Udhëtimi drejt Tebukut dhe mrekullitë e Profetit Muhamed a.s.
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Udhëtimi drejt Tebukut dhe mrekullitë e Profetit Muhamed a.s.

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

(Hutbja e së xhumasë e Hazret Mirza Masrur Ahmedit, Kalif i Pestë i Xhematit Musliman Ahmedia, e mbajtur më 31.10.2025)

Në vazhdë të përmendjes së Betejës së Tebukut, edhe sot vijoj të njëjtën temë. Pasi Profeti s.a.v.s. u nis për këtë betejë, historia na tregon se pas nisjes së ushtrisë islame për në Tebuk, Profeti s.a.v.s. bëri ndalesën e parë në Dhu Khushab, një vend që ndodhet një natë udhëtim larg Medinës, në rrugën për në Shamin e atëhershme. Aty kishte shumë burime uji.

Në atë vend, Profeti s.a.v.s. filloi të bashkonte namazin e drekës me ikindinë dhe vazhdoi kështu gjatë gjithë udhëtimit, duke i falur drekën me ikindinë dhe akshamin me jacinë së bashku. Detajet e plota për çdo vend ku u ndal gjatë udhëtimit nuk janë regjistruar, por disa prej tyre janë përmendur me emra, të cilët, nëse jepet mundësia, do t’jua përmend në vijim, inshallah.

Hazret Muadh bin Xhebel transmeton se Profeti s.a.v.s., gjatë Betejës së Tebukut, nëse nisej para se dielli të kalonte zenitin, e vononte drekën derisa të vinte koha e ikindisë dhe i bashkonte drekën dhe ikindinë. Nëse dielli të kishte kaluar zenitin, i bashkonte namazet, pra drekën dhe ikindinë, përpara se të nisej. Kështu vepronte edhe me akshamin dhe jacinë. Nëse perëndonte dielli përpara se të nisej, atëherë i bashkonte akshamin dhe jacinë para nisjes. Por nëse nisej përpara perëndimit të diellit, e vononte akshamin dhe ndalonte në kohën e jacisë për t’i bashkuar akshamin dhe jacinë.

Imami në udhëtim dhe mënyra e abdesit të Profetit s.a.v.s.

Gjatë këtij udhëtimi, Hazret Abdurrahman bin Auf pati nderin të udhëhiqte namazin. Hazret Mugire bin Shu‘be tregon:Ai mori pjesë në Betejën e Tebukut me Profetin s.a.v.s.. Para namazit të sabahut, Profeti s.a.v.s. doli për nevojat e tij personale, dhe Mugire mori me vete një enë me ujë. Kur Profeti s.a.v.s. u kthye, Mugire filloi t’i derdhte ujë mbi duar për abdes. Profeti s.a.v.s. i lau duart tri herë, më pas fytyrën, dhe siç përshkruhet, për shkak se mëngët e rrobës ishin të ngushta, i nxori duart nga poshtë rrobës dhe i lau deri në bërryla. Pastaj bëri mes’h mbi çorapet.

Pas kësaj, ata ecën përpara dhe arritën aty ku Hazret Abdurrahman bin Auf kishte filluar tashmë namazin. Profeti s.a.v.s. arriti në rekaten e dytë dhe u bashkua në falje. Kur Hazret Abdurrahmani dha selam, Profeti s.a.v.s. u ngrit për të plotësuar namazin e tij. Disa sahabë u shqetësuan nga kjo dhe filluan ta thoshin “subhanAllah”. Por pasi Profeti s.a.v.s. përfundoi, u kthye nga ata dhe tha se kishin vepruar mirë duke filluar namazin në kohën e duhur.

Populli i Themudit dhe Lugina e Hixhrit

Në rrugëtimin e tij, Profeti s.a.v.s. kaloi edhe pranë rrënojave të popullit të Themudit, të njohur si populli i Hixhrit. Hazret Ibn Umer rrëfen se, kur Profeti s.a.v.s. ndaloi në Hixhr gjatë Betejës së Tebukut, ai i udhëzoi shokët e tij që të mos pinin ujë nga pusët e atij vendi dhe të mos u jepnin ujë kafshëve nga ai ujë.

Sahabët thanë: “Ne kemi zier brumin me atë ujë dhe kemi ujitur kafshët tona.”Profeti s.a.v.s. tha: “Hidheni atë brumë dhe derdhni edhe ujin që keni marrë.”Në një rrëfim thuhet se Profeti s.a.v.s. urdhëroi që ushqimi i përgatitur me atë ujë të hidhej. Në një version tjetër, thuhet se ai u tha: “Mos pini ujë nga ai pus, mos bëni abdes me të. Ujin me të cilin keni përzier brumin, jepjani deveve, por vetë mos e konsumoni.”

