Xhelsa salana e 7-të e Shqipërisë
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Xhelsa salana e 7-të e Shqipërisë

Mesihu i Premtuar a.s. duke marrë udhëzim prej Zotit të Madhërishëm, vuri themelet e xhelsa Salanës (tubimit vjetor). Sot kjo xhelse zhvillohet në vende të ndryshme të botës. Ai duke paralajmëruar rritjen, përhapjen dhe lulëzimin e këtij kuvendi shpirtëror, kishte shkruar:

“Mos i konsideroni këtë mbledhje si kuvende të tjera të zakonshme, sepse ajo bazohet plotësisht në mbështetjen e së vërtetës dhe përhapjen e mesazit të Islamit. Gurthemelin e këtij xhemati e ka vënë vetë Zoti i Lartësuar, dhe Ai ka përgatitur kombe për të, të cilat së shpejti do të bashkohen me të.”

Më pas duke parashtruar qëllimet dhe objektivat e kësaj xhelse, ai shkruan:

Qëllimi më kryesor ndër objektivat e këtij tubimi është që t’ia japim çdo individi të sinqertë mundësinë për të fituar dobitë fetare. Po ashtu që ata të pasurojnë njohuritë e tyre, dhe duke u bekuar prej mëshirës së Zotit, të arrijnë të shtojnë njohjen e tyre (rreth Tij). Përpos këtyre dobive, anëtarët përmes këtij takimi do të arrijnë të njihen me miq të tjerë, dhe kështu do të përforcohen lidhjet e tyre vëllazërore brenda xhematit.

Prandaj, çdokush që mund të përballojë këtë udhëtim, duhet ta ndjekë patjetër këtë xhelse, e cila pasqyron qëllime të shumta të bekuara, … dhe ta mos e trembin harxhimet e vogla, në rrugë të Allahut dhe të të Dërguarit të Tij s.a.s. Zoti i Lartësuar i shpërblen të sinqertët për çdo hap që marrin ata, asnjë përpjekje e mundim që bëhet në rrugën e Tij nuk shkon kot.”

[Mexhmua Ishtiharat, vëll. I, njoftim nr. 88, f. 340-41]

Sot, tubime të tilla zhvillohen pothuaj në të gjitha vendet e botës, dhe kështu ato vulosin vërtetësinë e Mesihu të Premtuar alejhiselam. Në këto tubime jo vetëm që jepen faktet dhe argumentet që përforcojnë besimin, bindjen dhe njohjen e besimtarëve, por  ua shtojnë besimin, përmes rrëfimeve të mbështetjes së Zotit dhe pranimit të lutjeve. Karvani i gjatë i këtyre kuvendeve shpirtërore, u ndal për një qëndrim të vogël edhe në Shqipëri, ku u mbajt Xhelsa Salana e 7-të e Shqipërisë më 12 tetor 2014.

Si vjet përpos pjesëmarrjes nga vendi, mysafirët erdhën edhe nga Kosova e Maqedonia. Në fillim u zhvillua ceremonia e ngritjes së flamurit e ndjekur nga lutje solemne. Pastaj nisi seanca e parë e xhelsës me recitimin e disa ajeteve të Kuranit.

Fjalimin e parë e mbajti z. Shkëlqim Bytyçi rreth temës “Vendosja e dinjitetit njerëzor nga i Dërguari i Allahut s.a.s.”. Ai duke përshkruar gjendjen e para-islamit, tregoi për revolucionin e madh shpirtëror e moral, që solli Profeti Muhammed s.a.s. Ai duke vendosur vlerat më sublime njerëzore, ndryshoi rrjedhën e jetës shoqërore. Duke mishëruar mësimet e bukura të Kuranit në karakterin e tij shkëlqyer, ai bëri përpjekje madhore për mbrojtjen e dinjitetit njerëzor, të drejtave të të vobektëve, jetimëve dhe grave të ve. Profeti s.a.s. ngriti lart të drejtat bashkëshortore. Ai jo vetëm që u kujdes për të drejtat e shërbëtorëve, por hodhi poshtë të gjitha dallimet racore, padrejtësitë e aktet e dhunshme. Z. Shkëlqimi u ndal edhe në fjalimin e Haxhit të Lamtumirës, ku gjenden porosi të fundit të Profetit s.a.s. për umetin e tij.

