Analiza e vetvetes dhe vetëreformimi
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Analiza e vetvetes dhe vetëreformimi

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Pas recitimit të suresë El-Fatiha, Hazret Mirza Masrur Ahmedi, Kalifi i Pestë i Xhematit Musliman Ahmedia, Allahu e ndihmoftë fuqmisht, tha:

Hyrje

Në fjalimin e kaluar, në lidhje me një hutbe të Kalifit II të Mesihut të Premtuar alejhiselam u kisha tërhequr vëmendje anëtarëve të xhematit ndaj reformimit në vepra. PO kështu, kisha rrëfyer disa ngjarje nga modeli i përsosur dhe sjellja e shkëlqyer e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. si dhe të shërbëtorit të tij, Mesih i Premtuar alejhiselam, që hidhnin dritë qartësisht mbi aspektin e sinqeritetit në jetën e tyre. Unë gjithashtu rrëfeva disa ngjarje nga jeta e sahabëve të të Dërguarit të Allahut, të cilët duke ndjekur gjurmët e tij, lanë shembuj të shkëlqyer të sinqeritetit. Unë u përqendrova në aspektin e sinqeritetit vetëm si shembull, ndryshe, përpjekja për të realizuar çdo vepër fisnike që na porosit Zoti dhe heqja dorë madje shprehja e mospëlqimit ndaj çdo vepre që na ka ndaluar Zoti, është esenca dhe rrënja e reformimit të thellë të vetes sonë. Ne do të jemi të denjë të quajmë veten si muslimanë, apo si anëtarë të xhematit të Imamit të kësaj kohe, vetëm atëherë kur veprat fisnike dhe virtytet më të shkëlqyera që Zoti ka porositur për një besimtar musliman, burojnë prej nesh, ndërsa njëkohësisht ai shpreh urrejtje dhe antipati ndaj së keqes. Kështu që një musliman model është ai që kërkon me ngulm e përqafon të gjitha cilësitë dhe moralet e larta ndërsa largohet me neveri nga çdolloj e keqe dhe kryen të gjitha detyrat e tij me një maturi dhe vendos ekuilibër në jetën e tij. Pra, ai nuk qëndron pezull midis të mirës dhe keqes dhe ndërkohë luhatet si lavjerrës, hedh pretendime të mëdha.

Analizoni vetëveten

Edhe në fjalimin e xhumasë së kaluar, u theksua që për sa i përket besimit, kemi argumente të pathyeshme nga Mesihu i Premtuar alejhiselam për vërtetësinë e Islamit dhe të Xhematit, dhe prandaj para kundërshtarëve tanë, ne gjithmonë kemi peshë më të madhe përballë kundërshtarit tonë. Është tjetër gjë, nëse dikush nuk bindet për shkak të kokëfortësisë, këmbënguljes apo shpirtligësisë së tij, por megjithatë kundërshtarëve të Islamit u mungon përgjigjja e argumenteve tona. Shpesh gjatë debatit duke parë stilin dhe mënyrën e argumentimit, ata i shmangen diskutimit. Gjatë emisionit el-hivarul mubashir, që transmetohet në kanalin tonë në gjuhën arabe, shumë të krishterë pranuan që xhemati Musliman Ahmedia disponon një arsenal të pasur argumentesh. Ne jemi pajisur me argumente të pathyeshme edhe për vërtetësinë e Xhematit Musliman Ahmedia. Nëse në një anë po tregojmë vërtetësinë e Islamit, në anën tjetër po hedhim poshtë kritikat dhe akuzat që i drejtohen xhematit. Në mos këmbëngulshin kundërshtarët, dhe mos citonin apo lexonin prozën e Mesihut të Premtuar alejhiselam duke e gjymtuar apo e shtrembëruar rëndë, nuk do të kishin çare veçse të bindeshin për vërtetësinë e Ahmediatit. Por, interesat personale e këtyre dijetarëve i shtyjnë që ta nxisin popullin e thjesht kundër xhematit me pirgje gënjeshtrash, dhe kur nuk u mbetet asnjë argument, fillojnë të vjellin vrer.

