Fitorja në Damask dhe trimëria e grave muslimane
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Fitorja në Damask dhe trimëria e grave muslimane

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Po përmendesihn betejat gjatë epokës së Hazret Ebu Bekrit r.a.. Lidhur me këtë temë, sot do të përmend disa hollësi për sa i përket fitores së Damaskut, i cili ndodhi në vitin e 13-të pas Hixhretit (shpërngulja e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. nga Meka në Medine). Kjo ishte beteja e fundit që u zhvillua gjatë periudhës së Hazret Ebu Bekr es-Siddikut r.a..

Damasku – një qendër e rëndësishme bizantine

Për sa i përket vendndodhjes dhe gjeografisë së Damaskut, thuhet se ai qe kryeqyteti i vjetër i Sirisë dhe një qendër e rëndësishme e traditave historike. Në fillim, ajo njihej si një qendër e madhe e idhujtarisë, megjithatë, pas ardhjes së krishterimit, tempujt dhe faltoret e idhujtarisë u kthyen në kisha. Damasku ishte një qendër e rëndësishme tregtare. Aty banonin edhe arabët dhe meqenëse karvanët tregtarë muslimanë kalonin shpesh në të, ata ishin të informuar mirë për këtë zonë. Damasku ishte gjithashtu një qytet i fortifikuar dhe shquhej për shkak të sigurisë dhe qëndrueshmërisë së tij. Muret e tij rrethuese ishin bërë me gurë të mëdhenj. Ato ishin gjashtë metra të lartë me porta jashtëzakonisht të forta. Gjerësia e mureve ishte tri metra dhe portat ishin të siguruara fort. Një hendek 3 metra i gjerë rrethonte të katër anët e mureve dhe gjithmonë ishte mbushur me ujë deti. Kështu, Damasku konsiderohej mjaft i mbrojtur dhe i sigurt dhe nuk ishte e lehtë të hyje në të.

Rrethimi i parë i qytetit

Kur Hazret Ebu Bekri r.a. dërgoi ushtri të ndryshme drejt Sirisë, ai e emëroi Hazret Ebu Ubejden r.a. si kryekomandant të njërës prej këtyre ushtrive dhe e porositi të përparonte drejt Homsit. Qyteti i Homsit ndodhet afër Damaskut dhe është një nga vendbanimet më të lashta dhe më të mëdha në Siri. Në përputhje me porositë e Hazret Ebu Bekrit r.a., Hazret Halit bin Velidi r.a. e rrethoi Damaskun në bashkëpunim me një tjetër ushtri muslimane. Banorët e Damaskut u ngjitën në muret e kështjellave të tyre dhe i qëlluan muslimanët me gurë dhe shigjeta. Për t’u mbrojtur, muslimanët përdornin mburojat e tyre prej lëkure dhe si kundërpërgjigje qëllonin shigjeta drejt armikut kur gjenin rastin e duhur. Në këtë mënyrë kaluan 20 ditë, por muslimanët nuk arritën dot asnjë rezultat vendimtar. Banorët e Damaskut po përballeshin me kushtet mjaft të vështira pasi ishin ngujuar e mbyllur në kështjellë. Furnizimi në kala po shteronte, ndërsa dhe të lashtat e tyre qëndronin nëpër ara jashtë mureve. Në këtë mënyrë, puna e tyre bujqësore po dëmtohej rëndë. Furnizimi i tyre me ushqim ishte bllokuar tërësisht dhe kishte mungesë edhe të materialeve që u nevojiteshin për jetën e përditshme. Me zgjatjen e periudhës së rrethimit, ata po përballeshin gjithnjë e më shumë me ankth dhe vështirësi të mëdha.

Ndërkohë, kishin kaluar 20 ditë nga rrethimi i Damaskut, muslimanët morën vesh se Herakliu kishte mbledhur një ushtri të madhe bizantine në Ajnadejn. Sapo e dëgjuan këtë, Hazret Haliti r.a. u nis nga ana lindore dhe shkoi te Hazret Ebu Ubejda r.a. në Xhabije. Ai e informoi për situatën dhe shprehu mendimin e tij duke thënë: “Duhet të heqim rrethimin e Damaskut dhe të ndeshemi me ushtrinë bizantine në Ajnadejn. Nëse Allahu na jep fitore, ne do të kthehemi dhe do t’i japim fund çështjes së Damaskut.” Hazret Ebu Ubejda r.a. u përgjigj: “Mendimi im është i kundërt pasi banorët e Damaskut janë dërrmuar nga rrethimi në kështjellë për 20 ditë dhe u ka hyrë tmerri ynë. Nëse largohemi nga këtu, ata do të ndiejnë lehtësim dhe do të furnizojnë menjëherë kalanë me sasi të mëdha ushqimesh dhe pijesh. Kur do të kthehemi tek ata nga Ajnadejni, ata mund të na përballojnë rrethimin për një periudhë më të gjatë.” Hazret Haliti r.a. u pajtua me mendimin e Hazret Ebu Ubejdes r.a. dhe vendosi vazhdimin e rrethimit. Ai u dha urdhër të gjithë komandantëve muslimanë që të pozicionoheshin në portat e ndryshme të kalasë dhe të intensifikonin sulmet e tyre.

Në zbatim të urdhrave të Hazret Halitit r.a., ushtria muslimane filloi të kryente sulme të ashpranga çdo anë. Tashmë kishin kaluar 21 ditë nga rrethimi i Damaskut. Pasi Hazret Haliti r.a. i nxiti muslimanët për të intensifikuar sulmet e tyre, ai vetë vazhdoi të kryente sulme të ashpra nga ana lindore. Banorët e Damaskut tani ishin tepër të lodhur dhe prisnin me padurim ndihmën e Herakliut. Hazret Haliti r.a. vazhdoi pandërprerë sulmet e tij. Ndërsa muslimanët ishin të angazhuar në betejë të ashpër, për habinë e tyre bizantinët brenda mureve të kalasë papritmas filluan të duartrokisnin, të kërcenin dhe të shprehnin me brohoritje gëzimin e tyre. Muslimanët i shikonin të habitur. Hazreti Haliti r.a. shikoi në anën tjetër dhe vuri re një shtjellë pluhuri që afrohej në drejtimin e tyre. Edhe gjatë ditës qielli ishte bërë i errët nga pluhuri i cili ishte përhapur gjithandej. Hazret Haliti r.a. menjëherë e kuptoi se tashmë kishte mbërritur ushtria e Herakliut për të ndihmuar popullin e Damaskut.

Pak çaste më vonë, edhe disa informatorë e vërtetuan këtë lajm duke dëshmuar se kishin parë një ushtri të madhe drejt luginës së malit dhe me siguri ajo duhet të ishte ushtria e bizantinëve”. Hazreti Haliti r.a. shkoi menjëherë te Hazret Ebu Ubejda r.a. dhe e njoftoi për situatën dhe i tha: “Kam ndërmend të nxjerr gjithë ushtrinë për t’u ndeshur me ushtrinë e Herakliut. Çfarë sugjeroni ju në këtë gjendje?” Hazret Ebu Ubejda r.a. tha: “Kjo nuk do të ishte lëvizja më e mirë, sepse nëse ne largohemi nga ky vend, banorët e Damaskut, që janë ngujuar në kala do të dalin nga muret dhe do të hidhen në sulm kundër nesh. Ushtria e Herakliut do të na sulmojë nga njëra anë, ndërsa populli i Damaskut do të sulmojë nga ana tjetër. Pra, ne do të shtypemi mes dy ushtrive bizantine.” Pas kësaj, Hazreti Haliti r.a. e pyeti: “Atëherë, çfarë na sugjeroni?” Hazreti Ebu Ubejda r.a. tha: “Ju duhet të zgjidhni një ushtarak trim dhe të përgatitur dhe t’i jepni atij drejtimin e një njësie ushtarake për të luftuar armikun”. Atëherë, Hazret Halit bin Velidi r.a. dërgoi Hazret Dirar ibn Ezvarin r.a. së bashku me pesëqind kalorës, që të përballej me bizantinët.

Sulmi mbrojtës i muslimanëve nën udhëheqjen e Hazret Dirarit r.a.

Sipas një transmetimi tjetër, është përcjellë se ushtria e Hazret Dirarit r.a. përbëhej nga pesë mijë ushtarë. Sido që të jetë, Hazret Dirari r.a. u nis me pesëqind ushtarë, ose me sado që kishte në ushtri, dhe u nis drejt ushtrisë bizantine. Disa ushtarë e panë ushtrinë bizantine dhe e sugjeruan se ushtria armike ishte shumë e madhe, ndërsa ata ishin vetëm pesëqind, dhe kështu do të ishte më mirë që ata të ktheheshin dhe t’i sulmonin me ushtrinë e tyre të plotë. Hazret Dirari r.a. iu përgjigj: “Mos u frikësoni nga numri i madh i armikut. Sa herë grupe të vogla, me urdhrin e Allahut, kanë triumfuar mbi grupe të mëdha! Prandaj, Ai do të na ndihmojë edhe tani. Miqtë e mi! Ai që tërhiqet tani bën sikur të largohet nga Xhihadi, gjë që nuk e pëlqen Allahu. A do ta njollosni nderin e arabëve të trimërisë dhe të devotshmërisë? Kushdo që dëshiron të kthehet, mund ta tërhiqet menjëherë, por unë do të luftoj dhe do ta lartësoj emrin e Islamit deri në frymën e fundit. O Zot! Mos më lër kurrë duke ikur nga beteja.” Të gjithë muslimanët deklaruan me një zë të vetëm: “Ne do të sakrifikojmë jetën për hir të Islamit dhe do të arrijmë gradën e dëshmorit”. Me fjalë të tjera ata thanë se ishin të përgatitur për betejë. Kjo e gëzoi pamasë Hazret Dirarin r.a. dhe ai urdhëroi për të bërë një sulm të rrufeshëm kundër armikut dhe t’i shkatërrojnë plotësisht. Muslimanët së bashku me Hazreti Dirarin r.a. i dhanë armikut goditje të njëpasnjëshme dhe luftuan trimërisht.

Djali i komandantit bizantin e sulmoi Hazret Dirarin r.a. dhe e goditi me një shtizë në krahun e djathtë, dhe i bëri që gjaku të shpërthejë vrullshëm. Pas një çasti, Hazret Dirari r.a. e goditi të njëjtën shtizë në zemrën e kundërshtarit të tij dhe e vrau atë. Shtiza i ishte ngulur në gjoks dhe ndërsa maja e saj ishte shkëputur dhe kishte mbetur në trup. Kur ushtria bizantine pa se shtiza e Hazret Dirarit ishte thyer dhe nuk kishte armë tjetër në dorë, ata menjëherë e sulmuan nga të gjitha anët, dhe zënë si rob lufte. Kur sahabët e panë se Hazreti Dirari r.a. ishte zënë rob, ata u trishtuan dhe u brengosën. Në përpjekje për ta liruar atë, ata ndërmorën sulme të pandërprera, por nuk mundën ta lironin. Kur Hazret Haliti r.a. mësoi për kapjen e Hazret Dirarit r.a., edhe ai u pikëllua shumë. Ai grumbulloi informacione nga bashkëluftëtarët e tij për ushtrinë bizantine dhe më pas u këshillua me Hazret Ebu Ubejden r.a. në lidhje me taktikën për të kryer një sulm.

Hazret Ebu Ubejda r.a. tha: “Pasi të keni siguruar masat e nevojshme për rrethimin e Damaskut, ju sigruisht mund të bëni një sulm kundër ushtrisë arkime. Ai e bëri këtë, pasi deri në atë kohë, Hazret Ebu Ubejda r.a. ishte kryekomandanti. Pas marrjes së masave të duhura për rrethimin e Damaskut, Hazret Haliti r.a. u nis me bashkëluftëtarët e tij duke ndjekur armikun. Ai i këshilloi: “Sapo të ndesheni me armikun, bëni një sulm të rrufeshëm. Nëse ata ende nuk e kanë vrarë Dirarin, atëherë ndoshta ne mund ta lirojmë atë dhe nëse ata e kanë martirizuar atë, pasha Allahun, ne do të hakmerremi kundër tyre dhe do t’i ndëshkojmë rëndë. Megjithatë, kam shpresë të plotë se Allahu nuk do të na brengosë për shkak të Dirarit.”

Në të njëjtën kohë, Hazreti Haliti r.a. pa një kalorës mbi një kalë të kuq e të fortë, i cili mbante një shtizë të gjatë e cila shkëlqente. Sjellja e ushtarit shfaqte trimëri, zotësi, inteligjencë dhe ekspertizë në artin e luftës. Ushtari kishte veshur rroba mbi armaturën e tij. I gjithë trupi, duke përfshirë fytyrën, ishte i mbuluar dhe ai qëndronte në pararojë. Hazreti Haliti r.a. dëshironte të zbulonte se kush ishte ky kalorës. (Ai tha:) “Pasha Zotin, ky ushtar është jashtëzakonisht i guximshëm dhe i patrembur”.

Ushtarët muslimanë luftonin pas tij. Kur ushtria muslimane iu afrua rradhëve armike, ky kalorës iu vërsul bizantinëve, ashtu sikur një shqiponjë u sulet zogjve pre. Një sulm i vetëm i këtij ushtari shkaktoi panik në ushtrinë kundërshtare. Numri i të vrarëve po rritej në kampin armik dhe kalorësi vazhdonte të përparonte derisa mbeti në mes të ushtrisë kundërshtare. Pasi ai e kishte vënë në rrezik jetën e tij, ai u kthye mbrapsht dhe përshkoi më thellë në ushtrinë armike, duke u futur në radhët e tij. Kushdo që i doli përpara u asgjësua.

Disa menduan se ky kalorës duhet të ishte Hazret Haliti r.a.. Hazret Rafiu e pyeti Hazret Halitin r.a. i habitur: “Kush është ky njeri?” Hazreti Haliti r.a. i tha: “Nuk e di, unë vetë jam i habitur dhe po pyes veten se kush është ai.” Hazreti Haliti r.a. po qëndronte në frontin e ushtrisë kur ky kalorës u shfaq nga radhët bizantine. Asnjë nga ushtarët bizantinë nuk po i bënte ballë këtij ushtari, i cili kishte luftuar vetëm në mes të bizantinëve. Gjatë kësaj kohe, Hazret Haliti r.a. bëri një sulm dhe e shpëtoi kalorësin nga mesi i bizantinëve dhe ky person u kthye mirë e shëndoshë në radhët muslimane.

Hazreti Haliti r.a. i tha atij ushtari: “Ju keni shfryer zemërimin dhe dufin tuaj kundër armikut. Më thoni kush jeni ju?” Kalorësi nuk tha asgjë dhe u mat për t’u futur sërish në luftë. Hazret Haliti r.a. i tha: “O rob i Zotit! Më ke shqetësuar mua dhe të gjithë muslimanët e tjerë. Je kaq i patrembur dhe nuk u frikësohesh pasojave. kush je ti?” Me këmbënguljen e Hazret Halitit r.a., kalorësi u përgjigj: “Unë kam heshtur jo nga mosbindja, por kam zgjedhur t’ju mos përgjigjem se më vjen turp. Unë nuk jam mashkull, në fakt jam një grua (pra, edhe femrat shfaqnin shembuj të tillë trimërie). Një brengë në zemër më ka sjellë deri këtu.” Hazreti Haliti r.a. e pyeti me ankth: “Cila grua je ti?” Ajo u përgjigj: “Unë jam motra e Dirarit. Quhem Haula bint Ezver. Kur mësova se vëllai im është zënë nga armiku si rob lufte, bëra atë që sapo keni parë.”

Me të dëgjuar këtë, Hazreti Haliti r.a. tha: “Ne të gjithë duhet të ndërmarrim një sulm të bashkërenditur. Unë jam i bindur se Allahu do ta lirojë Dirarin nga burgimi.” Hazret Haula r.a. i tha: “Unë gjithashtu dua të qëndroj në krye të sulmit.” Pastaj, Hazret Haliti r.a. nisi një sulm të ashpër dhe theu qëndrimin e bizantinëve dhe ushtria e tyre u shpërnda andej e këtej.

Hazret Rafiu r.a. gjithashtu shfaqi trimëri shembullore në këtë luftë. Muslimanët sapo ishin përgatitur për të bërë një sulm tjetër, kur befas, disa kalorës nga ushtria kundërshtare nxituan për të kërkuar falje e amnesti. Hazret Haliti r.a. tha: “Jepuni atyre mbrojtje” dhe pastaj porositi që ata të paraqiteshin para tij. Hazret Haliti r.a. i pyeti ata: “O njerëz! Cilët jeni ju?” Ata thanë: “Ne jemi nga ushtria bizantine dhe jemi nga qyteti Homs. Ne duam të lidhim një marrëveshje me ju.” Hazret Haliti r.a. tha: “Një marrëveshje do të lidhet vetëm pas kthimit në Homs. Ne nuk mund të nënshkruajmë asnjë traktat para kohe, për derisa ndodhemi këtu në fushë betejë. Megjithatë, ju jeni të mbrojtur; e në dashtë Allahu ne do të jemi triumfues këtu, atëherë do të shkojmë në Homs dhe do të diskutojmë për kushtet e ujdisë. Më thoni, a mos dini diçka për një nga ushtarët tanë trimë që është burgosur për vrasjen e djalit të kryekomandantit tuaj”. Ata thanë: “Ndoshta po pyesni për atë që është i zhveshur dhe kishte vrarë shumë nga ushtarët tanë, përfshirë djalin e komandantit tonë.” Hazret Haliti r.a. tha: “Po, ai është”. Ata thanë: “Kur e kapën, Verdani e dërgoi menjëherë në Homs, nën shoqërimin e njëqind kalorësve që të paraqitej para mbretit”.

Hazret Haliti r.a. u gëzua pamasë kur e dëgjoi këtë lajm. Ai e thirri Hazret Rafiun r.a. dhe i tha: “Ju i dini mirë udhëzimet. Merrni cilin do ushtarë që ju pëlqen dhe lirojeni Dirarin para se të mbërrijë ai në Homs dhe fitoni shpërblimin te Zoti juaj”.

Hazreti Rafiu r.a. zgjodhi njëqind ushtarë dhe ishte gati të largohej, kur Hazret Haula r.a. iu lut Hazret Halitit r.a. për leje që ajo t’i shoqëronte ata. Kështu, të gjithë u nisën për në Homs nën udhëheqjen e Hazret Rafiut r.a.. Hazret Rafiu r.a. përparoi me shpejtësi dhe pasi që mbërriti në një vend të caktuar, u tha atyre që e shoqëronin: “Gëzohuni, armiku ende nuk ka avancuar” dhe pastaj fshehu një nga njësitë e tij në pritë. Ata ishin në këtë gjendje, kur panë një re pluhuri që ngrihej në shkretëtirë. Hazret Rafiu r.a. i urdhëroi ushtarët të qëndronin vigjilentë. Muslimanët ishin plotësisht të përgatitur kur u afruan bizantinët.

Hazret Dirari ishte në burgimin e tyre dhe po recitonte poezi me një zë pikëllues, duke thënë: “O lajmëtar! Njoftoje popullin tim dhe motrën time Haulen se unë jam kapur dhe më kanë lidhur në pranga. Mosbesimtarët dhe banorët pafe të Sirisë më kanë rrethuar, e që të gjithë kanë veshur parzmore. O zemra ime! Vdis nga pikëllimi dhe dhembja e thellë. O loti i rinisë! Bini mbi faqen time.” Ky është përkthimi i poezisë që ai po recitonte. Hazret Haula r.a. i thirri me zë të fortë: “Lutja jote është përgjigjur dhe ka ardhur ndihma e Allahut. Jam unë, motra jote Haula.” Me të thënë këtë, ajo ngriti një parullë me zë të lartë dhe iu vërsul armikut, pasi edhe muslimanët e tjerë ngritën slogane dhe u hodhën në sulm gjithashtu. Muslimanët e mbizotëruan batalionin dhe i vranë të gjithë ushtarët armik. Allahu i Plotfuqishëm e liroi Hazret Dirarin r.a. dhe muslimanëve ua mundësoi plaçkat e luftës. Hazret Haula r.a. zgjidhi litarët nga duart e vëllait të saj dhe e përshëndeti atë. Hazret Dirari r.a. e përgëzoi motrën për guximin e saj dhe i uroi mirëseardhjen. Ai mori një shtizë të gjatë, i hipi kalit dhe falënderoi Zotin.

Ndërsa muslimanët kishin gjetur gëzimin këtu, Hazret Haliti r.a. kreu një sulm të ashpër kundër Verdanit në Damask dhe e mundi atë. Ushtarët kundërshtarë morën rrugën e arratisë, dhe muslimanët i ndoqën nga pas. Atje, ata takuan Hazret Dirarin r.a. dhe muslimanët e tjerë. Ata i dërguan menjëherë lajmin për fitoren e tyre Hazret Ebu Ubejdes r.a.. Pikërisht në këtë moment, muslimanët besuan se ata mund të triumfonin Damaskun. Në të njëjtën kohë, ushtria muslimane qëndronte jashtë Damaskut dhe rrethimi i qytetit vazhdonte pandërprerë.

Atëherë Hazret Abad bin Seiti r.a. erdhi te Hazret Haliti r.a. nga Besra. Ai e informoi atë se një ushtri bizantine që përbëhej nga nëntëdhjetë mijë ushtarë, ishte mbledhur në Ajnadejn. Hazret Haliti r.a. u këshillua me Hazret Ebu Ubejden r.a. për këtë çështje, i cili i tha: “Ushtria jonë është e shpërndarë nëpër pjesë të ndryshme të Sirisë. Shkruajini të gjithëve një letër duke u thënë të na takojnë në Ajnadejn. Ne gjithashtu duhet të heqim rrethimin tonë në Damask dhe do të nisemi drejt Ajnadejn.

Herakliu kishte mësuar për humbjen e Verdanit si dhe detajet rreth vdekjes së djalit të tij. Prandaj, Herakliu e qortoi ashpër në një letër duke thënë: “Kam mësuar se arabët e zhveshur e të uritur ju kanë mundur dhe kanë vrarë djalin tuaj. Jezusi nuk ka pasur mëshirë as për djalin tuaj e as për ju. Po të mos flitej aq shumë për mjeshtërinë tuaj të shpatës, do t’ju kisha vrarë. Sido që të jetë, e pavarësisht çfarë ka ndodhur, unë kam dërguar një ushtri prej nëntëdhjetë mijë në Ajnadejn dhe po ju caktoj si udhëheqës të saj.”

Hazret Haliti r.a. i dha fund rrethimit në Damask dhe udhëzoi ushtrinë që të nisej drejt Ajnadejnit. Sapo morën këtë udhëzim, muslimanët shkulën çadrat e tyre dhe filluan t’i ngarkojnë plaçkat e tyre në deve. Ata vendosën që devetë që mbartnin plaçkat e luftës, sendet a mjete, të qëndronin në pjesën e fundit të kolonës, së bashku me gra dhe fëmijë dhe kalorësit të qëndronin në pjesën e përparme.

Hazret Halit bin Velidi r.a. tha: “Unë mendoj se të qëndroj mbrapa bashkë me gratë dhe fëmijët.” Megjithatë, Hazret Ebu Ubejda r.a. tha se ai duhet të qëndronte në front. Ai tha, “është e mundur që Verdani të marrë ushtrinë e tij nga Ajnadejni dhe të niset drejt Damaskut, duke rezultuar në një konfrontim me ta. Nëse qëndroni në frontin e ushtrisë, atëherë do të jeni në gjendje t’i ndaloni dhe t’i luftoni. Prandaj ju duhet të jeni përpara, dhe unë do të mbetem mbrapa.” Hazret Haliti r.a. tha: “Këshilla juaj është e drejtë dhe unë pajtohem me të, dhe nuk do ta kundërshtoj mendimin tuaj.”

Kur ushtria muslimane i dha fund rrethimit të Damaskut dhe e hoqën kampin, banorët e Damaskut u gëzuan pamasë. Teksa largohej ushtria muslimane, ata kërcenin lart e poshtë me brohoritje dhe duartrokisnin për të shprehur gëzimin e tyre. Banorët kishte mendime të ndryshme në lidhje me largimin e ushtrisë muslimane; disa mendonin se muslimanët kishin dëgjuar për ushtrinë e madhe bizantine që ishte mbledhur në Ajnadejn dhe kështu kanë shkuar në Siri për t’u bashkuar me ushtri të tjera muslimane. Dikush tjetër tha se ishin lodhur nga rrethimi, kështu që do të shkonin në një vend tjetër për të luftuar. Madje, të tjerë arritën deri në atë masë sa të thoshin se po iknin për t’u kthyer sërish në Hixhaz.

Banorët e Damaskut u mblodhën në një vend dhe thirrën Palin. Ky person nuk ishte përballur kurrë me sahabët në betejë. Pali ishte një person mjaft i besueshëm për Herakliun dhe shquhej si një harkëtar i shkëlqyer. Banorët eiDamaskut e zgjodhën atë si guvernator dhe me fjalët lajkatuese dhe premtime të mëdha e bindën atë t’i udhëhiqte ata në luftë. Madje, ata u zotuan para tij se nuk do të iknin nga fusha e betejës dhe që Pali do të kishte të drejtë të dënonte me vdekje këdo që ikte nga beteja.

Pas përfundimit të ceremonisë së besëlidhjes, Pali u kthye në shtëpinë e tij për të veshur parzmoren. Kur bashkëshortja e tij e pyeti se ku po shkonte në këtë gjendje, Pali iu përgjigj: “Populli i Damaskut më ka zgjedhur si guvernator, kështu që tani do të luftoj kundër arabëve”. Gruaja e tij tha: “Mos e bëni këtë dhe rrini në shtëpi, sepse nuk keni fuqi të përballoni arabët. Mos i luftoni pa nevojë. Sot kam parë në ëndërr se po mbani një hark dhe po gjuani zogj në qiell. Disa nga zogjtë u goditën dhe ranë në tokë, por më pas u ngritën dhe fluturuan edhe një herë. U habita kur pashë se papritur nga lart po vinin shumë shqiponja. Ata ju sulmuan ju dhe shokët tuaj aq ashpër sa ju shkatërruan plotësisht.” Pali pyeti: “A më ke parë mua në ëndërr?” Ajo u përgjigj: “Po. Shqiponjat ju kanë goditur kaq fort, saqë ju ka lënë pa ndjenja.” Pasi e dëgjoi këtë, Pali e qëlloi gruan me shuplakë të fortë dhe i tha: “Të ka zënë frika e arabëve. Madje kjo frikë e tmerr të shfaqet edhe në ëndërr. Mos u shqetëso, sepse së shpejti unë do ta bëj udhëheqësin e tyre shërbëtorin tënd dhe shokët e tij si barinj për dhitë dhe derrat”.

Pali mblodhi menjëherë një ushtri prej 6,000 kalorësish dhe 10,000 këmbësorë dhe u nis duke ndjekur ushtrinë muslimane e për të luftuar ata. Ai ndiqte gratë, fëmijët, pasurinë, bagëtinë dhe ushtrinë prej 1000 trupash të Hazret Ebu Ubejdes r.a.. Me të parë trupat e jobesimtarëve, edhe muslimanët u përgatitën për betejë. Pali udhëhiqte në front dhe menjëherë nisi një sulm me 6000 ushtarë kundër Hazret Ebu Ubejdes r.a.. Vëllai i Palit, Pjetri, përparoi me këmbësorinë drejt grave, dhe pasi që rrëmbeu disa prej tyre, ai u kthye me shpejtësi në Damask. Pasi mbërriti në një vend, ai vendosi të priste atje për vëllanë e tij. Hazret Ebu Ubejda r.a., i cili kishte parë këtë katastrofë tha se mendimi i Hazret Halitit r.a. ishte i saktë se ai duhet qëndronte në fund të kolonës. Në një anë gratë dhe fëmijët qanin, ndërsa në anën tjetër 1000 ushtarë luftonin trimërisht. Pali nisi sulme të njëpasnjëshme kundër ushtrisë muslimane dhe Hazret Ebu Ubejda r.a. gjithashtu iu kundërpërgjigj trimërisht.

Hazret Sehli r.a. kalëroi me shpejtësi drejt Hazret Halitit r.a. dhe e informoi atë për të gjithë situatën. Hazret Haliti r.a. shprehu ‘In-ne lil-lah’. Ai dërgoi Hazret Rafiun r.a. dhe Hazret Abdurrahman bin Aufin r.a. secilin me një ushtri prej 1000 vetash për të mbrojtur gratë dhe fëmijët. Më pas, ai nisi Hazret Dirarin r.a. me 1000 kalorës dhe pastaj u nis vetë me ushtrinë për të luftuar armikun. Ndërkohë, Hazret Ebu Ubejda r.a. po luftonte me Palin, ushtritë muslimane mbërritën nga vende të ndryshme. Muslimanët i goditën aq ashpër sa bizantinët që kishin ardhur për të sulmuar nga Damasku u bindën për humbjen dhe poshtërimin e tyre.

Hazret Dirari r.a. përparoi drejt Palit si një zjarr flakërues. Kur Pali e pa, ai u tmerrua dhe shtangu në vend sepse e kishte njohur. Ai zbriti menjëherë nga kali dhe filloi të ikte në këmbë. Hazret Dirari r.a. e ndoqi pas, e zuri të gjallë dhe e ndaloi. Nga gjashtë mijë ushtarë të armikut, vetëm njëqind i mbijetuan kësaj beteje.

Hazret Dirari r.a. ishte i shqetësuar sepse Hazret Haula r.a. ishte gjithashtu në mesin e grave të zëna si rob lufte. Hazret Haliti r.a. i tha: “Mos u mërzit, ne kemi zënë njerëz të tillë nga radhat e tyre, se në këmbim të tyre, ata do të na kthejnë patjetër njerëzit tanë.” Hazret Haliti r.a. mori dy mijë ushtarë me vete dhe ia besoi komandën e pjesës tjetër të ushtrisë muslimane Hazret Ebu Ubejdes r.a., në mënyrë që gratë të ishin të mbrojtura dhe të shkonte vetë për të kërkuar gratë që ishin rrëmbyer nga armiku.

Ai arriti me shpejtësi në vendin ku armiqtë i kishin marrë peng gratë muslimane. Ai pa pluhurin që ngrihej nga vendi, që nënkuptonte se aty kishte ndodhur një përplasje të fortë. Pas hetimit, ai zbuloi se vëllai i Palit, Pjetri, i kishte rrëmbyer gratë muslimane dhe tani po priste pranë një lumi që të kthehej vëllai i tij. Madje, ata kishin bërë gati planin për shpërndarjen e grave midis tyre. Në lidhje me Hazret Haules r.a., Pjetri kishte thënë se ajo do të ishte e tij. Bezantinët i kishin ndaluar gratë në një tendë dhe tani po pushonin duke pritur Palin.

Shumica e grave ishin kalorëse të kalitura dhe me përvojë, dhe të afta në të gjitha llojet e arteve të luftimit. Ato u mblodhën së bashku dhe Hazret Haula r.a. u tha: “O bijat e fisit Himejr dhe o trashëgimtare të fisit Tube! A do të kënaqeni që jobesimtarët bizantinë t’ju kthejnë në robëresha? Ku është trimëria dhe nderi arab që përmendej në tubimet tuaja? Është turp që ju shoh pa asnjë nder, guxim dhe vendosmëri. Do të ishte më mirë të vrisni veten sesa gjëma që ju vret.” Duke dëgjuar këtë, një nga shoqet i tha: “O Haula! Ajo që thua është pa dyshim e vërtetë, por na thuaj çfarë të bëjmë. Na kanë rrëmbyer dhe nuk kemi as shtiza e as shpata. Na thuaj çfarë mund të bëjmë? Ne nuk kemi as kuaj, as armë pasi na ka zënë papritur.”

Hazret Haula r.a. më pas tha: “Kthjellohuni! Shtyllat e tendës janë këtu. Ne duhet t’i marrim këto dhe të sulmojmë këta njerëz të ligë. Allahu do të na ndihmojë dhe ne ose do të triumfojmë ose do të biem dëshmore.” Pas kësaj, çdo grua mori një shtyllë druri. Hazret Haula r.a. vendosi një shtyllë druri mbi supin e saj dhe u priu të tjerëve. Ajo u tha grave të tjera: “Qëndroni të bashkuara si hallkat e një zinxhiri dhe mos u ndani, ndryshe do të vritemi që të gjithë”. Pas kësaj, Hazret Haula r.a. doli përpara dhe qëlloi një bizantin mohues dhe e vrau atë. Bizantinët u tronditën nga guximi dhe heroizmi i këtyre grave. Pjetri tha: “O ju mjerët! Çfarë po bëjnë këto?” Një nga gratë u përgjigj: “Sot kemi vendosur t’ju thyejmë kokën me këta shkopinj dhe do të ruajmë nderin e të parëve tanë me gjakun tuaj”.

Atëherë Pjetri bërtiti: “Kapini ato të gjallë dhe siguroni që ta kapni të gjallë Haulen në veçanti.” Tre mijë bizantinët i rrethuan ato nga të katër anët, megjithatë asnjëri prej ushtarëve nuk guxoi t’u afrohej atyre. Nëse ndonjë ushtar përparonte drejt tyre, këto gra mbizotëronin kuajt e tyre dhe i vrisnin kalorësit. Në këtë mënyrë ato i vranë 30 kalorës. Duke parë këtë, Pjetri u tërbua nga zemërimi dhe zbriti nga kali. Ai dhe legjioni i tij me shpata të zhveshur, u hodhën me sulm. Megjithatë gratë u mblodhën në një vend dhe qëndruan pa u trembur përballë sulmit të agresorëve, dhe nuk e lejuan askënd t’u afrohej.

Pjetri iu drejtua Hazret Haules r.a. dhe i tha: “O Haule! Ki mëshirë për veten tënde. Unë të vlerësoj dhe i ndjej emocione të forta në zemrën time për ty. A nuk dëshiron që të kesh si zotëri një mbret si unë dhe që e gjithë pasuria ime të jetë e jotja?” Hazret Haula r.a. u përgjigj: “O i mjerë e i pafe! Për Zotin, po të kisha mundësinë, do të kisha thyer kokën tënde tani me këtë dru. Pasha Allahun! Nuk do të kisha pranuar as që ti të punoje si bari e të kullosje dhitë dhe devetë e mia. Tani lëre dhe mos mendo as që të krahasohesh me mua.”

Sapo dëgjoi fjalët qortuese të Haules r.a., Pjetri urdhëroi ushtrinë e tij për t’i mbytur të gjitha gratë. Legjioni i tij po matej të hidhej në një sulm përfundimtar dhe pikërisht gjatë sulmit mbërritën muslimanët, të udhëhequr nga Hazret Haliti r.a.. Më vonë ai mësoi për gjithçka që kishte ndodhur. Muslimanët u gëzuan pamasë kur mësuan për guximin dhe qëndrueshmërinë e grave. Ushtria muslimane i rrethoi jobesimtarët, duke i sulmuar ata nga të gjitha anët. Hazret Haula r.a. bëri një thirrje të fuqishme: “Ka ardhur ndihma e Allahut! Allahu ka dhënë mëshirën e Tij!”

Ndërkohë, kur Pjetri i pa muslimanët, ai u tremb dhe iku nga vendi. Teksa po ikte, ai pa dy kalorës muslimanë që po vinin drejt tij. Njëri prej tyre ishte Hazreti Haliti r.a. dhe tjetri Hazret Dirari r.a.. Hazret Dirari r.a. e qëlloi me një shtizë. Ai mbijetoi edhe pse u rrëzua nga kali. Hazret Dirari r.a. e goditi për herë të dytë dhe ai u vra në vend. Muslimanët vranë shumë nga bizantinët dhe ai që shpëtoi, mori rrugën për në Damask.

Kur Hazret Haliti r.a. u kthye, ai e thirri Palin dhe e ftoi në Islam. Ai i tha: “Pranoje Islamin, ndryshe do të trajtohesh njësoj si vëllai yt”. Pali pyeti se çfarë kishte ndodhur me vëllain e tij. Hazret Haliti r.a. iu përgjigj: “Ai u vra”. Duke dëgjuar për fundin e vëllait të tij, Pali tha: “Atëherë nuk ka më kuptim në këtë jetë. Më lër të bashkohem me vëllain tim.” Atëherë edhe ai u vra.

Si do qoftë , muslimanët u mblodhën në Ajnadejn. Hollësitë e tjera të kësaj beteje, tashmë janë përmendur.

Rrethimi i dytë i Damaskut

Rrethimi i dytë i Damaskut ishte në vazhdim, sepse muslimanët duhej ta hiqnin atë në të parën herë. Në lidhje me rrethimin e dytë të Damaskut, është përmendur se pas fitores në Ajnadejn, Hazret Haliti r.a. urdhëroi ushtrinë muslimane të lëvizte drejt Damaskut. Lajmi për humbjen në Ajnadejn tashmë e kishin dëgjuar edhe banorët e Damaskut, por kur dëgjuan se ushtria muslimane po i afrohej edhe një herë Damaskut, ata u trembën shumë. Ata që jetonin në periferi të Damaskut ikën për t’u strehuar në kështjellë. Banorët e Damaskut  grumbullan një sasi të madhe drithërash dhe mallrash të tjera, në mënyrë që rezervat e tyre të mos mbaronin shpejt në rast të një rrethimi të zgjatur nga ushtria muslimane. Për më tepër, ata siguran edhe armatim dhe pajisje të tjera ushtarake. Katapultat, gurët e mëdhenj, mburojat, harqet, shigjetat etj., u sollën brenda mureve të kalasë për të goditur ushtrinë muslimane.

Në fillim muslimanët ngritën kampin afër Damaskut, pastaj marshuan përpara dhe rrethuan fortesën. Hazret Haliti r.a. caktoi komandantë mbi kohortat, dhe e pozicionoi secilën jashtë çdo porte të Damaskut.

Në atë kohë, Tomasi ishte guvernatori i Damaskut. Krerët, udhëheqësit dhe banorët e ditur të Damaskut e këshilluan Tomain se nuk kishin forcë për t’u përballur me një ushtri të tërë muslimane. