Filmi provokues anti-Islam dhe protestat jo-islame
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Filmi provokues anti-Islam dhe protestat jo-islame

Pas shfaqjes së filmit “Innocense of Muslims” (Pafajësia e muslimanëve) në Internet, ku përshkruhet figura e lartë e Profetit të Islamit Muhammedit (paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi të) në mënyrë nënçmuese dhe poshtëruese, që provokoi reagimin e dhunshëm të muslimanëve dhe shpërthimin e protestave të përgjakshme e të pakëndshme në shumë vende Islamike, në të cilat u sulmuan ambasada të vendeve Perëndimore dhe humbi jetën tragjikisht edhe ambasadori amerikan Chris Stevens bashkë me nëpunësit e tij në Libi më 11 shtator, ne, në emër të Xhematit Musliman Ahmedia të Shqipërisë, në radhë të parë shprehim ngushëllimet tona të sinqerta për vdekjen e ambasadorit dhe të nëpunësve të tij. Dhuna dhe vrasja e të pafajshmëve në asnjë mënyrë nuk mund të justifikohet, madje ajo dënohet ashpër jo vetëm nga feja Islame por nga të gjitha fetë.

Xhemati Musliman Ahmedia i Shqipërisë shpreh keqardhjen dhe pikëllimin më të thellë edhe për aktin provokues të shfaqjes së këtij filmi trillues, ku jo vetëm që cenohet figura e lartë e Profetit të dashur Muhammed s.a.v.s, por ajo paraqitet në një mënyrë shumë provokuese, me shpifje absurde dhe poshtëruese ndaj karakterit të tij.

Profeti Muhammed është modeli dhe shembulli më i lartë për të gjithë besimtarët muslimanë, prandaj, padyshim që ata janë prekur nga shfaqja e këtij filmi, i cili realisht, duke keqpërdorur lirinë e shprehjes, vetëm se e trazoi paqen e brishtë botërore. Producentët keqdashës të këtij filmi, me satirë të ashpër dhe therëse, nuk dihet se çfarë synojnë, përveçse të provokojnë muslimanët, një pjesë e mirë prej të cilëve fatkeqësisht, shpreh mllefin dhe zemërimin e tyre në mënyrë të dhunshme dhe të papërmbajtur dhe vetë duke u mundësuar justifikim kundërshtarëve që thonë se feja Islame përhap dhunë. Pra, si filma të tillë, ashtu edhe protesta të tilla të dhunshme nuk ndihmojnë askënd dhe jo vetëm që cenojnë paqen e brishtë botërore por sabotojnë rëndë edhe procesin e dialogut ndërfetar dhe hapin hendek të thellë midis botës muslimane dhe asaj Perëndimore.

Ne hedhim poshtë në mënyrë të prerë, reagimin e atyre muslimanëve të cilët përdorin dhunë në protestat e tyre, gjë që nuk i shërben aspak fesë Islame, por përkundrazi arsyeton mesazhin e kundërshtarëve që ata kanë dashur të përcjellin në opinion. Pra, të gjithë ata që përdorin dhunë për të shprehur mllefin e tyre, bëhen bashkëpunëtorë me ata në këto plane, duke u dhënë mundësi atyre të shprehen se reagimi i dhunshëm i muslimanëve është tregues për përplasje midis sistemit demokratik perëndimor dhe fesë Islame. Islami në asnjë mënyrë nuk mund të përfaqësohet nga veprimet e dhunshme të njerëzve, të cilët reagojnë vetëm duke u shtyrë nga zemërimi i tyre.

E vërteta është, që Islami gjithmonë nxit për dialog të logjikshëm dhe racional për të gjitha çështjet që u interesojnë popujve, me të vetmin qëllim që e vërteta të dallohet nga e pavërteta. Sa herë që muslimanët përballen me ngjarje të tilla që mund të dëmtojnë dhe prishin paqen në shoqëri, ata janë urdhëruar t’i përmbahen arsyetimit, urtësisë dhe mirësisë, siç Kurani i Madhërishëm thotë:

“Thirr në rrugën e Zotit tënd [d.m.th. në rrugën e paqes dhe mirësisë] me mençuri dhe këshillë të bukur dhe diskuto me ata në mënyrën më të mirë!”

[En-Nahl 16:126]

Në një varg tjetër, ai thotë:

“Largoje të keqen me atë që është më e mira.”

[El-Muminun 23:97]

Duke përkufizuar fjalën musliman, Profeti Muhammed thotë:

“Muslimani është ai që siguron njerëzit nga gjuha dhe dora e tij. Ndërsa besimtari është ai, që u mbron njerëzve gjakun dhe pasurinë.”

[Mesned Ahmed bin Hambel, vëll. 2, f. 379, nr. 8918]

Madje, duke mbrojtur shenjtërinë e jetës njerëzore, Kurani gjykon:

“… kush vret ndokënd (të pafajshëm) …, është sikur të ketë vrarë të gjithë njerëzit.”

[El-Majdah 5:33]

Pra, protestat e dhunshme, sabotimi i ndërtesave, rrëmbimi i pronave dhe më e keqja vrasja e njerëzve të pafajshëm, në veçanti të diplomatëve, të gjitha këto akte janë të papranueshme në Islam, sepse janë anti-produktive.

Është koha që muslimanët duhet të heqin dorë nga ushtrimi i çdolloj dhune dhe dhimbjen e tyre t’ia shprehin Zotit në formë lutje. Le të studiojmë jetën e tij me qëllim që të jemi të aftë për t’iu përgjigjur këtyre akuzave dhe të shfrytëzojmë çdo mundësi për t’i treguar botës sesa i lartë dhe fisnik ka qenë ai. Të sjellim të gjitha aspektet e jetës së tij në karakterin tonë dhe të përhapim mësimet e tij që janë për paqe dhe dashuri, sepse çdo reagim i dhunshëm në emër të këtij Profeti bëhet më i patolerueshëm, kur ai vetë ishte pishtari i paqes. Edhe pse ai përballej me përbuzjet dhe akuzat më të pahijshme nga ana e kundërshtarëve, sa herë që shokët e tij i thoshin që t’i mallkonte kundërshtarët, ai gjithmonë përgjigjej:

“Jo, nuk jam dërguar si mallkues, por si mëshirë për mbarë njerëzimin”.

Data 11 shtator na kujton edhe tragjedinë famëkeqe të ndodhur në Nju Jork para 11 vitesh. Xhemati Musliman Ahmedia është i pranishëm edhe në Amerikë, madje është një ndër komunitet më të vjetra muslimane, i cili përpiqet me të gjitha mjetet dhe mundësitë e tij për të përhapur paqe në vend. Në shtator të vitit të kaluar, me rastin e 10 vjetorit të kësaj ngjarjeje të përgjakshme, për të nderuar viktimat e saj, ky Xhemat ndërmori një fushatë me sloganin “Muslimanët për jetën” për të dhuruar 10 mijë njësi gjak, dhe brenda tre muajve dhuroi 11803 njësi gjak, gjë që është vlerësuar jo vetëm nga mediat amerikane, por edhe nga Presidenti Obama (www.muslimsforlife.org). Realisht, edhe këtë veprim muslimanët e këtij Xhemati e kanë bërë pikërisht duke u frymëzuar nga Profeti i tyre i dashur Hazret Muhammedi, i cili është pishtar i paqes për ta. Udhëheqësi Botëror i Xhematit Musliman Ahmedia, Hazret Mirza Masroor Ahmedi, në një simpozium për paqe të zhvilluar në Londër, thotë:

“Në cilëndo pjesë të shkoni në botë, ju do të gjeni pikërisht këto vlera, të gdhendura tek të gjithë muslimanët e vërtetë ahmedianë. Shembulli për ne nuk janë as terroristët e as ekstremistët, as diktatorët mizorë muslimanë e as fuqitë perëndimore. Shembulli që ne ndjekim është ai i Themeluesit të Islamit, Profetit Muhammed (paqja qoftë mbi të) dhe porosia udhëzuese për ne është Kurani Famëlartë. Me këtë simpozium paqeje, unë i dërgoj një mesazh gjithë botës, që mesazhi dhe mësimet e Islamit janë të dashurisë, dhembshurisë, butësisë dhe paqes”.

(Revista “Vërtetësia”, numri i gjashtë, f. 54-55, Tiranë, korrik, 2012)

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp