Ai që vdes pa e njohur Imamin e kohës, pëson vdekje në injorancë
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics
imam mehdiu imami i kohes

Nevoja për Imamin

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Lavdia është e Allahut dhe selam qoftë mbi robërit e Tij të zgjedhur!

 Në një hadith autentik[1] pohohet qartë: Për atë që nuk e njeh Imamin e kohës së tij, vdekja do të jetë vdekje në injorancë. Mjafton ky hadith për një njeri që ka në zemër druajtje ndaj Zotit, që ta kërkojë Imamin e kohës, sepse vdekje në injorancë është mjerim aq i madh, saqë mbledh në vete çdo mëkat dhe çdo fatligësi. Andaj, bazuar në këtë porosi Profetike, është e domosdoshme për çdo kërkimtar të së vërtetës, të mbetet në kërkim të Imamit të vërtetë.

Jo çdokush që i vjen ëndërr a frymëzim, mund të jetë Imam i kohës

Nuk është e drejtë që kushdo, që sheh ndonjë ëndërr të vërtetë ose i hapet dera e komunikimit përmes frymëzimit,[2] të mund të emërohet me titullin “Imam”. Madje, të qenët Imam i përket një çështjeje më vete dhe një gjendjeje tjetër të përsosur, për shkak të së cilës, në qiell ai quhet Imam. Gjithashtu, është e qartë se vetëm për shkak të druajtjes ndaj Zotit dhe të pastërtisë shpirtërore, dikush nuk mund të quhet Imam.

Allahu i Madhërishëm na mëson lutjen:

وَٱجۡعَلۡنَا لِلۡمُتَّقِینَ إِمَامًا

“… dhe na bëj udhëheqës [imamë] të të devotshmëve![3]

Andaj, nëse çdo i devotshëm është Imam, të gjithë besimtarët e devotshëm do të bëhen Imamë. Dihet se nuk është ky qëllimi i këtij ajeti.

Po kështu, sipas fjalëve të Kuranit të Shenjtë, jo çdokush që i vjen frymëzimi, ose që sheh ëndrra të vërteta mund të jetë imam, sepse Kurani i Shenjtë ua jep këtë lajm të gëzuar edhe besimtarëve në përgjithësi, duke thënë:

لَهُمُ ٱلۡبُشۡرَىٰ فِی ٱلۡحَیَوٰةِ ٱلدُّنۡیَا

“Ata do të kenë lajmin e mirë në këtë botë”.[4]

Pra, thotë se besimtarët që në këtë botë do të gëzojnë bekimin që atyre shpesh do t’u dalin ëndrrat, ose do t’u vijnë shpallje të vërteta. Po kështu, në një vend tjetër në Kuranin e Shenjtë thuhet:

إِنَّ ٱلَّذِینَ قَالُوا۟ رَبُّنَا ٱللَّهُ ثُمَّ ٱسۡتَقَـٰمُوا۟ تَتَنَزَّلُ عَلَیۡهِمُ ٱلۡمَلَـٰۤىِٕكَةُ أَلَّا تَخَافُوا۟ وَلَا تَحۡزَنُوا۟

Pa dyshim, ata që besojnë në Allah dhe më pas tregojnë qëndrueshmëri, atyre u zbresin engjëjt, të cilët u shpallin lajme të gëzueshme dhe i qetësojnë.[5] Siç Allahu i Madhërishëm qetësoi nënën e Hazret Musait, paqja qoftë mbi të, duke i dërguar shpallje.

Megjithatë, Kurani i Shenjtë tregon që shpalljet ose ëndrrat e tilla janë një bekim shpirtëror për besimtarët në përgjithësi, qofshin burra a gra, dhe për shkak të këtyre shpalljeve, nuk mund të thuhet se ata të mos kenë më nevojë për Imamin e kohës. Shpalljet e tyre shpesh kanë të bëjnë me çështjet e tyre personale, të cilat nuk sjellin dije të mëdha dhe as nuk kanë peshë madhore. Shumë prej shpalljeve të tilla as nuk janë të besueshme, madje mund të shkaktojnë edhe devijimin nga rruga e drejtë. Pra, derisa njohuria shpirtërore nuk përcillet përmes udhëzimit të Imamit, njeriu nuk është i imunizuar në asnjë mënyrë ndaj rreziqeve të tilla.

Shembull për të mos harruar kurrë

Një shembull për sa më sipër gjendet që në periudhën e hershme të Islamit. Një shkruesi të Kuranit të Shenjtë, i cili, për shkak të faktit se ishte afër dritës Profetike, nganjëherë i vinin me shpallje edhe ato ajete të Kuranit, të cilat Imami, pra Profeti i Shenjtë s.a.v.s., bëhej gati t’ia diktonte atij. Një ditë, shkruesi në fjalë mendoi,– Ç’dallim ka mes meje dhe të Dërguarit të Allahut, për sa kohë që më shpallet edhe mua?! Ky mendim e shkatërroi. Madje thuhet se pasi vdiq, edhe varri e nxori përjashta. Njësoj siç u shkatërrua Bel’ami.

Nga ana tjetër, edhe Hazret Omerit, Allahu qoftë i kënaqur me të, i vinin shpallje, por ai e konsideronte veten të pavlerë. Nuk kishte ambicie për t’u barazuar me Imamin e vërtetë, të cilin Zoti i qiellit e kishte vendosur në tokë. Ai e quante veten një shërbëtor tejet të përulur. Për këtë arsye, edhe Zoti e bekoi atë duke e caktuar zëvendës të Imamit të vërtetë.

Po kështu, edhe Uvejs Kerniut i vinin shpallje. Por, ai ishte aq i përulur, saqë edhe të dilte përpara atij dielli të Profetërisë dhe të imamatit, e konsideronte mungesë respekti. Udhëheqësi ynë, Hazret Muhammed Mustafai, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, shpesh shikonte drejt Jemenit dhe thoshte:

أَجِدُ رِيحَ الرَّحْمَٰنِ مِنْ قِبَلِ الْيَمَنِ

Unë ndiej aromën e Zotit nga drejtimi i Jemenit. Kjo tregonte se tek Uvejsi kishte zbritur drita e Zotit.

Mjerisht, shumica e njerëzve të kësaj epoke nuk e kuptojnë nevojën për Imamin e vërtetë. Sapo shohin një ëndërr të vërtetë ose dëgjojnë ca fjalë frymëzuese, fillojnë të mbivlerësojnë veten, duke menduar se ata nuk kanë nevojë për Imamin e kohës. Nuk e kuptojnë se një mendim i tillë është mëkat i madh. Ka qenë vetë Profeti ynë i dashur, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, që ka përcaktuar nevojën për Imamin e kohës në krye të çdo shekulli. Gjithashtu, qartazi ka pohuar se ai, që paraqitet tek Allahu i Madhërishëm pa e njohur Imamin e kohës së tij, do të paraqitet i verbër dhe se vdekja e tij do të quhet vdekje në injorancë.

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. në këtë hadith nuk ka bërë përjashtim për asnjë ëndërrshikues a shpalljemarrës. Dhe kjo tregon qartazi për çdo ëndërrshikues a shpalljemarrës, që nuk është i lidhur me Imamin e kohës, fundi do të jetë tragjik, sepse hadithi në fjalë u drejtohet të gjithë besimtarëve dhe të gjithë muslimanëve dhe se në çdo epokë ka pasur dhe do të ketë mijëra ëndërrshikues dhe shpalljemarrës në radhët e muslimanëve. Madje, e vërteta është që në umetin e Profetit Muhammed s.a.v.s. mund të kenë qenë me miliona robër të Zotit, të cilët kanë marrë shpallje a frymëzime.

Reflektimi i dritës së Imamit të kohës

Përveç kësaj, Kurani dhe hadithi gjithashtu na tregojnë se besimtarit, të cilit i vjen një ëndërr e vërtetë apo ndonjë shpallje, i ndodh për shkak të reflektimit të dritës së Imamit të kohës, reflektim që ndriçon zemrat e përgatitura. Kur shfaqet Imami i një kohe të caktuar, bashkë me të zbresin dhe përhapen mijëra rreze drite. Qielli mbushet plot me hare. Me shpërndarjen e shpirtshmërisë dhe të dritës, potencialet e duhura gjallërohen. Andaj, ata që kanë kapacitetin për të marrë shpallje, fillojnë të përjetojnë një seri shpalljesh. Ata që kanë aftësinë për të kuptuar çështjet fetare përmes studimit dhe meditimit, ndiejnë t’u shtohet kjo dhunti. Ata që jepen pas adhurimit, përjetojnë kënaqësi në të, ndërsa ata që angazhohen në debate me popujt e tjerë, fitojnë fuqinë për të argumentuar dhe arritur në përfundime të sakta.

Të gjitha këto dhurata janë, në fakt, rezultati i shpërndarjes së shpirtshmërisë, që së bashku me Imamin e kohës, zbret prej qiellit në zemrat e çdokujt që është i përgatitur ta pranojë atë dritë. Ky është një ligj i përgjithshëm dhe praktikë e Zotit, të cilën e mësojmë nën udhëzimin e Kuranit të Shenjtë dhe të haditheve të sakta, po kështu edhe nga përvoja personale.

Megjithatë, epoka e Mesihut të Premtuar ka një veçanti që është më e madhe se ajo që u tha më sipër. Sipas librave të Profetëve të mëparshëm dhe haditheve Profetike, pohohet se në kohën e ardhjes së Mesihut të Premtuar, kjo shpërndarje e dritës do të jetë aq e madhe sa edhe grave do t’u vijnë shpallje, të miturit do të bëjnë profeci dhe njerëzit në përgjithësi do të flasin përmes Shpirtit të shenjtë.

E gjithë kjo do të ndodhte prej rrezatimit të shpirtshmërisë së Mesihut të Premtuar. Njësoj siç muri ndriçohet nga dielli. Nëse muri është i lyer me gëlqere, ndriçohet edhe më shumë. Më pas, nëse e vesh me xhama, i njëjti mur mund të rrezatojë aq shumë, saqë mund edhe të të verbojë ty. Megjithatë, muri nuk mund ta pretendojë këtë dritë si të tijën, sepse sapo të perëndojë dielli, muri nuk do të rrezatojë dot asnjë grimë dritë. Në të njëjtën mënyrë, të gjitha dritëzat e frymëzimeve, përhapen për shkak të rrezatimit të dritës së Imamit të kohës.

Për atë që dëgjon lajmin e ardhjes së Imamit të kohës, dhe nuk krijon lidhje me të

Ai që është i pastër shpirtërisht dhe që nuk është nën ndonjë sprovë prej Zotit, ose që nuk e ka fatin të ligë, e kupton shpejt këtë sekret. Kurse ai që, larg qoftë nuk e kupton këtë sekret qiellor dhe pavarësisht se e dëgjon lajmin e ardhjes së Imamit të kohës, nuk krijon lidhje me të, sillet sikur të mos ketë nevojë për Imamin e kohës. Kjo i shkakton mosnjohje. Mosnjohja i shkakton paragjykime. Paragjykimet i shkaktojnë armiqësi, prej së cilës i shkatërrohet tërësisht besimi. Allahu na ruajttë!

Sikurse ndodhi edhe në kohën e Profetit Muhammed s.a.v.s. me mijëra rabinë, që përjetonin zbulesa dhe vizione. Më pas përhapnin lajmin e gëzueshëm se së shpejti do të shfaqej Profeti i ditëve të mëvonshme. Kur nuk e pranuan Imamin e kohës, i cili ishte edhe Vula e Profetëve, rrufeja e zemërimit të Zotit i shkatërroi tërësisht rabinët, duke ua ndërprerë tërësisht lidhjet me Zotin e Plotfuqishëm. Nuk është e nevojshme të shkruajmë këtu gjithçka që ka thënë Kurani i Shenjtë në lidhje me ta. Këta ishin ata, për të cilët Kurani i Shenjtë thotë:

وَكَانُوا۟ مِن قَبۡلُ یَسۡتَفۡتِحُونَ

[“ … ndonëse deri më parë ata luteshin për ndihmë …”][6]

Kuptimi i këtij ajeti është që këta njerëz i luteshin Zotit të Madhërishëm që Ai t’i ndihmonte në besim, ndërsa ata përjetuan edhe shpallje dhe vizione. Edhe pse judenjtë, për shkak se nuk iu bindën Hazret Isait a.s., kanë qenë të përjashtuar nga bekimi Hyjnor, ata u liruan nga ky mëkat kur vetë feja e krishterë pësoi vdekje shpirtërore. Për shkak se filloi të adhuronte njeriun, pra krijesën e Zotit, atëherë kjo fe as nuk jepte më dritë dhe as nuk kishte më ndonjë vërtetësi.

Shkurt, ata nuk hynin në mëkat nëse nuk bëheshin të krishterë. Atëherë, Zoti u dha mundësinë që ata të kishin dritën shpirtërore edhe një herë. Për këtë arsye, shumë prej tyre përjetonin shpallje dhe vizione. Në radhët e rabinëve kishte syresh që ishin të ndershëm dhe të pastër shpirtërisht, të cilëve u vinin frymëzime, sipas të cilave Profeti i ditëve të vona dhe Imami i kohës do të lindte së shpejti. Për këtë arsye, disa prej tyre kishin ardhur në Arabi dhe ishin vendosur atje. Edhe fëmijët e tyre ishin në dijeni që së shpejti do të zinte fill një periudhë e re qiellore. Ky është edhe kuptimi i këtij ajeti:

یَعۡرِفُونَهُۥ كَمَا یَعۡرِفُونَ أَبۡنَاۤءَهُمۡۖ

“… e njohin këtë Profet ashtu siç i njohin bijtë e tyre.”[7]

Por, kur u shfaq ai Profet i premtuar, paqja qoftë mbi të, shumë prej këtyre rabinëve u shkatërruan për shkak të vetëpëlqimit dhe të urrejtjes. Iu nxinë zemrat. Megjithatë, disa fatlumë prej tyre u bënë muslimanë dhe Islami u solli mbarësi. Andaj, kjo pikë duhet të na bëjë që të kemi frikë nga Zoti dhe e them sërish që duhet të na bëjë të kemi shumë frikë nga Zoti. Lus Zotin që Ai të mos katandisë dikë në fatin e Bel’amit! O Zoti im! Ruaje këtë umet nga çdo e keqe dhe mbaje larg atë nga sytë e jehudive! Amin! Amin!

Këtu dua t’ju kujtoj edhe një gjë tjetër. Zoti i Madhërishëm i krijoi njerëzit në fise dhe kombe, me qëllim që të ngrihej një qytetërim dhe një sistem shoqëror, ku nëpërmjet kontaktit dhe marrëdhënieve të ndërsjella, njerëzit të kenë dhembshuri dhe të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin. Për këtë arsye, i njëjti Zot krijoi edhe zinxhirin e Profetëve dhe të Imamëve, në mënyrë që në umetin e Muhammedit, të krijohen lidhje shpirtërore. Pra, disa të bëhen ndërmjetës për disa të tjerë.


[1]

‏حَدَّثَنَا عَبْدُ الله‏ ‏حَدَّثَنَا أبي ‏حَدَّثَنَا ‏أَسْوَدُ بْنُ عَامِرٍ أنا‏ ‏ ‏أَبُو بَكْرٍ ‏ ‏عَنْ ‏ ‏عَاصِمٍ ‏ ‏عَنْ ‏ ‏أَبِي صَالِحٍ ‏ ‏عَنْ ‏ ‏مُعَاوِيَةَ ‏ ‏قَالَ ‏ ‏قَالَ رَسُولُ اللهِ ‏ ‏صَلَّى اللهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ: ‏ ‏مَنْ مَاتَ بِغَيْرِ إِمَامٍ مَاتَ مِيتَةً جَاهِلِيَّةً. صفحہ نمبر 96 جلد نمبر 4 مسند احمد و اخرجہ احمد والترمذی و ابن خزیمۃ و ابن حبان و صححہ من حدیث الحارث الاشعری بلفظ من مات و لیس علیہ امام جماعۃ فان موتتہ موتۃ جاھلیۃ۔ و رواہ الحاکم من حدیث بن عمرو من حدیث معاویۃ و رواہ البزّار من حدیث ابن عباس۔

Abdullahu na ka treguar nga babai i tij, ai nga Esved bin Amiri, ai nga Ebu Bekri, ai nga Asimi, ai nga Ebu Salihu dhe ai nga Muavija, se i Dërguari i Allahut, paqja qoftë mbi të, ka thënë: “Ai që vdes pa e njohur Imamin, pëson vdekje në injorancë.” faqe 96, vëll. 4 Musned Ahmedi. Ky [Hadith] është shënuar edhe nga Ahmedi, Tirmidhiu, Ibn-e-Khuzaimah dhe Ibni Habbani. El-Harith El-Eshari jep një version tjetër të këtij hadithi: “Ai që vdes pa [ndjekur] Imamin e një xhemati, pëson vdekje në injorancë.” Hakimi e transmeton këtë nga Ibni Amri, ai nga Muavija, ai nga Bezari dhe ai nga Ibni Abbasi. (Autori)

[2] Fjala arabe ilham, në këtë përkthim, është përkthyer si frymëzim ose shpallje. [Botuesi]
[3] Kurani i Shenjtë 25:75.
[4] Kurani i Shenjtë 10:65.
[5] “Pa dyshim, ata që thanë: “Zoti ynë është Allahu”, më pas treguan qëndrueshmëri, atyre u zbresin engjëjt (duke thënë): “Mos u frikësoni e mos u brengosni …” (Kurani i Shenjtë 41:31)
[6] Kurani i Shenjtë 2:90.
[7] Kurani i Shenjtë 2:147.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutem
Share via