Pse duhet ta kërkojmë Zotin?
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

 Tani, le të fokusohemi në temën kryesore. Pyetja e parë që neve mund të na dalë është, pse duhet të kërkojmë rreth Zotit? Domethënë, pse duhet të futemi në këtë hetim se a ka Zot apo jo? Atij që mohon qenien e Zotit, deri në një farë mase, është normale që t’i lindë kjo pyetje dhe të mendojë pse duhet të harxhojë kohën dhe aftësitë e tij rreth kësaj çështjeje. Prandaj kësaj pyetjeje duhet t’i përgjigjemi.

Për domosdoshmërinë e të fituarit të njohurive për çdo gjë ne duhet të nisemi nga dy kritere. Së pari, duhet të marrim parasysh se, nëse e përvetësojmë një gjë, a është ajo e dobishme për ne apo jo? Nëse ajo, për shumë arsye, është e leverdishme, atëherë e përvetësojmë atë, përndryshe e lëmë.

Kriter i dytë që marrim parasysh është se mos ajo gjë është e dëmshme për ne. Nëse dyshojmë se mund të kemi ndonjë pasojë nga ajo, atëherë nuk është e nevojshme që ta marrim atë, përndryshe e marrim. Pra, nëse dihet që një gjë është e dobishme atëherë duhet ta marrim atë dhe nëse ajo është e dëmshme, nuk do ta marrim. Mbi bazën e këtij kriteri vlerësohet edhe shkalla e nevojës dhe e domosdoshmërisë së një gjeje. Domethënë nëse ajo është shumë e dobishme për ne që ta marrim, atëherë ne nuk e lëmë pa e marrë atë dhe anasjelltas.

Tani le ta diskutojmë pyetjen që shtruam më sipër mbi bazën e këtij kriteri. Me fjalë të tjera, duhet të dimë se; nëse ka Zot a është e dobishme që të besojmë në Të, po ashtu a është e dëmshme nëse nuk do të besojmë në Të? Për të vendosur, duhet të dimë edhe natyrën e kësaj pyetjeje që parashtruam rreth Zotit. Nëse qenia e Zotit na shtrohet para nesh si një tezë apo çështje shkencore, që nuk ndikon në jetën tonë drejtpërdrejt, atëherë ajo u takon vetëm specialistëve të fushës së dijes, dhe të gjithë njerëzit e tjerë kanë të drejtë të mos pranojnë që të futen në këtë hetim dhe ta kufizojnë dijen e tyre deri tek ato gjëra të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e tyre. Për shembull, nëse dikush na njofton se “unë kam zbuluar një yll të ri që është kaq larg nga toka e që nuk ndikon mbi planetin tonë dhe as nuk ka ndonjë lidhje me Sistemin Diellor”, atëherë ky njoftim mund t’u hyjë në punë vetëm atyre që janë dijetarë të fushës së astronomisë, por të tjerëve nuk u intereson fare. Por nëse dikush thotë se “unë kam zbuluar një gjë që i jep njeriut një fuqi të atillë që ia shton moshën në mënyrë jo të zakonshme dhe që pasojat e pleqërisë i shfaqen shumë më vonë”, dhe nëse ai njeri që e ka zbuluar këtë është ndonjë shkencëtar i famshëm, atëherë njerëzit me shumë kënaqësi e dëgjojnë atë.

Nëse ne do të shikojmë Zotin në këtë mënyrë atëherë kjo çështje na shtrohet para nesh nga tri drejtime. Së pari, instinkti ynë na e shtron këtë pyetje. Së dyti, e shtron edhe mendja jonë dhe së treti na e parashtron edhe feja. Dhe të tria këto na e paraqesin këtë çështje në mënyrë të atillë saqë ne assesi nuk mund t’i shmangemi.

