Historia e familjes së Jasirit
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Historia e familjes së Jasirit

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Historia dhe prejardhja e familjes së Jasirit

Hazret Amar Ibën Jasiri r.a. shquhej si një prej sahabëve më besnikë të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. Babai i tij Jasir kishte prejardhje nga fisi Kahtan. Hazret Jasiri r.a. ishte nga Jemeni dhe ai kishte ardhur në Mekë bashkë me babanë dhe dy vëllezër të tjerë Harith dhe Malik në kërkim të vëllait të tij. Vëllezërit e tij u kthyen në Jemen, por Jasiri mbeti në Mekë.

Ai kishte krijuar raporte të ngushta me Ebu Huzejfa Makhzumi, i cili si mirënjohje, e kishte martuar robëreshën e tij hz. Sumeja. Nga kjo martesë lindi hz. Amari. Kjo familje jetoi bashkë me Ebu Huzejfën, derisa i erdhi vdekja. Me ardhjen e Islamit, Hazret Jasiri, Hazret Sumeja dhe dy djemtë e tyre, Amari dhe Abdullahu u bënë muslimanë.

Pranimi i Islamit nga Amar Ibën Jasiri r.a.

Hazret Amar Ibën Jasiri r.a. ka transmetuar: “Unë takova Suhejb Ibën Sinanin te dera e Dari-Erkemit, ndërsa i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ndodhej brenda. Unë e pyeta Suhejbin se përse kishte ardhur ai? Por edhe Suhejbi më ktheu të njëjtën pyetje. Unë i thashë: Kam ardhur të takoj Muhammedin s.a.v.s dhe t’ia dëgjojë fjalët. Suhejbi më tha: Pasha Zotin! Edhe unë me këtë qëllim kam ardhur. Kështu ne të dy takuam të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. Ai na dha mesazhin e Islamit dhe ne e pranuam atë menjëherë. Ne qëndruam atje ndaj të ngrysur, derisa u errësua, dhe dolëm fshehurazi.

Kohën kur Hazret Amari r.a. dhe Hazret Suhejbi r.a. kishin pranuar Islamin, numri i muslimanëve kishte kaluar tridhjetë. Sipas një transmetimi të Sahih Buhariut, Hazret Amar Ibën Jasiri r.a. ka thënë që ai kishte parë të Dërguarin e Allahut s.a.v.s., kur vetëm 5 skllevër, dy gra dhe Ebu Bekri e kishin pranuar.[i]

Një koment mbi muslimanët e parë

Hazret Kalifi II r.a. ka shkruar këto fjalë për këta sehabë të shquar:

“Zoti mundësoi që në njëra anë, njerëzit nga familjet më të shquara të Mekës i shërbyen Islamit, ndërsa në anën tjetër disa persona të thjesht e të varfër kryejnë detyrat madhore. Aliu, Hamzai, Omeri dhe Osmani që të gjithë u përkisnin familjeve të shquara fisnike, ndërsa krahas tyre Zejdi, Bilali, Samura, Khubejbi, Suhejbi, Amiri, Amari, Ebu Fukejha konsideroheshin nga shtresa e ulët. Kështu shërbëtorët e Islamit u zgjodhën si nga shtresa e lartë po ashtu nga ajo e ulët”.

Vuajtjet e familjes Jasir

Në një vend tjetër ai shkruan:

“Sumeja ishte skllavja e Ebu Xhehlit, e cila dhunohej e shtypej prej tij për shkak të besimit të saj. Ebu Xhehli e detyronte të mohojë Islamin, por ajo mbeti e palëkundur në këtë besim me një qëndresë të papërkulur. Një ditë Ebu Xhehli u tërbua aq shumë, saqë e sulmoi Sumejanë dhe i shpoi organin gjenital me shtizë, e cila ia përshkoi edhe barkun dhe ajo duke u përpëlitur dha jetë. Amari i cili ishte djali i Sumejasë, gjithashtu ishte në shënjestër të mizorive. Atë e shtrinin në rërë përvëluese dhe e torturonin rëndë”.

Në histori gjendet një dëshmi nga Urva Ibën Zubejri, i cili ka thënë që Amar Ibën Jasiri u përkiste atyre njerëzve të pafuqishëm të Mekës, të cilët dhunoheshin e shtypeshin vetëm që të mohonin besimin e tyre. Muhammed Ibën Umeri ka thënë që fjalët e Kuranit Famëlartë për njerëz të pafuqishëm, u referohen atyre muslimanëve që jetonin në Mekë, por nuk kishin lidhje fisnore me mekasit, dhe kështu nuk kishin as fuqi e as mbrojtje. Kurejshët i rrihnin dhe dhunonin në piskun e vapës dhe i detyronin të largohen nga besimi i tyre.

Familja e Jasirit e përgëzuar me xhenet

Umer Ibën el-Hakami ka thënë që kurejshët i torturonin Amar Ibën Jasirin, Suhejbin dhe Ebu Fukejhën aq shumë, saqë ua nxirrnin fjalët kundër dëshirës, të cilat ata nuk i pranonin.

