Prof. dr. Hafiz Saleh Muhammed Alladin (3 mars 1931 – 20 mars 2011) ishte një astronom indian, mysliman, anëtar i devotshëm i Xhematit Musliman Ahmedia, hafiz i Kuranit të Shenjtë. Në vitin 1963, Alladini mori gradën doktor i shkencave nga Universiteti i Çikagos. Ai renditej ndër 100 astronomët më të njohur në botë dhe shërbeu si këshilltar për arsimin i ish-Presidentit të Indisë, A. P. J. Abdul Kalam.
Ai shkroi shumë libra, qindra artikuj dhe botoi më shumë se 50 punime shkencore. Më pas u bë profesor në Universitetin Osmania në Hajderabad, ku shërbeu si drejtor i Qendrës së Studimeve të Avancuara në Astronomi.
Alladini ishte anëtar i shquar i shumë shoqatave shkencore, ndër të cilat Unioni Ndërkombëtar Astronomik, Shoqata Astronomike e Indisë, Shoqata e Shkencës së Plazmës e Indisë, Shoqata Indiane për Relativitetin e Përgjithshëm dhe Gravitetin, si dhe Shoqata Indiane e Mësuesve të Fizikës.