Kontakti me Zotin zgjidh të gjitha problemet tuaja!
Selamalejkum! Paqja qoftë me ju!
Shumë njerëz na shkruajnë në whatsapp duke treguar problemet dhe vështirësitë e tyre nga më të ndryshmet dhe duke kërkuar ndonjë zgjidhje edhe nga ana fetare.
Dikush thotë kam shumë ankth, më thoni cfarë të bëj si ta zgjidh kete hall? Dikush tjetër thotë kam probleme me një person tjetër, më ka dëmtuar shpesh, çfarë lutje të bëj që të ruhem prej tij? Dikush pyet – dikush më ka bërë magji, si ta heqë magjinë? Dikush ka nevojë për punë dhe kërkon ndonjë lutje për të gjetur vendin e punës. E dikush tjetër, ose ndonjë i afërm i tij, vuan nga ndonjë sëmundje dhe kërkon shërim. Me disa kam folur edhe drejtëpërdrejtë. Jo sepse unë do t’ua zgjidhja hallin. Por, thjesht duke menduar se duhet të flasim me njerëzit që kanë halle, probleme. Kështu ne arrijmë t’i japim pozitivitet, shpresë, njëri-tjetrit.
Por në këtë proces pune, kam vënë re që shumica e shqetësimeve janë të lidhura me jetën e kësaj bote, ndërkohë lutja jonë më e rëndësishme duhet të jetë si të krijojmë lidhje me Zotin, pasi jo vetëm sipas Kuranit të Shenjtë, por sipas të gjithë Librave të shenjtë të mëparshëm, qëllimi kryesor i krijimit të njeriut është që ai të krijojë kontakt me Krijuesin. Dhe së dyti, po të kesh kontakt me Zotin, kjo vetvetiu do ta përfshijë gjithçka tjetër. Pra, ti vetvetiu do të jesh në gjendje ta përballosh problemin tënd, t’i japësh drejtim atij ose ta zgjidhësh atë.
Dikush mund të pyesë – Si të mendoj ose si të përpiqem të kem kontakt me Zotin, kur më duhet të punoj që të mbaj familjen? Ose kur unë po vuaj nga një sëmundje? Etj.. E drejtë. Por lidhja me Zotin asnjëherë nuk do të thotë të shkëputesh nga detyrimet e tua, përkundrazi, do të duhet që ato t’i bësh akoma më me përkushtim.
Ajo që të kërkon besimi në Zot është që të besosh në Zot me sinqeritet, të paktën me atë sinqeritet që ti ke ndaj shkokut ose mikut tënd të ngushtë. Dhe po e arrite këtë, ti vetvetiu do të fitosh një forcë të jashtëzakonshme. Më asnjë problem nuk mund të të shqetësojë deri në atë pikë që ti ta humbasësh shpresën.
Në librin “Tedhkiretul-Evlija” përmendet një ngjarje. Ishte një njeri i Zotit. Fqinji i tij ishte një pasanik, i cili natë e ditë bënte qejf, organizonte muzikë dhe kërcime dhe me këto shkaktonte shumë zhurmë. Por kjo e pengonte shumë këtë njeri. Një ditë ai shkoi te pasaniku dhe e këshilloi – Ti tërë natën i bie dualles, këndon me zë të lartë, dhe kjo më pengon shumë në ibadetin (adhurimin) e natës, andaj, të lutem, mbyllni organizme të tilla.
Pasanikut iu duk poshtërim i madh kërkesa e tij. Ai e kishte mik mbretin, andaj, iu ankua mbretit duke thënë se disa njerëz i penguakan ahengjet e tij. Mbreti menjëherë dërgoi një çetë ushtarake te vila e pasanikut. Me të mbërritur ushtarët, pasaniku i dërgoi mesazh njeriut të Zotit – Jashtë shtëpisë sime qëndron një ushtri e tërë, po deshe hajde ballafaqohu me mua!
Njeriu i Zotit i dërgoi përgjigje – Nuk kam fuqi të përballem me forca të tilla, por meqë më ke shpallur luftë, as unë nuk do të largohem nga fushëbeteja. Nëse luftoj me shigjeta, nuk e di nëse arrij të të qëlloj apo jo, prandaj, në vend të shigjetave metalike, unë do të luftoj me ty me “shigjetat e natës”.
Ndoshta pasaniku kishte një farë sinqeriteti në shpirtin e tij. E lexoi mesazhin e njeriut të Zotit, dhe u mendua për pak. Pastaj, menjëherë lëshoi një klithmë. Shkoi te njeriu i Zotit dhe i tha – Të lutem, më fal shumë. Nga sot e tutje nuk do të ketë zhurmë që të pengonte ty si më parë, sepse as unë e as mbreti im nuk kemi fuqi të luftojmë kundër “shigjetave të tua të natës”. Me shigjetat e natës, njeriu i Zotit e kishte fjalën se do t’i përgjërohej Zotit gjatë netëve. Nëse Zoti do t’ia pranonte ankesën, natyrisht, askush nuk mund të qëndronte dot përballë tij.
Pra, e vërteta është që ta gjesh Zotin dhe të arrisht të krijosh kontakt me Të, kjo është gjëja më e rëndësishme. Dhe nëse Zoti gjendet dhe nëse ne mund ta arrijmë Atë, pa dyshim, detyra jonë më e rëndësishme duhet të jetë të përpiqemi që të krijojmë kontakt me Të, që ta arrijmë qëllimin e jetës sonë.
Nëse hedhim një vështrim mbi fetë e botës, edhe aty gjejmë që të gjitha fetë janë në ujdi që Zoti mund të arrihet, pavarësisht se ato tregojnë mënyra të ndryshme të gjetjes së Tij. Le të shohim, më së pari, judaizmin. Nëse studiojmë fenë hebraike, ajo qartazi thotë se Zoti mund të gjendet.
Bibla thotë se Zoti i Madhërishëm bëri mundje me Hazret Jakubin a.s. dhe Hazret Jakubi a.s. e rrëzoi Zotin, pra Zoti u mund prej tij.[1] Nuk është për t’u çuditur. Në fakt ky është një keshf, pra vizion shpirtëror, dhe jo ndonjë tregim i pakuptimtë. Në shtëpitë ku prindërit kanë fëmijë të vegjël, ngjarje të tilla ndodhin shpesh. Prindërit luftojnë, bëjnë mundje me shaka me fëmijët dhe rrëzohen vetë, duke i lejuar fëmijët që të hipin mbi ta. E më pas fëmija qesh me të madhe duke thënë – Të munda! Në të njëjtën mënyrë, edhe Zoti i Madhërishëm duhet të ketë bërë mundje me Hazret Jakubin a.s. e më pas, nga dashuria për të, vetë duhet të jetë rrëzuar dhe Hazret Jakubi a.s. si fëmijë duhet të ketë brohoritur – Të munda!
Në këtë vizion, Hazret Jakubi merr titullin Izrael, pra mundësi i Zotit, dhe fëmijët e tij do të quheshin bijtë e Izraelit.
Më pas erdhi Hazret Isai a.s.. Historia e jetës së tij që përmendet në Ungjill, gjithashtu na tregon se ai pati kontakt me Zotin. Në Bibël, ai vazhdimisht i drejtohet Zotit duke thënë ati im dhe vetes biri i tij. Kurani na tregon se kjo është në kuptimin e figurshëm dhe jo në kuptimin biologjik të fjalës. Por kjo është një temë tjetër. Por, ajo që dua të them se edhe ai arriti ta takonte Zotin e Madhërishëm, të komunikonte me Të dhe të udhëzohej prej Tij.
Po kështu, edhe Profeti Muhammed s.a.v.s. sahabëve të tij çdo ditë u jepte mesazhet që ai i merrte prej Zotit.
Dikush mund të thotë – Po, këta ishin profetë dhe ne nuk e kemi një lidhje kaq të fortë me Zotin. Është e vërtetë që profetët e Zotit kanë pasur lidhje të fortë me Zotin, por edhe kjo është e vërtetë që sot njerëzit, si ata që nuk janë fetarë, ashtu edhe ata që ndjekin fenë, me praktikat e tyre e kanë quajtur thuajse të paarritshëm kontaktin me Zotin.
Themeluesi i Xhematit Musliman Ahmedia thotë se – këta ngaqë nuk arrijnë të kenë kontakt me Zotin për shkak të metodave të tyre të gabuara, shpallën se gjoja Zotin nuk e arrin dot.
Por çdo musliman që fal 5 vkatet, minimumi 32 herë në ditë thotë suren el-fatiha dhe po kaq herë lutet
– Na udhëzo në rrugën e atyre që i bekove!
Kush ishin këta që Zoti i ka bekuar? Pikërisht profetët që përmenda më lart, pastaj, sahabët e tyre, e me radhë. E çfarë patën ata si bekim kryesor në jetën e tyre? Pikërisht kontaktin me Zotin. Pra, çdo ditë 32 herë ne ia kërkojmë Zotit këtë bekim. Problemi është që sot një pjesë e madhe e njerëzve e ndiejnë besimin thjesht si një teori; thjesht bindje ndaj porosive të Zotit siç i kuptojnë ata; thjesht si një mendim se ata duhet t’i përkasin një feje të caktuar, etj..
Por besimi në Zot është përtej kësaj. Ne me Zotin duhet të ndajmë edhe problemet më të vogla, po kështu edhe problemet më të mëdha. Kur pyet dikë përse lutesh, ai ju thotë – çdo ditë e falënderoj Zotin, i lutem të më udhëzojë, i lutem të kem shëndet, etj.. Shumë të bukura janë këto lutje, por këto janë lutje të përgjithshme, dhe me lutjet e përgjithshme, ne nuk e dallojmë dot kaq fort kontaktin me Zotin. Çdo ditë përveç lutjeve të përgjithshme, duhet të jemi edhe konkret në lutjet tona.
Mjetet e pranimit të lutjes janë një temë më vete, por ajo që dua të them këtu është që Zoti është një realitet, madje realiteti më i madh, të cilin ne duhet ta arrijmë sipas kapacitetit që kemi, dhe kapaciteti ynë është shumë më i lartë sesa të besojmë në Zot thjesht si një teori. Kurani pohon se çdokush mund ta arrijë këtë nivel besimi, por natyrisht që ai duhet të punojë me vetveten në disa drejtime.
Për shembull, në një video kam shpjeguar nga Kurani për 10 lloje njerëzish që nuk mund ta fitojnë dot dashurinë e Zotit. Që të kemi kontakt me Zotin, duhet t’i largojmë nga vetja këto 10 vese. Linkun e gjeni në përshrkrimin e videos.
Në momentin kur njeriu do të ketë kontakt qoftë një herë të vetme me Zotin, ai do të kuptojë se nuk ka gjë më të bukur sesa kjo. Dhe pikërisht kjo të jep edhe forcën për të përballuar çdolloj vështirësie.
Ashtu si në një video të mëparshme, edhe këtë temë jua solla nga i njëjti libër i Hazret Mirza Bashiruddin Mahmud Ahmedit, Kalifit të Dytë të Xhematit Musliman Ahmedia, i titulluar në urdu “Teal-luk bil-lah” d.m.th. “Lidhja me Allahun”. Kemi disa libra dhe materiale të përkthyera në shqip nga ky autor i madh. Linkun e gjeni në përshkrimin e videos.
Ju mund të na shkruani në whatsapp në numrin që shikoni në ekran, na lini koment në video. Zoti ju shpërbleftë për vëmendjen!
[1] Dhiata e Vjetër, Zanafilla 32:24-28.