Muhammed Ibën Ka’ab el-Kurtubi ka shkruar që dikush më tregoi se e kishte parë Amar Ibën Jasirin me pizhame. Ai gjithashtu shikoi se shpina i qe ënjtur dhe kishte shenja plage. Ai e pyeti se çfarë ishin ato? Amari i tregoi se ato ishin nga plagët që i kishte marrë nga torturat e Kurejshve të Mekës, në vapë përvëluese.

Amr Ibën Mejmun ka treguar që njëherë idhujtarët e Mekës, e kishin djegur Amarin me zjarr. Kur i Dërguari i Allahut kaloi pranë tij, i përkëdheli flokët dhe tha:

ینار کونی برداً و سلاما علی عمارٍ کما کنت علیٰ ابراھیم

O zjarr! Bëhu i ftohtë dhe prehje për Amarin, ashtu siç ishe bërë për Ibrahimin.

Osman Ibën Affani r.a. ka rrëfyer se njëherë unë dhe i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kalonim nga lugina e Mekës. Profeti a.s. më kishte kapur për dore. Ne shkuam te Amari dhe prindërit e tij Jasiri dhe Sumeja. Ata hiqnin sfilitje të rënda nga mosbesimtarët. Jasiri pyeti: O i Dërguari i Allahut! A do të vazhdojë kështu përgjithmonë? Profeti a.s. iu përgjigj: Bëni sabër. Pastaj ai bëri këtë lutje:

Amar ibën Jasiri

“Bëj sabër o familje Jasir, Zoti ju ka përgatitur xhenet juve!”[ii]

Allahu i Madhërishëm kishte njoftuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. se Zoti e kishte falur familjen e Jasirit, për shkak të torturave dhe mundimeve që ata kishin hequr në rrugë të Zotit.

Ka edhe transmetime të ngjashme. Në njërin prej tyre thuhet se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. po kalonte pranë familjes së Amarit, teksa ata po torturoheshin, dhe ai u dha këtë myzhde: Të gëzoni sepse Zoti ju ka premtuar xhenetin.

Tortura ndaj muslimanëve të parë

Abdullah Ibën Mas’udi ka transmetuar që të parët që pranuan Islamin ishin shtatë. I Dërguari i Allahut s.a.v.s., Hazret Ebu Bekri, Hazret Amari, nëna e tij Hazret Sumeja, Hazret Suhejbi, Hazret Bilali dhe Hazret Mikdad r.a. Zoti kishte mundësuar sigurinë e Profetit s.a.v.s përmes xhaxhait të tij Ebu Talib dhe mbrojti Ebu Bekrin r.a. përmes fisit të tij. Ndërsa të tjerët torturoheshin nga idhujtarët. Ata u vinin parzmore të rënda prej hekuri dhe i linin për t’u djegur e për t’u përvëluar në piskun e vapës. Të gjithë u qenë nënshtruar dëshirave të idhujtarëve, përveç Bilalit, i cili ia kishte dorëzuar veten vullnetit të Zotit. Kurejshët e qortonin dhe e torturonin për shkak të ngjyrës. Më pas ua linin në dorë disa çapkënëve, që i binin në qafë, duke e tërhequr zvarrë nëpër rrugicat e Mekës. Bilali duronte çdo mundim dhe përgjigje duke thënë Ehed, Ehed.

Këto transmetime që tregojnë numrin e muslimanëve të parë, mund të mos jenë të sakta, sepse në hadithin e mëparshëm, kur Amari kishte pranuar Islamin, numri i muslimanëve është treguar rreth 30. Ndoshta, këta shtatë persona ishin më të ekspozuar dhe në shënjestër të persekutimit.

Vuajtja e Amar ibën Jasirit r.a.

Idhujtarët e torturonin Amarin duke e zhytur. Ata i zbraznin kovat me ujë duke i vështirësuar frymëmarrjen. Kjo metodë torture praktikohet edhe sot, kundër të akuzuarve apo thjesht ndaj kundërshtarëve politikë.

Sipas një transmetimi, njëherë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kalonte pranë Amarit, teksa ai qante me dënesë. Resullullahu s.a.v.s. ia fshiu lotët dhe i tha: unë e di që idhujtarët të kanë torturuar duke zhytur me ujë, dhe që ke thënë këtë e këto fjalë kundër dëshirës sate. Nëse, ata të rrahin sërish, thuaju edhe një herë këto fjalë.

Hazret Mirza Bashir Ahmed MA r.a. ka shënuar këtë ngjarje me hollësi në veprën e tij “Sirah Khatamun Nebijin”. Ai u është referuar edhe transmetimeve të tjera. Ai shkruan:

“Fisi Benu Mekhzum e mundonte dhe torturonte Amarin, babanë e tij Jasir dhe nënën Sumejën aq shumë, saqë vetëm duke mësuar vuajtjen e tyre, të shkojnë të dridhurat. Njëherë, ky grup i vogël i muslimanëve besnikë, duronin tortura të tilla, kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. rastësisht kaloi pranë tyre. Ai shikoi gjendjen e tyre, dhe me një zë mallëngjyes u tha:

Amar ibën Jasiri
“Bëj sabër o familje Jasir, Zoti si shpërblim për këto vuajtje, ju ka përgatitur xhenet!”[iii]

Jasiri ndërroi jetë duke i hequr këto mundime torturuese. Ndërsa Ebu Xhehli me shpirt mizor, e sulmoi Sumejën e moshuar në kofshën e saj me një shtizë, e cila ia përshkoi barkun dhe doli nga organi gjenital. Kjo grua e pafajshme, në këtë mënyrë dha jetë duke u përpëlitur. Tashmë kishte mbetur vetëm djali i tyre Amari. Edhe atij i ushtruan dhunë të rënda trupore e mendore, dhe e kërcënuan që torturat ndaj tij do të vazhdojnë derisa nuk e mohon Muhammedin (s.a.v.s.). Amari i duroi trimërisht të gjitha vuajtjet derisa, idhujtarët arritën t’i nxirrnin disa fjalë kundër Profetit s.a.v.s. Atëherë, idhujtarët e lanë në gjendje të lirë. Amari menjëherë shkoi te i Dërguari i Allahut s.a.v.s., teksa qante me dënesë. “Çfarë të ndodhi?”, e pyeti Profeti “Gjëmë e madhe!”, tha Amari, “ata më rrahën dhe më lënduan pa pushim dhe nuk më lanë derisa më nxorën fjalët nga gjuha ime kundër teje o i Dërguari i Allahut dhe të mbaj anën e hyjnive”. Ai e pyeti: “Çfarë ndieje në zemër kur i thoshe këto fjalë?!” “Një besim të patundshëm”, tha Amari. “Nëse zemra të ishte bindur ty, atëherë Zoti i Lartësuar ta faltë këtë dobësi”, e ngushëlloi ai.

Përshkrimi i sakrificave të familjes Jasir nga një shkrimtar Hindu

Mesihu i Premtuar a.s. në librin e tij të famshëm “Çashmai Marifet” ka cituar një autor hindu Perkash Dev Xhi, i cili kishte përpiluar biografinë e Profetit Muhammed s.a.v.s. Ai gjithashtu u kishte bërë thirrje anëtarëve, që ta blinin atë libër dhe ta lexonin, sepse i përkiste një jomuslimani. Ai shkroi:

“Profeti, duroi çdo mizori që i bëhej atij me vendosmëri, por zemra i pikonte gjak dhe hidhërohej jashtë mase kur shikonte sesi lëndoheshin mizorisht shokët e tij. Këta besimtarë të shkretë hiqnin mizori e sfilitje të rënda. Idhujtarët i detyronin të shtriheshin lakuriq në rërën përvëluese të shkretëtirës, madje i vendosnin gurë të rëndë në gjoksin e tyre që të mos lëviznin. Ata përpëliteshin nga afshi i nxehtë dhe nga etja nxirrnin gjuhën, dhe shumë njerëz dhanë jetë në këtë periudhë të vështirë. Amari ishte një prej këtyre, i cili duroi çdo mizori e padrejtësi me guxim e druajtje. Kurejshët e lidhnin dhe e shtrinin në tokë të vrazhdë, dhe vendosnin gurë të rëndë në gjoks. Pastaj e detyronin të përgojonte Muhammedin. E njëjta torturë u ushtrua nga babait të tij moshuar. Bashkëshortja e tij Sumeja nuk duroi dot këtë dhunë ndaj bashkëshortit dhe djalit të saj. Ajo u përgjërua dhe kërkoi mëshirë. Por, si reagim Kurejshët ia hoqën rrobat asaj zonje fisnike e të pafajshme në praninë e bashkëshortit dhe djalit të saj. Ata e dhunuan dhe torturuan në mënyrë aq çnjerëzore saqë nuk më lejon etika e turpi ta dëftoj atë. Përfundimisht, duke hequr këtë mundime të rënda, kjo grua fisnike dha jetë në përpëlitje të mëdha”.

Amar ibën Jasiri ishte i pari që ndërtoi xhaminë

Sufjani ka transmetuar nga babai i tij që Amar Ibën Jasiri r.a. ishte i pari që kishte bërë një xhami në shtëpi për adhurim. Kur Amari r.a. mërgoi në Medinë, ai u vendos në shtëpinë e Mubasher Ibën Abdul Mundhir. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. vendosi lidhje vëllazërore midis Hudhejfa binul Jaman r.a. dhe Amar Ibën Jasirit r.a. Profeti s.a.v.s. gjithashtu i dhuroi Amarit një truall për banim. Ata Ibën Rabah ka thënë që kur Ebu Selma dhe Umi Selma mërguan drejt Medines, Amar Ibën Jasiri r.a. iu bashkua, sepse ata ishin miq. Amar Ibën Jasiri ishte edhe vëllai i Umi Selma nga lidhja e gjirit.

Ikrama ka transmetuar që Abdullah Ibën Abasi r.a. i tha djalit të tij Ali Ibën Abdullah dhe atij që të shkonin te Ebu Seid el-Hudriu r.a. dhe ta dëgjonin atë. Ikrama ka thënë që ne shkuam tek ai, teksa ai po ujiste pemët në kopsht bashkë me vëllain e tij. Kur na pa, ai menjëherë u afrua dhe u ul këmbëkryq para nesh. Ai na tregoi që kur ndërtohej Xhamia e Profetit, secili  sillte nga një bllok, ndërsa Amari mbarte dy blloqe. Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kaloi pranë tij, ia fshiu flokët nga pluhuri, dhe tha: Mjerë për Amarin! Do të ekzekutojë grupi i rebelëve. Amari do t’i ftojë ata drejtë Allahut, ndërsa ata do ta ftojnë drejt zjarrit. Amari r.a. shpesh bënte këtë lutje: O Allah! Të kërkoj mbrojtje nga të gjitha ngatërresat.

Mundime të rënda për hir të Islamit

Abdullah Ibën Hezili rrëfen se kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. nisi ndërtimin e xhamisë në Medinë, të gjithë muslimanët filluan transportimin e gurëve. Profeti s.a.v.s. dhe Amari gjithashtu mbartnin gurë. Amari punonte dhe këndonte: Ne jemi muslimanë. Ne ndërtojmë xhami. Ndërsa Profeti s.a.v.s. përsëriste këto fjalë pas tij. Amari sapo kishte kaluar periudhën e sëmundjes, prandaj duke parë se si merrej me punë të rënda, disa thoshin se mos vallë vdes ai nga mundime të tepërta fizike, sepse ai sapo e kishte kaluar sëmundjen. Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dëgjoi këto fjalë, ai i mori blloqet nga Amari dhe e porositi të pushonte. Pra, ky tregon që edhe në pamundësi fizike, ai nuk donte të humbte një mundësi për t’iu shërbyer fesë.

Besëlidhja e pemës para marrëveshjes së Hudejbiasë

Umi Selma r.a. ka transmetuar se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte thënë që Amari do të vritet nga rebelët. Amari Ibën Jasiri r.a. e shoqëroi të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. në të gjitha betejat, si Beder, Uhud, Handek. Ai mori pjesë edhe në Besëlidhjen e Ridvanit. Kjo besëlidhje ishte zhvilluar në kohën e marrëveshjen e Hudejbjes. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte dërguar Osmanin r.a. si përfaqësues për të negociuar nga ana e muslimanëve. Negociatat u zgjatën dhe jomuslimanët e mbajtën Osmanin për më shumë kohë. Ndërkohë, u përhap gjithandej që mosbesimtarët e kishin vrarë Osmanin. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. menjëherë i mblodhi gjithë muslimanët nën një pemë të akacies. Ai u kërkoi të betohen që asnjëri nga muslimanët nuk do të largohet nga fushëbeteja, dhe do të luftojë deri në frymën e fundit, por nuk do të tërhiqet. Sahabët ishin mbushur me besim, dhe binin mbi njëri-tjetrin për t’u betuar. Teksa po merrte betimin, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. vuri dorën e tij të majtë mbi dorën e djathtë, dhe tha që kjo është dora e Osmanit, sepse po të ishte i pranishëm, kurrë nuk do të tregonte dobësi. Sidoqoftë, më vonë u mësua që ky lajm nuk ishte i vërtetë, dhe Osmani r.a. u kthye mirë e shëndoshë në kampin e muslimanëve.

Hazret Hekem Ibën Utejba r.a. ka transmetuar që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte mbërritur në Medinë në pasdite.  Amari r.a. sugjeroi se duhet të bëjnë një vend, ku i Dërguari i Allahut s.a.v.s. mund të pushonte në hije dhe të falte namazin. Kështu Amari r.a. mblodhi disa gurë dhe hodhi themelet për xhaminë Kuba. Kjo ishte xhamia e parë që u ndërtua, dhe gurthemelin e saj e hodhi Amari r.a.

Trimëria e Amar ibën Jasirit r.a.

Amari r.a. shquhej për trimërinë e tij. Ibni Umeri r.a. ka thënë që ai e kishte parë Amarin r.a. në betejën e Jamamasë. Ai ishte ngjitur në një shkëmb dhe u bënte thirrje muslimanëve: “O grupi i muslimanëve! Pse po largoheni nga xheneti. Ejani drejt meje! Unë jam Amari djali i Jasirit”. Ibni Omeri rrëfen se unë e vështroja Amarin, kurse i ishte prerë lapa e veshit, ndërsa Amari vazhdonte të luftonte papushim.

Tarik Ibën Shahabi ka thënë që njëherë dikush nga fisi Benu Temim e shau Amarin duke i vënë nofkën veshcurr. Amari iu kundërpërgjigj dhe tha “Ti ke fyer veshin tim më të mirë”. Pra, si mund të fyhet ai vesh që u pre në rrugë të Zotit.

