Hytbja e shpallur
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Hytbja e shpallur

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

أشهد أن لا إله إلا الله وحده لا شريك لـه، وأشهد أن محمّدًا عبده ورسوله. أما بعد فأعوذ بالله من الشيطان الرّجيم.

بسْمِ الله الرَّحْمَن الرَّحيم* الْحَمْدُ لله رَبِّ الْعَالَمينَ * الرَّحْمَن الرَّحيم * مَالك يَوْم الدِّين * إيَّاكَ نَعْبُدُ وَإيَّاكَ نَسْتَعينُ * اهْدنَا الصِّرَاطَ الْمُسْتَقيمَ * صِرَاط الَّذِينَ أَنْعَمْتَ عَلَيْهِمْ غَيْر الْمَغْضُوب عَلَيْهمْ وَلا الضَّالِّينَ، آمين.

Sot do të përmend një shenjë të Mesihut të Premtuar a.s., e cila ishte shfaqur më 11 prill të vitit 1900. Kjo shenjë bën fjalë për fjalimin e tij në gjuhën arabe, fjalim i cili kishte dalë nga goja e Mesihut të Premtuar me ndihmë të veçantë të Zotit të Lartësuar, madje i gjithë fjalim ishte i shpallur. Pra, bëhet fjalë për një shenjë, një fjalim të shpallur, i cili u quajt “Khutba Ilhamijah” (Hytbja e shpallur). Afërsisht 200 njerëz e dëgjuan këtë fjalim dhe po ashtu e dëshmuan edhe mënyrën e të shpallurit që manifestohej. Mua më tërhoqi vëmendjen një ahmedian duke thënë se ngaqë data e sotme përkonte me datën e kësaj shenje dhe po ashtu, është edhe e premte, në hytben time ta përmendja pikërisht këtë shenjë madhore. Ndër ahmedianët, mund të ketë edhe të tillë, të cilët mund ta kenë dëgjuar si emër “Hytbja e shpallur”, pasi ajo është botuar në formë libri, por nuk kanë njohuri rreth historikut të saj. Madje, më çuditi fakti se ka edhe të tillë që nuk dinë asgjë rreth Hytbes së shpallur. Çdo ahmedian duhet të dijë se këto shenja që Allahu i Madhërishëm ka shfaqur në mbështetje të Mesihut të Premtuar a.s., janë të tilla, të cilat na e forcojnë besimin dhe njëherësh na mundësojnë argumente për t’ua mbyllur gojën kundërshtarëve të Ahmediatit, duke na siguruar prova të pakontestueshme të vërtetësisë së Mesihut të Premtuar a.s.. Sidomos shenja si ajo e Hytbes së shpallur është madhore, e cila i la gojëhapur edhe dijetarët më të mëdhenj. Pra, siç ju thashë, sot do t’ju përmend pak historikun e këtij fjalimi dhe gjithashtu, do t’ju tregoj se çfarë efekti kishte bërë ai ndaj ahmedianëve të atëhershëm? Si ata e përjetuan këtë ngjarje? Dhe çfarë përshtypje u kishte bërë ajo jo-ahmedianëve? Veç kësaj, do të lexoj disa fragmente të shkurtra të këtij fjalimi madhor.

Realitetin dhe rëndësinë e këtij fjalimi mund ta kuptoni vetëm kur e lexoni atë, megjithatë, ato pak rreshta që do t’ju lexoj, hedhin dritë mjaftueshëm mbi madhështinë e tyre dhe mbi statusin e lartë të Mesihut të Premtuar a.s.. Hytbja e shpallur nuk është botuar në “Tedhkirah” (përmbledhje e shpalljeve të Mesihut të Premtuar a.s.), ndoshta për shkak se u mendua se kjo hytbe është botuar si libër më vete. Por unë kam pak rezerva ndaj këtij qëndrimi, prandaj, në të ardhmen para se të ribotohet “Tedhkirah”, në cilëndo gjuhë qoftë, drejtoria përkatëse le të konsultohet me mua. Në vijim do t’ju tregoj se çfarë thonë gazetat “Bedr”, “El-Hakam” dhe burimet e Xhematit rreth historikut të Hytbes së shpallur:

Në ditën e Ararfatit, domethënë, një ditë para Kurban Bajramit, në agim, Mesihu i Premtuar a.s., përmes një letre, njoftoi Hazret Maulana Nurudinin duke thënë “Sot, ditën dhe një pjesë të natës, dua të kalojë duke u lutur për mua dhe për shokët e mi. Prandaj, ata që janë të pranishëm këtu, le të më dërgojnë emrat dhe adresat e tyre, në mënyrë që gjatë lutjes, t’i kem parasysh”. Në zbatim të urdhrit, u përpilua një listë e shokëve dhe iu dërgua Hazurit (Mesihut të Premtuar a.s.). Pastaj, disa ahmedianë që erdhën pak më vonë nga vende të tjera, shfaqën dëshirën e tyre të papërmbajtshme për ta takuar Hazurin dhe për t’i kërkuar që të lutej edhe për ta. Edhe ata filluan të dërgonin emrat e tyre. Mesihu i Premtuar a.s. përsëri dërgoi një mesazh duke thënë “Mos më dërgoni më ndonjë listë tjetër, sepse më krijon shumë pengesë”. Hazuri erdhi në xhami për faljen e akshamit dhe jacisë, të cilat u falën të bashkuara. Pas faljeve, tha: “Ngaqë i kam premtuar Allahut të Madhërishëm që ditën e sotme dhe një pjesë të natës do të kaloj në lutje, më lejoni të largohem. Të mos dal nga premtimi që kam bërë”. Duke thënë këto fjalë, Mesihu i Premtuar a.s. shkoi dhe u angazhua sërish në lutje. Të nesërmen, ditën e Bajramit, Maulvi Abdul Kerim sahibi i bëri kërkesë të veçantë Hazurit të mbante hytben. Hazuri i tha: “Vetë Zoti më ka urdhëruar për të mbajtur hytben. Mbrëmë më erdhi shpallje që të them disa fjali në gjuhën arabe në mbledhje. Fillimisht mendova se bëhet fjalë për ndonjë mbledhje tjetër, por tani më duket se është fjala për mbledhjen e Bajramit.

