Dashuria e Hazret Mesihut të Premtuar a.s. për Allahun e Madhërishëm
Dashuria ndaj Allahut dhe pasqyrimi i saj te ndjekësit e Profetit s.a.v.s.
Në hytben e kaluar kam folur për shembullin e dashurisë së Profetit Muhammed s.a.v.s. ndaj Allahut të Madhërishëm. Në këtë epokë, në veprën e shërbyesit të vërtetë të Profetit Muhammed s.a.v.s. shohim reflektim të kësaj dashurie, gjë që Hazret Mesihu i Premtuar a.s. e arriti pikërisht duke e ndjekur Profetin Muhammed s.a.v.s.. Këta shembuj ekzistojnë edhe sot. Domethënë, standardet e larta të dashurisë ndaj Allahut dhe, si pasojë e saj, bekimet hyjnore që zbritën mbi të, si edhe dashuria e tij ndaj Allahut, i shikonin qartë edhe njerëzit përreth.
Megjithatë, para se t’ju tregoj ngjarje për këtë temë, do të përmend këtë dashuri me fjalët e vetë Mesihut të Premtuar a.s..
Ndjenja e brendshme e tërheqjes drejt Allahut
Në një vend ai thotë:
“Unë nuk mund të shpjegoj se cili veprim imi ishte shkaku që ma mundësoi këtë mirësi hyjnore. Vetëm e ndiej brenda vetes se, që vet zemra ime ka një tërheqje të fortë dhe besnike drejt Allahut, një tërheqje, të cilën asgjë nuk mund ta ndalë dot. Andaj, këto bekime janë pikërisht falë kësaj ndjejeje.”
Pra, mirësitë që Allahu m’i ka dhuruar janë falë kësaj ndjenjeje.
Siç e kam përmendur edhe në hytben e kaluar, ai e ka shprehur në shumë vende se gjithçka që ka fituar, e ka fituar sepse ka qenë ndjekës i plotë dhe i dashuruar i Profetit Muhammed s.a.v.s.. Rrjedhimisht, dyert e dashurisë së Allahut u hapën njëra pas tjetrës për të dhe ai fitoi vetëdijen e kësaj dashurie. Pastaj, bekimet hyjnore filluan të binin mbi të si shi.
Jeta e përqendruar rreth Allahut
Duke përshkruar këtë gjendje të brendshme dhe jetën e tij, Hazret Shejh Jakub Ali Sahib Irfani shkruan se Mesihu i Premtuar a.s. ka shkruar:
المَسَاجِدُ مَكَانِي، وَالصَّالِحُونَ إِخْوَانِي، وَذِكْرُ اللَّهِ مَالِي، وَخَلْقُ اللَّهِ عِيَالِي.
“Xhamitë janë vendbanimi im, të dëlirët janë vëllezërit e mi, përmendja e Allahut është pasuria ime dhe krijesat e Allahut (njerëzit) është familja ime.”
Kjo tregon qartë se e gjithë jeta e tij rrotullohej vetëm rreth Allahut.
Dashuria për çdo gjë vetëm për hir të Allahut
Mesihu i Premtuar a.s. diku tjetër thotë:
“Unë e dua çdo gjë vetëm për hir të Allahut. Qoftë bashkëshortja, fëmijët apo miqtë, lidhja ime me ta është për Allahun.”
Ky është ai mësim që Allahu ka dhënë dhe që Profeti Muhammed s.a.v.s. e urdhëroi ta përhapnim. Në këtë epokë, shprehja më e plotë e këtij mësimi shihet në veprat e Mesihut të Premtuar a.s., përmes ndjekjes së tij të plotë të Profetit s.a.v.s.
Qëndrueshmëria në sprova dhe bindja e plotë tek Allahu
E diku tjetër, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:
“Të vërtetët qëndrojnë të palëkundur edhe në kohë sprovash, sepse ata e dinë se, në fund, Allahu do të jetë gjithmonë përkrahësi i tyre. Unë megjithëse e falënderoj me shumë përulësi Allahun për miqtë e sinqertë që kam, por, jam edhe i bindur se nëse nuk më mbetet asnjë njeri, dhe të gjithë largohen, secili në rrugën e vet, duke më braktisur mua, edhe atëherë unë nuk do të kem asnjë frikë. Unë e di se Allahu i Lartësuar është me mua.
Nëse shtypem e dërrmohem dhe bëhem më i pavlefshëm sesa një grimcë pluhuri dhe nga çdo anë përballem me fyerje, sharje, dhe mallkimet, edhe atëherë përfundimisht unë do të triumfoj. Askush nuk më njeh, përveç Atij që është me mua. Unë kurrë nuk mund të humbas. Përpjekjet e armiqve janë të kota dhe planet e ziliqarëve s’vlejnë për asgjë.
O të pamend e të verbër! Cili nga të vërtetët para meje ka humbur që unë të humbas? Cilin besnik e ka shkatërruar Allahu me poshtërim, që do të më shkatërrojë mua? Mbajeni mend mirë dhe dëgjoni me vëmendje! Shpirti im nuk është i tillë që shkatërrohet. Dhe në natyrën time nuk ka brumë dështimi. Mua më është dhënë forcë dhe vërtetësi e tillë, që edhe malet janë hiç përballë saj.
Unë nuk mbështetem prej askujt. Isha i vetëm dhe s’do të jem i pakënaqur nëse ngelem i vetëm. A do të më braktisë Zoti? Kurrë! A do të më shkatërrojë Ai? Kurrë! Armiqtë do të poshtërohen dhe ziliqarët do të turpërohen. Por Zoti, në çdo fushë, robit të Tij do t’i japë fitoren. Unë jam me Të dhe Ai është me mua dhe asgjë nuk mund ta këpusë lidhjen tonë.
Betohem për nderin dhe madhështinë e Tij se në këtë botë dhe në botën tjetër, nuk kam asgjë më të dashur sesa të shfaqet lartësia e fesë së Tij, të shkëlqejë madhështia e Tij dhe Ai të shquhet gjithkund.
Me bekimin e Tij, nuk frikësohem nga asnjë sprovë, qoftë edhe jo një, por miliona sprova. Në fushën e sprovave dhe në pyllnajën e brengave mua më është dhënë forcë.”
Vendosmëria në rrugën e Allahut
Në persisht, ai shprehet në një varg poetik:
من نہ آنستم کہ روز جنگ بینی پشتِ من
آں منم کاندر میان خاک و خوں بینی سرےUnë nuk jam ai që në ditën e betejës të ma shohësh shpinën,
por jam ai që do të më shohësh kokën mes pluhurit dhe gjakut.
Kjo është gjendja e tij në dashurinë ndaj Allahut. Pastaj u drejtohet anëtarëve të Xhematit dhe thotë:
“… nëse dikush nuk do të më ndjekë, lë të ndahet prej meje. Si e di unë se sa pyje dhe shkurre me gjemba janë akoma që t’i kaloj ato?”
E mandej tha:
“… A mund të frikësohemi nga tërmetet? Në rrugën e Allahut të Lartësuar, a mund të shqetësohemi nga sprovat? A mund të ndahemi për shkak të ndonjë sprove të Zotit tonë të Dashur? Kurrësesi jo”
Një rrëfim për dashurinë ndaj Allahut dhe gatishmërinë për sakrificë
Një rrëfim, që tregon Hazret Mirza Bashir Ahmed Sahibi, ku përmendet dashuria e Mesihut të Premtuar a.s. për Allahun dhe shpirti i sakrificës për fenë Islame. Ai thotë se Molvi Sarvar Shah Sahibi i kishte treguar këtë ngjarje. Ai tha:
Në ditët kur në Gurdaspur zhvillohej procesi gjyqësor kundër Kerem Din-it, dhe kur magjistrati kishte caktuar datën për seancën, ndërkohë që Huzuri (Hazret Mesihu i Premtuar a.s.) ndodhej në Kadijan, dy ditë para seancës Huzuri më dërgoi në Gurdaspur, që të nxirrja dhe të përgatisja disa referenca, sepse në seancën e ardhshme duhej të paraqiteshin si prova dhe referenca.
