Teuhidin e vërtetë e gjen vetëm nëpërmjet Profetit Muhammed s.a.
(Hutbja e së xhumasë e Hazret Mirza Masrur Ahmedit, Kalif i Pestë i Xhematit Musliman Ahmedia, e mbajtur më 27.03.2026)
Shpallja e Teuhidit në jetën e Profetit s.a.v.s.
Duke iu referuar jetës së të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., (në hytbet e kaluara), kam folur për çështjen e teuhidit në kontekstin e jetës së tij. Detajet e rrëzimit të idhujve në kohën e çlirimit të Mekës jua kam treguar në hytbet e mëparshme. E gjithë kjo u bë nga ana e Profetit s.a.v.s. si shpallje e njëshmërisë së Allahut, që t’u tregonte arabëve idhujtarë që idhujt të cilët ju i adhuroni, ja ku është gjendja e tyre. Kështu që pamë që rreth e përqark Mekës, idhujt e mëdhenj të idhujtarëve, si Menat, Uzza, Suva etj., të gjithë u shkatërruan.
Rasti i idhullit Lat dhe refuzimi i çdo kompromisi
Në këtë kontekst, për idhullin Lat të banorëve të Taifit gjendet një transmetim. Banorët e Taifit, për idhullin e tyre Lat, të cilin e quanin “Rabbah” (perëndeshë), kërkuan që të mos prishej për tre vjet. Këtë kërkesë e paraqitën para të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.
Por ndjeshmëria e fortë e Profetit s.a.v.s. për teuhidin nuk e pranoi këtë kompromis. Ata kërkuan sërish që të paktën për një vit të mos rrëzohej. Edhe këtë ai e refuzoi. Pastaj thanë: të paktën për një muaj të mos prishet, që njerëzit të hyjnë në Islam dhe që njerëzit e paditur dhe gratë të mos largohen nga Islami për shkak të rrëzimit të tij.
Por edhe këtë ai nuk e lejoi. Pastaj dërgoi Hazret Ebu Sufjanin r.a. dhe Hazret Mugire bin Shuben r.a., të cilët e rrëzuan idhullin Lat. Ndjeshmëria e Profetit s.a.v.s. për teuhidin nuk e lejoi që në asnjë mënyrë të mbetej ndonjë idhull, sidomos tani që shteti islam ishte vendosur.
Lufta kundër çdo forme që cenon teuhidin
Transmetohet nga Ebul-Hajaxh el-Esedi, i cili thotë se Hazret Ali bin Ebi Talibi r.a. i tha:
“A të dërgoj në atë mision në të cilin më dërgoi mua i Dërguari i Allahut s.a.v.s.? Që të mos lësh asnjë statujë pa e zhdukur dhe asnjë varr të ngritur pa e rrafshuar.”
Pse? Sepse këto janë gjëra që mohojnë teuhidin dhe në një shtet islam nuk mund të tolerohen në asnjë mënyrë.
Por fatkeqësisht, sot një numër i madh i myslimanëve janë përfshirë në adhurimin e varreve. Bien në sexhde para tyre. Në vend që të kërkojnë nga Allahu i Madhërishëm, kërkojnë nga ata që janë varrosur në to, madje duke e tepruar në këtë çështje.
Pastrimi i Qabes dhe edukimi shpirtëror i sahabëve
Nuk ka dyshim se Profeti s.a.v.s., për vendosjen e teuhidit, u përball me një popull të fuqishëm si idhujtarët e Mekës dhe më në fund e pastroi Qaben nga treqind e gjashtëdhjetë idhuj.
Por krahas kësaj, ai bëri edhe një xhihad të madh e të bekuar për të vendosur teuhidin në zemrat e atyre që pranuan Islamin. Me fuqinë e tij të shenjtë, ai krijoi një bashkësi që e donte teuhidin.
Ai i edukoi sahabët në një mënyrë kaq të hollë dhe të bukur, saqë as hija më e vogël e shirkut nuk mund të lindte në mendimet e tyre. Madje i ndaloi sahabët që të mos e tepronin as në lavdërimin e Profetit.
Ndalimi i teprimit në lavdërimin e Profetit s.a.v.s.
Transmetohet nga Hazret Ibn Abbasi r.a. se ai e dëgjoi Hazret Umarin r.a. duke thënë mbi minber:
“Kam dëgjuar Profetin s.a.v.s. duke thënë: Mos e teproni në lavdërimin tim, ashtu siç e tepruan të krishterët në lavdërimin e birit të Merjemes. Unë jam vetëm rob i Tij, rob i Allahut, prandaj thoni: rob i Allahut dhe i Dërguari i Tij.”
Ruajtja e pastërtisë së teuhidit edhe në betime
Transmetohet nga Hazret Abdullah bin Umar r.a. se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u takua me Hazret Umar bin Hattabin r.a., ndërsa ai po udhëtonte në një karvan dhe po betohej në babanë e tij.
Profeti s.a.v.s. tha:
“Dëgjoni! Allahu ju ndalon që të betoheni për etërit tuaj. Kush do të betohet, le të betohet në Allahun ose të heshtë.”
Ai nuk e duronte që përballë teuhidit të Allahut, të vendosej qoftë edhe gjëja më e vogël.
Vlera e fjalës “La ilahe il-Allah”
Në lidhje me pozitën e atij që e shqipton fjalën e teuhidit, transmetohet se Ubejdullah bin Adij bin Hajar rrëfen nga Hazret Mikdad bin Amri r.a. (që ishte aleat me fisin Zohra), i cili mori pjesë në betejën e Bedrit së bashku me Profetin s.a.v.s..
Ai i tha të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.:
“Nëse përballem me një njeri nga jobesimtarët dhe luftojmë, dhe ai më pret njërën dorë me shpatë, pastaj fshihet pas një peme dhe thotë: ‘U bëra mysliman për hir të Allahut’, a duhet ta vras pasi e tha këtë?”
Profeti s.a.v.s. tha:
“Mos e vrit.”
Hazret Mikdadi r.a. tha:
“O i Dërguari i Allahut, ai më preu dorën dhe pastaj e tha këtë!”
Profeti s.a.v.s. tha:
“Mos e vrit. Sepse nëse e vret, ai do të marrë pozitën që ti kishe para se ta vrisje, ndërsa ti do të biesh në pozitën që ai kishte para se ta thoshte këtë fjalë.”
Paralajmërim për padrejtësitë ndaj atyre që lexojnë Shehadetin. Pra, edhe nëse ndonjë sahabi i vjetër bënte ndonjë veprim të tillë, Profeti s.a.v.s. e qortonte ashpër.
Por shikoni gjendjen e disa dijetarëve sot. Në Pakistan, ndaj ahmedianëve, megjithëse ata e thonë Shehadetin, bëhen padrejtësi të skajshme. Për këta që bëjnë padrejtësi, vendimi është dhënë nga vetë Profeti s.a.v.s. në këtë transmetim.
Gjithsesi, ata që ndjekin këta mullahë ekstremistë, duhet të reflektojnë.
Transmetohet nga Hazret Usame bin Zejdi r.a. se tha:
“I Dërguari i Allahut s.a.v.s. na dërgoi në një mision. Në mëngjes arritëm në Hurkaat të fisit Xhuhejna. (Hurkaat ishte një fshat në rrugën për fisin Xhuhejna). Aty hasa një person. Ai tha ‘La ilahe il-Allah’, por unë e godita me shtizë.
Pastaj në zemrën time u krijua një shqetësim, sepse ai kishte thënë ‘La ilahe il-Allah’, dhe unë prapë e vrava. Ia përmenda këtë Profetit s.a.v.s..
Ai tha: ‘A tha ai La ilahe il-Allah dhe ti e vrave?’
Unë thashë: ‘O i Dërguari i Allahut, ai e tha nga frika e armës.’
Profeti s.a.v.s. tha: ‘A ia hape zemrën që të dije nëse e tha me sinqeritet apo jo?’”
Ai vazhdoi ta përsëriste këtë fjali derisa unë dëshirova që të kisha pranuar Islamin vetëm atë ditë (që të mos e kisha bërë atë veprim).
Shpëtimi dhe dënimi lidhen me teuhidin
Pastaj në një transmetim tjetër vjen se Hazret Xhabiri r.a. rrëfen që një njeri erdhi te Profeti s.a.v.s. dhe tha: “O i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.), cilat janë dy gjërat që e bëjnë të detyrueshme Xhenetin dhe Xhehenemin?”
Ai tha: “Ai që vdes në atë gjendje që nuk i bën asnjë ortak Allahut, do të hyjë në Xhenet. Ndërsa ai që vdes duke i bërë ortak Allahut, do të hyjë në zjarr.”
Shirku i vogël: rreziku i fshehtë
Mahmud bin Lebidi rrëfen se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha: “Gjëja që më frikëson më shumë për ju është shirku i vogël.”
Sahabët thanë: “O i Dërguari i Allahut, çfarë është shirku i vogël?”
Ai tha: “Shtirja, syfaqësia.”
Në Ditën e Gjykimit, kur njerëzve do t’u jepet shpërblimi për veprat e tyre, Allahu i Madhërishëm do t’u thotë: “Shkoni tek ata për të cilët bënit syfaqësi në këtë botë dhe shikoni nëse gjeni ndonjë shpërblim tek ata.”
Pra, nëse doni falje, kërkojeni prej tyre dhe shihni çfarë merrni prej tyre.
Prandaj, jeta për dukje dhe shtirje, për të përfituar nga njerëzit, apo për t’i kënaqur ata, është njëlloj sikur të barazosh dikë a diçka me Allahun. Kjo është shirk dhe është jashtëzakonisht e papëlqyeshme për Allahun e Madhërishëm.
Shirku si padrejtësia më e madhe
Hazret Abdullah r.a. rrëfen se kur u shpall ajeti:
الَّذِينَ آمَنُوا وَلَمْ يَلْبِسُوا إِيمَانَهُم بِظُلْمٍ
“Ata që besuan dhe nuk e kanë përzier besimin e tyre me padrejtësi …” (Kurani i Shenjtë 6:83),
sahabët e Profetit s.a.v.s. thanë: “Kush prej nesh nuk ka bërë padrejtësi? Ne bëjmë shumë gabime dhe ndodh që nuk e kuptojmë.”
Atëherë Allahu i Lartësuar shpalli ajetin:
إِنَّ الشِّرْكَ لَظُلْمٌ عَظِيمٌ
(Shirku, pa dyshim, është padrejtësi shumë e madhe.) (Kurani i Shenjtë 31:13)
Pra, përgjigjja erdhi nga Allahu se shirku është padrejtësia më e madhe.
Prandaj, të mbështetesh në dikë tjetër përveç Allahut është shirk. Duhet të shohim me imtësi në veten tonë nëse ekziston ndonjë formë e shirkut, sepse kjo është padrejtësi shumë e madhe.
Shpjegimi i “padrejtësisë” në kontekstin e shirkut
Në shpjegimin e kësaj, në komentimin e Buhariut që kemi botuar, të shkruar nga Hazret Shah Ueliullah r.a., përmendet:
إِنَّ الشِّرْكَ لَظُلْمٌ عَظِيمٌ
Fjala “dhulm” (padrejtësi) do të thotë:
وَضْعُ الشَّيْءِ فِي غَيْرِ مَوْضِعِهِ
“vendosja e një gjëje në vend të gabuar.”
Çdo lloj sjelljeje e keqe dhe veprimi i padrejtë hyn në kuptimin e fjalës “dhulm” (padrejtësi). Nën titullin “kufr më i vogël se kufri”, shirku është shpallur si kufri më i madh, ndërsa edhe sjelljet e këqija të vogla janë quajtur kufër.
Kjo tregon hollësinë e kësaj çështjeje.
Pastaj, nën titullin “padrejtësi më e vogël se padrejtësia”, shirku është paraqitur si padrejtësia më e madhe dhe është shpjeguar pse është mëkati më i rëndë. Sepse në të, cilësitë e veçanta të Hyjnisë, u atribuohen të tjerëve.
