Reformimi i vetvetes me vendosmëri, besim dhe riaftësim
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Reformimi i vetvetes me vendosmëri, besim dhe riaftësim

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Pas recitimit të teshahudit, t’auidhit dhe të sures El-Fatiha, Hazret Mirza Masrur Ahmedi, Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht, tha:

Reforma praktike arrihet përmes forcës së vullnetit, dijes së saktë e të plotë dhe forcës së veprimit

Në hytben e kaluar kam folur për pengesat që hasen gjatë reformës praktike, pengesat që vazhdimisht e tërheqin njeriun mbrapa dhe kam folur se cilat janë mjetet që mund t’i përdorë njeriu për t’i larguar ato. Kisha thënë se nëse njeriu fiton forcën e vullnetit, dijen e saktë e të plotë dhe forcën e veprimit, atëherë mund të luftojë me veset, pengesat që has në mes gjatë reformimit të vetvetes. Sepse, njeriu tregon dobësi në vepra atëherë kur nuk ka forcën e vullnetit, ose kur nuk di se cilat janë veprat e mira e cilat janë të këqijat ose kur forcën e veprimit e ka kaq të dobët saqë nuk mund ta bëjë qëndresën e duhur përballë ligësisë. Kështu që, është shumë e rëndësishme që të forconi vullnetin, ta plotësoni mungesën e dijes dhe ta fitoni forcën e veprimit. Për sa i përket forcës së veprimit, atë mund ta fitojë njeriu vetë, me përpjekjet e tij, por në disa raste i duhet edhe ndonjë mbështetje e jashtme. Pra, këto gjëra ju kam treguar në fjalimin e kaluar. Sot do ta shtjelloj këtë temë më gjerë, me disa shembuj, siç ju kam thënë edhe në fjalimin e kaluar që ka nevojë që kjo temë të shtjellohet gjerësisht.

Forca e vullnetit është besimi

E kemi kuptuar që e para nga tri gjërat që i duhen njeriut për reformën e tij praktike, është forca e vullnetit. Çfarë do të thotë forca e vullnetit? Disa prej nesh edhe mund të çuditen nga kjo pyetje duke kujtuar se përgjigjja dihet nga gjithkush. Gjithë dinë se vullneti ose forca e tij është këmbëngulja e njeriut për të arritur një punë të caktuar. Por unë dua të lexoj një fragment nga shkrimet e Hazret Kalifit të Dytë të Mesihut të Premtuar, në të cilin ai e sqaron shumë bukur se kuptimi i forcës së vullnetit ndryshon në bazë të veprimit që bën njeriu. Kjo është një pikë themelore, të cilën mund ta praktikojmë vetëm nëse e dimë. Pra ne duhet të dimë se në çështjet fetare cila është forca e vullnetit?

