Fito botën pa humbur ahiretin | Një lutje e përsosur e Kuranit dhe shpjegimi
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Fito botën pa humbur ahiretin | Një lutje e përsosur e Kuranit

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Sot, meqenëse kam mbajtur edhe hytben e Bajramit, do të jap një hytbe të shkurtër. Për këtë kam marrë një citim nga Hazret Mesihu i Premtuar a.s., ndaj të cilit duhet të kemi gjithmonë vëmendje.

Fito botën, që t’i shërbesh fesë

Ai thotë:

“Lidhjet e një besimtari me botën, sa më të gjera të jenë, aq më shumë bëhen shkak për ngritjen e gradave të tij, sepse qëllimi i tij kryesor është feja.”

Edhe marrëdhëniet me botën bëhen të mira dhe të dobishme vetëm kur synimi i tyre është feja. Pra, lidhjet me botën duhet të kenë për qëllim fenë. Kjo është shenjë e besimtarit. Bota, pasuria dhe pozita e tij duhet të jenë shërbëtore të fesë.

“Pra, thelbi është që bota të mos bëhet qëllim në vetvete, por në fitimin e saj qëllimi kryesor të jetë feja.”

Edhe nëse fitojmë botën, synimi duhet të jetë që feja jonë të përmirësohet dhe që t’i shërbejmë fesë. Nuk duhet të fitojmë botën përmes rrugëve të gabuara duke e shkatërruar këtë botë dhe botën tjetër, por duhet ta fitojmë për të rregulluar botën tjetër dhe për të përmirësuar fenë dhe besimin tonë.

Mesihu i Premtuar a.s. shpjegon:

“Botën ose dynjanë duhet të fitosh në atë mënyrë që ajo të bëhet shërbëtore e fesë.”

Ai jep shembullin se si njeriu, kur udhëton nga një vend në një tjetër, merr me vete mjetin e udhëtimit dhe furnizimet për rrugë. Qëllimi i vërtetë i udhëtarit është të arrijë në destinacion, jo vetë mjeti apo furnizimet e rrugës. Të gjitha këto gjëra merren për ta bërë udhëtimin më të lehtë, që njeriu të arrijë rehat në vendin e synuar, jo për t’u kënaqur me to gjatë rrugës.

Në të njëjtën mënyrë, njeriu duhet ta fitojë botën, por duke e konsideruar atë si shërbëtore të fesë.

Një lutje e përsosur e Kuranit dhe shpjegim i përsosur i saj

Allahu i Madhërishëm na ka mësuar një lutje:

رَبَّنَا آتِنَا فِي الدُّنْيَا حَسَنَةً وَفِي الآخِرَةِ حَسَنَةً وَقِنَا عَذَابَ النَّارِ

“Rabbena atina fid-dunja haseneten ue fil-ahirati haseneten ue kina adhaben-nar.”

“O Zoti ynë! Na jep të mirën në këtë botë, të mirën në ahiret dhe na shpëto nga ndëshkimi i zjarrit!” (Kurani i Shenjtë 2:202)

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. duke e shpjeguar këtë lutje, thotë:

Allahu i Madhërishëm, kur na mëson të bëjmë lutjen:

““O Zoti ynë! Na jep të mirën në këtë botë, të mirën në ahiret”, edhe këtu e ka vendosur në fillim botën; por cilën botë? E ka vendosur të parën botën, por pse dhe cilën botë? “Haseneten fid-dunja”, atë botë që bëhet shkak për të mirat e botës tjetër. Një botë e tillë që, duke e fituar, të përfitosh edhe në botën tjetër. Pra, të kërkosh ato gjëra të kësaj bote që bëhen shkak për të mirat e botës tjetër, jo ato që bëhen shkak për turpërim në botën tjetër. Sepse nëse njeriu zhytet plotësisht në botë, do të përballet me turpërim.

Ai thotë se nga kjo lutje kuptohet qartë se besimtari duhet të ketë parasysh të mirat e botës tjetër gjatë fitimit të botës. Dhe në fjalën “haseneten fid-dunja” përfshihen të gjitha mënyrat më të mira dhe të pastra për të fituar botën, të cilat besimtari duhet t’i ndjekë.

Botën fito me atë mënyrë që sjell mirësi dhe ndershmëri, jo me mënyra që shkaktojnë dëm për të tjerët, as me mënyra që bëhen shkak për turp dhe poshtërim në mesin e njerëzve. Vetëm atëherë, pa dyshim, bota do të bëhet shkak për të mirat e botës tjetër.

Pra, fitoni një botë nga e cila jo vetëm ju përfitoni, por përfiton edhe njerëzimi. Mos bëni veprime që bëhen shkak për turp për ju, për familjen tuaj dhe për të afërmit tuaj. Përkundrazi, jeta duhet të jetë e pastër, e mbështetur në mirësi dhe në druajtje ndaj Zotit. Kur jeta është e tillë dhe njeriu përpiqet të fitojë botën me këtë qëllim, atëherë ajo e shpërblen si në këtë botë ashtu edhe në botën tjetër.

Kërko të mirat e kësaj bote dhe të botës tjetër në një kohë trazirash

Pra, sot, kur bota në përgjithësi është zhytur në ndjekjen e qëllimeve dhe interesave të saj, dhe kur u jepet përparësi interesave personale, nëse shohim kombet, ato mendojnë vetëm për kombin e tyre, jo për njerëzimin. Duke vepruar kështu, ata po përgatisin vetë shkaqet e shkatërrimit të tyre.

Në këto rrethana, ne duhet të përqendrohemi që t’i kërkojmë Allahut të Madhërishëm të mirat e kësaj bote dhe të botës tjetër. Në një kohë të tillë, është shumë e nevojshme të shtojmë vëmendjen tonë ndaj kësaj, në mënyrë që të rregullojmë jetën tonë në këtë botë dhe në botën tjetër dhe të ruhemi nga çdo lloj fatkeqësie.

Bota po shkon drejt një gremine shkatërrimi, siç e përmenda edhe më parë. Allahu i Madhërishëm na ruajtë prej saj!

Allahu na dhëntë mundësinë të përmirësojmë veprat tona dhe gjithashtu na dhëntë mundësinë të bëjmë lutje në këtë drejtim! Siç u përmend edhe në hutbe pak më parë, Allahu i Madhërishëm na dhëntë mundësinë që realisht t’i arrijmë këto të mira dhe na dhëntë mundësinë për lutje të mira, më pas edhe na i pranoftë ato!

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutem
Share via