Profeti Muhammed s.a.v.s. mishërimi i qëndrueshmërisë dhe durimit
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Profeti Muhammed s.a.v.s. mishërimi i qëndrueshmërisë dhe durimit

profet Muhamedi vula

Allahu i Madhërishëm i drejtohet të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. në Kuranin e Shenjtë duke thënë:

وَاصْبِرْ وَمَا صَبْرُكَ إِلَّا بِاللَّهِ ۚ وَلَا تَحْزَنْ عَلَيْهِمْ وَلَا تَكُ فِي ضَيْقٍ مِّمَّا يَمْكُرُونَ

Duro, dhe durimi yt është vetëm për Allahun, mos u brengos për ata dhe mos u ngushto për shkak të asaj që ata intrigojnë.[1]

Pastaj, Ai e porosit Profetin s.a.v.s. në suren el-Ahzab:

وَلَا تُطِعِ الْكَافِرِينَ وَالْمُنَافِقِينَ وَدَعْ أَذَاهُمْ وَتَوَكَّلْ عَلَى اللَّهِ ۚ وَكَفَىٰ بِاللَّهِ وَكِيلًا

Mos iu bind mohuesve dhe hipokritëve, toleroji lëndimet e tyre e mbështetu tek Allahu. Allahu është i mjaftueshëm si Mbrojtës.[2]

Kur Allahu i Lartësuar shpalli të Dërguarin tonë të dashur, Hazret Muhammedin ﷺ, si modelin më të përsosur اُسْوَةٌ حَسَنَةٌ (usvetun haseneh) për ne, Ai e bëri të kalonte nëpër çdo lloj vuajtjeje e sprove që mund t’i ndodhin njeriut. I Dërguari i Allahut ﷺ jo vetëm që i bëri ballë çdo vështirësie me durim e qëndrushmëri, ai shfaqi edhe lartësinë e tij morale, një shfaqje aq të lartë të sjelljes njerëzore që toka dhe qiejt kishin pritur me padurim që nga zanafilla e tyre.

Këto sprova dhe periudha vështirësish filluan që nga çasti kur ai çeli sytë për herë të parë su foshnjë në këtë botë, e deri në momentin kur u kthye tek Allahu, Miku i Tij i Lartë në moshën 63-vjeçare. Në çdo hap të jetës, ato vetëm sa shtoheshin në ashpërsi. Në realitet, e gjithë jeta e tij kaloi mes dallgëve të furishme sfidash e sprovash. Megjithatë, gjatë këtyre përballjeve, sjellja e tij e shkëlqyer mbeti qartësisht e pastër, fisnike dhe në pajtim të plotë me vullnetin hyjnor. Në rrethana të rënda jetësore, në vuajtje e peripeci, ai mbeti mishërimi i durimit dhe qëndrueshmërisë, sikur të realizojë fjalën e një poeti:

در میان قعر دریا تخته بندم کرده ای باز می گویی که دامن تر مکن هوشیار باش

“Në mes të thellësisë së lumit, më ke lidhur mbi një dërrasë, e pastaj më thua: kujdes, mos të lagen rrobat!”

Për një njeri të zakonshëm, kjo do të duket e pamundur, por Zotëria ynë i dashur Hazret Muhammedi ﷺ, jo vetëm që e bëri të mundur të pamundurin, por e bëri në mënyrë kaq të lavidshme, saqë nuk lejoi as edhe për një çast të njolloset dashurisa dhe bindja e Tij në Allah nga papastërtia e kësaj bote. Edhe pse, ai dha shembullin më të përsosur të durimit, qëndrueshmërisë dhe vetëpërmbajtjes, por kurrë nuk foli për vështirësitë dhe sprovat hasi në jetë. Vetëm një herë tha:

“لقد أُخِفتُ في اللَّهِ وما يُخافُ أحدٌ . ولقد أوذيتُ في اللَّهِ وما يُؤذى أحدٌ . ولقد أتت عليَّ ثلاثونَ من بينِ يومٍ وليلةٍ وما لي ولبلالٍ طعامٌ يأْكلُهُ ذو كبدٍ”

d.m.th. “Mua më kanë kërcënuar në rrugën e Allahut si askush tjetër, dhe kam hequr vuajtje për hir të Allahut si askujt tjetër. Unë bashkë me Bilanin kemi kaluar tridhjetë ditë e net, që nuk kishim asgjë e cila mund të ushqente një qenie të gjallë…”[3]

Ndoshta dikujt i lind pyetja: Nëse i Dërguari i Allahut ﷺ prijësi i të gjithë pejgamberëve vërtetë qenka kaq i dashur për Zotin, përse vallë i duhej të përjetonte sprova e vuajtje kaq të mëdha?

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. i është përgjigjur kësaj pyetje. Ai shkruan:

“Disa njerëz nga moskuptimi thonë: ‘Nëse ai qe i Dashuri i Allahut, i Zgjedhuri dhe më i dëliri, përse vallë kaloi kaq shumë sprova dhe vështirësi?’ Unë u them: Edhe uji si burim jetese, nuk del nga toka derisa ajo të çahet dhe të gërmohet thellë. Vetëm nëse gërmojmë thellë e më thellë, arrijmë ujin e kulluar dhe të pastër, që na rehaton shpirtin dhe që është burimi i jetës. Po kështu është edhe ndjenja e kënaqësisë shpirtërore, e cila vjen nga qëndrueshmëria dhe vendosmëria në rrugën e Allahut. Njeriu nuk mund ta arrijë atë, pa i kapërcyer sprovat dhe vuajtjet. Si mund të kuptojë ai ëmbëlsinë e vuajtjeve në rrugën e Allahut apo të shijojë bukurinë e tyre, nëse nuk i ka shkelur vështirësitë. Ku të dinë ata se kur i Dërguarit ﷺ i binte një sprovë, nga brenda shpërthente një burim gëzimi dhe kënaqësie, dhe i lindte një besim më i fortë në Allahun, në dashurinë e Tij dhe në ndihmën e Tij. E tillë është dashuria që e bën gjithçka të mundur.”[4]

Jeta e të Dërguarit të Allahut, Hazret Muhammedit ﷺ, mund të ndahet në dy etapa kryesore:Periudha e parë është ajo para shpalljes së profetësisë, që përfshin dyzet vite dhe periudha e dytë është ajo pas shpalljes, e cila zgjati njëzet e tre vite.

Hazret Imam Mehdiu a.s. ka përshkruar jetën e Profetit ﷺ para shpalljes së tij, të mbushur me sprova dhe vështirësi, në mënyrë kaq të përsosur e të plotë, saqë një shembull të tillë nuk mund të gjendet. Ai shkruan:

“Zotëria jonë dhe padroni ynë, Hazret Muhammedi ﷺ, ka kaluar një pjesë të madhe të jetës së tij, plot dyzet vjet, në vetmi, në mjerim dhe në vuajtje. Asnjë i afërm apo familjar nuk përmbushi detyrimin e gjakut a farefisnisë ndaj tij në ato vite vetmie. Madje, ky mbret shpirtëror, që në moshë të njomë, ishte lënë nën kujdesin e disa grave shtegtare e banore të shkretëtirës, ashtu siç dorëzohen fëmijët pa prindër. Në atë shtrëngesë e braktisje, ky prijës i njerëzimit i kaloi ditët e foshnjërisë. Kur arriti moshën e adoleshencës, ashtu si fëmijët jetimë që nuk kanë askënd në këtë botë, banorët e shkretëtirës i besuan detyrën për të ruajtur dhentë. Në ato ditë të vështira, i vetmi ushqim që kishte në disponim, ishte disa llojë drithërash të varfër apo qumështi i dhive.

Kur arriti moshën e pjekurisë, askush nga xhaxhallarët nuk u kujdes për martesën e tij, edhe pse ai dallohej për bukurinë dhe fisnikërinë e jashtëzakonshme. Është për t’u habitur, që në atë kohë, megjithëse ai kishte xhaxhallarë si Ebu Talibi, Hamzai dhe Abasi, sidomos Ebu Talibi, i cili ishte prijës i Mekës, që gëzonte autoritet, respekt dhe pasuri materiale, megjithatë, ato vite të rinisë së Profetit ﷺ kaluan në varfëri të skajshme, në urinë dhe në mungesë të çdo gjëje, deri sa iu desh të ruante dhentë të banorëve të shkretëtirës.

E askush nuk derdhi pikë loti për të nga dhembshuria. Asnjë xhaxha nuk mendoi, në rininë e tij, se është në vend të babait të tij, prandaj le të kujdesem për martesën e tij apo për çështje të tjera jetësore, edhe pse në farefis kishte vajza për martesë. Natyrshëm, lind pyetja: pse vallë treguan një ftohtësi të tillë? Përgjigjja e thjesht është kjo: ata e shihnin atë ﷺ vetëm si një jetim, pa baba e pa nënë, pa pasuri, pa asnjë mbështetje, i varfër, që nuk kishte asgjë në dorë. Ç’dobi do të kishin, nëse e ndihmonin atë? T’i jepnin atij dorën e njërën nga vajzat e tyre do të ishte, sipas tyre, sikur ta hidhnin në shkatërrim. Por, ata nuk dinin se ai ishte një princ, një mbret shpirtëror, të cilit do t’i viheshin në dorë çelësat e të gjithë thesarëve të botës.”[5]

Periudha e dytë e jetës së të Dërguarit të Allahut ﷺ nis me shpalljen e profetësisë dhe vazhdon deri në momentin kur ai u kthye te Krijuesi i tij i Dashur. Kjo periudhë ndahet më tej në dy pjesë: periudha 13-vjeçare e jetës në Mekë dhe periudha 10-vjeçare e jetës në Medinë.

Hazret Mesihu i premtuar a.s. thotë:

“Trembëdhjetë vitet e jetës së Profetit ﷺ në Mekë ishin të mbushura me sprova dhe vështirësi aq të rënda, saqë ne as nuk mund t’i përfytyrojmë. Zemra më dridhet nga thjesht përfytyrimi i tyre. Por, këto vite ndriçojnë gjithashtu vullnetin e tij të pathyeshëm, bujarinë, qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë e tij të lartë. Ai është një njeri i palëkundur, të cilit i goditën një sërë vështirësish, por as që e tundën sadopak. Në përmbushjen e misionit të tij, ai nuk tregoi asnjë çast dobësie apo dëshpërim, dhe sprovat nuk arritën ta ndryshonin vendosmërinë e tij.”[6]

Sot, ne do të cekim disa çaste të jetës së tij ﷺ nga një këndvështrim i veçantë. Do të shohim se si ky mishërim i moralit të lartë, në mesin e dallgëve të stuhishme sprovash dhe vuajtjesh, lartësoi në virtytin e durimit, të përmbajtjes dhe të qëndrueshmërisë, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e profetëve.

Shembulli i durimit dhe qëndresës së Profetit ﷺ ndaj sharjeve dhe dhunës verbale

Allahu i Lartësuar i tha të Dërguarit të Tij s.a.v.s.:

وَاصْبِرْ عَلَىٰ مَا يَقُولُونَ وَاهْجُرْهُمْ هَجْرًا جَمِيلًا
“Duro për atë që ata thonë dhe ndahu me ta në mënyrë të denjë.”[7]

Sulmet me sharje, tallje dhe fyerje filluan që me përpjekjet e tij të para për të përcjellë mesazhin, kur ai ftoi fisin e Benu Abdil-Mutalibit. Të gjithë u mblodhën, ndër ta edhe xhaxhai i tij, Ebu Lehebi, i cili, pasi dëgjoi thirrjen e së vërtetës, u shpreh me arrogancë: تبالك  “Mjerë për ty! Për këtë arsye na mblodhe këtu?”[8]

Kjo fushatë fyerjesh dhe shpifjesh, ku Profetit ﷺ iu vunë nofkat më të ndryshmet, meazAllah, si poet, i marrë, magjistar dhe shpifës, vazhdoi pandërprerë deri në fundin e jetës së tij. Megjithatë, ai jo vetëm që e duroi këtë dhunë verbale, por gjatë adhurimit të netëve, iu lut Allahut për udhëzimin e këtyre kundërshtarëve të njerëzimit.[9]

Kur njerëzit përqeshnin emrin e tij të ndritur محمد“Muhammed” ﷺ (që do të thotë “i lavdëruar”) duke e shtrembëruar në مذمم “Mudhamam” (që do të thotë “i qortuar”), ai thoshte: “A nuk çuditeni se si Allahu më mbron nga sharjet dhe mallkimet e kurejshëve? Ata po shajnë dhe mallkojnë një njeri të quajtur Mudhamam, ndërkohë që unë jam Muhammed.”[10]

Gjithashtu, një prej ngjarjeve më të rënda të shpifjes ishte akuza e padrejtë që iu ngjit bashkëshortes së tij të nderuar, Hz. Aishes (radijallahu anha).

Vështirësitë personale dhe sprovat fizike

Duke përmendur vuajtjet dhe sprovat personale të Profetit të Nderuar ﷺ, Hazret Kalifi i Dytë r.a. thotë:

“Hadithet tregojnë se në kohët e mëparshme, atyre që pranonin fenë e Zotit, u vihej sharra mbi kokë e priteshin më dysh, por ata nuk nxirrnin as një psherëtimë.[11] Por te Profeti ynë i dashur Hazret Muhammedi ﷺ, kjo gjendje nuk zgjati as një vit, as dy, as tre, as dhjetë, por sharrat e vuajtjeve e shoqëruan pandërprerë deri në fund të jetës së tij.”

Të krishterët thonë se Mesihu, duke u ngjitur në kryq, shleu mëkatet e gjithë njerëzimit.[12] Por Jezusi përjetoi vetëm atë një ngjarje të vetme në gjithë jetën e tij. Ndërsa i Dërguari i Allahut ﷺ, në çdo çast të jetës së tij u ngjit mbi një kryq të tillë për njerëzit dhe pranoi jo mijëra, por miliona “vdekje” për ta.

Prandaj, kur shikojmë ngjarjet e jetës së të Dërguarit ﷺ, ky pohim na shfaqet si një realitet i gjallë. Në çdo hap përballemi me ngjarje të tilla.

  • Njëherë, brenda Qabes, idhujtarët i hodhën shall në qafë dhe e shtrënguan aq fort, saqë sytë iu skuqën dhe pothuaj dolën jashtë. Kur Ebu Bekri r.a. e dëgjoi dhe erdhi me nxitim, sytë iu mbushën me lot nga gjendja e Profetit ﷺ. Ai i largoi idhujtarët dhe tha: “Kini frikë Allahun! A po e torturoni këtë njeri vetëm pse thotë se ‘Zoti im është Allahu’?”[13]
  • Një herë tjetër, i Dërguari ﷺ ishte ulur mbi një shkëmb në Mekë, i zhytur në mendime, kur papritur u shfaq Ebu Xhehli. Ai e goditi me shuplakë dhe nisi t’i drejtojë fjalët më të ndyra. Profeti ﷺ e duroi shuplakën dhe fyerjet, pa nxjerrë asnjë fjalë. Kur ai u largua, Profeti ﷺ u ngrit në heshtje dhe shkoi në shtëpi.[14]
  • Një herë tjetër, kur po kalonte nëpër treg, një turmë vagabondësh mekasë u mblodh rreth tij dhe, gjatë gjithë rrugës, e goditnin në qafë me shuplaka duke thënë: “O njerëz! Shikoni këtë njeri që thotë se është profet.”[15]
  • Secili nga ndjekësit e tij, u përball me bojkot të plotë dhe mosbesimtarët i internuan në luginën Ebu Talib. Ky internim nuk zgjati disa ditë apo javë, as disa muaj, por plot tri vjet. Këto vuajtje të gjata ishin kaq të rënda saqë bashkëshortja e tij besnike, Hazret Hatixhe r.a., ndërroi jetë, ndërsa vetëm disa ditë më vonë, edhe xhaxhai i tij dashur, Ebu Talibi, u largua nga kjo botë.[16]
  • Në çdo situatë të rrezikshme, Profeti Muhammed ﷺ ishte në shënjestër të armiqve. Por sa herë që vinte rasti, ai dilte përpara me trimëri dhe kurrë nuk i tutej rrezikut, sikur të mos i frikësohej aspak vdekjes. Në betejën e Uhudit, një gur goditi përkrenaren e tij dhe gozhdat iu ngulën në kokë. Ai ra pa ndjenja mbi trupat e sahabëve që kishin rënë dëshmorë rreth tij, dhe më pas mbi trupin e tij ranë edhe trupa të tjerë sahabësh të vrarë. Njerëzit menduan se Profeti ﷺ kishte rënë dëshmor. Por kur e nxorën nga gropa dhe ai u përmend, nuk mendoi hiç për plagat dhe dhimbjet e veta, apo për dhëmbët e thyer apo për sahabë të rënë. Ai ngriti menjëherë duart në lutje dhe tha: رَبِّ اغْفِرْ لِقَوْمِي فَإِنَّهُمْ لَا يَعْلَمُونَ“O Zoti im! Fale popullin tim, se ata nuk dinë se çfarë po bëjnë.”[17]
  • Po kështu, në Taif, kur e goditën me gurë deri sa u mbulua në gjak dhe po largohej me nxitim prej atje, iu shfaq engjëlli i maleve dhe i tha: “O Muhammed! Nëse dëshiron, unë do të përmbys dy malet mbi këta njerëz.” Por Profeti ﷺ tha: “Jo, mos e bëj këtë! Ata kanë vepruar vetëm nga padituria. Unë jam i bindur që Allahu do të nxjerrë prej pasardhësve të tyre njerëz që do t’i shërbejnë Islamit.”[18]
  • Hazreti Rabi‘a bin ‘Abbad rrëfen: “Unë e kam parë të Dërguarin e Allahut ﷺ në festën e Dhul-Mixhazit. Ai i ftonte njerëzit drejt Allahut, duke kaluar rrugicë më rrugicë dhe duke shpallur thirrjen e tij. Por askush nuk i jepte përgjigje pozitive. Megjithatë, ai me qëndrueshmëri të jashtëzakonshme e përsëriste mesazhin pa pushim. Pas tij rrinte një burrë me flokë të gjatë, me lëkurë të bardhë dhe sy të shtrembër, i cili thoshte: ‘O njerëz! Ky qenka një renegat dhe gënjeshtar që synon t’ju largojë nga zotat tuaj Lat dhe Uzza”’ Kur e pyeta babanë tim se kush ishte ky, ai më tha: ‘Ai burrë përpara është Muhammedi, biri i Abdullahut, që pretendon se është Profet, dhe pas tij është xhaxhai i tij, Ebu Lehebi.’”[19]

Dhimbjet dhe sprovat e humbjes së të afërmve

  • Dy bijat e Profetit ﷺ ishin martuar me djemtë e Ebu Lehebit. Ai i kërcënoi se, nëse Profeti ﷺ nuk hiqte dorë nga mësimi i teuhidit, do t’i detyronte djemtë e tij të divorconin të dy vajzat. Profeti ﷺ nuk iu nënshtrua këtij shantazhi, dhe më në fund ai njeri fatkeq urdhëroi djemtë e vet që të divorconin bijat e Profetit ﷺ.[20]
  • Profeti ﷺ përjetoi dhembjen e madhe të vdekjes së shumë të afërmve: nënës së tij të dashur, gjyshit dhe xhaxhait të tij. Po ashtu, përjetoi humbjen e bashkëshortes së tij të dashur, Hadixhes, si dhe vdekjen e shumë djemve dhe bijave të tij, numri i të cilëve në disa transmetime arrin deri në njëmbëdhjetë.[21]
  • Kur erdhi momenti i vdekjes së djalit të tij, Ibrahimit, Profeti ﷺ dha shembullin më të lartë të durimit dhe qëndrueshmërisë. Ai uli kokën para vullnetit të Zotit të tij të dashur duke thënë:انَّ العَيْنَ تَدْمَعُ ، والقَلْبَ يَحْزَنُ ، وَلَا نَقُولُ إِلَّا ما يَرْضَى رَبُّنَا ، وانا بفِرَاقِكَ يَا ابْرَاهِيمُ لَمَحْزُونُونَ“Sytë lotojnë, zemra trishtohet, megjithatë ne nuk do të themi asgjë tjetër veçse atë që kënaq Zotin tonë. O Ibrahim! Ne jemi thellësisht të pikëlluar për ndarjen tënde.”[22]

Shpallja e amnistisë edhe pse zotëronte fuqi për hakmarrje

  • Hazret Aishja, radijallāhu ‘anhā, dëshmon se Profeti ﷺ kurrë nuk kërkoi hakmarrje për ofendimet dhe padrejtësitë që i bëheshin atij personalisht.[23]
  • Abdullah ibn Ubej ibn Selūl ishte kreu i hipokritëve në Medinë. Ai e përbuzi dhe përqeshi Profetin ﷺ gjatë gjithë jetës së tij dhe i shkaktoi dhimbje të shumta mendore e fizike., Megjithë ofendimet dhe intrigat e tij, kur Abdullahut i erdhi çasti i vdekjes, Profeti ﷺ harroi çdo fyerje e keqdashje dhe i dhuroi këmishën e vet për qefin dhe ia fali xhenazen.[24]
  • Në betejën e Dhāt al-Rikā‘, kur Ghoureth ibn al-Ḥārithi erdhi për ta vrarë Profetin ﷺ duke i rrëmbyer shpatën teksa ai flinte, por nuk pati fuqi për ta goditur për shkak të frikës së Profetit ﷺ. Mirëpo, Profeti ﷺ e fali edhe këtë armik të rrezikshëm, i cili kishte ardhur për ta vrarë atë.[25]
  • Pas betejës së Hajbarit, motra e gjeneralit hebre Marḥab e ftoi Profeti ﷺ për bukë. Ajo kishte pjekur një shpatullë për Profeti ﷺ dhe kishte helmuar mishin për ta vrarë atë. Profeti ﷺ ia fali edhe asaj këtë veprim.[26]
  • Po ashtu, Profeti ﷺ fali edhe Hindën, e cila pas vrasjes së xhaxhait të tij të dashur, Hamzës i kishte përtypur mëlçinë. Pas faljes, e njëjta Hinde përgatiti një gostitje duke therur dy dhi dhe i dërgoi të pjekura për Profetin ﷺ, së bashku me një kërkimfalje të përulur. Profeti ﷺ, që nuk e mbante kurrë borxhin e mirësisë ndaj dikujt, u lut menjëherë: “O Allah! Beko tufat e dhive të Hindës.” Si rezultat, tufat e saj u shtuan aq shumë saqë ajo mezi i mbante ato.”[27]

Shembuj të përmbajtjes dhe madhështisë shpirtërore

  • Abdullah ibn Salāmi, i cili ishte një dijetar hebre që pranoi Islamin dhe u bë musliman, ka treguar për përvojën e Zejd ibn Sa‘neh, një tjetër rabin i njohur hebre. Ky i fundit kishte dalluar te Profeti ﷺ të gjitha shenjat e profetësisë, përveç dyshimeve që kishte lidhur me butësinë e tij. Ai vendosi ta provonte butësinë e Profetit. Zejdi i dha Profetit ﷺ një sasi drithi si hua. Para se të vinte afati i kthimit, ai e kapi dhunshëm Profetin ﷺ për rrobe duke i thënë me ashpërsi: “O Muhammed! A do ta shlyesh borxhin apo jo? Unë e di që fisi yt i Beni Mutalib vonon gjithnjë pagesat.” Umeri, radijallāhu ‘anhu, u zemërua aq shumë sa deshi ta ndëshkonte, por Profeti ﷺ buzëqeshi me qetësi dhe tha:“O Umer, ne të dy kishim nevojë për diçka tjetër prej teje. Ti duhet të më këshilloje që ta shlyej borxhin me mirësjellje, dhe ta këshilloje atë që ta kërkonte me butësi.”Pastaj i tha Umerit: “Shlyeja borxhin dhe jepi edhe më tepër.”Zejdi, i prekur nga ky shembull i durimit dhe bujarisë, shpalli haptazi Islamin dhe së bashku me familjen e tij u bë musliman. Ai mori pjesë më pas në shumë beteja krah Profetit ﷺ.[28]
  • Kur Profeti ﷺ ishte në Mekë, dyert e Qabes hapeshin të hënave dhe të enjteve. Një ditë, kur ai u përpoq të hynte për adhurim, ‘Uthmān ibn Ṭalḥa e pengoi. Profeti ﷺ i tha: “Do të vijë dita kur këto çelësa të këtij Shtëpie të Zotit do të jenë në duart e mia, dhe unë do t’ia jap kujt të dëshiroj.” Gjatë çlirimit të Mekës, i njëjti ‘Uthmān, i dridhur, ia dorëzoi çelësat Profetit ﷺ. Të gjithë menduan se çelësat do të mbeteshin te Beni Hashimi. Edhe Aliu e kërkoi këtë nder për fisin e tij. Por Profeti ﷺ, pasi fali namaz në Qabe, ia ktheu çelësat ‘Uthmānit duke thënë: “Sot është dita e besnikërisë dhe e mirësisë. O ‘Uthmān, unë po t’i jap këto çelësa ty dhe familjes tënde, të cilët do të mbeten me ju përjetësisht. Askush nuk do t’i marrë prej jush, veçse një tiran.” Ky gjest madhështor preku thellësisht ‘Uthmānin, i cili shpalli me bindje: Lā ilāha illā Allāh, Muḥammadun Rasūlullāh.[29]

لیا ظلم کا عفو سے انتقام
علیک الصلوة علیک السلام

Ai u hakmor ndaj padrejtësive me anë të falje, Paqja dhe bekimi qofshin mbi të.

Vuajtjet dhe sprovat trupore të shokëve dhe të afërmve

Vetë fakti që Padroni dhe Udhëheqësi ynë, Hazret Muhammedi el-Mustafai ﷺ, qëndroi i palëkundur ndaj urdhrit të shpallur në Kur’anin Famëlartë, në të gjitha ato vështirësi e sprova, nuk është gjë tjetër veçse një mrekulli madhështore. Por për të, shpallja hyjnore erdhi me një madhështi edhe më të veçantë. Allahu i Madhëruar i drejtohet në suren Hūd me fjalët:

فَاسْتَقِمْ كَمَا أُمِرْتَ وَمَن تَابَ مَعَكَ
“Andaj, qëndro ashtu siç je urdhëruar ti, gjithashtu dhe ai që u pendua bashkë me ty, dhe mos e kaloni kufirin.”[30]

Pra, o i Dërguar ﷺ, tregohu shembull i durimit dhe qëndrueshmërisë së papërsëritshme në çdo lloj vështirësie e sprovat, dhe në të njëjtin frymëzim bëj që edhe shokët e tu të marrin shembullin e qëndresës. Ky është një urdhër që nënkupton arritjen e kulmit të kënaqësisë hyjnore – një urdhër që, në gjithë historinë, askush tjetër përveç të Dërguarit ﷺ nuk do të kishte qenë i aftë ta përmbushte në shkallën e duhur. Prandaj edhe Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Besimi im është se nëse i Dërguari i Allahut ﷺ do të veçohej nga të gjithë profetët që kishin ardhur deri atëherë, dhe të gjithë ata së bashku do të përpiqeshin të realizonin atë reformim dhe atë ndryshim që solli i Dërguari ﷺ, ata nuk do të ishin kurrë në gjendje ta bënin.”[31]

Të durosh për vuajtjet fizike që të bien ty është akoma më e lehtë, por dhimbja shpirtërore që ndjen një zemër kur sheh fëmijët dhe të dashurit e vet duke u bërë pre të mizorisë, është e paimagjinueshme. Mendoni për Ebu Bekrin r.a., i cili një herë shpalli mesazhin e së vërtetës në Qaben e Shenjtë. Idhujtarët iu sulën dhe e goditën pa mëshirë. Ukbe ibn Rabi‘a e goditi në fytyrë me këpucët e tij të pajisura me gozhda aq shumë sa ai mbeti i mbuluar në gjak dhe humbi ndjenjat. Vetëm fisi i tij, Benu Tejmi, e mori dhe e solli në shtëpi.[32]

A nuk dijmë se si Bilali r.a. u shtri në tokën përvëluese të Mekës nën gurë të rëndë e të nxehtë për t’u detyruar të mohonte fjalët “La ilaha illal-Allah, Muhammedur Rasulullah”? Apo për skllavet besimtare Lubejna dhe Zunejra r.a., të cilat u rrahën barbarisht vetëm pse pranuan Islamin? Apo për Jasirin dhe bashkëshorten e tij Sumejën r.a., të cilët bashkë me të birin Amar r.a. u bënë shënjestra të vazhdueshme të mizorive të Ebu Xhehlit, derisa Sumeja fitoi gradën e lartë të dëshmores së parë në Islam?

Sprovat e 13 viteve në Mekë u shndërruan pas Hixhretit në Medinë në një fazë edhe më të egër. Idhujtarët e Mekës, të bashkuar me disa fise arabe dhe hebrenjtë e Medinës, ndezën flakën e një armiqësie të pashuar, duke u përpjekur të shkatërronin muslimanët e paarmatosur. Si pasojë, i Dërguari i Allahut ﷺ dhe shokët e tij u përballën me rreth 120 beteja, ku qindra sahabë dhe të afërm të dashur të tij ranë dëshmorë. Por kurrë nuk e ndaloi shpalljen e emrit të Allahut Një, as ditën, as natën, as në rrezikun e jetës, të pasurisë, të ndjenjave dhe as të sakrificës së më të dashurve.

Një rast prekës është kur Profeti ﷺ, në përgjigje të kërkesës së disa fiseve, dërgoi shtatëdhjetë hafizë për misionin e thirrjes në Islam. Ata u tradhtuan dhe u masakruan në B’ir Ma’una nga fiset Benu Sulejm. Në ato çaste, Haram ibn Milhan r.a., në momentin kur ekzekutohej, lëshoi thirrje:

 الله اکبر! فُرْتُ ورب الكعبة
“Allahu Ekber! Për Zotin e Qabes, unë fitova!”[33]

Anesi r.a. dëshmon se Profeti ﷺ nuk ndjeu kurrë dhimbje më të madhe sesa për humbjen e atyre shtatëdhjetë shokëve. Ai për tridhjetë ditë me radhë e përfshiu në lutjet e fundit të namazit kërkesën për ndihmë hyjnore.[34]

Në saje të forcës së tij shpirtërore, u krye një revolucion i pashoq në jetët e sahabëve, të cilët pasqyruan në vetvete modelin e durimit e qëndresës së mësuesit të tyre. Duke i përmendur këto, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. shkruan:

“Ashtu siç ishin urdhëruar të duronin sprovat, ata dëshmuan besnikëri dhe durim. Ata u shtypën nën këmbë, por nuk nxorën asnjë britmë. Fëmijët e tyre u copëtuan para syve të tyre; u torturuan me zjarr e ujë; por ata u hakmorrën kundër së keqes sikur të ishin foshnja të pafajshme. Kush mund të pohojë se ndonjë bashkësi profetike tjetër ka treguar një bindje të tillë, duke hequr dorë nga hakmarrja edhe pse e kishte fuqinë? Cili popull tjetër në histori ka duruar 13 vjet me armiq gjakatarë, megjithëse kishte guxim, numër dhe forcë? Durimi i Profetit tonë dhe i shokëve të tij nuk buronte nga pafuqia, sepse pas shpalljes së xhihadit, ata treguan trimëri të pashoqe, saqë shpesh një mijë prej tyre thyenin ushtri prej njëqind mijë vetash. Kështu u bë e qartë se durimi i Mekës nuk buronte nga frika ose dobësia, por nga bindja ndaj urdhrit të Zotit, duke pranuar të thereshin si dele për hir të Zotit.”[35]

Një poet ka përshkruar sakrificën e tyre me këto fjalë:

جب بھی اس غمخوار کی باتیں کریں
غم غلط ہو جائیں سب کو نین کے

“Kurdoherë që flasim për atë që ndjeu dhimbjen e të tjerëve, dhimbja e gjithë universit shuhet para tij.”

Të përshkruash vështirësitë dhe sprovat e Mësuesit tonë, të Dashurit tonë, Hazret Muhammed el-Mustafasë ﷺ, nuk është në fuqinë e njeriut. Ajo që kaloi mbi trupin, shpirtin dhe zemrën e Tij, njihet vetëm nga Hyjnia që di të fshehtën dhe të dukshmen. Ai, që është Zoti i botëve, e nderoi me titullin رحمت اللعالمین “Mëshirë për botët”. Për këtë arsye, zemra e Tij e pastër nuk kufizohej vetëm në dhembjen për veten, por shikonte plagët e tërë universit dhe brengosej pa pushim. Dua t’ju sjell një shembull të këtillë:

  • Gjatë Haxhit të Lamtumirës, në mbrëmjen e Arafatit, i Dërguari i Nderuar ﷺ u lut për faljen e umetit të tij. Atij iu përgjigj: “E kam falur umetin tënd, përveç zullumqarit. Për këtë, të padrejtit do t’i kërkohet llogari për dëmin që i ka shkaktuar viktimës.” Atëherë i Dërguari ﷺ tha: “O Zoti im! Nëse Ti dëshiron, mund t’i japësh të shtypurit Xhennetin në shpërblim të padrejtësisë së pësuar, dhe të padrejtit t’ia falësh mëkatin.” Atë mbrëmje nuk erdhi përgjigje. Por në mëngjes, në Muzdelife, kur u lut sërish, lutja e Tij u pranua. Në atë çast i Dërguari ﷺ buzëqeshi. Hazret Ebu Bekri dhe Hazret Omeri r.a. e pyetën: “Ju flijofshin Prindërit tanë o i Dërguari i Allahut! Përse buzëqeshët? Allahu ju mbajttë gjithmonë të gëzuar!” Ai u përgjigj: “Kur armiku i Allahut, Iblisi, mori vesh se Zoti pranoi lutjen time dhe ka falur umetin tim, ai nisi të mbushte kokën me dhe, duke mallkuar veten e tij me shkatërrim dhe humbje. Kur pashë këtë dëshpërim të tij aq të madh, nuk munda ta përmbaj buzëqeshjen.”[36]

Hazreti Kalifi i Dytë r.a. ka thënë me shumë bukuri:

کس قدر صدمے اٹھائے ہیں ہمارے واسطے
قلب پاک رحمۃ للعالمین سے پوچھئے

“Sa shumë goditje e sprova ka duruar për ne, pyeteni zemrën e pastër të atij që është ‘Mëshirës për botët’.”

Hazreti Mesihu i Premtuar a.s. ka thënë:

“Profetët dhe evlijat vijnë që njerëzit t’i ndjekin ata në të gjitha virtytet. Dhe çdo kërkues i së vërtetës duhet të ndjekë gjurmët e qëndrueshmërisë në çështjet ku Allahu u ka dhënë atyre qëndrueshmëri.”[37]

Dhe më tej ka thënë:

“Kur e shohim me paanësi, nga i tërë zinxhiri i profetëve, ne njohim vetëm një burrë si profeti më i lartë në trimëri, më i gjallë dhe më i dashur për Zotin. Ai është udhëheqësi i profetëve, krenaria e enbijave, kurora e të gjithë të dërguarve, emri i të cilit është Muhammed el-Mustafa, Ahmed el-Muxhteba ﷺ.

Nëse dikush ec nën hirin e tij qoftë për dhjetë ditë, ai do të arrijë një dritë që përpara nuk mund ta gjente edhe për mijëra vjet. Prandaj, porosia e fundit është kjo: çdo dritë që kemi gjetur, e kemi gjetur vetëm në ndjekjen e këtij Profeti analfabet, dhe kush që e ndjek, edhe ai do ta gjejë. Atij do t’i dhurohet një gradë pranim që asgjë nuk do të mbetet e pamundur për të. Zoti i gjallë, i cili është i fshehur për të tjerët, do të bëhet Zoti i tij, dhe të gjithë zotat e rremë do të shekelen nëpër këmbë. Ai do të jetë i bekuar kudo, dhe fuqitë shpirtërore do të shoqërojnë atë. والسلام من اتبع الهدی Paqja qoftë mbi atë që ndjek udhëzimin.”[38]


Burime:

[1] Kurani i Shenjtë 16:128
[2] Kurani i Shenjtë 33:49
[3] Sunen Tirmidhi, Libri i përshkrimit të Ditës së Kiametit, nr. 2472.
[4] Melfuzat, vëll. II, f. 178–179, botimi 2018.
[5] Izale-Auham, pjesa e parë, Ruhani Khazain, vëll. III, f. 1–14.
[6] Melfuzat, vëll. II, bot. 2018, fq. 178.
[7] Kurani i Shenjtë 73:11.
[8] Sīret Halabija, vëll. II, f. 248, Darul-Isha‘at, Urdu Bazar, M.A. Jinnah Road, Karaçi, Pakistan, botimi maj 2009.
[9] Sahih el-Bukhari, Kitāb al-Jihād, kapitulli mbi Betejën e Uhudit.
[10] Sahih el-Bukhari, Libri: Manakib el-Ensar (Virtytet e Ensarëve) Hadithi nr. 3533.
[11] Sahih el-Buhari, Kitab al-Manakib, Bab ‘Alamat al-Nubuwwah fi-l-Islam.
[12] Letra drejtuar Romakëve 5:2–8.
[13] Sahih el-Buhari, Kitabu-t-Tefsir (Komentimi i Kuranit), hadithi nr. 4815.
[14] Sira Halabiya, Bab Istikhfa’ihi ﷺ wa Ashabihi fi Dar al-Arkam.
[15] Sira Halabija, po aty.
[16] Sira Halabija, Bab Ijtima‘ al-Mushrikin ‘ala Munabadhati Bani Hashim; Bab al-Hijra al-Thaniya ila al-Habasha; Bab Dhikr Wafat ‘Ammihi Abi Talib wa Zawjatihi Khadija.
[17] Ṣaḥīḥ Muslim, Kitab al-Xhihad, Bab Ghazwat Uhud, Hadith 1792a.
[18] Sahih Buhari, Kitab Bad’ al-Khalk, Bab ‘Idha kala Ahadukum Amin, hadith numër 3231.
[19] Musned Ahmed, vëll. III, f. 492.
[20] Usd al-Ghāba, “Rukaja bint Rasūl Allāh”
[21] Ibn Māxhe, Kitāb al-Janā’iz, “Bāb mā xhā’a fī al-ṣalāt ‘alā ibn Rasūl Allāh”.
[22] Sahih el-Buhārī, Kitāb al-Xhenā’iz, “Bāb Kol al-nabī innā bikā lamahzūnūn”, hadithi nr. 1303.
[23] Sahih Muslim, Kitāb el-Faḍā’il, hadithi nr. 2328.
[24] Sahih el-Buhari, Libri i Xhenazeve, hadithi nr. 1269.
[25] Buhārī, Kitāb al-Maghāzī, “Bāb Ghazwat Dhāt al-Rikā‘”.
[26] Sahih el-Buhari, Kitāb al-Maghāzī, Bāb Ghazwat Khaybar, hadith nr. 2617, 3169, 4170.
[27] Es-Sīra al-Ḥalabija, vëll. III, f. 118.
[28] El-Mustedrek al-Ḥākim, Kitāb Ma‘rifat al-Ṣaḥāba, “Dhikr Islām Zayd ibn Sa‘nah”.
[29] Es-Sīra al-Ḥalabija; Dr. Ṣallābī, “Sīrat al-Nabī”, vëll. 3, fq. 415–416; Tārīkh al-Khamīs, vëll. II, fq. 482–488.
[30] Kurani i Shenjtë 11:113.
[31] Melfuzat, vëll. II, f. 59, bot. 2018.
[32] Sīret al-Halabija, vëll. II, f. 727, bot. Dar al-Isha‘at, Karaçi 2009.
[33] Sahih el-Buhari, Kitāb el-Maghāzī (Libri i Ekspeditave), hadithi nr. 4090, 4091, 4092.
[34] Sīrat al-Halabija, vëll. III, f. 171–172.
[35] Qeveria Angleze dhe Xhihadi, Ruhani Khaza’in, vëll. XVII, f. 10.
[36] Ibn Maxhe, Kitab-ul-Manasik, Babu Du‘a bi ‘Arafa; Ibn Kethir, Tefsīr el-Kurān el-ʿAẓīm, te komentimi i ajetit të sures al-Baqara 2:199.
[37] Berahin Ahmedija, f. 266
[38] Siraj Munir, f. 82

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutem
Share via