Dashuria e madhe e Profetit a.s. ndaj Amarit r.a.

Halit Ibën Velidi r.a. ka thënë që njëherë po bisedoja me Amarin dhe gjatë bisedës i thashë disa fjalë të rënda dhe të pahijshme. Amar Ibën Jasiri r.a. shkoi te Profeti a.s. që t’i ankohej. Unë gjithashtu shkova atje. Teksa po tregonte të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. se si ishte lënduar, unë sërish veprova keq. Profeti a.s. po na dëgjonte me qetësi, dhe nuk thoshte asnjë fjalë. Amari r.a. nuk u përmbajt dot dhe me lot në sy i tha “O i Dërguar i Allahut! A nuk po shikoni sjelljen e Halitit?” Profeti a.s. ngriti kokën dhe tha “Ai që bëhet armik me Amarin, futet në armiqësi me Allahun. Ai që e mban inat Amarin, Allahu inatoset me të”. Halit Ibën Velidi r.a. ka thënë “Kur dëgjova këto fjalë, m’u trondit shpirti. Në atë çast, gjëja më e shtrenjtë për mua ishte që Amari të pajtohej me mua. Kështu shkova tek Amari dhe i kërkova falje”.

Këtë ngjarje e ka transmetuar edhe Eshteri. Ai tregon:

“Kam dëgjuar Halit Ibën Velidin duke treguar që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. më dërgoi në një ekspeditë ushtarake. Amar Ibën Jasiri ishte gjithashtu me mua. Gjatë këtij operacioni, takuam një popull dhe një familje tregoi rreth Islamit. Amari r.a. gjithashtu tregoi se ata ishin monoteistë, por unë nuk u kushtova vëmendje. Unë u solla me të, në të njëjtën mënyrë siç po sillesha me të tjerët. Amari r.a. më paralajmëroi se do t’i ankohej Profetit për këtë. Ai takoi të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. dhe ia rrëfeu këtë ngjarje. Megjithatë, Amari kuptoi se Profeti a.s. nuk po e përkrahte, derisa ai nuk kishte thënë asnjë fjalë. Amari u kthye me sy të përlotur. Haliti tregoi se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. më thirri mua dhe tha: “O Halit! Mos e mërzit Amarin, sepse ai që e qorton Amarin, do të pësojë ndëshkim prej Allahut, dhe ai që zemërohet me Amarin, Allahu zemërohet me të. Ai që e quan Amarin mendjelehtë, Allahu ia kthen këtë fjalë atij”.

Hazret Aliu r.a. ka thënë që ndërkohë isha në shoqërinë e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s, Amar Ibën Jasiri kërkoi leje për të hyrë brenda. Profeti s.a.v.s. i dha leje e i tha: “Mirë se vjen o njeri i pastër dhe i dëlirë”. Kështu e vlerësoi i Dërguari i Allahut s.a.v.s.

Aisheja r.a. ka transmetuar që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:

“Nëse i jepet mundësi Amarit për të zgjedhur njërën prej dy çështjeve, ai gjithmonë anohet nga urtësia e udhëzimi”.

Amr Ibën Sherxhili r.a. ka treguar që i Dërguari i Allahut ka thënë: “Çdo gjymtyrë e Amarit është kredhur në besim”. Amar Ibën Jasiri ishte prej atyre robërve të zgjedhur, të cilët Zoti i kishte mbrojtur nga tundimet e djallit.

Ibrahimi ka transmetuar nga Alkama, i cili ka thënë: Kur erdha në Siri, njerëzit më thanë se Ebu Derdaja r.a. u kishte treguar që midis jush ka jetuar një njeri, të cilin Allahu e kishte mbrojtur nga sulmet e djallit, siç kishte lajmëruar i Dërguar i Allahut s.a.v.s.”

Përgatitjet për sulm mbi Mekë dhe një ngjarje interesante

Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. vendosi për të triumfuar Mekën, ai filloi përgatitje ushtarake. Edhe pse sahabët kishin nisur përgatitje luftarake, qëllimi ishte aq i fshehur saqë shumica nuk dinin se po përgatiteshin për t’u nisur drejt Mekës. Në këtë kohë, Hatib Ibën Baltaja, një sahab i cili kishte marrë pjesë edhe në luftën e Bedrit, nga thjeshtësia dhe naivitetit, nisi një letër të fshehur drejt Mekës, në të cilën kishte shënuar të gjitha hollësitë e sulmit ndaj Mekës. Këtë letër ia kishte dorëzuar një gruaja, e cila kishte ardhur nga Meka. Ndërkohë, ajo u nis drejt Mekës, Zoti i Madhërishëm njoftoi të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. për këtë ndodhi. Ai menjëherë nisi një ekspeditë në drejtimin e Aliut r.a. shoqëruar nga tre muslimanë të tjerë, për ta ndjekur atë grua, dhe për t’ia marrë letrën. Amar Ibën Jasiri qe gjithashtu pjesë e këtij grupi.

Hazret Kalifi I r.a. ka treguar këtë ngjarje me këto fjalë:

“Një grua e cila quhej Sara, banonte në Mekë dhe jetonte pranë familjes Benu Hashim. Në kohën, kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte vendosur për t’u nisur ushtarakisht drejt Mekës, kjo grua erdhi në Medinë dhe vizitoi të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. Profeti e pyeti se a kishte pranuar Islamin dhe ishte arratisur nga Meka? Ajo u përgjigj: Jo, nuk kam pranuar Islamin. Në fakt, fisi juaj gjithmonë më ka ndihmuar, prandaj kam ardhur t’ju kërkoj ndihmë. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. porositi muslimanët për t’i dhënë disa rroba e para etj. Kështu, ajo u kthye nga Medina dhe u nis për në Mekë. Para se të nisej, e takoi Hatibi, i cili ishte ndër sahabët e Bedrit. Ai i dha dhejtë dirham dhe një letër, dhe porositi që t’ia dorëzonte atë letër banorëve të Mekës. Ajo e pranoi këtë detyrë dhe u nis bashkë me këtë letër. Në këtë letër, Hatibi kishte lajmëruar banorët e Mekës për vendimin e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. për të sulmuar Mekën. Profeti a.s. u njoftua prej Zotit lidhur me këtë letër, kur ajo akoma ishte në Medinë. Ai menjëherë, nisi Aliun dhe Amarin bashkë me disa muslimanë të tjerë, për ta kapur atë grua, dhe për t’ia marrë letrën, dhe në rast hezitimi ta ekzekutojnë atë. Muslimanët e ndaluan atë në rrugë, por ajo u betua e nuk pranoi absolutisht që kishte marrë ndonjë letër. Atëherë Aliu nxori shpatën dhe tha që jemi njoftuar nga shpallja, prandaj kjo mund të jetë gënjeshtër. Ti patjetër ke fshehur atë letër. Nga frika e shpatës, ajo nxori letrën nga flokët. Kur u zbulua letra e Hatibit, ai u thirr menjëherë. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. e pyeti arsyen e këtij veprimi. Ai u përgjigj: Pasha Allahun! Nuk jam pritur kurrë nga mosbesimi, qëkur kam pranuar Islamin. Meqë, askush nuk mbështet njerëzit e fisit tim në Mekë, prandaj i vetmi qëllimi im përmes kësaj letre ishte që mosbesimtarët të mos dhunojnë fisin tim. Omeri kërkoi që Hatibi të ekzekutohej për shkeljen e tij, por i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e ndaloi rreptësishtë. Ai gjithashtu tha që Allahu ka shprehur kënaqësi ndaj sahabëve të Bedrit, dhe u ka premtuar falje. Pra, ai bëri këtë veprim nga naiviteti, dhe jo për të dëmtuar qëllimisht muslimanët.

Emërimi i Amarit r.a. si guvernator i Kufës

Hazret Omeri r.a. njëherë e emëroi Amar Ibën Jasirin si guvernator i Kufës. Në dekretin e tij drejtuar qytetarëve të Kufës, ai kishe emëruar Amar Ibën Jasirin si guvernator (amir) i Kufës ndërsa Ibni Masudin si mualim, Vezir si dhe përgjegjës për Bejtul Mal pra për çështjet financiare. Këta të dy janë sahabë të nderuar të Profetit a.s., të cilët kishin marrë pjesë në Luftën e Bedrit, prandaj në çdo çështje, tregoni bindje të plotë ndaj tyre. Në këtë dekret, ai gjithashtu shkroi që “unë ju kam dhënë epërsi ndaj Abdullah Ibën Masudit. Ndërsa kam emëruar Osman Ibën Hanifin si guvernator i Suvadit”.

Më vonë, pas ankesave të banorëve të Kufës, Omeri r.a. e shkarkoi Amar Ibën Jasirin nga kjo detyrë. Njëherë, Omeri r.a. e pyeti Amarin se a mos ishte mërzitur nga urdhri i shkarkimit? Amari r.a iu përgjigj: Meqë po pyesni, dua t’ju them që nuk më kishte ardhur mirë edhe atëherë, kur më kishit emëruar për këtë detyrë. Por, nuk u pajtova për shkak të bindjes. Më ka ardhur keq, edhe tani kur jam shkarkuar nga detyra. Por, për shkak të bindjes, nuk kisha të drejtë ta kundërshtoja këtë urdhër.

Ai shprehu këto mendime, vetëm atëherë, kur Omeri r.a. e pyeti.

Historia e tre personave që i mbështetën rebelët në kohën e Osmanit r.a.

Në kohën e Osmanit r.a. rebelët dhe hipokritët kishin shkaktuar një pështjellim të madh në Medinë. Amar Ibën Jasiri për shkak të thjeshtësisë së tij natyrshme, u mashtrua nga dredhitë e rebelëve, edhe pse konkretisht ai nuk kishte bërë asgjë.

Hazret Kalifi II r.a. ka përshkruar këtë pjesë të historisë me këto fjalë:

“Nga qyteti i Medinës, vetëm tre persona i mbështesnin rebelët. I pari ishte Muhammed Ibën Ebi Bekri, djali i Ebu Bekrit. Sipas historianëve, meqë njerëzit e respektonin për shkak të babait të tij, ai filloi të mendonte gjoja gëzonte një status në shoqëri. Për ndryshe, ai nuk shquhej as në rendin shoqëror, dhe as nuk kishte përfituar nga shoqërimi me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. Madje, edhe më vonë nuk ishte thelluar në diturinë fetare. Ai ishte lindur në kohën e Haxhit të Lamtumirës, dhe ishte akoma një foshnjë, kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ndërroi jetë. Ishte vetëm katër vjeç, kur babai i tij Ebu Bekri r.a. u nda nga jeta, prandaj mbeti i privuar nga edukimi i këtij njeriu të pashembullt.

Personi i dytë ishte Muhammed Ibën Ebu Hudhjefa. Ai gjithashtu nuk ishte prej sahabëve. Babai i tij kishte ndërruar jetë në Lufën e Jamamasë, dhe vetë Osmani r.a. kishte marrë përsipër rritjen e edukimin e tij që nga fëmijëria. Kur Osmani r.a. u zgjodh Kalif, ai ia kërkoi ndonjë detyrë, që Osmani r.a. e refuzoi. Atëherë, ai i kërkoi leje për të punuar në ndonjë vend tjetër, dhe pasi që mori lejen, u nis për në Egjipt. Ai iu bashkua grupit të Abdullah Ibën Sabait dhe filloi fushatë duke nxitur njerëzit kundër Osmanit r.a. Kur banorët e Egjiptit e mësynë Medinën, ai kishte ardhur bashkë me të, por u kthye mbrapsht, dhe nuk ndodhej në Medinë në atë gjendje kaotike.

Personi i tretë ishte Amar Ibën Jasiri. A ishte prej sahabëve, dhe arsyeja pse u tundua nga rebelët ishte që ai ishte i panjohur nga dredhitë e tyre. Kur Hazret Osmani r.a. e dërgoi si komision për të kontrolluar administrimin e guvernatorit të Egjiptit, e priti Abdullah Ibën Sabai dhe ia manipuloi mendimet kundër tij. Meqë, ky guvernator kishte qenë ndër kundërshtarët më të ashpër të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., dhe kishte pranuar Islamin vetëm pas fitores së Mekës. Kjo qe arsyeja që Amar Ibën Jasiri u manipulua totalisht prej tyre. Pra, për shkak të dashurisë së tij ndaj Profetit a.s., ai besoi verbërisht gjithçka u thoshte kampi i Abdullah Ibën Sabait, dhe krijoi opinion të keq ndaj tij. Ai mendoi se derisa ka qenë kundërshtar i Islamit, andaj vazhdon të veprojë në atë mënyrë edhe tani. Pra, ai e paragjykoi guvernatorin dhe këtë opinion ia përcolli edhe Osmanit r.a. Ndonëse, nuk kishte marrë pjesë aktive në gjendjen e rrëmujshme, por gjatë kësaj kohe ai ishte i pranishëm në Medinë. Ai ndenji në shtëpi me njëfarë indiferencë ndaj situatës kaotike. Ai nëse nuk iu bashkua rebelëve në këto trazira, ai gjithashtu nuk u ngrit për t’iu kundërpërgjigjur aksionit të tyre. Ky qe gabimi i tij, që nuk veproi kundër rebelëve as nuk bëri asnjë përpjekje për t’i ndaluar, edhe pse ndodhej në Medinë. Megjithatë, ai nuk përkrahu sulmin e tyre.

Amar ibën Jasiri r.a. i qëndron besnik Aliut r.a. në luftën Safejn

Në periudhën e kalifatit të Aliut r.a., Amar Ibën Jasiri r.a. i qëndroi besnik Aliut r.a. dhe u reshtua krah për krah me të në Luftën e Xhemelit dhe Safejn. Abu Abdurrahman As-selma ka thënë që ishim me Hazret Aliun r.a. në luftën Seffejn. Unë e pashë Amar Ibën Jasirin duke luftuar. Kudo që shkonte ai, sahabët e të Dërguarit të Allahtu s.a.v.s. e ndiqnin nga pas, sikur ishte flamurtar. Kjo lufta ishte zhvilluar midis Hazret Aliut dhe guvernatorit të Sirisë Amir Muavijasë. Unë e pashë që Amari kishte marrë pamjen e një njeriu të moshuar. Ai ishte shtatlartë, me fytyrë zeshkane. Amari mbante shtizë në dorë, e cila dridhej për shkak të moshës, dhe tha:

“Betohem për Atë Zot, që kontrollon shpirtin tim, se kam marrë pjesë në tri luftëra bashkë me të Dërguarin e Allahut me këtë shtizë, dhe kjo është lufta e katërt. Pasha Zotin! Edhe nëse kundërshtarët tanë na shtyjnë e zmbrapsin deri në palmat e Hixhrit, prapë do të jem i bindur se kauza jonë është e drejtë dhe legjitime”.

Ngjarja e martirizimit

Ebul-Bakhtari ka thënë që në luftën e Safejnit, Amar Ibën Jasiri kërkoi qumësht për të pirë, dhe tha që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i kishte thënë që qumështi do të jetë pija ime e fundit në këtë jetë. Ai e piu dhe pastaj u ngrit për të luftuar dhe ra dëshmor. Sipas një transmetimi tjetër, kur iu servir qumështi, ai buzëqeshi dhe tha “i Dërguari i Allahut s.a.v.s. më kishte thënë që pija e fundit që do ta kem në këtë botë, do të jetë qumështi”. Ishte i lumtur se do të martirizohej atë ditë. Atë ditë Amar Ibën Jasiri gjithashtu tha: “Parajsa gjendet nën hijen e shkëlqimit të shpatave. I eturi do të arrijë burimin. Sot, do të bashkohem me të dashurit e mi. Sot do të takoj Muhammedin s.a.v.s. dhe grupin e tij”.

Abdurrahman Ibën el-Abzi ka transmetuar nga babai i tij që duke shkuar drejt Safejnit, pranë bregut të lumit Furat, Amar Ibën Jasiri tha këto fjalë: “O Allah! Nëse do të dija se të pëlqen të hidhem nga kjo kodër, unë do të isha hedhur. Nëse do të dija që mund të fitoja pëlqimin Tënd, duke u hedhur në zjarr, do të kisha bërë këtë pa asnjë ngurrim. O Allah! Nëse do të dija që Ti dëshiron të mbytem në këtë lumë, unë sërish do të bëja me kënaqësi. Unë po marr pjesë në këtë luftë, vetëm për pëlqimin Tënd. Dua që të mos dështoj, dhe synoj vetëm kënaqësinë Tënde”.

Hazret Amari r.a. u martirizua nga Ebu Vadja Mezni, i cili e kishte rrëzuar atë duke e goditur me shtizë. Pastaj, një person tjetër e sulmoi atë, dhe ia preu kokën. Këta dy ziheshin me njëri-tjetrin lidhur me autorsinë e vrasjes. Kështu shkuan te Muavija dhe secili pretendonte se ishte vrasësi i tij. Amr Ibën ‘Asi r.a. qe një ndër sahabët e Profetit s.a.v.s., dhe në atë kohë për shkak të disa mosmarrëveshjeve i ishte bashkuar Muavijes. Megjithatë dëshmia e tij e sinqertë tregon se ai ishte i drejtë. Amr Ibën ‘Asi r.a. u shpreh: Pasa Allahun! Këta dy po zihen për dënimin e zjarrit. Hazret Mu’avija r.a. ia dëgjoi fjalët. Kur u larguan ata, Muavija i tha Amr Ibën ‘Asit “Nuk kam parë ashtu siç ke thënë ti. Njerëzit po japin jetë për ne, ndërsa ti po u tha që ata grindeshin për dënimin e zjarrit”. Amr Ibën ‘Asi iu përgjigj: “Pasha Allahun! Edhe ju e  dini që kjo është e vërtetë. Pasha Allahun! Do të kisha dashur të vdisja 20 vjet përpara, dhe jo ta shikoja këtë kohë, kur ne po zihemi me njëri-tjetrin”.

Hazret Amar Ibën Jasari r.a. u martirizua në luftën Saffejn në vitin 37-të pas hixhretit, në moshën 94 vjeçare në periudhën e kalifatit të Aliut r.a. Sipas disa historianëve, ai ishte 91 apo 93 vjeç, kur ndërroi jetë. Amar Ibën Jasiri r.a. u varros po aty në Saffejn.

Jahja Ibën ‘Abisi r.a. ka thënë që kur po martirizohej Amar Ibën Jasiri, ai la amanet që të varrosej në ato rroba që i kishte veshur. Hazret Aliu r.a. respektoi dëshirën e tij dhe ai u varros po në ato rroba. Ebu Is’haku ka thënë që Hazret Aliu r.a. udhëhoqi namazin e xhenazes për Amar Ibën Jasirin dhe Hashim Ibën Utbanë. Në xhenaze, ai vendosi trupin e Amarit pranë tij, ndërsa të Hashimit pas atij.

Pra, i tillë shembulli i sahabëve, që mbrojtën, luftuan dhe dhanë jetë për të vërtetën. Allahu ua lartësoftë gradat shpirtërore. Ka edhe disa ngjarje dhe rrëfime të tjera, të cilat do të përmend herën tjetër. InshaAllah.

 

[i] Sahih i Buhariut, Libri i meritave të Ensarëve, kapitull “Pranimi i Islamit nga Ebu Bekr es-Sidik r.a.” nr. i hadithit 3857
[ii] Siret Ibni Hisham, vëll. I, Egjipt, 1936, f. 342.
[iii] Siret Ibni Hisham, vëll. I, Egjipt, 1936, f. 342.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp