Dashuria për Allahun dhe namazi në jetën e Mesihut të Premtuar a.s.
Dashuria për Allahun dhe namazi në jetën e Mesihut te Premtuar a.s.
(Hutbja e së xhumasë e Hazret Mirza Masrur Ahmedit, Kalif i Pestë i Xhematit Musliman Ahmedia, e mbajtur më 20.02.2026)
Me bekimin e Allahut, që dje filloi muaji i Ramazanit. Ky muaj i agjërimit është dhuratë e veçantë që Allahu i Madhërishëm na e ka dhënë për të forcuar lidhjen tonë me Të dhe për të përmirësuar gjendjen tonë shpirtërore. Allahu na dhëntë të gjithëve, veçanërisht çdo ahmediani, mundësinë që të përfitojë sa më shumë nga ky muaj!
Por duhet ta kemi gjithmonë parasysh se përfitimi i vërtetë arrihet vetëm atëherë kur, edhe pas Ramazanit, ne e ruajmë dhe e ngremë më tej nivelin e dashurisë ndaj Allahut dhe të adhurimit. Vetëm atëherë mund ta përmbushim qëllimin e krijimit tonë.
Siç kam përmendur në disa xhuma të kaluara, kam folur për dashurinë hyjnore të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., për mënyrën dhe standardin e adhurimit të Tij, si dhe për këshillat dhe udhëzimet që ai u dha besimtarëve për t’i zbatuar këto mësime. Më pas kam përmendur edhe ngjarje nga jeta e shërbyesit të tij besnik, që e ndoqi me vërtetësi shembullin e tij të bekuar.
Kjo temë vazhdon ende dhe, me rastin e Ramazanit, do të vazhdojë po në këtë drejtim. Sot, në lidhje me jetën e Hazret Mesihut të Premtuar a.s., do të përmend disa ngjarje që pasqyrojnë lidhjen e tij me Allahun dhe përkushtimin e tij në lutje.
Edhe kjo është një mirësi e veçantë e Allahut që na ka sjellë deri këtu, duke na bërë të përmendim shembujt e adhurimit dhe të dashurisë hyjnore të Prijësit e më pas edhe të shërbyesit të tij, pikërisht në prag të Ramazanit. Kështu na jepet mundësia që ta shqyrtojmë veten dhe ta përmirësojmë gjendjen tonë shpirtërore.
Prandaj, ngjarjet që kam përmendur dhe që do të përmend, secili prej nesh duhet t’i mbajë para syve për ta përmirësuar gjendjen e vet shpirtërore dhe për të bërë vetë-vlerësim. Duhet të përpiqemi që t’i zbatojmë ato mësime dhe ato vepra që ishin pjesë e mënyrës së adhurimit dhe e lidhjes me Allahun të Udhëheqësit tonë, Hazret Muhammed Mustafasë s.a.v.s., dhe të shërbyesit të tij besnik.
Mos të mjaftohemi vetëm duke i dëgjuar këto ngjarje dhe duke u kënaqur me to. Ato duhet të jenë udhërrëfyes për ne.
Një shkrim me sy të mbyllur, por me zemër të zgjuar
Në lidhje me këtë temë, paraqes një rrëfim të Hazret Mirza Bashir Ahmedit.
Ai ka shkruar një rrëfim të z. Molvi Muhammed Abdullah Batalvi, i cili ka thënë se rreth vitit 1907, njëherë znj. Ame-tur-Rahman, bija e të ndjerit Kadi Ziauddin, që ishte edhe e afërmja e tij nga ana e nënës, i kishte dhënë një copë letre që dukej si letër e zakonshme për hedhje. Mirëpo, pasi në atë letër kishte shkrime me dorën e Hazret Mesihut të Premtuar a.s. dhe të bashkëshortes së tij të nderuar, ai e ruajti me shumë dashuri si kujtim të bekuar.
Më vonë ajo letër humbi mes librave, por ai e mbante mend tekstin, sepse znj. Ame-tur-Rahman ia kishte treguar vetë ngjarjen që lidhej me të. Ai thotë:
Megjithëse letra humbi, unë e mbaj mend fjalë për fjalë tekstin dhe jam i sigurt se po të gjendej sot, pikërisht ato fjalë do të ishin të shkruara. Ato fjalë dhe ajo ngjarje rrezaton lidhjen e Hazret Mesihut të Premtuar a.s. me Allahun, druajtjen e Tij ndaj Allahut, pastërtinë e tij shpirtërore, dhe dashurinë e tij për ibadet. Për këtë arsye, e shoh të nevojshme t’jua përcjell këtë.
Znj. Ame-tur-Rahman jetonte në shtëpinë e Hazret Mesihut të Premtuar a.s.. Ajo më tregoi vetë se një ditë Hazret Mesihu i Premtuar a.s. dhe bashëshortja e tij e nderuar, deshën të provonin nëse mund të shkruhej mbi letër me sy të mbyllur.
Në atë atmosferë të thjeshtë familjare, bashkëshortët morën një copë letre dhe Hazret Mesihu i Premtuar a.s., me sy të mbyllur, shkroi një fjali që unë e mbaj mend fjalë për fjalë, pavarësisht se e kam humbur letrën. Mund ta them me siguri të plotë se nëse do ta gjesh letrën në të ardhmen, këtë fjali do ta ketë ajo. Fjalia që kishte shkruar Hazret Mesihu i Premtuar a.s. symbyllur ishte kjo:
“Njeriu duhet që në çdo kohë t’i frikësohet Allahut të Madhërishëm dhe pesë herë në ditë të lutet para Tij.”
Ky është ai standard që ai ua ka këshilluar gjithmonë ndjekësve të tij. Ai gjithmonë dëshironte që ndjekësit e tij, madje çdo besimtar i vërtetë, të kishte frikë nga Allahu dhe të ishte i përkushtuar në adhurim.
Në të njëjtën letër kishte edhe shkrim nga bashkëshortja e tij e nderuar, që ishte i natyrës familjare. Ajo kishte shkruar me fjalë të thjeshta:
“Mahmudi është djali im i dashur, askush të mos i thotë asgjë.”
Dhe në një fjali tjetër, për një nga fëmijët:
“Mubarak Ahmedi kërkon biskota.”
Pra, ishin dy shkrime: njëri me përmbajtje të thellë shpirtërore dhe tjetri me përmbajtje familjare.
Ai që e rrëfen thotë se, megjithëse shkrimi i Hazret Mesihut të Premtuar a.s. ishte i lëkundur për shkak se ishte bërë me sy të mbyllur, ai ishte i qartë dhe i lexueshëm. Madje, vijat ishin të drejta, ashtu si në shkrimet e zakonshme, pavarësisht se e kishte shkruar symbyllur. Ndërsa shkrimi i bashkëshortes së tij të nderuar kishte dalë nga rreshta.
Por pika kryesore, që e mbushte me kënaqësi atë që e tregonte, ishte kjo: edhe në një moment të befasishëm, në një mjedis familjar, kur pa menduar duhej të shkruante diçka me sy të mbyllur, Hazret Mesihut të Premtuar a.s. nuk i erdhën në mend fjalë të tjera, përveç fjalëve këshilluese dhe shpirtërore.
Ndërsa shkrimi i bashkëshortes së tij të nderuar ishte në përputhje me mjedisin familjar, gjë që është e natyrshme.
Ai thekson se ky është dallimi mes të dërguarve të caktuar nga Allahu dhe njerëzve të zakonshëm. Zemra e tij ishte e mbushur me dhimbjen se si t’i afronte njerëzit me Allahun dhe si të zgjonte tek ata dashurinë për ibadet.
Kjo është një ngjarje e thjeshtë shtëpiake, por me një mësim shumë të thellë.
Adhurimi dyzetditor në Hoshiarpur dhe Profecia për Birin e Premtuar (1886)
Po ashtu, Hazret Mirza Bashir Ahmed ka përmendur edhe një ngjarje tjetër.
Mian Abdullah Sanori rrëfen:
Në vitin 1884, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. vendosi të largohej nga Kadijani për një kohë të shkurtër në vetmi (ibadet dyzetditor) dhe njëkohësisht të bënte edhe një udhëtim në Indi. Fillimisht kishte menduar të shkonte në Soxhanpur, në rrethin e Gurdaspurit, për të qëndruar në vetmi. Për këtë qëllim, ai i dërgoi Mian Abdullahut një kartolinë të shkruar me dorën e vet.
Mian Abdullah thotë:
I kërkova Huzurit që të më merrte edhe mua në këtë udhëtim. Huzuri ma pranoi kërkesën. Mirëpo, më pas atij iu shpall se:
“Zgjidhja e çështjeve të tua do të jetë në Hoshiarpur”.
Prandaj hoqi dorë nga Soxhanpuri dhe vendosi të shkonte në Hoshiarpur.
Në janar të vitit 1886, para nisjes, ai më thirri, në Kadian (thotë Mian Abdullahun) dhe i shkroi gjithashtu Shejh Mehr Aliut, kryetar në Hoshiarpur, duke i kërkuar të siguronte një shtëpi në skaj të qytetit, që të jetë, dykatëshe dhe të jetë e veçuar. Shejh Mehr Ali liroi një shtëpi të tijën, e njohur me emrin “Tevelë”.
Hazret Mesihu i Premtuar a.s. u nis me një karrocë të vogël që tërhiqej nga qetë përgjatë rrugës së lumit Beas. Mian Abdullah thotë:
“Isha unë, ishte Shejh Hamid Ali dhe Fateh Khani që vinte nga Rasul Pur, rreth Tanda, rrethi Hoshiarpur. Fateh Khan ishte shumë i përkushtuar ndaj Hazret Mesihut të Premtuar a.s., por më vonë, për fat të keq, nën ndikimin e Molvi Muhammed Husein Batalviut, u bë renegat” (pra u largua nga xhemati).
Kur arritën te lumi, morën një varkë për ta kaluar. Gjatë lundrimit, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. iu drejtua Mian Abdullahut dhe tha:
“Mian Abdullah, të shoqërohesh me mësuesin shpirtëror është si ky udhëtim në lumë, ku ka shpresë për të kaluar në breg, por ka edhe rrezik për t’u mbytur.”
(Dmth.) ai që rri në shoqërinë e një njeriu të përkryer, të një të dashuri të Allahut, mund ta ketë përfundimin në dy mënyra: ose kalon në breg, ose mund edhe të mbytet, siç po udhëtojmë ne me varkë në lumë; kjo varkë mund edhe të na fundosë.
Mian Abdullah thotë: Unë e dëgjova këtë fjalë të Mesihut të Premtuar a.s. sipërfaqësisht, por kur Fateh Khan u largua nga xhemati, m’u kujtua fjala e tij.
Sidoqoftë, ai thotë: Ne, duke qëndruar në fshatin e Fateh Khanit gjatë rrugës, të nesërmen arritëm në Hoshiarpur. Sapo shkuam atje, Huzuri qëndroi në katin e sipërm të “Tevelës”. Dhe me qëllim që të mos kishim asnjë grindje mes nesh, ai na caktoi nga një punë të veçantë secilit prej nesh të treve.
Puna ime ishte të gatuaja. Detyra e Fateh Khanit u caktua që të sillte nga tregu furnizimet e tjera. Puna e Shejh Hamid Aliut u caktua që të merrej me punët e pjesës së sipërme të shtëpisë dhe me mikpritjen e atyre që vinin e shkonin.
Pas kësaj, Hazret Mesihu i Premtuar a.s., nëpërmjet njoftimeve të shkruara me dorë, lajmëroi se për dyzet ditë askush të mos vinte ta takonte dhe askush të mos e ftonte për drekë. Pas kalimit të këtyre dyzet ditëve, ai do të qëndronte edhe njëzet ditë të tjera.Në këto njëzet ditë, ata që duan të takohen, le të takohen; ata që duan të bëjnë ftesë, mund të bëjnë ftesë; dhe ata që duan të bëjnë pyetje e përgjigje, le t’i bëjnë.
Huzuri na urdhëroi edhe neve që zinxhiri i brendshëm i hyrjes të qëndronte gjithmonë i mbyllur (dmth. dera të ishte e mbyllur nga brenda). Dhe se askush në shtëpi të mos më thërrasë mua. Nëse unë thërras dikë, ai të përgjigjet vetëm aq sa është e domosdoshme.Dhe askush të mos vijë lart, në katin e sipërm, tek unë.
Sidoqoftë, Mesihu i Premtuar a.s. na porositi duke thënë:
Ushqimi im të sillet lart, por të mos pritet që ta ha unë. Enët bosh t’i merrni herën tjetër.Namazin do ta fal lart, veç për vete, sepse jam duke bërë ibadet dyzetditor, prandaj do ta fal namazin lart; ndërsa ju faluni poshtë.
Për xhumanë ai tha, sidoqoftë, se xhumaja është e domosdoshme, prandaj kërkoni një xhami të braktisur diku, në një anë të qytetit, ku të mund ta falim namazin në vetmi.
Prandaj jashtë qytetit ishte një pemishte. Në të kishte një xhami të vogël të braktisur; aty, në ditën e xhuma, Huzuri shkonte dhe na e falte namazin, dhe edhe hutben e mbante vetë.
Mian Abdullah thotë:
Unë shkoja lart për të lënë ushqimin dhe nuk i flisja Huzurit asgjë, por nganjëherë ai vetë më fliste dhe atëherë unë i përgjigjesha. Një herë Huzuri më tha:
“Mian Abdullah, në këto ditë, mbi mua janë hapur dyer shumë të mëdha të mirësisë së Allahut, dhe nganjëherë Allahu i Madhërishëm flet me mua për një kohë të gjatë.Po të shkruheshin këto ngjarje, do të bëheshin shumë fletë.”
Mian Abdullahu thotë:
Shpalljet për “Birin e Premtuar” kishin ndodhur pikërisht në këtë ibadet dyzetditor, dhe pas kësaj, po nga Hoshiarpuri, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. e shpalli këtë profeci. Këtë publikim e bëri më 20 shkurt të vitit 1886, që në xhemat njihet edhe me emrin “Profecia e Musleh Maudit” (e Birit të Premtuar).
Edhe kjo është një rastësi e veçantë që sot është 20 shkurt dhe është edhe dita kur profecia e Birit të Premtuar u përmbush me madhështi. Ai Biri i Premtuar, që lindi sipas profecisë, Kalifati i tij u vendos për pesëdhjetë e dy vjet dhe Allahu i Madhërishëm e nderoi me suksese. Të gjitha profecitë, shpalljet dhe fjalët që ishin në profecinë e Musleh Maudit, u përmbushën te Hazret Mirza Bashiruddin Mahmud Ahmed r.a.
Dhe unë e përmend këtë “përkim” vetëm sepse kjo ngjarje m’u paraqit sot para syve; përndryshe, mund të vinte edhe më herët ose më vonë. Por Allahu i Madhërishëm kishte urtësi që të vinte pikërisht sot dhe unë ta përmendja.
Me rastin e 20 shkurtit, që është dita e profecisë së Musleh Maudit, kjo ngjarje na shpjegon këtshtu edhe prapaskenën e kësaj profecie: se si ai shkoi për dyzetat dhe si iu dhanë atje lajme të mira.
Edhe tubime për këtë po mbahen këto ditë në xhemat. Mund të mësoni detajet e kësaj profecie edhe prej atje. Në MTA po transmetohen programe, prej tyre gjithashtu mund të mësoni. Duhet t’i ndiqni këto programe.
Sidoqoftë, rrëfimtari thotë: Kur kaluan dyzet ditë, atëherë, sipas njoftimit, Huzuri qëndroi edhe njëzet ditë të tjera atje. Në ato ditë shumë njerëz bënë ftesa, shumë njerëz erdhën për shkëmbim mendimesh fetare, dhe prej jashtë erdhën si mysafirë edhe njerëz që e kishin njohur më herët.
Po në ato ditë ndodhi edhe debati i Huzurit me Murli Dharin, që është botuar në formë libri të titulluar “Surma Chashm-e-Arya”.
Kur u plotësua afati dy-mujor, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. u nis prapë për në Kadijan me të njëjtën rrugë.
Përmendet edhe një ngjarje e këtij udhëtimi. Thotë:
Pesë milje larg Hoshiarpurit është varri i një njeriu të shenjtë, ku ka një permishte të quajtur “Salga”. Kur arritën atje, Huzuri zbriti nga karroca për pak kohë dhe tha:
“Ky është një vend i këndshëm me hije. Le të ndalemi këtu pak.”
Pas kësaj, Huzuri shkoi drejt varrit, dhe thuhej se ishte varri i ndonjë njeriu të shenjtë.Mian Abdullah thotë: Unë shkova pas tij, ndërsa Shejh Hamid Ali dhe Fateh Khan mbetën te karroca. Huzuri arriti te mauzoleumi, hapi derën, hyri brenda, qëndroi te koka e varrit, ngriti duart për lutje dhe u lut për pak kohë.
Pastaj u kthye dhe, duke më folur mua, tha:
“Kur ngrita duart për lutje, ai njeriu i shenjtë, varri i të cilit është ky, doli nga varri dhe u ul përpara meje në gjunjë. Po të mos ishe ti me mua, do të flisja edhe me të. Sytë i ka të mëdhenj dhe ngjyrën e fytyrës e ka të murrme.”
Pastaj Huzuri më tha:
“Shiko, nëse këtu ka ndonjë shërbyes të varrit, pyete për gjendjen e këtij që është varrosur këtu.” Kur shërbyesi i varrit mbërriti, Huzuri e pyeti për varrin.
Ai tha: “Unë nuk e kam parë vetë, sepse nga vdekja e tij kanë kaluar afërsisht njëqind vjet. Po, nga baballarët dhe gjyshërit kam dëgjuar se ai ishte një njeri i mirë i kësaj zone dhe kishte shumë ndikim në këtë krahinë.”
Huzuri e pyeti: “Si ishte pamja e tij?”
Ai u përgjigj: “Kam dëgjuar se e kishte ngjyrën të murrme dhe sytë shumë të mëdhenj.”
Pastaj ne u nisëm prej andej dhe arritëm në Kadijan.
Pra, Ai shërbyes e përshkroi pikërisht të njëjtën pamje që kishte treguar Hazret Mesihu i Premtuar a.s., se ai njeri kishte ardhur dhe ishte ulur përpara tij.
Disa njerëz pyesin nëse mundet komunikimi me të vdekurit. Allahu i Madhërishëm mund të mundësojë njerëz të mirë, të dashur të Allahut dhe Profetët e tij me këtë mundësi, pra të komunikojnë me të vdekurit, madje edhe t’i shikojnë ata. Por këto janë me lejen e Allahut të Madhërishëm.
Sidoqoftë, ky udhëtim përfundoi dhe ata arritën në Kadijan.
Hazret Mirza Bashir Ahmed thotë se unë e pyeta Mian Abdullahun për këtë udhëtim:
“Çfarë bënte Huzuri gjatë asaj kohe vetmie dhe si adhuronte?”
Hazret Mian Abdullah u përgjigj: “Këtë ne nuk e dimë, sepse ai rrinte lart në katin e sipërm dhe ne kishim urdhër të mos ngjiteshim lart. Kur ngjiteshim për ushqim e gjëra të tilla, shkonim me leje.”
Mian Abdullah thotë:
Një ditë, kur shkova lart për të lënë ushqimin, Huzuri tha: “Allahu më dërgoi shpallje duke thënë:
بُورِكَ مَنْ فِيهَا وَمَنْ حَوْلَهَا
(“I bekuar është ai që ndodhet këtu dhe ata që janë përreth”)
Huzuri e shpjegoi se me fjalët “këtu” më referohen mua (pra, Hazret Mesihut të Premtuar a.s.), ndërsa fjalët “ata që janë përreth” ju referohen juve, që jeni me mua.
Mian Abdullah thotë:
Unë rrija gjithë ditën në shtëpi; vetëm ditën e xhumasë dilja jashtë me Huzurin; edhe Shejh Hamid Ali shpesh rrinte në shtëpi; por Fateh Khani shpesh rrinte gjithë ditën jashtë. Dhe me shumë gjasë, në kohën e kësaj shpalljeje, edhe ai ishte jashtë.Ky është mendimi i Hazret Mirza Bashir Ahmedit.
Mian Abdullah thoshte:
Në ato ditë Fateh Khani ishte aq i përkushtuar ndaj Hazret Mesihut të Premtuar a.s., sa duke folur me ne thoshte: “Unë Huzurin e konsideroj profet.” Dhe unë, duke u mbështetur në bindjen e njohur të mëparshme, frikësohesha: si mund të vijë profet.Por Fateh Khani në atë kohë besonte aq shumë te Mesihu i Premtuar, sa e quante profet që atëherë, kur vetë Mesihu i Prmetuar ende nuk kishte marrë bejat, as kishte bërë ndonjë deklaratë të tillë. Sepse bejati do të bëhej tre a katër vite më vonë.
Por kur ai ra në sprovë, u bë renegat.
Prandaj njeriu duhet gjithmonë të vazhdojë të lutet për përfundim të mirë dhe të përpiqet për forcimin e besimit të tij. Dhe për këtë duhet të lutet. Dhe sidomos në lutjet që do të bëjmë në Ramazan, secili duhet ta bëjë edhe këtë lutje: që Allahu i Madhërishëm të na japë përfundim të mirë dhe të na mbajë të palëkundur në besim.
“Nëse do të zbuloja pak prej tyre…” – Thellësia e bisedës me Allahun
Mian Abdullah ka treguar gjithashtu:
Njëherë, kur shkova për të lënë ushqimin, Huzuri më tha:
“Allahu më drejtohet në këtë mënyrë dhe flet me mua në këtë mënyrë, saqë po të zbuloja qoftë edhe pak prej tyre, të gjithë këta që duken si besimtarë do të largoheshin.”
Dhe në të vërtetë ndodhi kështu: kur ai shpalli deklaratën, disa njerëz u larguan dhe iu bënë kundërshtarë, sepse nuk mund ta përfytyronin që Allahu i Madhërishëm mund të komunikojë në atë mënyrë.
Si falej Hazret Mesihu i Premtuar a.s.?
Po ashtu, ekziston një ngjarje tjetër lidhur me mënyrën se si Huzuri falej. Disa njerëz diskutojnë për çështje të fikhut rreth namazit: si duhet të lidhim duart dhe si duhet të jenë lëvizjet e ndryshme të namazit, etj..
Në lidhje me këtë, si bënte ibadet Hazret Mesihu i Premtuar a.s. dhe si e falte namazin, është transmetuar një ngjarje nga Mian Ali Muhammed. Ai thotë:
“Njëherë e pashë Huzurin duke falur sunetet.” Ai po falte sunetet para farzit. “Huzuri i kishte lidhur duart mbi kërthizë. Gishti i mesëm i dorës së djathtë arrinte deri te bërryli, madje pak më poshtë. Kur bënte sexhde, ai e vendoste ballin dhe hundën në tokë mes dy duarve, dhe gishtat i kishte të drejtuar nga Qabja. Duart i mbante drejt.
Kur ngrihej nga sexhdeja, për shkak se çallma e tij e bekuar ishte e lirshme dhe zhvendosej prapa, ai e drejtonte me gisht.
Këto sunete Huzuri i fali në xhaminë Aksa (në Kadijan), në jug të varrit të babait të tij. Pastaj filloi namazi farz, të cilin e udhëhoqi Hazret Molvi Nuruddini.
Përsëriste shpesh “Ihdina’s-sirata’l-mustekim”
Hazret Muhammed Xhemili thotë:
“Kur për herë të parë shpërtheu murtaja dhe Huzuri u vendos në pemishte me gjithë familjen e tij (sepse për shkak të murtajës vendet e hapura konsideroheshin më të sigurta), ne bënim roje natën. Gjatë rojes së natës, kur kalonim pranë çadrës së Huzurit, e shihnim të angazhuar në namaz. Allahu e di kur flinte ai.”
“Po ashtu, Hazret Chaudhry Bhai Abdurrahmani tregon se Huzuri e falte namazin e tehexhudit me shumë përulësi. Zëri i tij dëgjohej edhe në dhomën përballë xhamisë së vogël. Ishte zakon i tij që ta përsëriste shpesh “Ihdina’s-sirata’l-mustekim”.”
Prandaj edhe ne duhet ta përsërisim këtë lutje, që Allahu të na mbajë gjithmonë në rrugë të drejtë.
Tehexhudi, një përvojë personale
Hazret Master Nazir Husejni përshkruan gjendjen e tehexhudit të Hazret Mesihut të Premtuar a.s. duke thënë:
“Njëherë, gjatë udhëtimit për në Xhehlëm, ne qëndruam në Lahore, në shtëpinë e gjyshit tim, Mian Xhelaludin. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. e kaloi natën atje. Në një dhomë u përgatit vendi për të fjetur. Unë qëndrova jashtë, në verandë, pranë derës.
Rreth orës tre të mëngjesit, kur u zgjova dhe pashë brenda, Huzuri po falte namaz.Edhe unë mora abdes dhe fillova të falesha pas tij në një farë largësie. U përpoqa shumë që ta mbaja qëndrimin, rukunë dhe sexhden si ai, por nuk munda. Vetëm pas dy rekateve u lodha shumë, ndërsa Huzuri ende ishte në të njëjtin rekat në të cilin unë isha bashkuar.”
Ai ishte ende në qëndrim (kijam), kurse rrëfimtari u lodh aq shumë sa vazhdoi namazin e tij veçmas.
Ky ishte një shembull i adhurimit të Hazret Mesihut të Premtuar a.s., që është në ndjekje të Prijësit të tij, Profetit Muhammed s.a.v.s. dhe një përpjekje për ta kryer me të vërtetë hakun e adhurimit të Allahut. Sidoqoftë, rrëfimtari vijon:
“Gjatë ditës, kur ne ishim ulur rreth Huzurit dhe ai po e nxiste xhematin për tehexhud, unë pyeta: “Nëse nuk mund të falim tehexhud, çfarë duhet të bëjmë të paktën?”
Huzuri tha:
“Në atë kohë bëni shumë istigfar dhe bëni shumë tesbih dhe lavdëroni shumë Allahun. Me këtë metodë, do të fitoni mundësinë për të falur edhe tehexhud.”
Këto lutje nuk janë zëvendësim i tehexhudit, por mjet për ta fituar mundësinë e tij.
Hazret Mirza Bashir Ahmed ka shkruar gjithashtu se kur ndihet i pakujdesshëm në tehexhud, ai vepron sipas këtij udhëzimi dhe Allahu më jep mundësinë për tehexhud. Këtë e thotë ose Hazret Mirza Beshir Ahmedi, ose rrëfimtari.
Prandaj kjo është receta që duhet ta zbatojmë edhe ne në ditët e plogështisë.
Tani jemi në Ramazan dhe arrijmë deri diku të falim tehexhud. Nëse nuk e arrini, duhet të përpiqeni. Edhe pse falet namazi i teravive në xhami dhe ai është njëfarë zëvendësimi për të dobëtit dhe të sëmurët, ai nuk e përmbush plotësisht hakun e tehexhudit. Praktika e të Dërguarit s.a.v.s. dhe mënyra e shërbyesit të tij besnik është që të ngrihemi natën për tehexhud.
Prandaj, edhe nëse kemi falur teravih, duhet të përpiqemi që të falim tehexhud, qotë dy apo katër rekate.
Ibadet edhe gjatë shëtitjes
Po kështu, Hazret Hajrudini tregon:
Njëherë, në pranverë, rreth orës tetë të mëngjesit, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. doli për shëtitje nga Kadijani, në rrugën mes Xhuhejnit dhe Kadrabadit, e cila njihet edhe si “rruga”. Kur arriti në kufirin e Kadijanit, ai fali dy rekate nafile. Pastaj, duke kaluar pranë fshatit tonë, u kthye në Kadijan.”
Pra, edhe gjatë shëtitjes ai kishte në mend ibadetin.
Kështu që, ata që jetojnë në Kadijan duhet të kenë parasysh se Huzuri fali namazet nafile si brenda Kadijanit, ashtu edhe në kufijtë e tij, andaj ta ruajnë shenjtërinë e tij dhe, duke e respektuar të drejtën e kësaj qyteze, ta ngrenë nivelin e ibadetit të tyre.
Gjithmonë me abdes
Hazret Malik Niaz Muhammedi thotë:
“Në vitin 1904, kur shkova në Kadijan, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. udhëtonte për çështjen gjyqësore të Karam Din në Gurdaspur. Ai qëndronte pranë një pellgu, në një shtëpi, ku qëndronin edhe anëtarët e xhematit. Kuzhina (langerkhana) po funksiononte po aty. Në gjykatë pashë se për Huzurin shtrohej një rrogoz dhe ai ulej mbi të, dhe edhe të tjerët uleshin aty.”
Ishte një rrogoz i madh mbi të cilin të gjithë mund të uleshin.
“Një gjë që vura re ishte se ai qëndronte gjithmonë me abdes. Sa herë që shkonte qoftë për nevojë të vogël, pas kthimit merrte abdes. Kështu u binda se ai ishte gjithmonë me abdes. Ai vazhdimisht, me zë shumë të qetë thoshte:
“SubhanAllahi ve bihamdihi, SubhanAllahi’l-adhim.”
Gjithmonë i pari në xhami
Hazret Chaudhry Bhai Abdurrahim tregon:
“Në ditët e para Huzuri e kishte shprehi që të vinte zakonisht i pari në xhami për namaz.Një herë u përpoqa të arrija i pari, por Huzuri tashmë ishte atje.”
Hazret Mesihu i Premtuar a.s. kaloi rreth shtatë vjet të rinisë së tij në qytetin Sialkot. Edhe atje, në jetën e tij të përditshme, dashuria për Allahun ishte cilësia më e spikatur.Kushdo që e ka përshkruar atë periudhë, ka përmendur veçanërisht vetminë e tij, dhe përqendrimin e thellë në namaz dhe lexim të Kuranit.
Në lidhje me këtë, do të paraqes edhe dëshmi të disa personave të shquar, të cilët konsideroheshin si burra të nderuar në Sialkot.
Dëshmitë e kundërshtarëve për jetën e Mesihut të Premtuar a.s.
Hakim Badr Husain jep një dëshmi. Megjithëse pasi Mesihu i Premtuar a.s. deklaroi se ishte i caktuar nga Allahu, ai u rreshtua në vijat e para të kundërshtarëve të Xhematit Ahmedia dhe madje ngriti kundërshtime armiqësore ndaj disa ngjarjeve të jetës së tij në formën e një romani.
Megjithatë, edhe në mes të këtij kundërshtimi, ai nuk mundi ta harronte kujtimin e pastër të qëndrimit të Mesihut të Premtuar a.s. në Sialkot. Kështu, ai shkruan për Mesihun e Premtuar a.s.:
“Ai kishte një paraqitje dinjitoze, një fytyrë të besueshme, personalitet fisnik, durim të madh dhe mendime të larta, dhe unë nuk e konsideroj askënd të barabartë me të në vendosmërinë e lartë. Sapo hyri (duke iu referuar dhomës ku po rrëfehej kjo ngjarje),kërkoi ujë për të marrë abdes; pasi e përfundoi, fali namazin e akshamit. Pas leximeve dhe lutjeve të caktuara, u angazhua në përmendjen e Allahut.”
Pastaj, babai i nderuar i udhëheqësit të famshëm mysliman Maulvi Zafar Ali Khan– domethënë i ndjeri Munshi Siraxhdin, redaktor i gazetës “Zamindar”, deklaroi:
“Rreth vitit 1860 ose 1861, Hazret Mirza Ghulam Ahmed shërbente si nëpunës në rrethin e Sialkotit. Në atë kohë ai do të ketë qenë rreth njëzet e dy ose njëzet e tre vjeç. Nga vëzhgimi ynë i drejtpërdrejtë, ne mund të dëshmojmë se edhe në rininë e tij ai ishte një burrë jashtëzakonisht i drejtë dhe i devotshëm. Pas përfundimit të detyrave zyrtare,e gjithë koha e tij i kushtohej studimit të çështjeve fetare, dhe kishte pak ndërveprim me publikun.”
Një herë Hazret Sheikh Yakub Ali Irfani u takua me Sejid Mir Hasan në Sialkot, të cilin e përmenda edhe në hytben e mëparshme. Ai foli me lot në sy dhe me emocion të thellë, tha:
“Ah, ne nuk e vlerësuam atë. Nuk mund t’i përshkruaj përsosmëritë e tij shpirtërore. Jeta e tij nuk ishte e një njeriu të zakonshëm; përkundrazi, ai ishte ndër ata shërbëtorë të veçantë të Allahut që shfaqen rrallë në këtë botë.”
Drita hyjnore që e njohu edhe një fshatar i thjeshtë
Ka edhe një ngjarje që përfshin një fshatar të thjeshtë, që tregon se edhe ai e njohu dritën e Mesihut të Premtuar a.s.. Fytyrat e atyre që janë të dashur dhe të zgjedhur nga Allahu shkëlqejnë me dritë hyjnore.
Hazret Mirza Bashir Ahmedi shkruan:
“Nëna ime e nderuar tregoi se Mesihu i Premtuar a.s. një herë i kishte thënë se në një rast, ai po udhëtonte drejt stacionit malor Dalhousie për një çështje gjyqësore, kur gjatë rrugës filloi të binte shi. Ai dhe shoku i tij zbritën nga karroca dhe shkuan drejt shtëpisë së një burri që jetonte në kodër pranë rrugës. Shoku i tij shkoi përpara dhe kërkoi leje nga pronari për të hyrë, por pronari refuzoi.
(Ndoshta ishte një dhomë e vogël, siç janë zakonisht shtëpitë e të varfërve).
Mes tyre shpërtheu një debat, dhe pronari u zemërua e filloi të thoshte fjalë të pahijshme. Kur ai këmbëngulte për të hyrë dhe pronari refuzonte, shkëmbimi u ashpërsua.
Mesihu i Premtuar a.s. tha:
“Duke dëgjuar këtë grindje, unë dola përpara, dhe në momentin që sytë e pronarit u ndeshën me të mitë, para se të flisja, ai uli kokën dhe tha:
“Në të vërtetë, kam një vajzë të re, prandaj nuk lejoj të huaj në shtëpi. Por ju mund të hyni pa firkë.”
Mesihu i Premtuar a.s. thoshte:
“Ai ishte një i huaj i plotë. Nuk më njihte mua dhe as unë nuk e njihja atë.”
Megjithatë, kjo ishte në të vërtetë drita hyjnore – një shenjë fisnikërie dhe adhurimi – që ai e pa në fytyrën e Mesihut të Premtuar. Prandaj ai tha: “Mirë, mund të hyni.”
Përparësia ndaj namazit, edhe në mes të gjyqeve
Qenia e Allahut të Madhërishëm ishte gjithmonë në mendjen e tij. Asnjë angazhim apo detyrim nuk e largonte nga përmendja e Allahut. Kështu ndodhte edhe gjatë çështjeve gjyqësore. Kam treguar më parë një ngjarje se në kohë kaq delikate, kur në mes të një seance gjyqësore, ruajtja e namazit është çështje e vështirë. Megjithatë, ai kishte aq shumë bindje në dashurinë ndaj Allahut dhe ishte aq i zhytur në Të, saqë edhe pse çështja e tij po paraqitej para gjykatës – dhe mund të thirrej në çdo moment – zyrtari i gjykatës mund ta thërriste në çdo kohë, por sapo vinte koha e namazit, ai linte thirrjen e gjykatës tokësore dhe, pa u shqetësuar aspak për ndonjë humbje që mund të vinte nga mungesa e tij, i përgjigjej thirrjes së Gjykatës hyjnore dhe paraqitej para Allahut të Madhërishëm.
Kjo është çështja themelore që të gjithë duhet ta dimë: kur është koha e namazit, ai duhet të ketë përparësi në çdo rrethanë. Ky është shembulli dhe modeli që është shenjë dalluese e një besimtari të vërtetë. Ai e mësoi këtë nga Udhëheqësi i tij s.a.v.s., veproi sipas tij dhe e vendosi këtë model para nesh.
Zemra e lidhur me të Dashurin, edhe në mes të botës
Hazret Sheikh Jakub Ali Irfani r.a. e ka përshkruar këtë gjendje në mënyrë shumë të bukur. Ai shkruan:
“Seria e çështjeve gjyqësore ishte shumë e gjatë dhe, në disa raste, ai madje duhej t’i çonte ato deri në Gjykatën e Apelit.”
Ai vazhdon:
“Çështja ndaj së cilës dua të tërheq vëmendjen e lexuesve, duke i njohur me këtë pjesë të jetës së Hazret Mirza Sahib (Mesihut të Premtuar a.s.), është lidhja e tij me Allahun. Ata që patën mundësi të qëndronin në shoqërinë e tij dhe të dëgjonin fjalët e tij, ose që kanë lexuar fjalimet e tij të botuara, e dinë se Mesihu i Premtuar a.s. ishte mishërimi i thënies:
‘Edhe pse i angazhuar në punë të tjera, zemra e tij mbetej e angazhuar me të Dashurin’,domethënë ai qëndronte i përfshirë në përmendjen e Allahut – dhe këtë udhëzim ai e jepte gjithmonë.”
Ai vazhdon:
“Në çështjet gjyqësore zakonisht vërehet se, qoftë paditësi apo i padituri, të dy mbeten në gjendje ankthi dhe shqetësimi. Por kur Mesihu i Premtuar a.s. paraqitej për një çështje,nuk kishte asnjë shenjë shqetësimi apo ankthi në sjelljen e tij. Me qëndrueshmëri dhe dinjitet të plotë, zemra e tij mbetej e kthyer drejt të Dashurit, (Allahut).
Edhe pse ai duhej t’i ndiqte këto çështje vetëm për t’iu bindur urdhrit të babait të tijdhe për të përmbushur detyrën ndaj tij, gjatë gjithë kësaj periudhe ai asnjëherë nuk e la namazin, as nuk u bë i pakujdesshëm ndaj detyrimeve që lidhen me të drejtat e Allahut të Madhërishëm.
Edhe brenda gjykatës, në kohën e namazit, ai angazhohej në namaz sikur të mos kishte asnjë punë tjetër.”
Ai ka regjistruar edhe raste kur gjykata bënte thirrje për të, por ai nuk shqetësohej.
Ai shton:
“Edhe gjatë këtyre udhëtimeve të lidhura me çështjet gjyqësore, vëmendja e tij mbetej e përqendruar tek Ai që është Krijuesi dhe Zoti i të gjitha botëve. Në diellin që lindte, në hënën dhe yjet që shkëlqenin në qiellin e natës, në burimet që rridhnin dhe ujëvarat që binin, në malet e larta, në përrenjtë që rridhnin, në fushat që lulëzonin, në cicërimat e zogjve dhe në zhurmën e bubullimave dhe vetëtimave – kudo ai shihte pasqyrimin e një Qenieje të vetme, dhe sodiste shfaqjen e atij Burimi të çdo drite; me fjalë të tjera, në gjithçka ai shihte fuqinë e Allahut të Madhërishëm.
Kudo që kthente shikimin, ai shihte vetëm shfaqjen e të Dashurit të Vërtetë. Kur shihte hënën dhe ndjente trazim, ishte sepse edhe në të ai shihte gjurmë të bukurisë së të Dashurit. Në burimin e diellit, ai shihte valët e Tij; në çdo yll ai sodiste shkëlqimin e Tij.Hirësia që gjendet në bukuri tregon bukurinë e atij Krijuesi të Vërtetë. Çdo sy i bukur tregon drejt Tij, dhe çdo kaçurrel flokësh bën shenjë drejt atij Një Zoti. Çdo lule dhe çdo kopsht është i parfumuar me aromën e kopshtit të bukurisë dhe mirësisë së Zotit.”
Ai e ka përshkruar në mënyrë shumë të bukur.
Pastaj ai thotë:
“E vërteta është se nga pamja e jashtme dukej sikur ai udhëtonte për këto çështje gjyqësore, por në realitet, edhe gjatë këtyre udhëtimeve, ai ndodhej larg të gjitha lidhjeve të dashurive apo të besnikërive me të tjerët, dhe mbante vetëm lidhjen dhe besnikërinë me Allahun.”
Duke përshkruar këtë gjendje, ai shkruan:
Siç e kam përmendur më parë në përshkrimin e udhëtimit për në Dalhousie, edhe gjatë atij udhëtimi, duke parë pamjet përgjatë rrugës, ai tha se sa të bukur ishin përrenjtë që rridhnin dhe livadhet e gjelbra të maleve.
Kështu, ai mbeti gjithmonë në një gjendje zhytjeje të plotë në atë Një Qenie dhe i kënaqur me Të. Qoftë ditë apo natë, qoftë në vetmi apo në shoqëri, përmendja e atij të Dashuri të Vërtetë nuk u shua kurrë nga zemra e tij.”
Përmendja e vazhdueshme e Allahut, “SubhanAllah” në çdo gjendje
Hazret Mirza Bashir Ahmedi r.a. rrëfen:
“Nëna ime e nderuar më tregoi se një herë Mesihu i Premtuar a.s. kishte thënë se i ishte shpallur nga Allahu i Madhërishëm – ose se Allahu i Madhërishëm e kishte urdhëruar të thoshte shpesh këto fjalë:
‘SubhanAllahi ue bihamdihi, SubhanAllahil-Adhim’
(‘I Lartësuar qoftë Allahu dhe të gjitha lavdërimet i takojnë Atij, i Lartësuar qoftë Allahu i Madhërishmi’).”
“Nëna ime rrëfen se për këtë arsye ai i thoshte aq shpesh, saqë edhe natën, kur kthehej nga njëra anë në tjetrën në shtrat, kjo fjali ishte në gjuhën e tij.”
Hazret Mirza Bashir Ahmedi r.a. shton se kur ia tregoi këtë rrëfim Maulvi Sher ‘Aliut,ai tha se edhe ai e kishte vërejtur se Mesihu i Premtuar a.s. e thoshte shpesh: “SubhanAllah”.
Hazret Mirza Bashir Ahmedi r.a. rrëfen gjithashtu nga vëzhgimi i tij personal se ai gjithmonë e dëgjonte Mesihun e Premtuar a.s. duke përsëritur “SubhanAllah”.
Ai i përsëriste këto fjalë shumë ngadalë, me ndalesa, me përqendrim dhe me përkushtim. Në këtë mënyrë, krahas përsëritjes së saj, ai meditonte mbi cilësitë e Allahut të Madhërishëm.
Ai shkruan më tej se Pir Siraxh-ul-Hak Nu‘mani i kishte treguar se mënyra e gjumit të Mesihut të Premtuar a.s. ishte e tillë që pas intervaleve të shkurtra zgjohej dhe shqiptonte me zë të ngadaltë: “SubhanAllah, SubhanAllah”, pastaj flinte sërish.
Dashuria për vetmi dhe lidhja e thellë me Allahun
Hazret Sheikh Jakub Ali Irfani r.a. rrëfen se Mesihu i Premtuar a.s. e donte shumë vetminë, duke ndjekur shembullin fisnik dhe praktikën e bekuar të Prijësit dhe të dashurit të tij, Profetit Muhammed s.a.v.s.. Madje, sikur të ishte në zgjedhjen e tij, ai kurrë nuk do të dilte nga vetmia. Në shumë raste ai e ka shprehur këtë ndjenjë në fjalimet dhe shkrimet e tij.
Shkurt, kur ai prirej fort të qëndronte vetëm dhe e pëlqente shumë vetminë, kur u veçua thellësisht me Allahun e Madhërishëm, ai i shkroi një letër babait të tij. Duke lexuar atë letër bëhet e qartë se si, që nga rinia e hershme, Mesihu i Premtuar a.s. ishte i painteresuar për botën dhe vazhdimisht i përqendruar në forcimin e lidhjes së tij me Allahun e Madhërishëm.
Kjo letër, e shkruar në rininë e tij, pasqyron natyrën e tij të pastër dhe karakterin e tij fisnik. Letra ishte shkruar në persisht dhe unë do të lexoj një pjesë të saj. Duke iu drejtuar babait të tij, Mesihu i Premtuar a.s. shkruan:
“Në këto kohë, unë e shoh qartë me sytë e mi dhe me një ndjenjë shqetësimi të thellë,se në çdo vend dhe në çdo tokë, çdo vit ndodh ndonjë fatkeqësi ose epidemi që ndan miqtë nga miqtë dhe të dashurit nga të dashurit e tyre. Nuk ka asnjë vit në të cilin të mos kem parë zjarre të ndezura dhe sprova të dhimbshme që krijojnë skena të ngjashme me trazirat e Ditës së Gjykimit. Duke parë këto gjendje, zemra ime është ftohur ndaj botës dhe fytyra ime është zbehur nga frika.”
Edhe në kohët tona, gjendja e botës na kujton se zjarre po shpërthejnë nga çdo anë. Prandaj, ne duhet të forcojmë gjithnjë e më shumë lidhjen tonë me Allahun e Madhërishëm.
Mesihu i Premtuar a.s. po në këtë letër vijon:
“Shpesh më kujtohet ky distik i Sheikh Muslih-ud-Din Saadi Shiraziut, dhe lotë dhimbjeje më rrjedhin nga sytë:
مکن تکیه بر عمر ناپایدار
مباش ایمن از بازی روزگار‘Mos u mbështet në këtë jetë kalimtare,
dhe mos e konsidero veten të sigurt nga përpjekjet e kësaj bote.’
Domethënë, njeriu nuk duhet të mendojë se duke u zhytur në çështje botërore ka arritur siguri.
Mesihu i Premtuar a.s. vijon:
“Gjithashtu, këto dy vargje nga poezitë e ‘Farrukh Kadijani’, – ky ishte pseudonim që Mesihu i Premtuar a.s. e përdorte për vete në atë kohë – që ngjallin ndjenjë dhimbjeje të thellë janë këto:
بدنیائے دون دل مبند اے جوان
کہ وقت اجل می رسد ناگہاں‘O rini, mos e lidhe zemrën me këtë botë të ulët,
sepse ora e caktuar e vdekjes vjen papritur.’Unë dëshiroj ta kaloj pjesën e mbetur të jetës sime në vetmi, të distancohem nga shoqëria e botës dhe të zhytem në përmendjen e Allahut të Madhërishëm, në mënyrë që të kërkoj falje dhe të përmirësoj mangësitë e mia.”
Kjo është një letër mjaft e gjatë, por prej saj bëhet e qartë se Mesihu i Premtuar a.s. nuk kishte asnjë dëshirë për famë apo nder, por kishte një lidhje të pastër dhe të sinqertë me Allahun e Madhërishëm. Është fakt se dashuria e tij për vetminë ishte e tillë që ai kurrë nuk do të dilte në publik, po të mos ishte i detyruar t’i bindej urdhrit të Allahut të Madhërishëm.
Hazret Mesihu i Premtuar a.s. shkruan:
“Nëse Allahu i Madhërishëm do të më jepte zgjedhjen midis vetmisë dhe jetës publike,betohem në Atë Qenie të Pastër se vetminë do ta zgjidhja. Është Allahu i Madhërishëm Ai që më ka sjellë në publik për këtë shërbim. Kënaqësinë që përjetoj në vetmi, kush mund të ma dijë përveç Allahut?
Për rreth njëzet e pesë vjet qëndrova në vetmi dhe asnjëherë nuk dëshirova të ulesha në fronin e famës botërore. Nga natyra ndieja neveri ndaj përzierjes me njerëzit; por jam i detyruar nga urdhri i Zotit.”
Heqja dorë nga pasuria për dashurinë e Allahut
Kështu, pasi i shkroi babait të tij, ai hoqi dorë nga gjithçka. Ishte, si të thuash, një trashëgimi princërore që e braktisi. Babai i tij zotëronte shtatë fshatra si pronë,por ai hoqi dorë nga të gjitha vetëm për dashurinë e Allahut të Madhërishëm. Herë pas here, ai i këshillonte edhe pasuesit e tij në këtë drejtim.
Mian Muhammad Musa rrëfen se një herë, gjatë një vizite në Kadijan, një person i sapokonvertuar në Islam iu drejtua Mesihut të Premtuar a.s.:
“Më jepni leje, Huzur, sepse të korrat e mia janë gati për korrje (dhe ai kishte një sasi të madhe toke), dhe më duhet të mbikëqyr ndarjen e tyre (që bëhej ndër kultivuesit).”
Mesihu i Premtuar a.s. e pyeti: “Sa e madhe është korrja?”
“Shumë e madhe” iu përgjigj ai.
Atëherë Mesihu i Premtuar a.s. tha:
“Unë kam lënë shumë fshatra dhe kam zgjedhur pragun e Allahut të Madhërishëm.Qëndroni këtu edhe disa ditë; përmirësoni gjendjen tuaj shpirtërore dhe lërini çështjet botërore në dorë të Allahut. Ai do t’ju dhurojë mirësinë e Tij.”
Në atë rast të veçantë, duke njohur rrethanat e atij personi, ai i dha këtë këshillë për edukimin e tij shpirtëror. Megjithatë, në raste të tjera, ai ka porositur gjithashtuse përgjegjësitë e kësaj bote nuk duhen braktisur plotësisht. Edhe mirësitë që Allahu i Madhërishëm i jep duhen vlerësuar.
Pra, për qëllimin e edukimit moral dhe shpirtëror të këtij të konvertuari të ri,Mesihu i Premtuar a.s. e këshilloi në atë mënyrë. Kështu, herë pas here, këshilla jepet sipas rrethanave të veçanta të secilit.
Çdo njeri duhet ta vlerësojë me kujdes gjendjen e vet, dhe as nuk duhet të zhytet aq shumë në botë sa të mbytet në të, as të shkëputet aq shumë sa të neglizhojë detyrimet e ligjshme botërore. Islami paraqet një mësim të ekuilibruar dhe gjithëpërfshirës.
Por pika më e rëndësishme që duhet kujtuar gjithmonë është se Allahu i Madhërishëm nuk duhet neglizhuar kurrë. Në këtë drejtim, duhet pasur gjithmonë kujdes i madh.
Lutja për forcim në besim dhe siguri për botën
Këto ishin disa aspekte të dashurisë, përkushtimit dhe adhurimit të Mesihut të Premtuar a.s. që u paraqitën sot. Allahu i Madhërishëm na mundësoftë që ta përmbushim me të vërtetë adhurimin tonë në këtë muaj të Ramazanit dhe të na mundësojë ta shtojmë dashurinë e Tij, në mënyrë që, sa më shumë të jetë e mundur, të vazhdojmë të përfitojmë nga bekimet e Ramazanit dhe që ndikimi i këtyre bekimeve të vazhdojë edhe pas tij!
Allahu i Madhërishëm na bëftë që të mishërojmë vërtet shenjat dalluese të një besimtari dhe myslimani të vërtetë!
Në këto ditë, lutuni veçanërisht për ata ahmedianë që po përballen me vështirësi për shkak të akuzave të rreme kundër tyre. Allahu i Madhërishëm u krijoftë lehtësim vëllezërve tanë ahmedij. Kujtojeni në lutje edhe Ummetin mysliman. Lutuni që bota të shpëtohet nga shkatërrimi. Allahu i Madhërishëm i ruajtë të pafajshmit nga këto të këqija, dhe nëse lufta ose shkatërrimi janë të pashmangshme, Allahu i Madhërishëm i mbrojtë të pafajshmit prej tyre dhe i kapë shtypësit!