Sipas raporteve, kur Mesihu i Premtuar a.s. erdhi për të mbajtur hytben në gjuhën arabe, porositi Hazret Maulvi Abdul Kerim sahibin dhe Hazret Maulvi Nurudin sahibin që t’i afroheshin për ta shkruar fjalimin. Kur zotërinjtë në fjalë ishin gati, Mesihu i Premtuar a.s. filloi me fjalët یا عباد اللہ (“O robërit e Allahut”), pra, e nisi hytben në gjuhën arabe. Gjatë fjalimit, Mesihu i Premtuar gjithashtu u tha: “Shkruajeni gjithçka që po them, sepse këto fjalë nuk do të vijnë më”. Ai gjithashtu u tha se nëse nuk kuptonin ndonjë fjalë, ta pyesnin që atë çast. Kur Hazuri e mbaroi hytben dhe u ul, shumica e të pranishmëve i kërkuan Hazret Maulvi Abdul Kerim sahibit që t’ua tregonte përkthimin e hytbes. Hazret Maulvi Abdul Kerim sahibi u ngrit dhe akoma nuk kishte filluar ta përkthente që Hazret Mesihu i Premtuar a.s. shtoi duke thënë: “Ky fjalim ishte si shenjë e pranimit të lutjeve që kam bërë dje dhe gjatë natës së Bajramit. Ishte caktuar se nëse do ta mbaja rrjedhshëm fjalimin në gjuhën arabe, të gjitha lutjet e mia t’i konsideroja si të pranuara nga Allahu i Madhërishëm. Për këtë arsye, Elhamdulillah, të gjitha ato lutje, sipas premtimit të Zotit të Madhërishëm, u pranuan”. Pastaj, Hazret Maulvi Abdul Kerim sahibi filloi ta përkthente fjalimin në gjuhën urdu. Maulvi sahibi akoma ishte duke e përkthyer që Mesihu i Premtuar a.s., papritmas, tejet i emocionuar, ra në sexhde për ta falënderuar Zotin. Duke parë Hazurin, të gjithë të pranishmit gjithashtu ranë në sexhde falënderimi. Hazuri kur e ngriti kokën nga sexhdja, tha: “Sapo pashë të shkruar me ngjyrë të kuqe “Mubarak” (i bekuar; urime!) Kjo ishte një shenjë që Zoti e ka pranuar”.

Ky ishte raporti që u botua në gazetën “El-Hakam”, i cili është përmendur edhe në “Melfuzat” (Përmbledhjen e thënieve të Mesihut të Premtuar a.s.).

Hazret Mesihu i Premtuar a.s., në librin e tij “Nuzul-ul-Mesih”, shkruan:

Mëngjesin e Kurban Bajramit më erdhi shpallje që të thosha diçka në gjuhën arabe. Shumë njerëz u njoftuan paraprakisht për këtë. Unë, para asaj dite, kurrë nuk kisha mbajtur ndonjë fjalim në gjuhën arabe. Por, atë ditë, kur u ngrita për të mbajtur hytben e bajramit në gjuhën arabe, Allahu i Madhërishëm bëri që të rrjedhë një fjalim nga goja ime në arabisht të një cilësie të lartë gjuhësore dhe me kuptime të thella, fjalim i cili u botua me titullin “Hytbja e shpallur”. Ky fjalim ka shumë pjesë, por i gjithi është mbajtur përnjëherë dhe gojarisht. Veç kësaj, Zoti, në shpalljen që më dërgoi, e quajti “shenjë”, sepse këtë fjalim gojor e mbajta vetëm me fuqinë e Zotit. Unë nuk mund të besoj se edhe një gojëtar, dijetar a njeri me dhunti të larta letrare të mund të mbajë një fjalim të tillë gojarisht dhe përnjëherë duke qëndruar para njerëzve. Afërsisht 200 njerëz janë dëshmitarë të fjalimit që kisha mbajtur unë.

Më pas, në librin e tij “Hekiketul Uehi”, Mesihu i Premtuar a.s. na jep më shumë detaje:

Më 11 prill të vitit 1900, në mëngjesin e ditës së Kurban Bajramit mora shpalljen: “Sot mbaj fjalimin në gjuhën arabe, sepse ty të është dhënë fuqi”. Gjithashtu më erdhi edhe një shpallje tjetër me fjalët: کلام افصحت من لدن رب کریم domethënë: “Ty të është dhënë elokuencë prej Zotit në këtë fjalim”. Menjëherë janë njoftuar me këtë shpallje vëllai i ndjer Maulvi Abdul Kerim sahib, vëllai Maulvi Nurudin sahib, Sheikh Rahmatullah sahibi, Mufti Muhammad Sadik sahibi, Maulvi Muhammed Ali sahibi, Master Abdurrahman sahibi, Master Sher Ali sahibi, Hafiz Abdul Ali sahibi dhe shumë të tjerë. Pas namazit të Bajramit, u ngrita për të mbajtur hytben në gjuhën arabe. Më ishte dhënë një forcë nga e padukshmja, kur po rridhte nga goja ime një fjalim me plotë elokuencë në gjuhën arabe. Zoti i Madhërishëm është dëshmitar se kjo ishte krejtësisht përtej aftësive të mia. Nuk besoj se pa mbështetjen e shpalljes së veçantë prej Zotit, ndokush tjetër në botë të mund të mbajë një fjalim kaq të gjatë dhe me kaq elokuencë kështu rrjedhshëm pa pasur shënime në letër. Kur ishte mbajtur ky fjalim në gjuhën arabe, i cili u quajt “Hytbja e shpallur”, afërsisht 200 njerëz ishin të pranishëm. Subhanallah! Po mbinte një burim nga e padukshmja dhe unë nuk e kuptoja se isha unë që flisja apo ishte ndonjë engjëll që fliste përmes gjuhës sime, sepse isha i vetëdijshëm se nuk kisha asnjë ndërhyrje nga ana ime në atë fjalim. Fjali të gatshme në mënyrë të vetvetishme po dilnin nga goja ime. Çdo frazë për mua ishte një mrekulli, një shenjë. Tashmë, të gjitha fjalitë e tij janë të botuara me titullin “Hytbja e shpallur”. Vetëm me leximin e këtij libri mund ta merreni me mend se a mund të ishte kjo punë e ndonjë njeriu që të mbante një fjalim kaq të gjatë rrjedhshëm në gjuhën arabe duke qëndruar para njerëzve, pa menduar pa u thelluar?! Kjo ishte veç se një mrekulli shkencore që tregoi Zoti dhe askush nuk mund t’ia paraqesë shembullin.

Kjo është një sfidë që vazhdon të qëndrojë deri më sot. Ka edhe të dhëna të tjera në Historinë e Ahmediatit. Ngaqë ishte një shenjë madhore e shkencore, Mesihu i Premtuar a.s., duke parë rëndësinë e saj, kishte bërë thirrje që të rinjtë ahmedianë ta mësojnë përmendësh. Në përmbushje të kësaj dëshire, Sufi Gulam Muhammed sahibi, Hazret Mir Muhammed Ismail sahibi, Mufti Muhammed Sadik sahibi, Maulvi Muhammed Ali sahibi e të tjerë e kishin mësuar përmendsh. Madje, dy të fundit, një natë, midis namazit të akshamit e të jacisë, në tarracën e xhamisë Mubarak e kishin lexuar hytben përmendsh para xhematit, ndërkohë edhe Mesihu i Premtuar a.s. ishte i pranishëm. Hazret Maulvi Abdul Kerim sahibi, i cili kishte aftësi të larta letrare, ishte dashuruar me këtë hytbe, aq sa shpesh i përmendte fjali të ndryshme dhe emocionohej. Gjatë kohës kur Mesihu i Premtuar a.s. po mbante hytben, ishte e natyrshme që dijetari dhe gjuhëtari i nivelit të lartë siç ishte Hazret Maulvi sahibi të befasohej e të emocionohej, por një gjë tjetër që u vu re ishte akoma më e çuditshme: gjithë të pranishmit, madje edhe fëmijët nuk mbetën pa u prekur nga tërheqja emocionuese e saj. Kështu që, Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar rrëfen: Nuk kishte perënduar akoma dita kur ishte mbajtur ky fjalim famëmadh, që fëmijët që ishin më të vegjël se 12 vjet në moshë, u panë duke kënduar fraza të ndryshme të kësaj hytbeje, nëpër rrugicat e Kadijanit. Kjo padyshim ishte e jashtëzakonshme.

Hytbja e shpallur u botua në gusht të vitit 1901. Mesihu i Premtuar a.s. caktoi një shkrues që ta shkruante bukur fjalimin. Vetë i vendosi zanoret (i’rab) dhe edhe përkthimin në gjuhën urdu dhe në gjuhën perse vetë e bëri. Në librin e botuar, Hytbja e shpallur përfundon në faqen 38, pjesë e cila është renditur si kapitulli i parë i librit. Pjesa e dytë që vijon deri në fund të librit, përbën një shkrim të Mesihut të Premtuar a.s., si shtojcë. Kështu që, libri i titulluar “Hytbja e shpallur” përbëhet nga këto dy pjesë. Kur u botua libri, disa nga dijetarët më të mëdhenj të gjuhës arabe mbetën gojëhapur duke parë nivelin e lartë gjuhësor e shkencor të kësaj hytbe. E vërteta është që ky fjalim ishte mrekulli shkencore e Mesihut të Muhammedit, shembulli i së cilës nuk mund ta gjemë pas Kuranit Famëlartë. Në lidhje me këtë fjalim të shpallur, ka edhe dy ëndrra, të shkruara vetë me dorën e Mesihut të Premtuar a.s. dhe që janë të botuara edhe në “Tedhkirah”, të cilat janë:

Duke dhënë datën 19 prill 1900, përmendet ëndrra e shënuar më poshtë, e cila është e Mian Abdullah Sanuri sahibit:

Mian Abdullah Sanuri thotë se në ëndërr kishte parë se këtu kishte ardhur i ndjeri Munshi Ghulam Kadir Sanuri. Ai e pyeti: Çfarë përshtypjesh ka atje lart (në qiell) rreth këtij fjalimi? Ai iu përgjigj duke thënë “Ai ka bërë jehonë të madhe edhe në qiell!”Kjo ëndërr është krejtësisht e ngjashme me atë që kishte parë Sejid Amir Ali Shah sahibi. Gjatë kohës kur po e mbaja këtë hytbe, zotëria në fjalë kishte përjetuar një keshf (vizion), në të cilin kishte parë se ndër të pranishmit ishin edhe i Dërguari fisnik i Allahut s.a. Hazret Isai a.s., Hazret Musai a.s. dhe Hazret Hizer, të cilët e dëgjonin hytben. Ky përjetim shpirtëror në formë keshfi i erdhi Sejid Amir Ali Shah sahibit pikërisht gjatë kohës kur ai ishte ulur duke dëgjuar hytben.

Ka edhe rrëfime të tjera nga sahabë të tjerë të Mesihut të Premtuar a.s..