Adhurimi, pra dashuria dhe bindja, që në thelb janë e drejta e Allahut, u jepen të tjerëve si ortakë.
Njeriu, i cili ishte rob i Allahut dhe ishte krijuar për të përmbushur vullnetin e Tij, bëhet rob i vetes, i njerëzve të tjerë apo edhe i qenieve më të ulëta, dhe kështu bie shumë poshtë nga pozita për të cilën është krijuar.
Ndërhyrja e padrejtë në të drejtat e njerëzve është padrejtësi, por ndërhyrja e padrejtë në të drejtat e Allahut është edhe më e rëndë. Ky është kuptimi i padrejtësisë që gjendet plotësisht në shirk. Shirku në thelb shkatërron qëllimin më të lartë të njeriut.
Duke u mbështetur në ajete dhe hadithe, Imam Buhariu ka sqaruar se besimi i plotë është ai që është krejtësisht i pastër nga çdo përzierje me shirk.
أُولَٰئِكَ لَهُمُ الْأَمْنُ وَهُم مُّهْتَدُونَ
“do të kenë paqe dhe do të jenë të udhëzuar.” (Kurani i Shenjtë 6:83)
Pra, siguria dhe udhëzimi i plotë u takojnë vetëm atyre që nuk e përziejnë besimin e tyre me asnjë formë shirku a padrejtësie. Besimi nuk është i plotë derisa, nga njëra anë, të shoqërohet me vepra të mira, dhe nga ana tjetër, të jetë i pastër nga çdo formë padrejtësie, sepse shirku, mëkatet dhe çdo lloj kufri e dëmtojnë atë vazhdimisht.
Pra, ky është standardi i qëndrimit në teuhid dhe i pastrimit nga shirku që na ka mësuar Profeti s.a.v.s.
Mohimi i Allahut dhe fyerje ndaj Tij
Hazret Ebu Hurejra r.a. rrëfen se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha se Allahu i Madhërishëm thotë:
“Biri i Ademit më ka mohuar, ndërsa nuk duhej ta bënte këtë. Më ka fyer, ndërsa nuk duhej ta bënte këtë. Sa i përket mohimit të tij, ai thotë se Unë nuk do ta ringjall atë pas vdekjes së tij. (Pra, e quan gënjeshtër botën tjetër, dhe kështu njeriu e quan gënjeshtër edhe Zotin). Kjo është mohim, ndërkohë, Unë atë e krijova herën e parë.
Ndërsa fyerja e tij është kur ai thotë se Unë kam bir, ndërsa Unë jam i Pavarur. Unë as nuk kam lindur dikë dhe as nuk jam i lindur dhe askush nuk është i barabartë me Mua.”
Shpjegimi i përsosur i sures El-Ihlas
Duke shpjeguar suren El-Ihlas, Mesihu i Premtuar a.s. thotë:
Allahu i Madhërishëm thotë: “Allahu është الصَّمَدُ es-Samed.” D.m.th. Allahu është ajo Qenie prej së cilës të gjithë kanë nevojë, ndërsa Ai nuk ka nevojë për askënd. Shikoni se me çfarë mjeshtërie dhe me çfarë bukurie kjo sure e shkurtër tregon patëmetësinë e Zotit, duke përshkruar pastërtinë e Tij nga çdolloj shirku!
Logjikisht shirku, pra të barazuarit ose ortakëria e dikujt a diçkaje me Zotin, mund të bëhet në katër forma:
- shirku në numër, (pra të thuash se ka dy, tre a katër zota)
- shirku në status,
- shirku duke sajuar trashëgimtar a farefis të Zotit dhe
- shirku në vepra apo në ndikimin e ndonjë vepre të caktuar.
Kjo sure e përshkruan Zotin të pastër nga të katër llojet e shirkut. Pohon qartazi se Ai është i Vetmi dhe se nuk ka dy a tre a shumë zota.
Pastaj thotë se Ai është Es-Samed, d.m.th. në status Ai është i Vetëmjaftueshëm dhe i Pavarur dhe përveç Tij, gjithçka tjetër është krijesë, e vdekshme dhe në çdo çast varet prej Tij.
Pastaj tha لَمْ يَلِدْ se Ai nuk ka bir, i cili për shkak të lidhjes së birësisë, të mund të pretendonte barazinë me Të, dhe shtoi لَمْ يُولَدْ se as dikush tjetër nuk është babai i Tij, i cili për shkak të lidhjes së atësisë, të mund të pretendonte barazinë me Të.
Pastaj لَمْ يَكُن لَّهُ كُفُوًا أَحَدٌ tha se as në punët e Tij nuk ka ndonjë bashkëpunëtor, i cili për shkak të bashkëpunimit, të mund të pretendonte barazinë me Të.
Në këtë mënyrë, kjo sure e nxjerr të pastër Zotin e Madhërishëm nga të katërta llojet e shirkut dhe provon se Ai është i Vetëm, pa asnjë ortak.
Dashuria për Suren el-Ihlas dhe shpërblimi i saj
Hazret Aishja r.a. rrëfen se Profeti s.a.v.s. dërgoi një njeri si komandant në një ekspeditë. Ai, gjatë namazit, u lexonte shokëve të tij dhe gjithmonë e përfundonte leximin me “Kul huvallahu ehad”, pra me Suren el-Ihlas.
Kur u kthyen, ata ia përmendën këtë Profetit s.a.v.s. Ai tha: “Pyeteni pse e bënte këtë.”
Kur e pyetën, ai tha: “Sepse kjo sure përmban cilësitë e të Gjithëmëshirshmit dhe unë dua ta lexoj atë.”
Atëherë Profeti s.a.v.s. tha: “Tregojini atij se Allahu e do atë.”
Pra, kjo është shpallje e teuhidit dhe kur dikush e do atë, Allahu gjithashtu e do atë.
Gjenden shumë shembuj të sahabëve që ishin të mbushur me dashuri për Allahun dhe për teuhidin. Në një transmetim, Hazret Enes bin Malik r.a. rrëfen se një njeri nga ensarët u printe atyre në namaz në xhaminë Kuba. Sa herë që lexonte ndonjë sure në namaz, ai fillonte me “Kul huvallahu ehad”, pastaj pasi e përfundonte atë, lexonte një sure tjetër. Këtë e bënte në çdo rekat.
Shokët e tij i thanë: “Ti e lexon këtë sure dhe pastaj mendon se nuk mjafton derisa lexon një tjetër. Ose lexo vetëm këtë sure, ose lëre atë dhe lexo një tjetër.”
Ai tha: “Unë nuk do ta lë këtë sure. Nëse ju dëshironi që unë t’ju prij me këtë mënyrë, do ta bëj. Nëse nuk ju pëlqen, atëherë unë largohem. Nuk kam nevojë për imamllëk.”
Ata e konsideronin atë si më të mirin prej tyre dhe nuk dëshironin që dikush tjetër t’u printe në namaz.
Kur Profeti s.a.v.s. erdhi tek ata, ia treguan këtë çështje. Ai i tha:
“O filan, çfarë të pengon të veprosh sipas asaj që të thonë shokët e tu? Çfarë të shtyn që ta lexosh këtë sure në çdo rekat?”
Ai tha: “O i Dërguari i Allahut, unë e dua këtë sure.”
Profeti s.a.v.s. tha: “Dashuria jote për të të ka futur në Xhenet.” Pra, dashuria për Suren el-Ihlas e futi atë në Xhenet.
Vlera e Sures el-Ihlas
Fuqia shpirtërore dhe edukimi i Profetit s.a.v.s. i bëri sahabët një shembull të gjallë të teuhidit. Në një transmetim të Buhariut thuhet se Profeti s.a.v.s. e ka quajtur këtë sure një të tretën e Kuranit.
Hazret Musleh Maudi r.a. (Kalif i Dytë i Xhematit Musliman Ahmedia) në shpjegimin e kësaj shkruan:
Kjo nuk do të thotë që kjo sure është një e treta e Kuranit për nga vëllimi, por do të thotë se përmbajtja e saj ka rëndësi të jashtëzakonshme.
Nga Kurani dhe hadithet kuptohet se në kohët e fundit do të shfaqen dy sprova të mëdha: një është sprova e Dexhallit dhe tjetra sprova e Jexhuxh-Mexhuxhit. Këto të dyja do të përplasen me Islamin.
Njëra mbart besimin në tre zota (Zoti Atë, Zoti Bir, Zoti Shpirti i Shenjtë), ndërsa tjetra është mohimi i plotë i ekzistencës së Zotit. Kurani i Shenjtë i ka hedhur poshtë të dyja këto dhe ka paraqitur besimin e drejtë.
Ai e përforcon njëshmërinë e Allahut dhe e mohon fuqishëm idenë e “Zotit Bir” dhe “Zotit Shpirt të Shenjtë”.
Prandaj, meqë një pjesë e madhe e Kuranit është në mbështetje të njëshmërisë së Allahut, Surja el-Ihlas, e cila e përmbledh këtë në mënyrë të përkryer, është quajtur një e treta e Kuranit.
Në fakt, qëllimi i Kuranit është të vërtetojë teuhidin dhe të shkatërrojë besimet e gabuara. Kur kjo sure, me fjalë kaq përmbledhëse dhe gjithëpërfshirëse, e ka shprehur në mënyrë të shkurtër atë përmbajtje me të cilën hidhen poshtë besimet e gabuara, shpallen të pavërteta ato dhe sqarohet realiteti i teuhidit, atëherë kjo sure jo vetëm që është një e treta e Kuranit, por madje bëhet e barabartë me të gjithë Kuranin.
Prandaj, fakti që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e ka quajtur këtë sure një të tretën e Kuranit nuk është një teprim, por ai e ka thënë këtë duke pasur parasysh rëndësinë e përmbajtjes së saj.
Teuhidi i vërtetë vetëm përmes Profetit Muhammed s.a.v.s.
Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:
Pa dyshim kuptoni se teuhidi i sigurt dhe i vërtetë mund të merret vetëm përmes Profetit. Ashtu siç Profeti ynë s.a.v.s. ua tregoi arabëve materialistë dhe atyre me besime të devijuara mijëra shenja qiellore dhe i bindi për ekzistencën e Allahut të Madhërishëm, edhe deri më sot ata që e ndjekin me sinqeritet dhe në mënyrë të plotë të Dërguarin e Allahut s.a.v.s., ua paraqesin këto shenja atiestëve.
E vërteta është kjo: derisa njeriu nuk i sheh fuqitë e gjalla të Zotit të gjallë, shejtani nuk largohet nga zemra e tij, as teuhidi i vërtetë nuk hyn në zemrën e tij dhe ai as nuk mund të bindet me siguri për ekzistencën e Zotit. Dhe ky teuhid i pastër dhe i plotë mund të merret vetëm përmes të Dërguarit të Allahut s.a.v.s..
Gjendja e sotme dhe ardhja e Mesihut të Premtuar a.s.
Sot, në këtë kohë, edhe ata që në praktikë pretendojnë se besojnë në një Zot, që nga pamja e jashtme thonë se ne besojmë në një Zot dhe e pranojmë Atë si Një, në fakt i kanë kthyer shpinën kësaj.
Fitnet e Jexhuxh-Mexhuxhit dhe të Dexhallit janë të ndara dhe janë sprova të jashtme. Por edhe brenda myslimanëve nuk ka mbetur më njohja e vërtetë e teuhidit.
Pra, në rrethana të tilla, shërbëtori i të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. duhej të vinte në formën e Mesihut të Premtuar dhe Mehdiut të premtuar, dhe sipas premtimit të Allahut ai erdhi dhe përballoi çdo sulm kundër teuhidit.
Prandaj, ne (që jemi anëtarë të Xhematit të tij) të drejtën e bejatit mund ta përmbushim vetëm atëherë kur të jemi besimtarë të vërtetë të teuhidit.
