Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Pesë shtyllat e Islamit

2. Namazi

Adhurimi është qëllimi kryesor i krijimit të njeriut

Qëllimi i krijimit të njeriut, sipas fesë Islame, është që ai duhet ta adhurojë Allahun. Në Kuranin Famëlartë, Zoti thotë:

وَمَا خَلَقْتُ الْجِنَّ وَ الْاِنۡسَ  اِلَّا لِیَعْبُدُوۡنِ

Unë kam krijuar xhindët dhe njerëzit vetëm që të Më adhurojnë Mua.

(Edh-Daharijat 51:57)

Adhurimi (ibadeti) do të thotë bindje e plotë para urdhrave të Allahut. Hazret Profeti Muhammeds.a.v.s., ka sjellë mesazhin e Allahut dhe ka shpjeguar të gjitha porositë lidhur me fenë Islame.

Rëndësia e namazit

Krahas të gjitha obligimeve fetare, Islami i jep rëndësi të madhe faljes së namazeve. Çdo musliman është i obliguar të falet pesë herë në ditë. Përveç namazeve të obligueshme, ka edhe disa lloje të tjera të namazit që janë vullnetare.

Feja Islame i mëson muslimanit që të marrë parasysh anën shpirtërore ashtu siç ai orvatet për të gjetur mjetet e mbijetesës në botën materiale. Nëse era, ushqimi e uji janë gjërat jetike për trupin e njeriut, atëherë edhe namazi është i pazëvendësueshëm për shpirtin e tij. Por namazi që falet vetëm si një ritual, nuk sjell dobi. Namazi i vërtetë është ai që bëhet me gjithë shpirt e zemër. Kurani Famëlartë thotë:

Me të vërtetë namazi të ndalon nga shthurja dhe nga çdo vepër e keqe. Sigurisht, përmendja e Allahut është më e madhe. Allahu di gjithçka që ju bëni”.

(El-Ankabut 29:46)

Hazret i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka  porositur muslimanët të kujdesen për namazet e tyre. Ai tha se namazi është shtylla e besimit. Madje tha se në Ditën e Gjykimit, njeriut më së pari do t’i kërkohet llogari pikërisht për namaz. Një herë, duke shpjeguar rëndësinë e namazit, ai tha:

Nëse një njeri ka një lumë të pastër pranë shtëpisë së tij dhe ai lahet pesë herë në ditë në të, nuk mund të mbetet papastërti në trupin e tij. Në të njëjtën mënyrë, nëse dikush fal namazin pesë vakte, edhe ai shpirtërisht nuk mund të mbetet i papastër.

(Buhariu, Mavakitus Salat)

Hazret Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Namazi është obligim për çdo musliman. Në hadith thuhet se një popull erdhi një herë tek i Dërguari i Allahut s.a.v.s., i cili ishte bërë musliman. Njerëzit e tij e pyetën: O i Dërguar i Allahut, lirona nga obligimi i namazit, sepse jemi tregtarë dhe për shkak të bagëtive rrobat tona nuk mbeten të pastra dhe ne nuk gjejmë kohë për ta kryer këtë obligim. Hazret Profeti Muhammed s.a.v.s. u përgjigj: Nëse hiqet namazi, çfarë do të mbetet? Feja pa namaz nuk mund të jetë. Çfarë është namazi? Ai është paraqitja e përulësisë dhe dobësive tona para Zotit dhe kërkimi i ndihmës prej Tij. Në namaz, njeriu herë qëndron në këmbë me duar të lidhura, duke pranuar madhështinë e Zotit dhe duke u treguar i gatshëm për t’iu bindur Atij dhe herë bie në sexhde duke treguar përulësinë dhe dobësinë e tij të skajshme dhe duke i kërkuar vetëm Atij ndihmë dhe mbështetje. Herë si një lypës që lavdëron atë të cilit i lyp, edhe në namaz duke treguar madhështinë dhe fuqinë e Zotit, njeriu përpiqet ta kapë mëshirën e Zotit dhe t’i lypë Atij. Pra, nëse këto gjëra mungojnë në një fe, atëherë çfarë do t’i mbetet pastaj. Njeriu gjithmonë është nevojtar t’i kërkojë pëlqimin dhe bekimin Zotit

(Melfuzat, vëll 5, f. 243)

Kohët e namazeve

Për secilin prej pesë namazeve të obligueshme ka një kohë të caktuar, e cila përcaktohet sipas pozicionit të diellit:

Namazi i sabahut (faxhr): Koha e namazit të sabahut fillon me agimin dhe mbaron pak para lindjes së diellit.

Namazi i drekës (zuhr): Koha e namazi i drekës fillon kur dielli e kalon zenitin e tij dhe fillon të bjerë poshtë.

Namazi i ikindisë (asr): Koha e ikindisë është kur dielli fillon të përparojë në drejtim të perëndimit, të cilën ne e quajmë pasdite, por jo shumë vonë. Koha e këtij namazi mbaron pak para perëndimit të diellit, pra, kur zbehet drita e diellit. Nuk është ndaluar që namazi i ikindisë të falet në kohën e fundit të ditës, mirëpo preferohet që të falet para se të zbehet drita e diellit, kur dielli ende është larg perëndimit.

Namazi i akshamit (magrib): Koha e akshamit fillon fill pas perëndimit të diellit dhe vazhdon deri së të errësohet.

Namazi i jaciës (isha): Koha e namazit të jacisë fillon kur muzgun e pason errësira e natës. Sipas dijetarëve, koha e tij mbaron afër mes natës, por është e pëlqyeshme që jacia të falet në fillim të kohës së saj.

Kohët kur nuk falet ndonjë namaz

Duhet mbajtur mend se ndalohet të falet namazi në tri kohë: (1) kur dielli është duke lindur, (2) kur ai është duke perënduar dhe (3) kur dielli është në zenitin e tij. Po ashtu, nuk lejohet të falet ndonjë namaz nafil pas namazit të ikindisë, deri në perëndim të diellit.

Kushtet e namazit

Ka disa kushte që duhet të plotësohen para se të falim ndonjë namaz, të cilat janë:

Abdesi ose pastërtia është kushti kryesor i namazit. Namazi është për pastrimin shpirtëror, gjë që nuk arrihet nëse trupi do të lihet i papastër. Ndërsa nëse dikush ka bërë marrëdhënie me gruan, ose i është bërë derdhje në gjumë, ai duhet të lahet para se të falet. Nëse nuk ka ujë për abdes apo për larje, atëherë mund të bëhettejemumi.

Para se të falemi Namaz, ne duhet  të bëjmë nijet në fillim të Namazit. Pra, duhet të dimë se cilin namaz jemi duke falur.

Namazi duhet të falet në kohën e tij të caktuar. Megjithatë, duhet mbajtur mend se nëse dikush, për shkak të arsyeve të jashtëzakonshme, nuk ka arritur të falet në kohën e caktuar, ai duhet të falet menjëherë kur i del koha.

Vendi ku falet namazi, gjithashtu duhet të jetë i pastër.

Trupi duhet të jetë i mbuluar.

Duhet të jemi në drejtim të Kiblës (të Qabesë) kur falemi.

Llojet e namazeve sipas rëndësisë së tyre

Sipas rëndësisë së tyre, ka katër lloje namazesh:

  • Fard
  • Vaxhib
  • Sunet
  • Nafil

Tabela e rekateve të namazeve të pesë vakteve

Sabahu Dreka Ikindia Akshami Jacia
Sunetet para fardit  Të obligueshme 2 4
Jo të obligueshme 4 4
Fard 2 4 4 3 4
Sunetet pas fardit 2 2 2
Vitr 3

 

Pages: 1 2 3 4 5