
Kushtet e Bejtit dhe përgjegjësitë e një ahmadiu
Hazret Mirza Masrur Ahmed (a.b.a.)
Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimishtDownloads and Formats
Përshkrim i librit
Kjo është mëshira jashtëzakonisht e madhe e Allahut xh.sh. ndaj nesh, që Ai na mundësoi neve ta njihnim e ta pranonim atë si Imam Mahdi e Mesih, ardhja e të cilit është paralajmëruar nga Hazret Profeti Muhammed s.a.v.s. El-hamdulilah. Kur Imam Mahdiu a.s. është lejuar prej Zotit që të pranojë Bejt, ai më 12 janar 1889, botoi një shpallje që quhet “Ishtihar Takmile Tabligh” ku përmenden dhjetë kushtet e Bejtit. Çdokush që e përqafon Xhematin Mysliman Ahmadia, duke bërë Bejt në dorën e tij, premton e betohet që ai do t’i praktikojë këto kushte. Prandaj, kjo është detyra jonë që t’i njohim me hollësi këto kushte, por shumë e rëndësishme për ne është që t’i zbatojmë ato në jetën tonë të përditshme.
Për udhëzimin e për lehtësinë tonë, në predikimet e së xhumasë dhe në ligjërata të ndryshme, Hazret Mirza Masroor Ahmadi, Khalifatul Masih V (Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar), i ka shpjeguar qartë këto kushte në dritën e Kuranit, të Haditheve (të thënieve të Profetit të shenjtë s.a.v.s.) dhe në bazë të shkrimeve të Hazret Mesihut të Premtuar a.s. Ai për herë të parë filloi të flasë për këtë temë, në ligjëratën përfundimtare që mbajti më 27 korrik, 2003, në tubimin vjetor të Xhematit Mysliman Ahmadia të Britanisë së Madhe, ku ai tri kushtet e para të Bejtit, i shtjelloi dhe i shpjegoi me hollësi. Më vonë, në tubimin vjetor të Xhematit Ahmadia të Gjermanisë, mbajtur më 24 gusht, 2003, ai shpjegoi kushtin e katërt, të pestin dhe të gjashtin, ndërsa kushtin e shtatë dhe të tetin, ai i shpjegoi në predikimin e së xhumasë, më 29 gusht, 2003, në Frankfurt, Gjermani. Mandej, dy kushtet e fundit i shpjegoi në predikimet e së xhumasë të mbajtura më 12 dhe 19 shtator, të vitit 2003, në xhaminë e Londrës.
Ky libër për herë të parë u botua në gjuhën urdu, në Angli në vitin 2004. Pastaj në botimin e tij të 2006-ës i janë shtuar dhe tri predikime të së xhumasë të Hazret Mirza Masroor Ahmadit, Kalifit të Pestë të Mesihut të Premtuar, të cilat u mbajtën më datat 26 shtator, 2003, në xhaminë Fadl, më 10 tetor, 2003, në xhaminë Bejtul Futuh dhe më 17 tetor, 2003, në xhaminë Fadl të Londrës. Në këto predikime, Hazret Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar rrëfeu ndryshimet shpirtërore të shfaqura te pasuesit e Hazret Mesihut të Premtuar a.s. (Themeluesit të Xhematit Mysliman Ahmadia) pasi bëjnë Bejtin në dorën e tij.
Përkthimi në gjuhën shqipe i këtyre predikimeve të së xhumasë, të mbajtura nga Hazret Mirza Masroor Ahmadi, Khalifatul Masih V, mbas rishikimit të tyre prej tij, është në duar të lexuesve shqiptarë, Elhamdulilah. I lutemi Allahut xh.sh. që Ai të na mundësojë neve t’i kuptojmë në mënyrë të vërtetë këto kushte dhe të na aftësojë t’i zbatojmë praktikisht në jetën tonë, njëkohësisht të na bëjë ahmadi të vërtetë e të sinqertë, ashtu siç dëshironte Hazret Mesihu i Premtuar a.s.