Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Pesë shtyllat e Islamit

Në Islam, ramazani është muaji i nëntë i kalendarit hënor, gjatë të cilit muslimanët anë e mbanë botës agjërojnë prej agimit deri në perëndimin e diellit. Allahu i Lartësuar duke treguar vlerën e këtij muaji, thotë:

شَهْرُ رَمَضَانَ الَّذِي أُنزِلَ فِيهِ الْقُرْآنُ هُدًى لِّلنَّاسِ وَبَيِّنَاتٍ مِّنَ الْهُدَىٰ وَالْفُرْقَانِ

Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja). [el-Bekare 2:187]

Fjala “ramazan” buron nga fjala الرمض që do të thotë zheg apo vapë përvëluese. Sipas Ibni Deridit, kur u emërtuan muajt në gjuhët arkaike, ata i emërtuan sipas kohëve në të cilat ato binin, andaj ky muaj u quajt ramazan, sepse kishte qëlluar në kulmin e verës.

 

Ebu Hurejre r.a. thotë se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: “Kur të vijë muaji i Ramazanit , hapen dyert e xhenetit dhe mbyllen dyert e xhehenemit e shejtanët lidhen me zinxhirë.” [Buhariu 1079, 1800]

“Ai i cili agjëron muajin e Ramazanit me besim dhe sinqeritet, i falen mëkatet e mëparshme”. [Buhariu]

 

AGJËRIMI

Agjërimi është e dyta ndër shtyllat e islamit. Me anë të agjërimit, njeriu synon brumosjen, formimin dhe reformimin e qenies dhe mbrujtjen e aftësisë së vetëpërmbajtjes. Agjërimi etimologjikisht do të thotë për t’u ndalur nga diçka, apo për t’u përmbajtur prej diçkaje, ndërsa terminoligjikisht do të thotë për t’u ndalur nga të ngrënit, të pirit dhe marrëdhëniet bashkëshortore, për hir të adhurimit të Zotit, prej agimit deri në perëndimin e diellit.

Allahu i Lartësuar thotë në Kuran:

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا كُتِبَ عَلَيْكُمُ الصِّيَامُ كَمَا كُتِبَ عَلَى الَّذِينَ مِن قَبْلِكُمْ لَعَلَّكُمْ تَتَّقُونَ

O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni (nga të këqijat).                                                                                                               [El-Bekrrah 2:184]

وَكُلُوا وَاشْرَبُوا حَتَّىٰ يَتَبَيَّنَ لَكُمُ الْخَيْطُ الْأَبْيَضُ مِنَ الْخَيْطِ الْأَسْوَدِ مِنَ الْفَجْرِ ۖ ثُمَّ أَتِمُّوا الصِّيَامَ إِلَى اللَّيْلِ ۚ

d.m.th. Dhe hani e pini derisa të dallohet fija e bardhë (bardhësia) e agimit nga fija e zezë (errësira e natës), pastaj plotësojeni agjërimin derisa të bjerë mbrëmja. [el-bekare 2:188]

Në fenë Islame, çdo besimtar qoftë mashkull apo femër, që është në moshë madhore dhe është i shëndoshë mendërisht e fizikisht, dhe jo i sëmurë apo udhëtar, duhet të agjërojë rreshtazi gjatë muajit të ramazanit. Ata që nuk mund të agjërojnë nga mungesa e fuqisë, ata që janë udhëtarë apo të sëmurë, nuk e kanë detyrim agjërimin. Megjithatë udhëtarët dhe të sëmurit duhet të agjërojnë në ditë të tjera.

Ndalimi nga të gjitha llojet e ushqimeve dhe pijeve dhe përmbajtja nga dëshirat epshore, është një simbol i fuqishëm për t’iu shmangur të gjitha të këqijave.

AGJËRIMI NË FE TË LASHTA

Agjërimi është një adhurim i tillë, që ka ekzistuar së lashti edhe në fe të mëparshme. Në Kuran përmendet:

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا كُتِبَ عَلَيْكُمُ الصِّيَامُ كَمَا كُتِبَ عَلَى الَّذِينَ مِن قَبْلِكُمْ لَعَلَّكُمْ تَتَّقُونَ

O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat.                                                                                                                [El-Bekareh 2:184]

Ne gjejmë që pothuajse në çdo fe ekziston rituali i agjërimit, që ndonëse dallohet dukshëm në formë, në thelb përmban elemente themelore të përbashkëta. Për shembull një ndër fetë më të vjetra të lindjes, hinduizmi , i kërkon ndjekësit e tij, që të agjërojnë (agjërim = vrata) për të fituar bekimet shpirtërore. Disa nga vrata të njohura janë Ekadashi (11-ta e çdo muaji hënor), Pradosha dhe Purnima (kur hëna është e plotë). Agjërimi gjatë festave fetare, është gjithashtu një praktikë e njohur.

Në taoizëm, bigu është një lloj agjërimi, gjatë të cilit njeriu u shmanget drithërave. Bigu është lidhur ngushtë me xianin, i cili sipas filozofisë tao shënjon shkallën në të cilën njeriu fiton përjetësinë shpirtërore.

Në Dhjatën e Vjetër gjejmë që Musai (Moisiu) kishte agjëruar dyzet ditë dhe dyzet net, dy herë rreshtazi. Fillimisht ai kishte agjëruar para se të merrte pllakat e besëlidhjes prej Zotit. Kur zbriti nga mali, ai gjeti popullin e tij duke adhuruar viçin prej metali, atëherë nga zemërimi ai flaki dhe copëtoi pllakat dhe agjëroi dyzet ditë dhe dyzet net, si në herën e parë. [Ligji i përtërirë 9: 9-18]

Mbreti David agjëroi kur u sëmur djali i tij nga Bath-Sheba. [2 Samuelit 12:16-22] Madje Davidi përdorte agjërimin për të përulur shpirtin e tij. [Psalmeve 35:13] Populli i Ninives, për t’i kërkuar falje Zotit dhe për t’iu shmangur dënimit prej Tij. [Jona 3:5-7]

Ndërsa sipas Dhjatës së Re Jezusi (Isai), kur qe në shkretëtirë, agjëroi dyzet ditë e dyzet net. [Mateu 4:2, Luka 4:2] Gjatë predikimit në mal, Jezusi e përmendi agjërimin ndër veprat e besimtarit. [Mateu 6:16]

Një ndër tiparet dalluese të agjërimit në Islam është ngrënia e syfyrit.

عَنْ عَمْرِو بْنِ الْعَاصِ أَنَّ رَسُولَ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ قَالَ فَصْلُ مَا بَيْنَ صِيَامِنَا وَصِيَامِ أَهْلِ الْكِتَابِ أَكْلَةُ السَّحَرِ

D.m.th. Amr bin Aas r.a. rrëfen se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë që dallimi midis agjërimeve tona dhe agjërimeve të popullit të librit është ngrënia e syfyrit. [Muslimi, Libri i agjërimit, nr. 1836, 1096]

[Syfyri do të thotë koha para imsakut. Por gjithashtu ushqimi që hahet në këtë kohë quhet syfyr.]

Pra, agjërimi si një mjet për zhvillimin shpirtëror është i përbashkët në të gjitha fetë e mëdha.

 

QËLLIMI I AGJËRIMIT

Agjërimi është një mjet për pastrimin dhe edukimin shpirtëror.  Njeriu nëse heq dorë nga disa prej kënaqësive të tij për hir të Zotit, ai gjithashtu mëson që t’u përmbahet veprave fisnike dhe virtyteve të larta, duke iu shmangur çdo gjëje të ndaluar dhe të ndyrë.

Duke obliguar agjërimin, Allahu argumenton dobitë e tij duke arsyetuar që “të mund të ruheni”. Fjala اتقاء do të thotë për t’u mbrojtur, për t’u fortifikuar dhe për të arritur fitoren. Pra, agjërimi synon që besimtari t’i nënshtrohet mbrojtjes së Zotit, të fitojë mirësi dhe dobi, ndërsa ruhet nga e keqja. Agjërimi gjithashtu shërben si një mjet për pranimin e lutjeve.  Njeriu duke përjetuar urinë e etjen, vetëdijsohet e ndërgjegjësohet ndaj vuajtjes dhe mjerimit të njerëzve të tjerë. Ai duke ndier vuajtjen, bëhet gati që të ndihmojë të tjerët me një shpirt vetëmohues dhe altruist. Kjo gjë jo vetëm që shëron plagët e shoqërisë, madje ushqen popullin me virtytin e sakrificës. Agjërimi mbrun njeriun me durim e vetëpërmbajtje, që ai t’u bëj ballë trimërisht vështirësive dhe sprovave të jetës dhe të mos dorëzohet para tyre. Ramazani i mundëson njeriut aftësi për të kapërcyer çdo mundim në adhurimin e Zotit si dhe në obligimet e tjera fetare.

Njeriu gjatë agjërimit, kur u reshtet veprimeve të kota, atëherë i gjallërohen vetitë shpirtërore. Duke mprehur shikimin e tij shpirtëror, ai tashmë shkoq mirë sjelljen dhe të metat e tij, dhe mundohet t’i zëvendësojë ato me cilësi të larta. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:

 الصِّيَامُ جُنَّةٌ وَهُوَ حِصْنٌ مِنْ حُصُونِ الْمُؤْمِنِ ، وَكُلُّ عَمِلَ لِصَاحِبِهِ إِلا الصِّيَام ۔ يقول الله: الصيام لي و أنا أجزي به

 d.m.th. agjërimi është mburojë dhe një fortesë për besimtar. Çdo vepër e njeriut i përket atij. Allahu thotë: Agjërimi është për Mua dhe Unë jam shpërblimi i tij. [El-Mu’xhamul Kabir, nr. 7608, Sahih el-Xhami’ us-Sujuti nr. 3881]

Agjërimi i jep njeriut mësimin e qëndrueshmërisë dhe këmbënguljes në sjelljen e tij. Kur besimtari kalon tridhjetë ditë të ramazanit, duke u përpjekur të heqë dorë nga veset e tij, duke u zgjuar herët për të adhuruar Zotin, duke studiuar Kuranin, ndërsa kohën e lirë kalon në përmendjen e Zotit dhe në meditim, u reshtet punëve të padobishme, angazhohet në veprat bamirëse, pra kur del nga muaji i ramazanit, ai tashmë është një ushtar i kalitur, i pajisur me virtyte të larta, që shfaq vetitë më fisnike të njeriut.

Një tjetër vlerë e agjërimit është që gjatë ramazanit besimtarët stërviten për të hequr dorë nga të drejtat e tyre të ligjshme. Nëse gjatë 11 muajve, besimtari përpiqet t’u reshtet gjërave të ndaluara, në ramazan, ai largohet edhe nga gjëra të lejuara. Shumë probleme dhe konflikte në botë, mund të zgjidheshin lehtësisht nëse njeriu nuk do të këmbëngulte për të drejtën e tij. Njeriu tregohet i gatshëm për t’u futur në konflikt të përgjakshëm, por nuk tërhiqet nga e drejta e tij. Qindra mijëra njerëz, për të kërkuar të drejtën e tyre rrezikojnë paqen dhe stabilitetin e mbarë vendit, ndërsa po të vepronin me largpamësi, do të bëheshin faktorë të rëndësishëm në paqen kombëtare.

Pra përmes agjërimit, njeriu jo vetëm që realizon edukimin e pastrimin shpirtëror dhe lartësimin e vetëdijes së tij, por ai gjithashtu fiton dobitë fizike, morale dhe shoqërore.  Njeriut i zhvillohet aftësia e komunikimit me Zotin dhe i tregohen ëndrra të vërteta. Nëse ushqimi e fuqizon organizmin trupor të njeriut, agjërimi i mpreh dhe hollon aftësitë shpirtërore të njeriut.  Prandaj Allahu thotë:

وَأَنْ تَصُومُوا خَيْرٌ لَكُمْ إِنْ كُنْتُمْ تَعْلَمُونَ

d.m.th. nëse agjëroni, është më mirë për ju, në qoftë se e dini.  [el-Bekare 2:185]

Agjërimi ka edhe dobi fizike e shëndetësore. Trupi i njeriut duke duruar vështirësitë dhe mundimet, përforcon aftësinë e vetëpërmbajtjes dhe të durimit. Madje, dobitë e agjërimit në shëndetin e njeriut nga mosngrënia e ushqimit janë botërisht të pranuara. Sipas mjekëve që merren me terapitë metabolike, trupi i njeriut përmban toksina mjedisore si dhe disa substanca të tjera të dëmshme, që mund të hiqen duke agjëruar apo duke detoksifikuar trupin. Sipas tyre agjërimi mundëson që trupi të përqendrojë energjinë për t’u pastruar dhe për t’u shëruar vetvetiu. Agjërimi gjithashtu kontribuon edhe në sistemin e imunitetit për punë më efikase, duke lejuar më shumë oksigjen dhe rruaza të bardha në trup, që djegin më shumë dhjamë dhe si rezultat i japin trupit energji dhe përmirësojnë një sërë funksionesh shëruese. Sipas disa studiuesve, nëse personi që vuan nga kanceri agjëron, atëherë ky ndihmon në tharjen e tumorit duke shkaktuar vdekjen e qelizës. Agjërimi gjithashtu rekomandohet për ripërtëritjen e trupit, humbjen e peshës dhe për mbajtjen e peshës normale, jetëgjatësinë, kthjellimin mendor, vetëdijen dhe vetëvlerësimin. Agjërimi gjithashtu ndihmon në lënien e veseve si duhani, kafeina apo alkooli etj.

 

Nëse njeriu agjëron në mënyrë të përmbajtur, atëherë ai ndikon dukshëm në shëndetin e tij. Pra, agjërimi është garantues për shëndetin e njeriut, ndërsa në aspektin shpirtëror ai është një burim për të fituar devotshmërinë. Agjërimi i mundëson njeriut mirësjelljen, fisnikërinë, ndershmërinë dhe edukimin brendësor. I zhvillohen vetitë e vetëpërmbajtjes dhe guximit. Bëhet më i ndjeshëm për mjerimet dhe vështirësitë e të varfërve dhe inkurajohet që t’i ndihmojë ata. Pra, agjërimi luan një rol të rëndësishëm në kultivimin e sakrificës, vetëmohimit dhe altruizmit dhe kështu nxit shoqërinë për fshirjen e dallimeve ekonomike dhe etnike.

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:

“Ai që nuk heq dorë nga gënjeshtra dhe veprat që burojnë prej saj, Zoti nuk ka nevojë që ai të heqë dorë nga të ngrënit dhe të pirit.” [Buhariu]

Pra, nëse njeriut i mungon vullneti për të arritur qëllimin esencial, që është edukimi shpirtëror, atëherë ç’dobi mund t’i sjellë agjërimi i tij.

عَنْ أَبِي هُرَيْرَةَ ، قَالَ : قَالَ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ : ” لَيْسَ الصِّيَامُ مِنَ الْأَكْلِ وَالشُّرْبِ فَقَطْ ، إِنَّمَا الصِّيَامُ مِنَ اللَّغْوِ وَالرَّفَثِ ، فَإِنْ سَابَّكَ أَحَدٌ وَجَهِلَ عَلَيْكَ فَقُلْ : إِنِّي صَائِمٌ “

Hazret Ebu Hurejra r.a. rrëfen se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: Agjërimi nuk është vetëm (ndalimi) nga të ngrënit dhe të pirit. Agjërimi (i vërtetë) është (shmangia) prej gjërave të padobishme dhe imorale. Nëse dikush të shan apo të provokon, atëherë thuaji: unë jam agjërueshëm.”

[Mota Abdullah bin Veheb, nr. 282]

Pages: 1 2 3 4 5