Lufta e Tebukut | Këshilla të çmuara të Profetit Muhamed a.s.
(Hutbja e së xhumasë e Hazret Mirza Masrur Ahmedit, Kalif i Pestë i Xhematit Musliman Ahmedia, e mbajtur më 14.11.2025)
Në vazhdë të përmendjes së betejave të Profetit Muhammed s.a.v.s. dhe të aspekteve të ndryshme të jetës së tij në këto beteja, në hutbet e kaluara ju kam treguar për Luftën e Tebukut. Sot do t’ju sjell detaje të tjera të kësaj beteje.
Sakrifica e grave musilmane në betejën e Tebukut
Është e shkruar se në atë rast një zonjë tregoi sinqeritet dhe patos të madh. Pra, gratë gjithashtu nuk u kursyen nga asnjë lloj sakrifice në kohë lufte. Ato bënë në mënyrë të jashtëzakonshme edhe sakrificën financiare, duke hequr madje edhe bizhuteritë e tyre për t’ua sjellë ato Profetit s.a.v.s.. Po ashtu një ngjarje e sakrificës së ndjenjave është ruajtur në histori. Duke e përmendur këtë, Hazret Musleh Meudi r.a. thotë:
“Ushtria muslimane po shkonte drejt Sirisë, dhe muslimanët e kishin parasysh pamjen e betejës Meuta, prandaj, secilin prej tyre e kishte pushtuar mendimi sesi do të mbrohej jeta e Profetit s.a.v.s.. Këtë rrezik e ndienin edhe gratë, të cilat i inkurajonin bashkëshortët dhe bijtë e tyre që të merrnin pjesë në luftë. Zellin e tyre mund ta përfytyrojmë nga një ngjarje e një sahabi r.a..
Ndërsa Profeti s.a.v.s. sapo ishte nisur nga Medina me ushtrinë muslimane, sahabi në fjalë, pas një udhëtimi, ishte kthyer në Medinë. Duke qenë larg familjes për një kohë, ai po kthehej në shtëpinë e tij nga gëzimi se do ta shikonte të shoqen e dashur. Bashkëshortja e tij ishte në oborr kur ai hyri në shtëpi. Ai iu afrua për ta përqafuar me mall, por ajo e largoi dhe e shtyu me duart e saj. Sahabi e pa i befasuar dhe e pyeti se përse po sillej kështu, edhe pse po takoheshin pas kaq kohësh. E shoqja tha:
“A nuk të vjen turp që i Dërguari i Allahut po shkon në një vend të rrezikshëm, ndërsa ti guxon të bësh dashuri me gruan tënde! Ik dhe bëje detyrën tënde, të tjerat do të vijnë më vonë”.
Ai menjëherë doli nga shtëpia, ia shtrëngoi shalën kafshës për të rendur galop drejt Profetit s.a.v.s., të cilin e kapi pas një udhëtimi tri ditësh.”[1]
Hazret Musleh Meudi r.a. e ka përmendur këtë ngjarje edhe në një vend tjetër. Ajo që ju kam cituar më sipër, ishte nga libri “Dibaçe Tefsir’ul-Kur’an”, dhe kjo e dyta që do tju sjell, e ka thënë në një fjalim të mbajtur, në ixhtima të Khuddam’ul-Ahmediasë. Ai thotë:
Një herë, Profeti s.a.v.s. dërgoi një sahab për një punë. Më pas, u zhvilluan rrethanat e Betejës së Tebukut. Tebuku ishte në një zonë tepër të rrezikshme. Perandoria romake në atë kohë ishte po aq e fuqishme sa sot Amerika ose Rusia. Profeti s.a.v.s. duhej të shkonte me një ushtri të vogël përballë një supefuqie kaq të madhe. Në Medinë kishte shumë pak muslimanë, dhe edhe sikur të mblidheshin nga rrethinat, prapëseprapë, ushtria muslimane nuk mund të krahasohej me Perandorinë Romake. Prandaj Profeti s.a.v.s. urdhëroi që të gjithë të niseshin për në luftë.
Kur ushtria ishte nisur, ai sahab të cilin Profeti s.a.v.s. e kishte dërguar për një detyrë, u kthye në Mednië. Ishte i ri në moshë. I sapomartuar. Pas një kohe të gjatë kur u kthye në shtëpi, e pa gruan ulur në oborr. Menjëherë tentoi t’i afrohej gruas me dashuri të madhe, për ta përqafuar atë. Por, në vend që ta priste me dashuri burrin, gruaja ia rrahu gjoksin me duar, e shtyu dhe i tha:
“I Dërguari i Allahut është nisur për në fushëbetejë, ndërsa ty të teket dashuria për gruan? Për Zotin, nuk ta shoh fytyrën derisa Profeti Muhamed s.a.v.s. të kthehet i sigurt!”
