Zoti i Gjithëfuqishëm
Përkthim i hytbes së xhumasë, mbajtur nga Hazret Mirza Masrur Ahmedi atba, kryetari botëror i Xhematit Musliman Ahmedia
më 18.04.2014 në xhaminë Bejtul Futuh, Morden, Angli.
أشهد أن لا إله إلا الله وحده لا شريك لـه، وأشهد أن محمّدًا عبده ورسوله. أما بعد فأعوذ بالله من الشيطان الرّجيم.
]بسْمِ الله الرَّحْمَن الرَّحيم* الْحَمْدُ لله رَبِّ الْعَالَمينَ * الرَّحْمَن الرَّحيم * مَالك يَوْم الدِّين * إيَّاكَ نَعْبُدُ وَإيَّاكَ نَسْتَعينُ * اهْدنَا الصِّرَاطَ الْمُسْتَقيمَ * صِرَاط الَّذِينَ أَنْعَمْتَ عَلَيْهِمْ غَيْر الْمَغْضُوب عَلَيْهمْ وَلا الضَّالِّينَ[، آمين.
Sot do t’ju parashtroj disa fragmente nga shkrimet e Mesihut të Premtuar alejhiselam, në të cilat ai hedh dritë mbi qenien e Allahut të Madhërishëm duke shkoqitur realitetin dhe esencën e Zotit dhe ç’rëndësi mban ekzistenca e Tij? Ai zotëron të gjitha fuqitë dhe është i Pashoq e askush nuk i ngjan Atij. Ai është Krijues i të gjithëve. Gjithçkaje i vjen fundi, ndërsa Ai është i Përjetshëm. Pra, Mesihu i Premtuar alejhiselam shkruan:
“Mjeti, nëpërmjet të cilit njeriu mund të arrijë Zotin e gjithësisë, tashmë është vetëm qenia e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. Vetëm me ndërmjetësinë e tij, robi mund ta zbulojë atë Zot, i cili është i Pashembullt si në hijeshi po edhe në mirësi. Për t’i dëshmuar shfaqjen e fuqive të Tij, nevojitet që t’i nënshtrohemi përulësisht e ta adhurojmë vetëm Atë. Kur njeriu i përgjigjet këtij kushti, atëherë Zoti i afrohet duke vrapuar dhe e përqafon me përkëdhelje, dhe e bekon me mirësitë ashtu siç bie shi.
Pra Mesihu i Premtuar alejhiselam këshillon me një mallëngjim të thellë se lidhuni me Zotin tuaj për të mbarësuar dynjanë e ahiretin tuaj. Çfarë nënkupton qenia e Allahut të Madhërishëm, Zoti i gjithësisë, paraqitur nga Islami. Mesihu i Premtuar alejhiselam thekson:
“Zoti është drita e qiejve dhe e Tokës, domethënë çdo shkëlqim që shihet në lartësi e në ultësi, qoftë në shpirtra apo në trupa, qoftë personale apo e dhuruar, qoftë e hapur apo e fshehur, qoftë mendore apo fizike,…
Domethënë çdolloj drite buron nga Allahu i Madhërishëm. Është drita e Tij që rrezaton në sende, apo nëpërmjet atributeve individuale. Zoti ka brumosur qeniet njerëzore me cilësi dhe atribute të ndryshme, që shfaqen tek ata. Këto mund të jenë të dukshme apo të fshehura, mund të jenë mendore apo të jashtme që shfaqen jashtë personalitetit të tij. Po kështu edhe sendet kanë veçantitë e tyre dhe të gjitha këto kanë zanafillë në Zotin e Lartësuar.
(e gjithë kjo) … është dhunti që buron prej bekimit të Tij. Kjo tregon se bekimi i përgjithshëm i Zotit të botëve përfshin çdo gjë dhe se asnjë gjë nuk është jashtë tij.
Huzuri shpjegon se të gjitha sendet që gjenden në këtë dynja dhe veçoritë e tyre, të gjitha bukuritë dhe hijeshitë që ngjallin kënaqësi te njeriu dhe i falin ëndje, burojnë nga mëshira e gjithanshme e Zotit, dhe asgjë nuk privohet prej saj. Ai vijon duke shkruar:
“Ai është burimi i të gjitha bekimeve; shkaku i të gjitha shkaqeve të shkëlqesisë; fillimi i të gjitha mëshirave;”
Domethënë të gjitha mirësitë e bekimet kanë prejardhje në qenien e Zotit. Ai është arsyeja e të gjitha dritave dhe ama e lumit të mëshirës.
Qenia e Tij është mbajtësi i të gjithë gjithësisë; qëndrueshmëria e çdo ulje-ngritjeje;
Domethënë të gjitha ndryshimet apo zhvillimet që shfaqen kohë pas kohe si nevoja e mbarëvajtjes dhe vazhdimit të Tokës kthehen prapë te Ai.
“… është Ai që nxori çdo gjë nga errësira e hiçit duke i dhënë petkun e ekzistencës; përveç Atij asnjë qenie tjetër nuk është e përhershme dhe e qëndrueshme, ose që nuk përfitohet nga Ai. Madje Toka dhe qiejt, njerëzit dhe kafshët, gurët dhe bimët, shpirtrat dhe trupat, të gjithë qëndrojnë vetëm përmes bekimit të Tij.”
Huzuri shton se kjo Toka jonë, qiejt, njeriu, bota shtazore, gurët, pemët, shpirtrat dhe trupat madje çdo gjë që ekziston, i lypsen Zotit për ekzistencën e tyre.
Duke vijuar sqarimin e konceptit të njëjësisë së Allahut, Mesihu i Premtuar alejhiselam shtjellon:
“Sipas këndvështrimit të arsyes, bashkimi ndahet në katër kategori. Nganjëherë bashkimi realizohet në sasi, herë në gradë, herë në veprim dhe herë në ndikim. Andaj Zoti në këtë sure thekson se qenia e Tij është e pastër nga këto katër lloj ortakërie. Ai qartëson se nga ana sasiore, Ai është Një e i Vetëm. Ai është es-Samed d.m.th. për sa i përket shkallës së madhështisë së Tij dhe varësisë prej të tjerëve, Ai është i Vetëm dhe i Pashoq, ndërsa përveç Tij të gjithë janë të varur nga të tjerët dhe janë të vdekshëm në vetvete. Ata për çdo çast varen prej Zotit. Lem Jelid, Ai nuk ka asnjë djalë, sepse duke pasur bir, bie që të ketë partner. Ai është lem juled d.m.th. Ai as nuk është lindur prej dikujt, sepse duke pasur baba, lind mundësia e një ortaku të Zotit. Ai është لم یکن لہ کفوًا d.m.th. askush nuk është i barabartë me Të në veprat e tij, pra që të konsiderohet si shok në veprim. Prandaj, në këtë mënyrë kjo sure shpërfaq qartësisht se Zoti i Madhërishëm është i Pastër dhe i Dëlirë nga këto katër lloj partneriteti, dhe është i vetëm, unik dhe i pakundshoq.
Pra, Huzuri shpjegon sërish këtë fragment duke thënë se ngjashmëria në këndvështrimin e arsyes ndahet në katër lloj. Pra ajo mund të realizohet në numër, pra dikush bëhet i ngjashëm, kur i përshtatet atij në numër. Së dyti në nivel e madhështi. Së treti në farefis apo në lidhje gjaku dhe së katërti në aftësinë e fuqinë për të realizuar diçka dhe për të ushtruar ndikimin. Allahu është i pastër dhe i shenjtë nga këto katër llojet e shirkut. Allahu qartëson në këtë sure se Ai është Një dhe i Vetëm në sasi. Nuk ka askush si Ai që t’i ngjajë. Ai është es-Samed, domethënë çdolloj krijesë i përgjërohet vetëm Atij. Për çfarëdo lloj kërkese apo nevoje, të gjithë i drejtohen vetëm Atij. Asnjë qenie nuk i barazohet Atij në plotësimin e nevojave. Mund të jenë shumë arsye përse askush nuk krahasohet me të në furnizimin e kërkesave, por këtu jepet vetëm një argument. Ndonëse përveç Zotit, ekzistojnë mjaft gjëra, por Ai mbetet përjetësisht një e i Vetëm. Të gjithëve do t’u vijë fundi përpos Zotit. Pra çdo gjë ka një fillim e një fund, ndërsa qenia e Zotit është jashtë kohës dhe pa fillim e pafund. Pra, duke qenë e krijuar, e gjithë krijesa është e përkohshme dhe e destinuar për një fund a vdekje. Një qenie e përkohshme që rron vetëm për një kohë të shkurtër, kurrë nuk mund të jetë e aftë për të krijuar mjetet sipas nevojave të tij. Pra, një krijesë e tillë që nuk është e vetëmjaftueshme, gjithmonë i përgjërohet Zotit, i cili ka shpallur se do të kujdeset për ekzistencën e krijesës së Tij. Vetëm Atij duhet t’i mbështetemi dhe prej Tij duhet të kërkojmë ndihmë. Ky është kuptimi i es-Samedit.
Për sa i përket prejardhjes apo pasardhësit, Allahu thekson se لم یلد d.m.th. Ai nuk ka lindur askënd ولم یولد e as nuk është lindur prej dikujt. Pra Zoti është përtej lidhjeve farefisnore, andaj askush nuk i barazohet Atij. Pastaj duke parashtruar kriterin e katërt, thotë se لم یکن لہ کفواً احد d.m.th. askush nuk i ngjan Atij në veprat e tij. Pra, derisa nuk ekziston askush që të barazohet me të, atëherë kush vallë mund të bëjë vepra si Zoti, e as të shkaktojë ato rezultate apo ndikime. Njeriu materialist duke parë rezultatin e përpjekjeve të tij, shprehet me krenari se ja kam bërë këtë apo atë. Në fakt, njeriu nuk është i aftë as për të sjellë rezultatin e përpjekjeve, madje ai gjen frytin e punës sipas ligjit të natyrës. Ai është edhe Zoti, edhe i Mëshirshmi, dhe njeriu përfiton prej mirësive e mëshirave të Tij. Sa i fatkeq është njeriu, i cili në vend që t’i afrohet dhe t’i nënshtrohet Zotit nëpërmjet këtyre mirësive, në përgjithësi sa vjen i largohet Zotit.
Mesihu i Premtuar alejhiselam ka gjithashtu shpjeguar këtë sure në aspektin e njëjësisë së Zotit dhe të atributit të Plotfuqishmit, në ligjëratën e Lahorit. Ai shkruan:
“Zoti ynë përshkruan atributet e Tij në Kuranin Famëlartë:
قُلْ هُوَ اللَّـهُ أَحَدٌ ﴿﴾ اللَّـهُ الصَّمَدُ ﴿﴾ لَمْ يَلِدْ وَلَمْ يُولَدْ ﴿﴾ وَلَمْ يَكُن لَّهُ كُفُوًا أَحَدٌ ﴿﴾
Zoti juaj është Ai që është unik dhe i vetëm si në qenie ashtu edhe në atributet e Tij. Asnjë qenie nuk është e përjetshme dhe amshueshme si Ai e askush nuk i ngjan Atij në këto atribute. Njohuria e njeriut i lypset një mësuesi e aq më tepër ajo është e kufizuar. Ndërsa njohurisë së Zotit nuk i nevojitet asgjë dhe njëkohësisht ajo është e pashtershme dhe e gjithëpërfshirëse. Dëgjimi i njeriut varet nga ajri dhe kështu është i kushtëzuar, ndërsa dëgjimi i Zotit është i mëvetësishëm dhe i pavarur. Shikimi i njeriut i lypset dritës së diellit apo të ndonjë burimi tjetër dhe kështu është i kushtëzuar, ndërsa shikimi i Zotit realizohet ndërmjet dritës së tij të qenësishme dhe është i pakushtëzuar. Po kështu edhe aftësia e njeriut për të krijuar apo prodhuar diçka i nevojitet materies dhe kohës, dhe prapëseprapë mbetet e kushtëzuar. Ndërsa fuqia e krijimit të Zotit nuk varet as nga materia e as nga koha dhe është plotësisht e pavarur, sepse të gjitha atributet e Tij janë të pashoqe dhe të pakrahasueshme. Pra, ashtu siç është Ai është i rrallë dhe i pashoq në qenien e Tij, po ashtu janë të pakrahasueshme edhe atributet e Tij. Po të ishte i mangët Ai qoftë edhe në një atribut, atëherë do të rezultojë i tillë në të gjitha cilësitë e Tij. Pra, nuk qëndron njëjësia e Tij, nëse Ai si në qenie, ashtu edhe në të gjitha atributet e Tij nuk është i Pashoq dhe i Vetëm. Pastaj kuptimi i ajeteve pasardhëse vijon kështu se Atë nuk ka lindur askush, e as Ai nuk ka lindur dikë. Ai është Absolut e i Pavarur dhe nuk i përgjërohet askujt. Atij nuk i nevojitet as baba e as fëmijë. Ky është teuhidi (pra njëshmëria) e Allahut që parashtron Kurani Famëlartë, dhe mbi të cilin ngrihet besimi.
Pastaj duke paraqitur një argument të logjikshëm rreth njëshmërisë së Zotit, Mesihu i Premtuar alejhiselam sjell prova nga konceptet e Kuranit. Ai shkruan:
“Allahu parashtron një argument të arsyeshëm thotë:
لَوْ كَانَ فِيهِمَا آلِهَةٌ إِلَّا اللَّـهُ لَفَسَدَتَا [el-Enbija 21:23] e pastaj thotë
مَا اتَّخَذَ اللَّـهُ مِن وَلَدٍ وَمَا كَانَ مَعَهُ مِنْ إِلَـٰهٍ ۚ [el-Muminun 23:92]
d.m.th. po të ekzistonte në qiej e në Tokë ndonjë zot tjetër përveç këtij Zoti të Gjithëpushtetshëm dhe Posedues të të gjitha atributeve të përsosura, atëherë sigurisht do të sundonte anarkia dhe pështjellimi në to. Sepse këta zota ose do të intrigonin kundër njëri-tjetrit, dhe kjo përçarje e kundërshtim do të shtinin trazira e çrregullim në botë, ose po të ishin të ndarë atëherë sërish secili prej tyre do të punonte vetëm për t’i sjellë dobi krijesës së vet, dhe për mirëqenien e tyre nuk do të ngurronte as nga shpartallimi i krijesës tjetër.