Në çështjet e fesë forca e vullnetit, në fakt, është besimi. Forca e veprimit gjithmonë rritet në bazë të rritjes së besimit. Nëse njeriu ka besimin e fortë, pra ka lidhje të fortë me Zotin e Madhërishëm, edhe punët e tij realizohen rrjedhshëm. Ai e kalon çdo vështirësi përmes ndihmës së Zotit. Besimi i flak në ajër pengesat apo vështirësitë që njeriu has gjatë reformës praktike. Këto nuk janë thjesht mendime, por ne kemi parë vetë shembuj praktikë të këtij fakti. Kur i hedhim një sy kohës së Profetit Muhammed s.a., befasohemi duke parë dallimin e madh në  gjendjen e sahabëve të tij para dhe pas besimit. Kush ishin ata që e pranuan Profetin Muhammed s.a.? Cila ishte gjendja e tyre për nga veprat? Historia na dëshmon se prej atyre që pranuan Profetin s.a. ishin edhe të tillë, të cilët më përpara ishin vjedhës; ishin edhe grabitës; ishin edhe imoralë; ishin edhe të tillë të cilët nuk ngurronin të martoheshin me nënat e tyre, ose t’i ndanin ato në mes vete si pronë të tyre; ishin edhe të tillë të cilët vrisnin vajzat e tyre; ishin edhe kumarxhinj që gjatë gjithë kohës me kumarin merreshin; ishin edhe pijanecë, madje pijanecë të pakundshoq. Pijanecët krenoheshin për vesin e tyre. Bënin garë se kush mund të pinte më shumë se tjetri. Një i tillë që ishte edhe poet, në një varg të tij krenohet duke thënë se unë jam ai që pi gjatë natës sa herë që më del gjumi, ndërsa ujin s’prek fare. Po kështu, edhe kumarxhiu krenohej për kumarin e tij duke thënë se unë jam ai që derdh gjithë pasurinë në lojë, dhe derdh edhe atë që fitoj. Sot, ndoshta edhe kumarxhiu më i madh nuk deklaron një gjë të tillë kaq hapur. Pra, kjo ishte gjendja e tyre. Por historia na dëshmon edhe faktin që të njëjtët kur e pranuan Profetin Muhammed s.a. si u ndryshoi tërësisht kjo gjendje?! Si ata sollën vallë, një revolucion në jetën e tyre?! Çfarë force të paparë ata fituan në vullnetin e tyre falë besimit?! Befasohemi! Si u arrit gjithë ky revolucion në një periudhë kaq të shkurtër? Sapo e pranuan besimin, ata morën vendimin që tashmë do ta fuqizonin e forconin zemrën për të vepruar sipas besimit. Ata ishin të vendosur që tani e tutje nuk do të bënin asnjë hap kundër porosive të Zotit të Madhërishëm. Ata ishin të vendosur për të pranuar si fjalë të fundit çdo porosi të Profetit Muhammed s.a.. E ata ishin aq të fortë e të palëkundur në këtë vendimmarrje, saqë dobësia e veprave të tyre u zhduk përballë vendimit të tyre. Ata ishin të gatshëm edhe për të pranuar vështirësitë nga më të rrezikshmet dhe jo vetëm që u treguan të gatshëm, por pikërisht falë forcës së vullnetit, arritën t’i flaknin dobësitë e tyre tej e tutje, ashtu siç flak një lumë i furishëm një fije bari.

Dëmi i vesit të konsumimit të alkoolit

Fola për alkoolin pak më sipër duke treguar sesi arabët e pinin dhe sa shumë krenoheshin për këtë. Çfarë i bën alkooli njeriut? Njerëzit e këtyre vendeve gati përditë shohin shembuj të pijanecëve nëpër rrugë. Një pijanec vërtitet edhe në rrugët e xhamisë sonë, të xhamisë Fadl, dhe ai përherë mban vetëm kanaçe alkooli në dorë. Jeton në rroba të leckosura, por blen alkool. Më thanë se ai është njeri i shkolluar dhe dikur ka qenë inxhinier. Sidoqoftë, tani edhe për shkak të moshës nuk bën ndonjë punë. Gjithë ndihmën që merr nga Bashkia, e harxhon për të blerë pije alkoolike. Kalon jetën rrugëve. Alkooli ia dëmtoi atij edhe aftësinë mendore. Është thuajse i sakatuar, i gjorë. Kur është në gjendje të dehur, njerëzit kanë frikë nga ai. E kam parë edhe vetë shumë herë, ai ndalon gratë që ecin në rrugë. Ndërsa gratë, edhe pse jetojnë në këtë shoqëri, pra janë gratë angleze, por prapëseprapë fytyrat e tyre shprehin vetëm frikë kur ndeshen me të. Pra deri në kaq ekstrem e katandisi pirja e alkoolit. Ka plotë pijanecë që, në zemërim e sipër, nuk ngurrojnë të shajnë as prindërit e tyre, të bëjnë veprime anormale.

Më kujtohet, kur isha në Ganë [Afrikë], shërbeja në një projekt bujqësor të Xhematit pranë qytetit Male. Shtëpia ku unë qëndroja nuk kishte avlli. Pra, e gjithë shtëpia ishte pa mur rrethues. Këtu zakonisht çdo shtëpi ka një avlli, ose disa kanë oborr në pjesën e pasme. Por atje shtëpia jonë nuk kishte oborr, as para e as mbrapa. Ishte një shtëpi e vogël. Përjashta parkonim një makinë. Nuk kishte as portë e as mur. Gjendja ekonomike e vendit ishte e keqe ato ditë. Shpesh bëheshin vjedhje, sidomos të gjërave që liheshin përjashta. Tashmë edhe këtu kanë filluar vjedhje, madje thyejnë edhe dyert për të vjedhur. Sidoqoftë, në atë kohë, gjendja ekonomike në Ganë ishte e rëndë dhe për këtë arsye nuk kishte paqe në vend. Unë kisha caktuar një rojë. Makina jonë, për shkak të rregullimit që kishim bërë, nuk kishte vend të posaçëm për gomë rezervë dhe për këtë arsye, gomën rezervë unë e lija jashtë makinës. I kisha thënë rojës që ta ruante gomën në veçanti, sepse shpesh i vidhnin gomat. Ai rojë pinte shumë dhe shpesh vinte në gjendje të dehur. Përpiqej ta ngrinte gomën, por rrëzohej përtokë para se t’i binte goma. Një ditë pashë që ishte i dehur aq sa ishte shtrirë barkas për tokë. Kur e zgjova filloi të fliste përçart. Unë s’i thashë gjë sepse e dija që do të fillonte të më shante edhe mua. Të nesërmen kur ai u qetësua, i thashë: nuk ke nevojë të vish më në punë. Filloi të më përgjëronte shumë. Pastaj e mbajtëm dhe, edhe ai mori mendtë dhe pinte në një kohë, që kur i afrohej orari i punës i largohej gjendja e dehur ose ndoshta kishte filluar të pinte më pak. Por, pijanecët nuk mund të përmbahen. Edhe ai, pas një farë kohe, iu rikthye rutinës së mëparshme. E kam fjalën që në gjendje të dehur njeriu nuk e mban dot nën kontroll as veten, as gjuhën. Kur i kalon ndikimi i dehjes, nëse i tregon se ke thënë kështu kështu, ai të mohon kategorikisht dhe thotë se asgjë s’kam bërë e as nuk kam thënë fjalë të tilla.

Si e larguan vesin e konsumimit të alkoolit sahabët e Muhamedit s.a. përmes forcës së vullnetit

Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar r.a. tregoi ngjarje të një personi, me të cilin ai kishte rastisur të udhëtonte bashkë në tren dhe i cili vinte nga një familje shumë fisnike, madje ishte djalë i një veziri që jetonte në Punç. Duke qenë i dehur, në atë tren ai fliste fjalë të tilla, që një njeri normal kurrë nuk mund të guxojë të flasë para të tjerëve. Hazret Kalifi i Dytë r.a. thotë:

Dehja me alkool i vë perde mendjes së njeriut duke e çmendur thuajse. Por nga ana tjetër, ne shohim një revolucion të jashtëzakonshëm të sjellë nga forca e vullnetit, të cilin disa jomuslimanë nuk arrijnë ta besojnë. Kjo forcë e vullnetit nuk ishte tjetër veçse forca e besimit, që ndjekësit e Profetit Muhammed s.a. kishin. Shembullin e saj e dëshmojmë në rrëfimin që tregon se sahabët një ditë ishin mbledhur në një shtëpi, ku të gjithë pinin, në dyert e mbyllura. Deri atëherë nuk kishte zbritur urdhri i ndalimit të pirjes së alkoolit. Muslimanët as nuk kishin ndonjë hezitim për konsumimin e alkoolit. Ai që kishte dëshirë, e pinte sa të donte dhe kështu disa njerëz edhe deheshin. Edhe në atë mbledhje, pjesëmarrësit e kishin zbrazur një shtambë të alkoolit. Shtamba e alkoolit zakonisht është disa gallonësh. Dhe po e hapnin shtambën tjetër, ndërkohë, dëgjuan lajmëtarin, i cili thoshte se i Dërguari i Allahut s.a., sipas urdhrit të Zotit, e ndaloi pirjen e alkoolit. Njëri u ngrit në gjendje të dehur dhe tha se po dëgjonte diçka rreth ndalimit të alkoolit dhe porositi shokët që të dilnin jashtë e ta verifikonin. U ngrit tjetri, i dehur edhe ai, i cili e theu shtambën e alkoolit me shkopin e tij. Kur të tjerët e pyetën se ç’po bënte dhe se së pari të verifikonte se për kë ishte urdhri, ai iu përgjigj: “Ta zbatojmë urdhrin një herë, pastaj të sqarohemi. Pra, sipas tij, derisa e kishte dëgjuar urdhrin e Profetit Muhammed s.a., puna e parë ishte zbatimi i tij, e pastaj do të lindte pyetja se cilat ishin kufizimet e urdhrit. Pra, ky është ai dallim i madh që shohim midis sahabëve të Profetit s.a. dhe të tjerëve.

Kam folur pak më parë se sa shumë degradohen ata që pinë alkool. Po t’i merrni gotën e rakisë ndonjë alkoolisti, ai bëhet gati edhe për t’ju vrarë. Ngjarje të tilla shpesh ndodhin këtu nëpër klube e bare. Vetëm para pak ditësh gazetat kishin një lajm të tillë që një i dehur në një klub kishte vrarë dikë. Alkoolistët, madje, bëhen agresivë edhe sikur të dëgjojnë ndonjë fjalë kundër dëshirës së tyre. Pra, ata nuk e kanë normale as aftësinë mendore e as gjuhën. Nuk duan t’ia dinë as për prindërit. Bëjnë veprime në mënyrë të pakontrolluar. Në gjendje të dehur, atyre nuk u intereson as ligji e as nuk kanë frikë nga dënimi. Por, te sahabët e Profetit s.a. shohim që forca e vullnetit të tyre e mbizotëroi gjendjen e tyre të dehur. Edhe pse ishin të dehur, kishin përfunduar një shtambë dhe ishin gati të hapnin shtambën tjetër, u bie në vesh zëri i lajmëtarit i cili thotë se Profeti Muhammed s.a. mori urdhrin prej Zotit që pirja e alkoolit tashmë është e ndaluar, dhe dehja e tyre zhduket përnjëherë. Ata së pari e thyejnë shtambën e pastaj verifikojnë nga lajmëtari për detajet e urdhrit. Kjo nuk kishte ndodhur në një shtëpi, e as me disa njerëz. Thuhet se në shumë shtëpi të Medinës kishte plotë alkool dhe në shumë prej tyre, njerëzit e pinin, por sapo u përhap lajmi i zbritjes së këtij urdhri, kaq shumë shtamba janë thyer saqë nëpër rrugicat e Medinës alkooli derdhej si uji. Çfarë force befasuese është kjo?!

Forca e plotë e vullnetit sjell reformen praktike

Hazret Kalifi i Dytë r.a. vijon:

Kjo forcë e vullnetit është e tillë që asgjë nuk mund të qëndrojë si pengesë përballë saj. Forca e vullnetit e përfshin gjithçka. Ata që janë të pajisur me këtë forcë, janë aleksandër të botës shpirtërore. Kudo që shkojnë e ngado që kthehen, shejtani vazhdon të dorëzohet para tyre. Edhe malet e vështirësisë t’ju vijnë përballë, do të çahen para tyre sikur të jenë një copë djathi.

Pra, nëse do të fitoni këtë lloj force të vullnetit e këtë lloj besimi, atëherë nuk ka nevojë të përdorni mjete të tjera për reformën praktike. Revolucioni i reformës praktike i shkaktuar para 14 shekujsh nga forca e vullnetit ishte aq i gjerë që nuk mund t’ia gjejmë shembullin me përmasa të tilla askund tjetër në botë. Kjo është befasuese. Disa shembuj të tij e gjejmë edhe tek ndjekësit e shërbëtorit të vërtetë të Profetit Muhammed s.a., pra te sahabët e Mesihut të Premtuar a.s. Pirja e duhanit edhe pse nuk është haram (e ndaluar), Mesihu i Premtuar a.s. e quan të papëlqyeshme dhe në një vend tha: “Po të ekzistonte pirja e duhanit gjatë kohës së Profetit Muhammed s.a., mbase ai do ta ndalonte”. Pra duhani është gjithsesi një ves dhe krijon varësi te njerëzit. Gjatë një udhëtimi, Mesihu i Premtuar a.s. kur kishte shprehur pakënaqësinë e tij ndaj duhanit, sahabët e tij që kishin duhanin tradicional, e thyen dhe nuk iu afruan më pirjes së duhanit ndonjëherë. Sipas tyre, pasi vënë re pakënaqësinë e Mesihut të Premtuar a.s., nuk u shkonte mendja fare te duhani. Disa të tjerë të kohës së Mesihut të Premtuar a.s. ishin të përfshirë në vese të tjera, por pas pranimit të Ahmediatit, edhe ata hoqën dorë nga ato. Madje ishte edhe i tillë që nuk duronte dot pa konsumuar alkool, por pasi u bë ahmedian, edhe ai hoqi dorë nga alkooli.

Pra, edhe ne duhet të japim shembuj të tillë. Për të hequr dorë nga të këqijat, nuk duhet të kemi nevojë për frikën ndaj ligjit, ndaj shoqërisë apo ndaj prindërve. Por ne duhet t’i largojmë të këqijat nga vetja për shkak se Allahu i Madhërishëm dhe i Dërguari i Tij na kanë ndaluar nga ato ose, në këtë kohë, Mesihu i Premtuar a.s. na ka ndaluar nga ato.

Njerëzit nuk mund t’i shpëtojnë konsumimit të alkoolit pa forcën e vullnetit

Në vendet islamike alkooli nuk shitet hapur. Për Pakistanin e di që ligji e ndalon, por njerëzit fshehurazi bëjnë raki të ndryshme që pinë dhe ato dehin edhe më shumë. Ndërsa shtresa e pasur e njerëzve siguron me mjetet e tyre edhe pije të shtrenjta alkoolike. Përveç kësaj, kam parë që studentë nëpër universitete konsumojnë shurupe me përbërje alkooli, sidomos shurupe për kollë dhe gjejnë kënaqësinë e tyre në këtë mënyrë. Ato ua dëmtojnë shumë shëndetin, sepse ato kanë edhe ilaçe të tjera. Në shoqëri të tillë, ahmedianët duhet ta mbrojnë veten, duke e forcuar edhe më shumë forcën e vullnetit të tyre. Tani edhe këtu në vendet europiane, përveç dehjeve të tjera, njerëzit shërbehen me dehje tradicionale të quajtur “shishe” nëpër restorante që janë shumë të rrezikshme, sidomos në restorantet muslimane. Po ashtu edhe në Amerikë shërbehet një lloj dehje me emrin “huka”. Më thanë se edhe këtu disa djem e vajza e përdorin “sheesha” duke nxjerrë justifikime se ajo nuk i deh, ose nuk u bën dëm nëse e pinë nga pak. Mbani mend! Ky konsum i herëpashershëm do t’ju shpie një ditë në dehje të mëdha aq thellë, saqë nuk mund t’ia dilni dot. Pra, që tani duhet të punoni me forcën e vullnetit tuaj dhe të shpëtoni nga kjo ligësi. Kthehuni te besimi juaj, sepse vetëm afshi i besimit mund t’jua dhurojë forcën e vullnetit, ju bën të merrni vendime madhore, siç e kemi dëshmuar në jetën e sahabëve. Përndryshe, vetëm ligji nuk është i mjaftueshëm të krijojë pengesa të duhura për njerëzit që janë të përfshirë në këto vese. Siç ju kam treguar për Pakistanin, një vend ku ka edhe ligj për ndalimin e alkoolit, dhe alkooli as nuk gjendet lehtë, prapëseprapë njerëzit e gjejnë me rrugë të tjera dhe e pinë. Ishte bërë një përpjekje edhe në Amerikë dikur kur u ndalua shitja e alkoolit në mënyrë të hapur. Njerëzit gjetën një mënyrë tjetër. Filluan të konsumonin alkoolin (spirit) që përdoret nëpër klinika. Dëmet e këtij lloj alkooli janë shumë të mëdha. Në Amerikë njerëzit vdisnin nga konsumimi i tij. Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar r.a. thotë se ngaqë ata nuk kishin forcën e besimit, ligjet e shtetit nuk u hynë në punë dhe aq shumë të varur ishin nga dehja, saqë e dëmtonin veten duke konsumuar alkoolin që përdoret nëpër spitale. Më pas, qeveria bëri ndryshime në këtë ligj dhe lejoi të pinin alkool vetëm me rekomandimin e mjekut. Ky ndryshim solli një tjetër rezultat. Mjekët filluan të lëshonin certifikata të panevojshme në këmbim të parave. Sidomos ata mjek që nuk u ecte puna, gjetën një rrugë të mirë të mitmarrjes duke u lëshuar certifikata atyre që donin të pinin alkool me çdo çmim. Më në fund erdhi një kohë kur ligji u gjunjëzua para ligësisë dhe tanimë alkooli shitet në çdo vend me kushtin e moshës së lejuar. Mosha e lejuar diku është 21 vjeç, diku 18 dhe diku, siç thonë, edhe fëmijët nën moshën 18 vjeçare nëse janë të shoqëruar me ndonjë të rritur, mund të blejnë pije të caktuara alkoolike. Këto janë justifikime për t’i vënë perde pamundësisë së ligjeve të tyre. Sa më shumë që po zhvillohen këto vende, aq më shumë po kalohen ligje, të cilat u hapin shteg ligësive të ndryshme. Kur nuk arrijnë ta ndalin ligësinë, i zbusin ligjet që ajo të përhapet. Por në porositë e Zotit të Madhërishëm ligësia gjithnjë mbetet ligësi. Zoti nuk është i varur nga pëlqimi ynë, përkundrazi duhet të jemi ne plotësisht të varur nga porositë e Tij, nëse duam ta bëjmë reformën e veprave tona. Kjo reformë do të vijë në jetë atëherë kur edhe gjendja jonë e besimit do të jetë e shkallës më të lartë. Nga populli, të cilin bota e zhvilluar e sotme e quan të prapambetur e analfabet, kishin dalë edhe njerëz të tillë, të cilët me afshin e besimit të tyre, e flakëruan dehjen, e bënë reformën e veprave, vendosën flamurin e epërsisë së tyre në një botë të tërë dhe arritën t’i prinin asaj në gjurmët e tyre. Pra, jini të qartë që në çështjet fetare forca e vullnetit është pikërisht forcimi i besimit, që ju mban të qëndrueshëm për të bërë vepra të mira dhe ju liron nga ligësitë.

Rëndësia e forcës së dijes

Bashkë me forcën e vullnetit, siç ju kam treguar më përpara, duhet ta kemi edhe forcën e dijes. Dobësitë që shfaqen në vepra për shkak të mosdijes, largohen vetëm nga forca e dijes. Një shembull i thjeshtë i kësaj është i fëmijës që nga mosdija fillon të bëjë veprime që i bëjnë dëm. Disa fëmijë priren të hanë dhe, sepse nuk dinë dëmin e veprimit të tyre. Vetëm kur mësojnë për të, përpiqen të frenohen. Për shembull, një vajzë që njoh shkulte flokët e saj gjatë gjumit. E plagoste veten. Tani, duke u rritur po kupton se ky veprim është i dëmshëm për veten e saj dhe po përpiqet të heqë dorë nga ai. Pra, kur njeriu fiton dije, i largon vese të tilla. Në të njëjtën mënyrë, ai që ka pak frikë ndaj Zotit të Madhërishëm, nëse e ndërgjegjësojmë siç duhet për mëkatin dhe mospëlqimin e Zotit të Madhërishëm, edhe ai shpëton nga mëkati.

Rëndësia e forcës së veprimit

Së treti, reforma praktike nuk realizohet edhe atëherë kur ka mungesë të forcës së veprimit. Disa njerëz ndoshta mendojnë se po përsëriten këto gjëra. Padyshim që këto po përsëriten, por po përmenden nga këndvështrime të ndryshme, në mënyrë që t’i kuptoni. Duhet ta dini se edhe mungesa e forcës së veprimit ka disa arsye. Njëra prej tyre, për shembull, është shprehia ose zakoni. Një njeri mund të ketë edhe forcën e vullnetit, edhe dijen, por për shkak të shprehisë së tij nuk largohet dot nga ligësitë dhe kështu tregohet i dobët në reformën praktike. Ose një tjetër që di se si mund ta gjejë afrimin me Zotin, por dashuria e tij ndaj ndjenjave të veta ose frika nga dëmi material e mbizotërojnë dhe e privojnë nga afrimi me Zotin e Madhërishëm. Njerëzit e tillë, në vend që të kërkojnë ilaçin brenda vetes së tyre, duhet ta kërkojnë jashtë saj, sepse vetëm me ilaç të jashtëm atyre mund t’u përmirësohet forca e veprimit. Ata kanë nevojë për mbështetje të duhur dhe përmirësohen vetëm kur e gjejnë atë. Prandaj, u duhet të kërkojnë mbështetjen e përshtatshme për të sjellë reformë në jetën e tyre. Një njeri që di paraprakisht që, nëse bën mëkat, e kap zemërimi dhe mospëlqimi i Zotit, atëherë këshillat tona për t’i ngjallur atij frikë ndaj Zotit ose dëshirë për ta fituar afrimin me Zotin, nuk do të sjellin asnjë dobi. Sepse këto gjëra ai i di. Ai e ka edhe forcën e vullnetit, por jo të plotë. Ai e ka dijen, por dashuria dhe frika ndaj Zotit nuk i bëjnë ndonjë ndikim, për shkak se i është ndryshkur zemra. Në rastin e tij, duhet diçka tjetër. Ai nuk i druhet Zotit sepse nuk arrin ta shoh Atë. Njeriu i tillë zakonisht u druhet disa njerëzve të caktuar. Prandaj, influenca e një personi tjetër ose e  diçkaje tjetër materiale, mund të sjellë reformë tek ai, me kusht që ajo “influencë” t’i mos i imponohet me frymë politike, siç i imponojnë frikëra njerëzit dhe ligjet e botës së sotme materiale.

Sidoqoftë, njerëzit e të tria llojeve ekzistojnë dhe ekzistojnë edhe sëmundje të tilla shpirtërore. Ka të tillë që janë të dobët në vepra për shkak se besimi i tyre nuk është i plotë. Ka edhe të tillë që janë të dobët në vepra, për shkak se nuk kanë dije të plotë. Dhe ka edhe të tillë që kanë edhe besim, edhe dije, por për shkak të ndikimeve të jashtme ata janë ndryshkur kaq keq, saqë të dyja forcat e përmendura nuk u mjaftojnë dhe u duhet një ilaç i jashtëm, një mbështetje e jashtme, siç i jepet mbështetje një kocke të thyer me allçi nga jashtë, që ajo të forcohet. Disa herë vendosen edhe hekura duke operuar trupin, në mënyrë që kocka të marrë veten. Dhe shohim që dalëngadalë kocka lidhet përsëri e forcohet siç ishte më parë dhe atëherë, hiqen mbështetjet që ishin vënë. Në të njëjtën mënyrë, disa njerëz kanë nevojë për mbështetje për një kohë të caktuar që ata ngadalë-ngadalë të rimarrin veten e të forcohen gjersa të aftësohen për t’i larguar dobësitë e tyre në vepra.

Përgjegjësit e Xhematit duhet të kontribuojnë në reformën praktike të anëtarëve

Siç ju kam thënë edhe në hytben e kaluar që sistemi i Xhematit tonë, përgjegjësit e Xhematit tonë, organizatat tona ndihmëse të luajnë rolin e tyre për t’u bërë mjete të largimit të këtyre dobësive në vepra. Por, nëse përgjegjësit vetë nuk kanë forcën e duhur të vullnetit, nuk kanë dijen e plotë ose e kanë të dobët forcën e veprimit, si mund të bëhen mbështetje për të tjerët?! Prandaj, për përparimin e Xhematit ka nevojë që të kontrollohet çdo element i sistemit, madje çdo ahmedian të analizojë veten e tij e të bëjë reformën e duhur dhe të bëhet gati për t’u bërë mbështetje për shokët e të afërmit e tij që janë të dobët, në mënyrë që çdo individ i Xhematit të aftësohet për të arritur nivele të larta të reformës së veprimit e kështu të arrijë të fitojë afrimin me Allahun e Madhërishëm. Allahu na e mundësoftë gjithë neve këtë gjë.

(Në fund të fjalimit Hazuri njoftoi Xhematin me lajmin trishtues të martirizimit të Arsalan Sarwarit, i cili ishte nga Rawalpindi i Pakistanit. Hazuri tha se do të udhëheqë namazin e xhenazës së tij gaib, pas namazit të xhumasë. Ahmediati në fisin e tij ka ardhur përmes babait dhe gjyshit të tij, të cilët e pranuan Xhematin Ahmedia në vitin 1973, gjatë kohës së Kalifit të Tretë, kurse nëna e tij është ahmediane e lindur. I dashur Arsalan Sarwari u martirizua më 14 janar. Ai ishte 17 vjeç dhe ishte student i inxhinierisë në Islamabad. Natën e 13 dhe 14 janarit, Arsalani ishte i angazhuar me dy shokët e tij joahmedianë në zbukurimin e rrugicës së tyre me rastin e kremtimit të ditëlindjes së Profetit që bëhet më 12 të muajit Rabi-ul-Awal. Ndërkohë një makinë dhe një motor erdhën dhe ndalën në fund të rrugicës. Dy njerëz dolën nga makina dhe morën një qese me ngjyrë të bardhë nga kazani i plehrave. Arsalani dhe dy shokët e tij i vunë re dhe menduan se duhet të ishin njerëz të dyshuar. Vendosën të zgjonin njerëzit e tyre të mëdhenj. Arsalani bërtiti për t’u sjellë në vëmendje gjithëve. Ndërkohë një tjetër njeri doli nga makina dhe në fillim qëlloi dy apo tri herë në ajër. Djemtë vrapuan në drejtimin tjetër duke bërtitur. Njeriu i ndoqi dhe i qëlloi tri ose katër herë. Arsalani gjendej në mes të dy shokëve të tij gjatë vrapit. Duke vrapuar, një herë ai ktheu kokën dhe pikërisht në atë moment atë e qëlloi një plumb në kokë, duke e rrëzuar përtokë. Edhe shokët e tjerë u shtrinë në tokë por mbrapa makinave që ishin të parkuara atje. Sulmuesit u larguan. Spitali ishte afër nga vend ngjarja dhe Arsalani menjëherë u çua atje. Mjekët bënë çmos për ta shpëtuar jetën e tij edhe pse ata kishin thënë paraprakisht që ishte e vështirë të mbijetonte, sepse plumbi e kishte qëlluar në tru. Pas tri orësh, Arsalani ra dëshmor.

Arsalan Sarwar ishte një djalë shumë i dashur. Shumë jo ahmedianë morën pjesë në varrimin e tij dhe shprehën ngushëllimet e tyre. Me bekimin e Zotit ai kishte bërë edhe vasijat (kishte bërë testamentin që një e 10-a e të ardhurave të tij t’i shkojë Xhematit për rrugën e Zotit). Ai vasijatin e kishte bërë që në moshën 14 vjeçare dhe aktualisht shërbente në Khuddam (organizatën e të rinjve të Xhematit). Ai ishte shumë aktiv edhe atëherë kur ishte tifl (kur bëhej pjesë në Atfalul Ahmadiyya, organizatën e fëmijëve të Xhematit). Edhe vëllezërit e tij i shërbejnë Xhematit. Kaid sahibi (kryetari i të rinjve të Xhematit) i rrethit Rawalpindi thotë se Arsalani dhe vëllezërit e tij janë anëtarë aktivë të Xhematit. Ata dhanë shërbimet e tyre si rojë dhe po ashtu shërbyen edhe në pozita të tjera. Misionari i Xhematit tonë të Rawalpindisë thotë se Arsalani shpesh vinte në zyrën e tij për të lexuar librat e Mesihut të Premtuar a.s., ishte shumë i rregullt në faljen e namazeve dhe i falte me shumë emocione dhe me bekimin e Zotit ishte shumë i rregullt edhe në kontributet e tij financiare. Ai la pas babanë të nderuar Muhammed Sarwar, i cili është sekretar për tablig (përhapjen e mesazhit) të lagjes së vet, nënën, të nderuar Ishret Pervin dhe tre vëllezërit e tij, Jasrin që është në Gjermani, Naserin që është në Amerikë dhe Muhammedin që është në Rawalpindi. Zoti u dhëntë durim gjithë të afërmve të tij.)

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp