Reformimi: një përgjegjësi dhe përpjekje e përbashkët
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Reformimi: një përgjegjësi dhe përpjekje e përbashkët

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Përkthimi i hytbes së xhumasë, mbajtur nga Hazret Mirza Masrur Ahmedi atba, kryetari botëror i Xhematit Musliman Ahmedia

më 24.01.2014 në xhaminë Bejtul Futuh, Morden, Angli.

أشهد أن لا إله إلا الله وحده لا شريك لـه، وأشهد أن محمّدًا عبده ورسوله. أما بعد فأعوذ بالله من الشيطان الرّجيم.

 ]بسْمِ الله الرَّحْمَن الرَّحيم* الْحَمْدُ لله رَبِّ الْعَالَمينَ * الرَّحْمَن الرَّحيم * مَالك يَوْم الدِّين * إيَّاكَ نَعْبُدُ وَإيَّاكَ نَسْتَعينُ * اهْدنَا الصِّرَاطَ الْمُسْتَقيمَ * صِرَاط الَّذِينَ أَنْعَمْتَ عَلَيْهِمْ غَيْر الْمَغْضُوب عَلَيْهمْ وَلا الضَّالِّينَ[، آمين.

Pas recitimit të suresë El-Fatiha, Hazret Mirza Masrur Ahmedi, Kalifi i Pestë i Xhematit Musliman Ahmedia, Allahu e ndihmoftë fuqmisht, tha:

Edhe sot do të vijojë tema e hytbes së kaluar. Sot do të diskutohet më gjerësisht në shpjegim të asaj që është trajtuar deri tani, pra metoda të tjera të arritjes së këtyre synimeve që mund të përmirësojnë gjendjen e pjesës kryesore të xhematit. Në dy fjalime të kaluara, ishte shpjeguar gjerësisht që nëse njeriu u përmbahet tri parimeve, atëherë shumë shpejt edhe ai mund të hedhë hapat drejt reformimit të tij praktik. Ndër këto kritere radhitet ngjallja e forcës së vullnetit, e cila nëse kundrohet nga këndvështrimi fetar barasvlerësohet me forcimin e besimit. Kriteri i dytë lidhet me përpjekjet për të larguar mungesën e dijes, ndërsa kriteri i tretë me shmangien e pafuqisë së veprimit. Sot do t’ju shtjelloj aspekte të tjera të kësaj teme, të cilat i ka trajtuar gjerësisht edhe Kalifi II r.a. Unë përgjithësisht do t’u referohem fjalimeve të tij. Megjithatë, në lidhje me fjalimin e sotëm dua të nënvizoj që misionarët, dijetarët, përgjegjësit dhe presidentët e xhematit, madje edhe përgjegjësit e organizatave simotra, që shpesh kanë mundësi për t’iu drejtuar anëtarëve të xhematit me këshilla dhe predikime, apo e kanë për detyrë që të predikojnë mësimet e fesë, veçanërisht duhet të mbajnë para sysh këto parime, me qëllim që të kontribuojnë plotësisht në reformën e anëtarëve të xhematit. Në lidhje me këtë reformë, unë shpesh u jap këshilla anëtarëve të xhematit, dhe tashmë me bekimin e MTA-së, anëtarët e xhematit anë mbanë botës kanë mundësi të më dëgjojnë, dhe me mëshirën e Zotit, një pjesë e mirë ndikohet prej tyre. Megjithatë, misionarët, presidentët dhe përgjegjësit e xhematit kanë për detyrë, që ky mesazh dhe këto porosi të prezantohen në mënyrë të përsëritur para xhematit, me qëllim që çdo Musliman Ahmedian të jetë plotësisht i vetëdijshëm dhe i vendosur për fushën e tij të veprimit.

Kjo çështje mban një rëndësi të madhe, të cilën përgjegjësit e xhematit gjithmonë duhet ta kenë parasysh. Ndër mjetet e reformimit që janë diskutuar pak më parë, kryeson fuqizimi i forcës së vullnetit. Me fjalë të tjera mund të themi që ai është besim, për ngjalljen e të cilit, kanë ardhur të dërguarit e Zotit dhe kanë treguar mrekulli të qarta. Lidhur me këtë Kalifi II r.a. thotë që për sa u përket shenjave dhe mrekullive, xhemati ynë është aq i pasur që askush nuk i ngjan atij, ndërsa jashtë Islamit, nuk ekziston asnjë fe që gëzon fjalën e fundit të Zotit, mrekullitë e Tij dhe shenjat e qarta që dëshmojnë për ekzistencën e Tij, të cilat u heqin çdolloj papastërtie zemrave të njerëzve dhe i pajisin me njohjen e Zotit të Lartësuar. Megjithatë, pavarësisht këtij besimi dhe shenjave të freskëta të Zotit të Lartësuar, pse xhemati ynë ka ende dobësi në veprim? Kalifi II r.a. duke shprehur mendimin e tij në lidhje me këtë problem, argumenton që dijetarët, misionarët dhe predikuesit e xhematit nuk i kanë kushtuar vëmendjen e duhur promovimit të këtyre çështjeve. Kjo vërejtje e Kalifit II r.a. vlen edhe sot pas shtatëdhjetë e pesë vjetësh dhe na duhet të mendojmë rreth saj. Ashtu siç po largohemi nga koha e Mesihut të Premtuar alejhiselam duhet të marrim masat konkrete për të asnjanësuar pasojat e kësaj distance. Prandaj, fjala e tij na tërheq vëmendje edhe sot, që ashtu siç ne mbajmë fjalime të zjarrta plot pasion për të provuar vdekjen e Isait alejhiselam, dhe shtrojmë vrullshëm argumente dhe citate për të hedhur poshtë akuzat e kundërshtarëve, dhe për t’u mbyllur gojën, ne apo të paktën dijetarët tonë nuk kanë dëshmuar të njëjtin pasion për t’u treguar anëtarëve të xhematit mësimin e vërtetë të Xhematit.  Si rrjedhojë, mund të gjeni mjaft lehtë shumë anëtarë që dinë argumente rreth vdekjes së Isait alejhiselam dhe u japin përgjigje të pathyeshme akuzave të hoxhallarëve. Madje, edhe këtu mund të shikoni se edhe një anëtar i thjeshtë në televizor apo në internet u përgjigjet akuzave të hoxhallarëve në mënyrë të pakundshoqe. Disa anëtarë më shkruajnë për debatin apo përgjigje që ata u kishin dhënë kundërshtarëve të xhematit, të cilat përgjithësisht janë të shkëlqyera dhe të pakundërshtueshme.

