Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Të ngjashme rreth kësaj teme

Përhapni mësimet e vërteta të Islamit

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

(Pjesë të shkuputra. Për hutben e plotë, ju lutemi, ndiqeni videon!)

Disa studentët tanë që janë nëpër universitete, djem ose vajza, mendojnë se atyre u është shtuar shumë dija, pasi i kanë lexuar dijetarët dhe fikëhologët e mëparshëm dhe pasi kanë lexuar jetën e imamëve dhe evlijave të moçëm dhe për këtë arsye, askush nuk mund të matet me ta në dije. Në këtë temë, mbase ata e kanë shtuar dijen, por dijetarët jo-ahmedianë kanë njohuri më shumë se ata në këtë temë. Andaj, vetëm duke e studiuar literaturën që e përmenda pak më sipër, mos kujtoni se jeni bërë dijetarë. Nëse ndokush e ka këtë krimb në trurin e tij, ai duhet ta heqë atë.

Lërini tashmë dijetarët dhe evlijatë e vjetër. Dijen e vërtetë dhe fytyrën e vërtetën të Islamit në këtë kohë mund ta gjeni vetëm duke studiuar literaturën e Hazret Mesihut të Premtuar a.s.. Mbani mend! Vendimet që ka dhënë Hazret Mesihu i Premtuar a.s., ato janë vendime të drejta. Gjithashtu, komentimet e Kuranit të Shenjtë që Kalifët e tij kanë bërë duke u bazuar në literaturën e tij, ato janë komentime të vërteta. Ato studiojini dhe përmes tyre shtojeni dijen tuaj.

Gjithmonë duhet të kemi parasysh se Hazret Mesihu i Premtuar a.s. erdhi si “gjyqtar” dhe “vendimtar” i kësaj kohe. Andaj, çdo gjë që ai ka thënë vetëm ajo është e vërtetë dhe vetëm ajo është realiteti i mësimeve të Islamit. Andaj, mos kujtoni se jeni bërë dijetarë vetëm duke studiuar librat e të tjerëve, librat e dijetarëve të tjerë, librat e fikëhologëve ose librat e imamëve të kaluar. Ju nuk mund të bëheni dijetarë, derisa nuk studioni librat e Hazret Mesihut të Premtuar a.s..

Derisa Allahu i Madhërishëm e ka dërguar Hazret Mesihun e Premtuar a.s. në këtë kohë, atij i ka dhënë edhe dije në mënyrë të drejtpërdrejtë. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. në një vend thotë:

“Ai që bëhet besimtar, duhet të përparojë nga shkalla e besimit deri në bindje dhe njohje dhe nuk duhet të mbetet i kufizuar në gjendjen e mëdyshjes. Mbani mend! Mëdyshja nuk mund të jetë e dobishme. Vetë Zoti i Madhërishëm e thotë:

ان الظن لا یغنی من الحق شئاً

Mëdyshja nuk të bën dobi përballë së vërtetës.

Vetëm bindja është ajo që i jep sukses njeriut. Asgjë nuk mund të bëhet pas pasur bindje. Nëse njeriu do të fillojë të ketë dyshim për çdo gjë, mbase nuk mund të jetojë as për një çast. Një njeri i tillë nuk mund të pijë as ujë, duke dyshuar se mos ka helm në të; ai nuk mund të hajë asnjë gjë që blen në Pazar, duke dyshuar se mos është diçka që e shkatërron. Si mund të jetojë një njeri i tillë? Ky është një shembull i rëndomtë. Edhe me këtë mund të përfitoni për jetën shpirtërore.

Tani, mendoni vetë! Gjykoni në zemrat tuaja! Nëse keni ngushtësi a shqetësim ndaj ndonjë vendimi a vepre timen, pasi më keni pranuar si Mesih i Premtuar dhe gjyqtar e vendimtar, duke bërë bejt në dorën time, atëherë shqetësohuni për besimin tuaj. Sepse besimi që është i mbushur me mëdyshje dhe fiksime, nuk mund t’ju sjellë asnjë rezultat pozitiv. Por nëse keni pranuar me zemër të sinqertë se Mesihu i Premtuar është gjyqtari i vërtetë, dorëzohuni përpara vendimit dhe veprës së tij. Heshtni, binduni atij dhe vendimet e tij shihni me nderim, në mënyrë që të cilësoheni si respektues dhe nderues të fjalëve të pastra të Profetit Muhammed s.a.v.s..

Dëshmia e Profetit Muhammed s.a.v.s. është e mjaftueshme për ju. Ai ju thotë: “Mesihu i Premtuar do të jetë Imami juaj dhe ai do të jetë gjyqtar dhe vendimtar”. Nëse fjala e tij nuk ju mbush mendjen, kush tjetër mundet? Kurrsesi nuk mund të jetë e drejtë dhe e bekuar që ju të keni edhe besim, por në disa qoshe të zemrës, të keni edhe dyshime. Nëse unë nuk jam i vërtetë, shkoni dhe kërkoni ndonjë tjetër të vërtetë dhe dijeni, nuk mund të gjeni dot ndonjë tjetër të vërtetë në këtë kohë. E nëse nuk e gjeni ndonjë njeri tjetër të vërtetë, atëherë unë ju kërkoj vetëm aq të drejtë që I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ma ka dhënë mua.

Ata që më refuzuan dhe më akuzuan, nuk më kanë njohur mua. Por një që më ka pranuar mua duke bërë bejt me mua, e sërish ushqen akuza, është më keq, sepse dhe duke pasur sytë, mbeti i verbër. Në të vërtetë, bashkëjetesa ia ulin vlerën.

Pra, kur jetojnë në një shoqëri, shpesh nuk i njohim vlerën njëri-tjetrit. Në vijim, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. jep shembullin e Hazret Isait a.s. dhe thotë:

“Për këtë arsye Hazret Mesihu a.s. thotë: “Profeti nuk nënçmohet, veçse në vendlindjen e vet”. Edhe nga këto fjalë mund të kuptojmë se sa vuajtje dhe vështirësi ai ka pasur nga bashkëkombësit e tij. Pra, kjo praktikë shikohet në jetën e të gjithë profetëve, paqja qoftë mbi ta, andaj, si mund të përjashtohesha unë nga ajo?!

Pra, disa syresh pohojnë se ata që kanë ngritur akuza kundër Ahmediatit, kundër deklaratave të Hazret Mesihut të Premtuar a.s. janë dijetarë të vendit të Mesihut të Premtuar që e refuzuan, që dhanë vendime kundër ahmedianëve duke i cilësuar si jomuslimanë. Madje thonë se prej tyre ka edhe arabë dhe ka edhe njerëz të popujve të tjerë. E gjithë kjo nuk përbën argument të mjaftueshëm se Hazret Mesihu i Premtuar a.s., neudhubil-lah është i padrejtë. Sepse në çdo vend, në çdo kohë, në çdo popull, sa herë që erdhi ndonjë profet, njerëzit e refuzuan atë. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. tha:

“Prandaj, gjithçka që kam dëgjuar nga kundërshtarët e mi, vjen pikërisht nga kjo praktikë e hershme”.

Madje, kundërshtimi ndaj profetit, ndaj Hazret Mesihut të Premtuar a.s., përbën një argument të vërtetësisë së tij, sepse Zoti i Madhërishëm pohon se kështu ka ndodhur me çdo profet. Ai thotë:

ما یاتیھم من رسول الا کانو بہ یستھزءون

“Nuk u vjen ndonjë i dërguar, përveçse ata tallen me të”.

Duke iu referuar kundërshtarëve të tij, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Me keqardhje! Këta njerëz sikur të vinin me qëllim të pastër, do t’u tregoja Zotin e vërtetë, që Zoti i ma ka zbuluar mua dhe Ai Zot Vetë do t’i bekonte dhe do t’u mbushte mendjen. Por ata u treguan koprracë dhe ziliqarë. Njerëzve të tillë si mund t’ua tregoj unë të vërtetën?!”

Kurse ne që e kemi pranuar Atë, e kemi për detyrë të krijojmë kontakt me Zotin e Gjallë dhe të mos biem në materializëm. Kjo botë është kalimtare. Andaj, ne duhet të shqetësohemi për botën e ardhshme. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Kur njeriu vjen me zemër të sinqertë për të gjetur të vërtetën, të gjitha çështjet zgjidhen. Por kur dikush shan dhe vjen me keqdashje, nuk mund të përfitojë asgjë. … Duke iu referuar Ibni Arabiut, në librin “Huxhexhul-kiramah” thuhet se kur do të vinte Mesihu i Premtuar, njerëzit do ta quanin atë gënjeshtar dhe injorant dhe do ta fajësonin atë se po ndryshon fenë. Pikërisht kjo po ndodh sot. Pikërisht akuza të tilla bëjnë kundër meje. Njeriu mund të shpëtojë nga dyshimet e tilla, kur do ta mbyllë librin e arsyetimeve të veta dhe të shqetësohet a është i vërtetë ky njeri apo jo. Për këtë ai duhet t’i lutet Zotit që t’ia tregojë nëse ky njeri është i vërtetë apo jo.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. vijon:

“Pa dyshim, disa çështje janë mbi arsyen. Por njerëzit që i besojnë me bindje të dërguarit, presin me mirëbesim, durim dhe qëndrueshmëri. Atëherë, Allahu i Madhërishëm ua zbulon të vërtetën.

Gjatë kohës së Profetit Muhammed s.a.v.s. sahabët nuk i bënin pyetje, por prisnin të vinte ndonjë i huaj e t’i bëjë pyetje dhe ata të përfitonin nga pyetja e tij. Sahabët rrinin kokulur para Profetit s.a.v.s. dhe nuk guxonin t’i bënin pyetje. Sipas meje, rruga më e bekuar dhe më e sigurt është rruga e respektit. Ai që nuk kupton respektin ndaj profetit, mundet që të shkatërrohet.

Pra, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. këshilloi tanët që nuk duhet t’i bënin pyetje pa lidhje.

Duke u dhënë një këshillë shumë të rëndësishme anëtarëve të Xhematit të tij, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Bota në këtë kohë është shumë e ligë. Kanë dalë lloj-lloj shirkësh, bidatesh dhe ligësish. Betimi që bëni gjatë bejtit se do t’i jepni përparësi besimit mbi botën, është një betim që bëni përpara Zotit. Andaj, duhet të mbeteni të palëkundur në këtë betim deri në vdekje, sepse përndryshe, do të cilësohet se nuk e keni bërë bejtin. Por nëse do të mbeteni të palëkundur, Zoti do t’ju japë bekime në besimin dhe në botën tuaj.

Kini takvanë e plotë ashtu siç ju kërkon Allahu juaj! Kjo kohë është e brishtë. Së shpejti do të shfaqet zemërimi i Zotit. Ai që do ta përmirësojë veten në përputhje me dëshirën e Zotit të Madhërishëm, do ta shpëtojë veten dhe do të mëshirojë familjen dhe pasardhësit e tij”.

Pra, sidomos tani kur situata e botës po përkeqësohet dita ditës, të gjithë ne vazhdimisht duhet të kthehemi te Zoti i Madhërishëm. Hazret Mesihu i Premtua a.s. vijon:

“Shikoni, njeriu ha bukë dhe nuk heq dorë derisa të ngopet. Ai a mund të ngopet vallë, duke ngrënë vetëm një kore të bukës? Kurrsesi jo. Gjithashtu, edhe i eturi nëse pi vetëm një pikë uji, ajo pikë uji kurrsesi nuk ia largon dot etjen, përkundrazi, ai do të vdesë nëse mjaftohet vetëm me kaq. Që të jetë i gjallë, njeriu duhet të konsumojë ushqim dhe ujë të paktën aq sa është e mjaftueshme për mbijetesë.

E njëjta gjë vlen edhe për besimin e njeriut. Ai nuk mund të shpëtojë, derisa nuk ushqehet me besim të paktën sa për mbijetesë. Besimin, takvanë dhe bindjen ndaj porosive të Zotit duhet t’i keni në atë sasi, në të cilën konsumoni bukën dhe ujin për t’u ngopur.

Gjithmonë mbajeni mend! Të mos besoni disa porosi të Zotit të Madhërishëm, është njësoj si të braktisni të gjitha porositë e Tij. Nëse një pjesë e keni për shejtanin dhe një tjetër për Zotin, atëherë Zotit nuk i pëlqen pjesëmarrja e dikujt në hisen e Tij. Zotit nuk i pëlqen ortakëria. Ky xhemat është krijuar pikërisht për arsye që njeriu t’i kthehet Zotit të Madhërishëm. Edhe pse shkuarja drejt Zotit të Madhërishëm është një punë e vështirë, madje është një lloj vdekje, por në fund të fundit aty është edhe jeta. Ai që flak tej e tutje pjesën e shejtanit nga vetja, është i bekuar. Bekimi i tij do të arrijë nefsin e tij, shtëpinë e tij, qytetin e tij dhe gjithçka që e rrethon. Por nëse ai do të ketë qoftë një pjesë të vogël të shejtanit, ai nuk do ta ketë atë bekim.

Pohimi i bejtit derisa nuk përkthehet në vepra, ai nuk është asgjë. Ashtu siç mund t’i thoni shumë fjalë dikujt, por kur nuk veproni aspak, ai nuk gëzohet nga ju. Njësoj është puna me Zotin. Madje, Ai ka më shumë sedër se të gjithë sedërmëdhenjtë. A mundet që ju në njërën anë t’i bindeni Atij dhe në anën tjetër t’u bindeni edhe armiqve të Tij? Kësaj i thonë hipokrizi. Në këtë çështje njeriu nuk duhet të ketë frikë nga të tjerët, madje të jetë i palëkundur deri në vdekje”.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. tha:

“Ka dy lloje të mëkatit: së pari, shirku ndaj Zotit, të mos njohësh madhështinë e Tij, të tregohesh përtac në adhurimin dhe nënshtrimin ndaj Tij dhe, së dyti, të mos kesh dhembshuri ndaj robërve të Tij dhe të mos ua plotësosh detyrimet. Kështu që, mos bëni asnjërën prej këtyre dy shkeljeve. Jini të qëndrueshëm në bindje ndaj Zotit dhe në betimin që keni bërë gjatë bejtit. Mos trazoni robërit e Zotit. Kuranin studiojeni me shumë vëmendje dhe veproni sipas tij. Rrini larg nga çdolloj takimi që është përqeshës, i kotë dhe që ka shirk brenda. Falni namazet e pesë vakteve. Mos anashkaloni asnjë porosi të Zotit. Mbajeni të pastër edhe trupin, edhe zemrën. Çlirohuni nga çdo lloj inati të padrejtë dhe nga urrejtja dhe zilia. Këto janë gjërat që ju kërkon Zoti”.

Tani, secili nga ne ka nevojë të bëjë një analizë të vetvetes se sa ai ruhet nga takimet prej pahijshmërie dhe shirku. Ka shumë që mund të thonë: Ne besojmë me bindje Zotin e Madhërishëm dhe nuk qëndrojmë në takimet që mbajnë shirk. Por mbani mend! Çdo takim, qoftë në internet qoftë në televizor, dhe çdo punë që ju largon nga namazet dhe adhurimi, është një takim prej shirku.

Me këtë thellësi ne duhet të analizojmë vetveten. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. në mënyrë të veçantë na tërhoqi vëmendjen për ngritjen e namazeve të pesë vakteve. Ngritja e namazeve do të thotë t’i falni ato bashkë me xhemat dhe t’i falni në kohë, rregullisht. Sipas analizës që kam bërë, mendoj se ka ende dobësi edhe këtu në këtë drejtim. Kur njerëzit më shkruajnë për lutje, i pyes: vetë a bëni lutje, a falni namazet rregullisht? Marr përgjigjen negative ose thonë se po përpiqen. Kur vetë kërkuesi i lutjes nuk ndien dhimbje për shqetësimin e vet, si mund ta ndiejë tjetri dhimbjen e tij që të lutet për të?! Po, nëse ju vetë përmbushni detyrën e lutjeve tuaja, atëherë ju ndihmojnë edhe lutjet e tjetrit. Këto e tha i Dërguari i Allahut s.a.v.s.

Gjithashtu, edhe në çështjet shoqërore që ju kam përmendur më parë, në dashurinë dhe vëllazërinë e ndërsjellë disa njerëz ende nuk e kanë atë standard që duhet ta kishin. Madje, disa kanë zili dhe mëri ndaj disave të tjerë. Prandaj, secili ka nevojë ta shohë veten e tij. Mos e shihni tjetrin se a përmirësohet ai apo jo, por shikoni vetveten! Nëse do ta përmirësoni veten, ligësitë e tjera të shoqërisë vetvetiu do të largohen. Askush nuk mund të pretendojë se është i pastër në çdo mënyrë. Ndaj, gjithmonë duhet të bëjmë istigfar për gabimet tona. Allahu i Madhërishëm na e mundësoftë të gjithë neve këtë gjë dhe na bëftë të dalim të shkëlqyer në përmbushjen e bejtit që kemi bërë ndaj tij.