Pra, për sa u takon argumenteve, ne kemi epërsi mbi çdo kundërshtar të Islamit apo të ahmediatit. Ata që lexojnë veprat e Mesihut të Premtuar alejhiselam, askush nuk mund të përballet me të. Madje, edhe Mesihu i Premtuar alejhiselam ka deklaruar që nëse ju studioni librat e mi, askush s’mund të qëndrojë para jush. Por, kur ne shikojmë nga aspekti i ndryshimit shpirtëror që Mesihu i Premtuar alejhiselam donte të na ngjallte, na futet frika dhe meraku. Lindja pyetja: a në të vërtetë secili nga ne po mposht të këqijat e shoqërisë? A vallë, secili nga ne, i bën përshtypje të mira çdokujt që e rrethon apo bie në kontakt me të? A mos vallë nën ndikimin e shoqërisë, po harrojmë e braktisim mësimet dhe traditat tona? A vallë secili nga ne po bën përpjekje të sinqerta për vetëreformimin, në përputhje me porositë e Mesihut të Premtuar alejhiselam të cilat na kërkojnë që a vallë kemi arritur ato nivele të sinqeritetit që gënjeshtra të mos na afrohet fare. Vallë, a shqetësohemi edhe për ahiretin karshi problemeve të kësaj bote? Vallë, a në të vërtetë i japim epërsi besimit para dynjasë? Vallë, a sinqerisht përpiqemi për t’iu shmangur çfarëdo ligësie? Vallë, a ruhemi nga rrëmbimi i së drejtës së dikujt tjetër? A i përmbahemi faljes së pesë vakteve? A angazhohemi përherë në lutje dhe vallë a i drejtohemi Zotit me ngashërim dhe mallëngjim të plotë? Vallë a prishim marrëdhënie me atë shok që na ndikon keq? Vallë a u shërbejmë e u bindemi prindërve tanë në të gjitha çështjet e drejta? A sillemi me butësi me bashkëshorten dhe me të afërmit e saj? A mos vallë privojmë fqinjët tanë nga mirësi sado të vogla? A e falim atë që na ka bërë padrejtësi? Vallë a kemi shpirt të dëlirë dhe të pastër nga çdolloj urrejtje dhe zilie për të tjerët? Vallë a po përmbushin çiftet bashkëshortore të drejtat e njëri-tjetrit? A interesohemi për gjendjen tonë në lidhje me betimin e bejtit? A kuvendet tona janë të pastra nga shpifjet dhe përgojimet? A shumica e bisedave tona rrotullohen rreth Zotit dhe të Dërguarit të Tij s.a.v.s.?

Nëse përgjigjja e të gjitha këtyre pyetjeve është negative, atëherë ne jemi shumë larg mësimit të Mesihut të Premtuar alejhiselam, dhe duhet të shqetësohemi për gjendjen tonë. Por, nëse përgjigja është po, atëherë sigurisht ata që kanë marrë përgjigjen pozitive janë me fat, sepse ata duke u përqendruar në gjendjen e tyre, kanë përmbushur të drejtën e bejtit. Por, në qoftë se analizojmë këtë situatë me lupën e sinqeritetit, ne gjejmë që shpeshherë duke u ndikuar nga shoqëria, ne nuk kujdesemi për disa apo shumicën e  këtyre çështjeve, dhe dobësitë e shoqërisë vazhdimit tentojnë të depërtojnë brenda nesh, ndërsa ne në shumicën e rasteve tregohemi të paaftë e padenjë. Nuk ka asnjë dyshim që 99.99% prej nesh mëtojnë që janë të vendosur palëkundshëm në besimin e tyre, dhe askush s’mund të lëvizë ata. Por, nuk duhet të harrojmë që kur dobësitë në sjelljet tona, kapen në dallgët e fuqishme të shoqërisë, atëherë edhe rrënjët e besimit fillojnë të lëkunden. Djalli dalëngadalë hidhet në sulm. Distancat nisen të shfaqen me xhematin. Kur gjërat avancohen, ftohen marrëdhëniet edhe me kalifatin.

Ne duhet të dimë që një dobësi moleps dobësinë tjetër, dhe përfundimisht gjithçka merr fund. Ne jemi të vetëdijshëm që e gjithë hijesia e xhematit qëndron në përfshirjen tonë në strukturën e xhematit dhe sistemin e Kalifatit. Kjo është bindja jonë dhe këtu qëndron forca e veprimit tonë. Prandaj, të gjithë kalifët u kanë tërhequr gjithmonë vëmendje anëtarëve të xhematit ndaj dobësive të tyre, para se të humbet ndonjë ahmedian aty ku të mos ketë asnjë rrugë kthimi. Le të ketë sytë ngulitur te dobësitë e tij, të pendohet sinqerisht, dhe bëjë përpjekje të sinqerta për t’i kapërcyer ato dhe të sjellë ndër mend vetëm mirësitë e Zotit ndaj tij.

Përhapja e ligësive dhe ruajtja e ahmedianeve nga këto dukuri

Gjatë udhëtimit tim në Lindjen e Largët, u takova me disa intelektualë dhe dijetarë të Indonezisë që nuk ishin ahmedianë. Ky takim, u zhvillua gjatë një recepcioni në Singapor. Këtë e kam përmendur edhe më parë në lidhje me përshtypjet e këtij udhëtimi që shumica prej tyre u shprehën që dijetarët e tyre duhet të dëgjojnë fjalën e kryetarit të Xhematit Musliman Ahmedia. Megjithatë, duke iu përgjigjur pyetjes së tyre, unë u thashë që sot xhemati Musliman Ahmedia është i vetmi xhemat në rruzullin e tokës, që nuk kufizohet në caqet kombëtare apo vendore, por njihet në mbarë botën me një emër. Ai ka një njësi, një sistem dhe të gjithë i nënshtrohen një Imami. Në të janë bashkuar njerëzit nga të gjitha racat, fiset dhe kombet e botës.

Ky është një argument i madh i vërtetësisë së këtij xhemati dhe të themeluesit të tij, të cilin kishte parashikuar i Dërguari i Allahut s.a.v.s. duke thënë që në gjithë umet, do të jetë vetëm një xhemat në rrugën e duhur. Njerëzit që udhëhiqen nga mendjet e mençura, ndërgjegjja e pastër, madje edhe kundërshtarët heshtin para këtyre argumenteve. Por, për ta përjetësuar këtë argument, ne gjithashtu duhet të kushtojmë vëmendje për gjendjet tona aktuale. Djalli është hedhur vrullshëm në sulm.

Rreziku më i madh që na kanoset është imoraliteti i pafre i shoqërisë dhe përhapja e tij. Madje, në emër të lirisë së shprehjes dhe të fjalës, disa veprimeve të dëmshme po u jepet mbrojtja ligjore. Përpara, shkelje të tilla të turpshme ishin të kufizuara, pra nuk kalonin caqet e lagjes, qytetit apo shtetit, apo ndikonte vetëm tek fqinji. Ndërsa sot, me lehtësimin e udhëtimit, me përhapjen e gjerë të televizionit, internetit dhe të mjeteve të tjera të komunikimit, çdo veprim i turpshëm personal apo lokal ka marrë përmasa ndërkombëtare.

Me anë të internetit, imoraliteti dhe sjelljet e pandershme po përhapen qindra mijëra kilometra larg origjinës së tyre. Vajzat e reja, që joshen në këtë mënyrë, jo vetëm që shthuren moralisht, por dalin edhe nga rruga e besimit. Sipas gazetave ditëve të fundit edhe në Pakistan, është zbuluar që vajza të reja fillimisht joshen për martesa, dhe që më pas kthehen në lavire, ose merren në martesë përkohësisht, dhe pastaj detyrohen të ushtrojnë kurvërinë. Janë disa grupe ndërkombëtare që kryejnë këto krime të turpshme. Pra, situata në të vërtetë është alarmante.

Duke përdorur metoda të ndryshme, po gjymtohen dhe shkatërrohen të rinjtë jo vetëm në aspektin e sjelljes apo moralit, madje edhe në aspektin fetar. I lutemi Zotit që të ruajë çdo musliman ahmedian nga këto ndyrësira dhe pisllëqe. Çdo anëtar duhet të shpallë një xhihad kundër tyre që të ruhet. Nuk ndalohet shfrytëzimi i shpikjeve të reja të teknologjisë moderne, por çdo musliman ahmedian duhet të mbajë parasysh, që duke marrë dobi prej mjeteve të reja, ai duhet të bëhet mbështetës dhe përkrahës i Mesihut të Premtuar alejhiselam në përhapjen e mesazhit të vërtetë, dhe jo të dorëzohet para shthurjes morale, degjenerimit dhe mosbesimit.

Për këtë duhet të reflektojë çdo musliman ahmedian dhe të përsiatet rreth saj. Të rriturit tanë duhet të krijojnë modele që gjeneratat e ardhshme të zmbrapsin trazirat dhe sulmet e kësaj bote, po kështu edhe rinia duhet të bëjë përpjekje të sinqerta duke i kërkuar ndihmë Zotit që të fitojë imunitet ndaj sulmeve të kundërshtarit, të atij kundërshtari që ju godet në befasi dhe në mënyrë të pandjeshme. Është një armik, i cili duke hyrë në shtëpinë tonë,  ndikon mbi rininë dhe pjesën e dobët të xhematit tonë. Po tenton të cenojë dhe dëmtojë ata.

Ndikimi pozitiv i reformës sonë

Sigurisht çdo kalif në kohën e tij është përpjekur për t’i tërhequr vëmendje xhematit ndaj këto dobësi që shfaqen në sjelljen dhe gjendjen e moralit të xhematit. Edhe unë, në fjalimet e mia orvatem të asgjësojë këtë mangësi. Në bazë të atyre porosive, edhe organizatat simotra si dhe struktura qendrore e xhematit hartojnë programe që të mbrojnë të gjitha shtresat dhe grup moshat e xhematit. Por, nëse secili nga ne të interesohet vet, për vetëreformim, të qëndrojë trimërisht përballë goditjeve të kundërshtarëve, jo vetëm kaq , madje të betohet për të riformuar sjelljen e armiqve të fesë, pra jo vetëm mbrojtje por të kërkojë edhe reformim, dhe të krijojë një lidhje të veçantë me Zotin e Lartësuar për ta arritur këtë qëllim, atëherë jo vetëm që do të mposhtim çdo sulm, por duke u angazhuar në riformimin e tyre, do të mbarësojmë edhe jetën e kundërshtarëve. Kështu do t’i japim fund kësa fitne e sprove, e cila synon të robërojë brezat tona të ardhshme nën ndikimin e saj të shëmtuar. Kështu ne do të arrijmë të mbrojmë jo vetëm gjeneratën e re, por do të ruajmë edhe pjesën tonë të dobët në besim. Kjo frymë riformim do t’u ngjallë ndjenjat e tilla edhe të tjerëve, dhe kështu ky rrugëtim do të vazhdojë deri në ditën e Kijametit.

Përmes reformimit të sjelljes sonë, do të çelen shtigje të reja të thirrjes dhe përhapjes. Shpikjet e reja, në vend që të shpërndajnë imoralitet, do të përcjellin fjalën e Zotit në çdo vend apo shtet të botës. Nuk duhet të  harrojmë që ne kurrsesi s’mund t’i shmangemi realitetit. Popujt e suksesshëm, që duan të reformojnë dhe të sjellin revolucione në botë janë gjithmonë të vetëdijshëm për mangësitë e tyre. Nëse ne mbyllim sytë nga realitetiti dhe të themi se gjithçka shkon për mrekulli, atëherë kjo do të pengojë ecurinë tonë. Ne në çdo kusht duhet të jemi të vëmendshëm për realitet.

Ne nuk mund të kënaqemi nëse reformohet 50% e xhematit, përkundrazi nëse ëndërrojmë për të sjellë revolucion në botë, atëherë duhet të synojmë reformimin e 100% anëtarëve. Nëse ne arrijmë të reformojmë 100% anëtarë, atëherë konfliktet tona, mosmarrëveshjet tona, çështjet gjyqësore, përpjekjet për t’i sjellë dëmin ekonomik tjetrit, lakmia për paratë, ndjekja e programeve të pamoralshme në televizor apo në mjete të reja, mungesa e respektit, nënvlerësimi e përbuzja dhe të gjitha veset e tjera do të eliminohen. Duhet krijuar një mjedis ku gjendet fryma e dashurisë, altruizmit dhe vëllazërisë që paraqet parajsën në tokë.

Standardi i sjelljes së përgjegjësve të Xhematit e anëtarëve të thjeshtë

Këto vese na shfaqen shpesh. Meqë raste të tilla janë shfaqur edhe në xhemat, prandaj ju kam parashtruar këta shembuj. Sikur ne të gjithë kryejmë detyrat tona me përgjegjësi më të madhe, dhe të konsiderojmë synimin e lartë të shërbimit ndaj fesë si një dhunti prej Zotit,

Duke dëgjuar fjalën time dikush mund të shprehet që shërbim ndaj besimit, ne gjithmonë kemi konsideruar si një dhunti prej Zotit, por jo të gjithë i përgjigjen këtij standardi. Unë njihem me disa raste kur zyrtarët e xhematit tregojnë mungesën e vetëpërmbajtjes dhe durimit. Në qoftë se dikush i drejtohet me një ton të lartë, atëherë ata rrëmbehen nga egoizmi dhe sedra e tyre. Nganjëherë fshihen pas petkut të sedrës së rreme. Nëse në të vërtetë dikush kryen ndonjë punë duke e konsideruar dhunti prej Zotit, atëherë ai duron çdo fjalë dhe çdo sjellje për hir të Zotit. Në vend të nderit apo sedrës personale, fjalët el-izzetu lil-lahi d.m.th. të gjitha nderimet i takojnë Zotit, e detyrojnë njeriun që të sillet gjithmonë me përulësi dhe modesti.

Pra, nëse ne e analizojmë imtësisht gjendjen, ne arrijmë në konkluzion që nuk po zbatohet porosia e Mesihut të Premtuar alejhiselam që “veten e konsideroni më të ulët se të tjerët”. Sigurisht diku shfaqet egoizmi dhe herë njëfarë krenarie na del përpara. Sigurisht kënaqemi kur dëgjojmë fjalët se “Zotit i pëlqyen përulësia dhe modestia jote”. E japim si shembull se kemi pranuar atë Mesih, i cili mori këtë shpallje prej Zotit që Atij iu pëlqyen sjelljet e tua modeste. Por, nuk arrijmë që shohim që ky Mesih na ka porositur gjithashtu që nëse jeni lidhur me mua, atëherë ndiqni edhe rrugën time.

Mesihu i Premtuar alejhiselam na ka thënë që ai ka ardhur për ringjalljen dhe ripërtëritjen e mësimeve të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., ndërsa modeli i shkëlqyer i këtij Profeti madhor është i tillë që vetë shërbëtori i tij dëshmon se nuk dëgjoi asnjëherë ndonjë fjalë të rëndë prej tij. Madje, njëherë kur një njeri filloi të ngjethej nga frika e Profetit s.a.v.s., ai iu drejtua duke thënë “Mos ki frikë, nuk jam ndonjë mbret mizor. Unë jam biri i asaj gruaje që hante mish të thatë.”

Prandaj, kjo është ajo sjellje që duhet shfaqur në jetën e secilit prej nesh. Çdo musliman ahmedian dhe sidomos ai që ka dhe një përgjegjësi në xhemat, duhet të zbatojmë këto këshilla në jetën tonë. Nëse dikujt i ngarkohet një detyrë në xhemat, ai le të kujtojë këtë varg të Mesihut të Premtuar alejhiselam:

میں تھا غریب و بیکس و گمنام و بے ہنر
“Qeshë i varfër, i dobët, i panjohur dhe i paaftë”
vetëm atëherë mund të shërbejmë siç duhet dhe vetëm atëherë mund t’ia dalim mbanë pritshmërisë që Mesihu i Premtuar a.s. tregon në një varg tjetër
شاید اسی سے دخل ہو دار الوصال میں
“ndoshta vetëm në këtë mënyrë mund ta gjejmë takimin me Të”

Nëse nuk po zbatojmë këto porosi në jetën tonë, atëherë edhe pse mund të jemi shumë të drejtë për sa i përket deklaratës, që kemi pranuar Imamin e kohës, por realisht gjendja jonë përgënjeshtron deklaratën tonë. Kështu që armiqësia apo kundërshtimi i jashtëm nuk na sjell dëm, por dyfytyrësia e nefsit tonë na mban peng, duke ndjell edhe zemërimin e Zotit.

Duhet të analizojë veten çdo ahmedian i thjeshtë  dhe sidomos ai që mban një përgjegjësi në xhemat. Nuk mund të përmbushet premtimi i bejtit, vetëm me fjalë boshë, derisa nuk ngjallet forca e veprimit.

Besimi pa vetëreformim nuk ka vlerë

Pra, nëse deklarojmë se Isai alejhiselam ka ndërruar jetë dhe askush nuk mbetet jashtë kufirit të vdekjes. Nëse pohojmë që Zoti i Lartësuar mund të dërgojë ndonjë profet edhe pas të Dërguarit të Allahut s.a.v.s, por si shërbëtor besnik ndaj këtij Profeti madhor, nëse besojmë që Zoti komunikon edhe sot dhe u zbret shpallje robërve të Tij të zgjedhur, sepse asnjë atribut i Tij nuk është i përkohshëm, nëse shpallim që Zoti ka dërguar Mirza Ghulam Ahmedin si një profet të nënshtruar besnikërisht ndaj ligjit dhe mesazhit të Profetit Muhammed s.a.v.s. dhe e kemi pranuar atë, nëse jemi bindur që Kurani Famëlartë është po ai ligj i fundit hyjnor, që është i ruajtur tërësisht në gjendjen e tij origjinale gjatë këtyre katërmbëdhjetë shekujve, sepse Allahu i Lartësuar vetë ka marrë sipër mbrojtjen e tij, ndërsa asnjë libër tjetër hyjnor nuk është në gjendjen e tij aktuale. Kur ne argumentomë këtë fakt dhe mëtojmë që pavarësisht zhurmës, Kurani mbetet i njëjtë dhe origjinal, dhe të gjitha pretendimet tuaja për tezën e shtuar gjoja Kurani është përpiluar vetëm para disa shekujve, do të dështojnë duke ju nxjerrë në gabim të hapët. Kohët e fundit, kanalet televizive që njihen për qëndrimet e tyre anti-Islame përmes emisioneve dhe shkrimeve po tentojnë ta hedhin këtë “hipotezë” që Kurani nuk zbriti mbi Profetin Muhammed s.a.v.s., por ishte përpiluar 6-7 shekuj para tij. Sot Xhemati Musliman Ahmedia po pushon zhurmën e tyre me anë të argumenteve të fuqishme. Madje, kur studiuesi i cili kishte pretenduar që Kurani nuk është fjala e Zotit, kur u ftua publikisht për debat televiziv, ai refuzoi ta pranonte këtë sfidë.

Megjithatë, desha të them që ne besojmë që Isai alejhiselam ka ndërruar jetë, ne besojmë që Zoti ka dërguar Mesihun e Premtuar alejhiselam si riardhje të Isait alejhiselam, ne besojmë që Libri që zbriti mbi Muhammedin s.a.v.s. është i ruajtur tërësisht në gjendjen e tij origjinale, atëherë vallë, a do të na mjaftojnë këto besime për të arritur misionin tonë? Përgjigjja është “JO”. Sepse, pasi që kemi vërtetuar vdekjen e Isait alejhiselam, dhe themi që lajmi i ardhjes së tij është përmbushur me ardhjen e Mesihut të Premtuar alejhiselam në umetin e Profetit Muhammed s.a.v.s., por nuk ndërmarrim ato ndryshime rrënjësore të çiltra dhe të dëlira, që sollën sahabët e Profetit s.a.v.s. në brendësinë e tyre, atëherë vetëm parimet, besimet apo bindjet nuk na sjellin asnjë dobi.

Kur ne deklarojmë që Mirza Ghulam Ahmedi alejhiselam është po ai Mesih i Premtuar, të cilin e kishte paralajmëruar i Dërguari i Allahut s.a.v.s., dhe Zoti vetë i drejtohej atij, atëherë detyrohemi të shfaqim edhe ndikimin e mësimeve të tij mbi veten tonë, ndryshe vetëm besimi është i pakuptimtë. Nëse ne e konsiderojmë Kuranin të ruajtur dhe të mbrojtur deri më sot, por nuk zbatojmë porositë e tij në jetën tonë aktuale, atëherë deklarata jonë që Kurani është i ruajtur, nuk përbën asnjë dobi. Kjo deklaratë do të ketë peshë dhe rëndësi vetëm atëherë kur do t’i japim jetë mësimit të tij duke e përvetësuar në qenien tonë.

Kështu që duhet të orvatemi për t’iu përgjigjur përgjegjësive tona. Reforma në sjelljen dhe veprat tona, është detyrë e madhe. Mesihu i Premtuar alejhiselam thotë:

“Mbani mend që vetëm llafet dhe ligjërimi nuk arrijnë rezultatin, derisa nuk shoqërohen me veprim dhe zbatim. Vetëm llafet nuk mbajnë asnjë rëndësi para Zotit. Peshoni dhe matni besimin tuaj. Veprimi është bukuria e besimit. Nëse gjendja morale e njeriut është e dobët, atëherë nuk ekziston besimi. Besimtari është një njeri i hijshëm. Ashtu sikurse pak stoli e thjeshtë hijeshon dhe i shton bukurinë personit, po kështu vepra e besimtarit e bën më tërheqës, ndërsa nëse ai është i lig në sjellje, atëherë nuk ka asgjë. Kur lind besimi i sinqertë në shpirtin e njeriut, atëherë ai në veprat e tij, ndien një kënaqësi të veçantë, dhe i ngjallet aftësia e njohjes shpirtërore. Ai falet ashtu siç duhet falur. I shuhet plotësisht dëshira për shkeljet dhe mëkatet. E neveritin kuvende të pahijshme, ndërsa ndien një mallëngjim dhe pasion të fuqishëm për madhështinë e Allahut dhe të të Dërguarit të Tij s.a.v.s.”

Modeli i shkëlqyer i Profetit Muhammed s.a.v.s

Pastaj ai shkruan:

“Njëherë i Dërguari i Allahut s.a.v.s., iu përgjigj pyetjes së njerëzve duke thënë “surja hud më thinji dhe vjetroi. Sepse, u ngarkua me një përgjegjësi shumë të rëndë. Ndostha vetëreformimi dhe përmbushja e porosive të Allahut mund të arrihen, sepse këto i përkasin vetë individit, por nuk është aspak e lehtë që të reformosh të tjerët. Kjo nxjerr në pah madhështinë dhe forcën e ndikimit shpirtëror të Profetit s.a.v.s. Shikoni sesi iu nënshtrua Profeti s.a.v.s. kësaj porosie. Ai përgatiti një xhemat të tillë sahabaësh, të cilët u quajtën “kuntum khejru ummetin ukhrixhet lin-nass” d.m.th. ju jeni populli më i mirë që ka dalë për hir të njerëzimit dhe morën sihariqin “Redijallhu enhum ue radhu anhu” d.m.th. Zoti u kënaq prej tyre, ndërsa ata u kënaqën prej Tij. Gjatë jetës së tij, nuk mbeti asnjë hipokrit në Medinë. Pra, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. arriti atë fitore, shembulli i së cilës zor të gjendet në jetën e profetëve të tjerë. Qëllim i Zotit ishte që çështja të mos mbetet në fjalë apo teori, sepse po të ishin vetëm llafe dhe shfaqje të jashtme, atëherë ku do të qëndronte dallimi midis nesh dhe të tjerëve, dhe ku do të qëndronte epërsia mbi të tjerët. Prandaj, shfaqni shembullin e veprave tuaja, të pajisura me atë shkëlqim që i tërheq edhe të tjerët.”

Pas kësaj parathënie, Mesihu i Premtuar alejhiselam sërish porosit xhematin “shfaqni atë model të të vepruarit që shkëlqen dhe e nxit tjetrin për t’iu afruar. Derisa veprave tuaja u mungon shkëlqimi, askush nuk do t’i pranojë ato. Vallë, a i pëlqejnë dikujt gjërat e fëlliqura. Një pëlhurë nuk është tërheqëse, derisa mban qoftë një njollë të vetme. Po kështu askush nuk do të interesohet për ju, derisa ju mungojnë çiltërsi, dëlirësi e shkëlqim i brendshëm. Çdonjëri shkon pas gjërave të bukura, andaj as ju s’mund të arrini asnjë shkallë, derisa nuk gëzoni morale të larta.

Zoti na mundësoftë të përvetësojmë veti të larta, ta ndërmarrim atë ndryshim të çiltër në qenien tonë, bukuria e të cilit e tërheq botën drejt nesh. Zoti i haptë rrugët e reja të përhapjes së Islamit dhe na mundësoftë të përmbushim misionin e Mesihut të Premtuar alejhiselam.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp