e kuptova se i Dërguari i Allahuts.a.v.s. ka ndërruar jetë”.  (Buhariu, Kitabul Magazi, Bab Mardun Nebij ue uefatuhu, vëll 3, f. 1343-1344, shtypshkronja “El-Mektebah El-Esrijah”, Bejrut)

Po të besohej se Hazret Isai ishte i gjallë në atë kohë, atëherë Hazret Omeri r.a. do të kishte momentin e duhur për ta kundërshtuar fjalën Hazret Ebu Bekrit r.a duke i thënë se si ka mundësi që Hazret Isai a.s. është i gjallë, ndërsa Profeti Muhamed s.a.v.s., që është profeti më i madh, të ketë ndërruar jetë! Pra, mbledhja e parë e es-habëve menjëherë pas vdekjes së të Dërguarit të Allahuts.a.v.s. ka qenë pikërisht për faktin se ai dhe gjithë profetët e tjerë të mëparshëm kanë ndërruar jetë.

Argumenti i tretë – Pamje të ndryshme të dy Mesihëve, sipas Profetit s.a.v.s.

Sipas Kuranit Famëlartë, Hazret Muhammedis.a.v.s. ka ngjashmëri me Hazret Musain a.s. umeti i Muhammedits.a.v.s. ka ngjashmëri me umetin e Musait, siç thotë Kurani:

“Ne dërguam tek ju një profet si dëshmitar mbi ju, mu ashtu siç i kemi dërguar edhe Faraonit një profet.” (El-Muzzammil 73:16)

Në një hadith tjetër, i Dërguari i Allahuts.a.v.s. thotë:

“Jam i sigurt se do të ndiqni rrugët e të parëve, hap pas hapi, pëllëmbë pas pëllëmbe. Ata edhe nëse hynë në vrimën e hardhucës, edhe ju do të hyni në të.

O i Dërguar i Allahuts.a.v.s. – e pyetëm – a keni fjalën për hebrenjtë dhe të krishterët?

Kush tjetër?! – tha ai.” (Buhari, Libri i Pejgamberëve, nr. i hadithit 3456)

Siç e dimë që Hazret Isai a.s. kishte ardhur në fillim të shekullit katërmbëdhjetë pas Hazret Musait a.s.. Në të njëjtën mënyrë, edhe Mesihu i Premtuar gjithashtu duhet të vinte në të njëjtën hapësirë kohore pas Profetit Muhammeds.a.v.s. Mu për shkak të kësaj ngjashmërie të plotë, Mesihu i Premtuar është quajtur Isai, i biri i Merjemes. Por, Profeti Muhammeds.a.v.s. na ka qartësuar në dritën e diellit se të dy këta, edhe pse kanë të njëjtin emër, janë personalitete të ndryshme. Madje, ai na përshkruan pamjet e të dyve, që janë krejtësisht të ndryshme me njëra-tjetrën. Këto hadithe, janë përmendur në Buhari edhe në Muslim. Këto hadithe, duke na dhënë fizionomi të ndryshme të dy Isave, flasin vetë se cila pamje cilit Isa i përket.

Pamja e Mesihut Musaian

Transmetohet nga Hazret Ibne Abasi r.a. se i Dërguari i Allahuts.a.v.s. ka thënë: “E kam parë Isain, Musain dhe Ibrahimin. Për sa i përket Isait, ai ka trup të bardhë, flokë kaçurrelë, dhe kraharor të gjerë. Për sa i përket Musait, ai ka ngjyrë gështenje, i lartë, flokë të drejtë sikur të jetë nga fisi ez-zutt.” (Buhariu, Libri i Pejgamberëve, nr i hadithit 3437)

Pra, bëhet fjalë për Isain që ka qenë në të kaluarën, sepse përmenden edhe Hazret Musai a.s. dhe Hazret Ibrahimi a.s.

Pamja e Mesihut Muhammedan

Transmeton Ubaidullah se i Dërguari i Allahuts.a.v.s. ka thënë: “Në ëndërr pashë te Qabeja, ishte një njeri ngjyrë gështenje, me atë bukuri që mund të ketë vetëm njeriu ngjyrë gështenje, kishte flokë të drejtë që i binin mbi kraharor, kurse nga koka i pikonin pika uji. Duart i kishte hedhur mbi supet e dy burrave dhe bënte tevaf rreth Qabesë.

Kush është ky? – pyeta. Ata m’u përgjigjën:

Ky është Mesihu, biri i Merjemes!

Pastaj pas tij, pashë një njeri, kaçurrel, qorr në syrin e djathtë, më shumë i përngjante Ibën Kattanit nga të gjithë që kam parë. Duart i kishte vendosur mbi kraharorin e një njeriu dhe bënte tevaf rreth Qabesë.

Kush është ky? – pyeta unë. Ata m’u përgjigjën:

El-Mesihud-Dexhxhal! (Dexhxhali i kohës së Mesihut)” (Buhari, Libri i Pejgamberëve, nr. i hadithit 3440)

Pra, pamja e atij Isai që do të vinte në kohët e vona është krejtësisht ndryshe me Isain e kaluar, ai i pari kishte trup të bardhë, flokë kaçurrelë dhe kraharor të gjerë, pamje kjo që me të vërtetë i përket fizionomisë së izraelitëve. Ndërsa Isai që do të vinte në kohën e Dexhxhalit, u përshkrua si njeri ngjyrë gështenje shumë i bukur dhe me flokë të drejtë. Është pamje identike e njerëzve të Lindjes. Me fjalë të tjera, Hazret Profeti Muhammeds.a.v.s. e ka shpjeguar kaq qartë se pavarësisht se profecia është për ardhjen e Hazret Isait, me këtë përshkrim na la të kuptojmë se nuk do të vijë prapë ai që ka ndërruar jetë, por do të vijë një person tjetër.

Argumenti i katërt – I Dërguari i Allahut, gjatë miraxhit Hz. Isain e gjen mes profetëve të vdekur

Hazret Malik bin Sa’sa transmeton se i Dërguari i Allahuts.a.v.s. duke treguar atë që ndodhi gjatë natës së Israsë, tha:

Isha shtrirë te Hatimi, te ndonjë gur i Qabesë, erdhi Xhebraili a.s. dhe më mori mua dhe ne shkuam drejt qiellit. Në qiellin e parë pashë Hazret Ademin a.s.
Xhebraili a.s. më tha:
Ky është babai juaj Ademi, jepi selam atij.
Unë i thashë selam, edhe ai iu përgjigj selamit tim dhe më tha:
Mirë se na erdhe o djalë i dëlirë (salih) dhe o profet i dëlirë.
Pastaj, ne shkuam edhe më lart, në qiellin e dytë … aty ishin të dy kushërinjtë: Jahjaa.s. dhe Isaa.s..
Xhebraili më tha:
Këta janë Jahja dhe Isai a.s. përshëndeti edhe këta.
Unë u dhashë selam, edhe ata ma kthyen mua dhe thanë:
Mirë se na erdhe o vëlla i dëlirë dhe o profet i dëlirë.

(Pas kësaj përshkruhet udhëtimi i mëtejshëm drejt qiejve më të lartë)

(Buhari, Bunjanul Ka’ba, Babul Mi’raxh)

Këtë hadith e përmend Buhariu dhe Muslimi, duke miratuar bashkërisht vërtetësinë e tij. Veç kësaj e përmend edhe Sunan Nisai.

Nga ky hadith, del shumë e qartë që Hazret Isai a.s. nuk jeton më, sepse ai gjendet në mes të njerëzve të vdekur, sepse të gjithë muslimanët, madje edhe të krishterët unanimisht besojnë se Hazret Jahja ka ndërruar jetë.

Veç kësaj, i Dërguari i Allahut s.a.v.s., në këtë hadith, përmend gjëra të veçanta për secilin profet që takoi, por as me një shenjë nuk na tregon se, ndryshe nga të gjithë profetët, vetëm Hazret Isai qenkësh me trup e shpirt, pasi ishte ngritur fizikisht. Pra, hadithi tregon se Hazret i Dërguari i Allahuts.a.v.s. ka takuar shpirtrat e profetëve, e jo trupat fizikë të tyre.

Argumenti i pestë – Mesihu i Premtuar do të jetë një Imam prej muslimanëve

Shumë hadithe të tjera të të Dërguarit të Allahuts.a.v.s. konkretizojnë se Mesihu i Premtuar nuk do të jetë ai Isa i kaluar para dymijë vjetëve, por një Imam prej muslimanëve. Realisht, Hazret Profeti Muhammeds.a.v.s. ka sqaruar natyrën e ardhjes së Mesihut të Premtuar me detaje. Por, shumë dijetarë, vetëm për ta nxjerrë kuptimin që dëshirojnë, përpiqen t’i shtrembërojnë hadithet, mendime të cilat bien ndesh me ajetet kuranore, me hadithet e të Dëguarit të Allahuts.a.v.s. dhe me thëniet e dijetarëve të mëparshëm. I tillë është edhe hadithi që shënohet në Buhari e në Muslim dhe që tregon se Mesihu i Premtuar nuk do të jetë ai Isa i vjetër, por një Imam prej muslimanëve. Në Buhari përmendet:

Transmetohet nga Abu Hurejrah r.z. se Profeti Muhammeds.a.v.s. ka thënë:

کَیْفَ اَنْتُمْ اِذَا نَزَلَ ابْنُ مَرْیَمَ فِیْکُمْ وَ اِمَامُکُمْ مِنْکُمْ

“Si do të jetë gjendja juaj, kur biri i Merjemes do të zbresë në mesin tuaj dhe ai do të jetë Imami juaj nga mesi juaj.” (Buhariu, Libri i Pejgamberëve, nr. i hadithit 3449)

Pra, hadithi qartazi tregon se Isai a.s. do të jetë një Imam prej muslimanëve, e jo prej bijve të Izraelit. Disa muslimanë të sotëm e keqinterpretojnë këtë hadith duke thënë, se sipas këtij hadithi, Isai do të zbresë prej qiellit dhe Imami i muslimanëve do të jetë një person tjetër nga muslimanët. Ndërsa, transmetimi tjetër që përmendet në Muslim e hedh poshtë këtë interpretim duke sqaruar qartazi se, nuk bëhet fjalë për dy persona të ndryshëm, por bëhet fjalë për Hazret Isain që do të jetë një Imam prej muslimanëve. Muslimi citon:

“Transmetohet nga Abu Hurejrah r.z. se Profeti Muhammeds.a.v.s. ka thënë:

اَنَّ رَسُولَ اللہِ ‏ ‏صَلّى اللہُ عَلَیْہِ وَسَلَّمَ  قَالَ : کَیْفَ اَنْتُمْ اِذَا نَزَلَ ابْنُ مَرْیَمَ فِیْکُمْ فَاَمَّکُم مِنْکُمْ ۔ فقلتُ لابنِ ابی ذءب:  اِنَّ الاوزعی حدّثَنا عن الزُّھریِّ عن نافع عن ابی ھریرۃ : “ وَاِمَامُکُمْ مِنْکُمْ” ۔  قَالَ ابْنُ اَبی ذِءْب:  تَدْرِیْ مَا اَمَّکُم مِنْکُمْ؟  فَقُلتُ :  تُخْبِرُنِیْ ۔  قَالَ:  فَامَّکُمْ بِکِتَابِ ربِّکُم تَبَارَکَ وَتَعَالٰی وَسُنَّۃِ نَبِیِّکُم  ‏صَلّى اللہُ عَلَیْہِ وَسَلَّمَ ۔ مسلم کتاب الایمان باب نزول عیسیٰ ابن مریم

“Si do të jetë gjendja juaj, kur biri i Merjemes do të zbresë në mesin tuaj dhe ai do të jetë Imami juaj prej jush.” Unë (transmetuesi) i thashë Ibni Abi Dhi’bit se transmetohet nga Abu Hurejrah fjalët “Imamukum minkum” (Imami prej jush). Ibnu Abi Dhi’bi më tha: “A di çka domethënë “Imami prej jush?” Unë i thashë: “Më tregoni!”. Ai tha: “Domethënë, ai do t’ju udhëheqë me anë të Librit të Zotit tuaj xh. sh. dhe me anë të sunetit të Profetit tuaj s.a.v.s.” (Sahih Muslim, Kitabul Iman, Bab Nuzul Isa Ibni Marjem)

Argumenti i gjashtë – Mesihu i Premtuar dhe Imam Mehdiu janë dy pozita të të njëjtit person

Duhet të dimë që shumica e haditheve që përshkruajnë ardhjen e Imam Mehdiut janë të dobëta, madje disa janë edhe kontradiktore. Prandaj, ka nevojë që vazhdimisht t’i referohemi Kuranit për të zgjedhur hadithet më të sakta. Sipas joahmedianëve, Mesihu i Premtuar dhe Imam Mehdiu janë persona të ndryshëm që do të vijnë për t’i mbështetur e t’i përkrahur muslimanët, ndërsa i Dërguari i Allahuts.a.v.s. sqaroi në shumë hadithe se nuk do të vijnë dy njerëz të ndryshëm, por vetëm një, i cili do të ketë dy detyra të ndryshme. Për të luftuar me të krishterët, ai u quajt Mesih i Premtuar dhe për t’i bashkuar e për t’i reformuar muslimanët, ai gëzon statusin e Imam Mehdiut. Një kuptim tjetër i këtyre dy emrave është se Mehdi do të thotë “i udhëzuar”, dhe sipas Kuranit Famëlartë, çdo i dërguar i Allahut, së pari është mehdi d.m.th. i udhëzuar, pastaj bëhet “udhëzues”. Për profetët e Izraelit, Allahu thotë në Kuran:

وَ جَعَلْنٰہُمْ اَئِمَّۃً یَّہۡدُوۡنَ بِاَمْرِنَا وَ اَوْحَیۡنَاۤ اِلَیۡہِمْ فِعْلَ الْخَیۡرٰتِ وَ اِقَامَ الصَّلٰوۃِ  وَ اِیۡتَآءَ الزَّکٰوۃِ ۚ وَکَانُوۡا لَنَا عٰبِدِیۡنَ

“Ne i bëmë ata udhëheqës (imamë) që udhëzonin sipas urdhrit Tonë dhe i frymëzuam që të bënin vepra të mira, të kryenin faljet dhe të jepnin zeqatin, dhe ata vetëm Ne na adhuruan.” (El-Enbija 21:74)

Edhe rreth Imam Mehdiut, në Sunan Ibn-e-Maxha, është përmendur:

عن انس بنِ مالک رضی اللہ عنہ اَنَّ رسولَ اللہِ صلی اللہ علیہ وسلم قال: لَا یَزْدادُ الْاَمْرُ اِلَّا شِدَّۃً وَلَا الدُّنیا اِلَّا اِدْبَارًا وَلَا النَّاسُ الَّا شُحًّا  وَلَا تَقُومُ السَّاعۃُ اِلَّا علیٰ اَشْرارِ النَّاسِ وَلَا الْمَھْدِیُّ اِلَّا عِیْسَی بْنُ مَرْیَمَ ۔ ابن ماجہ کتاب الفتن باب شدّۃ الزمان

Hazret Enes ibn Malik r.z. tregon se Hazret i Dërguari i Allahuts.a.v.s. ka thënë: “Gjërat do të përkeqësohen shumë, bota do të degradohet në ekstrem dhe njerëzit do të përparojnë vetëm në koprraci e lakmi dhe Ora do t’u vijë vetëm njerëzve të këqij dhe nuk do të ketë asnjë Mehdi tjetër përveç Isait birit të Merjemes.” (Ibni Maxhah, Kitabul fiten, Bab shiddatuz zaman)

Në një hadith tjetër, Hazret Profeti Muhammeds.a.v.s. e sqaron akoma më shumë këtë çështje, duke përmendur të dyja pozitat për një person dhe gjithashtu përmend edhe detyrat e ardhjes së Hazret Isait ashtu siç janë përmendur edhe në Buhari:

Transmetohet nga Abu Hurejrah r.z. se Hazret i Dërguari i Allahuts.a.v.s. ka thënë:

عن ابی ھریرۃ رضی اللہ عنہ عَنِ النَّبِیِّ ‏ ‏ صَلّى اللہُ عَلَیْہِ وَسَلَّمَ ‏ ‏قَالَ :‏ ‏ یوشك من عاش منكم أن یلقى ‏ ‏ عیسى ابن مریم ‏ ‏إماما مھدیا وحكما عدلا فیكسر الصلیب ویقتل الخنزیر ویضع ‏ ‏الجزیۃ ‏ ‏ وتضع الحرب ‏ ‏أوزارھا . مسند احمد جلد 2 رقم الصفحۃ 411

“Çdokush që do të jetojë prej jush, do ta gjejë Isain birin e Merjemes si Imam Mehdi, si vendimtar, gjyqtar, ai do ta thyejë kryqin, do të mbysë derrin dhe do të heqë xhizjen dhe lufta (xhihadi) do të dorëzojë armët e saj.” (Musnad Ahmed, vol. 2, f. 411)

Në vazhdim, lexoni:

7 argumente të pathyeshme nga Kurani përvdekjen e Hazret Isait a.s.

 

Kuptimi i vërtetë i ajetit: “Ata as nuk e vranë atë, as nuk e kryqëzuan, por ashtu u është dukur”

 

Shpëtimi i Krishtit nga kryqëzimi, nga vdekja e mallkuar – Faktet Biblike

 

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp