Konferencë historike e feve të botës
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Konferencë historike e feve të botës

“Allahu është Zot i Gjallë, andaj bota duhet të kthehet kah Ai”, thotë Hazret Mirza Masrur Ahmedi

Udhëheqësi botëror dhe Kalifi i Pestë i Xhematit Musliman Ahmedia, Hazret Mirza Masrur Ahmedi, mbajti fjalimin kryesor në konferencën historike “Konferenca e feve botërore” të mbajtur më 11 shkurt 2014.

 CoWR-1

Konferenca u organizua në godinë e famshme të Guildhall-it të Londrës, nga Xhemati Musliman Ahmedia e Mbretërisë së Bashkuar, si pjesë e kremtimeve të njëqindvjetorit të themelimit të tij. Tema e këtij eventi të shumëpritur ishte “Zoti në shekullin e XXI”.CoWR-2

Rreth 500 delegatë morën pjesë në këtë konferencë, duke përfshirë udhëheqës fetarë nga vende të ndryshme, politikanë, zyrtarë qeveritarë, anëtarë të trupit diplomatik, akademikë dhe përfaqësues të OJQ-ve të ndryshme.

Konferenca gjithashtu ka marrë mesazhe mbështetjeje nga Shkelqësia e saj, Mbretëresha Elizabet II, Shenjtëria e tij Dalai Lama, Kryeministri britanik z. David Cameron dhe disa personalitete të tjera të shquara.

Në konferencë udhëheqësit e ndryshëm fetarë diskutuan rreth idesë se çfarë roli mund të luajë feja në botën e sotme dhe nëse ajo vazhdon të jetë një forcë për të mirë. Fjalimi kryesor u mbajt nga Hazret Mirza Masrur Ahmedi, për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve në dritën e mësimeve të vërteta të Islamit.CoWR-3

Kalifi theksoi se të gjitha fetë kryesore të botës, në zanafillën e tyre, mësuan për adhurimin e Zotit dhe për dashurinë e dhembshurinë për njerëzimin. Kalifi tha se në qoftë se këto mësime origjinale do të ishin në fuqi sot kjo do të çonte në një shoqëri harmonike, të lirë nga konfliktet dhe luftërat. Ai gjithashtu dënoi qeveritë e botës për dhënien e prioritetit ndaj shpenzimeve ushtarake dhe të sigurisë kundrejt mirëqenies sociale dhe projekteve humanitare.

Duke folur për mënyrën se si Themelues i Islamit, Profeti i shenjtë Muhammedi (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) iu përgjigj persekutimit më të tmerrshëm e të vazhdueshëm, Hazret Mirza Masrur Ahmedi tha:

“Kur Profeti i Shenjtë (paqja dhe bekimi qofshin mbi të) mbizotëroi armiqtë e përbetuar të Islamit, të cilët në të kaluarën nuk kishin lënë gur pa luajtur në përpjekjet e tyre për të shkatërruar fenë, iu përgjigj me paqe dhe falje.

CoWR-4
Hazret Mirza Masrur Ahmedi tha se nuk kishte asnjë kontradiktë mes mësimeve paqësore të Islamit dhe faktit se disa luftëra u zhvilluan gjatë viteve të hershme të Islamit. Ai tha se këto luftëra ishin luftëra mbrojtëse, të cilët muslimanët e parë i bënë jo vetëm për të mbrojtur Islamin, por edhe njerëzit e të gjitha feve.

Duke përmendur shembullin e betejës së Bedrit, ku 300 muslimanët e paarmatosur e të dobët mundën një ushtri shumë më të fortë të përbërë nga 1000 ushtarë, Hazret Mirza Masrur Ahmedi tha:

“Nga njëra anë kjo ishte një fitore për Islamin, por  ky ishte gjithashtu një triumf i përjetshëm për çdo person që dëshironte paqen që të vendoset në botë. Kjo ishte një fitore për çdo person që dëshironte vlerat njerëzore të ruheshin përgjithmonë dhe kjo ishte një fitore për të gjithë njerëzit që besonin se feja ishte një forcë për të mirë dhe për vendosjen e paqes në botë”.

Shenjtëria e tij sqaroi se çfarëdo lufte që u zhvillua gjatë kohës së Profetit të shenjtë Muhammed (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) ose katër Kalifët e tij të drejtë, ishin tërësisht mbrojtëse në natyrë dhe u zhvilluan vetëm për t’i dhënë “fund mizorisë” dhe  “për të vendosur paqen”. Megjithatë, luftërat e mëvonshme që u zhvilluan gjatë epokave të monarkëve të ndryshëm muslimanë, u bënë për të zgjeruar mbretëritë e për të fituar fuqi .

Duke komentuar mbi këtë, Hazret Mirza Masrur Ahmedi tha:

“Ato luftërat u zhvilluan për të zgjeruar mbretëritë dhe për të rritur fuqinë nuk ishin në asnjë mënyrë në përputhje me mësimet e Islamit siç mësohet nga Kurani i Shenjtë”.

Hazret Mirza Masrur Ahmedi tha se muslimanët Ahmadian pranojnë Themeluesin e Xhematit Musliman Ahmadia, Hazret Mirza Ghulam Ahmedin, të ishte Mesihu i Premtuar dhe Imam Mehdiu dhe se ai kishte ardhur për t’i dhënë fund të gjitha luftërat fetare, për të sjellë njerëzimin në drejtim të Krijuesit të tij dhe për të tërheqë vëmendjen e botës për respektimin e të drejtave të njëri-tjetrit.

Hazret Mirza Masrur Ahmadi bëri thirrje për njerëzit e të gjitha feve të punojnë së bashku drejt krijimit të një shoqërie të drejtë të bazuar në respektin e ndërsjellë dhe tolerancën.

Hazret Mirza Masrur Ahmedi tha:

“Unë shpresoj dhe lutem që ne, që jemi përfaqësues të besimeve dhe feve të ndryshme, që jemi mbledhur sot këtu për të treguar praktikisht këto mësime të dashura, të gjithë së bashku të përpiqemi për ta adhuruar Zotin e Vetëm dhe për të trajtuar krijesat e Tij me drejtësi, duke përmbushur të drejtat e tyre që kemi ndaj tyre.

Sigurisht këto janë mësimet origjinale të të gjitha feve. Ne duhet të shfrytëzojmë të gjitha burimet dhe aftësitë tona për të ndërtuar një shoqëri më të mirë, për të ndihmuar robërit e Zotit dhe për të përhapur dashuri, dhembshuri dhe paqe në çdo nivel. Nevoja urgjente dhe kritike e botës sot është vendosja e paqes dhe besimit në Zot”.

CoWR-5
Kalifi u bëri thirrje udhëheqësve të të gjitha kombeve që t’i japin prioritet mirëqenies sociale më shumë se militarizimit të panevojshëm.

Hazret Mirza Masrur Ahmedi tha:

“Nevoja urgjente dhe kritike e botës sot është vendosja e paqes dhe besimit në Zot. Nëse bota e kupton këtë realitet, atëherë të gjitha vendet, qofshin të mëdha apo të vogla, nuk do të bëjnë shpenzime në emër të mbrojtjes, prej miliona e miliarda dollarësh për të zgjeruar kapacitetet e tyre ushtarake. Përkundrazi, ata do të shpenzojnë këtë pasuri për të ushqyer të uriturit, për të siguruar arsim universal dhe për të përmirësuar standardet e jetesës së botës në zhvillim”.

Kalifi përfundoi duke përsëritur faktin që Allahu është Një Zot i Gjallë që vazhdon të dëgjojë lutjet e njerëzimit.
CoWR-6
Hazret Mirza Masrur Ahmedi tha:

“Për të mbrojtur veten dhe për të shpëtuar njerëzimin ne duhet të kthehemi drejt Zotit të Plotfuqishëm dhe ne kemi nevojë për ta bashkëngjitur veten me atë Zot të Gjallë, I cili nuk e braktisi Profetin Musa dhe popullin e tij, as nuk e braktisi Profetin Isa dhe dishepujt e tij e as muslimanët e vërtetë nuk u mbetën të privuar nga arritja e bekimeve të Tij dhe nga pranimi i lutjeve që ata i janë drejtuar me sinqeritet”.

Më herët në mbrëmje, një varg liderësh fetarë dhe personalitete dolën në skenë për të nxjerrë në pah besimet e tyre përkatëse. Të gjithë folësit gjithashtu shfrytëzuan rastin për të shprehur mirënjohjen e tyre për Xhematin Musliman Ahmadia për organizimin e një evenimenti të tillë që promovon dialogun ndër-fetar.

Rabi Xheki Tabik (Rabbi Jackie Tabick), Bashkëpresident i Kongresit Botëror të Besimeve, tha:

“Ne duhet të jemi mbështetës të njëri-tjetrit në jetën tonë shpirtërore dhe të vërtetë në besimet tona, duke kuptuar dhe vlerësuar përbashkësinë mes nesh”.

CoWR-7
Umesh Sharma, Kryetar i Këshillit Hindu në Britaninë e Madhe, citoi tekstet e shenjta hindu duke theksuar mësimet paqësore të Profetit Krishna. Ai gjithashtu tha se Hazret Mirza Masrur Ahmedi “udhëheq me shembullin personal” në përpjekjet e tij për të zhvilluar paqen në botë .

Rt Hon. Dominic Grieve QC deputet, Prokuror i Përgjithshëm, tha:

“E drejta e ndërgjegjes individuale është baza e çdo gjëje dhe kështu është e rëndësishme që njerëzit të jenë të lirë të praktikojnë besimet e tyre pa detyrim të asnjë lloji. Unë do të doja të falënderoj Shenjtërinë tuaj (Hazret Mirza Masrur Ahmedin) dhe Xhematin Musliman Ahmedia për kontributin e tij të habitshëm në Mbretërinë e Bashkuar”.

Geshe Tashi Tsering, lexoi një mesazh të dhënë nga Shenjtëria e tij Dalai Lama, i cila tha:

“Virtytet e dashurisë dhe altruizmit janë bazë e të gjitha feve dhe kështu respekti për të gjitha fetë është thelbësore. Të gjitha fetë janë një mjet për paqen e brendshme. Unë jap mbështetjen time të plotë dhe të përzemërt për Konferencën Botërore të feve”.

Prof Kwaku Danso – Boafo, Komisioneri i Lartë i Ganës, lexoi mesazhin e Presidentit të Ganës, i cila tha:

“Kjo konferencë do të jetë një mjet ndihmës për të sjellë paqe në botë”.

Sheikh Moafak Tarifi, Kreu shpirtëror i Komunitetit Druzë të Izraelit tha:

“Të gjitha fetë e mëdha pajtohen për Unitetin e Zotit… le të bashkohemi të gjithë kundër dhunës”.

Dr Katrina Lantos – Swett, Zëvendëskryetare e Komisionit të Shteteve të Bashkuara për lirinë fetare, tha:

“Unë gjithmonë jam e ngazëllyer dhe e prekur nga shpirti i muslimanëve ahmadianë. Xhemati Musliman Ahmedia është dëshmi e gjallë se feja mund të jetë një mjet i paqes”.

Dr. Lantos Swett gjithashtu pranoi rolin e të ndjerit zotit Sir Çod’hri Zafrullah Khanit (Sir Chaudhry Zafrullah Khan) në negocimin e Deklaratës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut dhe për faktin se ai e nënshkroi atë në emër të shtetit të Pakistanit.
CoWR-8
Baronesha Berridge, Kryetare e Grupit Parlamentar të Britanisë së Madhe për lirinë të rangut ndërkombëtar, përshkroi punën e grupit parlamentar dhe tha se objektivi i tij ishte të  “ngrehë ndërgjegjen e qeverive” drejt vendosjes së lirisë fetare.

Kryepeshkopi Kevin McDonald, përfaqësues i Kishës Katolike Romake, foli për Ditën Botërore të Lutjes për Paqe, të organizuar nga i ndjeri Papa Gjon Pali II në vitin 1986 dhe tha: “Konferenca e sotme është një tjetër moment i bashkimit të njerëzve të feve të ndryshme për paqe e drejtësi”. Kryepeshkopi gjithashtu lexoi një mesazh mbështetjeje nga kardinali Peter Turkson, Presidenti i Këshillit Papnor për Paqe dhe Drejtësi (President of the Pontifical Council for Peace and Justice).

Rt Hon Baronesha Uarsi (Warsi), Ministre e Lartë e Shtetit në Ministrinë e Jashtme, tha:

“Kjo është dëshmi e hapjes, e pragmatizmit dhe përulësisë së Xhematit Musliman Ahmedia që mbajtën një eveniment global, ku festuan të gjitha besimet”.

CoWR-9
Rabi profesor Daniel Sperber, përfaqësues i Shefit Rabi të Izraelit adresoi Hazret Mirza Masrur Ahmedin si “Kalifi i Islamit” dhe tha:

“Njerëzit në botë nuk janë shefa të saj, por shërbëtorët e saj. Le të kthehemi drejt nocionit të thjeshtë të besimit e shenjtërisë së Zotit”.

Konferenca e feve të botës përfundoi me një lutje të heshtur të udhëhequr nga Hazret Mirza Masrur Ahmedi. Më parë në mbrëmje, Kalifi ka mbajtur një sërë takimesh me personalitete dhe delegacione nga vende të ndryshme dhe ai gjithashtu udhëhoqi namazet e akshamit e të jacisë në godinë Guildhall.

(Më poshtë mund të ndiqet video e plotë e Konferencës së feve të botës)

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp