Thjeshtësia në jetën e Hazret Mesihut të Premtuar a.s.
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Thjeshtësia në jetën e Hazret Mesihut të Premtuar a.s.

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

(Hutbja e së xhumasë e Hazret Mirza Masrur Ahmedit, Kalif i Pestë i Xhematit Musliman Ahmedia, e mbajtur më 13.11.2026)

Pas Teshehudit, Teavvuzit, Tesmijes dhe recitimit të sures El-Fatiha, Huzuri i Nderuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht, tha:

Në hytbet e kaluara kam folur për shembullin e bukur të Profetit të Shenjtë s.a.v.s. në lidhje me thjeshtësinë e tij. Sot, do të paraqes disa thënie dhe ngjarje nga jeta e shërbyesit të tij të vërtetë, Hazret Mesihut të Premtuar a.s., në lidhje me të njëjtën temë, sepse ai jetoi duke ndjekur përsosmërisht Udhëheqësin e tij, Profetin Muhammed s.a.v.s.

“Varfëria, përulësia dhe tevekkuli im i ngjajnë jetës së parë të Mesihut”

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Këtij të përuluri i është bërë e ditur se, për nga varfëria, përulësia, tevekkuli, vetëmohimi, shenjat dhe dritat, ky njeri i përulur është një shembull i jetës së Mesihut të parë.

Natyra ime dhe natyra e Mesihut ngjajnë jashtëzakonisht shumë me njëra-tjetrën, sikur të ishin dy pjesë të së njëjtës lëndë ose dy fruta të së njëjtës pemë. Bashkimi është deri në atë shkallë, saqë në keshf (vizion) dallimi ndërmjet nesh është jashtëzakonisht i hollë.

Edhe në aspektin e jashtëm ekziston një ngjashmëri. Mesihu ishte ndjekës dhe shërbyes i fesë së një profeti të përsosur dhe madhështor, pra i Musait, dhe Ungjilli i tij ishte degëzim i Teuratit.

Edhe ky i përulur është ndër shërbyesit më të vegjël të atij Profeti madhështor, i cili është Prijësi i të gjithë të dërguarve dhe kurora e të gjithë profetëve.

Nëse ai është Hamid, ky është Ahmed; dhe nëse ai është Mahmud, ky është Muhammed (s.a.v.s.)”

Shëtitjet e Mesihut të Premtuar

Hazret Doktor Muhammed Abdullah Sahibi tregon:

“Një herë Huzuri po dilte për shëtitje. Sapo dolëm nga qyteza, filloi biseda për vdekjen e Isait a.s. Pranë pemishtes të Hazret Nawab Sahibit (ishte pemishtja e Nawab Muhammed Ali Khan Sahib, që ndodhej jashtë zonës së banuar të Kadijanit). Ose ndoshta ishte afër vendit ku më vonë ndodhej ferma e Hazret Mian Bashir Ahmad Sahibit. Aty pranë kishte një pellg të vogël, rreth të cilit rritej bar i gjelbër dhe ndodhej edhe një pemë hide.

Huzuri a.s. shkoi dhe u ul aty, ndërsa biseda për të njëjtën temë vazhdoi.

Dikush tha:

‘Huzur! Tani edhe populli i Mesihut e ka pranuar se Mesihu ka vdekur. Mund ta lëmë këtë çështje.’

Ndoshta ishte dikush që kishte një marrëdhënie shumë të çlirët me Huzurin, prandaj e tha kështu.

Huzuri a.s. tha:

‘Ende nxjerr lëng.’

Domethënë, nuk mund të thuhet ende se çështja ka përfunduar. Ende vazhdon të nxjerrë helmin e vet, derisa t’i shtypet krejt koka.

Kjo ishte një shprehje panxhabe, me kuptimin se kjo çështje nuk përfundon derisa të çrrënjoset krejtësisht.

Gjatë shëtitjeve Huzuri ecte shumë shpejt. Shpesh njerëzit detyroheshin të vraponin për ta arritur. Madje, disa herë, duke vrapuar, këmbët e njerëzve binin mbi shkopin e Huzurit dhe shkopi i binte nga dora, por ai nuk i tha kurrë asgjë askujt.”

Hazret Muhammed Din Sahibi tregon:

“Një herë, kur isha ende fëmijë, rreth katërmbëdhjetë ose pesëmbëdhjetë vjeç, pata disa herë rastin të shkoja në shëtitje me Hazret Mesihun e Premtuar a.s.

Kur Hazret Umul-Mu’minin [bashkëshortja e Hazret Mesihut të Premtuar a.s.] dilte gjithashtu për shëtitje me të, edhe gratë e tjera e shfrytëzonin rastin dhe i shoqëronin.

Edhe unë, duke qenë i vogël, shkoja bashkë me tezen time.

Kur arrinim atje, shihja se Huzuri ulej në fushë, mbi bar, drejtpërdrejt në tokë. Edhe gratë uleshin aty. Sa kohë që Hazret Mesihu i Premtuar a.s. qëndronte me to, vazhdonte t’u jepte këshilla grave.”

Pra, ishte një mexhlis krejt i thjeshtë: në një hapësirë të hapur, të gjithë të ulur në tokë, ndërsa ai u jepte grave këshilla për detyrat e tyre.

Recitimi i Kuranit në buzë të një fushe

Hazret Mufti Muhammed Sadik Sahibi, duke përmendur një ngjarje, shkruan se mëngjesin e 10 prillit 1907, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. doli për shëtitje. Me të ishin edhe disa shërbyes.

Mes tyre ishte Hafiz Mahbubur-Rahman Sahibi, i cili ishte vëllai i Munshi Habibur-Rahman Sahib, një nga njerëzit me pozitë të Haxhipurës, si dhe i afërm i Munshi Zafar Ahmad Sahibit.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s., duke treguar nga Hafiz Sahibi, tha:

“Ai e reciton shumë mirë Kuranin e Shenjtë. Pikërisht për këtë arsye e kam mbajtur këtu, që çdo ditë të dëgjoj prej tij Kuranin. Kam shumë dëshirë të dëgjoj dikë që e reciton Kuranin bukur, saktë dhe me zë të këndshëm.”

Pastaj iu drejtua Hafiz Sahibit dhe i tha:

“Sot na recito diçka gjatë shëtitjes.”

Pas pak, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. u ul me shumë thjeshtësi në buzë të një fushe. Të gjithë shërbyesit u ulën gjithashtu në tokë.

Hafiz Sahibi recitoi me zë shumë të bukur suren Ed-Dehr.

Pas recitimit, Huzuri u ngrit dhe vazhdoi përsëri shëtitjen.

Aq i thjeshtë mes njerëzve, sa të huajt nuk e dallonin se cili ishte Mesihu i Premtuar

Redaktori i gazetës “El-Hakam”, duke shkruar për thjeshtësinë e Hazret Mesihut të Premtuar a.s., thotë:

“Kur dilte për shëtitje, nuk ekzistonte asnjë formalitet që askush të mos ecte përpara tij.

Madje, ndonjëherë sahabë me pozitë të lartë shqetësoheshin se njerëzit që ecnin përpara ngrinin pluhur, ndërsa Hazret Mesihu i Premtuar a.s. ecte pas tyre. Por Huzuri kurrë nuk e konsideroi këtë si diçka që duhej të ndalohej.

Shpesh ndodhte që njerëzit që vinin nga pas të përplaseshin me të, t’i dilte këpuca nga këmba ose t’i binte shkopi. Por askush nuk e ka parë ose dëgjuar ndonjëherë që ai të shprehte pakënaqësi apo të kërkonte ndonjë mënyrë të veçantë sjelljeje ndaj vetes.

Shumë herë ka ndodhur në xhami që Huzuri të ishte ulur mes sahabëve dhe të vinte ndonjë i huaj, i cili shkonte fillimisht dhe i jepte dorën Molvi Abdul-Karim Sahibit ose Hazret Hakimul-Umet Molvi Nuruddin Sahibit, duke menduar se njëri prej tyre ishte Hazret Mesihu i Premtuar a.s.

Atëherë këta të dy i thoshin me fjalë:

‘Ai atje është Huzuri’,

dhe i tregonin Hazret Mesihun e Premtuar a.s.

Me pak fjalë, tek ai shihej i gjithë modeli i mënyrës së Muhammedit s.a.v.s. Kush ka dyshim, le të vijë, të qëndrojë këtu dhe ta shohë vetë.”

Kjo ishte pikërisht ajo mënyrë që Hazret Mesihu i Premtuar a.s. vetë kishte përshkruar në jetën e Profetit të Shenjtë s.a.v.s.; dhe ai ishte shembull praktik i ecjes në gjurmët dhe modelin e Zotërisë së tij.

Hazret Sheik Muhammed Nasib Sahibi tregon:

“Gjatë shëtitjes, nëse këmba e dikujt binte mbi shkopin e Huzurit dhe shkopi i binte, ose nëse dikush i shkelte këpucën dhe ajo i dilte nga këmba, Huzuri ndalonte, por nuk kthehej mbrapa për të parë se kush e kishte bërë, në mënyrë që ai person të mos ndihej në siklet.”

Hazret Bhai Abdur-Rahman Kadijani Sahibi tregon:

“Një nga aspektet më të spikatura të jetës së Hazret Mesihut të Premtuar a.s. ishte se ai nuk kishte zakon të përdorte formalitete ose shtirje për ta dalluar veten nga të tjerët. Çdo lëvizje dhe qëndrim i tij dëshmonte për këtë.

Një herë shkoi bashkë me disa shërbyes në Dera Baba Nanak për të parë Mantelin e Baba Nanakut. Atje, nën një pemë të madhe banjano, u shtruan disa rroba në tokë dhe Huzuri u ul bashkë me anëtarët e Xhematit.

Kur njerëzit e qytezës morën vesh për ardhjen e tij, erdhën për ta takuar. Mexhlisi i tij ishte një pamje e thjeshtësisë së njerëzve të Zotit dhe nuk ishte bërë ndonjë vend i veçantë për personin e tij.

Prandaj, shumë njerëz u ngatërruan dhe menduan se Molvi Muhammed Ahsan Sahibi ishte Mesihu i Premtuar dhe një dijetar i madh i zonës së Batalës. Filluan t’i jepnin dorën atij.

Pastaj, kur Molvi Sahibi ua tregoi Hazret Mesihun e Premtuar a.s., ata u drejtuan nga Huzuri. Ngjarje të tilla ndodhën disa herë gjatë jetës së tij.”

Vetë ulej te këmbët e shtratit dhe mysafirin e uli në vendin më të rehatshëm

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. nuk pëlqente as që për veten të caktohej ndonjë vend i veçantë.

Hazret Molvi Fazl Ilahi Sahibi tregon:

“Vendi ku ulej Huzuri ishte krejtësisht pa formalitete. Nuk kishte ndonjë ndenjëse të posaçme, siç kanë disa shehlerë të sotëm.

Pas namazit të akshamit, gjatë jetës së Hazret Molvi Abdul-Karim Sahib, Huzuri shpesh ulej në Xhaminë Mubarak në pjesën e ngritur pranë mihrabit dhe, deri në namazin e jacisë, i nderonte shërbyesit me praninë dhe fjalët e tij të pastra.

Hazret Molvi Abdul Karim Sahibi i parashtronte çështje të ndryshme dhe Huzuri u përgjigjej. Gjithashtu bisedonte edhe me mysafirët.

Nga fjala ‘vend i ngritur’ askush të mos mendojë se ishte ndonjë fron i madh ose ndonjë ulëse e mbushur me jastëkë. Ai thjesht ulej me fytyrë nga njerëzit, pranë mihrabit. Nëse mexhlisi bëhej mbi çati, aty kishte një platformë të vogël prej tullash dhe ai ulej mbi të.”

Hazret Munshi Imam Din Sahibi r.a. tregon:

“Në vitin 1894 bëra bejatin në dorën e bekuar të Hazret Mesihut të Premtuar a.s. Ishte koha e namazit të mbrëmjes. Me mua ishin edhe vëllai im Munshi Abdul-Aziz Ujhalvi dhe i ndjeri Bhai Xhamaluddin Sahibi nga Sekhvani.

Pas namazit, Munshi Sahibi tregoi nga unë dhe tha:

‘Huzur, pranojani bejatin këtij zotërie.’

Huzuri tha:

‘Le të hyjë brenda.’

Kur hyra vetëm në Bejtul-Fikr, Huzuri u ul te fundi i shtratit, nga ana e këmbëve, dhe më bëri shenjë që unë të ulesha në krye të shtratit.

Në fillim hezitova, por Huzuri më uli aty dhe më mori bejatin.

Kur pashë këtë sjellje të Huzurit, mbeta i habitur. Ku janë ata shehlerë, pranë të cilëve askush nuk mund të ulet në të njëjtin nivel, dhe ku është ky “sheh”, të cilin Allahu e ka dërguar si Mesih të Premtuar, por që e ul një shërbyes të tij të parëndësishëm në krye të shtratit dhe vetë ulet te këmbët e tij!”

Ndoshta sot disa njerëz nuk e përfytyrojnë mirë dallimin midis pjesës së kokës dhe pjesës së këmbëve të një shtrati tradicional.

Në pjesën e këmbëve ndodhen lidhjet dhe litarët me të cilët tendoset shtrati. Ajo pjesë është më e ashpër dhe më pak e rehatshme, ndërsa pjesa e kokës është më e butë dhe më e përshtatshme për t’u ulur. Pra, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. e uli mysafirin e tij në vendin më të rehatshëm dhe vetë u ul në pjesën më të parehatshme.

Vetë zgjodhi shtratin e vjetër dhe të thyer

Hazret Çaudhri Bud’ha Sahibi r.a. tregon:

“Një herë erdha në Kadijan. Në bujtinën e re kishte disa shtretër të rinj dhe vetëm një ishte i vjetër. Huzuri erdhi dhe u ul pikërisht në shtratin e vjetër dhe të thyer.

Aty pranë qëndronin në këmbë rreth gjashtë-shtatë veta. Ai u tha të gjithëve:

‘Uluni.’

Ne ndiheshim shumë në siklet. Mendonim: Huzuri është ulur në një shtrat të vogël, të vjetër dhe të thyer; si mund të ulemi ne në shtretërit e mirë? Ndërsa ende po mendonim kështu, një Molvi Sahibi tha:

‘Në këtë mënyrë mendoni se po tregoni respekt ndaj Huzurit, por në të vërtetë po kundërshtoni urdhrin e tij.’

Atëherë u ulëm.”

Bejati i Myftiut Muhamed Sadik

Hazret Mufti Muhammed Sadik Sahibi, duke treguar ngjarjen e bejatit të tij, thotë:

“I thashë Hafiz Hamid Ali Sahibit se dëshiroja të bëja bejat.

Huzuri më çoi në një dhomë të veçantë dhe e mbylli derën nga brenda. Në ato ditë bejati i çdo personi merrej veçmas. Aty ishte shtruar një shtrat. Më tha të ulesha mbi të. Huzuri u ul gjithashtu aty dhe unë u ula pranë tij.

Ai e mori dorën time të djathtë në dorën e tij dhe më mori bejatin për respektimin e dhjetë kushteve. Nuk i përsëriti dhjetë kushtet një nga një, por tha thjesht ‘dhjetë kushtet’.”

Ashtu siç veprohet edhe sot.

Hazret Çaudhri Ghulam Husein Sahibi tregon:

“Në gusht të vitit 1907 shkova në Kadijan. Dëshiroja të bëja edhe bejatin personalisht në dorën e Huzurit.

Në atë kohë kuzhina (langar hane) e Huzurit ishte në shtëpinë e Mian Bashir Ahmad Sahib. Mubarak Ahmedi, djali i vogël i Hazret Mesihut të Premtuar a.s., ishte i sëmurë dhe më pas ndërroi jetë. Për shkak të sëmundjes së tij, Huzuri nuk mundi të dilte jashtë për tri ditë dhe bejati ynë nuk u bë.

Ne paraqitëm:

‘Huzur, kemi dy-tri ditë që kemi ardhur. Ju lutemi, na e pranoni bejatin.’

Atëherë Huzuri na thirri në një çati tjetër. Aty kishte dy shtretër. Njëri ishte një shtrat i mirë, ndërsa tjetri ishte shumë i vogël dhe i dobët.

Kur erdhi Huzuri, na uli ne të tre mbi shtratin e mirë, ndërsa vetë u ul në atë shtratin e vogël dhe të dobët dhe na mori bejatin.”

Thjeshtësia në takimet me Hazret Mesihun e Premtuar a.s.

Hazret Mufti Muhammed Sadik Sahibi përmend edhe një tjetër shembull të kësaj atmosfere të thjeshtë:

“Rreth kohës së ikindisë, kur u ktheva në shtëpi nga jashtë, pashë Huzurin të ulur në një shtrat bashkë me disa shërbyes. Me sa më kujtohet, mes tyre ishte edhe i ndjeri Kazi Khaxha Ali Sahibi.

Mbi shtratin ku ishte ulur Huzuri nuk ishte shtruar ndonjë pëlhurë apo shtrojë e posaçme për të. Aty pranë kishte edhe dy-tri shtretër të tjerë. Edhe unë shkova dhe u ula në njërin prej tyre.

Huzuri m’u drejtua dhe tha:

‘Mufti Sahibi! Papritur kam vendosur të shkoj në Amritsar. Përgatituni edhe ju.’

Mexhlisi ishte krejt i thjeshtë dhe, në atë atmosferë pa formalitete, ai ma dha këtë udhëzim. Pastaj tha:

‘Nuk do t’i tregoj tani hollësitë. Miqtë do të t’i shpjegojnë.’

Mufti Sahibi thotë se, sidoqoftë, ky ishte udhëtimi i parë me tren në të cilin pata rastin të shoqëroja Huzurin.”

Koloneli që erdhi i krishterë dhe doli me lot në sy

Hazret Munshi Zafar Ahmad Sahibi Kapurthalvi, duke treguar një ngjarje nga ditët kur në Amritsar po zhvillohej debati me Abdullah Atham, thotë:

“Me sa më kujtohet, po qëndronim në vilën e një njeriu të pasur me emrin Karim Bakhsh.

Kolonel Altaf Ali Khan u bashkua me ne dhe më tha:

‘Dua ta takoj Huzurin vetëm, në privatësi.’

Koloneli kishte veshur kostum me xhaketë dhe pantallona, ndërsa mjekrën dhe mustaqet i kishte rruar.

I thashë:

‘Hyni brenda. Do ta rregulloj unë. Nuk do të lejojmë askënd të hyjë nga jashtë. Mund ta takoni Hazret Mesihun e Premtuar a.s. vetëm.’

Kështu, Kolonel Sahibi hyri dhe qëndroi rreth gjysmë ore vetëm me Huzurin.

Kur doli, sytë i kishte mbushur me lot dhe po qante.

E pyeta:

‘Çfarë biseduat që jeni në këtë gjendje?’

Më tha:

‘Kur hyra brenda, Huzuri ishte ulur mbi një rrogoz të thjeshtë. Në të vërtetë, vetëm gjuri i tij ishte mbi rrogoz, ndërsa pjesa tjetër e trupit ishte mbi tokë.

Unë thashë:

“Huzur, jeni ulur në tokë.”

Huzuri mendoi se ndoshta unë nuk doja të ulesha mbi rrogoz. Prandaj hoqi çallmën e tij, e shtroi mbi rrogoz dhe më tha:

“Uluni këtu.”

Kur pashë këtë gjendje, më dolën lotët dhe thashë:

“Huzur! Edhe pse kam marrë pagëzimin në Angli dhe kam pranuar krishterimin, nuk jam aq i pafe sa të ulem mbi çallmën tuaj.”

Ai tha:

“Nuk ka problem. Uluni pa merak.”

Unë e largova çallmën me dorë dhe u ula mbi rrogoz. Pastaj fillova t’i tregoja gjendjen time:

“Pi shumë alkool dhe bëj edhe mëkate të tjera. Nuk di asgjë për Zotin dhe të Dërguarin. Por në këtë çast, para jush, pendohem nga krishterimi dhe bëhem musliman. Megjithatë, veset që më janë ngulitur më duken shumë të vështira për t’u braktisur.”

Huzuri tha:

“Bëni istigfar (kërkim falje) dhe përpiquni ta bëni shprehi faljen e pesë namazeve.”

Gjatë gjithë kohës që qëndrova pranë tij, gjendja ime vazhdonte të ndryshonte. Qaja vazhdimisht. Pastaj premtova se do të bëja istigfar dhe do të falja namazet rregullisht. Me lejen e Huzurit dola prej aty. Ndikimi i asaj bisede mbeti në zemrën time dhe e ndieja ende edhe kur dola jashtë.’”

Ky Kolonel Sahibi kishte marrë pjesë edhe në debatin me Athamin dhe ulej nga ana e të krishterëve. Por Allahu i dha mundësinë të pendohej në dorën e Hazret Mesihut të Premtuar a.s.

Një rrogoz i vogël, pa jastëk e pa shtrat

Hazret Sheik Jakub Ali Irfani Sahibi, duke përshkruar mënyrën se si Hazret Mesihu i Premtuar a.s. ulej mbi rrogoz, thotë:

“Edhe unë mora pjesë në debatin me Athamin dhe e kam parë atë rrogoz.

Në mesditë, kur Huzuri kthehej nga debati, për shkak se shtëpia ishte plot me mysafirë dhe nuk kishte vend, ai e shtronte rrogozin mbi çati, në hijen e murit.

Ishte vetëm një copë e vogël rrogozi.

Ulej mbi të dhe shkruante disa shënime. Aty pushonte edhe për pak kohë. I njëjti rrogoz i shërbente edhe si vendi i lutjes (Bejtud-Dua).

Kur u larguan nga shtëpia e parë dhe shkuan në shtëpinë e Haxhi Mahmudit, e cila ishte shumë më madhështore, një mëngjes shkova t’i tregoja disa referenca nga Bibla. Me sa më kujtohet, ishte dita e fundit e debatit ose një ditë para saj. Huzuri vuante nga diarreja dhe kishte shqetësime në stomak. Ishte shtrirë mbi të njëjtin rrogoz.

Nuk kishte as jastëk, as shtrat. Deri te mesi ishte mbi rrogoz, ndërsa pjesa tjetër e trupit të tij ishte mbi tokë.

Kur e pashë këtë, m’u kujtua i Dërguari i Allahut s.a.v.s., kur kishte fjetur mbi rrogoz dhe shenjat e tij i kishin mbetur në trupin e bekuar.

Sytë m’u mbushën me lot, duke kujtuar atë gjendje të Profetit të Shenjtë s.a.v.s. dhe duke parë tani të njëjtën thjeshtësi këtu.”

Ulej në të njëjtën rrogoz me të tjerët

Hazret Mufti Muhammed Sadik Sahibi tregon:

“Një herë, gjatë pushimeve verore, erdha nga Xhamu në Kadijan për të qëndruar pranë Hazret Mesihut të Premtuar a.s.

Ishte koha kur Hazret Molvi Nuruddin Sahibi, që më vonë u bë Kalifi i Parë, kishte bërë hixhret dhe ishte vendosur në Kadijan. Ishte ndërtuar edhe ndërtesa ku ai kishte klinikën e tij dhe pothuajse gjithë ditën rrinte aty.

Një herë isha ulur me Hazret Kalifin e Parë në atë klinikë, kur papritur Hazret Mesihu i Premtuar a.s. erdhi aty krejt vetëm.

Në duar mbante disa libra.

Pa asnjë formalitet, u ul mbi të njëjtën rrogoz ku ishim ulur ne të dy.

Pastaj iu drejtua Hazret Molvi Sahibit dhe tha:

‘Kisha disa kopje të librit “Surma Chashm-e-Arya”. I solla që t’i shpërndani sipas nevojës.’

Unë thashë:

‘Huzur, edhe unë dua një kopje.’

Ai më dha menjëherë një kopje.”

Hazret Hakim Xhamaluddin Sahibi tregon:

“Në Ludhiana, në shtëpinë e Molvi Muhammed Husejn Sahibit, një njeri me pozitë nga Ludhiana, u zhvillua një debat ndërmjet Hazret Mesihut të Premtuar a.s. dhe Molvi Muhammed Husein Batalviut.

Ishte verë dhe debati u zhvillua rreth orës katër pasdite. Muajin dhe vitin nuk i mbaj mend.

Në atë kohë ende nuk kisha bërë bejat. Isha i pranishëm në shtëpinë ku zhvillohej debati. Megjithatë, kisha mendim të mirë për Hazret Mesihun e Premtuar a.s. dhe e shihja me respekt.

Në atë kohë punoja në Departamentin e Kanaleve në Ludhiana dhe herë pas here, kur lindte nevoja, shkoja edhe për ta takuar Huzurin.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. ishte ulur me shumë thjeshtësi mbi një rrogoz. Ndërsa Molvi Muhammed Husein Batalviu kishte shtruar mbi rrogoz një qilim dhe ishte ulur i mbështetur në një jastëk të madh. Mënyra e tij e uljes të jepte përshtypjen e krenarisë dhe madhështisë, ndërsa mënyra e Hazret Mesihut të Premtuar a.s. ishte jashtëzakonisht e thjeshtë.”

“Ne nuk kemi ardhur t’i bëjmë njerëzit kafshë”

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. nuk e pëlqente as që ndaj tij të bëhej ndonjë trajtim i veçantë ose shfaqje e jashtëzakonshme respekti.

Hazret Mian Abdul-Aziz Sahibi, i njohur si Mughal, tregon:

“Kjo ngjarje ndodhi në vitin 1904, kur Huzuri erdhi në Lahore për të mbajtur një ligjëratë.

Disa prej nesh, të rinjtë, u mblodhëm dhe menduam:

‘Kur udhëheqësit e popujve të tjerë vijnë këtu, të rinjtë e tyre i heqin kuajt nga karroca dhe e tërheqin vetë karrocën e udhëheqësit. Ndërsa Allahu na ka dhënë një udhëheqës kaq të madh, saqë edhe mbretërit më të fuqishëm nuk kanë ndonjë pozitë përpara tij. Prandaj, sot ne duhet ta tërheqim vetë karrocën e tij në vend të kuajve.’

Kështu vendosëm.

I thamë karrocierit:

‘Hiqi kuajt nga karroca. Sot do ta tërheqim ne.’

Ai i hoqi kuajt.

Kur Huzuri doli jashtë, pyeti:

‘Ku janë kuajt?’

Ne thamë:

‘Huzur! Kur vijnë udhëheqësit e popujve të tjerë, të rinjtë e tyre ua tërheqin karrocën. Sot duam ta kemi ne nderin ta tërheqim karrocën tuaj.’

Ai tha:

‘Mbërtheni kuajt përsëri në karrocë. Ne kemi ardhur jo që t’i bëjmë njerëzit kafshë. Kemi ardhur t’i bëjmë njerëz ata që janë porsi shtazë.’”

Pra, vendosini përsëri kuajt, sepse Allahu i ka krijuar kafshët për këtë punë. Kjo nuk është punë e njerëzve dhe detyra ime nuk është që njerëzit t’i vendos në vendin e kafshëve.

Kur tha: “Ne kemi ardhur t’i bëjmë kafshët njerëz”, kuptimi ishte se njerëzit që shpirtërisht ndodhen në një gjendje shumë të ulët, duhen ngritur duke u mësuar moral të lartë dhe fenë.

Ka edhe ngjarje të tjera dhe disa thënie të Hazret Mesihut të Premtuar a.s. në lidhje me këtë temë, të cilat do t’i paraqes në vijim.

Tani, dua të përmend disa të ndjerë.

Sheik Jusuf Osman Kambolaja: një jetë në shërbim të fesë deri në frymën e fundit

I pari është i nderuari El-Haxh Sheik Jusuf Osman Kambolaja Sahibi, misionar i Xhematit në Tanzani. Ai ishte nga Tanzania. Ndërroi jetë më 6 nëntor, në moshën 84-vjeçare.

إِنَّا لِلّٰهِ وَإِنَّا إِلَيْهِ رَاجِعُونَ

“Sigurisht, ne jemi të Allahut dhe tek Ai do të kthehemi.”

Me bekimin e Allahut të Madhërishëm, ishte musij. La pas shtatë fëmijë, nipër e mbesa, si dhe stërnipër e stërmbesa.

Babai i tij, i nderuari Mualim Osman Kambolaja Sahibi, ishte ndër të parët e familjes që pranuan Ahmadijatin.

Khaxha Muzaffar Ahmad Sahibi, Amir në detyrë, shkruan se i ndjeri ia kushtoi një pjesë shumë të gjatë të jetës së tij shërbimit të Islamit dhe Xhematit Musliman Ahmedia.

Nga viti 1956 deri në vitin 1967 qëndroi në Rabva, ku mori arsimimin. Nga Xhamia Ahmedia mori diplomën Shahid. Më pas pati mundësinë të shërbente fenë në rajone të ndryshme të Tanzanisë.

Përgjegjësitë e tij i përmbushi me shumë punë, sinqeritet dhe besnikëri.

Një aspekt i spikatur i jetës së tij ishte se, në kuptimin e vërtetë të fjalës, e përmbushi vakfin e tij deri në fund të jetës. Pavarësisht moshës së shtyrë dhe vështirësive të ndryshme, pasioni për shërbimin e fesë mbeti gjithmonë i gjallë tek ai.

Për të, vakfi nuk ishte thjesht një premtim, por qëllimi i jetës dhe një përgjegjësi e shenjtë, të cilën u përpoq ta përmbushte deri në frymën e fundit.

Të afërmit e tij tregojnë gjithashtu se ishte një baba shumë i dashur, i cili i edukoi fëmijët e tij mbi themele të forta të Ahmadijatit. Sot, me bekimin e Allahut të Madhërishëm, të gjithë fëmijët e tij po kanë mundësinë t’i shërbejnë Xhematit në mënyra të ndryshme.

I ndjeri kishte moral shumë të lartë. Ishte njeri me takva, i përulur, bujar dhe gjithmonë i gatshëm për t’u shërbyer krijesave të Zotit.

Në zemrën e tij kishte dashuri të jashtëzakonshme për Allahun e Madhërishëm, Profetin e Shenjtë s.a.v.s., Hazret Mesihun e Premtuar a.s. dhe sistemin e Kalifatit.

Gjatë gjithë jetës ishte shembull praktik i motos së Xhematit:

“Dashuri për të gjithë, urrejtje për askënd.”

Fëmijët e tij tregojnë se nëna e tyre thoshte se një herë, në prag të Fitër Bajramit, pagesa mujore e babait të tyre u vonua. Rrethanat ishin të tilla që pagesa nuk po mbërrinte, ndërsa në shtëpi nuk kishte asgjë për ushqimin dhe as për përgatitjen e fëmijëve për Bajram.

Megjithëse nëna e tyre ia kujtonte vazhdimisht këtë dhe ishte e shqetësuar, i ndjeri qëndroi krejtësisht i qetë dhe, duke buzëqeshur, thoshte:

“Allahu i Madhërishëm Vetë do të na ndihmojë.”

Pak para Bajramit, kur të gjitha mjetet e dukshme kishin marrë fund, një mik ahmedian erdhi dhe i dha si dhuratë një shumë parash.

Ajo shumë mjaftoi jo vetëm për ushqimin dhe rrobat e fëmijëve për Bajram, por madje mbeti edhe diçka.

I ndjeri e përmendi këtë ngjarje si një shembull praktik të tevekkulit tek Allahu dhe tha:

“Allahu i Madhërishëm kurrë nuk i lë të humbasin robërit e Tij.”

Ky është një mësim edhe për të gjithë vakifët e jetës dhe për misionarët.

Rreth dy vjet para vdekjes, i ndjeri iu nënshtrua një operacioni të ndërlikuar që zgjati tetë orë. Më pas u mbajt në repartin e terapisë intensive.

Kur erdhi në vete dhe gjendja iu stabilizua disi, pavarësisht dhimbjeve të forta, rifilloi punën për përkthimin e një libri të Hazret Mesihut të Premtuar a.s.

Kur iu këshillua të pushonte, tha:

“Jo, nuk mund të pushoj, sepse më duket se Allahu i Madhërishëm ma ka dhënë këtë pak kohë shtesë që të mund ta përfundoj punën që më është ngarkuar nga Kalifi i Mesihut.”

Shkruhet gjithashtu se atë mbrëmje, pavarësisht dobësisë së madhe, kur nipi i tij po falte namazin e Tehexhudit pranë tij gjatë natës, ai i tha:

“Recito me zë të lartë.”

Kështu, i shtrirë në shtrat, vazhdoi ta dëgjonte recitimin. Dëgjoi edhe suren El-Fatiha, tha “Amin” dhe vazhdoi të merrte pjesë në lutje.

Deri në ditët e fundit të jetës, sipas gjendjes së tij shëndetësore, mbeti i angazhuar në punët e fesë.

Në lidhje me devotshmërinë e tij përmendet edhe një ngjarje interesante me një të krishterë.

Kompania e njërit prej djemve të të ndjerit kishte marrë me qira një kat të një godine që administrohej nga Kisha Katolike Romake.

Për shkak të një mosmarrëveshjeje me qiramarrësit, një ndihmësipeshkop i kishës u ngarkua që, me ndihmën e policisë, ta lironte godinën.

Megjithatë, sipas rrëfimit, tri net radhazi ai pa ëndrra në të cilat paralajmërohej:

“Ndal! Mos i prek këta njerëz dhe lëre këtë njeri të qetë.”

I ndikuar nga këto ëndrra, peshkopi e ndaloi procedurën dhe udhëtoi vetë nga Songea në Dar es Salaam për të mësuar se kush ishte ky Sheik Kambolaja për të cilin ishte paralajmëruar.

Kur djali i të ndjerit i tregoi se Sheik Kambolaja ishte babai i tij dhe misionar i Xhematit Musliman Ahmedia, peshkopi shprehu habi dhe respekt dhe tha:

“Tani e kuptoj pse në ëndërr më ndaluan të ndërmerrja veprime kundër kësaj kompanie.”

Ai shprehu bindjen e tij se Sheik Kambolaja ishte njeri shumë i devotshëm dhe i afërt me Allahun. Më pas shkoi vetë për ta takuar dhe i shprehu respektin e tij.

I ndjeri nuk la pas pasuri materiale, por një trashëgimi të madhe shpirtërore: besim, takva, dashuri për Kalifatin, dhembshuri për krijesat e Zotit dhe shërbim ndaj fesë.

Me fjalët dhe veprat e tij mësoi se shërbimi i fesë nuk është një përgjegjësi e përkohshme, por një amanet që duhet përmbushur me besnikëri, durim dhe sinqeritet.

Allahu i Madhërishëm ia lartësoftë gradat dhe vazhdoftë t’i dhurojë Xhematit shërbyes të tillë të palodhur dhe besnikë.

Lutjet e Mesihut të Premtuar sjellin edhe përgjegjësi: këshillat në nikahun e Amatush-Shafi Sahibës

Përmendja e dytë është e së nderuarës Amatush-Shafi Sahiba, bashkëshortja e Kapiten Mahmud Ahmad Khan Sahib.

Ajo ishte mbesa nga djali e Hazret Mirza Sharif Ahmad Sahib r.a. dhe mbesa nga vajza e Hazret Nawab Amatul-Hafiz Begum Sahibës r.a. Ishte bija e Sahibzada Kolonel Daud Ahmad Sahib dhe zonjës Zakia Begum Sahiba.

Ajo ndërroi jetë në moshën 82-vjeçare.

إِنَّا لِلّٰهِ وَإِنَّا إِلَيْهِ رَاجِعُونَ

Me bekimin e Allahut të Madhërishëm, ishte musije.

Në Karaçi pati mundësinë të shërbente në Laxhna Imaillah si presidente lokale, si dhe në detyra të tjera si anëtare e amilës.

Kur Hazret Kalifi i Tretë r.h. kreu nikahun e saj, mbajti një hytbe. Po e përmend atë hytbe, sepse përmban shumë këshilla të rëndësishme për të gjithë ne.

Ai tha:

“E dashura Amatush-Shafi ka një lidhje të dyfishtë me Hazret Mesihun e Premtuar a.s., si nga ana e nënës, ashtu edhe nga ana e babait.

Po kështu, edhe i dashuri Mahmud Ahmad ka një lidhje të dyfishtë me Hazret Mesihun e Premtuar a.s., nga të dyja anët e familjes.

E dashura Amatush-Shafi është mbesa e hallës sonë të nderuar më të vogël dhe mbesa nga djali e xhaxhait tonë të nderuar, Hazret Mirza Sharif Ahmad Sahib r.a.

Po kështu, i dashuri Mahmud Ahmad është nipi i Hazret Nawab Mubaraka Begum Sahibës, hallës sonë më të madhe, dhe nipi nga vajza i Hazret Mirza Bashir Ahmad Sahib r.a.”

Më pas tha:

“Në këtë rast dua t’ua tërheq vëmendjen të afërmve të mi, qofshin ata që kanë lidhje fizike me Hazret Mesihun e Premtuar a.s., pra që janë pjesë e familjes së tij, apo ata që kanë lidhje shpirtërore me të.

Është një mirësi e Allahut dhe një arsye për falënderim që Ai krijoi rrethanat që ne të lidhemi me Hazret Mesihun e Premtuar a.s.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. bëri shumë lutje për pasardhësit e tij, të cilat gjenden në dy poemat e tij ‘Amin’, si dhe në vende të tjera.

Kur reflektojmë mbi këto lutje, kuptojmë se çdo lutje që Hazret Mesihu i Premtuar a.s. bëri vendos gjithashtu një përgjegjësi mbi ne.”

Pastaj tha se do të jepte disa shembuj.

Në një prej vargjeve të lutjes së tij, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“U flijofshin për të vërtetën,u bëfshin miq të Zotit.”

Pastaj thotë:

“Mos e pafshin atë kohë të vetmisë e të pambrojtjes,atë gjendje fatkeqësie dhe pafuqie.”

Hazret Kalifi i Tretë r.h. tha se, duke bërë këtë lutje, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. na tërhoqi vëmendjen se kemi përgjegjësinë ta kalojmë jetën sipas këtij ajeti:

بَلَىٰ مَنْ أَسْلَمَ وَجْهَهُ لِلّٰهِ وَهُوَ مُحْسِنٌ فَلَهُ أَجْرُهُ عِنْدَ رَبِّهِ وَلَا خَوْفٌ عَلَيْهِمْ وَلَا هُمْ يَحْزَنُونَ

“Jo! E vërteta është se kushdo që ia dorëzon veten Allahut dhe është mirëbërës, do ta ketë shpërblimin e tij te Zoti i tij. Njerëzit e tillë nuk do të kenë as frikë e as nuk do të pikëllohen.” (Kurani i Shenjtë 2:113)

Nëse nuk dëshironi të shihni kohë vetmie dhe pafuqie dhe dëshironi të ruheni nga fatkeqësitë dhe vështirësitë, atëherë hyni në grupin e atyre që “ia dorëzojnë veten Allahut”.

Sillni mbi veten një lloj vdekjeje, sakrifikoni çdo gjë për Allahun e Madhërishëm, kërkoni prej Tij një jetë të re dhe fitoni një jetë të re.

Nëse sakrifikoni gjithçka për Allahun dhe sillni mbi veten një vdekje të tillë, nuk do ta shihni kohën e vetmisë dhe pafuqisë.

Kjo lutje do të pranohet vetëm kur edhe ju të veproni.

Më pas, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Mbaji larg Shejtanit,mbaji gjithmonë pranë Teje.”

Edhe në këtë lutje na është tërhequr vëmendja se Shejtani nuk mbizotëron mbi ata që bëjnë përpjekje në rrugën e Allahut dhe e përmbushin siç duhet detyrën e kësaj përpjekjeje.

Nëse veproni kështu, kjo lutje e Hazret Mesihut të Premtuar a.s. do të pranohet në favorin tuaj.

Pra, për pranimin e lutjes duhet të dëshmoni edhe me veprat tuaja se veproni sipas saj.

Pastaj ai thotë:

“U bëfshin njerëz me dinjitet,u bëfshin krenaria e vendit.”

Me këtë ai na tërhoqi vëmendjen te thënia e Allahut:

مَنْ كَانَ يُرِيدُ الْعِزَّةَ فَلِلّٰهِ الْعِزَّةُ جَمِيعًا

“Ai që kërkon nderin, i gjithë nderi është i Allahut.” (Kurani i Shenjtë 35:11)

Pra, burimi i gjithë nderit është Allahu. Nëse kërkoni nder, duhet të drejtoheni tek Ai.

Çfarë vlere ka nderi i atij njeriu që gëzon respekt në sytë e dhjetë, njëzet, tridhjetë, dyzet apo pesëdhjetë njerëzve, por në sytë e Allahut për të është caktuar poshtërimi dhe zemërimi?

Prandaj, Allahu i Madhërishëm është burimi i gjithë nderit. Krijoni lidhje me Atë prej të Cilit fitohet nderi i vërtetë, që edhe ju ta fitoni atë.

Pastaj Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“U bëfshin miq të Zotit.”

Kurani i Shenjtë thotë:

وَاللّٰهُ وَلِيُّ الْمُتَّقِينَ

“Allahu është Miku i të druajturve ndaj Tij.” (Kurani i Shenjtë 45:20)

Ata që, për t’u ruajtur nga pakënaqësia e Allahut të Madhërishëm, largohen nga ndalesat e Tij dhe nuk i afrohen as mëkatit dhe mosbindjes, hyjnë nën mbrojtjen e Allahut.

Prandaj, për t’u bërë mik i Zotit dhe për të hyrë nën mbrojtjen e Tij, është e nevojshme që të bëhemi të druajtur në sytë e Allahut.

Disa njerëz duken të pastër në sytë e disa njerëzve, por në të vërtetë nuk janë të tillë. I druajturi i vërtetë është ai që është i tillë në sytë e Allahut.

Çfarë mirësie mund të jetë më e madhe sesa që një njeri të konsiderohet i druajtur në sytë e Allahut?

Pastaj ai thotë:

“Mbajua shpirtin plot dritë,mbajua zemrën plot gëzim.”

Me këtë Hazret Mesihu i Premtuar a.s. na tërheq vëmendjen se duhet t’i largojmë errësirat nga brenda vetes dhe të krijojmë dritë; duhet të përpiqemi të fitojmë atë dritë që vjen nga Allahu i Madhërishëm.

Nëse dëshironi që zemra juaj të ndriçohet me dritën e Allahut, atëherë ecni në rrugën që Ai ka treguar.

Dhe për këtë është treguar mënyra: ai që ndjek Profetin e Shenjtë s.a.v.s. dhe ecën sipas shembullit të tij do të marrë dritë.

Ai do të vazhdojë të ecë në atë rrugë të drejtë që Islami ka vendosur para nesh dhe, në fund, do të arrijë ta fitojë atë dritë.

Hazret Kalifi i Tretë r.h. tha:

“Këto janë vetëm disa shembuj nga lutjet e Hazret Mesihut të Premtuar a.s. Nëse reflektoni mbi cilëndo lutje që ai ka bërë, përballë saj do të gjeni edhe një përgjegjësi, e cila mbështetet nga ajetet e Kuranit të Shenjtë dhe të cilën ne duhet ta përmbushim.

Prandaj, vetëm fakti që i përkasim Hazret Mesihut të Premtuar a.s., ose mendimi se ai ka bërë lutje për ne, nuk mjafton.

Nëse nuk u kushtojmë vëmendje përgjegjësive që këto lutje vendosin mbi ne, atëherë këto lutje nuk do të na sjellin dobi.

Ato mund të na sjellin dobi vetëm kur të përmbushim edhe përgjegjësitë që ato sjellin mbi ne.”

Pastaj Hazret Kalifi i Tretë r.h. tha:

“O ju që fizikisht i përkisni Hazret Mesihut të Premtuar a.s., dhe o ju që shpirtërisht i përkisni atij, mendoni thellë mbi këto gjëra.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. u dërgua që rreth tij të mblidheshin njerëz që veprojnë sipas Kuranit të Shenjtë dhe që ndriçohen me dritën e Kuranit.

Pastaj ai u lut që Allahu i Madhërishëm të na mundësojë të veprojmë sipas Kuranit të Shenjtë dhe zemrat tona të ndriçohen me dritën e tij, dhe që në sytë e Allahut të jemi pikërisht ashtu siç Allahu dëshiron të na shohë.”

Këto janë këshilla shumë të rëndësishme, si për fëmijët dhe familjarët e tyre, ashtu edhe për të gjithë anëtarët e Xhematit.

Duhet të reflektojmë mbi to dhe të veprojmë sipas tyre. Vetëm atëherë do ta përmbushim në të vërtetë edhe të drejtën e bejatit ndaj Hazret Mesihut të Premtuar a.s.

Ndër cilësitë personale të së nderuarës Amatush-Shafi Sahiba ishte se i ruante shumë marrëdhëniet familjare dhe ishte jashtëzakonisht shërbyese.

Ajo i shërbeu shumë vjehrrës së saj. Kur vjehrra e saj ndërroi jetë, Hazret Kalifi i Katërt r.h. i shkroi bashkëshortit të saj:

“Njerëzit fitojnë Xhenetin duke u shërbyer nënave të tyre, por Shafi e fitoi Xhenetin duke i shërbyer nënës së dikujt tjetër.”

Pra, ishte shumë shërbyese.

Ndihmonte të varfrit, i ruante marrëdhëniet me të afërmit dhe e bënte këtë krejtësisht pa interes personal.

Edhe kur u shërbente ose i ndihmonte njerëzit, e bënte pa kërkuar asgjë në këmbim.

Ajo mori përsipër arsimimin e disa fëmijëve të punonjësve të saj dhe u mundësoi të merrnin arsim të lartë. Sot ata janë në gjendje të mirë ekonomike dhe kanë edhe prona të tyre.

Një nga nipërit e saj është i dedikuar (vakif-e-zindagi) dhe misionar i Xhematit.

Allahu i Madhërishëm e mundësoftë edhe atë ta përmbushë detyrimin e dedikimit të tij dhe të ndjerën e faltë dhe e mëshiroftë!

Abdul-Rafiq Xhadran: trembëdhjetë vjet shërbim në Ganë me besnikëri dhe përkushtim

Përmendja tjetër është e të nderuarit Abdul-Rafiq Xhadran Sahibi nga Amerika, i cili ndërroi jetë ditët e fundit në moshën 76-vjeçare.

إِنَّا لِلّٰهِ وَإِنَّا إِلَيْهِ رَاجِعُونَ

Me bekimin e Allahut të Madhërishëm, ishte musij.

La pas një djalë, katër vajza dhe tetë nipër e mbesa.

Ai ishte nipi i dy sahabëve të Hazret Mesihut të Premtuar a.s.: Hazret Molvi Rahim Bakhsh Sahib r.a. nga Talvandi Xhumran dhe Hazret Barkat Bibi Sahiba r.a. Nga ana e nënës ishte nipi i të nderuarit Doktor Abdul-Karim Khalxhi Sahibi.

Ishte djali i Doktor Muhammed Abdul-Kadir Xhadran Sahib, i cili në gusht të vitit 1999 u martirizua në Navabshah, kur ishte ulur në klinikën e tij dhe u qëllua me armë zjarri.

Po kështu, një muaj më vonë, në shtator, u martirizua edhe xhaxhai i tij i madh, në një kohë kur po vizitonte pacientët.

Kur Hazret Kalifi i Tretë r.h. nisi skemën Nusrat Xhehan, babai i Abdul-Rafik Sahib ia paraqiti emrin e tij Hazret Kalifit të Tretë pa i treguar atij më parë.

Më pas, nga zyra i erdhi thirrja.

Ai e pranoi me shumë gëzim dhe tha se, meqenëse babai i tij e kishte paraqitur emrin, do ta pranonte këtë shërbim.

Dhe pastaj e përmbushi vakfin e tij.

Ishte një dedikim i përkohshëm. Me bekimin e Allahut të Madhërishëm, nga janari i vitit 1974 deri në korrik të vitit 1987 pati mundësinë të shërbente në Ganë nën skemën Nusrat Xhehan.

Kur edhe unë isha në Ganë, kalova me të rreth tetë-nëntë vjet dhe e kam parë vetë.

Punonte me shumë besnikëri, shumë mund dhe sinqeritet.

I ruante marrëdhëniet dhe i përmbushte gjithmonë detyrimet ndaj të tjerëve. Ishte mik edhe i miqve të tij dhe ishte gjithmonë në shërbim të Xhematit.

Allahu i Madhërishëm e faltë, ia lartësoftë gradat dhe ua mundësoftë edhe fëmijëve të tij t’i vazhdojnë veprat e mira të tij.

Salima Tabassum Sahiba: një jetë me lidhje të fortë me Allahun dhe shërbim ndaj Xhematit

Përmendja tjetër është e së nderuarës Salima Tabassum Sahiba, bashkëshortja e të ndjerit Mirza Abdul-Hamid Sahib nga Mirpur Khas, Sindh.

Këto ditë ajo ndodhej në Sierra Leone, te djali ose dhëndri i saj.

Ajo ndërroi jetë ditët e fundit në moshën 73-vjeçare.

إِنَّا لِلّٰهِ وَإِنَّا إِلَيْهِ رَاجِعُونَ

Me bekimin e Allahut të Madhërishëm, ishte musije.

La pas dy vajza, dy djem dhe shumë nipër e mbesa.

Djali i saj, Mirza Ataur-Rauf Sahibi, po shërben aktualisht në Spanjë si misionar i Xhematit.

Për shkak se ndodhet në fushën e shërbimit, nuk mundi të merrte pjesë në namazin e xhenazes dhe në varrimin e nënës së tij.

Po kështu, edhe fëmijët e tjerë, për shkak se nuk ndodheshin në Sierra Leone, nuk mundën të merrnin pjesë në xhenaze.

Ajo ishte vjehrra e Zishan Mahmud Sahib, misionar i Xhematit në Sierra Leone, dhe po qëndronte pikërisht pranë tij.

Gjithashtu ishte kushërira e të ndjerit Haider Ali Zafar Sahib.

Ajo kishte një lidhje të veçantë me Allahun e Madhërishëm dhe, në shumë raste, Allahu i bënte të ditura disa gjëra.

Edhe në shërbimin e Xhematit ishte gjithmonë ndër të parat.

Allahu i Madhërishëm e faltë dhe e mëshiroftë, ia lartësoftë gradat dhe ua mundësoftë fëmijëve të saj të vazhdojnë veprat e mira të saj.

Keni pyetje?
Shpërndaje
Share via