Hazret Hafiz Abdul Ali sahibi thotë:

 Unë isha i pranishëm kur po mbahej Hytbja e shpallur. Zëri i Hazurit atëherë ishte ndryshe. Një Sejid nga Sialkoti që gjithashtu kishte përvojën e shpalljeve dhe që ishte ulur pranë meje, më tha: Këtu ka edhe engjëj që janë duke dëgjuar fjalimin.

Hazret Mirza Fazl Beg sahibi thotë:

Isha edhe unë para Mesihut të Premtuar a.s., kur ai ishte çuar në këmbë, në xhaminë Aksa të Kadijanit, përballë derës që ishte te Mehrabi, dhe kishte mbajtur hytben në gjuhën arabe. Mesihu i Premtuar a.s. çdo frazë e shqiptonte tri herë, ndërkohë, Haxhi Kalifi i Parë i Mesihut dhe Maulvi Abdul Kerim sahibi ishin të angazhuar për ta shkruar fjalimin që diktohej. Gjatë fjalimit, ata edhe e pyesnin Mesihun e Premtuar a.s. për ndonjë fjalë se “a shkruhet me s apo th?” “shkruhet me shkronjën ‘ain’ a me ‘elif-in’?”. Pra, dijetarët në fjalë kishin nevojë ta korrigjonin veten e tyre gjatë shkrimit, ndërkohë Mesihu i Premtuar a.s. i korrigjonte. Pas përfundimit të fjalimit, Mesihu i Premtuar a.s. i kërkoi Maulvi Abdul Kerim sahibit që t’i paraqiste publikut përkthimin në gjuhën urdu. Ai e zbatoi urdhrin. Përveç kësaj, gjatë përkthimit Mesihu i Premtuar a.s. dhe gjithë ne bëmë sexhde falënderimi në xhami.

Hazret Maulana Sher Ali sahibi thotë:

Hazuri mbajti një hytbe të shpallur ditën e Kurban Bajramit. Në mëngjesin e ditës së Haxhit, Mesihu i Premtuar a.s. i dërgoi mesazh me një letër Hazret Maulvi Nurudin sahibit, duke thënë: “Dërgomëni listën e njerëzve të pranishëm, që të bëj lutje për ta. Hazret Maulvi sahibi i mblodhi të gjithë në shkollën “Talim-ul-Islam”, e cila ndodhej aty ku sot është Medreseja Ahmedia. Ai e përpiloi listën me emrat e gjithë të pranishmëve dhe ia dërgoi Hazurit (Mesihut të Premtuar a.s.). Hazuri po qëndronte në sallonin e shtëpisë së tij, me dyer të mbyllura. Ai po bënte lutje, ndërkohë, njerëzit që erdhën më vonë, i dërgonin letrat me emrat e tyre, edhe pse dyert ishin të mbyllura. Në mëngjesin e Bajramit, Mesihu i Premtuar a.s. doli dhe teksa po qëndronte në shkallët e xhamisë Mubarak, njoftoi: “Mbrëmë më erdhi shpallje që të them disa fjalë në gjuhën arabe”. Për këtë arsye, ai u dërgoi mesazh Hazret Maulvi Abdul Kerim sahibit dhe Hazret Maulvi Nurudin sahibit që të vinin me letër e me bojë shkrimi e ta shkruanin gjithçka që do të thoshte Mesihu i Premtuar a.s. në gjuhën arabe. Namazin e Bajramit e udhëhoqi Maulvi Abdul Kerim sahibi, pas të cilit Mesihu i Premtuar a.s. mbajti hytben në gjuhën urdu, mbase, i ulur në karrige. Më pas filloi hytben në gjuhën arabe, ndërkohë një emocion i veçantë ishte i dukshëm në fytyrën e tij. Sytë i kishte të mbyllur. Çdo fjali niste me ton të ngritur dhe e ulte në fund të saj. Para tij, majtas, të dy dijetarët po shkruanin. Mesihu i Premtuar a.s. shqiptoi një fjalë, të cilën asnjë prej tyre nuk e kapën dot. E pyetën. Hazuri ua tregoi dhe u tha: Për çdo fjalë që nuk e dëgjonin, ta pyesnin në moment, sepse ndoshta as atij nuk do t’i kujtohej më vonë. Mesihu i Premtuar a.s. tha: “Derisa vazhdoi ky kontakt, unë flisja. Kur u shkëput ai, edhe unë heshta”. Mandej Mesihu i Premtuar a.s. i kërkoi posaçërisht një shkruesi për ta shkruar këtë fjalim dhe vetë e përktheu në dy gjuhë: në urdu e në persisht. Pastaj, bëri edhe thirrje që njerëzit ta mësonin përmendsh, ashtu siç mësohet Kurani Famëlartë. Kështu që, Hazret Mufti Muhammed Sadik sahibi dhe Maulvi Muhammed Ali sahibi jo vetëm që e kishin mësuar përmendsh, por edhe e kishin lexuar para Mesihut të Premtuar a.s. në xhaminë Mubarak. Pas tyre, im vëlla Hafiz Abdul Hai e pyeti Maulvi sahibin rreth kësaj hytbeje. Ai iu përgjigj: “Ne e dimë që kjo ishte përtej fuqive të Mesihut të Premtuar a.s.” Me këtë përgjigje ai donte t’i thoshte se ajo ishte fjalë e Zotit e jo e Hazurit.

Hazret Mian Amirudin sahibi rrëfen:

Pas përfundimit të hytbes së shpallur, Mesihu i Premtuar a.s. teksa po dilte, tha: “Kur unë thosha një fjali, nuk dija se cila do të ishte fjalia vijuese. Ajo më paraqitej e gatshme dhe unë thjesht e lexoja”. Hazuri i shqiptonte fjalët ngadalshëm dhe me pauza.

Hazret Maulvi Abdullah Batalvi sahibi shkruan:

Sejid Abdul Haji sahibi që ishte arab dhe që kishte ardhur nga Arabia dhe qëndronte në Kadijan për të hulumtuar rreth Xhematit, përfundimisht bëri bejtin (besëlidhjen) e Hazret Mesihut të Premtuar a.s.. Ai kështu më ka treguar ngjarjen e bejtit të tij. Ai tha: Unë vetëm duke studiuar librat që janë të një niveli të lartë shpirtëror e shkencor, isha i bindur në zemër se askush nuk mund të shkruante ide të tilla pa pasur ndihmën hyjnore. Por ajo që nuk më besohej ishte që këta libra t’i kishte shkruar vetë Mesihu i Premtuar a.s.. Ndonëse, dijetarët e Xhematit si Maulvi Nurudin sahibi e të tjerë dëshmonin para meje dhe përpiqeshin për të më bindur për këtë fakt, por nuk arritën të ma largonin dyshimin. Unë fillova të zbuloja nëpërmjet rrugëve të ndryshme se a ishin këto me të vërtetë veprat e Mesihut të Premtuar a.s., apo atë e ndihmonte ndokush tjetër në këtë punë? Në këtë përpjekje, unë i shkruaja Hazurit letra në gjuhën arabe dhe përgjigjet e tyre i merrja po në gjuhën arabe. I lexoja me shumë vëmendje dhe i krahasoja me librat e Mesihut të Premtuar a.s.. Por më rezultonte që kishte disa ndryshime në to. I pyesja dijetarët e Xhematit, të cilët më thoshin se në letërkëmbimet Mesihu i Premtuar a.s. nuk mund të kishte atë ndihmë të veçantë prej Zotit të Madhërishëm që kishte në librat e tij, sepse këta të fundit ai i shkruante me vullnetin dhe urdhrin e veçantë të Zotit të Madhërishëm. Për këtë arsye këto dy kategori shkrimesh gjithsesi do të kishin ndryshime, përndryshe nuk do të kuptohej se ku qëndronte aftësia e tij personale dhe ku shfaqej ndihma e veçantë hyjnore. Sidoqoftë, unë mbeta në Kadijan në pritje të ndonjë mrekullie të tillë, që ta dëshmoja me sytë e mi ndihmën e veçantë të Zotit me të. Ndërkohë erdhi koha e zbritjes së hytbes së shpallur dhe unë dëshmova me sytë e mi dhe dëgjova me veshët e mi, se si ai njeri, pa pasur ndihmën e ndonjë njeriu tjetër, në dritën e diellit dhe para gjithë njerëzve, na tregonte veprën e shpallur e të mrekullueshme, e cila ishte tejet elokuente dhe e një niveli jashtëzakonisht të lartë gjuhësor. Pas dëshmimit të kësaj hytbeje, unë me plot sinqeritetin e zemrës, bëra bejtin e Mesihut të Premtuar a.s.

Një ahmedian i quajtur Haxhi Abdul Kerim sahibi, afërsisht para vitit 1940, udhëtoi për në Egjipt për shërbimin ushtarak. Ai bëri përpjekje për të përhapur atje Xhematin dhe një shok i tij, i quajtur Ali Hasan sahib, u bë ahmedian. Haxhi sahibi e merrte shokun e tij dhe shkonte për të takuar arabë të ndryshëm të Egjiptit, njëri prej të cilit ishte nëpunës në zyrën postare. Ata biseduan për shumë ditë rreth Xhematit. Nëpunësi arab u bind në të gjitha çështjet, përveç çështjes së profetizmit në umetin e Muhammedit. Më në fund i dhanë një kopje të “Hytbes së shpallur” dhe nuk e takuan për shumë ditë. Një ditë ai u dërgoi letër, në të cilën e ftonte Haxhi sahibin për drekë në shtëpinë e tij. Duke iu përgjigjur ftesës, Haxhi sahibi shkoi për ta takuar. Nëpunësi arab i tha t’i shkruante letër Kalifit për bejtin e tij. Haxhi sahibi e pyeti se si ishte zgjidhur çështja e profetizmit. Ai iu përgjigj: “Kisha ftuar për darkë një dijetar të madh që është profesor në Universitetin El-Az’her dhe i tregova që disa indianë më kanë predikuar në këtë mënyrë dhe më thanë se Hazret Isai a.s. ka ndërruar jetë dhe se Isai që do të vinte, duhej të ishte një njeri nga umeti i Profetit Muhammed s.a., i cili do të vinte si Mesih dhe Mehdi dhe madje ai nuk ishte tjetërkush veçse Hazret Mirza Ghulam Ahmed Kadijani. I thashë dijetarit që unë i pranoj të gjitha argumentet e tyre, përveç kësaj që ata thonë se Mirza sahibi është edhe profet brenda umetit të Muhammedit s.a.. Nuk mund ta besoj dot këtë. Jeni dijetar i fesë, më tregoni se cila është e vërteta? A kam të drejtë në bindjet e mia apo jo? Profesori i Universitetit të El-Az’herit m’u përgjigj: Kam lexuar literaturën e Mirza sahibit, kam takuar edhe disa ahmedianë dhe kam diskutuar me ta. Porfetizmi të cilin Mirza sahibi deklaron, nëse do të vijnë edhe një mijë profetë të tillë, nuk thyhet aspak vula e Profetizmit të Profetit Muhammed s.a.”. Për këtë i thashë dijetarit: “I nderuar dijetar! Atëherë, unë po anëtarësohem në Xhematin Musliman Ahmedia dhe ju do të keni përgjegjësi ditën e gjykimit”. Profesori i El-Az’herit tha: “Kjo përgjigjja ime është vetëm në këtë takim. Nëse do të më bësh të njëjtën pyetje në publik, do të të përgjigjem se as profet umeti (brenda umetit si shërbëtor i Profetit Muhammed) nuk mund të vijë. Po, nëse dëshiron të hysh në Xhematin Musliman Ahmedia, hyr me gjithë qejf. Do të mbaj përgjegjësi të plotë për këtë. Për sa më përket mua, unë kam disa pengesa. Pengesa kryesore është që poqë u bëra ahmedian, më heqin nga puna. (Pra, atë e kishte pushtuar bota materiale). Pas takimit me dijetarin në fjalë, kisha marrë vendim të prerë se do të anëtarësohesha në Xhematin Ahmedia. Menjëherë nisa të lexoja “Hytben e shpallur” dhe nuk fjeta pa e mbaruar. Natën pashë në ëndërr që Hazret Ahmedi Mesihu i Premtuar a.s., me një xhemat të madh, po shkonte diku. E pyeta: Hazur! Kush janë këta me ju dhe ku po i çoni? Mesihu i Premtuar a.s. m’u përgjigj: “Këta janë eulijatë e Allahut që erdhën para meje në umetin e Profetit Muhammed s.a. dhe unë po i çoj për t’u mundësuar një vizitë edhe një herë me Profetin Muhammed s.a. Unë jam vula e eulijave dhe pas meje nuk ueli tjetër, përveç atij që është në Xhematin tim dhe po ashtu, pas Profetit Muhammed s.a. nuk ka asnjë profet tjetër, përveç atij që është në umetin e tij”. Kur më doli gjumi, çështja e fundit të profetizmit ishte e zgjidhur për mua dhe unë u gëzova pa masë. Haxhi Abdul Kerim sahibi thotë: Formularin e bejtit të arabit në fjalë, bashkë me ngjarjen e tij ia dërgova qendrës, pra në Kadijan.

Ka qenë edhe një dijetar tjetër shumë i madh, Sheikh Abdul Kadir El-Megribi. Hazret Sejid Ueliullah Shah sahibi dhe dijetari Abdul Kadir, për shkak të shijeve të tyre të ngjashme në dije, letërsi e në besim, ishin shokë të ngushtë. Ueliullah Shah sahibi, për herë të parë e kishte takuar në vitin 1916. Një herë Abdul Kadiri i kërkoi: Eja të bëjmë një foto bashkë dhe të bëjmë be për miqësinë duke vënë dorën në Kuran. Pikërisht për shkak të kësaj miqësie, kur Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar kishte udhëtuar në Damask, Abdul Kadir sahibi kishte ardhur për ta takuar atë dhe i kishte bërë shumë pyetje. Por ngaqë ishte dijetar dhe këmbëngulës, iu përgjigj Hazret Kalifit të Dytë duke thënë: Ne jemi arabë dhe flasim arabisht. Andaj, e kuptojmë shumë mirë Kuranin Famëlartë. Kush mund ta kuptojë atë më mirë se ne?! Biseda vazhdoi. Ndër të tjera Hazret Kalifi i Dytë i tha: Ashtu si ne, edhe ju mbështeteni në fjalor për ta zbërthyer Kuranin. Zoti na ka mësuar Kuranin dhe, edhe pse ne komunikojmë në gjuhën urdu nuk flasim shpesh në arabisht, prapëseprapë arabishtja jonë është më elokuente se sa arabishtja juaj, etj. Më pas, Hazret Kalifi i Dytë r.a. mbajti një fjalim elokuent në gjuhën arabe, duke dëgjuar të cilin njëri prej arabëve, që ishte edhe Sejid tha: Me të vërtetë arabishtja e tyre është më e lartë sesa e jona. Atëherë edhe Abdul Kadir sahibi u zbut dhe filloi të komunikonte me respekt. Sidoqoftë, gjatë bisedës, Hoxha Abdul Kadiri tha se librat e Mesihut të Premtuar a.s. kanë gabime gjuhësore. Hazret Kalifi i Dytë r.a. menjëherë iu përgjigj: Nëse keni fuqi, tregoni gabimet që tani ose shkruani përgjigje të atyre librave dhe botojeni, por dijeni se kurrë nuk mund ta bëni një gjë të tillë. Nëse do të ngrini penën, Zoti do t’jua marrë aftësitë tuaja intelektuale. Provojeni po deshët! Pas kësaj, Abdul Kadiri filloi t’i përgjëronte Kalifit të Dytë duke thënë të mos i përhapte këto pohime në Arabi, Egjipt e në Siri, sepse do të thellohej përçarja. Ai tha: Përçarja për ne po bëhet shumë e dëmshme. Vehabistët që parë na kanë ngritur shqetësim të madh. Më mirë shkoni në Evropë, Amerikë, Afrikë e në vende të tjera dhe përhapni mesazhin tuaj te mohuesit dhe të krishterët. Dërgoni misionarë në ato vende, por ju lutem këtu kurrsesi mos i përhapni besimet tuaja. Ai edhe i puthte dorën Kalifit të Dytë dhe vazhdimisht i lutej: Për hir të Zotit انا ارجعکم یا سیدی, mos i përhapni mësimet e Mesihut të Premtuar në këto zona e as mos dërgoni misionarë tuajit, etj. etj. Më pas tha: Ne e dimë që ai ishte një njeri i mirë, kishte shumë sedër ndaj Islamit, por nuk mund ta pranojmë profetizmin e tij. Mblidhni njerëzit vetëm në shehadetin la ilaha ilallah. Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar a.s., sidoqoftë, u dha përgjigje kërkesave të tij dhe, me një ton plot autoritar, i tha: Po të ishte kjo puna jonë, ne do ta linim këtë. Por, ky është urdhri i Zotit dhe këtu ne dhe Hazret Ahmedi nuk mund të bëjmë ndonjë ndërhyrje. Kjo është porosia e Zotit, të cilën ne patjetër do ta përhapim.

Po vijon ngjarja e dijetarit Abdul Kadir. Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar a.s. u kthye dhe më pas dërgoi Hazret Xhelaludin Shems sahibin në Siri. Hazret Sejid Ueliullah Shah sahibi tregon një ngjarje që ndodhi gjatë qëndrimit të tij në Siri. Ai thotë:

Një ditë unë dhe Hazret Shems sahibi po bisedonim me disa shokë rreth Ahmediatit, ndërkohë erdhi Abdul Kadir El-Megribi sahibi, u ul pranë nesh dhe filloi të na dëgjonte. Gjatë bisedës, ai përmendi me nënçmim takimin e tij që kishte bërë me Hazret Kalifin e Dytë r.a.. Ai gjithashtu përmendi se çfarë këshille i kishte dhënë Kalifit që të mos e përhapte Xhematin në vendet arabe. Më pas me shaka tha se edhe shpalljet e Mesihut të Premtuar në gjuhën arabe kanë gabime gjuhësore. Atëherë, unë menjëherë ia dhashë librin “Hytben e shpallur” dhe i kërkova të na e lexonte me zë të lartë. Ai e nisi leximin dhe rreth dy tri fjalëve tha se ato as nuk ishin arabisht. Sakaq, Shems sahibi nxori fjalorin “Taxhul Urus” nga rafti dhe i nxori fjalët për të cilat Abdul Kadir sahibi kishte thënë se nuk ishin arabisht. Të pranishmit u befasuan. Unë e shfrytëzova rastin dhe iu drejtova Abdul Kadirit duke thënë: Ju shquheni si dijetar i madh dhe si njeri letrar, por nuk dikeni arabishten as aq sa di nxënësi im. Shems sahibi, në fakt, ato ditë mësonte gjuhën angleze me mua. Prandaj, e quajta nxënës. Për këtë Abdul Kadiri u nxeh shumë dhe iku nga mbledhja duke thënë se do të të përgjigjem kur të vijë koha. Pashë që njerëzit e pranishëm ishin mjaft të ndikuar. U tregova se unë dhe Abdul Kadiri kemi qëndruar bashkë. Edhe unë jepja mësim atje ku ai punonte si mësues. Ai nuk duhej të thoshte fjalë të tilla rreth “Hytbes së shpallur”, në vend që të pranonte të vërtetën. Pas bisedës me ta, kjo mbledhje përfundoi.

Të nesërmen, në mëngjes Shems sahibi më kujtoi që Hazret Kalifi i Dytë më kishte porositur që të mos prishja marrëdhëniet me Abdul Kadirin. Sipas Shems sahibit, unë tashmë e kisha hidhëruar shumë. I thashë: Mos u shqetësoni, do ta qetësojmë. Të nesërmen në mëngjes, ne të dy shkuam për ta takuar Abdul Kaderin te shtëpia e tij dhe i trokitëm në derë. Abdul Kadir sahibi sapo doli jashtë, menjëherë më përqafoi dhe më puthi duke thënë: “Ju kërkoj falje dhe unë vetë desha të vija tek ju”. Pastaj na tha: “Bujrëm! Ejani të pimë çaj dhe do t’ju tregoj se si e kam kaluar këtë natë”. Kur u futëm brenda, ai na tregoi librin tim “El-Hekaik enil Ahmedia” (në fakt, libri në fjalë përbëhej nga argumentet që kishte dhënë vetë Mesihu i Premtuar a.s.) dhe tha: Unë e kisha këtë libër dhe kisha marrë vendimin fuqimisht se do të shkruaja kundërpërgjigje të këtij libri. Nxora të gjithë librat e haditheve e të komentimit të Kuranit që kisha, i vendosa në tavolinë dhe pas faljes së jacisë, fillova të shkruaja kundërpërgjigjen. Së pari lexoja një pjesë të librit e më pas hapja librat që kisha për të gjetur përgjigjen. Shkruaja një përgjigje, e cila më dukej e papërshtatshme, e grisja. Kështu shkrova shumë herë përgjigjen dhe e grisa po aq herë. Në këtë mënyrë kaloi nata. Ime shoqe më bëri vërejtje që të flija, por unë nuk u ndala deri sa dëgjova edhe azanin e sabahut. Megjithatë, nuk munda të shkruaja asgjë. Çdo gjë që shkruaja, më dukej e pasaktë. Tani ju premtoj që nuk do të dëgjoni asnjë fjalë prej meje kundër Xhematit. Bindjet tuaja janë tërësisht në përputhje me Islamin. Ju lirisht përhapni mesazhin tuaj dhe nëse dikush do të më pyesë rreth jush, unë do të flas në mbështetjen tuaj. Por, nuk do të hyj në Xhematin tuaj. Pas asaj dite, ai deri në fund të jetës së tij, e lëvdonte Xhematin Ahmedia.

Tani do t’ju lexoj disa citate nga “Hytbja e shpallur”, të cilat, siç ju thashë më herët, hedhin dritë mbi rëndësinë e saj. Padyshim, për t’ia kuptuar thelbin, ju duhet ta lexoni të gjithën. Mesihu i Premtuar a.s. në arabisht shqiptoi këto fjalë:

“أيها الناس.. إني أنا المسيح المحمدي، وإني أنا أحمَدُ المهدي، وإن ربي معي إلى يوم لَحْدي من يومِ مهدي. وإني أُعطيتُ ضِرامًا أكّالاً، وماءً زُلالاً، وأنا كوكبٌ يمانيّ، ووابلٌ روحانيّ. إيذائي سِنانٌ مذرَّب، ودعائي دواءٌ مجرَّب. أُرِي قومًا جلالا، وقومًا آخرين جمالا، وبِيَدِي حربةٌ أُبيدُ بها عاداتِ الظلم والذنوب، وفي الأخرى شربةٌ أُعيدُ بها حياةَ القلوب.”

O njerëz! Unë jam Mesihu që erdha në serinë e Muhammedit dhe jam Mehdi Ahmedi dhe Zoti im me të vërtetë është me mua nga djepi deri në varrin tim. Mua më është dhënë zjarr gllabërues [për të këqijat] dhe ujë jetëdhënës. Jam yll i anës së djathtë dhe jam shi shpirtëror. Sulmi im është si hanxhar i mprehtë, ndërsa lutja ime është një ilaç i provuar. Unë njërit popull i tregoj madhështinë dhe popullit tjetër i tregoj bukurinë. Unë kam një armë në dorë, me të cilën shpartalloj padrejtësinë dhe mëkatet, ndërsa në dorën tjetër kam një sherbet, me të cilin i ringjall zemrat.

Më pas, ai thotë:

“أيها الناس، قُوموا للهِ زُرافاتٍ وفُرادى فُرادى، ثم اتّقوا اللهَ وفَكِّروا كالذي ما بخل وما عادى، أليس هذا الوقت وقتَ رحمِ الله على العباد، ووقتَ دفعِ الشرّ وتدارُكِ عَطَشِ الأكباد بالعِهاد؟ أليس سيلُ الشرِّ قد بلَغ انتهاءَه، وذيلُ الجهلِ طوَّل أرجاءَه، وفسَد المُلك كله وشكَر إبليسُ جهلاءَه؟ فاشكروا اللهَ الذي تَذكَّرَكم وتذكَّرَ دينَكم وما أضاعَه، وعصَم حَرْثَكم وزرعكم ولُعاعَه، وأنزلَ المطر وأكمل أبضاعَه، وبعَث مسيحَه لدفع الضير، ومهديَّه لإفاضة الخير، وأدخلَكم في زمانِ إمامكم بعد زمان الغير.”

O njerëz! Për hir të Zotit! Mendoni së bashku apo veçmas si ai njeri që nuk tregohet as koprrac e as armik. A nuk është kjo kohë, kur Zoti të tregonte mëshirë ndaj robërve të Tij? A nuk është kjo kohë, kur e keqja të luftohej e të largohej përmes shiut që do t’ua shuante etjen zemrave? A nuk ka arritur në kulm përmbytja e ligësisë? A nuk i ka shtrirë injoranca caqet e saj anembanë duke korruptuar tërë vendin, aq shumë saqë edhe shejtani duhet të ketë falënderuar injorantët?! Prandaj, falënderojeni Atë Zot që ju kujtoi ju dhe besimin tuaj dhe jua shpëtoi besimin nga shkatërrimi. Jua shpëtoi të mbjellat nga fatkeqësitë, madje, jua mbrojti duke dërguar shi të denjë. Është Zoti që ju dërgoi Mesihun e Tij për t’jua larguar dëmin; ju dërgoi Mehdiun e Tij për t’ju mundësuar dobi e mirësi; ju dha fatin të hyjni në epokën e Imamit tuaj, pas epokës së tjetërkujt.

Më pas, ai thotë:

“وإني على مقام الختم من الولاية، كما كان سيدي المصطفى على مقام الختم من النبوة. وإنه خاتم الأنبياء، وأنا خاتم الأولياء، لا وليَّ بعدي، إلا الذي هو مني وعلى عهدي. وإني أُرسلتُ من ربي بكل قوة وبركة وعزة، وإن قدمي هذه على منارةٍ خُتِمَ عليها كلُّ رفعة. فاتقوا الله أيها الفتيان، واعرفوني وأطيعوني ولا تموتوا بالعصيان. وقد قرُب الزمان، وحان أن تُسأل كلُّ نفس وتُدانُ.”

Unë jam fundi i eulijave, ashtu siç Profeti Muhammed s.a. ishte fundi i profetëve. Ai është Hatemul Enbija (Vula e profetëve) ndërsa unë jam Hatemul Eulija (Vula e eulijave). Pas meje nuk do të ketë asnjë ueli tjetër, përveç atij që vjen nëpërmjet meje, besëlidhja e të cilit përputhet me besëlidhjen time. Unë jam dërguar prej Zotit tim me gjithë fuqinë e duhur dhe me gjithë bekim dhe nder. Hapi im është mbi një minare të tillë, e cila përfshin çdo lartësi. Prandaj, frikësojuni Zotit o burra dhe më njihni mirë dhe mos më mohoni! Mos vdisni me mohimin tuaj, sepse është shumë afër koha kur çdo njeri do të pyetet për çfarë ka bërë dhe do të shpërblehet.

Këto pra ishin disa nga fjalët e asaj shenje madhore, të cilën Mesihu i Premtuar a.s. i tregoi botës  me urdhrin dhe me shpalljen e Allahut të Madhërishëm. Kjo shenjë, siç ju thashë, ishte shfaqur më 11 prill të vitit 1900, e cila vazhdon të rrezatojë dritën e saj, sepse deri më sot asnjë studiues i arabishtes, sado i madh qoftë në lëmin e tij, qoftë arab apo jo-arab, nuk arriti ta hidhte poshtë. Si mund të ndodhte një gjë e tillë, për aq kohë sa kjo vepër është e Zotit të Madhërishëm, që doli nga goja e Mesihut të Premtuar a.s.! Allahu i Lartësuar i dhëntë mendtë dhe guximin botës, sidomos muslimanëve arabë, që ata ta kuptojnë mesazhin e të dërguarit të Zotit e të bëhen ndihmëtarë të këtij shërbëtori të vërtetë të Profetit Muhammed s.a. për të bashkuar umetin musliman edhe një herë. Allahu i Madhërishëm edhe neve na mundësoftë të përmbushim përgjegjësitë tona.

(Pas hytbes, Hazret Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht, njoftoi për dy xhenaze: xhenazen e së ndjerës Henifa Bibi, bashkëshortja e Çod’hri Beshir Ahmed sahibit, të Shehupurasë së Pakistanit, e cila ndërroi jetë më 3 prill 2014 në moshën 84 vjeçare; dhe xhenazen e Sejid Mehmud Ahmed Shah sahibit të Keraçisë së Pakistanit, i cili ndërroi jetë më 29 mars të vitit 2014 në moshën 76 vjeçare).

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp