Modeli i shkëlqyer i Profetit Muhammed s.a.v.s.
Hazret Mirza Masrur Ahmed (a.b.a.)
Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimishtDownloads and Formats
Përshkrim i librit
Që nga fillimi i njerëzimit zhvillohet një luftë midis së vërtetës dhe rrenës dhe midis dritës e errësirës. Mirëpo, sipas praktikës së Allahut xh.sh. e vërteta dhe drita gjithnjë triumfojnë. Gjatë historisë njerëzore, ka pasur njerëz të atillë që për të fituar famën e pamerituar i sfidonin Profetët e Allahut xh.sh., duke dalë arrogantë, por ata gjithmonë janë përballuar me dështimin dhe poshtërimin. Disa njerëz treguan sjellje nënçmuese e poshtëruese ndaj fesë Islame e ndaj Krenarisë së gjithësisë, Hazret Muhammedi s.a.v.s., dhe ata, sipas praktikës së Allahut xh.sh. dështuan në mënyrë mjerane, ndërsa poshtërimi u bë fati i tyre. Në këtë kohë, disa elemente duke u mbështetur në lirinë e ndërgjegjes e në lirinë e fjalës, shfaqën mllefin e tyre ndaj Islamit e ndaj Profetit të shenjtë s.a.v.s. Ata, ndoshta, për të ndjellë urrejtje ndaj botës Islame, publikuan dhe botuan karikaturat e paturpshme në libra e në gazeta të ndryshme. Si rezultat i kësaj, është shfaqur një reagim i ashpër nga organizata të shumta në vende të ndryshme, dhe si rezultat i shprehjes së zemërimit të tyre, janë shkaktuar zjarre e janë rrënuar e dëmtuar prona private e shtetërore.
Qëllimi kryesor i themelimit të Xhematit Mysliman Ahmadia është që, me mëshirën e Allahut xh.sh., të përhapen në botë mësimet e vërteta të Islamit. Për këtë arsye, reagimi i Xhematit Ahmadia në rrethana të tilla provokuese shfaqet në mënyrë që të botohen përgjigjet e plota e analizuese lidhur me ato akuza që bëhen nga ana e kundërshtarëve, e jo që të digjen e të rrënohen prona e pasuri. E kështu, duhet të bëhen përpjekje që të përhapet mesazhi i vërtetë i Islamit në të katër anët e botës.
Prandaj, Hazret Mirza Masroor Ahmadi, Imami i Xhematit Ndërkombëtar Mysliman Ahmadia, i ka diskutuar këto ngjarje në një seri fjalimesh të së xhumasë, të mbajtura prej tij më 10, 17, 24 shkurt dhe më 3 e 10 mars të vitit 2006, në xhaminë Bejtul Futuh të Londrës. Këto fjalime tregojnë qartë se çfarë qëndrimi duhet mbajtur nga ana e një besimtari në rrethana të tilla, dhe se si duhet të trajtohet në mënyrë mjaft efektive e bindëse një çështje e tillë.
Anëtarët e Xhematit Mysliman Ahmadia duhet t’i lexojnë vetë këto fjalime, e pastaj t’ua japin shokëve të tyre e personave që i njohin, për t’i lexuar; që edhe ata të kenë njohuri ndaj mësimit të vërtetë e të bukur të Islamit. Për këtë arsye, këto fjalime përkthehen në gjuhë të ndryshme.