Kështu që me mëshirën e Zotit, jemi të pajisur me këtë njohuri, por janë shumë pak që mund të dinë sesi ka përshkruar Mesihu i Premtuar alejhiselam qenien e Zotit? Çfarë metodash na ka treguar për arritjen e njohjes dhe dashurisë së Zotit? Si na ka porositur për të fituar afërsinë me Zotin e Lartësuar? Si kishte arritur komunikim me Zotin e Lartësuar dhe kishte marrë shenjat dhe mrekullitë prej Tij? Ndonjëherë rastiset që dikush pajtohet për vdekjen e Isait alejhiselam, njeh mirë edhe argumentet rreth xhematit, ose ka trashëguar religjinion nga paraardhësit e tyre, ka njohuri të gjerë në sferën e koncepteve të xhematit, por për shkak të mosdijes së këtyre parimeve të rëndësishme të reformës, e prek edhe atë dobësia në besim. Pra, për shkak të mosdijes së njohjes rreth Zotit, të metodave të fitimit të komunikimit dhe të mrekullive prej Zotit, atëherë ai pëson rënie dhe lëkundje në besim dhe i shfaqen dobësi të tjera edhe në veprim.

Ndonëse, dikush mund të jetë mjeshtër në çështjen e vdekjes së Isait alejhiselam, por fakti që ai i di të gjitha aspektet e kësaj çështjeje, nuk i shërben aspak në reformën e veprimit. Andaj, për sa i përket këtij aspekti, po shfaqet njëlloj dobësie në disa vende. Pra, derisa dijetarët, misionarët, dhe të gjithë presidentët e përgjegjësit e xhematit, që duhet të jenë shembullor për anëtarët e xhematit dhe mbajnë detyra për reformë, por nuk i kushtojnë aq vëmendje sa duhet kësaj çështjeje, apo nuk bëjnë përpjekje të duhura për të lidhur secilin anëtar me qëllimin e ardhjes së Mesihut të Premtuar alejhiselam, atëherë kjo pakicë e cila për shkak të pafuqisë së vullnetit, nuk po bëhet pjesë së reformimit, do të vijojë të ekzistojë dukshëm në xhemat. Na duhet ta njohim këtë fakt dhe të analizojmë që sa prej nesh në të vërtetë ushqehen nga dëshira për të adhuruar Zotin. Sa nga ne janë të tillë që duke agjëruar gjatë muajit të ramazanit apo duke qëndruar në itikaf, nuk e marrin atë adhurim nëpër gojë gjatë gjithë vitit, përkundrazi për të arritur përjetësisht afërsinë e Zotit të Lartësuar, i përmbahen këmbëngultas këtij qëllimi me zell dhe pasion. Sa nga ne gëzojnë përkëdheljen dhe dashurinë e Zotit të Lartësuar në aspektin e pranimit të lutjeve apo përmes komunikimit me Zotin e Dashur. Në fakt, pas pranimit të Mesihut të Premtuar alejhiselam, arritja e këtij kriteri apo përpjekje të sinqerta në këtë rrugëtim, është detyrë për çdo musliman ahemdian.

Ky është ai revolucion i ringjalljes së Islamit, për të cilin kishte ardhur Mesihu i Premtuar alejhiselam. Nëse secili nga ne ta ketë realisht njohurinë e statusit të Mesihut të Premtuar alejhiselam, ta ketë pasion për të përmbushur qëllimin e ardhjes së tij, dhe nëse ne do të dimë që çfarë mrekullish dhe shenjash Zoti i Madhërishëm ka shfaqur përmes Mesihut të Premtuar alejhiselam, dhe me çfarë shenjash të qarta Zoti bekoi edhe ndjekësit e tij, atëherë secili nga ne do të angazhohej për ta arritur atë shkallë dhe do të orvatej që shenja të tilla të shfaqeshin edhe prej tij. Sigurisht, kjo do t’i jepte besimit të tyre atë shkëlqim, i cili do t’u shkaktonte një fuqi të tillë vullneti, që i ngjall njeriut një pasion të veçantë për të fituar afërsinë e Zotit.

Pra, shenjat dhe mrekullitë e Mesihut të Premtuar alejhiselam, të cilat vijojnë të shfaqen edhe sot, duhet të ndezin zjarr në zemrat tona, që edhe ne duke fituar afërsinë e Allahut, dhe fal bekimit të nënshtrimit ndaj Profetit Muhammed s.a.v.s. ta zbatojmë çdo aspekt të jetës së tij në jetën tonë, derisa ta arrijmë atë shkallë, në të cilën Zoti sillet me ne me një dashuri të veçantë. Në çështje të tjera, ne imitojmë të tjerët, dhe kur shohim diçka të këndshme a tërheqëse, duam me gjithë shpirt për ta arritur atë. Madje, ndjekim të gjitha metodat për ta përmbushur këtë qëllim dhe mundohemi për të depërtuar në thellësinë e asaj çështje me gjithë njohurinë dhe intelektin tonë. Nëse dikush e sheh tjetrin të veshur në rroba të bukura, atëherë edhe kërkon ta imitojë atë, dhe kështu njerëzit gjithmonë lakmojnë për gjërat e bukura që i shohin tek të tjerët. Tashmë televizioni ka afruar botën aq shumë që jo vetëm shtresa e mesme, por edhe shtresa e varfër përpiqen të sigurojnë të gjitha kushtet e jetesës. Meqë ka filani, andaj edhe unë duhet të kem televizor, frigorifer etj. Ata nuk mendojnë se nëse dikush i ka dhuruar filanit pajisje të tilla, atëherë ai nuk duhet të lakmojë për to. Por, çfarë ndodh, menjëherë përpiqen për të marrë borxh që të kapin nivelin e personit tjetër. Disa persona janë mësuar të kërkojnë ndihmë dhe asistencë. Sigurisht edhe xhemati duhet t’u vijë në ndihmë personave në nevojë, por ata që shtrojnë kërkesa për ndihmë nga Pakistani, India apo vende të tjera të varfra, duhet të shkruajnë vetëm për nevojat jetësore, madje edhe karshi situatave të tilla, nuk duhet të ulin dinjitetin e tyre. Po kështu, janë edhe ata që tregohen të pangopur dhe u lakmon zemra vetëm duke parë tjetrin. Po të shohin diçka të re, kolltukë të modës së fundit, televizion të ri, apo pajisje të tjera elektrike apo elektronike, menjëherë i pushton dëshira për të pasur ato. Njerëzit blejnë makina me paratë e borxhit.

Meqë ra fjala, dua të shtoj që një ndër arsyet e përkeqësimit të gjendjes financiare janë borxhe që ofrohen nga bankat me interesa të larta. Interesi është një mallkim i madh. Kur njerëzit shpenzojnë paratë e huazuara për të pasur këto kushte, le që nuk kuptojnë, po as nuk duan të dinë që ku do t’i shpjerë ky borxh. Gjithsesi, blerjet e tilla dhe borxhet me interes kanë falimentuar mjaft persona.

Unë po ju tregoja për vesin e imitimit në çështjet materiale se njerëzit duke ndjekur të tjerët vënë bast me gjithë nderin e tyre, dhe përfundimisht duke humbur të gjitha pronat e tyre, heqin dorë nga gjithçka. Pra, në çështjet materiale, imitimi na sjell më shumë dëme sesa dobi. Ndërsa në botën shpirtërore, nëse ne ndjekim gjurmët e Mesihut të Premtuar alejhiselam apo të sahabëve të tij, në përpjekjet e tyre për të fituar dashurinë e Zotit, atëherë jo vetëm që nuk bëhet fjalë për ndonjë humbje, por ka vetëm fitime dhe dobi, të pallogaritshme.

Atëherë, për ç’arsye ne nuk përpiqemi për ta imituar atë, që na shton vlerat dhe virtytet? Përgjigja është shumë e qartë: ose ne nuk dimë aspak për këto vlera, dhe si rrjedhojë nuk kemi ndjeshmëri ndaj tyre, apo na jepet aq pak dhe aq rrallë saqë harrojmë se Zoti i Plotfuqishëm shpërfaq shenjat e Tij të fuqishme edhe sot. Kështu që në mungesë të kësaj dije, ne nuk kushtojmë asnjë vëmendje për to, ndërsa në botën materiale çdo reklamë na shfaqet dhjetë herë në televizor apo në gazetë, dhe mendimi që duhet ta blej patjetër atë produkt na pushton mendjen. Nëse dikush e pyet: Pse të duhet kjo gjë, kur ti nuk ke të ardhura të mjaftueshme? Atëherë ai përgjigjet menjëherë: Pse, njeriu i varfër nuk ka dëshirë apo ndjenja. Pse vallë, fëmijët tonë nuk duhet të kenë dëshirë? Por pse nuk shprehin këtë këmbëngulje, kur u rrëfehen shpalljet e Zotit, që edhe ata duan të gëzojnë komunikim me Zotin, duan të shohin shenjat e Tij dhe t’u dhurohet dashuria e pashtershme të Zotit. Një ndër arsyet e mungesës së kësaj dije, është se dijetarët, misionarët dhe përgjegjësit e xhematit nuk u tërheqin vëmendjen anëtarëve ashtu siç duhet ndaj nevojës së përpjekjeve për të fituar dashurinë e Zotit, apo ata vetë nuk japin atë shembull që do t’i frymëzonte të tjerët.

Ngjarjet e jetës së Mesihut të Premtuar alejhiselam apo të sahabëve të tij, në lidhje me ndihmë dhe shenjat prej Zotit, nuk rrëfehen aq dendur apo në mënyrë bindëse, që Allahu nuk ka përcaktuar ndonjë kohë apo person të veçantë për shfaqjen e atributeve të Tij, përkundrazi atributet e Tij shfaqen edhe sot, sikur janë shfaqur përpara. Nëse kjo çështje të trajtohet në mënyrë të përsëritur, dhe të paraqiten edhe metodat e lidhjes me Zotin, të rrëfehen premtimet që Zoti i ka bërë Mesihut të Premtuar alejhiselam, atëherë fëmijët dhe të rinjtë nuk do të pyesnin se përse Zoti nuk u përgjigjet lutjeve tona. Nëse do të përforcohet lidhja me Zotin e Lartësuar, atëherë besimtarit do t’i sqarohet esenca e pranimit të lutjeve dhe ai do të bëhet dëshmitar i shenjave hyjnore.

Kështu që, ka nevojë që kjo çështje të trajtohet gjerësisht në xhemat për të vendosur një lidhje të sinqertë me Zotin e Lartësuar, ne në këtë kohë patjetër duhet të lidhemi me shërbëtorin e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. Mrekullitë nuk ishin kufizuar vetëm në personin apo në kohën e Mesihut të Premtuar alejhiselam, por, Zoti i Madhërishëm shfaqet edhe sot me të gjitha fuqitë e Tij. Nëse xhemati ynë të ketë një pasion për të realizuar vepra të mira atëherë mund të formohet një shtresë e gjerë besimtarësh, gjë do të mundësojë mposhtjen e mëkateve. Është vështirë që e keqja të zhduket plotësisht, por sigurisht mund të pësojë një goditje të fortë. Pra, duke ushqyer anëtarët e xhematit me një dëshirë të thellë për të fituar Zotin, ne mund të realizojmë që pjesa dërrmuese e xhematit të përbëhet nga anëtarët të cilët kanë triumfuar mbi mëkatet.

Për këtë, misionarët, presidentët dhe përgjegjësit e xhematit duhet të veprojnë me përkushtim në fushën e tyre të veprimit. Ata duhet të bëjnë të qartë që Zoti i Madhërishëm e ka premtuar Mesihun e Premtuar alejhiselam që ndjekësit e tij do të fitojnë afërsinë e Zotit, ndërsa lutjet e tyre do të pranohen prej Tij. Është mëshira e Zotit që pjesa dërrmuese e anëtarëve të Xhematit përbëhet nga njerëz të tillë, të cilët vazhdimisht më shkruajnë mua. Unë gjithashtu kam rrëfyer ngjarje e rrëfime besimshtytëse të besimtarëve të tillë, të cilat vlejnë të imitohen. Nëse në të vërtetë, dikush dëshiron të imitojë tjetrin, atëherë kur dëgjon këto ngjarje frymëzuese, i duhet të ndjekë jetën e tyre, që të krijojë një lidhje të sinqertë me Zotin.

Mesihu i Premtuar alejhiselam ka thënë që

“të gjithë popujt që gjenden në botë, asnjëri prej tyre nuk beson në atë Zot i Cili u përgjigjet lutjeve apo i pranon. A mund të pretendojë ndonjë i krishterë që unë i besoj Jezusit si Zot, dhe ai më dëgjon lutjet dhe i pranon? Jo, kurrsesi jo. Ekzistuaka vetëm një Zot që flet, dhe Ai është Zoti i Islamit, të Cilin e paraqet Kurani. Ai thotë: اُدعونی أستجب لکمUd-uuni estexhib lekum. D.m.th. më thirrni Mua, dhe Unë do t’ju përgjigjem. Ky është një fakt që nëse dikush i beson Allahut me një dëshirë të sinqertë dhe zemër të çiltër, dhe mediton për një kohë të gjatë dhe i përmbahet lutjes, atëherë ai sigurisht do të marrë përgjigje.

Nëse këto gjëra diskutohen vazhdimisht para xhematit, atëherë sigurisht mund ta fitojnë këtë forcë, apo pjesa dërrmuese e xhematit mund ta arrijë këtë fuqi. Atyre do t’u fuqizohet vullneti aq shumë saqë mund të mposhtin mijëra mëkate dhe mund të mbrohen për gjithmonë nga sulmet e tyre. Ata do të arrijnë të krijojnë një lidhje të qëndrueshme me Allahun që nuk do të pësojë asnjë lëkundje apo luhatje. Vetë qëllimi i ardhjes së Mesihut të Premtuar alejhiselam ishte që njerëzia të ruhej nga kthetrat e mëkatit, dhe të krijohet një lidhje të fortë me Zotin e Madhërishëm që pëlqimi i Tij të kalojë çdo gjë tjetër. Adhurimi i Zotit të përjetohet si një kënaqësi e dëshirë dhe jo si një barrë e rëndë që njeriu duhet të heqë sa më shpejt.

Dua t’ju tregoj edhe disa shembuj konkretë që të kuptoni se çfarë ndryshimi i pastër ka sjellë ahmediati në jetën e njerëzve.

Misionari ynë në Kirgistan shkruan që një zotëri i nderuar Umer sahibi, i cili është 58 vjeç, kishte pranuar xhematin në 10 qershor 2002. Ai qe musliman por e mbështeste politikën komuniste. Ditën që pranoi xhematin, ai shprehu përshtypjet e tij me këto fjalë, ai shkruan: ditën që nisa letrën e anëtarësimit, është e paharrueshme për jetën time, madje atë e konsideroj si dita e ringjalljes sime. Unë kam shkuar te të gjitha shoqatat fetare, por askush prej tyre nuk arriti të më ndryshonte jetën, ndërsa pas bejtit, jeta ime shpirtërore është ndryshuar kryekëput. Para bejtit, namazi për mua ishte krejtësisht i huaj, ndërsa sot faljet e pesë vakteve janë bërë pjesë të pandashme të përditshmërisë sime, ndërkohë mungesa në namazin e tahaxhudit është mjaft e vështirë. Sot, zemra ime është plotësisht e bindur që nëse njeriu niset në kërkim të së vërtetës, atëherë sigurisht ai e gjen destinacionin e tij. Vetëm duke mbërritur atje, njeriu mund të përjetojë zhvillim të thellë shpirtëror dhe progres të gjithanshëm dhe pikërisht ky është momenti kur gjen kënaqësi shpirtërore.

Pra, këto janë ndryshime të pastra të cilat po shfaqen në zemrat e anëtarëve të rinj.

Misionari ynë nga Kotunu, Afrika shkruan që Idriso sahibi mban gradën e nënkolonelit në ushtri. Ai ka pranuar xhemat në 2013. Duke rrëfyer ngjarjen e bejtit, ai shkruan që kam lindur atë ditë, kur muslimanët kishin festën e bajramit, andaj babai im i tha dados që të ma vinte emrin e muslimanëve. Pra, është një traditë afrikane që ata vënë emrin sipas ditës kur lind fëmija. Babai im ishte pagan, por meqë ishte festa e bajramit te muslimanët, andaj babai ma vuri emrin musliman dhe tha që do më bëjnë musliman, sepse ka lindur në ditën e bajramit. Për një farë kohë shkoja nëpër xhami. Një ditë teksa po kthehesha nga xhamia, u vrava gjatë rrugës. Më pushtonte papushim një mendim, që unë edhe pse kthehesha nga xhamia, atëherë pse u plagosa. Atëherë mendova që adhurimi i Zotit nuk mban asnjë dobi, andaj lashë Islamin dhe u ktheva në fenë Krishterë. Herë shkoja në një kishë, herë në kishën tjetër, dhe vazhdimisht ndërroja sektet, ndërsa problemet e mia po rriteshin njësoj, derisa bëra debat me bashkëshorten time dhe kështu u shkatërrua plotësisht harmonia dhe qetësia familjare. Unë gjithnjë qeshë i rrethuar nga problemet që vetëm shtoheshin. Prindërit e mi, u përpoqën mjaftë për t’u gjetur zgjidhje problemeve të mia famijlare, u zhvilluan takimet dhe bisedat dypalëshe, por asnjëra nuk ia doli qëllimit. Pikërisht në këtë situatë u takova me Muhammet sahibin, i cili është një thirrës i xhematit që i fton njerëzit ndaj Islamit. Kur ai mësoi për problemet e mia, atëherë më tha: ju keni provuar mjaft metoda. U bëre musliman, u ktheve në fenë krishtere, por problemet vazhduan të të rrethonin dhe nuk u zgjidhën kurrë. U bënë përpjekje për pajtim nga familjarët, si dhe nga paria e fshatit, por asnjë prej nuk rezultoi si e dobishme. Tani, unë do t’ju tregoj një zgjidhje. Provojeni këtë dhe shikoni vetë rezultatin. Ajo është lutje, sepse argumenti i vërtetësisë sonë është pikërisht lutje, dhe ata që e ndjekin këtë besim, atyre u përgjigjen lutjet. Lutuni edhe ju për veten tuaj, ndërsa unë do të lutem për ju që Allahu i Madhërishëm t’ju pajtojë me bashkëshorten tuaj. Nëse ndodh kjo, atëherë meqë ju kam thënë për lutje, atëherë siç vetë unë jam lutur për ju, andaj nëse zgjidhen problemet tuaja, atëherë mos harroni që kjo do të jetë argument për vërtetësinë e Imamit tonë. Ai iu lut Zotit për disa ditë, dhe fal lutjes të gjitha problemet e tij një nga një morën zgjidhje, madje edhe bashkëshortja u pajtua me të. Ai rrëfen se kjo është rruga e Islamit, ku fiton Zotin dhe të pranohen lutjet. Tashmë jam bërë krejt tjetër, dhe e gjithë kjo është shenja e vërtetësisë së Mesihut të Premtuar alejhiselam, në të cilën gjendet mirësi e mbarësi. Ai është një anëtar i sinqertë i xhematit tani.

Ky shërben si mësim edhe për ata ahmedianë të cilët veten e quajnë si ahmedianë të vjetër, ndërsa shtëpitë e tyre kanë mungesën e harmonisë dhe qetësisë shpirtërore. Bashkëshorti dhe bashkëshortja nuk përmbushin të drejtat e njëri-tjetrit dhe kështu shkaktojnë përçarje dhe grindje të vazhdueshme. Ahmedianët duhet të përforcojnë besimin e tyre dhe të drejtojnë a reformojnë veprat e tyre. Të gjunjëzohen para Zotit dhe t’i binden Atij në të gjitha çështjet, atëherë të gjitha këto probleme do të gjejnë zgjidhje. Secili duhet ta provojë këtë metodë, dhe duke mposhtur një herë e mirë unin tonë, të heqim dorë nga replika e thatë dhe t’i kërkojmë ndihmë Zotit të Madhërishëm që të na udhëzojë në rrugën e drejtë.

Le t’ju rrëfej edhe disa nga shenjat hyjnore që Zoti na ka bekuar përmes Mesihut të Premtuar alejhiselam. Misionari ynë nga Tiçiman, Gana i cili banon në fshatin Korabora raporton që i erdhi një ahmedian i ri me emrin Gjibrila sahib, dhe tha se meqë është koha e mbjelljes, babai është me bindje pagane më ka kërkuar që të lutem para idhujve dhe t’u ofroj disa dhurata që të bekohen mbjelljet duke rezultuar në të lashta të mbara. Misionari ynë e këshilloi që t’i shmangej idhujtarisë dhe të largonte edhe babanë e tij nga këta idhuj. Madje ai ia mësoi edhe lutjen e istihares. Kur erdhën të korrat, atëherë të lashtat e këtij djaloshi ishin më të bollshme sesa babai i tij. Babai ishte pagan dhe duke parë që të lashtat e djalit ishin më të mira dhe më të bollshme, kuptoi menjëherë se Zoti të Cilit i besonte djali i tij, ishte i Vërtetë. Më pas, ai shkatërroi të gjithë idhujt që kishte me vete. Pra, i tillë është vendosmëria e besimit, që po ngjallet në zemrat e ndjekësve të Mesihut të Premtuar alejhiselam.

Misionari ynë nga Kenja rrëfen se një nga punonjësit e xhematit, i cili u pushua nga puna, për shkak të disa mosmarrëveshjeve, për hakmarrje, erdhi në ambientin e xhematit dhe fshehu drogë në tavanin e zyrës së tij, dhe pastaj lajmëroi edhe policinë që këtu jeton misionari ahmedian. Ai hiqet se misionari i Islamit, ndërsa në realitet merret me shitjen e drogës. Policia reagoi menjëherë dhe bëri një kontroll të menjëhershëm në zyrën e tij, dhe kur gjurmoi vendndodhjen e drogës, siç ishte njoftuar në denoncim, atëherë aty zbuloi drogën. Ata u përpoqën të shpjegonin policinë, se kjo duhet të jetë intriga e një kundërshtari. Por, policia nuk dëgjoi asgjë dhe tha që do të bëjë ndjekje penale kundër misionarit tonë. Policia e shoqëroi deri në komisariat dhe e mbajti në paraburgim. Të nesërmen çështja u paraqit në gjykatë, ndërsa gjykatësi në vend që të dëgjonte çështjen, e shtyu për një datë tjetër. Ata më lajmëruan edhe mua dhe kërkuan lutje. Ai rrëfen se në seancën e radhës, kur u paraqita përballë gjykatësit, ai më vështroi një herë, e pastaj tha: zotëri uluni. Kështu në çdo seancë, ai e shtynte për datën tjetër. Njëherë, dy ditë para seancës dëgjimore, pas faljes së sabahut, unë u luta shumë, dhe recitova Kuranin. Më shkrepi një dëshirë që të gjeja një shenjë nga Kurani, dhe fjala e parë që më binte në sy pas hapjes së Kuranit, duhet të ketë një mesazh për mua. Kur e hapa Kuranin, pashë këtë ajet

d.m.th. “O zjarr, bëhu i ftohtë dhe shpëtim për Ibrahimin!” [el-Enbija 21:70]

Kjo më qetësoi zemrën. Pas pak shkova në zyrën postare, për të kontrolluar postën, ku ndër të tjerët kishte ardhur një letër të Kalfit ku shkruhej:

“Zoti ju ruajttë nga të gjitha rreziqet dhe ju mbrojttë. Zoti i dëshpëroftë hipokritët në tinëzitë e tyre, e shpëtoftë xhematin nga çdo sprovë dhe i dhëntë progres të gjithanshëm.”

Duke lexuar këtë letër, unë fitova një bindje të patundur që Zoti do të tregojë mrekullitë, dhe këtë myzhde e ndava edhe me disa shokë të mi. Pra, kur u paraqita në gjykatë, atëherë gjykatësi ashtu si më parë, më tha që të ulesha, e pasi që bisedoi me avokatët, më tha që jeni i lirë. Shkoni dhe vazhdoni punën tuaj. Nuk ka asnjë çështje kundër jush.

Pra, nëse besimi është i patundur, atëherë njeriu beson në mrekullitë dhe fuqitë e Zotit. Ai vetëm shpreson tek Allahu dhe Ai tregon shenjat e Tij. Këto çështje jo vetëm që na forcojnë besimin, na kontrollojnë veprat, por u japin shtytje të fortë edhe të tjerëve drejt besimit. Kjo është ai qëllim madhor, të cilin duhet të përvetësojmë.

Parimi i dytë i rëndësishëm në reformën e veprimit është fuqia e dijes e njohurisë. Edhe pse këtë çështje kam trajtuar më parë, por dua ta përsëris. Më parë kam treguar gabimin e njerëzve që kujtojnë se janë disa mëkate të mëdha dhe disa të vogla, dhe ato që janë të vogla janë të papërfillshme. Ata kujtojnë se kryerja e mëkateve të vogla nuk sjell ndonjë dëm të madh, dhe nuk do t’u kërkohet llogari për to. Pra, njeriu vetë krijon iluzione dhe keqkuptime.

Në hytben e para dy xhumave, ju kisha tërhequr vëmendje se ata që vijnë këtu dhe kërkojnë azil në Angli, nganjëherë me dëshirë që kërkesa e tyre të aprovohet lehtësisht, trillojnë ca gjëra të paqena, dhe duan të përfitojnë nga gënjeshtra, në fakt ata vetë e prishin çështjen e tyre. Madje, jo vetëm që e prishin kërkesën e tyre, por e dëmtojnë edhe imazhin e xhematit. Dikush që ka aplikuar për azil këtu,  më rrëfeu se pasi që dëgjoi hytben, ai menjëherë shkoi te avokati, i cili është anëtar i xhematit, madje ka edhe një përgjegjësi në xhemat, dhe shpresoj që edhe ai e kishte dëgjuar atë hytbe, tani ky avokat gjatë përpilimit të dosjes kishte shtuar ca elemente të pavërteta. Madje, ky avokat i kishte thënë azilkërkuesit që këto elemente duhet përfshirë patjetër, edhe pse nuk kishte asnjë lidhje me realitetin. Avokati i kishte thënë se po nuk shtohen këto fakte, dosja mbetet e pavlefshme. Ndonëse, unë kisha sqaruar qartë se asnjë anëtar nuk duhet të përdorë gënjeshtra apo trillime. Shtypja e Ahmedianëve është aq e qartë, saqë të gjithë e pranojnë si fakt, dhe nuk ka më nevojë për dinakëritë dhe tinëzitë e një avokati.

Andaj, misionarët dhe përgjegjësit gjithashtu duhet të tërheqin vëmendje dhe të këshillojnë për t’iu shmangur gënjeshtrës. Ne vazhdimisht duhet të themi që nuk ka mëkat të vogël apo mëkat të madh. Mëkati është mëkat, dhe duhet të ruhemi prej tyre. Çdo gënjeshtër është gënjeshtër, dhe do të ruhemi nga shirku i gënjeshtrës. Nëse kemi lidhje të fortë me Zotin, atëherë nuk mund të kemi asnjë shqetësim. Shenjat do të shfaqen dhe njeriu do të shikojë mbështetjen e Zotit.

Edhe predikuesit që predikojnë për rëndësinë e këtyre çështjeve, duhet të jenë të vetëdijshëm dhe të ndërgjegjshëm për gjendjen e tyre. Ata vetë duhet të përpiqen për të gjetur shkallët më të larta të vullnetit, dhe jo vetëm kaq, fjalët dhe veprat e tyre duhet të sinkronizojnë me njëra-tjetrën. Mos qofshin prej tyre që thonë ndryshe, ndërsa veprojnë ndryshe. Madje, edhe gjatë mësimeve në xhemat, duhet tërhequr vëmendje ndaj përpjekjeve për të forcuar besimin, për të përmirësuar gjendjen e veprimit dhe për të larguar mangësitë e dijes.

Pra, nëse secili do të nisë punën në fushën e tij të veprimit, atëherë ne mund të shikojmë një ndryshim të qartë. Në këtë kohë, kur fëmijët ekspozohen para disa veseve, në emër të njohurisë, sistemi ynë duhet të veprojë më fort për të njohur fëmijët dhe të rinjtë nge realiteti i tyre. Prindërit duhet të informohen nga pasojat e këtij informacioni, të cilin fëmijët e tyre marrin në shkollë. Prindërit duhet të jenë të mirinformuar, që të ruhen vetë dhe të ruajnë edhe fëmijët e tyre. Këtu, fëmijëve u mësohen disa gjëra të panevojshme në moshë shumë të vogël, me argument që të jenë të aftë për të bërë dallim, midis të mirës dhe të keqes. Në realitet, fëmijët nuk arrijnë të bëjnë këto dallime, por përkundrazi ata që në atë moshë mbruhen me një prirje të gabuar, sepse kanë më pak modele të mira, ndërsa në përgjithësi prindërit si dhe ambienti e tyre u ofron më shumë modele të këqija.

Andaj, misionarët, përgjegjësit e xhematit dhe të organizatave simotra, dhe prindërit të gjithë duhet të bëjnë përpjekje të përbashkët që të ofrojnë njohuri dhe dije të saktë dhe të shëndoshë. Ne nuk mund të pengojmë apo të ndërhyjmë në programin e arsimit shkollor, por duke u treguar fëmijëve dallimin midis imoralitetit dhe paturpësisë, ne mund të mbrojmë fëmijët tanë nga ndikim i shoqërisë.

Allahu na mundësoftë të gjithëve që të përmbushim detyrat tona në mënyrë më të mirë.

Pas namazit, do të udhëheq dy xhenaze. Xhenazja e parë i përket znj. Nevab Bibi, e cila jetonte në Manget Oça, të krahinës Hafizabad, dhe ishte e ëma e Ihsanullah Manget sahibit misionari ynë i Gianës. Ajo ndërroi jetë më 19 janar 2014. Inna lil-lai ue inna ilejhi rraxhiun (ne jemi të Allahut dhe tek Ai do të kthehemi). Vendlindja e saj është Axhiavala, të krahinës Shekupura, ndërsa gjyshërit e saj nga nëna jetonin në Mangaet Oçe, në Hafizabad. E ndjera ishte stërmbesa e Hazret Nasir Din Manget sahib, sehabiu i Mesihut të Premtuar alejhiselam. Qe shumë mikpritëse, shpirtbutë, e dhembshur, e sinqertë dhe me tiparet fisnike. Të gjitha gratë e fshatin qofshin ahmediane apo joahmediane e respektonin shumë. Ajo sillej me një dashuri dhe dhembshuri të veçantë me misionarët. Kishte një lidhje të sinqertë me kalifat. Kishte shkruar mjaft poezi në gjuhën penxhabe në lavdi të kalifatit. E ndjera ka lënë pas tri vajza dhe tre djem. Ihsanullah Manget sahibi misionari i Gianës, në Amerikën e Jugut, për shkak të mospranisë në vendlindje, nuk mundi të merrte pjesë në xhenaze. Allahu i dhëntë durim e forcë dhe ia lartësoftë të ndjerës shkallët shpirtërore. Amin

Xhenazja e dytë i përket Shejk Abdurr Rrashid Sharma sahibit, i cili ka ndërruar jetë më 16 janar 2014 në moshën 90 vjeçare. Inna lil-lai ue inna ilejhi rraxhiun (ne jemi të Allahut dhe tek Ai do të kthehemi). Ai ishte i biri i Shejk Abdurr Rrahim Sharma sahibit, sehabiu i Mesihut të premtuar alejhiselam, dhe vëllai i Movli Abdul Karim Sharma sahibit i cili ka shërbyer këtu në Angli për një kohë të gjatë. Ai pati mundësi për t’i shërbyer xhematit në Shikarpur për një periudhë gjysmë shekullore. Para ndarjes së Indisë, ai punoi edhe në fabrikën e Hazret Mirza Shareef Ahmedit r.a. në Kadijan me një përkushtim të madh. Përmbushi edhe porositë e Kalifit II r.a. në kohën kur u formua shteti i Pakistanit. Asokohe në atë vend, nuk kishte ndonjë tregti të mirëfilltë, andaj duke ndjekur porosinë e babait tim, sahibzada Mirza Mansur Ahmed, ai u vendos në Shikarpur, ku i ishte caktuar një fabrikë. Ai kërkoi anëtarët e xhematit atje dhe themeloi xhematin. Ai u emërua presidenti i parë i këtij xhemati dhe më vonë arriti të ndërtonte një xhami të bukur në kopshtin e kësaj fabrike. Kalifi IV r.a. e caktoi amirin e katër krahinave: Suker, Shikarpur, Xhekeb Abad dhe Gotki. Bashkëshortja e tij ndërroi jetë në 1982, dhe kështu ai kaloi 31 vjet me durim dhe kurajë. Në 1995, djali i tij Muzafer Ahmed Sharma u martirizua në Shikarpur. Pastaj në 1997, edhe djali i tij i madh Mubarak Ahmed Sharma u martirizua në gjatë trazirave, por e gjithë kjo nuk solli asnjë lëkundje në besimin e tij. Ai qe njeri trim dhe i guximshëm dhe mbeti gjithnjë mirënjohës ndaj Zotit. Një herë një protestë e kundërshtarëve të Xhematit lëvizte në drejtimin e shtëpisë dhe fabrikës së tij. Ai doli i vetëm në përballje të kësaj proteste, ndërsa policia rrinte aty për sehir. Ai e kapi hoxhën që e udhëhiqte atë turmë. Duke parë këtë, e gjithë protesta u hallakatua rrugëve. Ky guxim i habiti edhe personat e policisë, të cilët shpesh e pyesnin sesi arriti ai t’i ndalonte ata. Pastaj ai u shpërngul në Islamabad. Kishte një lidhje shumë të përkushtuar me kalifatin dhe gjithmonë  kryesonte në sakrificat financiare, madje paguante kontribute edhe në emër të paraardhësve të tij. Ai kontribuoi bujarisht në mjaft xhami të Pakistanit. Ishte pjesëtar i sistemit të testamentit dhe të gjithë kuotën vjetore, të cilën e kishte paguar gjatë gjithë vitit, ai e paguante në fillim të vitit financiar. Ai ka lënë pas pesë vajza dhe pesë djem. Një vajzë dr. Laika Fozia jeton në Nigeri bashkë me bashkëshortin e saj dr. Malik Mudathir Ahmed, që të dy këta kanë dedikuar jetën e tyre. Po kështu nipi i tij Suhejl Mubarak Sharma është misionar, dhe tashmë është edhe kryetar i organizatës Khudamul Ahmedia të Pakistanit. Allahu ia lartësoftë të ndjerit shkallët shpirtërore dhe u mundësoftë evlatërve të tij, që të ndjekin gjurmët e tij dhe të ruajnë këtë lidhje besnikërie me fisnikëri. Amin

 

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp