Studioni shkencat laike që t'i shërbeni Islamit | Imam Mehdiu a.s.
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
shkencat e natyres kurani

Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s., Imam Mehdiu, Mesih i Premtuar, thotë:

Zbatoni këto porosi

Këto porosi jua jap me qëllim që ju, që keni lidhje me mua dhe, për shkak të kësaj lidhjeje, jeni bërë si pjesë e qenies sime, t’i vini në praktikë këto këshilla dhe të veproni duke përdorur arsyen, si dhe Fjalën e Zotit, në mënyrë që brenda jush të lindë njohja e vërtetë dhe drita e bindjes së palëkundur, dhe që ju të bëheni mjet për t’i nxjerrë njerëzit e tjerë nga errësira drejt dritës. Sot kundërshtarët i bazojnë kundërshtimet e tyre kryesisht në çështje që lidhen me shkencën, mjekësinë, astronominë etj.. Prandaj është e domosdoshme për ju të fitoni njohje të saktë mbi natyrën dhe cilësinë e këtyre shkencave, në mënyrë që para se të jepni përgjigje, t’ju bëhet e qartë vetë realiteti i kundërshtimit.

Përvetësoni shkencat [laike]

Unë i konsideroj në gabim ata hoxhallarë që kundërshtojnë studimin e shkencave [laike]. Ata në të vërtetë veprojnë kështu për të fshehur gabimin dhe dobësinë e vet. Ata kanë fiksuar në mendjen e tyre idenë se kërkimet e shkencave e largojnë njeriun nga Islami dhe e çojnë në humbje, dhe kanë cilësuar se, gjoja, arsyeja dhe shkenca janë në kundërshtim me Islamin. Meqë vetë nuk kanë aftësi t’i nxjerrin në pah dobësitë e filozofisë [së sotme], për ta fshehur këtë mangësi të tyre, shpikin pretendimin se studimi i shkencave nuk duhet lejuar. Ata dridhen nga frika përballë filozofisë dhe janë të pafuqishëm para hulumtimeve të reja.

Por atyre nuk u është dhënë filozofia e vërtetë, ajo që lind nga frymëzimi prej Zotit dhe që Kurani i Shenjtë e ka të mbushur fund e krye. Ajo filozofi e vërtetë u jepet vetëm atyre që, me përulësi të skajshme dhe me përgjërim, bien te pragu i Allahut; u jepet atyre, që nuk kanë asnjë grimë mendjemadhësie në zemrën dhe në mendjen e tyre, dhe që duke pranuar dobësitë e tyre, me përgjërim dhe përulje pranojnë të bëhen robër të sinqertë të Zotit.

Shfrytëzoni shkencat për t’i shërbyer Islamit

Prandaj është e domosdoshme që sot, me qëllim t’i shërbeni fesë dhe lartësimit të Fjalës së Zotit, të fitoni shkencat, madje t’i fitoni me këmbëngulje dhe duke punuar fort. Megjithatë, kam edhe këtë përvojë, të cilën dua t’jua përmend si paralajmërim. Ata që u zhytën njëanshëm vetëm në shkenca dhe u përfshinë aq shumë në to sa nuk patën mundësi të uleshin pranë njerëzve me zemër jetëdhënëse, pranë atyre që do t’ua përkujtonin Zotin, dhe që as vetë nuk e kishin brenda tyre dritën hyjnore, shumica prej tyre rrëshqitën dhe u larguan nga Islami. Në vend që t’i vinin këto shkenca në shërbim të Islamit, ata u përpoqën kot ta nënshtronin Islamin përpara shkencave, duke pretenduar se gjoja po i bëjnë shërbim fesë dhe kombit. Por mbani mend: këtë punë mund ta bëjë vetëm ai, pra, shërbimin e vërtetë ndaj fesë mund ta kryejë vetëm ai që mban brenda vetes dritën qiellore.

(Malfuzat, vëllimi 1, faqet 58–59)

Argumenti i logjikshëm dhe dëshmia Hyjnore

Dy gjëra që duken se janë zbatuar në Kuranin e Shenjtë, nga fillimi deri në fund: (1) janë argumentet e tij të logjikshme dhe (2) janë dëshmitë Hyjnore. Të dyja këto aspekte rrjedhin si dy lumenj paralelisht në të gjithë Kuranin, duke ndikuar dhe duke mbështetur njëri-tjetrin. Rrjedha e argumenteve të logjikshme i thotë lexuesit – kështu duhet të jetë. Kurse rrjedha tjetër, ajo e dëshmive të shpalljeve, si një lajmëtar fisnik dhe i besueshëm ia qetëson zemrën duke thënë – pikërisht kështu ndodhi.

(“Berahin-e-Ahmedia” pj. II, “Ruhani Khazain”, vëll. 1, 2009, Mbretëria e Bashkuar, f. 19.)

Kurani siç e qetëson një njeri të pashkolluar, në të njëjtën mënyrë i jep përgjigje bindëse edhe një filozofi që kërkon argumente të logjikshme.

(“Mubahathe Lud’hiana”, “Ruhani Khazain”, vëll. 4, 2009, Mbretëria e Bashkuar, f. 110.)

Shkenca gjithmonë do ta provojë madhështinë e Kuranit

Besimi ynë është që, sa më shumë që do të zhvillohet shkenca, aq më fort do të vendoset në botë madhështia e Kuranit të Shenjtë.

(“Malfuzat”, vëll. 2, 1984, f. 87)

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutem
Share via