“Nuk ka nevojë të frikësoheni nga xhamitë e vërteta”, – Udhëheqësi i Xhematit Musliman Ahmedia

Zyra e shtypit dhe e medias

Zyra e shtypit dhe e medias


Më shumë rreth autorit

<strong>Hazret Mirza Masrur Ahmed përuroi xhami të re në Lloydminster të Kanadasë.

Xhemati Musliman Ahmedia ka kënaqësinë t’ju njoftojë se më 5 nëntor 2016, Shenjtëria e tij, Hazret Mirza Masrur Ahmed, udhëheqësi botëror i Xhematit Musliman Ahmedia përuroi xhaminë Bejtul-Aman në Lloydminster, Saskatchewan të Kanadasë.

Menjëherë pas mbërritjes së tij, Shenjtëria e tij zbuloi pllakën përkujtimore, duke udhëhequr më pas një lutje të heshtur. Më pas, ai drejtoi namazin e akshamit dhe të jacisë në xhaminë e re.

Islami ne PerendimNjë ditë më pas, gjegjësisht, më 6 nëntor 2016, u organizua një pritje e veçantë me rastin e përurimit të xhamisë, event i cili u shënua me fjalimin kryesor të Shenjtërisë së tij.

Gjatë fjalimit të tij, Shenjtëria e tij foli për qëllimin e xhamive të vërteta. Ai tregoi se si një xhami është një vend jo vetëm për të adhuruar Zotin e Madhërishëm, për edhe për t’u shërbyer të gjithë njerëzve.

Duke u drejtuar pjesëmarrësve, Shenjtëria e tij tha se, në një kohë kur është përhapur gjerësisht një frikë ndaj Islamit, me pjesëmarrjen e tyre në një event të Islamit, ata kanë treguar zemërgjerësinë e tyre dhe kjo është një shenjë e

“kurajës së jashtëzakonshme”

të tyre.

Islami ne PerendimShenjtëria e tij shpjegoi me detaje qëllimet e vërteta të ndërtimit të xhamive.

Hazret Mirza Masrur Ahmed tha:

“Fjala arabe për xhaminë është “mesxhid”, që fjalë për fjalë do të thotë, një vend ku mblidheni për të treguar përulësinë dhe nënshtrimin absolut për të adhuruar Zotin e Madhërishëm. Kur një njeri hyn në xhami me këtë shpirt tejet të pastër, duke e konsideruar veten asgjë, ai kurrsesi nuk mund të imagjinojë t’i sjellë dëm ndokujt ose të bëhet shkak i çrregullimit dhe i armiqësisë”.

Hazret Mirza Masrur Ahmed shtoi:

Muslimani që lutet me përulësi është një person i butë, i kujdesshëm dhe i mëshirshëm, që përpiqet të qëndrojë larg imoralitetit, veprimeve të paligjshme dhe të gjitha formave të së keqes, dhe asnjëherë nxitës i trazirës apo i përçarjes. Xhamitë janë një mjet për t’i bashkuar njerëzit në përulësi për adhurimin e Krijuesit të tyre”.

Shenjtëria e tij citoi ajetin 3 të sures 5 të Kuranit Famëlartë, që thotë:

“Nuk duhet t’ju nxisë armiqësia ndaj një populli pse ai ju ka ndaluar nga xhamia e shenjtë, që ju ta keqtrajtoni atë”. (Kurani Famëlartë 5:3)

Duke shpjeguar këtë ajet, Hazret Mirza Masrur Ahmed tha:

“Muslimanët e parë që ishin persekutuar pamëshirshëm, në këtë ajet, Zoti i Madhërishëm i ndaloi t’u përgjigjeshin kundërshtarëve me padrejtësi ose keqbërje, edhe pse këta të fundit i ndaluan muslimanët të hynin në Qabe, në Xhaminë e Shenjtë, që është vendi më i respektuar në Islam”.

Hazret Mirza Masrur Ahmed vijoi:

“Kështu që, Kurani Famëlartë ka vendosur një standard të pakundshoq të tolerancës, drejtësisë dhe të durimit, duke i porositur muslimanët t’i përmbahen, duke i obliguar të veprojnë me drejtësi, mëshirë dhe paanësi edhe ndaj atyre që tentojnë t’ua mohojnë lirinë e tyre fetare. … Andaj, le të keni të qartë se nuk ka nevojë të frikësoheni nga xhamitë e vërteta, sepse ato nuk janë vende që nxisin hakmarrje dhe urrejtje, por janë shtëpi të paqes, të harmonisë dhe të bashkimit për hir të adhurimit ndaj Zotit të Madhërishëm”.

Shenjtëria e tij gjithashtu citoi ajetin 37 të sures 4 të Kuranit Famëlartë, që u bën thirrje muslimanëve të tregojnë mëshirë ndaj:

“prindërve, të afërmve, jetimëve, të varfërve, fqinjëve farefis dhe fqinjëve jo-farefis, shokëve, dhe udhëtarëve” (Kurani Famëlartë 4:37)

Duke shpjeguar këtë ajet, Kalifi i Xhematit Musliman Ahmedia tha se ky ajet u kërkon muslimanëve t’i shërbejnë njerëzimit me dhembshuri të plotë, pa bërë dallimin e racës, ngjyrës e të kombit.

Hazret Mirza Masrur Ahmed tha:

“Xhamitë tona ngrihen me qëllim që të bashkojnë njerëzit dhe t’u shërbejnë fqinjëve dhe shoqërisë lokale. Xhamitë tona janë fenerët e dritës që rrezatojnë paqe, dashuri dhe humanizëm. Kudo që kemi ndërtuar xhami, ose kemi themeluar xhematin tonë ahmedia, aty ne jemi përpjekur për të lehtësuar vuajtjet e njerëzve, sepse Allahu i Madhërishëm e ka kushtëzuar detyrimin e adhurimit ndaj Tij me përmbushjen e të drejtave të njerëzimit. Feja jonë na mëson se adhurimi ynë dhe lutjet tona janë të padobishme, nëse ne dështojmë t’u japim dashuri e mbështetje dhe gëzime atyre që na rrethojnë”.

Shenjtëria e tij dha shembuj të nismave humanitare që Xhemati Musliman Ahmedia ka marrë në Afrikë, duke u mundësuar njerëzve ujë të pijshëm, shërbime shëndetësore dhe shkollim, duke hapur pompa uji, spitale dhe shkolla në disa nga vendet më të privuara të botës.

Islami ne PerendimDuke treguar efekte pozitive të përpjekjeve humanitare të Xhematit Musliman Ahmedia, Hazret Mirza Masrur Ahmed tha:

“Në vend që të mbartnin orë të tëra enë prej balte në kokat e tyre, sot fëmijët e këtyre vendeve po arsimohen në shkollat që ka hapur Xhemati Musliman Ahmedia. Ne përpiqemi që t’i lirojmë ata nga zgjedha e varfërisë e t’i ndihmojmë që të ngrihen në këmbët e tyre, në mënyrë që ata t’u shërbejnë jo vetëm familjeve të tyre, por edhe kombit të tyre”.

Hazret Mirza Masrur Ahmed vijoi:

“Që t’ua largojmë barrën tejet të rëndë të dëshpërimit nga supet e njerëzve kaq të pafavorizuar, ne këtë e konsiderojmë si fatmirësi për vete. Ky është Islami i vërtetë, ku përveç adhurimit të Zotit të Madhërishëm, muslimanët përpiqen me zell për t’u sjellë rehati të tjerëve”.

Duke përfunduar fjalën e tij, Hazret Mirza Masrur Ahmed tha se njerëzit vendas që jetojnë afër kësaj xhamie, shumë shpejt do të shohin se xhamia e re është

“qendër e paqes për të gjithë njerëzimin”.

Hazret Mirza Masrur Ahmed bëri lutje:

“Lutem që fqinjët dhe të gjithë anëtarët e shoqërisë të vijnë e të dëshmojnë me sytë e tyre, standardet më të larta të dashamirësisë, të kujdesit dhe të konsideratës për të tjerët nga muslimanët ahmedianë të këtij vendi. Gjithashtu, lutem që asnjëherë të mos bëhemi shkak i dhimbjes apo i shqetësimit për askënd. Jam i bindur që muslimanët ahmedianë të këtij vendi kështu do të veprojnë dhe do të përpiqen maksimalisht që t’i shërbejnë njerëzimit me vetëmohim e zemërgjerësi”.

Islami ne PerendimPërpara fjalimit kryesor të Kalifit të Xhematit, Presidenti i Xhematit Ahmedia të Kanadasë z. Lal Khan Malik mbajti fjalën përshëndetëse, e cila u pasua me fjalën e Kryetarit të Bashkisë së Lloydminster z. Gerard Albers, i cili i bëri mirëseardhje Hazret Mirza Masrur Ahmedit në qytetin e tij. Më pas edhe miq të ndryshëm morën fjalën.

Znj. Colleen Young, deputete e parlamentit të provincës Saskatchewan tha:

“Shenjtëria juaj, ne mund të shohim dhe mund të dëshmojmë në provincën tonë, në zonën time elektorale dhe në qytetin tonë, se si Xhemati Musliman Ahmedia nën udhëheqjen tuaj është i angazhuar në shërbim të njerëzimit. … Këtu në Kanada dhe në Saskatchewan, ne bashkëndajmë vizionin tuaj të dashurisë për të gjithë dhe të urrejtjes për askënd”.

Z. Jason Kenney, Ish-ministër federal i Integrimit dhe i mbrojtjes tha:

“Xhemati Musliman Ahmedia në Kanada është një bashkësi që është shembull i integrimit dhe i ruajtjes së besimit dhe identitetit të vet në shoqërinë pluraliste të Kanadasë. Xhemati Musliman Ahmedia është një komunitet plot musliman dhe plot kanadez dhe, për këtë arsye, është një shembull i mrekullueshëm për ata që vijnë këtu nga e gjithë bota”.

John Gormley, ish-politikan dhe aktualisht drejtues i një emisioni të famshëm radio, tha:

“Në aspektin e zgjerimit, në aspektin e angazhimit qytetar, në aspektin e ndërtimit të një Kanadaje më të mirë, aktivitetet mbarëkombëtare e Xhematit Musliman Ahmedia pa dyshim janë një frymëzim për ne”.

Edhe para edhe pas pritjes, Shenjtëria e tij takoi personalisht një numër miqsh. Gjithashtu, ai mbajti një konferencë për shtyp me përfaqësuesit e medies lokale.

Shpërndaje

Send this to a friend