Si fillim unë do të trajtoj fenomenin e instinktit. Çdo njeri që është i aftë të mendojë, dhe veprat e këqija akoma nuk e kanë mbuluar instinktin e tij me perde të mendjemadhësisë dhe të errësirës, mund të ndiejë se instinkti i tij, herë pas here, e shtyn të mendojë se “ndoshta unë kam një Zot, që më ka krijuar dhe që e kontrollon tërë sistemin e gjithësisë.” Njëkohësisht na lind edhe mendimi, po që se dikush na ka krijuar dhe ne vetë nuk kemi ardhur në këtë botë, atëherë Krijuesi ynë patjetër duhet të ketë ndonjë qëllim të caktuar në krijimin tonë. Pothuajse, instinkti i çdo njeriu, herë pas here, e nxit atë të bëjë pyetje të tilla. Këtu unë nuk do të përmend se instinkti iu përgjigjet ose jo këtyre pyetjeve, sepse kjo çështje do të diskutohet më vonë. Por, gjithsesi kjo është e vërtetë, se instinkti ynë shpesh na shtron këto pyetje dhe i shtron në atë mënyrë që ne nuk mund t’u shmangemi lehtësisht. Pasi që mbarojmë hetimet, patjetër ne kemi të drejtë të nxjerrim si përfundim se pyetje të tilla të instinktit janë të pabazuara dhe se nuk ka ndonjë zot dhe i tërë ky sistem i gjithësisë që u krijua vetë dhe po zhvillohet vetvetiu. Por duhet të  mendoni mirë se, pasi ju lindën këto pyetje, ju nuk keni asnjë të drejtë të thoni se ne nuk duam t’u futemi fare këtyre hetimeve.

Ashtu është edhe gjendja e mendimit të njeriut. Edhe mendja, le të shprehet pas hetimeve se nuk ka Zot; por ajo, me ngulm na i shtron neve këto pyetje. Madje, ajo i shtron më qartë dhe me më hollësi se instinkti ynë. Mendja jonë shpesh na thotë: Kujdes! Shikoje dhe mendoje mirë! A mos ke vallë ndonjë Zot që ty të ka dërguar në këtë botë me një qëllim të caktuar, kurse ti je i pakujdesshëm ndaj qëllimit të Tij dhe në atë gjendje pastaj të vdesësh? Zgjohu! Nëse ka një Zot, atëherë kërkoje! Mendoje mirë se në këtë botë a ke ardhur vetëm sa të hash dhe të pish dhe t’i plotësosh kënaqësitë e tua trupore dhe kur të të vijë vdekja, t’i lësh fëmijët pas që të luajnë në këtë botë të njëjtin rol si ti? Hapi sytë dhe shiko mirë se a u krijove vetë? I gjithë trupi yt i përsosur dhe i ndërlikuar, a është i vetëkrijuar? E gjithë kjo hapësirë, me kaq përsosmëri, mendon se mund të jetë një ngjarje e rastit? Nëse nuk është kështu, atëherë të gjitha këto i ka krijuar një Zot i Gjithëfuqishëm dhe i Urtë, por a i ka krijuar Ai këto vetëm për lojë dhe dëfrim? Mos ndoshta mendojmë që, Ai, duke parë krijimin e vet të pasosur, sa për argëtim e t’i kënaqë sytë e Tij, t’i japë fund argëtimit të Tij dhe ta zhdukë këtë krijim me një goditje kolosale nga dora e Tij madhështore dhe pastaj të fillojë një lojë tjetër? A nuk ka shumë gjasa që njeriu të jetë krijuar me një qëllim dhe që ai duhet të përgjigjet para dikujt për veprat e tij të kësaj bote? Këto janë ato pyetje të cilat i shtron mendja e çdo njeriu të mençur para vetes së tij. Tani më thoni sinqerisht, a janë këto pyetje të atilla, të cilat duke i quajtur të kota, ju mund t’u shmangeni e të heshtni? Unë nuk ju pyes ju se si do t’ju përgjigjeni këtyre pyetjeve, sepse përgjigjet do të gjenden mbi bazën e hulumtimeve të çdo njeriu, dhe asnjë hulumtues i sinqertë nuk mund të nxjerrë ndonjë përfundim para kohe. Unë dua t’ju them se mënyra sesi ju shtrohen juve këto pyetje, kërkon nga ju që me aftësitë tuaja t’i gjeni përgjigjet e tyre dhe ju nuk duhet të reshtni së kërkuari derisa të arrini të nxirrni një përfundim të sinqertë.

Shkurt, edhe instinkti dhe mendja e njeriut na e paraqesin çështjen e qenies së Zotit në atë mënyrë që ne kurrsesi nuk mund t’i mbyllim sytë pa e zgjidhur atë. A është pa lidhje për ne pyetja se a ekziston Krijuesi ynë apo jo? A është pa lidhje për ne pyetja se nëse dikush na ka krijuar atëherë kush është Ai? Ku gjendet Ai? Cilat janë atributet e Tij? A është pa lidhje për ne pyetja se nëse dikush na ka krijuar, atëherë cili është qëllimi i krijimit tonë? Si mund të arrihet ai qëllim? Nëse këto pyetje nuk janë pa lidhje për ne, dhe me siguri se nuk janë, atëherë cili i mençur mund të mohojë që t’i kërkojë përgjigjet e tyre?

Në vendin e tretë është feja. Të gjitha fetë që janë në këtë botë, na parashtrojnë çështjen e qenies së Zotit. Për më tepër, në qendër të mësimeve të tyre është qenia e Zotit. Fetë, pasi u themeluan, u pranuan nga miliona njerëz të kësaj bote. Burimi i tyre është i njëjtë, Zoti i Lartësuar. Bazën e tyre e kanë pasur tek shpallja Hyjnore, që në çdo kohë ka ndriçuar një botë të madhe. Por, ndonëse mësimet e këtyre feve, për shkak të ndërhyrjes njerëzore, ndryshuan shumë, edhe sot ne mund të gjejmë në to shumë prova dhe sqarime rreth qenies së Zotit të Lartësuar që mund të na bindin dhe që pasqyrojnë zërin e instinktit të njeriut. Domethënë, mesazhin që mbante instinkti dhe mendja, e ka sqaruar shpallja Hyjnore. Madje feja nuk na thotë vetëm kaq, që mund të kemi një Zot, siç na thonë instinkti dhe mendja, por ajo kategorikisht na njofton se në të vërtetë kemi një Zot që është Krijuesi dhe Udhëheqësi ynë dhe që na ka dërguar në këtë botë me një qëllim të caktuar. Fetë e ndryshme të kësaj bote, sado që të jenë kundërthënëse njëra me tjetrën në mësimet e tyre, kanë një pikë të përbashkët se gjithësia ka një Krijues dhe Udhëheqës, në zotërimin e të Cilit janë edhe jetët tona dhe Ai na ka caktuar një qëllim në këtë jetë dhe Vetë na ka treguar edhe rrugën, nëpërmjet së cilës mund të arrihet ky qëllim. Këto fe na lajmërojnë se jeta jonë nuk mbaron mbas vdekjes por kemi edhe një jetë tjetër pas kësaj, ku njeriu do të shohë vlerësimin e veprave të tij të kësaj bote etj. Kjo dëshmi, që është e përbashkët në çdo fe, çështjen e qenies së Zotit na e parashtron aq fort saqë ne jemi të detyruar ta hetojmë për të arritur në një përfundim. Sepse informacionet që japin këto fe rreth Zotit nëse janë të vërteta, atëherë të qenit i pavetëdijshëm ndaj Tij është humbja më e madhe nga të gjitha ato humbje që mund pësojmë në këtë botë, sepse, duke qenë i paditur rreth qenies së Tij, jeta jonë shkon kot dhe pavlerë. Në anën tjetër, nëse ne e njohim vërtet Zotin dhe lidhemi me Të, atëherë kjo është dobia më e madhe nga të gjitha dobitë që mund të përfitojmë në këtë botë. Sepse njohja e Tij dhe lidhja me Të, do të thotë se, kemi arritur qëllimin e jetës sonë për të cilin ne kemi ardhur në këtë botë. Andaj çështja e kërkimit të qenies së Zotit është shumë e rëndësishme, ndaj së cilës, asnjë njeri i mençur, për asnjë çast, nuk mund të tregohet i pavëmendshëm.

Mbas kësaj dëshmie të përbashkët në çdo fe, unë dua t’ju tregoj edhe mësimet e veçanta të Islamit në lidhje me këtë. Pra, o miq të dashur! Dëgjoni mirë se Islami ju thotë se ju keni një Zot, që është Krijuesi dhe Udhëheqësi juaj, që ju ka krijuar nga asgjëja dhe në duart e Tij është jeta juaj. Islami ju thotë se Zoti juaj është Rrab-i juaj, që do të thotë Ai dëshiron t’ju çojë ju në një pozitë të lartë duke ju pajisur me të gjitha aftësitë e nevojshme për arritjen tuaj deri atje. Islami ju thotë se ju keni një Zot, i Cili është Rrahman, (i Gjithëmëshirshëm) që do të thotë, Ai duke i parashikuar të gjitha nevojat tuaja të vërteta, jua ka dhënë Vetë ato, pa qenë nevoja që t’ia kërkoni dhe pa patur nevojë që të mundoheni dhe të lodheni për t’i gjetur ato. Islami ju tregon se keni një Zot, që është Rrahim, (Mëshirëplotë) domethënë, Ai ju jep shpërblimet më të mira për përpjekjet tuaja dhe nuk lë asnjë vepër tuaja të sinqertë t’ju shkojë kot. Islami ju thotë se Zoti juaj është Maliki Jeumiddin (Sundues i Ditës së Gjykimit), domethënë Ai i vlerëson veprat tuaja. Kur një njeri ecën në rrugën e drejtë, ai shpërblehet me të mirën dhe kur ai shkon në një rrugë të gabuar atëherë atij i duhet të shikojë pasojat e tij, sa të zgjohet dhe mos ta harrojë qëllimin e jetës së tij, të cilin ia ka caktuar Ai. Sepse një ditë ai duhet të paraqitet para Zotit. Islami ju thotë se ju keni një Zot, që është Gëfurr, (Mëkatfalës) që do të thotë se kur ju bëni lajthitje ose gabime duke u përpjekur në rrugën e Zotit, Ai jua mbulon ato me mantelin e mëshirës së Tij, dhe duke u kujdesur për përpjekjet tuaja ju shpëton nga pasojat tyre. Islami ju thotë se ju keni një Zot, që është Teuvab (Pendimpranues), domethënë, kur ju bëni ndonjë gabim dhe pastaj me zemër të sinqertë pendoheni dhe përzemërsisht filloni të përmirësoheni dhe vendosni që mos ta përsërisni atë gabim, madje do ta shlyeni atë me vepra të mira, atëherë edhe Zoti juaj zbret për t’ju ndihmuar dhe duke pranuar pendimet tuaja jua mbulon mëkatin tuaj me mantelin e Tij të faljes. Gjithashtu, Islami ju thotë se ju keni një Zoti që është Kadir (i Plotfuqishëm), domethënë sado që të jetë e vështirë ose e pamundur diçka për ju, nuk është e pamundur për Atë. Islami ju thotë se Zoti juaj është Semi, (i Gjithëdëgjueshëm), domethënë Ai i përgjigjet thirrjes së çdo njeriu dhe nuk ka asnjë zë që nuk arrin tek Ai. Islami ju thotë se Zoti juaj është Elim, (i Gjithëdijshëm), domethënë asnjë fjalë ose asnjë gjë, e mbuluar apo e zbuluar, nuk është e fshehur për Të. Islami ju thotë se Zoti juaj është Nasir (Ndihmëtar), domethënë ju ndihmon në të gjitha kohët e vështira dhe në krizat tuaja të rënda, me kusht që edhe ju të keni një lidhje të sinqertë me Të. Islami ju thotë se Zoti juaj është i Amshueshëm, domethënë, Ai s’ka fillim dhe s’ka mbarim dhe koha nuk mund ta ndikojë Atë. Islami ju thotë se Zoti juaj është Xhemil (i Bukur), Ai është përmbledhja e të gjitha bukurive dhe vetëm Ai është i denjë që ju t’i paraqisni lulet tuaja të dashurisë në këmbët e Tij. Islami ju thotë se Zoti juaj është Vadud, (i Dashuruar) domethënë Ai i do robërit e Tij dhe në veçanti ata që lidhen me Të, i do më shumë se të gjithë dashuruarit e tyre dhe tregohet besnik ndaj tyre nga të gjithë besnikët e tjerë. Islami ju thotë se ju keni një Zot, që është Mukellim, (Gjithëfolës), domethënë Ai i shpërblen ata që janë të lidhur me Të edhe me fjalët e Tij Hyjnore. Dhe meqenëse ai është i Patrup, Ai nuk shihet nga sytë fizikë, por Ai u spërkat sherbetin e fjalëve të Tij të dashurve, që mos të bëhen ato zemra hi nga zjarri i dashurisë, të cilat janë të përflakura me dashurinë e Tij. Sa bukur e ka shprehur Hazret Mesihu i Premtuar a.s., themeluesi i Xhematit Mysliman Ahmadia (në një poezi të tij):

Po të mos e kisha mirësinë Tënde, unë do të kisha vdekur dhe isha bërë dhé,
Pastaj, vetëm Zoti e di se ku do të ishte hedhur ky pluhur.

Të dashur miq! Ky është Zoti që paraqet Islami. Momentalisht, unë nuk do t’ju them të besoni në Të, por do t’ju them patjetër se Islami thotë se ju keni një Zot, që ka këto atribute dhe ai gjithashtu thotë se ju, duke u përpjekur, mund ta gjeni Atë. A mund të thoni së përpjekjet për ta gjetur Atë janë të kota dhe nuk ju interesojnë? Nëse ju keni mendjen dhe zemrën e ndershme e të ndjeshme, atëherë kurrsesi nuk mund ta konsideroni të kotë këtë kërkim. O të dashur! Zgjohuni dhe nisuni në kërkimet e këtij Zoti. Zgjohuni dhe vraponi drejt atij burimi, i cili është burimi i jetës suaj. Zgjohuni dhe nxitohuni për të kapur atë thesar, i cili do t’ju lirojë nga varësitë e botës. Nuk kam mundësi që t’ua përshkruaj me fjalë se çfarë mund të arrini nëse e gjeni Atë. Dëgjoni fjalët e bekuara të Hazret Mesihut të Premtuar a.s. Ai (në një poezi të tij) thotë:

Ty të takojnë të gjitha fuqitë e aftësitë, o Zot!
Nëse të gjej Ty, e gjej çdo dëshirë.

Çdo dashurues ka krijuar një idhull
Por në zemrën time banon vetëm Ti, o i Dashur.

Ti je rehati e shpirtit tim e zemrës sime i pëlqeve vetëm Ti
Vetëm Ti je Krijuesi i të gjitha krijesave.

Ti m’u shfaqe mua Vetë,
I Shenjtë je Ti, që poshtërove armiqtë e mi.

Unë kam lidhje jetësore me Ty, o i Dashur,
Vetëm Ti je parajsa ime, vetëm Ti je shtëpia e paqes sime.

S’kam fuqi si të shpjegoj rreth Teje
Veç po rrjedh një lumë i dashurisë.

Ç’favore të mëdha më dhe Ti, o Udhëheqësi im!
I Shenjtë je Ti, që poshtërove armiqtë e mi.

Nuk ka asnjë mangësi në mëshirën Tënde
Në asnjë çast nuk më mungon.

S’mundem të numëroj mëshirën dhe bekimet
Unë s’kam më fuqi të të falënderoj Ty.

Ç’favore të mëdha më dhe Ti, o Udhëheqësi im!
I Shenjtë je Ti që poshtërove armiqtë e mi.

Nëse ju do të humbisni në këtë kërkim, atëherë vetë humbja juaj do të provojë që jeta juaj s’ka ndonjë qëllim. Sepse ajo që ndodh rastësisht, nuk mund të ketë ndonjë qëllim. Në këtë rast, të paktën ju do të keni kaluar jetën tuaj të paqëllimtë për t’ia gjetur ndonjë qëllim. Por prapë, kjo humbje a nuk do të ishte më e vlefshme se të gjitha ato fitore, të cilat ju do t’i gjenit pa ndonjë qëllim në jetën tuaj të paqëllimtë? Por unë ju siguroj se ju kurrsesi nuk mund të humbni në këtë kërkim. Ju nisuni për këtë punë me sinqeritet, me dashuri të përzemërt e me gjithë përkushtim dhe ju do të shikoni që flladi i këndshëm i suksesit do t’ju përqafojë duke ju mirëpritur. Vallë, sikur të keni dëgjuar zërin e Mesihut të Premtuar a.s.!:

Kush të ka thirrur Ty në këtë botë
Dhe pastaj u kthye duarbosh, i mjerë!

Sa i sigurt është ai atëherë
Që Ti je më i Dashuri i tij!

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp