Lideri botëror musliman dënon sulmin në Parlamentin Britanik dhe e cilëson si: “fyerje ndaj Islamit”

Udhëheqësi botëror i Xhematit Musliman Ahmedia tha se muslimanët duhet të dënojnë të gjitha format e ekstremizmit.
Shenjtëria e tij do t’i drejtohet një simpoziumi të madh për paqen, që do të zhvillohet ditën e shtunë, nga muslimanët britanikë në xhaminë Bejtul-Futuh të Londrës, inshaAllah.
Hazret Mirza Masrur Ahmed, Udhëheqësi botëror i Xhematit Musliman Ahmedia dënoi fuqimisht sulmin e ndodhur pranë Parlamentit Britanik dhe shprehu ngushëllimet e tij ndaj të prekurve.
Në hytben e tij të së xhumasë, duke e dënuar këtë akt të shëmtuar, Shenjtëria e tij e cilësoi si një:
“fyerje ndaj mësimeve të Islamit”
dhe u bëri thirrje të gjithë muslimanëve të paraqesin fytyrën e vërtetë të Islamit, e cila, sipas tij, është:
“e paqes, e dashurisë, e mëshirës dhe e dhembshurisë”.
Shenjtëria e tij tha:
“Sulmi terrorist që u bë në Londër dy ditë më parë, në të cilin u vënë në shënjestër njerëz të pafajshëm dhe të paarmatosur, gjithashtu një oficer policie që ishte duke bërë detyrën e tij, është një sulm i neveritshëm dhe i dhunshëm deri në ekstrem. U takon muslimanëve të ngrihen e të dënojnë të gjitha format e ekstremizmit e të terrorizmit. Kurdo e kudo që ndodhin sulme të tilla, ata duhet t’i dënojnë në mënyrën më të fuqishme”.
Hazret Mirza Masrur Ahmed vijoi:
“Është detyra e muslimanëve ahmedianë të demonstrojnë mësimet e vërteta të Islamit, të cilat janë të paqes, të dashurisë, të mëshirës dhe të dhembshurisë. Ne u shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta viktimave dhe atyre që janë prekur nga ky sulm”.
Shenjtëria e tij gjithashtu dënoi klerikët ekstremistë muslimanë, të cilët luajnë rolin kryesor në rekrutimin e muslimanëve duke i nxitur ata drejt dhunës.
Shenjtëria e tij do t’i drejtohet Simpoziumit e 14-të të Paqes, që do të zhvillohet më 25 mars ditën e shtunë, nga Xhemati Musliman Ahmedia i Anglisë, në xhaminë Bejtul-Futuh të Londrës.
Në fjalimin e tij gjatë Simpoziumit, pritet që Shenjtëria e tij do të flasë rreth mësimeve të vërteta të Islamit për të dënuar të gjitha format e ekstremizmit dhe për t’iu përgjigjur pyetjes si mund të vendoset paqja e vërtetë dhe afatgjatë në botë.