Kur Hazret Mesihu i Premtuar a.s. themeloi xhematin më 23 mars; dhe ne tani jemi duke kaluar në muajin mars, dhe në lidhje me 23 marsin mbajmë edhe tubimet e Ditës së Mesihut të Premtuar; kjo bëhet për këtë arsye që shërbëtori i të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., të cilin Allahu e dërgoi sipas premtimit të Tij, është dërguar për vendosjen e teuhidit.
Prandaj, kur ai themeloi xhematin dhe ne hymë në bejatin e tij, kemi bërë zotim që edhe ne të qëndrojmë gjithmonë në teuhid.
Dhe e drejta e teuhidit të vërtetë do të përmbushet vetëm atëherë kur secili prej nesh të përpiqet ta vendosë atë brenda vetes së tij, në familjen e tij dhe në shoqërinë e tij.
Allahu i Madhëruar u dhëntë të gjithë myslimanëve mundësinë që, duke e pranuar këtë të dërguar të Tij, ta vendosin teuhidin dhe të thyejnë fitnet e Jexhuxh-Mexhuxhit dhe të Dexhallit, të cilat sot janë në sulm me një forcë shumë të madhe.
Mesazhi i teuhidit në natën e Isra-së
Në lidhje me udhëtimin Isra, të Profetit Muhammed s.a.v.s., transmetohet se Hazret Abdullah bin Mesudi r.a. rrëfen që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha:
“U takova me Ibrahimin në natën kur më ndodhi Isra-ja. Ai tha: ‘O Muhammed (s.a.v.s.), përcille selamin tim umetit tënd dhe thuaju se Xheneti ka tokë të pastër, ujë të ëmbël dhe është një fushë e gjerë. Bimët e tij janë: Subhanallah, Elhamdulilah, La ilahe il-Allah dhe Allahu Ekber.’”
Prandaj, besimtari duhet t’i përmendë këto dhikre me thellësi të plotë dhe duke arritur një njohje të plotë të teuhidit të Allahut. Vetëm atëherë arrihet suksesi. Ne e pranojmë Allahun si Një dhe të Vetëm.
“Unë të fal dhe nuk shqetësohem, por me kushtin që …”
Në një hadith kudsi transmetohet nga Hazret Enes bin Malik r.a. se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha se Allahu i Lartësuar ka thënë:
“O biri i Ademit, kur ti më lutesh dhe shpreson tek Unë, Unë të fal, pavarësisht asaj që ke bërë, dhe nuk shqetësohem për këtë.”
Pra, edhe nëse brenda teje ka dobësi dhe mangësi, Unë të fal, sepse ti më lutesh.
“O biri i Ademit, nëse mëkatet e tua arrijnë deri në lartësinë e qiellit dhe pastaj kërkon falje prej Meje, Unë të fal dhe nuk shqetësohem.”
Allahu është Sunduesi dhe ka fuqi të falë të gjitha gjynahet.
“O biri i Ademit, nëse ti vjen tek Unë me mëkate sa gjithë toka, por më takon duke mos barazuar askënd e asgjë me Mua, Unë do të vij tek ti me falje po aq të madhe.”
Pra, të gjitha mëkatet Allahu i fal kur njeriu shkon tek Ai me përulësi, por kushti është që të mos ketë bërë shirk. Është e domosdoshme të përmbushet e drejta e teuhidit, pra e njëshmërisë së Zotit. Nuk mjafton vetëm ta pranosh me fjalë; duhet ta vërtetosh me çdo veprim se Allahu është Një.
Realiteti i Shehadetit “La ilahe il-Allah”
Në lidhje me pozitën e lartë të teuhidit, transmetohet nga Hazret Ebu Seid el-Hudriji r.a. se Profeti Muhammed s.a.v.s. tha:
Hazret Musai a.s. tha: “O Zoti im, më mëso diçka me të cilën të të përmend dhe të të lutem.”
Allahu i Madhërishëm tha: “O Musa, thuaj: La ilahe il-Allah.” (nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut)
Ai tha: “O Zoti im, këtë e thonë të gjithë robërit e Tu.”
Allahu tha: “Thuaj: La ilahe il-Allah.”
Ai tha: “O Zoti im, unë dua diçka të veçantë për mua.”
Allahu tha: “O Musa, nëse shtatë qiejt dhe banorët e tyre, dhe shtatë tokat vendosen në një peshore, dhe fjala La ilahe il-Allah vendoset në anën tjetër, ajo do të peshojë më rëndë se të gjitha.”
Pra, të gjitha krijesat e tokës dhe qiellit, të gjitha mirësitë, nëse vendosen në një anë, dhe fjala La ilahe il-Allah në anën tjetër, ajo do të peshojë më rëndë.
Duke iu përgjigjur një akuze, Hazret Mesihu i Premtuar a.s., shpjegon kredon La ilahe il-Allah dhe thotë:
“Mësimi i shenjtë i Profetit s.a.v.s. është se duke thënë “La ilahe il-Allah Muhammedur Resulullah” mëkatet largohen. Kjo është plotësisht e vërtetë. Ai që e njeh Allahun si Një dhe pa ortak dhe beson se Muhammed Mustafai s.a.v.s. është dërguar prej Tij, nëse vdes mbi këtë besim, do të shpëtojë.
Nën qiell nuk ka shpëtim përmes vetëvrasjes apo rrugëve të tjera. Por të besosh në Allahun si Një dhe pa ortak, dhe të besosh se Ai me mëshirën e Tij ka dërguar të Dërguarin e Tij, që quhet Muhammed s.a.v.s., dhe e ka dërguar për të shpëtuar njerëzimin nga devijimi, është një besim që largon errësirën e shpirtit.
Kur kjo bindje hyn në zemër, dëshirat e ulëta zhduken dhe në vend të tyre vendoset teuhidi. Me kalimin e kohës, ky teuhid mbush gjithë zemrën dhe njeriu fillon të jetojë një jetë parajsore që në këtë botë.
Ashtu si drita e largon errësirën, kur drita e “La ilahe il-Allah” bie mbi zemër, errësirat e epshit zhduken. Realiteti i mëkatit është trazimi i dëshirave egoiste. Kur njeriu i ndjek ato, quhet mëkatar.
Kuptimi i “La ilahe il-Allah” sipas përdorimit të gjuhës arabe është:
لَا مَطْلُوبَ لِي وَلَا مَحْبُوبَ لِي وَلَا مَعْبُودَ لِي وَلَا مَتَاعَ لِي إِلَّا اللَّهُ
“Nuk kam asnjë qëllim, asnjë të dashur, asnjë të adhurueshëm dhe asgjë që e ndjek, përveç Allahut.”
Dihet që kjo bie ndesh fort me mëkatin. Prandaj, ai që e vendos këtë kuptim me sinqeritet në zemrën e tij, largon çdo gjë tjetër prej saj. Ai do të veprojë sipas urdhrave të Allahut dhe do ta pranojë teuhidin, sepse dy gjëra të kundërta nuk mund të bashkohen.
Kur dëshirat egoiste largohen, kjo është gjendja që quhet pastërti e vërtetë dhe drejtësi e sinqertë.
Pjesa e dytë e Shehadetit kërkon që të besosh në të Dërguarin, sepse për të besuar në urdhrat e Allahut duhet të besosh në atë përmes të cilit këta urdhra janë shpallur.
Pra, të duhet të besosh edhe në atë, nëpërmjet të cilit Allahu ka dërguar mesazhin e tij. Kjo është e vërteta e Shehadetit.
Shirku, më i fshehtë se gjurma e milingonës
Hazret Ebu Musa el-Eshari r.a. rrëfen se Profeti s.a.v.s. tha:
“Ruajuni nga shirku, sepse ai është më i fshehtë se gjurma e këmbës së milingonës.”
Dikush tha: “O i Dërguari i Allahut, si të shpëtojmë prej tij kur është kaq i fshehtë?”
Ai tha: “Bëni këtë lutje:
اللَّهُمَّ إِنَّا نَعُوذُ بِكَ مِنْ أَنْ نُشْرِكَ بِكَ شَيْئًا نَعْلَمُهُ، وَنَسْتَغْفِرُكَ لِمَا لَا نَعْلَمُ.
Allahumme inna na’udhu bike en nushrike bike shej’en na’lemuhu, ve nestagfiruke lima la na’lem.”
O Allah, ne kërkojmë mbrojtje prej Teje që të mos të barazojmë dikë a diçka me Ty, me vetëdije, dhe kërkojmë falje për atë që e bëjmë pa e ditur!
Lutjet e mëngjesit dhe të mbrëmjes
Hazret Abdurrahman bin Abza r.a. rrëfen se Profeti s.a.v.s. e bënte këtë lutje në mëngjes:
أَصْبَحْنَا عَلَىٰ فِطْرَةِ الْإِسْلَامِ، وَعَلَىٰ كَلِمَةِ الْإِخْلَاصِ، وَعَلَىٰ دِينِ نَبِيِّنَا مُحَمَّدٍ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ، وَعَلَىٰ مِلَّةِ أَبِينَا إِبْرَاهِيمَ حَنِيفًا مُسْلِمًا، وَمَا كَانَ مِنَ الْمُشْرِكِينَ.
“Esbahna ala fitratil-islam ve ala kelimetil-ihlas ve ala dini nebijjina Muhammedin s.a.v.s. ve ala mil-leti ebina Ibrahime hanifen muslimen ve ma kane minel-mushrikin.”
Kemi hyrë në mëngjes mbi natyrën e Islamit, mbi fjalën e teuhidit, mbi fenë e Profetit tonë Muhammed s.a.v.s. dhe mbi fenë e babait tonë Ibrahim, i cili ishte i drejtë dhe mysliman dhe nuk ishte prej idhujtarëve.
Pra, që në mëngjes, më së pari kujtojeni Allahun.
Ndërsa Hazret Abdullah bin Mesudi r.a. rrëfen se në mbrëmje Profeti s.a.v.s. thoshte:
أَمْسَيْنَا وَأَمْسَى الْمُلْكُ لِلَّهِ، وَالْحَمْدُ لِلَّهِ، لَا إِلٰهَ إِلَّا اللَّهُ وَحْدَهُ لَا شَرِيكَ لَهُ.
“Emsejna ve emsel-mulku lil-lah, velhamdu lil-lah, la ilahe il-Allah, vahdehu la sherike leh.”
Kemi hyrë në mbrëmje dhe i gjithë sundimi i takon Allahut. Lavdërimi i takon Allahut. Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Ai është Një dhe i Pashoq.
Hazret Abdullah bin Burejde el-Eslemi transmeton nga babai i tij se ai rrëfen që Profeti s.a.v.s. dëgjoi një njeri duke u lutur. Ai po thoshte:
“O Allah, unë të kërkoj me anë të kësaj që dëshmoj se vetëm Ti je Allahu. Nuk ka askush tjetër të denjë për adhurim përveç Teje. Ti je Një, i Vetëmjaftueshëm, Ai që as nuk ka lindur askënd, as është i lindur dhe askush nuk është i barabartë me Ty.”
Ai thotë se kur e dëgjoi këtë, Profeti s.a.v.s. tha: “Pasha Atë në dorën e të cilit është jeta ime, ai i kërkoi Allahut me emrin e Tij më të Madh; atë Emër me të cilin, kur bëhet lutje, Ai e pranon, dhe kur kërkohet me të, Ai jep.”
Nga Hazret Esma bint Umejs r.a. transmetohet se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. më tha: “A të mos t’i mësoj disa fjalë që t’i lexosh në kohë vështirësie dhe fatkeqësie?” Ato fjalë janë:
اللَّهُ رَبِّي لَا أُشْرِكُ بِهِ شَيْئًا.
“Allahu Rabbi, la eshriku bihi shej’a.”
“Allahu është Zoti im; unë nuk i bëj Atij asnjë ortak.”
Kur njerëzit pyesin se çfarë duaje duhet bërë në vështirësi, kjo është gjithashtu një prej atyre lutjeve.
Në një transmetim tjetër vjen se Hazret Ibn Abbasi r.a. rrëfen që Profeti s.a.v.s. në kohën kur ndihej i shqetësuar, lutej kështu:
لَا إِلٰهَ إِلَّا اللَّهُ الْعَظِيمُ الْحَلِيمُ، لَا إِلٰهَ إِلَّا اللَّهُ رَبُّ السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضِ، وَرَبُّ الْعَرْشِ الْعَظِيمِ.
“La ilahe il-Allahul-Adhimul-Halim, la ilahe il-Allah, Rabbus-semavati vel-erdi ve Rabbul-arshil-adhim.”
“Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, të Madhit, shumë të Durueshmit. Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Zotit të qiejve dhe të tokës dhe Zotit të Arshit të Madh.”
Se me sa hollësi Profeti s.a.v.s. na e mësoi vendosjen e teuhidit, mund të shikoni në këtë rrëfim. Ebu Rimsah r.a. transmeton nga babai i tij, i cili i tha të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.: “Më lër të shoh atë që ke mbi shpinë”, domethënë vulën e profecisë, “sepse unë jam mjek.”
Ai tha: “Mjeku është Allahu. Ti je vetëm njeri i butë, që i jep qetësi dhe ngushëllim të sëmurit. Mjek është vetëm Ai që e ka krijuar; Ai është edhe që i jep shërim.”
Hazret Ubadah bin Samiti r.a. thotë se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha: “Kush thotë: Dëshmoj se nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut; Ai është Një, nuk ka ortak; dhe se Muhammedi s.a.v.s. është robi i Tij dhe i Dërguari i Tij; dhe se Isai është rob i Allahut dhe biri i robëreshës së Tij; dhe se ai është fjala e Tij, të cilën Ai e hodhi te Merjemja, dhe një shpirt prej Tij; dhe se Xheneti është i vërtetë dhe Xhehenemi është i vërtetë; Allahu do ta fusë atë në Xhenet nga cilado prej tetë dyerve të tij që të dojë.”
Umejr bin Hani e transmeton këtë hadith me të njëjtin zinxhir dhe e ka vërtetuar gjithashtu, por ai ka thënë se Allahu nuk ia kishte bërë të ditur atij këtë pjesë tjetër, që Profeti s.a.v.s. kishte thënë më tej: se Allahu do ta fusë atë në Xhenet, çfarëdo qofshin veprat e tij. Këtë pjesë e ka thënë deri aty, por nuk e ka thënë se “nga cilado prej tetë dyerve të Xhenetit që të dojë”. Në transmetimin tjetër nuk gjendet përmendja e tetë dyerve.
Islami është ngritur mbi pesë gjëra
Nga Hazret Ibn Umeri r.a. transmetohet se Profeti s.a.v.s. tha:
“Islami është ngritur mbi pesë gjëra:
- që të adhurosh Allahun dhe të mohosh hyjninë e çdo tjetri përveç Allahut,
- të falësh namazin,
- të japësh zekatin,
- të bësh haxhin e Shtëpisë së Allahut dhe
- të agjërosh muajin e Ramazanit.”
Nga Hazret Jesira r.a., e cila ishte prej grave muhaxhire, transmetohet se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha:
“Është detyrë për ju, o gra, që të bëni tesbih, tehlil dhe takdis, dhe të mos bëheni të pakujdesshme, si pasojë e së cilës do ta harroni teuhidin. Numëroni me gishta, sepse gishtat do të pyeten Ditën e Kiametit dhe do të urdhërohen të flasin.”
Domethënë, duke numëruar me gishta, bëni edhe dhikr të Allahut, shpallni shenjtërinë e Tij, shpallni njëshmërinë e Tij dhe bëni tesbihin e Tij.
Pra, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. nuk la asnjë rast, asnjë takim, asnjë shtresë njerëzish, pa e ngulitur teuhidin në zemrat e umetit. Kudo i këshillonte njerëzit për vendosjen e teuhidit të Allahut të Madhëruar dhe të madhështisë së Tij.
Në lidhje me këtë, Hazret Musleh Maudi r.a. ka shkruar në një vend, madje e ka përmendur edhe në një hytbe të tij:
“I Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte aq shumë pasion për vendosjen e teuhidit, saqë edhe kundërshtarët e tij e pranojnë se ai, ulur e ngritur, duke ecur e duke lëvizur, në çdo kohë thërriste vetëm Zotin.
Kështu, një historian francez shkruan se, sido që të jetë, çfarëdo akuze që t’i bëni Muhammedit (s.a.v.s.), por unë shoh tek ai një gjë të tillë që, që kur është ngritur bota e deri më sot, nuk e kam parë tek asnjë njeri.” Pra, diçka që nuk e kam parë te askush tjetër. Dhe ajo është se, prej kohës kur Profeti Muhammed shpalli profecinë e tij, deri në çastin e vdekjes, një fjalë e vetme mbeti në gjuhën e tij, dhe ajo ishte fjala “Allah”. Sikur ai të kishte një ngulmim dhe një pasion të fortë për ta bërë botën ta pranojë Zotin dhe për ta shfaqur Atë në botë.
Pra, ata njerëz që punën e Profetit s.a.v.s. e quajnë “çmenduri”, në kuptimin se ai vazhdimisht e përmendte Zotin, edhe ata vetë e pranojnë se puna e parë dhe më e madhe e Profetit s.a.v.s. ishte ta bënte botën ta pranonte Zotin dhe njëshmërinë e Allahut të Madhëruar, le ta quajnë “çmenduri” punën e tij, por kjo është pikërisht ajo gjë për të cilën më pas njerëzit e kanë quajtur të përkryer. Edhe nëse nuk e kanë quajtur të përkryer, të paktën kanë besuar aq sa duhet, se një njeri i tillë nuk mund të jetë i keq, që ditë e natë thërret “Zot, Zot” dhe që është i zhytur vazhdimisht në këtë dëshirë për ta bërë botën ta pranojë Atë, njëshmërinë e Tij dhe cilësitë e Tij.
Gjithsesi, duke parë këtë gjendje të Profetit s.a.v.s., bëhet e qartë se qëllimi i ardhjes së tij dhe i të gjithë profetëve në këtë botë ka qenë pikërisht ky: të zhdukin shirkun, ta bëjnë botën ta pranojë Allahun e Madhëruar dhe ta përhapin në botë njëshmërinë e Tij.
Ruajtja e kufirit ndërmjet madhështisë së Allahut dhe asaj të Profetit s.a.v.s.
Hazret Musleh Maudi r.a. diku tjetër shkuran:
“Duhet mbajtur mend se, sado e lartë të jetë madhështia e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe sado dashuri të kemi për të, megjithatë madhështia e Allahut të Madhërishëm është gjithmonë shumë më e lartë se madhështia e tij.
Allahu i Madhërishëm është i Përjetshëm, pa fillim dhe pa fund, ndërsa Muhammedi s.a.v.s. është një prej bekimeve shumë të mëdha të Tij. Dhe do të ishte armiqësi ndaj Profetit s.a.v.s. që ne t’i japim atij një pozitë, e cila do të zvogëlonte pozitën e Allahut të Madhërishëm.”
Sepse vetë i Profeti Muhammed s.a.v.s. nuk e pëlqente kurrë që t’i jepej një pozitë më e lartë se ajo e Allahut, siç u përmend edhe më parë në hadithe. Çdo veprim i tij është dëshmi e mjaftueshme për këtë.
Të gjitha veprat e mëdha që iu mundësuan atij ishin vepra me fuqi të jashtëzakonshme, që nuk janë në mundësinë e asnjë njeriu. Ato mund të realizoheshin vetëm me fuqinë e Allahut.
Këshilla e fundit e Profetit s.a.v.s. ka qenë kundër shirkut
Por në momentet e fundit të jetës së tij, kur vuajtjet janë më të mëdha, Hazret Aishja r.a. thotë se ajo më parë mendonte se ai që ka shumë dhimbje në momentin e vdekjes nuk është njeri i mirë. Por kur e pa të Dërguarin e Allahut s.a.v.s., iu desh ta ndryshonte mendimin.
Edhe në atë gjendje dhimbjeje të madhe, ai kishte aq shumë kujdes për pozitën e Allahut, saqë duke e ditur se ndjekësit e tij e duan shumë dhe mund të teprojnë në vlerësimin e tij, ai vazhdimisht thoshte:
“Allahu i mallkoftë hebrenjtë dhe të krishterët, sepse ata i bënë vende adhurimi varret e profetëve të tyre!”
Ai e përsëriste vazhdimisht këtë. Pra, mësimi i fundit që ai i dha umetit ishte ky: mos më jepni pozitë që përmban shirk. Dhe nëse e bëni këtë, mos mendoni se unë do të jem i kënaqur, përkundrazi, shpirti im do t’i mallkojë ata që veprojnë kështu.
Prandaj, edhe nëse bëhet fjalë për vetë të Dërguarin e Allahut s.a.v.s., t’i atribuohet atij një pozitë që cenon pozitën e Allahut nuk është shkak kënaqësie për të, përkundrazi, është shkak për mallkim mbi ata që e bëjnë këtë.
Dihet që mallkimi në momentin e vdekjes është shumë i rrezikshëm. Edhe njerëzit që nuk janë ndjekës të fesë së vërtetë, si p.sh. hindusët, etj. kanë frikë nga mallkimi në momentin e vdekjes. Njerëzit kanë frikë edhe nga mallkimi i prindërve në momentet e fundit të jetës së tyre.
Atëherë, kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s., i cili është prijësi i të gjithë profetëve, e thotë këtë në momentin e vdekjes, sa e madhe duhet të jetë rëndësia e kësaj dhe sa i rëndë është ky mallkim! Andaj, duhet të ruhemi prej saj.
Edhe pse kjo nuk ndodh në varrin e tij, siç ju kam thënë edhe më parë, por në varret e shejhlerëve dhe shenjtorëve këto gjëra bëhen. Dhe kjo hyn nën mallkimin që ka përmendur i Dërguari i Allahut s.a.v.s.
Prandaj, ne që jemi pasues të shërbëtorit të tij të vërtetë, duhet të kemi vëmendje të krijojmë njohje të vërtetë të teuhidit, ta kuptojmë dhimbjen e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. për vendosjen e teuhidit dhe të përpiqemi me gjithë fuqinë tonë për këtë, në mënyrë që të bëhemi adhurues të vërtetë të Zotit të Vetëm. Allahu i Madhërishëm na dhëntë mundësinë për këtë!
Thirrje për teuhid dhe lutje për unitetin e myslimanëve
Gjendja e luftës po bëhet gjithnjë e më e rëndë. Amerika dhe Izraeli po përpiqen të vendosin dominimin e tyre në të gjithë botën dhe veçanërisht në botën islamike. Siç kishte thënë presidenti i Izraelit, që kur filloi lufta në Palestinë, ‘tani do të ndryshohet harta e këtij rajoni, madje edhe e vendeve arabe’.
Pra, këto janë përpjekje për të ndryshuar hartat. Vendet islamike duhet ta kuptojnë se në ç’drejtim po shkojnë këto zhvillime dhe sa e domosdoshme është uniteti dhe bashkimi i tyre.
Kemi dëgjuar se Pakistani po përpiqet të ndërmjetësojë paqe ndërmjet Iranit dhe vendeve të tjera me Amerikën. Megjithatë, për shkak se dëmet po ndodhin edhe në vendet arabe, Pakistani po bën përpjekje në këtë drejtim. Por në disa qarqe në Iran është krijuar mosbesim dhe madje janë bërë akuza se Pakistani, pranë kufirit me Iranin, po trajnon forca amerikane ose po ndihmon forca që do të luftojnë kundër Iranit. Kjo është plotësisht e gabuar dhe Pakistani e ka mohuar këtë.
Armiku po përfiton nga këto rrethana për të krijuar përçarje, në mënyrë që vendet islamike të mos mund të ndihmojnë njëra-tjetrën.
Prandaj ka nevojë për shumë lutje. Allahu i Madhërishëm na dhëntë mundësinë që të bëjmë lutje në këtë drejtim dhe gjithashtu t’u japë vendeve islamike mundësinë të bashkohen në një zinxhir uniteti!