Toka e premtuar i përket Zotit dhe premtimi është për të gjithë bijtë e Ibrahimit
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Toka e premtuar: Toka i përket Zotit dhe premtimi është për të gjithë bijtë e Ibrahimit

Emiri i Xhematit Musliman Ahmedia në vendet e shenjta
toka e premtuar palestina izraeli e kujt eshte

(Artikull i botuar në gazetën Kul al-Arab, një gazetë javore në gjuhën arabe, e themeluar në vitin 1987 dhe me seli në Nazaret (Izrael). Gazeta konsiderohet një nga gazetat më të njohura dhe me ndikim në mesin e arabëve brenda Izraelit dhe shpërndahet edhe në Palestinë. Redaksia)

Më 20 shkurt 2026, gjatë një interviste të ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Izrael, Majk Hakabi (Mike Huckabee), me Taker Karlsonin (Tucker Carlson), u bënë deklarata rreth “Tokës së Premtuar” që mbartin pasoja të rrezikshme për stabilitetin e rajonit tonë. Ambasadori Hakabi deklaroi se “nuk ka asgjë të gabuar” në zgjerimin e Izraelit për të përfshirë të gjitha tokat e përmendura në Tevrat (në Torah, Bibël), një interpretim që duket se shtrihet duke përfshirë pjesë të Irakut, të Sirisë, të Jordanisë, të Egjiptit dhe të Palestinës. Ndërsa shumëkush reagoi me dënime politike, unë e shoh të domosdoshme t’i rrëzoj këto pretendime përmes vetë teksteve të shenjta që janë cituar.

Përdorimi i tekstit fetar si justifikim për zgjerimin territorial modern është një lloj interpretimi arbitrar. Si kryetar i Xhematit Musliman Ahmedia në vendet e shenjta, theksoj se leximi i përgjegjshëm dhe i saktë i librave të shenjtë kërkon përkushtim ndaj drejtësisë, jo justifikim për agresion.

Përfshirja e premtimit për “pasardhësit” (zera‘)

Është e domosdoshme saktësia kur citohet teksti i Tevratit. Ajeti thotë:

“Unë u jap pasardhësve të tu këtë vend” (Zanafilla 15:18).

Po ashtu thotë:

“Tërë vendin që sheh, unë do të ta jap ty dhe pasardhësve të tu, për gjithnjë.” (Zanafilla 13:15).

Fjala “pasardhës” (zera‘) përfshin të gjithë pasardhësit e Ibrahimit. Sipas vetë traditës biblike, Ismaili është djali i madh i Ibrahimit dhe edhe ai mori një bekim dhe një premtim të madh hyjnor. Në fakt, pasardhësit e Ismailit (arabët) kanë jetuar për breza të tërë në këtë tokë të gjerë që shtrihet midis Nilit dhe Eufratit. Prania e tyre e vazhdueshme në këtë tokë është dëshmi se premtimi hyjnor është përmbushur tashmë dhe vazhdon të përmbushet. Ky premtim nuk është i kufizuar për një grup të vetëm, por është një premtim gjithëpërfshirës për të gjithë pasardhësit e Ibrahimit. Duhet të mësojmë nga ky premtim hyjnor rëndësinë e bashkëjetesës midis bijve të Ibrahimit me dashuri, paqe dhe siguri, në vend që të nxisim armiqësi dhe të ndezim zjarrin e përçarjes.

Kushti hyjnor: drejtësia dhe druajtja ndaj Zotit

Nuk është në dorën e njerëzve “të marrin në zotërim gjithë tokën” bazuar në një ajet të vetëm të keqinterpretuar, duke injoruar pjesën tjetër të teksteve të shenjta. Po ashtu, kjo nuk është në përputhje me vullnetin e Zotit të botëve, i cili ka urdhëruar në Psalme:

“Largohu nga e keqja dhe bëj të mirën”,

dhe ka thënë gjithashtu:

“Sepse Zoti e do drejtësinë dhe nuk ka për t’i braktisur kurrë shenjtorët e tij; ata do të ruhen përjetë, ndërsa pasardhësit e të pabesëve do të shfarosen. Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë gjithnjë mbi të.” (Psalmet 37:27-29).

E drejta mbi tokën është e kushtëzuar vetëm nga ushtrimi i drejtësisë dhe druajtjes ndaj Zotit; kështu Zoti ua jep tokën të mirëve. Zoti nuk favorizon asnjë komb apo grup në mënyrë arbitrare; Ai është Zoti i së vërtetës dhe i drejtësisë dhe i ndihmon ata që veprojnë me drejtësi.

Për më tepër, Tevrati vendos një parim të qartë: e drejta për të jetuar në tokë varet nga vendosja e drejtësisë dhe ligjeve të Zotit. Kur njerëzit prishin rrugët e tyre dhe nuk zbatojnë drejtësinë, vetë toka “i dëbon” banorët e saj, siç është përmendur në Librin e Levitikut (18:26-28):

“Ju, pra, do të respektoni statutet dhe dekretet e Mia… që toka të mos ju dëbojë për shkak se e ndotët atë, ashtu siç dëboi popujt që ishin para jush”.

Midis profecisë dhe dëshirave njerëzore

Duhet të kuptojmë se historia dhe realiteti kompleks njerëzor janë mjetet përmes të cilave Zoti e vërteton fjalën e Tij. Profecitë nuk përmbushen me forcë, me padrejtësi, me derdhje gjaku apo me agresion ndaj fqinjëve, sidomos ndaj atyre me të cilët janë lidhur marrëveshje paqeje dhe sigurie. Një agresion i tillë nuk buron nga një profeci fetare, por nga dëshirat njerëzore.

Interpretimi i përgjegjshëm i librave të shenjtë kërkon kujdes të madh, sidomos kur bëhet fjalë për jetën dhe sigurinë e njeriut. Duhet të ruhemi nga mendjemadhësia dhe dehja, duke kujtuar se rrugët e Zotit janë rrugë paqeje. Zoti nuk ka nevojë për “ndihmës” që e realizojnë fjalën e Tij përmes padrejtësisë. Qëndrimi i njeriut në tokë është i kushtëzuar nga të bërët mirë dhe vendosja e drejtësisë. Pa këtë, vetë toka mbetet gjykatësi i drejtë.

LEXO:

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutem
Share via