Xhemati Musliman Ahmedia
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Ashtu siç është përmendur shkurtimisht në hutben e kaluar për betejën e Tebukut, sot do të paraqes disa hollësi të tjera rreth saj.

Komploti i madh i Ebu Amirit kundër muslimanëve

Hazret Kalifi i Dytë r.a. duke përshkruar prapaskenën e kësaj beteje, thotë:

Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e çliroi Mekën, aty gjendej gjithashtu një person me emrin, Ebu Amir Medeni. Ai ishte nga fisi Hazrexh dhe për shkak të kontakteve të ngushta me hebrenjtë dhe të krishterët ishte mësuar të merrej me lutje, meditim dhe përmendjen e emrave, njihej si “murg”, nga njerëzit. Megjithëse, fetarisht ai nuk ishte i krishterë. Ky njeri, pasi i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte mbërritur në Medinë, iku drejt Mekës. Kur edhe Meka u çlirua, ai filloi të mendojë se duhej të gjente një mënyrë tjetër për të nxitur trazira kundër Islamit. Më në fund ai ndryshoi emrin dhe pamjen e tij dhe filloi të jetonte në një fshat pranë Medinës të quajtur Kuba.

Për shkak të viteve që kishte kaluar jashtë dhe ndryshimit në pamje e veshje, banorët e Medinës përgjithësisht nuk e njohën. Vetëm hipokritët, me të cilët ai kishte krijuar një lidhje të ngushtë, e njihnin. Ai, në bashkëpunim me hipokritët e Medinës, propozoi një plan: do të shkonte në Siri për të nxitur perandorinë e krishterë dhe fiset arabe të krishtera që të sulmonin Medinën. Ndërkohë, hipokritët në Medinë do të përhapnin lajme se ushtritë siriane po përgatiteshin të sulmonin qytetin. Nëse plani do të kishte sukses, do të shpërthente luftë midis muslimanëve dhe ushtrive siriane; dhe nëse jo, muslimanët mund të niseshin vetë drejt Shamit për t’i sulmuar, duke shkaktuar luftë mes tyre dhe perandorisë së Cezarit. Në të dy rastet, ata do të përfitonin.

Kështu, ky person u nis drejt Sirisë, ndërsa hipokritët e Meinës filluan çdo ditë të përhapnin lajme të rreme në qytet: “Një karvan na tha se ushtria siriane po përgatitet të sulmojë Medinën.” Ditën tjetër thoshin të njëjtën gjë se jemi takuar me filan fis dhe ata na kanë treguar se ushtria romake po bën përgatitje të sulmojë Medinën. Lajmet ishin përhapur aq gjerësisht, saqë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e pa të arsyeshme të nisej vetë drejt Sirisë me ushtrinë muslimane dhe të ballfaqohej me ushtrinë romake.

Entuziazmi i muslimanëve përballë vështirësive

Ishte një kohë shumë e vështirë për muslimanët: kishte thatësirë dhe prodhimi i drithërave dhe frutave vjet kishte qenë i pakët, ndërsa prodhimet e reja ende nuk ishin korrur. Ishte fundi i shtatorit ose fillimi i tetorit kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u nis për këtë ekspeditë. Hipokritët, të cilët dinin se gjithë kjo ishte një kurth, shpresonin që nëse ushtria romake nuk vjen për të sulmuar muslimanët, le të shkonin ata vetë për të ndezur luftë kundër tyre dhe të pësonin humbjen katastrofale.

Pasojat e betejës së M’utasë i kisin të freskët në kujtesë, kur muslimanët ishin përballuar me një ushtri gjigande dhe muslimanët kishin shpëtuar veten me vështirësi, duke hequr madje humbje të konsiderueshme. Tani hipokritët ëndrronin të shikonin me sy një M’uta tjetër. Ata kishin menduar se, MeadhAllah, edhe i Dërguari i Allahut s.a.v.s. do të binte dëshmor në një përballje të tillë. Ata përhapnin çdo ditë lajme frikësuese për sulmin e armikut apo për marshimin e ushtrive romake dhe në këtë mënyrë nxisnin njerëzit të mos merrnin pjesë në luftë. Përmes këtyre përpjekjeve, ata donin të trembnin njerëzit që të mos dilinin për këtë luftë.

Ndonëse hipokritët donin që ushtria muslimane të nisej për të luftuar kundër romakëve por numri i tyre të ishte sa më i vogël, në mënyrë që humbja e tyre të ishte e sigurt. Megjithatë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. pas vlerësimit të situatës dhe në bazë të informacionit që i vinte nga kufijtë, arriti në përfundimin se nëse do të vononte përballjen me romakët dhe atyre do t’u jepte mundësinë për të hyrë në territoret muslimane, dëmi do të ishte më i madh. Prandaj vendosi, pavarësisht vështirësive, të marshonte vetë drejt kufirit të tyre dhe të drejtonte një betejë vendimtare midis muslimanëve dhe romakëve.

Shpallja e hapur e betejës së Tebukut

Hazret Kalifi II r.a. ka përshkruar këto prapaskena në një vend tjetër me këto fjalë:

“Kur Profetit s.a.v.s. i arritën këto lajme, ai porositi muslimanët që të fillojnë përgatitjen dhe në vend që romakët të sulmojnë, muslimanët duhet t’i ndalin në kufi. Në përgjithësi, Profeti s.a.v.s. e mbante të fshehtë planin e ekspeditave ushtarake. Ndryshe nga ekspeditat e tjera, Profeti s.a.v.s. bëri një përjashtim dhe pas betejës së Hajberit, shpalli publikisht këtë mision ushtarak, duke i lajmëruar paraprakisht për vështirësitë e udhës si dhe për numrin e madh të armikut. Këtë përshkrim e ka përcjellë Imam Buhariu.

Dërgimi i përfaqësuesve drejt fiseve të ndryshme

Njëkohësisht, ai dërgoi njerëz në Mekë dhe në fiset arabe që t’u bënin thirrje për t’u bashkuar me ushtrinë muslimane. Ai gjithashtu u bëri thirrje sahabëve të pasur për të shpenzuar për hir të Allahut. Ai dërgoi gjithashtu përfaqësues drejt fiseve të ndryshme për t’i ftuar ato për pjesëmarrje në këtë ekspeditë: P.sh. Hazret Burejda bin Husejbi ishte dërguar te fisi Benu Eslem, Hazret Ebu Ruhum Giffari te fisi i tij, Hazret Ebu Vakid Lejsi te fisi i tij Benu Lejs, Hazret Ebu Xha’d Zemri te fisi i tij, Hazret Rafi’ bin Mekis te fisi Xhuhajna, Hazret Nujem bin Mes’udin te fisi Eshxha’, ndërsa Budejl bin Verken, Amr bin Salimin dhe Busr bin Sufjanin te fiset Benu Ka’bi dhe Benu Amri. Po ashtu, ai dërgoi Hazret Abas bin Mirdasin te fisi Benu Sulejmi.

Plani i hipokritëve për të përhapur frikë dhe mosmarrëveshje në Medinë

Në Medinë mbizotëronte frika dhe ankthi, sepse armiku i fuqishëm mund të sulmonte në çdo çast. Sipas një transmetimi të Buhariut, Hazret Omeri tregon se si ata flisnin për mbretin e Gasanit po përgatitej për luftë kundër tyre dhe kishte potkuar kuajt. Frika ishte e madhe. Megjithatë, sahabët treguan një shembull të jashtëzakonshëm të besimit dhe sakrificës. Sipas një transmetimi tjetër të Hazret Omerit r.a. po në Buhari, është përcjellë se njerëzit kishin frikë nga mbreti i Gasanit. Ai ka thënë: “Na ishte treguar se ai është gati të na sulmojë. Në këtë situatë, na të gjithë kishte zënë frika. Megjithatë, përballë kësaj situate të frikës, sahabët shfaqën edhe frymën e jashtëzkonshme të sakrificës.

Sakrificat e jashtëzakonshme të sahabëve

Përshkrimi i kësaj gjendjeje është përmendur me këto fjalë:

“Në atë periudhë Medinën e kishte goditur një thatësirë e rëndë. Në anën tjetër të mbjellat dhe frutat kishin arritur kohën e korrjes dhe njerëzit ishin të zënë me këtë punë, kur u shpall thirrja për xhihad. Përpos kësaj, një verë e nxehtë, udhëtimi i gjatë prej disa qindra kilometrash dhe mungesa e ushqimit të gjitha këto e bënin këtë mision akoma më vështirë. Megjithatë, kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. bëri thirrje për të dalë në xhihad, sahabët e sinqertë në vend që të kujdeseshin për të mbjellat dhe të korrat e tyre, i përveshën mëngët për t’u përgatitur për këtë udhëtim. Për ata sahabë të varfër, kjo udhë me të vërtetë përbënte një sfidë të madhe.

Meqë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ishte në dijeni për këto vështirësi, ai bëri një thirrje të përgjithshme dhe ai nxiti të pasurit të sakrifkikonin paratë e tyre në rrugën e Allahut ose të mundësonin kuajt etj. për ushtarët. Ai u tha:

مَن جَهَّزَ جَيْشَ العُسْرَةِ فَلَهُ الجَنَّةُ، فَجَهَّزْتُهُمْ؟
d.m.th. “Kush e furnizon ushtrinë e vështirësisë (Xhejshel-‘Usra), fiton Xhenetin.”

Sakrificat e Hazret Ebu Bekrit dhe Hazret Omerit r.a.

I pari që solli pasurinë e tij ishte Hazret Ebu Bekr es-Sidik r.a., i cili solli të gjithë pasurinë e shtëpisë – plot 4000 dirhemë. Kur Profeti s.a.v.s. e pyeti nëse kishte lënë diçka për familjen, ai u përgjigj: “Për ta kam lënë Allahun dhe të Dërguarin e Tij.”

Në një tjetër transmetim, Hazret Omeri r.a. tregon: “Profeti s.a.v.s. na urdhëroi të japim sadaka. Unë kisha pasuri dhe mendova: Sot kam mundësinë ta kaloj Ebu Bekrin! Mora gjysmën e pasurisë sime dhe ia solla Profetit s.a.v.s.. Ai më pyeti: ‘Çfarë le për familjen tënde?’ – ‘Po aq sa kam sjallë’, u përgjigja. Ndërsa Hazret Ebu Bekri solli gjithçka që kishte. Profeti s.a.v.s. e pyeti edhe atë: ‘Çfarë le për familjen tënde?’ Ai tha: ‘Kam lënë Allahun dhe të Dërguarin e Tij.’ Atëherë Omeri tha: ‘Pasha Allahun, kurrë nuk mund ta tejkaloj Ebu Bekrin!’”

Hazret Kalifi i Dytë r.a. gjithashtu ka rrëfyer këtë ngjarje me fjalët e tij. Ai shkruan:

“Në një rast xhihadi, Hazret Omeri tha: ‘Gjithmonë Ebu Bekri më tejkalon. Sot do ta kaloj unë.’ Shkova në shtëpi dhe mora gjysmën e pasurisë sime dhe ia solla Profetit s.a.v.s.. Ishte kohë e vështirë për Islamin. Por Ebu Bekri solli gjithë pasurinë e tij dhe ia dorëzoi Profetit s.a.v.s.. Kur Profeti e pyeti se çfarë kishte lënë në shtëpi, ai u përgjigj: ‘Allahun dhe të Dërguarin e Tij.’ Atëherë Hazret Omeri tha: “Kur dëgjova fjalët e Ebu Bekrit, më zuri një ndjenjë e thellë keqardhjeje. I thashë vetes, sot desha ta kaloja duke bërë një sakrificë kaq të madhe, por përsëri Ebu Bekri më tejkaloi!’”

Sakrifica e Hazret Osmanit r.a.

Sa i përket sakrificës financiare të Hazret Osmanit r.a., transmetohet nga Abdurrahman bin Hubabi:

“Unë isha i pranishëm te Profeti s.a.v.s. kur ai po nxiste ushtrinë e vështirësisë, dhe Hazret Osmani u ngrit e tha: ‘O i Dërguar i Allahut, unë marr përsipër njëqind deve me shalët e tyre për hir të Allahut.’ Pastaj Profeti s.a.v.s. bëri një tjetër thirrje, dhe Hazret Osmani tha: ‘Marr përsipër 200 deve me të gjitha pajisjet e tyre.’ Kur Profeti s.a.v.s. përsëriti për herë të tretë, Hazret Osmani u ngrit dhe tha: ‘Unë jap 300 deve me të gjitha pajisjet e tyre për hir të Allahut.’ Unë pashë Profetin s.a.v.s. duke zbritur nga minberi duke thënë:

مَا عَلٰي عُثْمَانَ مَا عَمِلَ بَعْدَ هَذِهِ، مَا عَلٰي عُثْمَانَ مَا عَمِلَ بَعْدَ هَذِهِ.
‘Pas kësaj, çfarëdo që të bëjë Osmani, nuk do t’i kërkohet llogari! Pas kësaj, çfarëdo që të bëjë Osmani, nuk do t’i kërkohet llogari!’”

Në një transmetim tjetër thuhet se Hazret Abdurrahman bin Semra r.a. ka treguar se Hazret Osmani i dhuroi Profetit ﷺ një mijë dinarë, kur ai po përgatiste ushtrinë e vështirësisë (Xheshul-‘Usrah), dhe ia vuri ato para tij. Hazret Abdurrahmani r.a. tha: “E pashë Profetin ﷺ duke i kthyer ato dinarë në prehërin e tij dhe duke thënë:

مَا ضَرَّ عُثْمَانَ مَا عَمِلَ بَعْدَ الْيَوْمِ
‘Asgjë nuk do t’i dëmtojë Osmanit nga çfarëdo që ai bën pas kësaj dite.’” Këtë e përsëriti dy herë.

Sipas një transmetimi tjetër, Hazret Osmani dha 10000 dinarë në këtë rast, dhe Profeti ﷺ u lut për të:

غفرَ اللَّهُ لَكَ يا عُثْمَانُ ما قَدَّمتَ وما أَخَّرتَ، وما أَسْرَرتَ وما أَعْلَنتَ، وما أَخْفيتَ وما أَبديتَ، وما هوَ كائنٌ إلى يومِ القيامةِ
“Allahu të fal ty, o Osman, pas kësaj nuk duhet të shqetësohesh për asgjë, për atë që ke bërë më parë dhe atë që do të bësh më vonë, për atë që ke fshehur dhe atë që ke shpallur, për atë që ke mbajtur të fshehtë dhe atë që ke treguar, dhe për gjithçka që do të ndodhë deri në Ditën e Gjykimit.”

Sipas një transmetimi tjetër, ai dhuroi 1000 deve dhe 70 kuaj për përgatitjen e luftës. Në një tjetër transmetim thuhet se Profeti ﷺ u lut për me këto fjalë:

«…“اللَّهمّ ارْضَ عَنْ عُثْمَانَ، فَإِنِّي عَنْهُ رَاض“.»
“O Allah, kënaqu me Osmanin, sepse edhe unë jam i kënaqur me të.”

Ibn Is’haku tregon se Hazret Osmani kishte shpenzuar aq shumë para gjatë betejës së Tebukut në rrugën e Allahut, saqë asnjë sahabi tjetër nuk mundi t’i afrohej atij në të shpenzuar. Një karvan tregtar i Hazret Osmanit, u kthye nga Siria me shumë fitim, dhe ai premtoi për të marrë përsipër shpenzimet e ushtrisë, duke thënë: “Unë do të mbuloj shpenzimet e një të tretës së ushtrisë.” Ai furnizoi dhe armatosi më shumë se 10 mijë ushtarë dhe u kujdes që edhe gjëja më e vogël, si lidhëse këpucash, të sigurohej nga pasuria e tij. Vetëm për këtë ai shpenzoi dhjetë mijë dinarë, dhe kjo pasuri ishte përveç asaj që ai kishte shpenzuar për furnizimin e deveve dhe kuajve.

Përpos kësaj, ai dhuroi edhe 1000 deve, 100 kuaj dhe 1000 dinarë të tjerë për Profetin ﷺ, të cilat ishin përveç 10 mijë dinarëve të mëparshëm që kishte shpenzuar për ushtrinë.

Sakrifica e Hazret Abdurrahman bin Aufit r.a.

Në këtë rast, Hazret Abdurrahman bin Aufi dhuroi njëqind okije argjend, dhe sipas disa transmetimeve, dyqind okije. Okja është një njësi matëse, me anë të së cilës matet pesha e një sendi, dhe një okje është e barabartë me 10,5 tola. Kështu 100 okje është afërsisht 1050 deri në 2100 tola argjendi, që sot do të ishte afërsisht nga një kilogram e çerek deri në dy kilogramë e gjysmë argjend.

Pastaj Profeti ﷺ tha: “Osman bin Afani dhe Abdurrahman bin Aufi janë dy nga thesaret e Allahut në tokë, të cilët shpenzojnë për të fituar kënaqësinë e Tij; ata kanë dhuruar shumë pasuri.” Sipas një transmetimi tjetër, Hazret Abdurrahman bin Aufi dhuroi 400 okje ari, pra rreth 4200 tola ari ose rreth 49 kilogram ari. Disa tregojnë edhe për dhurimin e 900 deveve. Sidoqoftë, Hazret Abdurrahmani r.a. kishte bërë sakrifica të jashtëzakonshme.

Sipas një transmetimi tjetër, Hazret Abdurrahman bin Aufi shkoi te Profeti ﷺ dhe tha: “Kam 8 mijë dirhemë; 4 mijë i kam lënë për familjen time dhe 4 mijë po ju ofroj juve.” Profeti ﷺ u lut për të:

{بَارَكَ اللَّهُ لَكَ فِيمَا أَعْطَيْتَ، وَبَارَكَ لَكَ فِيمَا أَمْسَكْتَ}
d.m.th. “Allahu të bekoftë në atë që ke dhënë dhe të bekoftë në atë që ke ruajtur.”

Hazret Asim bin ‘Adi dhuroi 70 vesk hurma; një vesk përmban 60 الصاع (Aṣ-Ṣā’), dhe një Ṣā’ është afërsisht tri sejr, pra gjithsej rreth 12.600 kilogramë hurma. Ndër ata që sollën pasuri për Profetin ﷺ përmenden edhe emrat e mëposhtëm të cilët kishin bërë kontribute të jashtëzakonshme:

  • Hazret Abbas bin Abdul-Muttalibi,
  • Hazret Talha bin Ubejdullahu r.a.,
  • Hazret Sa‘d bin ‘Ubada dhe
  • Hazret Muhammed bin Meslema r.a.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. ka thënë:

“Dikur ishte një kohë kur njerëzit për fenë e Zotit flijonin jetën e tyre si dele e bagëti, e jo vetëm pasurinë. Hazret Ebu Bekri r.a. disa herë dha gjithçka që kishte, aq sa nuk la as një gjilpërë në shtëpi. Po kështu Hazret Omeri r.a. dha sipas mundësisë së tij, dhe Hazret Osmani r.a. sipas fuqisë dhe pasurisë së tij. Të gjithë sahabët ishin gati të sakrifikonin jetën dhe pasurinë e tyre për fenë e Zotit.”

Ai shtoi:

“Allahu thotë: لَن تَنَالُوا الْبِرَّ حَتَّىٰ تُنفِقُوا مِمَّا تُحِبُّونَ ۚ ‘Len tenālul-birra hattā tunfikū mimmā tuḥibbūn’ — ‘Kurrsesi nuk mund të arrini mirësinë, derisa të shpenzoni nga ato që i keni përzemër.’ Sahabët shpenzonin për ta fituar këtë virtyt.”

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. ka thënë:

“Sahabët shpesh shisnin pasurinë e shtëpisë për të mbuluar shpenzimet e luftës, madje edhe pronat e tyre për të ndihmuar të tjerët që shkonin në betejë. Një herë Profeti ﷺ tha: ‘Ushtria jonë do të niset në këtë fushatë, por besimtarët nuk posedojnë asgjë. A ka ndonjë prej jush që dëshiron të fitojë shpërblimin?’ Hazret Osmani r.a., sapo dëgjoi, u ngrit dhe solli gjithë pasurinë që kishte për shpenzimet e muslimanëve. Kur Profeti ﷺ e pa këtë, tha: ‘Osmani e bleu xhenetin.’”

Hazret Kalifi III r.a., njëherë gjatë një hutbeje, rrëfeu këtë ngjarje me këto fjalë. Ai tha:

“Njëherë muslimanët kishin nevojë për mjete të mëdha financiare për t’iu përgjigjur nevojave të luftës, por u mungonin mjetet. Ishte koha kur muslimanët përballonin vështirësi në gjendjen ekonomike. Profeti ﷺ u përmendi sahabëve nevojat aktuale dhe u bëri thirrje të bënin sakrificë nga pasuria e tyre. Si rrjedhojë, Hazret Ebu Bekri r.a. solli gjithë pasurinë e tij, Hazret Omeri r.a. solli gjysmën e pasurisë, dhe Hazret Osmani r.a. i tha: ‘Unë do të mbuloj të gjitha shpenzimet e 10 mijë sahabëve’, dhe dhuroi 1000 deve dhe 70 kuaj. Të gjithë sahabët e sinqertë dhanë sipas mundësive të tyre, dhe Allahu i bekoi ata me rezultate të shkëlqyera.’’

Është një bekim i madh që anëtarët e Xhematit Musliman Ahmedia e kuptojnë rëndësinë e sakrificës me mjetet financiare. Unë kam përmendur shpeshherë shembuj nga jeta e disa njerëzve, të cilët japin gjithçka që kanë. Edhe të pasurit duhet të kenë përpara shembujt e Hazret Ebu Bekrit r.a., Hazret Omerit r.a. dhe Hazret Osmanit r.a., dhe të përpiqen të rrisin nivelin e tyre të sakrificës. Anëtarët që i përkasin shtresës së ulët apo shtresës së mesme, vijojnë të bëjnë sakrifica shembullore, madje një pjesë e konsiderueshme nga shtresa e pasur bëjnë sakrifica të tilla, por edhe ata që janë të dobët duhet të përparojnë në këtë drejtim. Kjo është koha për të bërë sakrifica për përhapjen e fesë.

Sahabët dhanë aq sa mundën për të siguruar deve, shpata dhe pajisje për ushtarët e varfër. Disa sahabë dhe sahabiat të varfra sillnin një ose dy mud grurë dhe zemrat e tyre mbusheshin me dëshirë që të kishin më shumë për të dhuruar. Por hipokritët talleshin me ta, duke thënë: “A do ta mposhtin këta njerëz perandorinë romake me një grusht drithë?” Për këtë tallje Allahu thotë:

 الَّذِينَ يَلْمِزُونَ الْمُطَّوِّعِينَ مِنَ الْمُؤْمِنِينَ فِي الصَّدَقَاتِ وَالَّذِينَ لَا يَجِدُونَ إِلَّا جُهْدَهُمْ فَيَسْخَرُونَ مِنْهُمْ سَخِرَ اللَّهُ مِنْهُمْ وَلَهُمْ عَذَابٌ أَلِيمٌ
“Ata që i akuzojnë vullnetarët prej besimtarëve në lidhje me lëmoshat si dhe (i akuzojnë) ata që nuk kanë asgjë tjetër përveç përpjekjes së tyre, pra tallen me ta; Allahu do të tallet me ta dhe ata do të kenë ndëshkim të dhimbshëm.”

Sakrifica e Ebu ‘Akilit r.a.

Ndër ata që punuan për të dhënë sadaka ishte Hazret Ebu ‘Akili, i cili punoi gjithë natën për të nxjerrë ujë nga një pus dhe fitoi dy Ṣā’ hurma (1=2.5 kiliogram, rreth pesë kilogramë). Një sa‘ e mbajti për familjen dhe tjetrën e solli si dhuratë për Profetin ﷺ.

Hazret Kalifi II r.a. ka përshkruar këtë ngjarje në një vend me këto fjalë:

“Një herë Profeti ﷺ bëri thirrje për sadaka, dhe një sahab shkoi të punonte për një ditë, ndoshta për të nxjerrë ujë nga një pus, dhe fitoi gjysmë sejr ose 3/4 kile drithë, të cilat i solli si kontribut. Në atë kohë duheshin mijëra rupi, dhe hipokritët talleshin, duke thënë: ‘Këta me disa grushta elbi po përgatiten për luftë!’ Ishte koha kur përgatitej për betejën e Tebukut kundër romakëve, të cilët atëherë ishin aq të fuqishëm siç është perandoria britanike sot. Por Profeti ﷺ tha: ‘Ata nuk e dinë sa vlerë kanë këto kokrra elbi në sytë e Zotit.’ Ishin pikërisht këto kokrra elbi që sollën fitoren e muslimanëve ndaj romakëve — dhe jo vetëm ndaj tyre, por edhe ndaj persëve, të cilët kishin një fuqi të barabartë me ta, dhe të dyja perandoritë u mposhtën nga muslimanët.

Sakrifica e çuditshme e Hazret Urve ibn Zejdit

Kam përmendur se gjatë përgatitjeve për këtë luftë, sahabët e sinqertë, në mënyra të ndryshme, po përpiqeshin të marrin pjesë në këtë fushatë të sakrificës materiale. Në vazdhë të shembujve prekës është përmendur edhe një ngjarje e çuditshme e një sahabiu. Sahabët e pasur po jepnin pasurinë e tyre, ndërsa sahabët e varfër dhe të skamur po bënin punë krahu, që të fitonin pak para dhe t’i ofronin Profetit ﷺ.

Në këto rrethana përmendet një ngjarje e Hazret Urva bin Zejdit, i cili për të fituar kënaqësinë e Allahut, bëri një veprim, i cili ishte jo vetëm i pastër dhe i sinqertë, por dallohej nga gjithë të tjerët. Hazret Urva ishte i varfër, por edhe shumë i sinqertë. Ai nuk kishte asgjë për të dhuruar, dhe ishte edhe i dobët fizikisht, gjë që e pengonte për të marrë pjesë në xhihad. Prandaj, një natë, ai u ngrit për të falur namazin dhe iu drejtua Zotit me përulësi dhe ngashërim. Ai tha: “O Allah, Ti na ke porositur të dalim për luftë, por unë nuk kam asgjë. Edhe i Dërguari Yt ﷺ nuk ka mjete a pajisje të mjaftushme që të më japë diçka me të cilën të marr pjesë në luftë. Profeti yt ka bërë thirrje për sakrificë materiale, por unë as në këtë nuk mund të marr pjesë. Megjithatë, unë i fal të gjitha padrejtësitë që janë bërë ndaj jetës, pasurisë dhe nderit tim dhe i dhuroj ato si sadaka për muslimanët.”

Të nesërmen, ky sahab, bashkë me sahabët e tjerë, shkoi te i Dërguari i Allahut ﷺ. Profeti ﷺ pyeti: ‘Ku është ai që mbrëmë i dhuroi Allahut nderin e tij si sadaka?’ Askush nuk u përgjigj. Profeti ﷺ e pyeti përsëri, por prapë askush nuk u ngrit. Më në fund, Urva u ngrit dhe ia rrëfeu ngjarjen.

Profeti ﷺ tha:

«أبشِر، فَوَالَّذِي نَفْسُ مُحَمَّدٍ بِيَدِهِ، لَقَدْ كُتِبَتْ فِي الزَّكَاةِ الْمُتَقَبَّلَةِ»
‘Gëzohu! Pasha Atë në dorën e të Cilit është jeta e Muhammedit, emri yt është shkruar mes atyre, të cilëve u është pranuar sadakaja.’ Çfarë ndjenje e bukur dhe e veçantë sinqeriteti dhe flijimi! Dhe Allahu, i Cili e di gjendjen e zemrave, e pranoi këtë ndjenjë dhe e bëri të njohur për të Dërguarin e Tij ﷺ.

Disa shembuj nga sakrificave e grave muslimane

Edhe gratë nuk mbetën prapa në këtë rast. Ato dhuruan stolitë e tyre për përgatitjet e luftës. Hazret Umi Sinan Eslemija rrëfen: “Pashë në shtëpinë e Aishes një çarçaf të shtruar përpara të Dërguarit të Allahut ﷺ, mbi të cilën kishte perfuma, byzylykë, vathë, unaza dhe këmborë, të gjitha të dhuruara nga gratë muslimane për përgatitjen e ushtrisë për xhihad.”

Pra, nga njëra anë, gjendja e besimtarëve të sinqertë ishte e tillë, ndërsa nga ana tjetër, hipokritët (munafikët) po përpiqeshin me të gjitha forcat e tyre. Në një kuptim, kjo ishte edhe dredhia dhe komploti i tyre i fundit, dhe ata ishin të bindur për suksesin e tyre. Ata mendonin se muslimanët me siguri do të nisen për këtë rrugëtim të gjatë drejt Sirisë, por kishin edhe këtë ide djallëzore se i Dërguari i Allahut ﷺ meazalllah nuk do të kthehej më i gjallë në Medinë. Prandaj, qëllimi i tyre ishte që sa më pak muslimanë të dilnin me të, sepse, sipas mendimit të tyre, sa më i vogël të ishte sasia e ushtrisë muslimane, aq më e sigurt do të ishte humbja dhe shkatërrimi i i tyre.

Përshkrimi i gjendjes së hipokritëve nga Allahu

Hipokritët e ekzagjeronin vështirësinë e udhëtimit, nxehtësinë e madhe dhe mungesën e mjeteve, për t’i trembur muslimanët. U thoshin: “Është shumë nxehtë! Udhëtimi është tepër i gjatë! Kemi pak mjete!” Pasi shumica e banorëve të Medinës merreshin me bujqësi, dhe koha e korrjes po afrohej, ndërkohë ishin vitet e thatësirës. Hipokritët u thoshin muslimanëve: “A nuk e dini sa e fuqishme dhe e pathyeshme është ushtria me të cilën do të përballeni? Ata do t’ju kërdisin ose do t’ju kthejnë në robërit e tyre!”

Këto ishin fjalët e hipokritëve. Edhe pse propaganda e tyre nuk ndikoi aspak te besimtarët e vërtetë, ajo u kalli frikën atyre me besim të dobët. Këta të fundit nisën të gjenin justifikime për të mos marrë pjesë në luftë. Megjithatë shumica e atyre që kërkuan arsyetime ishin vetë hipokritë. Kurani e përshkruan sjelljen e tyre me këto fjalë:

فَرِحَ الْمُخَلَّفُونَ بِمَقْعَدِهِمْ خِلَافَ رَسُولِ اللَّهِ وَكَرِهُوا أَن يُجَاهِدُوا بِأَمْوَالِهِمْ وَأَنفُسِهِمْ فِي سَبِيلِ اللَّهِ وَقَالُوا لَا تَنفِرُوا فِي الْحَرِّ ۗ قُلْ نَارُ جَهَنَّمَ أَشَدُّ حَرًّا ۚ لَّوْ كَانُوا يَفْقَهُونَ ‎﴿﴾‏ فَلْيَضْحَكُوا قَلِيلًا وَلْيَبْكُوا كَثِيرًا جَزَاءً بِمَا كَانُوا يَكْسِبُونَ ‎﴿﴾
“Të mbeturit mbrapa u gëzuan për ndenjjen e tyre prapa të Dërguarit të Allahut dhe nuk pëlqyen të luftonin me pasuritë dhe jetën e tyre në rrugën e Allahut dhe thanë: “Mos u nisni në këtë të nxehtë!” Thuaju: “Zjarri i xhehenemit është akoma më i nxehtë!” Eh, sikur të kuptonin! Pra, le të qeshin pak e të qajnë shumë, si dënim i asaj që kanë punuar.”

Sipas transmetimeve, këta hipokritë vinin te i Dërguari i Allahut ﷺ dhe paraqisnin arsyetime për të mos marrë pjesë në xhihad, duke kërkuar leje për të mbetur në Medinë. Profeti ﷺ ua jepte lejen. Kishte më shumë se 80 persona që i morën leje me pretekste të ndryshme, përveç atyre që ishin me Abdullah bin Ubejin. Allahu i zbuloi të gjitha këto gënjeshtra në Kuran, duke sqaruar se qëndrimi i tyre pas ishte për shkak të dobësisë së besimit dhe se justifikimet e tyre ishin të rreme.

Kur zbritën këto ajete, të gjithë u paralajmëruan se në të ardhmen, kur imami të thërrasë për ndonjë çështje, si duhet të përgjigjen dhe si duhet të përgatiten për pjesëmarrje.

Allahu i Lartësuar thotë:

لَوْ كَانَ عَرَضًا قَرِيبًا وَسَفَرًا قَاصِدًا لَّاتَّبَعُوكَ وَلَـٰكِن بَعُدَتْ عَلَيْهِمُ الشُّقَّةُ ۚ وَسَيَحْلِفُونَ بِاللَّهِ لَوِ اسْتَطَعْنَا لَخَرَجْنَا مَعَكُمْ يُهْلِكُونَ أَنفُسَهُمْ وَاللَّهُ يَعْلَمُ إِنَّهُمْ لَكَاذِبُونَ ‎﴿﴾‏ عَفَا اللَّهُ عَنكَ لِمَ أَذِنتَ لَهُمْ حَتَّىٰ يَتَبَيَّنَ لَكَ الَّذِينَ صَدَقُوا وَتَعْلَمَ الْكَاذِبِينَ ‎﴿﴾‏ لَا يَسْتَأْذِنُكَ الَّذِينَ يُؤْمِنُونَ بِاللَّهِ وَالْيَوْمِ الْآخِرِ أَن يُجَاهِدُوا بِأَمْوَالِهِمْ وَأَنفُسِهِمْ ۗ وَاللَّهُ عَلِيمٌ بِالْمُتَّقِينَ ‎﴿﴾‏ إِنَّمَا يَسْتَأْذِنُكَ الَّذِينَ لَا يُؤْمِنُونَ بِاللَّهِ وَالْيَوْمِ الْآخِرِ وَارْتَابَتْ قُلُوبُهُمْ فَهُمْ فِي رَيْبِهِمْ يَتَرَدَّدُونَ ‎﴿﴾‏ ۞ وَلَوْ أَرَادُوا الْخُرُوجَ لَأَعَدُّوا لَهُ عُدَّةً وَلَـٰكِن كَرِهَ اللَّهُ انبِعَاثَهُمْ فَثَبَّطَهُمْ وَقِيلَ اقْعُدُوا مَعَ الْقَاعِدِينَ ‎﴿﴾‏ لَوْ خَرَجُوا فِيكُم مَّا زَادُوكُمْ إِلَّا خَبَالًا وَلَأَوْضَعُوا خِلَالَكُمْ يَبْغُونَكُمُ الْفِتْنَةَ وَفِيكُمْ سَمَّاعُونَ لَهُمْ ۗ وَاللَّهُ عَلِيمٌ بِالظَّالِمِينَ ‎﴿﴾‏ لَقَدِ ابْتَغَوُا الْفِتْنَةَ مِن قَبْلُ وَقَلَّبُوا لَكَ الْأُمُورَ حَتَّىٰ جَاءَ الْحَقُّ وَظَهَرَ أَمْرُ اللَّهِ وَهُمْ كَارِهُونَ ‎﴿﴾
“Po të kishte një tokë të afërt dhe udhëtim të lehtë, do të të ndiqnin ty, por mundimi iu duk i vështirë. Ata me siguri do të betohen për Allahun: “Po të kishim mundësi, patjetër do të dilnim së bashku me ju”. Po e shkatërrojnë veten e tyre. Dhe Allahu e di që ata janë gënjeshtarë. Allahu të faltë! Pse i lejove përpara se të bëhej e qartë se cilët thanë të vërtetën e t’i dije edhe ata që janë gënjeshtarë?! Nuk të kërkojnë leje për të mos luftuar me pasuritë dhe jetën e tyre ata që e besojnë Allahun dhe Ditën e Ahiretit. Dhe Allahu është i Gjithëdijshëm për ata që kanë drojë (Allahun). Të kërkojnë leje vetëm ata që nuk besojnë Allahun dhe Ditën e Ahiretit. Zemrat e tyre dyshojnë. Ndaj, ata luhaten në mëdyshjen e vet. Po të donin të dilnin (për xhihad), do të bënin ndonjë përgatitje për të, por Allahu nuk e pëlqeu ngritjen e tyre (për këtë kauzë të madhe), ndaj, i la poshtë, dhe atyre iu tha: “Rrini me të mbeturit!” Po të dilnin bashkë me ju, do t’ju shtonin vetëm çorganizim, do të rendnin kafshët midis jush duke dashur ngatërresë me ju. Dhe mes jush ka edhe të tillë që i dëgjojnë me vëmendje. Allahu është i Gjithëdijshëm për mizorët. Ata kanë dashur (ta krijonin) ngatërresën edhe më parë dhe t’i pështjelluan ty çështjet, derisa erdhi e vërteta dhe doli vendimi i Allahut, ndonëse ata e urrenin.

Pra, Allahu e sqaroi qartë gjendjen e brendshme të hipokritëve dhe i tha të Dërguarit të Tij ﷺ: “Ti pranove arsyetimin e tyre të rremë. Sikur të mos ua kishe pranuar dhe të mos u kishe dhënë leje, hipokrizia e tyre do të ishte bërë e qartë për të gjithë.” Ata gjithsesi nuk do të kishin shkuar në luftë, por Allahu tha se është më mirë që ata të mos shkojnë, sepse nëse do të kishin shkuar, do të kishin shkaktuar vetëm pështjellim dhe çregullim midis muslimanëve.

Pra, gjërat nuk ndodhën siç dëshironin hipokritët. Ngjarjet e tjera lidhur me këtë temë do t’ju shpjegoj në të ardhmen. Insha-Allah

Thirrje për lutje për të plagosurit në sulmin ndaj xhamisë së xhematit

Në hutben e kaluar, kisha përmendur sulmin në xhaminë tonë në Rabva. Bëni lutje për vullnetarët të cilët kanë mbetur të lënduar në këtë sulm. Allahu u dhëntë shërim të shpejtë dhe shëndet të plotë! Allahu i ruajttë nga pasojat shëndetësore dhe nga çdo përkeqësim! Disa pasoja ndonjëherë shfaqen shumë kohë më vonë pas ngjarjeve të tilla. Gjendja e tre të rinjve është akoma e rëndë dhe ata ndodhen ende në spital, ndërsa 5 të tjerët janë kthyer në shtëpi pas trajtimit, por plagët e tyre ende kërkojnë kohë për t’u shëruar. Allahu u dhëntë të gjithëve shërim të plotë dhe i mbrojtë anëtarët e xhematit kudo nga çdo e keqe dhe çdo lloj dëmi!

Namazi i xhenazes në mungesë

Pas namazit, do të drejtoj namazin e xhenazes në mungesë. I nderuar Sam Ali Nejna, nga Ishujt Marshall ka ndërruar jetë para disa ditësh, në moshën 83 vjeçare, në Kaliforni, SHBA. Inna lillahi ve inna ilejhi raxhi‘un.

Ai e njohu për herë të parë Islamin në vitet 1980, përmes misionarit tonë Hafiz Xhibril sahibit. Si rezultat i përpjekjeve të tij, i ndjeri Sam e pranoi Islamin Ahmediatin. Pavarësisht kundërshtimeve të mëdha që hasi, ai qëndroi i palëkundur dhe i vendosur në besimin e tij. Kur një senator solli një projektligj në parlament për të shpallur Islamin si një fe e paligjshme, që nxit terrorizmin, i ndjeri me guxim të madh shkroi një artikel në një gazetë vendase dhe deklaroi: “Ne jemi muslimanë Ahmedianë dhe nuk kemi asnjë lidhje me terrorizmin.” Kjo deklaratë e tij e guximshme u bë sebeb për forcimin e xhematit. Senatori u përpoq të kalonte ligjin kundër Islamit, por falë përpjekjeve të tij, ai dështoi. I ndjeri ishte një figurë me ndikim në shoqërinë vendase.

Falahuddin Shems sahibi, zëvendës amiri i SHBA-së, thotë:

“Unë pata mundësinë të punoja për 5 vjet në Ishujt Marshall. Ky territor ishte nën kujdesin e Shteteve të Bashkuara. Z. Sam pranoi xhematin përmes Hafiz Xhibril Sahibit. Në fillim ishin vetëm katër ose pesë familje Ahmediane. Xhemati ishte shumë i vogël dhe akoma nuk ishte i regjistruar. Por falë përpjekjeve të Hafiz sahibit, xhemati arriti të regjistrohej. Pas kthimit të tij nga ishujt, për një kohë të gjatë nuk kishte më misionar atje, ndaj vetë z. Sam e udhëhoqi xhematin deri në fund të jetës së tij. Ai përhapi mesazhin e xhematit, kujdesej për çdo çështje të xhematit dhe kurrë nuk lejoi që veprimtaria e xhematit të venitej. Ai ishte gjithmonë i përkushtuar dhe bashkëpunonte me gatishmëri me çdo delegacion që vinte nga qendra, duke ndihmuar në çdo mënyrë.”

I ndjeri gëzon rolin kryesor në themelimin e xhematit në Ishujt Marshall. Shumica e anëtarëve të cilët kanë pranuar Islam-Ahmediatin në këta ishuj, janë bërë përmes përpjekjeve të tij. I ndjeri shërbeu edhe në cilësinë e presidentit të xhematit. Shems sahibi tregon më tej: “Kur shkova të themeloja një mision në Kosraj, z. Sam më ndihmoi shumë. Ai kishte disa miq që iu bashkuan, dhe me ndihmën e Allahut, Xhemati bleu një truall dhe ndërtoi një shtëpi misioni. Ai gjithashtu kontribuoi në themelimin e misionit në Kiribati dhe në një vend tjetër.

Njëherë e pyeta: ‘Cila është arsyeja që Allahu ju ka dhënë mundësinë të luani një rol kaq qendror në themelimin e xhematit në tre ishuj?’ Ai u përgjigj me përulësi: ‘Kjo është vetëm mirësia e Allahut. Nuk kam asnjë meritë personale.’

Kasim Çaudri, misionari aktual në Ishujt Marshall, thotë: “Pavarësisht pengesave e vështirësive, ai qëndroi i patundur në besimin e tij. Sëbashku me gruan e tij, ai bërë sakrifica të mëdha. Bashkëshortja e tij i dhuroi xhematit një tokë, mbi të cilën sot qëndron xhamia e parë në Ishujt Marshall.”

I ndjeri ka rrëfyer vetë historinë e pranimit të Islamit. Ai tha:

“Ne, unë dhe gruaja ime Mary, po qëndronim në një hotel në Long Island në vitin 1987. Një mëngjes pamë nga dritarja një burrë të gjatë afrikan. Ne u përshëndetëm dhe u prezantuam. Ai ishte Hafiz Xhibril sahibi, misionar në Mikronezi. Ne takoheshim shpesh, dhe bënim biseda të gjata, në të cilat ai më shpjegoi Islamin. Hafiz sahibi më tregonte vargje nga Bibla, ku paralajmërohej ardhja e një Profeti pas Isait a.s.. Unë mbeta i habitur, pasi nuk ishte vetëm një varg, por shumë vargje, madje edhe në Dhjatën e Re, ku vetë Jezusi (as) thotë: ‘Megjithatë unë ju them të vërtetën: është mirë për ju që unë të shkoj, sepse, po nuk shkova, nuk do të vijë te ju Ngushëlluesi; por, po shkova, unë do t’jua dërgoj.’ (Gjoni 16:7). Këto ishin fakte që nuk i kisha dëgjuar kurrë më parë. Hafiz sahibi më shpjegonte gjithçka qartë, me dëshmi nga Bibla. Më në fund, Allahu më udhëzoi dhe zemra ime u hap ndaj Islamit, dhe unë e pranova.”

“Atyre që e morën vesh nuk u pëlqeu. Disa zyrtarë thanë: ‘Ne nuk do ta lejojmë Islamin të përhapet në Ishujt Marshall.’ Unë i telefonova Hafiz sahibit, por ai ishte larguar tashmë. Ai më tha: ‘Mos u shqetëso, Allahu do të hapë rrugët.’ Dhe vërtet Allahu i hapi rrugët. Një ditë, ndërsa isha në shtëpi, erdhi një person nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm dhe më tha: ‘Gjykata ka miratuar regjistrimin e xhematit tuaj.’ Aty ku njerëzit me fuqi e autoritet po përpiqeshin ta ndalonin Islamin, Allahu vetë bëri që ai të pranohej ligjërisht! Unë menjëherë ia dërgova kopjen Hafiz sahibit. Me kalimin e kohës, kuptova se Ahmediati është ndryshe nga grupet e tjera muslimane, dhe isha krenar për këtë. Gjithmonë kam ndjerë në zemrën time një zë që më thotë: ‘Jam një musliman Ahmedi’ — dhe kjo më mbush me krenari.”

“Për 25 vjet nuk erdhi asnjë misionar, dhe unë isha i shqetësuar. Hafiz sahibi më këshillonte gjithmonë: ‘Vazhdo t’i shkruash Kalifit të Kohës, dhe Allahu do të hapë një rrugë.’ Në vitin 2004, mora një udhëzim nga qendra se do të vinte një person dhe unë duhet ta prisja në aeroport. Shkova atje dhe pas pak pashë një burrë që po dilte me buzëqeshje. Ai më pyeti për emrin tim. I thashë: ‘Sam.’ Ai tha: ‘Unë jam Koser’ – ishte Inamul Hak Kosar. Që nga ajo ditë, u bëmë si vëllezër. Udhëtuam bashkë në Kosrae dhe Pohnpei. Ne qëndruam bashkë për një javë, dhe u lidhëm aq ngushtë, sikur të njiheshim prej vitesh. Ky ishte vëllazërimi islam.

“Pas pranimit të Islamit, ndjeva qetësi shpirtërore dhe paqe në zemër. Namazi më ndryshoi kryekëput. Edhe gruaja ime e vuri re këtë ndryshim. Që nga ajo kohë, çdo herë që kisha nevojë për diçka, i lutesha Allahut dhe Ai gjithmonë më përgjigjej. Kam parë me sytë e mi ndihmën e Tij dhe në çdo lutje e falënderoja Allahun.”

Mbesa e të ndjerit, Julia, thotë:

“Ai ishte një musliman i sinqertë, që merrte forcë, qetësi dhe frymëzim nga besimi i tij. Kalonte një kohë të gjatë në adhurim dhe e lexonte Kuranin me përkushtim e dashuri. Lexonte edhe libra të ndryshëm islamë. Ne shpesh e shihnim të thelluar në mendime”.

Allahu i faltë gabimet dhe e mëshiroftë të ndjerin! Disa nga familjarët e tij akoma nuk kanë pranuar Islamin. Allahu u dhëntë edhe atyre udhëzim, që edhe në brezat e tyre të ardhshëm të lindnin muslimanë Ahmedanë.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutem
Share via