Në një tjetër rrëfim, Profeti s.a.v.s. u udhëzoi që të merrnin ujë vetëm nga pusi ku pinte deveja e Hazret Salihut, dhe jo nga ndonjë tjetër. Sipas komentuesit të njohur të Buhariut, Ibn Haxher Askalani, Profeti s.a.v.s. e dinte vendndodhjen e atij pusi përmes shpalljes hyjnore.

Në një rrëfim tjetër thuhet se, kur Profeti s.a.v.s. kaloi pranë rrënojave të Hixhrit, tha:“Mos hyni në vendbanimet e atyre që kanë bërë padrejtësi, përveçse me frikë dhe me lot në sy, duke iu lutur Allahut që të mos ju ndodhë ajo që i ndodhi atyre.”Pastaj Profeti s.a.v.s. mbuloi fytyrën me mantelin e tij dhe e përshpejtoi kalërimin derisa kaloi luginën.

Ky vend, Hixhr, ndodhet midis Medinës dhe Tebukut dhe është i njohur sot si Medain Salih. Populli i Hazret Salihut jetonte aty, i bekuar me shumë begati: ara të gjelbra, burime uji, kopshte me hurma dhe fruta të ndryshme. Ata kishin fuqi dhe aftësi të rralla, deri në atë pikë sa gdhendnin shtëpitë në male.

Deveja e Hazret Salihut ishte një shenjë hyjnore, por ata e therën atë, dhe për shkak të këtij akti, Allahu i shkatërroi me ndëshkim. Në Kuranin e Shenjtë, ky popull përmendet si “Es’hab el-Hixhr” (Banorët e Hixhrit), dhe ekziston edhe një sure që mban emrin “el-Hixhr”.

Humbja e devesë së Profetit s.a.v.s. dhe zbulimi i vendndodhjes së saj

Në këtë udhëtim ndodhi edhe ngjarja e humbjes së devesë së Profetit s.a.v.s.. Kur Profeti s.a.v.s. ishte duke udhëtuar drejt Tebukut, në një vend përgjatë rrugës, deveja e tij e njohur me emrin Kasua u humb. Sahabët dolën menjëherë për ta kërkuar.

Në atë kohë, pranë Profetit s.a.v.s. ndodhej Hazret Amare bin Hazm, i cili kishte marrë pjesë në betimin e Akabes dhe ishte ndër sahabët që kishin marrë pjesë në Betejën e Bedrit. Në çadrën e Hazret Amares ndodhej një njeri me emrin Zejd bin Thelt, që më parë i përkiste fisit hebre Benu Kajnuka, e pastaj u konvertua në Islam. Megjithatë, ai nuk kishte besim të fortë dhe shfaqte shenja hipokrizie, çka u dëshmua edhe në këtë rast.

Kur deveja e Profetit s.a.v.s. u humb, Zejdi tha në çadër, ndërsa Hazret Amare ishte te Profeti:

“Vallë, a nuk thotë Muhamedi s.a.v.s. se është profet dhe se e di çfarë zbret nga qielli? Atëherë si ka mundësi që nuk ditka se ku ndodhet deveja e tij?”

Në atë moment, ndërsa Profeti s.a.v.s. ishte me Hazret Amaren, tha:“Një njeri tha se ‘Muhamedi s.a.v.s. pretendon se është profet dhe se ua tregon njerëzve lajmet e qiellit, ndërsa vetë nuk di ku ndodhet deveja e tij’.Pasha Zotin, unë nuk di asgjë nga e fshehta përveç asaj që Allahu më mëson. Çdo gjë që më njofton Allahu, unë ua tregoj njerëzve. Dhe tani, Allahu më ka treguar për devenë time: ajo ndodhet në një grykë të caktuar” – dhe Profeti s.a.v.s. tregoi me dorë drejt asaj gryke – “litarin e saj e ka kapur një degë peme. Shkoni dhe ma sillni.”

Sahabët u nisën dhe e gjetën devenë pikërisht aty ku kishte treguar Profeti s.a.v.s., me litarin e saj të mbështjellë rreth një dege.

Kur Hazret Amare u kthye në çadrën e tij, tha: “Pasha Zotin, sot ndodhi një ngjarje e mrekullueshme! Profeti s.a.v.s. na tregoi për fjalët që kishte thënë dikush, të cilat Allahu ia kishte bërë të ditura.” Njëri nga njerëzit në çadër i tha: “Pasha Zotin, ato fjalë që sapo përmende, Zejdi i tha pak më parë, para se të vije ti.”

