
Lind një pyetje e rëndësishme: Çfarë është Imami i kohës? Cilat janë shenjat e tij dhe çfarë epërsie ka ai mbi të tjerët, të cilëve u vijnë shpallje, ëndrra dhe vizione?
Përgjigjja e kësaj pyetjeje është se Imami i kohës është ai, për edukimin shpirtëror të të cilit merr përsipër vetë Zoti i Madhërishëm. Zoti i dhuron një dritë të tillë të imamatit, saqë ai arrin t’i mundë të gjithë racionalistët dhe filozofët e botës në çdolloj debati me ta. Me fuqinë e Zotit, ai u përgjigjet edhe akuzave më të ndërlikuara me atë mrekulli, saqë njerëzit binden të pohojnë,– Po, në këtë botë kalimtare ky paska ardhur i pajisur me të gjitha aftësitë që janë të nevojshme për reformimin e saj. Prandaj, ai nuk turpërohet përpara asnjë armiku.
Në pozitën shpirtërore, ai quhet kryekomandant i ushtrive të Muhammedit. Zoti i Madhërishëm dëshiron që përsëri feja të shënojë fitore me dorën e tij. Zoti u dhuron aftësitë më të larta edhe të gjithë atyre, që mblidhen nën flamurin e tij. Zoti i dhuron atij të gjitha aftësitë që janë të nevojshme për të sjellë reformën shpirtërore dhe të gjitha dijet që duhen për të larguar akuzat dhe për të nxjerrë në dritë meritat e Islamit.
Përveç kësaj, Zoti i Madhërishëm e di që Imami i kohës do të përballet edhe me të paedukatët dhe gjuhëhelmët e botës. Kështu që, i dhuron atij në kapacitetin më të lartë, forcën morale, si dhe dhembshurinë e sinqertë për njerëzimin. Me forcën e moralit nuk nënkupton që ai të tregohet i butë vend e pa vend, pasi kjo është kundër urtësisë, por do të thotë që ai të mos sillet si një shkurtpamës, i cili digjet e zemërohet nga fjalët e kundërshtarit dhe që për shkak të gjaknxehtësisë, i vlon fytyra nga zemërimi, duke nxjerrë nga goja fjalë të padenja. Kjo nuk mund të jetë gjendja për njerëzit e virtytshëm.
Po, ndonjëherë Imamët e kohës flasin edhe ashpër për shkak të situatës. Këtë e bëjnë për hir të reformës. Megjithatë, edhe në situata të tilla, ata as nuk digjen nga brenda dhe as nuk pushtohen nga zemërimi. Në fakt, zemërimi që shfaqin është artificial, pasi zemra e tyre është e mbushur plot qetësi dhe siguri. Kjo është arsyeja pse Hazret Jezusi a.s., në disa raste, iu drejtua të tjerëve me fjalë të ashpra, si “derra”, “qenë”, “të pafe”, “kurorëshkelës”, etj., etj.. Por ne nuk mund të themi se, me’adhallah, atij i mungonte morali. Përkundrazi, ai ua mësonte të tjerëve moralin dhe ua edukonte butësinë.
Andaj, këto fjalë që Jezusi i përdorte shpesh, nuk buronin prej një mendjeje të pushtuar nga zemërimi dhe nga çmenduria, por prej një zemre tejet të qetë, dhe që gjenin zbatim në kohën dhe në vendin e duhur.
Shkurt, Imamët e kohës e kanë domosdoshmëri përsosmërinë në gjendjen e tyre morale. Gjithashtu, kur një fjalë e rëndë nuk del për shkak të nervozizmit apo të çmendurisë, madje përdoret në vendin dhe situatën e duhur, nuk quhet kundër moralit.