Pra, kështu që nuk lind as mundësia për të qenë më shumë se një Zot. Pastaj duke shkoqitur atributet e Zotit të përmendura në Kuranin Famëlartë, ai shprehet:
Zoti, drejt të cilit na thërret Kurani zotëron këto atribute:
هُوَ اللَّـهُ الَّذِي لَا إِلَـٰهَ إِلَّا هُوَ ۖ عَالِمُ الْغَيْبِ وَالشَّهَادَةِ ۖ هُوَ الرَّحْمَـٰنُ الرَّحِيمُ ﴿﴾ هُوَ اللَّـهُ الَّذِي لَا إِلَـٰهَ إِلَّا هُوَ الْمَلِكُ الْقُدُّوسُ السَّلَامُ الْمُؤْمِنُ الْمُهَيْمِنُ الْعَزِيزُ الْجَبَّارُ الْمُتَكَبِّرُ ۚ ﴿﴾ هُوَ اللَّـهُ الْخَالِقُ الْبَارِئُ الْمُصَوِّرُ ۖ لَهُ الْأَسْمَاءُ الْحُسْنَىٰ ۚ يُسَبِّحُ لَهُ مَا فِي السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضِ ۖ وَهُوَ الْعَزِيزُ الْحَكِيمُ ﴿﴾عَلَىٰ كُلِّ شَيْءٍ قَدِيرٌ. رَبِّ الْعَالَمِينَ ﴿﴾ الرَّحْمَـٰنِ الرَّحِيمِ ﴿﴾مَالِكِ يَوْمِ الدِّينِ ﴿﴾ أُجِيبُ دَعْوَةَ الدَّاعِ إِذَا دَعَانِ الْحَيُّ الْقَيُّومُ . قُلْ هُوَ اللَّـهُ أَحَدٌ ﴿﴾ اللَّـهُ الصَّمَدُ ﴿﴾ لَمْ يَلِدْ وَلَمْ يُولَدْ ﴿﴾ وَلَمْ يَكُن لَّهُ كُفُوًا أَحَدٌ ﴿﴾
Domethënë Ai është Allahu, Një dhe i Vetëm. Askush nuk i ngjan Atij e përveç Zotit askush nuk ka të drejtë të adhurohet. Po të mos ishte i Pashoq dhe i Vetëm, atëherë druhet se mos mposhtej nga kundërshtarët. Kjo situatë sigurisht përbënte një rrezik të madh. Kur Ai thotë se askush nuk është i denjë për t’u adhuruar përveç Zotit, atëherë kjo nënkupton se Ai është aq i përsosur, e atributet, cilësitë dhe veçoritë e Tij janë aq të larta dhe të përsosura, saqë nëse të gjitha qeniet e gjalla do të mblidheshin për të zgjedhur një Zot nëpërmjet atributeve më të përsosura, apo cilësive më të larta e më të arrira që mund të imagjinojë mendja njerëzore, atëherë askush nuk do t’i ngjan Atij në madhështi. Ai është po Ai Zot, që vetëm ngjashmëria apo barazia e Tij me dikë qoftë për diçka fare të parëndësishme, është një padrejtësi e rëndë. Pastaj thotë se Ai është njohësi i së padukshmes, domethënë veten e Tij e njeh vetë Ai dhe kurrkush s’mund të përshkruajë qenien e Tij. Ne mund të vështrojmë krejtësisht të gjitha anët e diellit, hënës dhe të kujtdo krijese, por nuk mundemi të shohim Zotin. Pastaj thuhet se Ai është njohësi i së dukshmes, d.m.th. asgjë nuk mund t’i shpëtojë vështrimit të Tij. Nuk mundet se Ai të shpall veten si Zot, ndërsa të jetë i shkujdesur nga gjendja e krijesës. Ai i vëzhgon me imtësi qoftë edhe grimcat më të imëta të gjithësisë. Është vetëm në dijeninë e Tij se kur do ta shkatërrojë këtë sistem dhe do të shkaktojë kiametin. Askush përveç Tij nuk ka haber se kur do të ndodhë kjo? Është Ai Zot, i cili i di mirë këto forca. Pastaj thotë se هُوَ الرَّحْمَـٰنُ d.m.th. ai i ka furnizuar të gjitha krijesat e gjalla me mjete të rehatisë dhe të mirëqenies para se ato të vinin të jetë apo të vepronin, vetëm nëpërmjet mëshirës së Tij, dhe jo nga ndonjë interes tjetër e as si shpërblimi i veprave. Pra, kështu Zoti krijoi diellin, Tokën dhe gjërat e tjera, para ekzistencës sonë. Kjo mirësi sipas librit të Zotit quhet mëshirë, dhe falë kësaj mirësie Zoti i Madhërishëm quhet i Gjithëmëshirshëm. Pastaj Ai thotë se është Er-Rrahim, domethënë Ai shpërblen vepra të mira dhe nuk lejon se përpjekja e sinqertë e dikujt të shkojë kot, dhe për këtë arsye Ai quhet err-Rrahim ndërsa ky atribut përkufizohet si Rahimijeh. Pastaj thotë se është Sundues i ditë së Gjykimit, pra Ai kujdeset për fatin e çdo secilit. Nuk ekziston askush, të cilit t’i ketë dorëzuar Ai sundimin e qiejve dhe të Tokës, dhe vet të rrijë mënjanë pa bërë asgjë, ndërsa rezultatet, shpërblimet apo ndëshkimet të lëshohen nga përfaqësuesi i Tij. Pastaj thotë se është el-Melikul Kuddus, pra është i Gjithëpushtetshëm dhe i shenjtë nga çdolloj mangësie. Sigurisht monarkia njerëzore pleksur me mangësitë e shumta. Nëse populli merr rrugën e mërgimit dhe shpërngulet nga vatrat e tyre për një vend tjetër, atëherë monarkia pushon së ekzistuari dhe përmbyset. E kështu thatësira e prek vendin atëherë si do të mblidhen taksat. Po nëse populli e pyet se çfarë e dallon nga të tjerët dhe çfarë ka më shumë se ata, atëherë a vallë mund të provojë ai aftësinë e tij? Pra, sundimi i Zotit nuk është i tillë. Ai mund të përdhosë gjithë vendin sa hap e mbyll sytë, dhe mund të krijojë një popull tjetër. Po të mos ishte Ai Krijues dhe i Plotfuqishëm, do të sundonte vetëm me mizori dhe zullume. Sepse duke falur e duke shpëtuar botën njëherë, Ai s’mund të krijonte botën tjetër. A vallë për të dërguar robër të devotshëm sërish në këtë botë, do t’i ndëshkonte ata dhe do t’u mohonte faljen e shpëtimin? Atëherë kjo sigurisht do të njolloste madhështinë e Tij. Po kështu, nëse Ai do të ishte një Sundues i pamëshirshëm e zullumqar, sikundër sunduesit tokësorë të cilët hartojnë ligje për vendin e tyre, inatosen dhe indinjohen për çështjet fare të parëndësishme, dhe për t’i arritur interesat e tyre, kur shohin se nuk kanë qare ushtruar dhunë e mizori, atëherë i konsiderojnë plotësisht legjitime. Sipas ligjit të shtetit, për të shpëtuar një anije, nuk ka asnjë zarar, nëse rrezikohet një varkë me njerëzit brenda. Por, Zoti nuk ka këto pengesa. Nëse Ai nuk do të ishte i Plotfuqishëm dhe i Gjithëpushtetshëm dhe Krijues i gjithësisë në përjetësi, atëherë Ai sikur mbretërit e dobët, në vend që të shfaqte fuqitë e Tij, ose ushtronte dhunë e bënte mizori ndaj popullit, ose duke përqafuar drejtësinë, do t’i thoshte lamtumirë qenies së Zotit. Në të vërtetë, anija e Zotit lundron plotësisht e sigurt mbi ujërat e drejtësisë. Pastaj Zoti e përshkruan veten si السلام, pra i Pastër e i Shenjtë nga të gjitha të metat, mangësitë, dobësitë e shtrëngimet, madje Ai është paqedhënës dhe fal paqe e siguri. Ky kuptim është mjaft i qartë, sepse po të sprovohej vetë Ai, dhe kryqëzohej e vritej nga njerëzit, e dështon në planet e veta, atëherë duke parë një shfaqje aq të zymtë, si mund të qetësoheshin shpirtrat dhe besonin se një Zot i tillë do t’i shpëtonte edhe ata. Allahu i Lartësuar në lidhje me zota të rremë, deklaron:
إِنَّ الَّذِينَ تَدْعُونَ مِن دُونِ اللَّـهِ لَن يَخْلُقُوا ذُبَابًا وَلَوِ اجْتَمَعُوا لَهُ ۖ وَإِن يَسْلُبْهُمُ الذُّبَابُ شَيْئًا لَّا يَسْتَنقِذُوهُ مِنْهُ ۚ ضَعُفَ الطَّالِبُ وَالْمَطْلُوبُ ﴿﴾ مَا قَدَرُوا اللَّـهَ حَقَّ قَدْرِهِ ۗ إِنَّ اللَّـهَ لَقَوِيٌّ عَزِيزٌ ﴿﴾
Ata, të cilët i merrni për Zot në vend të Allahut, janë të tillë që edhe nëse bashkohen për të krijuar qoftë edhe një mizë, ata kurrsesi s’mund ta arrijnë këtë. Madje, nëse miza u merr atyre diçka, ata nuk kanë fuqi për ta marrë atë. Adhuruesit e këtyre zotave janë mendjelehtë, ndërsa të adhuruarit janë të pafuqishëm. Si vallë ekzistuaka një Zot i tillë? Zoti është Ai Plotfuqishmi, fuqitë e të cilit mposhtin e eklipsojnë çdokënd, dhe Ai mbizotëron mbi të gjithë. Askush nuk ka aftësi për ta kapur apo për ta ndëshkuar atë. Ata që bien në lajthitje të tilla, nuk e vlerësojnë as nuk njohin madhështinë e Zotit dhe nuk dinë se si duhet të jetë Zoti? Zoti është paqedhënësi dhe parashtron dëshmi dhe argumente për atributet dhe monoteizmit të Tij. Kjo tregon se njeriu që beson në Zotin e Vërtetë, kurrë nuk turpërohet në asnjë kuvend e as para Zotit, sepse mbështetet nga argumentet e pathyeshme. Ndërsa, njeriu që ndjek një Zot të rremë, gjen veten të ngërthyer në një koklavitje të madhe. Ai në vend që të shpërfaqë argumentet, e mban të fshehur çdo gjë absurde, sepse ka frikë të mos vihet në shënjestër të talljes, andaj tenton të mbulojë gabimet botërisht të njohura.
Pastaj thotë se Ai është الْمُهَيْمِنُ الْعَزِيزُ الْجَبَّارُ الْمُتَكَبِّرُ
d.m.th. Zoti është Ai i cili ka krijuar jo vetëm trupat por edhe shpirtrat. Ai i jep fëmijës tiparet dalluese, kur ai është akoma në mitrën e nënës. Të gjithë emrat e bukur i takojnë vetëm Atij.
Pastaj Ai thotë se ۚ يُسَبِّحُ لَهُ مَا فِي السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضِۖ وَهُوَ الْعَزِيزُ الْحَكِيمُ
Jo vetëm banorët e qiellit, por edhe banorët e tokës përmendin emrin e Tij me dëlirësi e sinqeritet. Ky ajet hedh dritë se ekzistuaka jetë edhe në planetë të tjerë të universit dhe ata gjithashtu u nënshtrohen porosive të Zotit. Pastaj thotë se عَلَىٰ كُلِّ شَيْءٍ قَدِيرٌ. Zoti është i Plotfuqishëm dhe kjo deklaratë u shërben besimtarëve e adhuruesve, sepse po të ishte i Pafuqishëm dhe i dobët, atëherë çfarë pritshmërie do të kishin ata prej Tij.
Pastaj thotë رَبِّ الْعَالَمِينَ ﴿﴾ الرَّحْمَـٰنِ الرَّحِيمِ ﴿﴾مَالِكِ يَوْمِ الدِّينِ ﴿﴾ أُجِيبُ دَعْوَةَ الدَّاعِ إِذَا دَعَانِ الْحَيُّ الْقَيُّومُ
d.m.th. Zoti i furnizon dhe plotëson nevojat e zhvillimit të të gjitha botëve. Është err-Rrahman e err-Rrahim dhe Sundues i Ditës së Gjykimit. Këto fuqi Ai nuk i ka dhënë askujt tjetër. Ai e dëgjon thirrjen e çdo thirrësit, dhe u përgjigjet lutjeve të tij. Zoti është الْحَيُّ الْقَيُّومُ d.m.th. është i Përjetshëm, esenca e çdo shpirti dhe mbështetja e çdo qenie. Po të mos ishte i përjetshëm dhe i Amshueshëm, atëherë do të lindnin dyshime se mos vallë pushonte së ekzistuari para nesh. Ai është Një dhe i Vetëm. Ai nuk ka lindur askënd e as nuk është lindur prej dikujt. Askush nuk i barazohet Atij e as nuk i krahasohet.
Pastaj Mesihu i Premtuar alejhiselam shkruan:
Qëllimi kryesor i të gjitha porosive të Kuranit është që të shpie njeriun te esenca që mban fjala Islam. Për këtë arsye Kurani Famëlartë është mbushur me udhëzime që synojnë të hijeshojnë qenien e Zotit. Nëse në një anë ato shpërfaqin bukurinë dhe hijeshinë e Tij, në anën tjetër na sjellin ndër mend mirësitë dhe favoret e Tij. Dashuria lëshon rrënjë në zemër ose përmes bukurisë ose nëpërmjet mirësisë. Prandaj shkruhet se Zoti është Një dhe i Pashoq në të gjitha atributet dhe cilësitë e Tij, dhe nuk gjendet asnjë mangësi në të. Në të mishërohen të gjitha cilësitë e përkryera në mënyrë më të përsosur, dhe tek Ai rrezatohen të gjitha fuqitë e çiltra. Ai është pikënisja dhe shkaku i ekzistencës së të gjitha krijesave, dhe burimi i çdolloj mirësie. Është Sundues i Ditës së Gjykimit dhe të gjitha çështjet kthehen tek Ai. Ai është shumë i Afër edhe pse gjendet larg, dhe është i larg edhe pse ndodhet shumë pranë. Ai është më i Larti, por s’mund të themi se ekzistuaka dikush poshtë Tij. Ai është më i fshehuri, por s’mund të pohojmë se vallë ekzistuaka diçka më e dukshme dhe më e qartë se Ai. Ai është i Gjallë dhe çdo gjë gjallërohet dhe mbijeton falë Tij. Ai mban gjithçka por askush nuk e mban dot. Nuk ekziston asgjë, që të jetë krijuar vetvetishëm pa lejen e Tij apo të mbijetojë pa mbështetjen e Tij. Pushtimi i Tij shtrihet mbi çdo gjë, por ne s’mund të përshkruajmë natyrën e atij pushtimi. Ai është drita e gjithçkaje që gjendet në qiej e tokë, dhe çdo dritë shkëlqen falë Tij dhe rrezaton qenien e Zotit. Ai është Krijues e Katalizator i të gjitha botëve. Nuk ka asnjë shpirt që nuk i përgjërohet Atij për zhvillimin e rritje, apo të jetë i vetëmjaftueshëm. Çfarëdolloj fuqie a aftësie që gëzon shpirti, i atribuohet Zotit. Mëshira e Tij ndahet në dy lloje, e para është ajo që ekziston që në zanafillë, dhe nuk i paraprinte veprimi i askujt, siç janë krijuar toka, qiejt, dielli, hëna, yjet, uji, zjarri, ajri dhe çdo grimcë e kësaj bote për ekzistencën tonë. Po kështu janë mundësuar të gjitha elementet dhe kushtet që i nevojiteshin ekzistencës sonë, duke përfunduar të gjitha fazat e krijimit të kushteve optimale, ndërkohë nuk ekzistonim as ne, as funksioni apo veprimi ynë. Kush mund të pretendojë se dielli u krijua falë veprimit tim, apo toka mori formën e saj për shkak të virtyteve të mia. Pra, kjo mëshirë u shfaq para lindjes së njeriut si dhe para veprave të tij, dhe nuk është aspak rrjedhojë e përpjekjeve të dikujt. Ndërsa lloji tjetër i mëshirës kushtëzohet nga veprat e përpjekjet.
Tashmë, në këtë kohë, mbetet vetëm një rrugë që të shpie drejt Zotit, dhe ajo është figura e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. Mesihu i Premtuar alejhiselam shkruan:
“Shpirti ynë dhe çdo grimcë e trupit tonë i bën sexhde (përulet) Atij Zoti të Plotfuqishëm, të Vërtetë e të Përsosur, me dorën e të cilit është krijuar çdo shpirt dhe çdo thërrmijë e të gjitha krijesave me të gjitha aftësitë e tyre, dhe nga Qenia e të cilit është varur çdo qenie tjetër. Asnjë gjë nuk është jashtë dijes së Tij, jashtë mbikëqyrjes apo krijimit të Tij. Gjithashtu, mijëra selame, bekime dhe mëshira qofshin mbi Profetin e shenjtë Hazret Muhammed s.a.v.s., nëpërmjet të cilit e gjetëm Atë Zot të Gjallë, që Vetë na tregon shenjën e Tij duke komunikuar me ne, dhe duke na treguar mrekulli të jashtëzakonshme, na del i shndritur me fuqi dhe me veti të Tij të përsosura e të përhershme. Pra, ne e gjetëm atë Profet që na tregoi Zotin neve dhe e gjetëm Atë Zoti që krijoi gjithçka me fuqinë e Tij të përsosur. Sa madhështore është krijimtaria e Tij, pa të cilin nuk mund të marrë jetë asnjë qenie dhe pa mbështetjen e të cilit asgjë nuk mund të qëndrojë!. Ai Zoti ynë, është shumë Besnik, shumë Bekues, shumë i Fuqishëm, shumë i Bukur dhe tejet Mirëbërës. S’ka zot tjetër përveç Atij.”
[Rruhani Khazain vol. 19, Nasim-e-Da’vet, f. 363, Londër, 1984]
Duke përvijuar gjendjen e atyre që mohojnë Zotin e Madhërishëm, ai shprehet:
“Qenia e Zotit është e mbërthyer në fshehtësi dhe gjendet mbrapa perdeve të misterit. Mendja njerëzore nuk e zbulon dot atë vetëm me aftësi vetjake si dhe asnjë argument shkencor a mendor nuk mund të jetë i mjaftueshëm për ekzistencën e Tij, sepse e gjithë shtrirja dhe kufiri i arsyes të përçon vetëm deri këtu se duke përsiatur mrekullitë e gjithësisë, ai të ngjall nevojën e një krijuesi. Por, ndjeshmëria ndaj një nevoje është tjetër gjë, ndërsa besimi që të shpie deri në atë shkallë, ku zbulohet Ai Krijues, nevoja e qenies së të cilit ishte ndier thellë. Meqë metoda e arsyes është e mangët, e paplotë dhe e dyshimtë, prandaj çdo filozof nuk mund të njohë Zotin vetëm me anë të logjikës, madje shumica e atyre që mundohen të njohin Zotin përmes arsyes, përfundojnë duke u bërë ateist, dhe vetëm përsiatja dhe studimi i qiejve dhe të tokës nuk i shërbejnë asgjë.”
Ka sosh që studiojnë dhe reflektojnë mbi natyrën, ndjekin tokën, shqyrtojnë shkencën, por siç del se shumica prej tyre e mohojnë Zotin. Pra, vetë përdorimi i mendjes nuk i shërben njeriut.
Ata tallen dhe qesëndisin me robërit e Zotit. Ata argumentojnë se janë mijëra sende në botë që nuk na sjellin asnjë dobi, dhe sipas analizës sonë mendore, nuk ekziston asnjë element që mbështet ekzistencën e një Krijuesi, përkundrazi këto sende janë plotësisht të panevojshme dhe të padobishme. Mjerë për injorancën e tyre, se nuk dinë që mospasja e njohurisë nuk mund të jetë argument për mosqenien e diçkaje. Sot, ekzistojnë qindra mijëra njerëz që veten e quajnë intelektual të shkëlqyer apo ndër filozof më të mirë, dhe mohojnë kategorikisht ekzistencën e Zotit. Dihet se po të kishin gjetur një argument të pathyeshëm mendor, ata kurrë nuk do t’i kundërviheshin qenies së Zotit. Andaj, duke hipur në anijen e filozofëve, askush nuk mund të dalë nga furtuna e dyshimeve, përkundrazi ai është destinuar për t’u mbytur dhe kurrë nuk do të përfitojë nga burimi i pastër i teuhidit.
Shikoni sesa i rreme dhe i kalbur është ky mendim se njeriu mund të përvetësojë monoteizmin pa ndërmjetësimin e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe mund të arrijë shpëtimin. (Pra njeriu s’mund të zbulojë njëjësinë e Zotit pa pasur një ndërmjetësim shpirtëror, dhe ky ndërmjetësim është figura e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.). O të paditurit! Derisa nuk ka bindje të sinqertë mbi qenien e Zotit, si vallë mund të ekzistojë besimi në njëjësinë e Tij. Ta dini se monoteizmi i vërtetë mund të përftohet vetëm ndërmjet Profetit, ashtu sikur Profeti ynë, paqja e mëshira e Zotit qofshin mbi të, i bindi ateistët arabë dhe të pafetë për ekzistencën e Zotit, duke u shfaqur mijëra shenja qiellor, madje edhe sot e kësaj dite ndjekësit e tij të sinqertë parashtrojnë këto argumente para mosbesimtarëve. E vërteta është se njeriu derisa nuk i sheh vet fuqitë e vërteta të Zotit, shejtani nuk largohet nga zemra e tij e as teuhidi i vërtetë nuk ngulitet në të, e as ai nuk bindet sinqerisht për ekzistencën e Zotit. Ky besim i pastër e i përsosur fitohet vetëm nëpërmjet të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.
Mesihu i Premtuar alejhiselam duke nënvizuar rëndësinë e atillë besimi, që e zhvendos vëmendjen e njeriut në çdo çështje drejt Zotit, shprehet me shumë mallëngjim:
“Në Zotin tonë gjenden mrekullitë e shumta, por, këtë e shohin vetëm ata që i përkushtohen sinqerisht e besnikërish vetëm. Zoti nuk u shfaq këto mrekulli atyre që nuk besojnë në fuqitë e Tij dhe nuk janë besnikë të sinqertë ndaj Tij. Sa mendjelig është ai që akoma nuk ka ditur se ai ka një Zot, i cili është i Plotfuqishëm për të bërë çdo gjë. Parajsa jonë është Zoti ynë. Kënaqësitë tona më të larta gjenden në Zotin tonë, sepse ne e pamë Atë dhe çdo lloj bukurie e gjetëm në Të. Kjo pasuri është me vlerë ta marrësh nëse e gjen duke dhënë edhe jetën. Dhe ky rubin është me vlerë ta blesh edhe sikur të kushtojë sa e gjithë qenia jote. O të humbur, vraponi drejt këtij burimi se ky do t’jua shuajë etjen tuaj. Ky është burimi i jetës që do t’ju shpëtojë. Ç’të bëj unë? Si mund ta gdhend në zemrat e njerëzve këtë lajm të gëzuar? Me ç’daulle t’i njoftoj njerëzit se Ky është Zoti juaj? Dhe me ç’ilaçe t’ua kuroj veshët që ata të fillojnë ta dëgjojnë?”
Allahu na mundësoftë që duke ndjekur Imamin e kësaj kohe dhe shërbëtorin e sinqertë të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., të përcjellim mesazhin e këtij Zoti të Vërtetë anë mbanë botës, dhe që t’i ngjallim botës frymën e Zotit të gjallë, i cili dëgjon edhe sot dhe shfaq mrekullitë e Tij, që ata të kthehen tek Ai dhe t’i drejtohen vetëm Atij. Le të ringjallim edhe ne lidhjet tona me Zotin dhe t’i përmbahemi mësimit të Tij, të përmbushim të drejtën e adhurimit, të kuptojnë thelbin e atributeve të Tij, të trashëgojmë mirësitë dhe dhuntitë e Tij dhe kështu ne dhe pasardhësit tanë të ruhen nga bërja e çdolloj shirku me Zotin e Madhërishëm.