Pastaj, z. Bujar Ramaj mbajti një kumtesë rreth temës “Rilindja e Islamit”. Ai duke shprehur keqardhje për rritjen e anarkisë, çrregullimit dhe konflikteve fetare, dhe për vendosjen e të ashtuquajturit kalifat mizor politik së fundmi, argumentoi se arsyeja pas shfaqjes së ekstremizmit, konflikteve fetare dhe lëvizjeve të shumta politikofetare është keqinterpretimi i ajeteve të Kuranit dhe deformimi i koncepteve të Islamit. Ai gjithashtu nënvizoi se keqkuptimi i mjaft profecive që lidhen me ditët e mëvonshme, ka ushqyer mendjen e muslimanëve me doktrinat e paqena si xhihadi i përgjakshëm apo dënime për blasfemi. Këta faktorë kanë krijuar një situatë ku shumica e vendeve muslimane janë përfshirë në konflikte të përgjakshme. Në fjalën e tij, ai u ndal edhe në realitetin dhe shpjegimin e disa prej hadhitheve, që flasin për ardhjen e Imami Mehdiut e Isait birit të Merjemes a.s. Ai tregoi se ka më shumë se 125 vjet, që themeluesi i Xhematit Musliman Ahmedia ka deklaruar se është prej po ai Imam Mehdi dhe Mesih i Premtuar, ardhja e të cilit pritej nga umeti. Sot xhemati i themeluar prej tij gjendet në më shumë se 205 vende të botës dhe është angazhuar në përhapjen e mesazhit paqësor dhe rilindjen e Islamit anembanë botës.

Pas një pushimi të shkurtër, pjesëmarrësit u rimblodhën për seancën e dytë. Imam Javaid Iqbal Nasir mbajti fjalën e radhës rreth “Mësimeve të Islamit për një të lumtur familjare”. Ai tregoi se çdokush në këtë botë është në kërkim të lumturisë dhe qetësisë shpirtërore, por shumëkush nuk di se si ta arrijë atë. Në Kuran, Allahu i Lartësuar, ka paraqitur një sërë këshillash, të cilat, nëse vihen në zbatim, mund të shndërrojnë jetën bashkëshortore si në parajsë. Nëse Kurani Famëlartë e cilëson burrin dhe gruan si veshje për njëri-tjetrin, ai gjithashtu porosit burrin që të kujdeset për nevojat e bashkëshortes. Imam Javaid rrëfeu disa ngjarje mbresëlënëse nga jeta e Profetit Muhammed s.a.s. I Dërguari i Allahut s.a.s. kishte thënë “Muslimani më i mirë është ai, i cili posedon morale të larta, dhe më i miri ndër ju është ai, që sillet mirë me gruan e tij.” Në fjalën e tij, ai gjithashtu citoi gjerësisht porositë e Mesihut të Premtuar alejhiselam dhe Kalifit V-të a.b.a.

Më pas, z. Ilirian Ibrahimi rrëfeu se përse kishte pranuar Xhematin Musliman Ahmedia. Ai u shpreh se kushdo që e pranon Mesihun e Premtuar a.s., dhe bën përpjekje të sinqerta për t’iu përmbajtur porosive të tij, gjen një ndryshim të pastër rrënjësor në veten e tij. Ai tha se shtysa e parë që e nxiti drejt këtij vendimi ishte padyshim sjellja vëllazërore, karakteri i lartë dhe dashuria e sinqertë e anëtarëve të xhematit. Këta të rinj, që përfaqësojnë denjësisht Islamin e vërtetë, rrezatonin paqen, harmoninë, tolerancën fetare dhe atdhedashurinë në të gjitha fjalët e veprimet të tyre. Ai u shpreh se Ahmediati jo vetëm i dha argumente të pakthyeshme të vdekjes së Isait alejhiselam, por e njohu si kurrë më parë me statusin madhor të të Dërguarit të Allahut s.a.s. A theksoi se xhemati shpjegon shenjat e kiametit dhe ardhjes së Mesihut të Premtuar a.s. aq qartë, saqë ato nguliten në zemër, dhe duket sikur nuk ka asnjë dallim midis fesë dhe logjikës, e kështu bota materiale e shpirtërore shkrihen në një qenie të vetme. Ai vlerësoi edhe shkrimet e Mesihut të Premtuar alejhiselam dhe Kalifëve të tij, si një thesar i çmuar. Megjithatë, mbyllur fjalën e tij ai u shpreh:

“Të gjithë ata shkaktarë që u cekën më lartë, të gjitha ato arsye të cilat u përmendën kanë vetëm një Shkak, kanë vetëm një arsye, dhe ai është ALLAHU I MADHËRISHËM, i Cili përbën shkakun e gjitha shkaqeve, arsyen e gjitha arsyeve.”

Pastaj z. Bekim Bici foli rreth temës “Islami është paqe”. Ai duke komentuar situatën e zymtë krijuar fatkeqësisht në vendet muslimane, u shpreh se çdokush sot po bën këtë pyetje se a me të vërtetë Islami është feja e paqes? Duke treguar vetëm kuptimin e fjalës Islam, ai parashtroi mësimet e Islamit për paqen e harmoni shoqërore e fetare. Ai qartësoi edhe kushtet brenda të cilave muslimanët mund të bëjnë një luftë mbrojtëse:

“Pika thelbësore që duhet marrë parasysh në lidhje me këtë është që përdorimi i shpatës ose forcës është i lejuar vetëm kur bëhet një luftë fetare kundër Islamit. Në ditët e sotme, asnjë shtet e asnjë fe nuk e sulmon Islamin fizikisht për bazën e tij fetare. Asnjë vend nuk të ndalon të praktikosh fenë tënde, andaj, edhe muslimanët nuk kanë asnjë justifikim për të sulmuar dikë tjetër në emër të fesë, sepse një gjë e tillë është shkelje e hapur ndaj mësimeve të Kuranit.”

Ai rrëfeu edhe disa ngjarje nga jeta e Profetit të Paqes Muhammedi s.a.s. që pasqyrojnë rëndësinë që i jep Islami vendosjes së paqes.

Në fund të seancës së dytë u zhvillua promovimi i librave “Si mund të gjendet shpëtimi i nga mëkati?” të Mesihut të Premtuar alejhiselam dhe “Kriza botërore dhe rruga drejt paqes”.

Pas faljes së namazeve dhe pushimit për drekë, u zhvillua seanca e fundit e xhelsës. Pas recitimit të Kuranit, u lexuan disa vargje nga poezia e Mesihut të Premtuar alejhiselam:

Pastaj z. Shahid Ahmad Butt trajtoi temën “Kalifati i vërtetë Islamik”. Ai duke sqaruar konceptin e kalifatit në Islam, dha përkufizimin dhe tiparet e tij. Ai nënvizoi nevojën dhe rëndësinë e kësaj udhëheqje, dhe tregoi se sipas profecisë së Profetit Muhammed s.a.s. a ekziston një sistem i tillë në botën Islame. Ai bëri një përqasje të qartë midis të ashtuquajturit kalifatit të ISIS dhe atij që ekziston prej më shumë se njëqind vjetësh në xhematin Musliman Ahmedian pas vdekjes së Mesihut të Premtuar alejhiselam. Ai u shpreh:

“Kalifi i Islamit jo vetëm që po inkurajon besimtarët për të përmirësuar gjendjen e tyre morale, shpirtërore dhe fetare, por përhap Islamin e vërtetë në të gjitha platforma të mundshme. Ai shfaqet herë duke promovuar Islamin e vërtetë, po ai i dashurisë, tolerancës dhe mëshirës si me fjalë edhe me vepra, në parlamente, kuvende dhe evenimente të posaçme, dhe herë duke iu drejtuar të gjithë liderëve dhe prijësve qofshin politikë apo fetarë që të bashkohen për të vendosur paqe, harmoni dhe tolerancë.”

Fjalimin e fundit e kësaj xhelse mbajti Imam Samad Ahmed Ghori rreth një çështje aktuale “Realiteti i xhihadit”. Duke u bazuar në Kuranin Famëlartë dhe thëniet e të Dërguarit të Allahut s.a.s., ai shpjegoi se xhihad me vetveten (mposhtja e nefsit), xhihad me anë të Kuranit (përhapja e Islamit) janë të detyrueshme për çdo musliman përtej kufirit kohor apo hapësinor, ndërsa xhihadi me shpatë, që bëhet si vetëmbrojtje kundër armikut që sulmon, lejohet vetëm në raste dhe kushte shumë specifike. Ai gjithashtu citoi prapavijën e ngjarjeve të dhunës dhe torturës ndaj muslimanëve, që detyruan Profetin Muhammed s.a.s dhe muslimanët për t’u shpërngulur nga Meka. Por, kur ata akoma u sulmuan vetëm për shkak të besimit të tyre, atëherë Zoti duke ndihmuar të shtypurit, lejoi që të ata të ngrinin armë vetëm në vetëmbrojtje. Krahas këtij lejimi të kushtëzuar, Islami në asnjë mënyrë nuk lejon përdorimin e dhunës, në çështjet fetare. Ai gjithashtu preku rritjen e ekstremizmit dhe përdorimin e akteve të dhunshme terrori në emër të xhihadit, dhe ia atribuoi përgjegjësinë e këtij çrregullimi keqinterpretimit të xhihadit i cili gjendet gjerësisht në literaturën fetare. Madje, pritja për ardhjen e një Imam Mehdiu gjakatar e luftëtar, që do t’i vrasë jomuslimanët dhe kështu do t’i sjellë fitore Islamit, ka gjithashtu kontribuar në rritjen e urrejtjes dhe dhunës fetare. Ai shpjegoi këto hadithe dhe tregoi se ardhja e Imam Medihut do t’u japë luftërave fetare. Ai gjithashtu citoi disa fragmente nga shkrimet e Mesihut të Premtuar a.s. për të qartësuar realitetin e xhihadit. Ai u shpreh:

Sot, muslimanët nuk kanë asnjë rrugë tjetër, përveçse të pranojnë thirrjen e Imamit të kohës, i cili para 120 vitesh u kishte bërë thirrje të hiqnin dorë nga xhihadi me armë. Duke dhënë i zgjidhje çështjes së këtij xhihadi, Mesihu i Premtuar a.s. në vitin 1902, tha:

“Tani është koha dhe ora kur duhet ta shporrim këtë mendim të gabuar nga zemrat e njerëzve, e jo ta lejomë që të rrënjoset akoma më shumë. Nëse dijetarët muslimanë bien në ujdi që të punojnë për ta larguar këtë mendim nga zemrat e atyre muslimanëve që vuajnë nga egërsia, do t’i bëjnë një favor shumë të madh popullit dhe jo vetëm kaq, por falë tyre do të zbulohen mirësi të shumta të Islamit para botës. Rrjedhimisht, gjithë nervozizmi që kanë kundërshtarët e Islamit për shkak të keqkuptimeve të tyre, do të largohet dhe ata do të fillojnë ta shohin Islamin me një sy të pastër dhe kështu shumë shpejt do të përfitojnë nga ky burim i dritës”.

Në fund, z. Sadakat Ahmad kryeimami i Zvicrës në fjalën e tij mbyllëse u shpreh se përballë gjithë panoramës së zymtë të botës muslimane, e vetmja shpresë vjen nga një bashkësi e vogël që quhet Xhemat Musliman Ahmedia. Anëtarët e këtij xhemati, duke pranuar Mirza Ghulam Ahmedin a.s. si Imam Mehdi dhe Mesih i Pretuar, kanë marrë përsipër ringjalljen e vlerave të vërteta të Islamit dhe përhapjen e tij anembanë botës. Ai theksoi se një ndër qëllimet e ardhjes së Imam Mehdiut është lidhja e njeriut me Zotin. Ai gjithashtu lexoi disa fragmente nga shkrimet e Mesihut të Premtuar alejhiselam, në të cilat ai përshkruan madhështinë dhe pozitën e lartë të Zotit. Ai këshilloi anëtarët për t’u integruar fort me sistemin e Kalifatit dhe për t’i dëgjuar e zbatuar porositë e tij që ai jep në fjalimet e tij të xhumave. Në fund ai rrëfeu disa ngjarje besimshtytëse që tregonin ndryshime të çiltra në jetën e anëtarëve pas pranimit të xhematit.

Kjo xhelse përfundoi me lutje solemne. Allahu ua pranoftë lutjen e Mesihun e Premtuar a.s. të gjithë pjesëmarrësve. Ai thotë:

“Unë lutem se Zoti qoftë me këdo që ndërmerr këtë udhëtim për hir të Zotit. Allahu e shpërbleftë me të mirat dhe e mëshiroftë. Allahu ua lehtësoftë mundimet dhe shqetësimet dhe ua largoftë dhimbjen dhe pikëllimin e tyre. Allahu i liroftë nga të gjitha vuajtjet dhe ua plotësoftë dëshirat. Allahu i bashkoftë ata në ditën e Kijametit me ata, të cilëve Zoti u ka bërë mirësi e mëshirë. Qoftë Allahu mbrojtësi i tyre deri në fund të këtij udhëtimi. O Allah! Je i Madhërishëm dhe dhuruesi i mirësive, i Gjithëmëshirshëm dhe zgjidhësi i problemeve, pranoji këto lutje dhe bekona fitore madhështore mbi kundërshtarët tanë me anë të shenjave të qarta. Të gjitha fuqitë të takojnë vetëm ty. Amin thume amin

(Ishtihar 7 dhj. 1892, Mexhmu`ah Ishtiharat Vëll. I, f. 342)

 

 

15554698205_8843ad3951_h

14934503833_431c36dc35_o15552010681_972601a06c_h

15368676057_90f766c916_h

14934506993_ebc98bf0a9_h

15554737895_02f55184b5_z

15554727315_726a45362b_h

 

 

Share via