Sahabi në fjalë u nis menjëherë dhe e gjeti ushtrinë muslimane pas tri ditësh udhëtimi. U kthye vetëm kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. së bashku me sahabët e tjerë, u kthye në Medinë.
Shkurt, këta ishin njerëz të cilët në çdo kohë të vështirë, nuk kursyen aspak as për të dhënë jetën. Çdo lëndim dhe çdo brengë që u ka ardhur, nuk e quajtën si të tillë, përkundrazi, bënë çdo sakrificë me dashuri të madhe.
Ndalesat gjatë udhëtimit drejt Tebukut
Ka disa detaje të mëtejshme për këtë betejë. Profeti s.a.v.s., bëri pesëmbëdhjetë ndalesa, sipas disa rrëfimeve të tjera, nëntëmbëdhjetë bëri ndalesa gjatë rrugës, e më pas arriti në Tebuk së bashku me sahabët. Nuk gjendet një përshkrim i detajuar për vendet e çdo ndalese, por më vonë në ato vende u ndërtuan xhami, të cilave u është dhënë emri sipas vendndodhjes. Kështu dijetarët kanë përfunduar se në ato pika Profeti s.a.v.s. ka qëndruar.
Emrat e këtyre vendeve që përmenden në libra variojnë nga pesëmbëdhjetë deri në njëzet e dy. Në Sire Ibn Is’hak dhe në Ibn Hisham përmenden shtatëmbëdhjetë vende ku janë ndërtuar xhami, që janë:
Dhu Khushub, Fifa, Dhu’l-Marveh, Ruk’a, Vadi’l-Kura, Se‘id, Hixher, Sadr Huzaj, Dhu’l-xhejfe, Shik Tara, al-Betra’, Ala’, Dhatu’l-Hetmi, Akhdar, Dhatu’z-Zurab, Thenijjet Medran dhe Tebuk.
Vonesa e Sabahut gjatë Udhëtimit
Sipas një rrëfimi, Hazret Akabah bin Amir r.a. tregon – Gjatë Betejës së Tebukut udhëtuam me Profetin s.a.v.s.. Një natë ai ra në gjumë. Udhëtimi ishte i gjatë dhe kishte lodhje të tepërt. Ai u zgjua vetëm kur dielli ishte ngritur në lartësinë e një shtize.
Pejgamberi s.a.v.s. tha: “O Bilal! A nuk të pata thënë të qëndroje zgjuar dhe të na zgjoje për sabahun?” Bilali tha: “O i Dërguari i Allahut! Ashtu siç të zuri ty gjumi, më zuri edhe mua.”
Narratori thotë se Profeti s.a.v.s. urdhëroi që ushtria të nisej për më tutje dhe pasi ecën pak, ai zbriti nga kafsha, fali sunetet dhe pastaj drejtoi namazin e sabahut për sahabët. Pastaj Profeti s.a.v.s. vazhdoi udhëtimin gjithë ditën dhe gjithë natën, derisa në mëngjes të ditës tjetër arritën në Tebuk. Këtu nuk është e shënuar hollësisht, por padyshim, gjatë këtij udhëtimi janë falur edhe namazet e tjera në kohët e tyre.
Fjalimi i Profetit s.a.v.s. në Tebuk me plot mësime
Kur arriti në Tebuk, Pejgamberi s.a.v.s. iu drejtua sahabëve dhe mbajti një fjalim. Fillimisht lavdëroi Allahun dhe pastaj tha:
“O njerëz! Fjala më e vërtetë është Libri i Allahut. Lidhja më e fortë është druajtja ndaj Allahut. Feja më e mirë është feja e Ibrahimit. Praktika më e mirë është praktika e Muhamedit (s.a.v.s.). Fjala më e lartë është përmendja e Allahut. Rrëfimi më i mirë është Kurani.
Çështjet më të mira janë ato që kryhen me vendosmëri. Çështjet më të këqija janë bidatet (risitë në fe). Udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Profetëve. Vdekja më e lavdëruar është vdekja e dëshmorit. Errësira më e madhe është devijimi pas udhëzimit.
Veprat më të mira janë ato që sjellin dobi. Udhëzimi më i dobishëm është ai që mund të ndiqet. Verbëria më e keqe është verbëria e zemrës.”
Pra, jo verbëria nga sytë, por verbëria shpirtërore, që ndodh atëherë kur nuk i kupton fjalët e Zotit. Më tej, Profeti tha:
“Dora e sipërme është më e mirë se dora e poshtme. Një gjë e paktë por e mjaftueshme është më e mirë se ajo që është e shumtë dhe të shpërqendron. Kërkimfalja më e keqe është ajo që bën në çastin e vdekjes. Turpërimi më i keq është që do të bëhet Ditën e Gjykimit.
Disa njerëz vijnë vonë për xhuma, dhe disa të tjerë e lënë përmendjen e Allahut herë pas here. Ndër mëkatet më të mëdha është gënjeshtra. Pasuria më e mirë është pasuria shpirtërore.”
Pra, Profeti s.a.v.s. nuk e pëlqeu atë që e lë faljen herë pas here, ose atë që vjen me vonesë në falje. Kështu, Profeti s.a.v.s. tha:
“Ndër mëkatet më të mëdha është gënjeshtra. Pasuria më e mirë është pasuria shpirtërore. Ushqimi më i mirë për rrugë është druajtja ndaj Zotit (takva). Pjekuria mendore është frika ndaj Allahut. Fjala më e mirë është ajo që ta bind zemrën. Dyshimi është pjesë e kufrit (e mohimit). Vajtimi është vepër e injorancës. Pandershmëria është zjarr i xhehenemit. Poezia e ligë është nga Iblisi. Alkooli është burimi i mëkateve. Gratë janë kurthi i djallit. Rinia është një pjesë e marrëzisë. Fitimi më i keq është kamata. Ushqimi më i keq është t’i marrësh pasurinë jetimit.
Fatmir është ai që merr mësim nga të tjerët. I mjerë është ai që është i mjerë që nga barku i nënës. Çdo njeri prej jush do të shkojë drejt një vendi sa katër krahë (varri). Çështjet varen nga ahireti. Fryti i një pune varet nga përfundimi. Rrëfimtari më i keq është ai që rrëfen rrejshëm. E ardhmja është afër. Sharjet ndaj besimtarit është mëkat. Lufta kundër besimtarit është kufër (mohim). Përgojimi i besimtarit është mosbindje ndaj Allahut. Nderi i pasurisë së tij është si nderi i gjakut të tij.
Kush betohet duke kundërshtuar Allahun, e ka mohuar Atë. Kush i kërkon falje Allahut, Allahu e fal atë. Kush e fal vëllain e tij, Allahu e fal atë. Kush e përmban zemërimin, Allahu e shpërblen atë. Kush duron në fatkeqësi, Allahu e shpërblen. Kush kërkon famë, Allahu ia jep famën. Kush duron në sprovë, Allahu ia dyfishon shpërblimin. Kush nuk i bindet Allahut, Allahu e ndëshkon.
Pastaj Pejgamberi s.a.v.s. tha:
“O Allah! Më fal mua dhe ummetin tim! O Allah! Më fal mua dhe ummetin tim! O Allah! Më fal mua dhe ummetin tim!”
Pra, Profeti s.a.v.s. e tha tri herë.
Më pas u tha sahabëve – Unë i kërkoj falje Allahut për vete dhe për ju.
Këshilla individuale dhe kolektive për sahabët
Gjatë udhëtimit të Tebukut, Profeti s.a.v.s. u dha sahabëve këshilla të rëndësishme, individualisht dhe kolektivisht. Disa prej tyre, do t’ju përmend këtu:
Hazret Ebu Seid Hudri r.a. rrëfen se Profeti s.a.v.s. tek po mbështetej te kafsha e tij, iu drejtua njerëzve duke thënë:
“A t’ju tregoj për njerëzit më të mirë dhe më të këqij? Njeriu më i mirë është ai që niset mbi kalin ose devenë e tij, ose edhe në këmbë për të punuar në rrugën e Allahut, derisa e gjen vdekja. Njeriu më i keq është ai që e lexon Librin e Allahut, por nuk i kushton vëmendje asnjë pjese të tij për shkak të injorancës së vet.”
Shikoni sa shumë njerëz në kohën e sotme pretendojnë të lexojnë Kuranin e Shenjtë, por nuk veprojnë sipas tij.
Dy kategori njerëzish të lavdëruar
Hazret Ibn Abbas r.a. transmeton se Pejgamberi s.a.v.s. u tha sahabëve në Tebuk:
“Njeriu i pashembullt në vlera është ai që, duke qenë mbi kalin e tij në rrugën e Allahut, bën xhihad dhe qëndron larg së keqes së njerëzve. Ndërsa i dytë i rangut më të lartë është ai që, është bujar, nderon mikun dhe atij i jep të drejtën që takon.”
Letra drejtuar Herakliut
Në këtë rast përmendet edhe letra që iu dërgua Herakliut. Kur Profeti s.a.v.s. arriti në Tebuk, Herakliu ndodhej në Hims. Pejgamberi s.a.v.s. tha:
“Ai që ia çon letrën time Perandorit, do të ketë xhenet.”
Një burrë tha: “Po sikur ai të mos e pranojë letrën?” “Edhe nëse nuk e pranon”, iu përgjigj Profeti s.a.v.s..
Ai burrë e mori letrën, shkoi dhe ia dorëzoi Herakliut. Herakliu e lexoi dhe tha: “Kthehu dhe thuaji Profetit tënd se unë e pranoj atë, por nuk mund të heq dorë nga mbretëria ime.” Ai gjithashtu dërgoi edhe disa dinarë si dhuratë. Burri në fjalë u kthye dhe ia tregoi Profetit. Profeti s.a.v.s. tha: “Ai gënjeu.” Dhe dinarët i shpërndau ndër sahabët.
Hazret Dihja r.a. ishte ai që ia dorëzoi këtë letër Herakliut. Sipas disa dijetarëve, Pejgamberi s.a.v.s. i ka dërguar Herakliut dy letra në periudha të ndryshme, një në vitin e gjashtë hixhri, dhe tjetrën në Tebuk.
Dy letra të ndryshme të Profetit drejt Herakliut dhe historiku i tyre
Këtë letër për Herakliun e çoi Hazret Dihja. Kjo ishte përveç asaj letre që Profeti s.a.v.s. ia kishte dërguar nëpërmjet Hazret Dihjas në fund të vitit të gjashtë hixhri, e cila i kishte arritur atij në muajin muharrem të vitit të shtatë hixhri.
Imam Ibn Haxheri, duke iu referuar librave të Magazit dhe transmetimeve të Sires, ka shprehur mendimin se kur Profeti s.a.v.s. ishte në Tebuk, ai u kishte dërguar përsëri letra perandorit dhe të tjerëve. Ky mendim konfirmohet edhe nga ato letra që u botuan në formë libri në vitin 1941. Kjo përmbledhje libri quhet “Mexhmu’atu’l-Vethaiki’s-Sijasijje lil‘ahdi’n-Nebevij ue’l-Khilafeti’r-Rashideh”, autor i së cilës është Dr. Hamidullah. Në të janë përmendur dokumente historike e politike që nga periudha e Profetit Muhammed s.a.v.s. deri në kohën e Kalifëve të Drejtë. Ky libër u botua për herë të parë në Egjipt në vitin 1941.
Sipas këtij libri, dy letra i ishin dërguar Perandorit të Romës. Në letrën e parë shkruhej që ai të mos bëhej pengesë për pranimin e Islamit nga populli i tij; përndryshe, barra e mëkateve të popullit do të binte mbi të. Kjo letër iu dërgua Herakliut në fund të vitit të gjashtë hixhri me anë të Dihja Kelbit. Ndërsa në letrën e dytë thuhej që ai të pranonte Islamin, e në rast mohimi do të duhej të paguante xhizje. Këtë letër gjithashtu Pejgamberi s.a.v.s. ia dërgoi Herakliut nëpërmjet Hazret Dihjas në kohën e Betejës së Tebukut.
Paqja për banorët e Ejlës
Kur Profeti s.a.v.s. arriti në Tebuk, sundimtarët e krishterë të rrethinave u frikësuan dhe, ndryshe nga e kaluara kur bënin plane kundër muslimanëve, tani kërkuan paqe. I pari që erdhi ishte sundimtari i Ejlës.
Ejla ishte një qytet pranë Detit të Kuq, në skajin verior të Hixhazit dhe në hyrje të Shamit. Sundimtari i saj, Johna bin Ruba, erdhi bashkë me përfaqësues të Shamit, të Jemenit, të zonave bregdetare dhe të Xherbasë dhe të AzRuhit. Të gjithë kërkuan marrëveshje paqeje.
Profeti s.a.v.s. u dha atyre garanci paqeje me shkrim, ku shkruhej:
“Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit. Kjo është garancia e Allahut dhe e Muhammedit, të Dërguarit të Tij, për Johna bin Ruba dhe banorët e Ejlës, anijet e tyre detare dhe karvanët e tyre tokësorë. Ata janë nën mbrojtjen e Allahut dhe të Muhammedit. Edhe banorët e Shamit, të Jemenit dhe të Behrit gjithashtu janë të mbrojtur. Kush e kundërshton, pasuria e tij do të konfiskohet. Ai që ia konfiskon pasurinë rebelit, do të ketë të drejtë. Njerëzve nuk do t’u ndalohet uji i puseve apo i burimeve. Nuk do të pengohen në rrugët tokësore dhe detare.”
Këtë dokument e shkruan Hazret Xhuhjem bin Salt dhe Hazret Sharhbil bin Hasna r.a. me urdhër të Profetit s.a.v.s..
Johna i dha Profetit s.a.v.s. një mushkë të bardhë dhe një mantel si dhuratë. Kurse Profeti s.a.v.s. Johnanë e mbuloi me një mantel jemeni dhe urdhëroi që ai të strehohej me Hazret Bilalin r.a..
Paqja për banorët e Mekna (të cilët ishin hebrenj)
Pas banorëve të Ejlës, te Profeti s.a.v.s. erdhën edhe banorët e Meknahut, një vendbanim hebre, i cili ndodhej pranë Ejlës, në bregdet. Edhe ata i kërkuan paqe Profetit s.a.v.s.. Pejgamberi s.a.v.s. u dha një dokument si garanci ku shkruhej:
اِنَّهُمْ آمِنُونَ بِأَمَانِ اللهِ وَأَمَانِ مُحَمَّدٍ، وَعَلَيْهِمْ رُبْعُ غَزُولِهِمْ وَرُبْعُ ثِمَارِهِمْ۔
“Ata janë të sigurt nën mbrojtjen e Allahut dhe të Muhamedit. Ndaj tyre do të merret si xhizje një e katërta e leshit të tjerrur, e copave të endura dhe e frutave të tyre.”
Paqja për banorët e Xherbasë dhe Azrahut
Po kështu përmendet edhe garancia e paqes për banorët e Xherbasë dhe Azrahut, dy qytete të ndodhura në zonën e Belkas, në Shamin verior, shumë pranë njëri-tjetrit. Disa rrëfime thonë se ishin tri milje larg, disa thonë më pak se një milje. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. edhe atyre u dha dokumentin që u garantonte paqe, duke thënë:
هٰذَا كِتَابٌ مِنْ مُحَمَّدٍ النَّبِيِّ لِأَهْلِ جَرْبَاءَ وَأَذْرَحَ، إِنَّهُمْ آمِنُونَ بِأَمَانِ اللهِ وَأَمَانِ مُحَمَّدٍ، وَعَلَيْهِمْ مِائَةُ دِينَارٍ فِي كُلِّ رَجَبٍ وَفِئَةٌ طَيِّبَةٌ، وَاللهُ كَفِيلٌ عَلَيْهِمْ۔
“Kjo është shkresë nga Muhammedi, Profeti i Allahut, për banorët e Xherbasë dhe Azrahut. Ata janë të sigurt nën mbrojtjen e Allahut dhe të Muhammedit. Detyrimi i tyre është të paguajnë çdo vit, në muajin rexheb, njëqind dinarë flori të pastër me cilësi të mirë. Allahu është Garant për ta.”
Ekspedita e Halid ibn Uelidit drejt Ukejdrit të Dumetul-Xhendelit
Duke iu referuar betejës së Tebukut, përmendet edhe dërgimi i një njësie ushtarake (ekspeditë), me në krye Hazret Halid bin Uelidin në drejtim të Akidr bin Abdil Melikut.
Profeti s.a.v.s., ndërkohë që ndodhej në Tebuk, në muajin Rexheb të vitit 9 hixhri, dërgoi Hazret Halid bin Uelidin r.a. me 420 kalorës drejt Akider bin Abdil Melikut, në Dumetul-Xhendel.
Dumetul-Xhendeli ishte një kështjellë dhe qytet mes Shamit dhe Medinës, rreth 15–16 ditë udhëtim nga Medina, dhe rreth 400 km nga Tebuku. Ukejdri ishte mbret i fisit Benu Kindeh dhe ishte i krishterë. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. i tha Hazret Halid bin Uelidit:
“Ti do ta shohësh atë natën duke ndjekur një lopë të egër. Kur ta shihni, kapeni atë.”
Pra, Allahu i Madhërishëm ia kishte paratreguar Profetit s.a.v.s. se në çfarë gjendjeje do të ishte ai dhe se atëherë do të mund ta kapni atë. Më tej tha:
“Allahu do ta çlirojë Dumetul-Xhendelin për ju. Nëse e zë rob, mos e vrit, por ma sill mua. Nëse ngre armët kundër teje, atëherë vrite.”
Hazret Halidi r.a. u nis dhe arriti pranë kështjellës aq shumë sa ajo dukej qartë. Ishte natë me hënë. Ukejdri ishte në çati së bashku me gruan e tij, Rebab bint Nef. Ndërkohë kaloi një lopë e egër dhe filloi të godiste me brirët portën e kështjellës. Gruaja i tha: “A ke parë ndonjëherë diçka të tillë, që një lopë e egër të vinte nga pylli te porta e kështjellës?” “Për Zotin, jo!” iu përgjigj ai. Ajo i tha: “Kush mund ta lërë këtë të ikë?” Ai tha: “Askush.” Dhe ai zbriti, mori kalorësit, që ishin disa familjarë të tij, dhe u nis pas lopës për ta gjuajtur. Njërej prej familjarëve ishte edhe i vëllai, Hasani.
Ndërsa e ndiqnin pa frikë, papritur doli prita e Hazret Halidit, i cili e kapi Ukejdrin. Hasani, rezistoi dhe u vra. Ai mbante një mantel prej stofi me fije ari, të cilin Halidi r.a. ia dërgoi Profetit s.a.v.s. si dhuratë, dhe pastaj mori Ukejdrin me vete për ta sjellë tek ai.
Pasi Halidi r.a. e zuri Ukejdrin dhe Hasani, që ishte i vëllai, u vra, Halidi i tha Ukejdrit:
“A do që unë të të jap siguri me kusht që ty të paraqes para Profetit s.a.v.s., dhe ti të na hapësh kështjellën e Dumetul-Xhendelit?”
“Po.” Iu përgjigj Ukejdri.
Kur arritën pranë kështjellës, Ukejdri thirri familjen e tij të hapnin portën. Por vëllai i tij tjetër, Madhat, refuzoi, sepse pa zinxhirët me të cilët ishte lidhur Ukejdri. Ukejdri i tha Halidit r.a.:
“Liromë nga prangat, sepse ata nuk po hapin portën ngaqë më shohin mua me zinxhirë. Për Zotin dhe për besën tënde, nëse më liron, unë ta liroj kështjellën.”
Halidi e liroi. Ukejdri hyri dhe hapi portën. U kap edhe Madhati. Atëherë u morën të gjitha gjërat për të cilat ishte bërë marrëveshja. Si rezultat, muslimanët morën 2000 deve, 800 skllevër, 400 parzmore, 400 shtiza. Pastaj u nda plaçka: 1/5 për të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. dhe pjesa tjetër për muxhahidët.
Paraqitja e Ukejdrit dhe vëllait të tij para Profetit Muhamed s.a.v.s.
Në histori përmendet që Ukejdri dhe i vëllai u paraqitën përpara të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Hazret Xhabiri r.a. thotë:
Kur Halidi erdhi me Ukejdrin, unë e pashë atë. Ai kishte veshur një mantel të mëndafshtë të qëndisur me ar dhe mbante një kryq prej ari. Kur hyri te Profeti s.a.v.s., ai ra me fytyrë përpara, si në sexhde. Profeti s.a.v.s. i tha dy herë: “Jo, jo! Mos bëj sexhde.
Ukejdri i dhuroi Pejgamberit s.a.v.s. disa sende, ndër to një stof zbukurimi dhe disa mushka (kafshë ndragitëse). Pejgamberi s.a.v.s. pranoi xhizjen prej tij dhe nënshkroi marrëveshjen. Sipas Ibn Esirit, xhizja e tyre ishte 300 dinarë. Profeti s.a.v.s. ua fali gjakun dhe i liroi. U shkrua edhe një garanci sipas kushteve të marrëveshjes.
Teksti i traktatit ishte:
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërsit. Kjo është shkresa e Muhamedit, të Dërguarit të Allahut, nëpërmjet Halidit, për Ukejdrin, i cili ka braktisur idhujt dhe ka pranuar Islamin.
Pra, ai e kishte pranuar edhe fenë Islame.
Për njerëzit e Dumetul-Xhendelit dhe rreth saj: toka e pashfrytëzuar dhe kullotat, armet, devetë dhe kështjellat u takojnë myslimanëve; ndërsa hurmat dhe tokat e brendshme, me gjithë burime uji, ju takojnë juve vetë. Keni liri t’i kullotni kafshët tuaja. Falni namazin në kohë. Jepni zekatin. Jini të sinqertë dhe besnikë. Allahu dhe çdo musliman është dëshmitar mbi këtë.
Vdekja e sahabiut Abdullah Dhul-Bixhadejin Muzni r.a. në Tebuk
Në Tebuk u shënua edhe vdekja e një sahabi të nderuar, e cila i preku kaq shumë sahabët e tjerë, saqë disa prej tyre dëshironin të ishin në vendin e tij.
Hazret Abdullah bin Mes’udi rrëfen:
Në Tebuk, një natë u zgjova dhe pashë një dritë zjarri larg. Shkova të shihja dhe pashë Profetin s.a.v.s., Hazret Ebu Bekrin r.a. dhe Hazret Omerin r.a. duke varrosur dikë. Ishte Abdullah Dhul-Bixhadejni Muzni r.a., i cili kishte ndërruar jetë. Ata vetë po hapnin varrin dhe Profeti s.a.v.s. ishte brenda varrit.
Ebu Bekri dhe Omeri r.a. ia dorëzuan trupin në duart e Profetit s.a.v.s., dhe ai tha:
“Afrojeni këtë vëlla më afër meje.”
Kur e vendosi në varr, Profeti s.a.v.s. u lut:
اللَّهُمَّ إِنِّي أَمْسَيْتُ رَاضِيًا عَنْهُ فَارْضَ عَنْهُ۔
“Allahu im! Unë jam i kënaqur me të. O Allah, edhe Ti ji i kënaqur me të.”
Hazret Ibn Mes’udi r.a. thotë:
“Atë moment dëshirova që në vend të tij të isha unë, vetëm që të merrja atë lutje.”
Hazret Abdullah Dhul-Bixhadejni kishte prejardhje nga fisi Benu Muzine. Ai ishte ende i vogël kur babai i tij ndërroi jetë. Nuk mori asgjë nga trashëgimia. Xhaxhai i tij ishte i pasur dhe ai e mori në kujdes, derisa edhe ai u pasurua. Filloi të merrej me tregti bashkë me të. Pas Çlirimit të Mekës, ai e pranoi Islamin. Kur e pranoi Islamin, xhaxhai i tij ia mori çdo gjë, madje edhe çarçafin e tij në trup; ia mori edhe rrobën që mbante në bel. Pastaj erdhi nëna e tij dhe e ndau çarçafin e vet në dy pjesë. Hazret Abdullah një pjesë e përdori për poshtë (izar), ndërsa pjesën tjetër e hodhi mbi supe. Pastaj erdhi në Medinë dhe u shtri në xhami. Pastaj fali sabahun me Profetin s.a.v.s.
Ai thotë se sa herë që Profeti s.a.v.s. përfundonte namazin e sabahut, i shikonte njerëzit me kujdes për të parë kush ishte aty, a kishte ndonjë person të ri. Kur Profeti s.a.v.s. e pa Hazret Abdullahun, e konsideroi të panjohur dhe e pyeti: “Kush je?” Hazret Abdullahu i tregoi prejardhjen e tij. Në një transmetim përmendet se ai tha: “Unë quhem Abdul-Uzza.” Profeti s.a.v.s. tha: “Ti je Abdullah Dhul-Bixhadejn, pra ai që ka dy çarçafe.” Pastaj Profeti s.a.v.s. tha: “Rri pranë meje.” Kështu ai u bë prej mysafirëve të Profetit s.a.v.s., dhe Profeti i mësonte atij Kuranin, derisa ai mësoi shumë pjesë të tij përmendsh.
Kur Profeti s.a.v.s. u nis drejt Tebukut, ai tha: “O i Dërguar i Allahut, lutuni për mua që të bie dëshmor.”
Pejgamberi s.a.v.s. u lut: “O Allah, unë e bëj gjakun e tij të ndaluar për jobesimtarët.” Ai tha: “O i Dërguar i Allahut, nuk jua kërkova këtë.”
Profeti s.a.v.s. tha: “Nëse ti nisesh në rrugën e Allahut dhe të zë ethe, prej të cilit të vdesësh, ti je dëshmor; edhe nëse kafsha jote të hedh dhe të thyhet qafa dhe vdes, je dëshmor. Mos u shqetëso se në ç’mënyrë të vjen mundësia për t’u bërë dëshmor.”
Pas disa ditësh pasi arritën në Tebuk, ai ndërroi jetë për shkak të sëmundjes.
Rëndësia e sures El-Ihlas (Kul huallahu ehad) dhe xhenazja e një sahabi
Po në këtë udhëtim, përmndet gjithashtu edhe xhenazja e Hazret Muavije bin Muavijes Muzni.
Hazret Enes bin Maliku r.a. rrëfen:
Profeti s.a.v.s. ishte në Tebuk kur iu shfaq Xhibrili a.s. dhe i tha:“O i Dërguar i Allahut! Muavije el-Muzni ka vdekur në Medinë. Allahu të ka njoftuar. Falja xhenazen.”
Më pas, në keshf (vizion), përpara syve të Pejgamberit s.a.v.s. u ngrit shtrati i xhenazes së Muavijes. Profeti s.a.v.s. e fali xhenazen, dhe engjëjt u rreshtuan në safë pas tij.
Pejgamberi s.a.v.s. e pyeti Xhibrilin për shkakun e këtij nderi të madh. Xhibrili tha:
“Ai kishte dashuri të veçantë për Suren Kul huallahu ehad. E lexonte në çdo gjendje, duke ecur, duke hipur, ulur dhe në këmbë.”
Këshillimi për të ecur më tej apo jo gjatë Tebukut
Përmendet gjithashtu që në Tebuk, Profeti s.a.v.s. u kërkoi mendimin sahabëve për të vazhduar më tej apo për t’u kthyer në Medinë.
Hazret Omeri r.a. tha: “O i Dërguar i Allahut! Nëse keni urdhër nga Allahu për të vazhduar, pa dyshim do të ecim përpara.” Profeti s.a.v.s. tha: “Po të kisha urdhër nga Allahu, nuk do t’ju kërkoja mendim.”
Omeri r.a. tha: “Ne jemi pranë romakëve. Ata kanë ushtri të shumta. Ne jemi pak dhe askush prej nesh nuk është përzier me ta. Vetë afrimi ynë i ka trembur. Le të kthehemi këtë vit, derisa të ndryshojë situata dhe Allahu të sjellë një vendim tjetër.”
Profeti s.a.v.s. qëndroi 20 ditë në Tebuk, sipas një transmetimi tjetër, më pak se 20 ditë. Sipas dijetarëve, dallimi vjen sepse në njërin transmetim llogariten edhe dita e arritjes dhe dita e nisjes, kurse në tjetrin jo.
Kohëzgjatja totale e udhëtimit të Tebukut
Që nga nisja prej Medine deri në kthim sërish në Medinë, u deshë kohë dy muaj ose pak më shumë. Sipas Ibni Sa’dit, Profeti s.a.v.s. u nis për betejën e Tebukut në rexheb të vitit 9 hixhri dhe u kthye në Medinë në ramazan të vitit 9 hixhri. Në mes ishte muaji shaban. Pra, gjithsej kaloi më shumë se dy muaj jashtë Medinës. Allahu e di më së miri.
Hazret Musleh Meudi r.a. gjithashtu e shpjegon:
“Kur arriti afër Sirisë, në vendin Tebuk, ai dërgoi njerëz në drejtime të ndryshme, për të hulumtuar se cila ishte e vërteta. Të gjithë lajmëtarët, pa përjashtim, kumtuan që asnjë ushtri siriane nuk ishte mbledhur.”
Hazret Omeri r.a. kishte thënë të njëjtën gjë që nuk ka ndonjë përgatitje për luftë dhe se kundërshtarët ishin të trembur.
“Profeti s.a.v.s. qëndroi disa ditë atje dhe bëri disa marrëveshje me fiset që jetonin përreth dhe më pas, pa bërë asnjë luftë, u kthye. I gjithë ky udhëtim u bë për dy apo dy muaj e gjysmë.”[2]
Për kthimin e Profetit s.a.v.s. nga Tebuku deri në Medinë, do t’ju tregoj herë tjetër, inshaAllah.
Thirrja për lutje për anëtarët e Xhematit Bangladeshin, Pakistanin, Palestinë dhe në vendet afrikane
Edhe më përpara ju kisha kërkuar për lutje për Xhematin në Bangladesh. Ata hoxhallarë që janë kundër Xhematit, po bëjnë shumë zhurmë dhe ndoshta nesër kanë një mbledhje të madhe. Lutuni që Allahu t’i mbrojë të gjithë ahmadianët nga e keqja e tyre.
Po kështu, lutuni edhe për ahmedianët në Pakistan që Allahu t’i mbrojë. Kur kundërshtarët ndalohen ose kufizohen në një formë qoftë ligjore, shpesh tërbimi i tyre përfundon duke i shqetësuar akoma më shumë ahmedianët. Prandaj duhet dua më shumë dhe më shumë kujdes.
Po kështu, lutuni për palestinezët. Edhe me marrëveshjet e armëpushimeve, masakrat ndaj tyre vazhdojnë. Allahu t’i mëshirojë ata.
Lutuni edhe për ahmedianët në vendet afrikane. Disa qeveri i keqtrajtojnë, dhe në disa vende terroristët kryejnë sulme ku ndonjëherë preken edhe ahmedianët. Lutuni që Allahu të vendosë paqe dhe siguri në gjithë botën.
Njoftimi i xhenazes në mungesë
Pas namazeve do ta fal një xhenaze në mungesë. Bëhet fjalë për Muhammed Husein, bir i Muhammed Ismailit të Rabvasë, i cili ndërroi jetë ditët e fundit në moshën tetëdhjetëvjeçare. Inna lillahi ve inna ilejhi raxhi’un.
Ai kishte bërë vasijat, dhe e kishte paguar pjesën e tij të pasurisë që në gjallje. La pas vetes gruan, tri vajza dhe katër djem. Njëri prej djemve, i nderuari Muhammed Imran, është misionar në Niger, dhe për këtë arsye, nuk arriti të merrte dot pjesë në xhenazen e babait të tij. Një tjetër djalë është vakf-i-zindegi (i dedikuari i përjetshëm), Muhammed Lukmani, që shërben si mualim.
Ahmediati hyri në familjen e tyre në vitin 1956 nëpërmjet babait të tij, Muhammed Ismailit. Dy vjet më pas, ata u shpërngulën në Rabva
I ndjeri ishte i rregullt në agjërime, në namaz, në lexim të Kuranit dhe ishte i devotshëm, i sinqertë dhe lutej shumë.
Mualimi i zonës, i nderuari Mohsin Tejib, shkruan se e kishte njohur për pesë vjet. Ai thotë:
“Ajo që më tërhoqi më shumë tek i ndjeri ishte që ishte shumë i përparuar në sakrificën financiare. Kur fillonte viti i ri i ndonjë fondi, përpiqej që çfarëdo thirrjeje për sakrificë të bëhej, të ishte ai i pari që jepte. Ndonjëherë, edhe para se të jepeshin njoftimet, ai sillte kontributet. Edhe në fund të vitit, kur kërkohej shtesë, jepte sërish sipas mundësisë.”
Allahu i Madhërishëm e faltë dhe e mëshiroftë! U dhëntë familjarëve sabër dhe forcë, sidomos djalit që ndodhet larg. Allahu u dhëntë durim dhe forcë, dhe u mundësoftë t’i vazhdojnë veprat e tij të mira!