Atëherë Hazreti Amare e kapi Zejdin për jakë dhe tha: “O njerëz të Allahut, në çadrën time kishte një gjarpër, dhe unë nuk e dija! Sot e zbulova. O Zejd, prej sot nuk dua më asnjë lidhje me ty!”

Disa dijetarë mendojnë se Zejdi më vonë u pendua dhe u kthye në rrugë të drejtë, por disa të tjerë thonë se vazhdoi me hipokrizi dhe vdiq në atë gjendje.Në disa transmetime thuhet se sahabiu që gjeti devenë, sipas vendit që tregoi Profeti s.a.v.s., ishte Harith bin Khuzejma.

Mrekullia se si u shtua ushqimi falë bekimit të Profetit s.a.v.s.

Në këtë udhëtim, edhe rezervat ushqimore (ushqimi dhe pijet) filluan të pakësohen. Sipas një transmetimi të Hazret Ebu Hurejrës, gjatë udhëtimit për në Tebuk, sahabët u përfshinë nga uria e madhe dhe thanë:“O i Dërguar i Allahut s.a.v.s., nëse na e lejon, do të therim disa nga devetë që bartin ujë, që të hamë mishin dhe të përdorim dhjamin e tyre.”

Profeti s.a.v.s. u tha: “Në rregull, bëni ashtu.”Por kur Hazret Umeri r.a. dëgjoi për këtë, ai erdhi dhe tha:“O i Dërguar i Allahut s.a.v.s., nëse e bëni këtë, do të pakësohen mjetet e udhëtimit. Më mirë urdhëro që secili të sjellë ushqimin që i ka mbetur, dhe pastaj bëj dua për bekim në të. Ndoshta Allahu do të vërë bekim në të.”

Profeti s.a.v.s. tha: “Kjo është ide e mirë.”Pastaj kërkoi një pëlhurë lëkure që u shtri si sofrë dhe urdhëroi që të sillnin çdo gjë që kishin:dikush solli një grusht grurë, dikush pak hurma, dikush një copë buke, e kështu me radhë, derisa mbi sofrën u grumbullua pak ushqim.

Profeti s.a.v.s. bëri dua për bekim, pastaj tha: “Merrni dhe mbushni enët tuaja.”Ata i mbushën të gjitha, dhe nuk mbeti asnjë enë bosh në ushtri; të gjitha u mbushën plot.Pastaj të gjithë hëngrën, u ngopën dhe madje mbeti edhe ushqim i tepërt.

Pas kësaj, Profeti s.a.v.s. tha:“Dëshmoj se nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut dhe se unë jam i Dërguari i Tij. Ai që takohet me Zotin me këto dy dëshmi, pa asnjë dyshim në zemrën e tij, nuk do të ndalohet nga Xheneti.”

Gjykimi i Profetit s.a.v.s. në një mosmarrëveshje

Në këtë udhëtim ndodhi edhe një tjetër ngjarje interesante. Hazret Jala bin Umejje rrëfen:“Unë isha me Profetin s.a.v.s. në Betejën e Tebukut. Një nga shërbëtorët e mi u përlesh me një burrë tjetër. Njëri kafshoi dorën e tjetrit, e ky ia tërhoqi dorën me forcë dhe si pasojë tjetrit iu thyen dy dhëmbë të përparmë.”

Pastaj ata shkuan te Profeti s.a.v.s., dhe ai që kishte humbur dhëmbët kërkoi dëmshpërblim.Profeti s.a.v.s. vendosi që nuk kishte dëmshpërblim dhe tha:“A do ta linte dorën e tij në gojën tënde që ti ta kafshoje derisa ta copëtoje? Ai veproi për t’u mbrojtur.”

Pra, Profeti s.a.v.s. sqaroi se dëmshpërblimi jepet vetëm sipas rrethanave reale, dhe nuk mund të jepet padrejtësisht, pa e vlerësuar drejt situatën.

Parashikimi i saktë i Profetit s.a.v.s. për datat dhe stuhinë

Në mesin e ngjarjeve të udhëtimit për në Tebuk, përmendet edhe rrëfimi i Hazret Humejd Sa‘dit, i cili tregon se gjatë udhëtimit, kur Profeti s.a.v.s. dhe shokët e tij arritën në Luginën e Kurës, atje ndodhej një kopsht hurmash.

Profeti s.a.v.s. u tha sahabëve: “Mendoni sa hurma mund të ketë këtu.”

Secili dha mendimin e vet, dhe Profeti s.a.v.s. tha: “Mendoj se do të ketë rreth dhjetë uesk (afërsisht 1,800 kilogramë hurma).”

Në atë moment ishte e pranishme edhe gruaja që ishte pronare e kopshtit, dhe Profeti s.a.v.s. i tha: “Kur t’i mbledhësh hurmat, mbaje mend saktësisht peshën.”

Rrëfimtari thotë se, gjatë kthimit nga Tebuku, kur kaluam sërish aty, e pyetëm atë grua: “Sa hurma dolën nga kopshti?” Ajo u përgjigj: “Saktësisht dhjetë uesk”, pra aq sa kishte parashikuar Profeti s.a.v.s..

Paralajmërimi për stuhinë dhe ndalimi për të dalë vetëm

Po ky rrëfimtar tregon se kur arritëm në Tebuk, Profeti s.a.v.s. tha:

“Bëhuni të kujdesshëm! Sonte do të fryjë një erë shumë e fortë. Asnjë person të mos qëndrojë në këmbë, dhe kush ka deve, le t’i lidhë gjunjët e tyre. Kushdo që detyrohet të dalë për ndonjë nevojë, le të dalë jo vetëm, por me shoqërues.”, pra 2 veta.

Duket se Profeti s.a.v.s. e kishte kuptuar ardhjen e stuhisë, ose Allahu ia kishte zbuluar këtë përmes shpalljes. Sahabët rrëfejnë se i lidhën devetë siç urdhëroi Profeti s.a.v.s., dhe atë natë shpërtheu një stuhi e fortë.

Një njeri që kishte qëndruar në këmbë, u mor nga era dhe u hodh në malet e fisit Tai.

Në një tjetër rrëfim thuhet se dy burra nga fisi Benu Sa‘ide nuk e zbatuan udhëzimin: njëri doli vetëm për nevoja personale, tjetri vetëm për të kërkuar devenë. I pari u sëmur nga dhimbje e fytit, ndërsa i dyti u mor nga era dhe u hodh mes dy maleve të fisit Tai.

Kur Profeti s.a.v.s. e mori vesh, tha: “Vallë, a nuk ju kam ndaluar që të dilni vetëm?” Për atë që u sëmur, Profeti s.a.v.s. bëri dua dhe ai u shërua; ndërsa ata që u hodhën në male, më vonë u gjetën dhe u sollën në Medinë nga njerëzit e fisit Tai.

Mrekullia e shiut në Tebuk

Në një rrëfim tjetër thuhet se pas asaj stuhie, njerëzit nuk kishin më ujë. Ata iu drejtuan Profetit s.a.v.s., dhe ai bëri dua. Atëherë Allahu dërgoi një re e cila shkrepi shi mbi ta, aq sa mbushën të gjitha enët dhe u ngopën me ujë.

Një rrëfim tjetër, nga Hazret Ibn Abasi, tregon se një herë disa i thanë Hazret Umer bin Hettabit:

“Na trego diçka për Betejën e Tebukut.”

Ai tha: “Ne u nisëm në vapën më të madhe të verës. Na pushtoi etja aq shumë, sa menduam se qafat do të na këputeshin nga etja. Kushdo që shkonte të kërkonte ujë, nuk kthehej më, dhe mendonim se kishte vdekur. Disa thernin devenë e tyre dhe nxirrnin ujin nga stomaku i saj për ta pirë, ndërsa pjesën tjetër e ruanin për më vonë.”

Atëherë Hazret Ebu Bekri i tha Profetit s.a.v.s.:

“O i Dërguar i Allahut, Allahu e ka vënë bekimin në lutjet e tua. Lutu për ne.”

Profeti s.a.v.s. pyeti: “A dëshironi që unë të bëj dua?” Ata thanë: “Po.” Profeti s.a.v.s. ngriti duart për dua, dhe para se t’i ulte, u shfaq një re që i mbuloi dhe filloi të bjerë shi. Të gjithë mbushën enët e tyre me ujë. Më pas, kur shikuan përreth, panë se shi kishte rënë vetëm mbi vendin ku ndodhej ushtria, e jo më larg.

Mrekullia e burimit të Tebukut

Po ashtu, përmendet edhe mrekullia e burimit të Tebukut. Hazret Muadh bin Xhebel rrëfen:

“Ne udhëtuam me Profetin s.a.v.s. gjatë vitit të Betejës së Tebukut. Ai i bashkonte namazet: drekën me ikindinë, akshamin me jacinë. Një ditë vonoi namazin, doli, i fali drekën dhe ikindinë bashkë, u kthye brenda, pastaj doli sërish dhe fali akshamin e jacinë së bashku.

Pastaj tha: ‘Nesër, nëse Allahu do, do të arrini te burimi i Tebukut, dhe do të arrini deri në kohën kur do të zbardhet. Ai që e arrin te burimi, nuk duhet ta prekë ujin, derisa të vij unë.’”

Rrëfimtari tregon se dy burra kishin arritur më parë dhe kishin marrë ujë.

Kur Profeti s.a.v.s. erdhi, i pyeti: “A e prekët ujin?” Ata thanë: “Po.”

Profeti s.a.v.s. i qortoi, pastaj urdhëroi që të mblidhnin pak ujë në një enë.

Ai i lau duart dhe fytyrën në atë ujë dhe më pas e derdhi në burim. Menjëherë, burimi shpërtheu me rrjedhë të fortë, derisa të gjithë u ngopën me ujë.

Pastaj Profeti s.a.v.s. i tha Hazret Muadhit:

“O Muadh, nëse jeton gjatë, do ta shohësh këtë vend të mbushur me kopshte dhe pemë.”

Dijetari Muhamed bin Abdulbaki Zerkani në komentin e këtij hadithi shkruan se kjo ishte një profeci hyjnore, e cila u përmbush plotësisht.

Profeti s.a.v.s. e përmendi në mënyrë të veçantë Hazret Muadhin, sepse me shpallje iu bë e ditur se ai do të shkonte në Sham dhe do të vdiste aty, pikërisht në atë rajon.

Përmbushja e profecisë për Tebukun në kohët e mëvonshme

Ibn Vaddah (Ebu Abdullah Muhamed bin Vaddah), një dijetar i njohur andaluzian (199–287 H), tregon:

“Unë e kam parë me sytë e mi atë vend përreth burimit të Tebukut. Ishte aq i mbuluar me pemë dhe gjelbërim, sa mendova se kjo do të vazhdojë deri në Ditën e Gjykimit. Kështu ishte saktësisht siç kishte profetizuar Profeti s.a.v.s..”

Në librin “Atlasi i Jetës së Profetit s.a.v.s.”, përmendet se Sheikh Salih, kryetar i departamentit fetar në Tebuk, tha:

“Ky burim rridhte vazhdimisht për gati 1,400 vjet pa u ndalur. Vetëm dy vjet më parë, kur u hapën puse të rinj (tubë-puse) në zonat e ulëta, uji i burimit filloi të rridhte drejt tyre dhe burimi i vjetër u tha.

Por edhe sot, nga ato puse del ujë me presion të lartë, pa ndihmën e asnjë makinerie.”

Kjo është bekimi i mrekullisë së Profetit s.a.v.s. që edhe sot Tebuku është një vend i begatë me ujë, madje më i pasur me ujë se Medina dhe Hajberi. Duke përfituar nga ky ujë, në Tebuk janë mbjellë kudo kopshte dhe plantacione, ashtu siç kishte parathënë Profeti s.a.v.s., dhe ky rajon po bëhet çdo ditë e më shumë një tokë e gjelbër plot jetë.

Rojet e ushtrisë në Tebuk

Në disa rrëfime thuhet se gjatë Betejës së Tebukut, Profeti s.a.v.s. caktoi Hazret Abbad bin Bishrin përgjegjës për rojen e veçantë të sigurisë. Ai dhe shokët e tij bënin rrethin e ushtrisë për të siguruar mbrojtjen e saj.

Një natë, ai i tha Profetit s.a.v.s.:

“O i Dërguar i Allahut, deri në mëngjes dëgjojmë zëra të tekbirit pas nesh. A i keni caktuar edhe të tjerë për rojë?”

Profeti s.a.v.s. tha: “Jo, por ndoshta disa muslimanë po e bëjnë këtë nga dashuria për shërbim.”

Atëherë Hazret Selkan bin Seleme, i cili nuk ishte caktuar për këtë detyrë, por e bënte këtë në dashuri për Profetin s.a.v.s., tha:

“O i Dërguar i Allahut, unë dal me dhjetë kalorës për të ruajtur rojët e caktuar.”

Profeti s.a.v.s. bëri dua për të dhe tha:

“Allahu e mëshiroftë atë që mbron ata që janë në shërbim për mbrojtjen në rrugën e Zotit. Për çdo njeri dhe çdo kafshë që ke mbrojtur, do të marrësh shpërblim sa një kirat.”Një kirat = rreth 2 gramë ar.

Profecia e përmbushur për Hazret Ebu Dherin r.a.

Në një rrëfim tjetër thuhet se gjatë udhëtimit për në Tebuk, në çdo ndalesë disa njerëz mbeteshin pas. Kur sahabët i tregonin Profetit s.a.v.s. se dikush kishte mbetur prapa, ai thoshte:

“Lëreni; nëse ai ka ndonjë mirësi, Allahu do ta bashkojë me ju. Nëse jo, Allahu do t’ju shpëtojë prej tij.”

Një ditë dikush tha: “O i Dërguar i Allahut s.a.v.s., Ebu Dheri ka mbetur pas, deveja e tij është bërë shumë e ngadaltë.” Profeti s.a.v.s. përsëriti të njëjtat fjalë. Pra, tha:

“Lëreni; nëse ai ka ndonjë mirësi, Allahu do ta bashkojë me ju. Nëse jo, Allahu do t’ju shpëtojë prej tij.”

Më vonë, Ebu Dheri e braktisi devenë, mori ngarkesën mbi shpinë dhe filloi të ecte vetëm pas ushtrisë. Pas disa etapash, ushtria ndaloi për pushim, dhe një sahabi pa dikë që po vinte nga larg. Ai tha:

“O i Dërguar i Allahut, dikush po ecën vetëm në rrugë.”

Profeti s.a.v.s. tha:

كُنْ أَبَا ذَرٍّ

“Qoftë Ebu Dheri!”

Kur u afrua, e panë që vërtet ishte ai. Profeti s.a.v.s. tha:

“Allahu e mëshiroftë Ebu Dherin! Ai ecën vetëm, do të vdesë vetëm dhe do të ringjallet vetëm.”

Kjo profeci u përmbush pikërisht ashtu siç tha Profeti s.a.v.s. në kohën e kalifatit të Hazret Uthmanit, kur Ebu Dheri jetonte me familjen e tij në një vend të quajtur Ribdha, që ndodhej tri ditë udhëtim larg nga Medina, pra rreth 96 milje nga Medina. Në momentet e fundit, ai kishte pranë gruan dhe një shërbyes të tij. Ai i tha gruas, e cila ishte e shqetësuar nga vetmia dhe mungesa e qefinit dhe po qante:

“Mos qaj!” Më pas tha: “Unë kam dëgjuar nga Profeti s.a.v.s. se njëri prej jush do të vdesë në shkretëtirë, dhe një grup besimtarësh do të falë namazin e tij të xhenazes.” Ai gjithashtu i tha gruas:

Kur Profeti s.a.v.s. i tha këto fjalë, të gjithë të pranishmit që ishim aty kanë vdekur përveç meje. Asnjëri prej tyre nuk ka vdekur vetëm në shkretëtirë. Vetëm unë kam mbetur. Andaj, mos u mërzit. Pasi të vdes unë, më laje trupin dhe më vendos në rrugën që të çon në Medinë.”

Ajo e bëri kështu. Pas pak kohe, nga ai drejtim kaloi Hazret Abdullah bin Mesudi me shokët e tij, të cilët po ktheheshin nga Iraku me qëllim për të bërë umre. Kur mësoi se trupi ishte i Ebu Dherit, i mbushën sytë me lot dhe tha:

“Profeti s.a.v.s. kishte thënë të vërtetën! Ebu Dheri ecën vetëm, vdes vetëm dhe ringjallet vetëm.”

Ata e falën xhenazen dhe e varrosën aty, duke kujtuar se si fjala e Profetit s.a.v.s. që ai e kishte thënë në kohën e betejës së Tebukut, u përmbush fjalë për fjalë.

Hazret Uasile bin Eska dhe bashkimi me ushtrinë

Një ngjarje tjetër është ajo e Hazret Uasile bin Eska r.a. që u bashkua me ushtrinë. Ai kishte ardhur në Medine disa ditë para betejës së Tebukut dhe ishte bërë musliman. Ende ishte në Medine, kur Profeti s.a.v.s. shpalli përgatitjen për betejën e Tebukut.

Nga rrëfimi i Hazret Uasile bin Eska r.a. përcillet se Profeti s.a.v.s., në rastin e luftës së Tebukut, dha urdhër publik. Ai tregon: “Unë shkova në shtëpi dhe kur u ktheva, shokët e Profetit s.a.v.s. tashmë ishin nisur. Fillova të thërras në qytet: ‘A ka ndonjë njeri që mund të më marrë me vete dhe në këmbim të marrë pjesën time nga plaçka e luftës?’

Një burrë i moshuar ensar tha: ‘Mirë, ne do ta marrim pjesën e tij dhe do ta marrim me vete, do ta ushqejmë dhe do t’i japim për të pirë.’ Unë i thashë: ‘Po, e pranoj këtë kusht. Unë jam personi që duhet ta merrni.’ Ai i moshuari tha: ‘Atëherë, nisemi me besim në begatinë e Allahut.’”

Hazret Uasile tregon: “Kështu, unë u nisa me një shok shumë të mirë, dhe Allahu na dha si begati plaçkën e luftës. Në pjesën time më erdhën disa deve shumë të shpejta. I mora dhe i çova te shoku im. Ai doli dhe u ul në pjesën e pasme të devesë. Pastaj tha: Prije devenë drejt teje’ Pas kësaj tha: ‘Për mua, devetë e tua janë shumë të mira.’

Unë i thashë: ‘Këto janë pasuria jote, ajo që ishte kushtëzuar me ty.’ Ai tha: ‘O nipi im, kjo është pjesa jote. Mbaje vetë. Qëllimi im nuk ishte ta merrja plaçkën, por vetëm të merrja pjesë në betejë.’”

Hazret Ebu Hejtheme dhe vendosmëria e tij për t’u bashkuar me Profetin s.a.v.s.

Po kështu, përmendet edhe ngjarja e Hazret Ebu Hejthemes r.a. i cili u bashkua me ushtrinë. Ai ishte një nga sahabët që kishte mbetur pas karvanit të Profetit s.a.v.s.

Duket se në ato ditë ai nuk ndodhej në Medine. Disa ditë pasi Profeti s.a.v.s. ishte nisur për në Tebuk, Hazret Ebu Hejthema mbërriti në shtëpinë e tij në një ditë shumë të nxehtë. Ai pa se të dy gratë e tij kishin lagur me ujë strehët në pemishte, kishin mbajtur ujin të freskët dhe kishin përgatitur ushqim për të.

Hazret Ebu Hejthema qëndroi në derën e strehës dhe, duke parë përgatitjet që gratë kishin bërë për të, tha:

“Profeti s.a.v.s. ndodhet në udhëtim nën diellin përvëlues, në vapë dhe në erë të nxehtë, ndërsa Ebu Hethema të ulet në hijen e freskët, me ushqime të mira, me gra të bukura dhe me pasuri e bagëti! Kjo kurrsesi nuk është e drejtë.”

Pastaj tha: “Pasha Allahun! Nuk do të shkoj te asnjëra prej jush derisa të arrij te Profeti s.a.v.s.. Prandaj, përgatitni për mua sendet e udhëtimit.”

Kështu, të dyja gratë ia përgatitën gjërat e udhëtimit. Ai hipi mbi deve dhe u nis pas Profetit s.a.v.s.

Një pasdite në vapë përvëluese, Profeti s.a.v.s. pa nga larg një kalorës që po vinte nëpër shkretëtirë. Sipas rrëfimit të Ibn Hishamit, Profeti s.a.v.s. tashmë kishte arritur në Tebuk. Ai tha:

“Kun Eba Hejthema!” “Qoftë Ebu Hejthema ai që po vjen!”

Kur u afrua më shumë, sahabët thanë: “O i Dërguari i Allahut s.a.v.s., pasha Allahun, qenka vërtet Ebu Hejthema ensariu!”

Ai zbriti nga deveja dhe i dha selam Profetit s.a.v.s. Profeti s.a.v.s. e pyeti: “O Ebu Hejtheme, përse mbete pas?” Ai tregoi gjithë ngjarjen, dhe Profeti s.a.v.s. bëri dua për të, duke iu lutur Allahut për mirësi për të.

Shpjegimi i fjalës “kun” sipas Hazret Musleh Meudit r.a.

Hazret Musleh Meudi r.a. ka përmendur gjithashtu këtë ngjarje dhe shkruan:

“Në histori përmendet se, kur Profeti s.a.v.s. u nis për në Tebuk, disa sahabë mbetën pas. Ndër ta ishte edhe Ebu Hejthema. Ai ishte shumë i devotshëm dhe as që e kishte menduar se do të mbetej pas. Por, kur u dha urdhri për të dalë në luftë, ai nuk ndodhej në shtëpi. Kur u kthye, e gjeti gruan e tij duke e pritur, si dikush që dëshiron të bisedonte me të. Ai e injoroi këtë dëshirë të saj dhe e pyeti: ‘A është nisur Profeti? (s.a.v.s.)‘Ulu pak’, i tha ajo. Ai u përgjigj: ‘I Dërguari i Allahut është nisur për luftë, e unë të qëndroj duke pushuar në shtëpi! Ebu Hejthema kurrë nuk mund të bëj diçka të tillë!’

Menjëherë përgatiti kalin dhe u nis në të njëjtën rrugë që kishte marrë Profeti s.a.v.s..

Hazret Musleh Maudi përmend kalin këtu, kurse në disa rrëfime përmendet për deve. Ndoshta është thënë gabimisht për kalin, ose ndoshta ka rrëfime për të dyja kafshët.

Sidoqoftë, ai përgatiti mjetin e udhëtimit. Pas një udhëtimi tejet të gjatë dhe rraskapitës, ai arriti te ushtria e Profetit s.a.v.s.

Kur sahabët panë nga larg një re pluhuri që ngrihej, filluan të hamendësonin se kush mund të ishte. Në atë çast, Profeti s.a.v.s. tha: “Kun Eba Hejthema!”, “U bëftë Ebu Hejthema ai që po vjen!” Sigurisht, kjo nuk nënkuptonte që kushdo që vinte, të bëhej Ebu Hejthema. Kuptimi ishte – Uroj që ky që po vjen të jetë Ebu Hejthema!

Këtë Hazret Musleh Maudi r.a. e shpjegon në librin e tij “Tefsir-e-Kebir”.

Po në Tefsir diku tjetër, ai ka shpjeguar kuptimin e fjalës “kun”, duke thënë:

“Duhet ditur se fjala kun në arabisht përdoret jo vetëm për urdhër, por edhe si folje në mënyrën dëshirore. Kur Profeti s.a.v.s. u nis me ushtrinë drejt Shamit, Ebu Hejthema ishte një sahab që gëzonte shumë besim dhe dashuri nga Profeti s.a.v.s. Profeti s.a.v.s. e dinte se ky njeri nuk mund të tregonte neglizhencë ndaj detyrës së tij.

Kur ushtria ishte larguar nga qyteti, Profeti s.a.v.s. vuri re se Ebu Hejthema mungonte dhe ndjeu keqardhje, duke menduar: ‘Kisha kaq shumë besim tek ai, dhe ai u vonua në këtë xhihad.’

Në atë çast, dikush tha: ‘O i Dërguar i Allahut, një person po vjen nga pas!’Profeti s.a.v.s. pa drejt asaj ane dhe tha: “Kun Eba Hejthema!”, “Qoftë Ebu Hejthema ai që po vjen!”

Kur pluhuri u largua dhe njeriu u afrua, u pa se vërtet ishte Ebu Hejthema. Atëherë Profeti s.a.v.s. lavdëroi Allahun që ia plotësoi dëshirën kaq shpejt. Tani, fjala kun këtu nuk nënkuptonte një urdhër që kushdo që po vinte, të bëhej Ebu Hejthema, por përdoret edhe si një folje në mënyrën dëshirore, pra “Uroj që të jetë ai.” Në arabisht, kjo është një shprehje e njohur që përdoret për të shfaqur dëshirë.”

Për ajetin që është komentuar, unë vetë nuk e kam lexuar, por sidoqoftë u dha shpjegimi i fjalës kun. Pjesën tjetër, inshallah, do ta sjell në hutbet e ardhshme.

Thirrje për lutje

Sa i përket sulmit që ndodhi në xhaminë e Rabvasë, lutuni për të plagosurit; që Allahu t’i mbrojë ata dhe t’u japë shërim të plotë e të shpejtë! Lutuni që Allahu t’i bëjë të dështojnë të gjitha planet e kundërshtarëve në Pakistan! Edhe sot në Rabva po mbahet një tubim në emër të ‘Khatm-e-Nubuvvet’, ku mullatë po shpifin gjithçka që kanë për të shpifur. Ndoshta deri më tani ka përfunduar mitingu i tyre. Allahu i ruajtë të gjithë nga e keqja e tyre!

Po kështu, edhe për ahmedianët e Bangladeshit, lutuni. Edhe atje duket se kundërshtarët kanë synime tepër të liga. Allahu i ruajttë të gjithë ahmedianët edhe atje!

Lutuni edhe për palestinezët; që Allahu t’i mëshirojë dhe t’i shpëtojë nga barbarët! Sa për ‘armëpushimin’ që përmendet, ai është vetëm në emër. Ngjarjet e dy ditëve të fundit e kanë dëshmuar qartë se ishte vetëm një armëpushim me fjalë boshe. Allahu i shpëtoftë të shtypurit dhe i ndëshkoftë shtypësit!

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutem
Share via