Me mua, Huzuri dërgoi edhe Shejh Hamid Aliun dhe Abdul Rahim-in, kuzhinierin.
Takimi në Gurdaspur dhe gjendja e doktor Ismail Khanit
Kur arritëm në shtëpinë në Gurdaspur, e thirrëm nga poshtë doktor Muhammed Ismail Khan Sahibin (të ndjerin), që të zbriste dhe të hapte derën. Ai ndodhej në katin e sipërm. Sapo na dëgjoi, ai filloi të qante me ngashërim dhe të bërtiste. Ne e thirrëm disa herë, por ai vazhdonte të qante. Pas pak kohe, zbriti poshtë duke fshirë lotët.
E pyetëm për arsyen dhe ai na tha:
Sapo më erdhi Munshi Muhammed Huseini.
Ai ishte një jo-ahmedi dhe punonte si nëpunës në gjykatë. Molvi Sarvar Shah thoshte se ky Munshi Muhammed Husein ishte një kundërshtar i ashpër i Xhematit dhe ishte nga rrethi i Molvi Muhammed Husein Batalvit.
Çfarë u tha në mbledhjen e arianëve?
Doktor Sahib rrëfeu se Munshi Muhammed Huseini i kishte thënë:
“Këto ditë këtu u mbajt një mbledhje e arianëve (hindusëve). Disa arianë i morën edhe miqtë e tyre në këtë mbledhje. Edhe unë shkova me një mik timin arian. Pasi përfundoi programi publik, organizatorët njoftuan që njerëzit e zakonshëm të largoheshin, sepse kishin disa biseda private. Të gjithë u larguan. Edhe unë po largohesha, por miku im arian më tha: ‘Do të dalim bashkë, ti ulu diku anash ose prit jashtë.’ Kështu u ula mënjanë.”
Pastaj, sipas tij, një nga arianët u ngrit dhe, duke e përmendur Mirza Ghulam Ahmed sahibin me emër, i tha magjistratit:
“Ky njeri është armiku ynë i betuar dhe vrasësi i udhëheqësit tonë Lekhram. Tani ai është në duart tuaja. Sytë e gjithë kombit janë nga ju. Nëse e lini këtë ‘pre’ të ikë nga duart, do të jeni armik i kombit.”
Ai vazhdoi të fliste me tone nxitëse dhe provokuese.
Qëndrimi i gjyqëtarit dhe paralajmërimi i fshehtë
Magjistrati u përgjigj:
“Edhe më parë kam menduar që, po të mundem, jo vetëm Mirzanë, por edhe të gjithë shokët dhe dëshmitarët e tij në këtë çështje t’i çoj në ferr. Por ç’të bëj, çështja po drejtohet me aq zgjuarsi sa nuk po gjej vend ku të godas. Megjithatë, sot po betohem se, çfarëdo që të ndodhë, që në seancën e parë do të ndërmarr veprim ligjor.”
Munshi Muhammed Huseini i kishte shpjeguar doktorit se “veprim ligjor” do të thoshte se gjyqëtari kishte të drejtë ta arrestonte të pandehurin në çdo fazë të procesit dhe ta dërgonte në paraburgim pa pranuar garanci.
Pastaj i kishte thënë:
“Ti e di që jam kundërshtar i ashpër i Xhematit tuaj. Jam ndjekës i Molvi Muhammed Huseinit. Por, megjithatë, nuk mund ta shoh një familje fisnike të poshtërohet e të shkatërrohet, sidomos nga duart e hindusëve. E di që familja e Mirza Sahib-it është ndër më të nderuarat në provincë. Prandaj po ta jap këtë lajm, që të merrni masa.”
Ai sugjeroi dy rrugë:
- Të përpiqeshin ta transferonin çështjen në Gjykatën e Apelit (Chief Court).
- Ose, me çdo mënyrë, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. të mos paraqitej në seancën e ardhshme, duke paraqitur një raport mjekësor.
Frika dhe përpjekja për ta njoftuar Huzurin
Kur doktori na e tregoi këtë ngjarje, edhe ne u tronditëm thellë. Vendosëm që menjëherë të dërgonim dikë në Kadijan për ta informuar Hazret Sahabin.
Ishte natë. Kërkuam një karrocë ose një kalë, por askush nuk pranoi. Edhe pse ofruam qera katërfish, askush nuk guxoi. Atmosfera e armiqësisë ishte aq e ndezur sa askush nuk donte të na ndihmonte.
Në fund, Shejh Hamid Aliun, Abdul Rahim-in dhe një person të tretë i nisëm në këmbë drejt Kadijanit. Ata arritën atje në kohën e namazit të sabahut dhe ia treguan shkurtimisht Hazret Mesihut të Premtuar gjithë ngjarjen.
Qëndrimi i qetë dhe i vendosur i Mesihut të Premtuar a.s.
Hazret Sahibi, me qetësi të plotë, tha:
“Nuk ka gjë. Ne do të shkojmë në Batala. Khavaja Sahib dhe Molvi Muhammed Ali Sahib janë duke u kthyer nga Lahori dhe do të na takojnë atje. Aty do të flasim dhe do të shohim se çfarë ka ndodhur me kërkesën për transferimin e çështjes.”
Avokatët, duke e ndjerë anshmërinë e gjyqëtarit, kishin paraqitur tashmë një kërkesë në Gjykatën e Apelit për transferimin e çështjes.
Po atë ditë, Huzuri shkoi në Batala. Gjatë udhëtimit, Khvaxha Sahibi dhe Molvi Sahibi e informuan se kërkesa për transferim ishte refuzuar. Pra, Gjykata e Apelit ua refuzoi kërkesën.
Pastaj Hazret Mesihu i Premtuar a.s. shkoi në Gurdaspur. Gjatë rrugës, ai nuk u tha asgjë Khvaxha Sahibit dhe Molvi Sahibit për këtë lajm (pra, që ata kishin marrë kërcënime).
Shpërthimi i besimit dhe i guximit hyjnor
Kur arriti në shtëpinë ku do të qëndronte, Hazret Mesihu i Premtuar a.s., sipas zakonit, shkoi në një dhomë të veçantë dhe u shtri në shtrat. Por ne, thotë rrëfimtari (Dr. Molvi Sarvar Shah Sahibi), ishim të tmerruar: “Çfarë do të ndodhë tani? Gjyqëtari ka dhënë një premtim të prerë.”
Pas pak, Huzuri më thirri. Kur hyra, ai ishte shtrirë, me duart e kryqëzuara nën kokë. Pastaj u kthye anash, mbështeti kokën mbi pëllëmbë dhe më tha:
“Ju thirra që të dëgjoj gjithë ngjarjen. Më trego se çfarë ndodhi.”
Në dhomë nuk ishte askush tjetër, vetëm Mian Shadi Khan që po qëndronte te dera. Unë ia tregova të gjithë ngjarjen se si e kishin gjetur Dr. Ismail Khanin duke qarë dhe se si ky i fundit i kishte treguar rrëfimin e Munshi Muhammed Husejnit.
Hazret Mesihu i Premtuar a.s. vetëm po e dëgjonte. Kur arrita te fjala “pre” (gjueti), (pra, gjyqëtari kishte thënë se ka në dorë tashmë prenë), Hazret Mesihu i Premtuar a.s. që ishte i shtrirë, menjëherë u nda nga shtrati për t’u ulur. Sytë i shkëlqenin, fytyra iu skuq dhe tha me zë të fuqishëm:
“Unë qenkam preja e tij? Unë nuk jam pre! Unë jam luan, madje luan i Allahut! Le të guxojë të vërë dorë mbi luanin e Allahut!”
Ai i përsëriti disa herë fjalët me zë të lartë “luani i Allahut”. E dëgjuan edhe njerëzit jashtë dhomës, por askush nuk guxoi të hynte brenda. Sytë e tij, që zakonisht qëndronin të ulur e të qetë, tani ishin hapur si sytë e një luani dhe shndrisnin si flakë. Fytyra e tij ishte e skuqur, saqë nuk guxoja ta shikoja.
Gatishmëria për sakrificë dhe bindja e plotë tek Allahu
Pastaj Hazret Mesihu i Premtuar a.s. tha:
“Çfarë të bëj unë? Unë ia kam paraqitur Allahut këtë: për hir të fesë Sate jam gati të vë hekur në duar dhe në këmbë. Pra, nuk kam problem të më vënë pranga apo zinxhirë. Por Zoti më thotë: ‘Jo, Unë do të të mbroj nga poshtërimi dhe do të të liroj duke të nderuar.’”
Pas kësaj, Huzuri filloi të fliste për dashurinë hyjnore dhe për rreth gjysmë ore foli me pasion të madh për këtë temë.
Kjo ishte një pamje e jashtëzakonshme e sakrificës në dashurinë ndaj Allahut: sa i fortë ishte besimi i tij tek Allahu dhe sa e thellë ishte bindja se, përderisa ai e donte Allahun dhe ishte gati për çdo sakrificë për hir të Tij, Allahu kurrë nuk do ta linte të humbiste.
Gatishmëria për pranga në rrugën e Allahut
Ka dhe një ngjarje tjetër e ngjashme. Një herë, kur inspektori i policisë, kapiten Lemarçend, erdhi papritur në Kadijian me trupat e tij policore, duke dyshuar për përfshirjen në vrasjen e Lekhramit, dhe Mir Nasir Navab Sahibi u njoftua për këtë, ai shkoi tejet i shqetësuar te Hazret Mesihu i Premtuar a.s.. Me zë të dridhur, mezi arriti t’i thoshte se inspektori i policisë po vinte me urdhër arresti dhe pranga.
Në atë kohë, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. ishte duke shkruar librin Nur-ul-Kuran. Ai ngriti kokën me qetësi dhe, duke buzëqeshur, tha:
“Mir Sahib, njerëzit veshin byzylykë prej argjendi e ari në rast gëzimi; unë do ta konsideroj se kam vënë byzylykë prej hekuri në rrugën e Allahut.”
Pastaj, pas një çasti heshtjeje, shtoi:
“Por kjo nuk do të ndodhë, sepse “qeveria” e Allahut ka urtësitë e veta; Allahu nuk i poshtëron kështu kalifët dhe të dërguarit e Tij.”
Dhe ashtu ndodhi: ata nuk patën sukses.
Qëndrueshmëria absolute në kohë sprovash
Një rrëfim tjetër vjen nga Molvi Abdul Karim Sahibi nga Sialkoti. Ai tregon se një herë, në Xhalander, Huzuri tha:
Në kohë sprovash, unë shqetësohem për disa njerëz brenda Xhematit që janë të dobët.
Ai shpjegoi se sprova kishte vështirësitë e veta. Procese gjyqësore kishte, kundërshtime kishte, si ndaj tij, ashtu edhe ndaj anëtarëve të Xhematit, por shtoi:
“Sa për mua, nëse edhe sikur të më shpallej me zë të qartë: ‘Ti je i refuzuar dhe asnjë kërkesë jotja nuk do të pranohet’, prapësepraë, pasha Zotin, nuk do të më pakësoheshin aspak as dashuria për Zotin, e as zelli im për t’i shërbyer fesë së Tij. Edhe atëherë, unë nuk do ta lija Zotin, sepse unë Atë e kam parë tashmë.”
Pra, thotë se bindja dhe mbështetja ime tek Allahu është kaq e madhe, saqë nuk do të shohësh tek unë aspak mangësi në dashurinë për Zotin, çfarëdo që të ndodhë.
Dëshmia e drejtpërdrejtë e dashurisë së zjarrtë për Allahun
Navab Mubaraka Begum Sahiba rrëfen një ngjarje dhe thotë:
“Dashuria ndaj Allahut të Madhërishëm, ndaj Qenies më të dashur për të, rridhte në çdo grimcë të shpirtit dhe trupit të tij, shihej qartë në çdo fjalë dhe veprim të tij, gjatë gjithë kohës.”
Ajo thotë se e kishte dëgjuar duke iu lutur Allahut me një zjarr të brendshëm jo vetëm gjatë kohës së namazit, por edhe në gjendje të zakonshme, duke thirrur me mall:
“O Allahu im i dashur, o Allahu im i dashur, o Allahu im i dashur!”
Ajo shton: Zëri i tij më jehon ende në veshët e mi dhe ende e shoh para syve rrjedhjen e lotëve të tij.
Ajo përshkruan edhe një ngjarje për ta dëshmuar këtë, pra sedrën e tij për Allahun e Madhërishëm. Thotë:
Huzuri ishte në dhomë dhe po përgatitej të dilte diku. Unë isha pranë tij. Në atë moment erdhi shërbyesja e gruas së xhaxhait tonë, e cila ishte bërë ahmedia dhe më vonë u varros në varrezën Bahishti Makbera. Ajo erdhi për të shprehur ngushëllime për vdekjen e xhaxhait, Mirza Imam Din, duke menduar se e kishte farefis.
Sapo nga goja e saj doli shprehja në gjuhën punxhabe: “Ishte rob i mirë ai”, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. doli jashtë. Fytyra e tij u skuq fort. Ai e goditi tokën me shkop dhe tha:
“Pse oj e mjerë, po e lavdëron armikun e Allahut në shtëpinë time!”
Mirza Imam Dini ishte bërë ateist dhe përqeshte Allahun. Sedra për Allahun nuk e lejonte Hazret Mesihun e Premtuar a.s. që në shtëpinë e tij të përmendej një person i tillë me lavde.
Navab Mubarakah Begum shkruan se në zërin e tij kishte një madhështi të tillë sa ajo grua iku me vrap. Mirza Imam Din ishte ateist, dhe Huzuri nuk mund ta pranonte që në shtëpinë e tij të lavdërohej një ateist në atë mënyrë.
Që në rini, i zhytur në dashurinë për Allahun
Duke ndjekur shembullin e Udhëheqësit të tij, pra, atë të Profetit Muhammed s.a.v.s., ai e kaloi fëmijërinë dhe rininë, të zhytur në dashurinë ndaj Allahut.
Në një rrëfim, Hazret Mirza Bashir Ahmed Sahib shkruan se një një zyrtar i lartë i solli një mundësi pune te gjyshi i ynë, dhe e pyeti gjyshin:
“Kam dëgjuar se keni edhe një djalë të vogël, por nuk e kemi parë kurrë atë.”
Babai i Hazret Mesihut të Premtuar a.s. buzëqeshi dhe tha:
“Po, kam një djalë të vogël, por ai është si një nuse e sapomartuar, ndaj shfaqet rrallë. Nëse doni ta shihni, shkoni dhe kërkojeni në ndonjë qoshe të xhamisë; aty do të jetë ai.”
Ky rrëfim është shpjeguar më tej edhe nga Miraj-ud-Din Sahib Umar, i cili shkruan se babai i Hazret Mesihut të Premtuar a.s. i kishte thënë:
“Shkoni dhe kërkojeni te çezmat e abdesit në xhami. Nëse nuk e gjeni aty, mos u ktheni i zhgënjyer. Hyni brenda xhamisë dhe kërkojeni në ndonjë qoshe. Nëse as aty nuk e gjeni, përsëri mos u ktheni pa shpresë. Shikoni në rreshta, sepse dikush mund ta ketë mbështjellë atë me sexhade, sepse ai ka vdekur për së gjalli dhe nuk e ndien.”
Pra, gjendja e tij ishte e tillë që ishte tërësisht e përhumbur, e vdekur, në dashurinë për Allahun, kishte arritur në atë shkallë sa, nëse dikush do ta mbështillte edhe në sexhade, ai as nuk do të lëvizte dhe as nuk do ta ndiente, sepse për nga gjendja shpirtërore, ai ishte sikur i vdekur për botën dhe i gjallë vetëm për Allahun.
Lotët nga përkujtimi i dashurisë dhe fuqisë së Allahut
Në të njëjtën mënyrë, Mirza Bashir Ahmed Sahib rrëfen edhe një ngjarje tjetër. Ai shkruan:
Mua ma tregoi Haxhi Abdul Mexhid Sahibi nga Ludhiana se një herë Hazret Mesihu i Premtuar a.s. ndodhej në Ludiana. Në oborrin e shtëpisë sime kishte një pemë nim (Azadirachta indica). Ishte stina e shirave dhe gjethet e saj ishin jashtëzakonisht të gjelbra dhe të bukura. Huzuri më tha:
“Haxhi Sahib, shiko gjethet e kësaj peme, sa të bukura janë.”
Haxhi Sahib thotë se në atë çast, kur e shikoi Huzurin, pa se sytë e tij ishin mbushur me lot.
Në atë moment, Huzurit iu kujtua fuqia e Allahut dhe dashuria e Tij, dhe pikërisht për këtë arsye, sytë iu mbushën me lot.
Ndjeshmëria e thellë ndaj fjalëve që cenojnë Allahun
Hazret Muslih Maudi (Kalifi i Dytë i Xhematit) r.a. tregon:
Këtu ishte një person i cili më vonë u bë një ahmedi shumë i sinqertë dhe kishte lidhje shumë të fortë me Mesihun e Premtuar a.s.. Por para se të bëhej ahmedi, Huzuri kishte qenë i zemëruar me të për njëzet vjet, dhe arsyeja ishte kjo:
Atij personi i kishte vdekur djali. Huzuri, së bashku me vëllanë e tij, shkuan në shtëpinë e tij për t’i shprehur ngushëllime. Sipas zakonit të tyre, kur dikush vinte dhe kishte lidhje të afërta me ta, e përqafonin, qanin me zë dhe bërtisnin.
Edhe zotëria në fjalë përqafoi vëllanë e madh të Hazret Mesihut të Premtuar, duke qarë me zë të lartë, tha: “Zoti më paska bërë padrejtësi të madhe!”
Sapo Huzuri dëgjoi këto fjalë, ndjeu një neveri aq të fortë, saqë nuk donte as t’ia shihte më fytyrën. Më vonë, Allahu i dha atij personi udhëzim dhe ai u largua nga këto mendësi të gabuara.
Vuan, por nuk pranon asgjë kundër Zotit
Po ashtu, Mirza Bashir Ahmed Sahib rrëfen edhe një ngjarje tjetër:
Munshi Zafar Ahmed Sahib nga Kapurthala më tregoi me shkrim se Hazret Mesihu i Premtuar a.s. vuante nga një problem në kokë, kishte marramendje të shpeshta. Ishte një mjek që thuhej se ishte specialist për këtë sëmundje. E thirrën nga larg dhe i dërguan edhe paratë e udhëtimit.
Ai e pa Hazret Mesihun e Premtuar a.s. dhe tha:
“Do t’ju shëroj plotësisht brenda dy ditësh.”
Sapo dëgjoi këtë, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. u fut në një dhomë tjetër dhe i dërgoi me shkrim një mesazh Hazret Molvi Nuruddin Sahibit, duke thënë:
“Në asnjë mënyrë nuk dua të trajtohem nga ky njeri. Ai po bën sikur të jetë vetë Zoti.”
Hazret Mesihu i Premtuar a.s. urdhëroi që t’i jepeshin paratë e kthimit, plus edhe 25 rupi shtesë, dhe që mjeku të përcillej menjëherë. Dhe ashtu u veprua.
Pra, Huzuri tha:
Mjeku pretendonte shërimin në atë mënyrë sikur të ishte vetë Zoti. Por, kush tjetër përveç Allahut mund të shërojë? Shëruesi i vërtetë është vetëm Allahu.
Sedra për Allahun edhe në dhimbjen më të madhe njerëzore
Po ashtu, Mirza Bashir Ahmed Sahibi rrëfen një tjetër ngjarje, përsëri nga Munshi Zafar Ahmed Sahib:
Çaudri Rustam Ali Khan Sahib, i ndjerë, ishte inspektor hekurudhe. Ai merrte një pagë mujore prej 150 rupish. Ishte një njeri shumë i sinqertë dhe i respektuar në Xhemat. Ai mbante për vete vetëm 20 rupi në muaj dhe të gjithë pjesën tjetër të pagës ia dërgonte rregullisht Mesihut të Premtuar. Ky ishte zakoni i tij i përhershëm.
Ai kishte vetëm një djalë. Kur djali u sëmur, e solli në Kadijan bashkë me bashkëshorten. Qëndruan në shtëpinë e Hazret Mesihut të Premtuar a.s.
Një ditë, Huzuri tha:
“Mbrëmë pashë në ëndërr sikur dikush po ma shante Zotin. Kjo më shkaktoi një tronditje të madhe.”
Ditën pas këtij rrëfimi të ëndrrës, djali i Çaudri sahibit vdiq. Meqenëse ishte djali i vetëm, nëna e tij u trondit thellë dhe, në gjendje dëshpërimi, duke iu drejtuar Zotit të Madhërsihëm, zuri të thoshte:
“O mizor, sa padrejtësi të madhe më paske bërë Ti!”
Huzuri i dëgjoi këto fjalë.
Menjëherë doli jashtë, dhe ishte shumë i pikëlluar dhe i zemëruar. Tha fort:
“Që në këtë çast, kjo grua të largohet nga shtëpia ime!”
Nëna e Dr. Mir Muhammad Ismail Sahib, e cila ishte një grua shumë e mençur, e këshilloi bashkëshorten e Çaudri Sahibit dhe i tha se Huzuri ishte shumë i zemëruar. Ajo u pendua, kërkoi falje dhe tha se nuk do të bërtiste më.
Nëna e Mir Sahibit shkoi te Huzuri dhe i tha se gruaja ishte penduar dhe kishte ndaluar edhe së bërtituri. Huzuri tha:
“Në rregull, le të qëndrojë. Organizoni varrimin e djalit.”
Ndjeshmëria shpirtërore e Hazret Mesihut të Premtuar a.s. ndaj mrekullive të natyrës
Shejh Jakub Ali Sahib Irfani, duke përshkruar përshtypjet nga jeta e Hazret Mesihut të Premtuar a.s., shkruan, madje, janë vetë fjalët e Hazret Mesihut të Premtuar a.s. që ai shënoi, që Huzuri i tha kështu:
“Sa herë që më ndodhte të shkoja në Dalhousi, duke parë shpatet e gjelbra të maleve dhe ujin që rridhte, në zemrën time zgjohej pa vetëdije një hov i fortë për të lavdëruar Allahun. Ibadeti merrte një shije të veçantë dhe e ndjeja se aty kishte një mundësi shumë të mirë për të medituar.”
Shtrydhe qenien e tij, del vetëm lëngu i dashurisë së Zotit
Duke folur për këtë shije, për këtë dashuri dhe zjarr shpirtëror, diku Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:
“Një dashuri e ëmbël hyjnore, e ushqyer nga kënaqësia e takimit me Allahun, vendoset në zemrat e njohësve të Zotit. Nëse qenia e atyre që e duan Allahun do të shtypej në ndonjë havan, ose midis mokrrave të mullirit të fatkeqësive dhe të brengave, prej saj do të dalë vetëm lëngu i dashurisë për Allahun dhe asgjë tjetër jo.”
Domethënë, një dashuri e tillë vendoset në zemrat e atyre që e duan Allahun, saqë edhe po t’i shtypësh, apo t’i bluash, apo t’i shtrydhësh në çdo lloj shtrëngese, nuk do të gjesh asgjë tjetër përveç dashurisë hyjnore.
Pranimi i vullnetit të Allahut edhe kur e humb fëmijën
Një rrëfim tjetër e sjell Mirza Bashir Ahmed Sahib, nga Malik Maula Bakhsh Sahib:
Kur Sahibzada Mirza Mubarak Ahmed Sahib (djali i Mesihut të Premtuar a.s.) ishte i sëmurë, shqetësimi dhe kujdesi i Hazret Mesihut të Premtuar a.s. për të ishte i njohur për të gjithë. Kur djali ndërroi jetë, Sardar Fazl Haq Sahibi, Dr. Ibadullah Sahibi i ndjerë dhe unë (rrëfimtari) shkuam në Kadijan për ngushëllim.
Por kur Mesihu i Premtuar a.s. erdhi në xhami, ai dukej si zakonisht, madje edhe më i gëzuar se më parë. Kur u përmend vdekja e djalit, Huzuri tha:
“Mubarak Ahmedi vdiq. Fjala e Zotit tim u përmbush. Ai më kishte njoftuar më herët se ky djalë ose do të vdiste shpejt, ose do të bëhej shumë shpejt një njeri thellësisht i lidhur me Allahun. Pra, Allahu e thirri pranë Vetës. Çfarë është një Mubarak Ahmed! Edhe sikur të kisha një mijë djem dhe të gjithë të vdisnin, por më mjafton që Zoti im të jetë i kënaqur, dhe fjala e Tij të përmbushet. Kjo është lumturia ime.”
Rrëfimtari thotë – ne kishim shkuar për të shprehur dhimbje, por duke parë këtë situatë, asnjëri prej nesh nuk pati guximin të shfaqte ndonjë shenjë pikëllimi.
Lutjet e përvëluara dhe dashuria e sinqertë ndaj Allahut
Hazret Navab Mubarakah Begum Sahibah shkruan:
Dashuria e tij e sinqertë për Zotin e Madhërishëm ishte e dukshme në çdo çast. Një herë e pashë ndërkohë ai ishte duke u lutur dhe duke qarë. Me një dhimbje të thellë e përsëriste – o Allahu im i dashur, o Allahu im i dashur. Pra, me shumë dhimbje i drejtohej të Dashurit të tij. Këtë e kam parë vetë. Ai ishte i dashuruar me Profetin Muhammed s.a.v.s., dhe i dashuruar me Zotin e Lartësuar. Në fytyrën e tij shkëlqente drita e kësaj dashurie. Në gjuhën e tij rridhte po ajo dritë. Nga fjalët e tij buronin burime drite, por sytë e verbër nuk mundën ta shihnin.
Lutja e përulur e Hazret Mesihut të Premtuar a.s. në Qabe, në Haxh
Kur sufi i njohur nga Ludiana, Hazret Munshi Ahmed Xhan Sahibi, u nis për haxh, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. i shkroi një letër para nisjes. Në të, ai i shkruan:
Unë, modest dhe i kotë, kam një kërkesë shumë modeste. Me bekimin e Zotit, kur do të gëzoni vizitën e Qabesë, Shtëpisë së Allahut, në atë vend të lavdishëm e të bekuar, lutuni me zemër të prekur me këto fjalë nga ana e një robi më të pavlerë prej robërve të Allahut si unë:
“O Mëshiruesi i të gjithë mëshiruesve! Një rob i paaftë, i kotë, shumë mëkatar dhe i pavlerë, i quajtur Ghulam Ahmed, që jeton në tokën Tënde të Indisë po të lutet:
O Mëshiruesi i të gjithë mëshiruesve! Ji i kënaqur me mua dhe m’i fal gjynahet dhe mëkatet, sepse Ti je shumë Mëkatfalës dhe Mëshirëbërës dhe më mundëso të bëj punë të tilla, me të cilat Ti kënaqesh jashtëzakonisht shumë. Midis meje dhe vetes sime vendos largësinë e Lindjes e të Perëndimit dhe jetën time, vdekjen time dhe çdo forcë që kam, përdore në rrugën Tënde. Më mbaj gjallë vetëm me dashurinë Tënde, më merr shpirtin vetëm me dashurinë Tënde dhe më ringjall vetëm midis ndjekësve që përsosmërisht janë të dashuruar me Ty.
O Mëshiruesi i të gjithë mëshiruesve! Vetë me bekimin Tënd përmbushe detyrën për të cilën më ke caktuar dhe për të cilën më ke dhënë kaq pasion në zemër. Përsose Islamin me dorën time të paaftë përballë kundërshtarëve dhe të gjithë atyre që ende nuk janë në dijeni të të mirave të tij. Në saje të faljes dhe mëshirës Sate më mbaj në strehën Tënde mbrojtëse mua të paaftë, dhe të gjithë miqtë, të sinqertët dhe bashkëmendimtarët e mi dhe bëhu Mbrojtësi dhe Miku i tyre në besim e në botë dhe pranoji ata të gjithë në shtëpinë Tënde të pëlqimit. Salavate, selam dhe bekime sa më shumë qofshin mbi Profetin s.a.v.s., mbi popullin dhe sahabët e tij! …”
Ndoshta nuk e kam lexuar të gjithë lutjen. Ndonjë rresht mund të më ketë mbetur pa lexuar. Sidoqoftë, Hazret Munshi Sahibi, sipas udhëzimit të Hazret Mesihut të Premtuar a.s., e lexoi këtë lutje së bashku me grupin e tij, gjatë Haxhit të Madh, në Qabe dhe në Arafat.
Ne shohim qartë se si çdo fjalë e kësaj lutjeje është e ngjyrosur me dashurinë hyjnore, si shpërfaqet dashuria ndaj Allahut të Vetëm, dhe se si dashuria e tij për Zotin buron nga çdo fije e fjalëve të tij.
Gatishmëria për çdo sakrificë në dashurinë dhe bindjen ndaj Allahut
Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:
“Unë them se, edhe sikur të isha i bindur, se dashuria për Zotin e Madhërishëm dhe bindja ndaj Tij do të më shkaktonin dënimin më të ashpër, prapë betohem në Atë Zot, natyra ime është e tillë që do të ishte i gatshëm t’i përballoja vuajtjet dhe sprovat me kënaqësi të madhe, me hov dashurie dhe me pasion të fuqishëm. Largimin qoftë një hap nga bindja dhe nënshtrimi ndaj Allahut natyra ime e konsideron më të rëndë se një mijë vdekje ose vdekje të pafundme dhe më të rënda se të gjitha brengat dhe fatkeqësitë.”
Si mund ta gdhend në zemrat e njerëzve këtë lajm të gëzuar?
Më pas ai thotë:
“Sa fatkeq është ai njeri që ende nuk di se ai ka një Zot, i cili ka fuqi mbi çdo gjë! Parajsa jonë është Zoti ynë. Kënaqësitë tona më të larta gjenden në Zotin tonë, sepse ne e pamë Atë dhe çdolloj bukurie gjetëm në Të. Kjo pasuri është me vlerë ta marrësh nëse e gjen duke dhënë edhe jetën. Dhe ky rubin është me vlerë ta blesh edhe sikur të kushtojë sa e gjithë qenia jote. O të humbur, vraponi drejt këtij burimi se do t’jua shuajë etjen. Ky është burimi i jetës që do t’ju shpëtojë. Ç’të bëj unë? Si mund ta gdhend në zemrat e njerëzve këtë lajm të gëzuar? Me çfarë daulleje t’i njoftoj njerëzit se Ky është Zoti i tyre? Dhe me çfarë ilaçi t’ua kuroj veshët që ata të fillojnë të dëgjojnë?
Nëse bëheni të Zotit, dijeni se Zoti është juaji. Ju do të jeni në gjumë, kurse Zoti i Madhërishëm për ju do të rrijë zgjuar. Ju do të jeni të shkujdesur nga armiku, kurse Zoti do ta vëzhgojë atë dhe do ta shpartallojë planin e tij. Ju ende nuk e dini se çfarë forcash ka Zoti juaj, sepse po ta dinit, nuk do t’ju vinte asnjë ditë e tillë që të brengoseshit kaq shumë për botën. Një njeri që zotëron një thesar, vallë, a mund të qajë dhe a mund të pikëllohet e të shkatërrohet kur humb vetëm një qindarkë. Po të ishit në dijeni të thesarit që Zoti juaj ju vjen në ndihmë për çdo nevojë, pse do të bëheshit kaq të vdekur për botën?! Zoti është një thesar i bukur, çmojeni Atë, sepse Ai është Ndihmësi në çdo hap tuajin. Pa Atë ju jeni asgjë dhe as planet dhe mjetet tuaja nuk mund të bëjnë ndonjë gjë.”
(“Arka e Nuhut”, Tiranë, 2020, f. 50)
Një rrëfim intim i dashurisë së drejtpërdrejtë ndaj Allahut
Duke shprehur dashurinë ndaj Allahut në një mënyrë shumë të ndjerë, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:
“O Zoti im, o Miku im, o Sundimtari im i dashur, o i Dashuri im, o i Adhuruari im! Bota më drejtohet duke thënë – “ti je qafir”. Por a ka ndokush tjetër më të dashur për mua se Ti? Nëse do të kishte, për hir të tij do të të lija. Por unë shoh se, kur njerëzit janë të pavëmendshëm, kur as miqtë e mi dhe as armiqtë e mi nuk e dinë në çfarë gjendjeje jam, pikërisht atëherë Ti më zgjon dhe me dashuri e dhembshuri të madhe, më thua: ‘Mos u brengos, Unë jam me ty.’
Atëherë, o Miku im, si është e mundur që, pas gjithë këtyre mirësive, unë të të braktis Ty? Kurrën e kurrës!”
Njohja personale e Allahut dhe gëzimi i shpirtit
Duke iu drejtuar Allahut, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:
“Unë nuk mund t’i numëroj dot shenjat që i njoh. Unë të njoh Ty dhe e di se Ti je Zoti im. Prandaj shpirti im gëzohet në emrin Tënd, ashtu siç gëzohet një foshnjë kur sheh nënën e tij. Por shumica e njerëzve nuk më kanë njohur dhe nuk më kanë pranuar.”
Thirrje për sakrificë dhe premtimi i dashurisë hyjnore
Kjo ishte dashuria hyjnore dhe ky ishte zjarri i dashurisë për Allahun që lindi në zemrën e Hazret Mesihut të Premtuar a.s., në ndjekje të plotë të udhëehqësit të tij, Profetit Muhammed s.a.v.s.. Këtë mësim ai ia dha edhe xhematit të tij.
Ai na porositi të bëhemi gati për çdo sakrificë. Kur të sakrifikoni për hir të Allahut, të shfaqni dashurinë tuaj ndaj Tij dhe ta përmbushni të drejtën e kësaj dashurie. Atëherë Allahu do t’ju dojë po ashtu, do t’ju mbrojë nga çdo armik, do t’ju ruajë nga çdo vështirësi, dhe për çdo vepër që do ta bëni për kënaqësinë e Tij, Ai do t’ju shpërblejë pa masë, si në këtë botë ashtu edhe në botën tjetër.
Allahu na bëftë prej atyre që i do Ai dhe prej atyre që e duan Atë.
Lutje me rastin e fillimit të Vitit të Ri
Që nga dje ka filluar viti i ri, siç e dini, dhe të gjithë po i urojnë njëri-tjetrit. Le të lutemi që ky vit të jetë për ne një vit me bekime të panumërta. Allahu i shkatërroftë planet e kundërshtarëve dhe të armiqve dhe ta bekojë Xhematin me përparime edhe më të mëdha se më parë.
Ne që jetojmë jashtë, sidomos në vende të lira, jemi të lirë dhe po i festojmë gëzimet e vitit të ri. Madje edhe në Pakistan e vende të tjera njerëzit po i festojnë. Në këto momente, t’i përkujtojmë në lutjet tona edhe vëllezërit e burgosur. Në burgjet e Pakistanit, siç e kam përmendur edhe ditët e fundit, Mubarak Thani sahibi është dënuar me burgim të përjetshëm, dhe ka edhe të tjerë që ndodhen në gjendje burgimi.
Edhe në këtë gjendje, ata po hyjnë në vitin e ri duke e falënderuar Allahun, pa asnjë ankesë. Për hir të kënaqësisë së Allahut, ata kanë pranuar të mbajnë pranga prej hekuri. Allahu ua krijoftë së shpejti kushtet për lirimin.
Allahu na dhëntë neve, si edhe këtyre të burgosurve dhe të gjithë ahmedive që janë në vështirësi, një njohje edhe më të thellë të dashurisë së Allahut se më parë. Le të mos pakësohet dashuria jonë për Allahun për shkak të vështirësive, por përkundrazi, të shtohet edhe më shumë. Lutuni edhe për të shtypurit, që Allahu t’i shpëtojë të gjithë të shtypurit, kudo në botës, nga kthetrat e shtypësve dhe të vendosë paqe në botë.
Njoftim për faljen e namazit të xhenazes në mungesë
Pas namazit do të fal edhe xhenazen në mungesë. Sot ka tre xhenaze në mungesë.
Xhenazja e parë: E ndjera Reihana Basma
Të parën do ta përmendja Reihana Basma sahiben, bashkëshortja e Sejid Ahmed Nasir sahibit, e cila u nda nga jeta ditët e fundit në moshën nëntëdhjetëvjeçare. Inna lillahi ue inna ilejhi raxhiun. Me bekimin e Allahut, ajo kishte bërë edhe vasijat.
Ajo ishte stërmbesa e Hazret Mesihut të Premtuar a.s., mbesa e Hazret Mirza Sultan Ahmedit r.a., vajza e Hazret Mirza Aziz Ahmedit r.a. dhe njëkohësisht edhe mbesa e Hazret Mir Is’hak sahibit r.a. Pas martesës, ajo u shpërngul në Afrikën Lindore bashkë me bashkëshortin, dhe jetuan në Kenia. Edhe atje ajo shërbeu në punët e Laxhnasë dhe vazhdoi të kontribuonte në nivel organizativ.
Dy nga djemtë e saj janë të dedikuar: Sejid Tahir Ahmed është Zëvendës-Nazir i Isha‘atit në Anxhuman Ahmedia Rabvah, ndërsa Sejid Muzaffar Ahmed është gjithashtu i dedikuar dhe shërben në Nazaret Xhaidad. Ajo ka edhe tre fëmijë të tjerë: njëri është Anis Ahmed, bashkëshort i Sulltanasë, vajzës së Dr. Mirza Sultan Ahmedit; po ashtu Farhana, bashkëshortja e Mirza Kaleem Ahmed sahibit dhe nusja e Sahibzada Mirza Vasim Ahmed sahibit.
Dashuria për Kuranin e Shenjtë dhe lidhja me Hilafetin
Djali i saj, Sejid Tahir Ahmedi, tregon se ajo kishte një dashuri dhe lidhje shumë të fortë me Kuranin e Shenjtë dhe e lexonte rregullisht dhe shpesh. Ajo kishte një lidhje jashtëzakonisht të fortë dashurie dhe përkushtimi ndaj Kalifatit. Këto cilësi i kanë përmendur të gjithë fëmijët e saj dhe të njëjtën edukatë ua përcolli edhe fëmijëve.
Djali i saj Anis Ahmed shkruan se ajo merrte pjesë patjetër në gëzimet dhe hidhërimet e të gjithëve. Ajo na këshillonte veçanërisht për dhënien e çandës dhe na pyeste gjithmonë nëse e kishim kontribuuar apo jo. Po ashtu na tërhiqte vëmendje për agjërimet vullnetare.
Disiplina në adhurim dhe mikpritja
Vajza e saj, Farhana Fauzia, thotë se që nga fëmijëria e ka parë nënën e saj të rregullt në faljen e tehexhudit (namaz nate). Ajo ishte e përpiktë në namaz dhe i këshillonte edhe fëmijët që t’i falnin namazet në kohë. Për shkak të leximit të vazhdueshëm të Kuranit të Shenjtë, ajo kishte mësuar përmendësh sure të gjata.
Ajo na këshillonte që ta lexonim Kuranin e Shenjtë me zë të lartë. Për shkak të leximit të shpeshtë dhe studimit të thellë të tij, kishte arritur një nivel të tillë që, edhe nëse ne lexonim dhe bënim ndonjë gabim në recitim, ajo e dallonte nga larg gabimin sapo e dëgjonte.
Ajo ishte jashtëzakonisht mikpritëse. Në të kaluarën nuk kishte lehtësi si sot; ndonjëherë, sidomos në dimër, nuk kishte ujë të ngrohtë nga gizeri apo bojleri dhe duhej ngrohur me dorë. Megjithatë, ajo çohej herët në mëngjes dhe përgatiste ujë të ngrohtë për mysafirët që të merrnin abdes.
Kur Hazret Kalifi i Katërt, bashkë me bashkëshortin e të ndjerës Sejid Ahmed sahibin, i cili ishte djali i Hazret Mir Dr. Mir Ismail sahibit, udhëtonte dhe qëndronte në shtëpinë e tyre, ai vetë e ka përmendur se ajo i përgatiste ujë të ngrohtë për abdes herët në mëngjes. Një ditë ai kishte vendosur të çohej vetë shumë herët për ta ngrohur ujin, që ajo të mos lodhej, por kur u ngrit, pa se uji i ngrohtë tashmë ishte përgatitur.
Edhe pse përballuan vështirësi financiare, ajo e menaxhoi shtëpinë me mençuri dhe rregullsi.
Durimi, kënaqësia dhe ndjeshmëria ndaj Xhematit
Siç e përmenda më herët, ata jetuan fillimisht në Kenia, e më pas, me udhëzimin e Hazret Kalifit të Tretë r.a., u kthyen në Pakistan. Atje kushtet nuk ishin më si më parë, por ajo i përballoi të gjitha me buzëqeshje dhe durim.
Motra e saj, Atika Farzana, thotë se ajo kishte një ndjeshmëri shumë të madhe për Xhematin dhe nuk duronte të dëgjonte asgjë kundër tij. Motra tjetër e madhe, Dureshahvar Durdana, thotë se ajo zgjohej për tehexhud (namaz nate) pa alarm. Për shkak të vajzave të saj ajo ndonjëherë shqetësohej, por i thoshte: “Mos u mërzit, Allahu do t’ua rregullojë martesat”, dhe Allahu vërtet i rregulloi ato.
Ajo ishte shumë e duruar, falënderuese dhe me një forcë të madhe shpirtërore.
Allahu e faltë dhe e mëshiroftë!
Xhenazja e dytë në mungesë: Mukarrame Ifet Halim sahiba (Liberi)
Përmendja e radhës është për të ndjerën Iffat Halim, ish-Presidente Kombëtare e Laxhna Imaillah në Liberi. Ajo ishte bashkëshortja e Dr. Abdul Halim sahib, i dedikuar përjetësisht dhe përgjegjës i klinikës në Mandrauia, në Liberi. Ajo u sëmur dhe, për trajtim, kishte shkuar në Holandë. Më 21 dhjetor, ajo ndërroi jetë në moshën 69-vjeçare.Inna lillahi ue inna ilejhi raxhiun.
Me bekimin e Allahut, ajo kishte bërë edhe vasijat, me pjesëmarrje një të tretën në sistemin e Vasijatit. Xhemati Ahmedia mbërriti në familjen e saj përmes stërgjyshit të saj, Muhammed Ali sahib, i cili kishte bërë bejat në dorën e Hazret Kalifit të Dytë r.a..
Në korrik 2004, e ndjera shkoi në Liberi bashkë me bashkëshortin. Njëzet e një vjet i kaloi në Liberi. Gjatë kësaj kohe, ajo shërbeu disa herë si Presidente e Laxhnas dhe edhe në momentin e ndarjes nga jeta ishte duke shërbyer si Presidente e Laxhna Imaillah.
Ajo ishte e rregullt në tehexhud, kujdesej për agjërimet, lexonte Kuranin e Shenjtë me rregullsi dhe kishte një lidhje jashtëzakonisht të fortë dashurie dhe bindjeje ndaj Kalifatit. Detyrat organizative i kryente me sinqeritet të madh. Merrte pjesë me entuziazëm në fushatat financiare, jepte shpesh sadaka dhe bamirësi, ishte mikpritëse, e dashur në shoqëri, me moral të lartë, dhe e mbushur me ndjenjën e shërbimit ndaj njerëzve të vuajtur.
Shërbimi për Kuranin, fëmijët dhe të varfrit
Ajo jo vetëm që e lexonte vetë Kuranin e Shenjtë me dashuri, por organizonte edhe klasa të posaçme për Laxhna, ku u mësonte grave dhe fëmijëve leximin e Kuranit dhe organizonte edhe aminet e tyre.
Mikpritja ishte një cilësi shumë e spikatur tek ajo. Njerëzit qëndronin tek ajo jo vetëm një apo dy ditë, por me ditë të tëra, dhe ajo i shërbente me gëzim dhe zemërgjerësi. Sidomos gjatë muajit të Ramazanit, ajo organizonte rregullisht syfyr dhe iftar për njerëzit në nevojë. Çdo njeri që e njihte, e përmendte këtë cilësi të saj me shumë dashuri.
Përpikëri në namaz dhe shembull praktik në jetë
Presidentja e një lagjeje në xhemat, Znj. Arifa, thotë se përpikëria e saj në namaz ishte e jashtëzakonshme. Ajo tregonte se, kur znj Ifet Halim shkonte në shtëpinë e saj, nëse gjatë punës vinte koha e namazit, ajo thoshte:
“Së pari do të falim namazin, pastaj do ta vazhdojmë punën.”
Nuk ndodhte kurrë që të thoshte: “Ta mbarojmë punën dhe pastaj falemi.” Për të, namazi vinte gjithmonë e para.
“Ajo ishte fytyra e vërtetë e një ahmediane”
Farukh Shabbir sahib, misionar në Liberi, thotë:
“Nëse personaliteti i Znj Ifet Halim do të përshkruhej me pak fjalë, mjafton të thuhet se ajo ishte fytyra e vërtetë e një ahmediane.”
Një misionar lokal nga Liberia, Momokroma sahibi, i cili shërben aktualisht atje, thotë se ka pasur shumë raste për ta takuar dhe biseduar me të, dhe çdo herë ndjente sikur po fliste me një nënë, dashuria e së cilës për fëmijët nuk njihte kufi.
Ajo nuk kishte fëmijë biologjikë, por kishte adoptuar dy fëmijë. Njëra ishte vajza e vëllait të bashkëshortit të saj, e cila është 14 vjeçe dhe aktualisht po shkollohet. Fëmija tjetër ishte një djalë liberian, Ahmed Masrur Singh Ba, të cilin ajo e mori në moshë shumë të vogël dhe e rriti si fëmijën e vet. Sot ai është student në Xhamia Ahmedia International në Ganë, në vitin e pestë (derxha khamisa).
Allahu i pranoftë lutjet e saj për këta fëmijë dhe e faltë dhe e mëshiroftë.
Xhenazja e tretë: I ndjeri Abdul-Alim Al-Barbari (Egjipt)
Përmendja e tretë është për të ndjerin Abdul-Alim Al-Barbari sahib nga Egjipti, i cili ndërroi jetë ditët e fundit në moshën 64-vjeçare. Inna lillahi ue inna ilejhi raxhiun.
I ndjeri ishte një ahmedi i devotshëm, i sinqertë dhe flijues për Xhematin. Bashkëshortja dhe vajza e tij, me bekimin e Allahut, janë gjithashtu ahmedi. Bashkëshortja e tij shkruan se dashuria e të ndjerit për Allahun ishte aq e thellë, sa dukej sikur ai ishte krijuar vetëm për ta përmendur Allahun. Ai ishte një njeri me moral shumë të lartë dhe kurrë nuk fliste keq për askënd. Ajo thotë se gjatë 31 viteve martesë, ai kurrë nuk i shkaktoi asnjë dhimbje, por ishte një bashkëshort shembullor dhe i drejtë.
Pranimi i Xhematit përmes kanalit MTA Al-Arabia dhe durimi në kundërshtime
Ai dhe vajza e tij pranuan Xhematin Ahmedia në vitin 2008, pasi kishin parë kanalin MTA Arabia. Bashkëshortja tregon se ajo vetë kishte kundërshtuar ashpër, kishte krijuar vështirësi dhe kishte thirrur edhe familjarët për ta kundërshtuar atë, por babë e bijë treguan durim të jashtëzakonshëm.
Një ditë, ajo dëgjoi bashkëshortin e saj duke u lutur me zë të lartë pas namazit, duke thënë vazhdimisht:
“O Zot, ose udhëzoje bashkëshorten time, ose largoje prej meje.”
Kjo lutje e preku thellë, edhe pse në fillim nuk i tregoi atij. Ajo vetë filloi të lutej dhe, pas një muaji, me bekimin e Allahut, Zoti ia qetësoi zemrën dhe ajo pati mundësinë të bëjë bejat duke u anëtarësuar në Xhemat.
Kjo tregon se ata që me sinqeritet e kërkojnë udhëzimin, Allahu i udhëzon.
Qëndrueshmëri në besim dhe fund i bekuar
Pas bejatit, vëllezërit e tij e kundërshtuan ashpër. Ata thirrën edhe një hoxhë të njohur për ta larguar nga Xhemati, por ai dështoi. Bashkëshortja tregon se përgjigjja e tij ishte e qartë:
“E vërteta e Hazret Mesihut të Premtuar a.s. është bërë për mua aq e qartë dhe ka zënë rrënjë kaq thellë në zemrën time, sa nuk mund të largohem nga besimi im. Përmes tij kam arritur njohjen e vërtetë të Allahut, dhe këtë nuk mund ta braktis me asnjë çmim.”
Ai duroi 11 vite sëmundje, gjithmonë me durim dhe i kënaqur me vullnetin e Allahut. Shpesh thoshte:
“Ai që e do takimin me Allahun, Allahu e do takimin me të.”
Edhe në ditët e fundit të jetës, fjalët “Allah, Allah” i dilnin nga goja.
Presidenti i Xhematit të Egjiptit thotë se tek ai gjithmonë shihej një shprehje e natyrshme e dashurisë për Xhematin dhe Kalifatin. Disa u përpoqën ta fusnin në fitne, por ai qëndroi i palëkundur në besëlidhjen e bejatit.
Në fshatin e tij, qindra jo-ahmedianë morën pjesë në xhenazen e tij, të cilën Presidenti i Xhematit e fali në xhaminë e jo-ahmedive. Djali i tij nuk është ahmedi, por i ndjeri e kishte porositur që xhenazja e tij të falej sipas mënyrës së Xhematit Musliman Ahemdia. Djali ka moral të mirë dhe aktualisht po bën studim dhe kërkim rreth Xhematit.
Allahu e faltë dhe e mëshiroftë, t’i shtojë familjes së tij sinqeritet dhe besnikëri, dhe t’i japë edhe djalit të tij mundësinë për ta pranuar Xhematin!
Lutje për familjen dhe dëshmia e pranimit të së vërtetës
Edhe Tahër Nedim sahib ka shkruar për të ndjerin. Ai thotë se disa vite më parë kishte shkuar në Egjipt dhe atje ishte takuar me të. Tahër Nedim sahibi tregon se ata i rrëfyen një ngjarje lidhur me bejatin (pranimin e besimit) të bashkëshortes së tij. Ai thotë:
“Imani im ndaj Hazret Mesihut të Premtuar a.s. ka qenë i fortë që nga fillimi, por Allahu i Madhërishëm, duke e pranuar lutjen time, e forcoi edhe më tej imanin tim përmes bejatit të bashkëshortes sime. Askush nuk mund ta imagjinonte që ajo grua, e cila ishte shndërruar në një kundërshtare e fortë e imja, sot shkon bashkë me mua në çdo mbledhje të xhematit dhe, me gëzim të plotë të zemrës, merr pjesë në punët e xhematit: pastrim, gatim dhe çdo detyrë tjetër që kryejnë gratë në kuadër të Laxhnasë, e bën ajo.”
Allahu i Madhërishëm ua shtoftë fëmijëve, vajzës dhe bashkëshortes, sinqeritet dhe besnikëri. Djalin e mundësoftë ta pranojë xhematin. Allahu i Madhërishëm e faltë dhe e mëshiroftë të ndjerin.
***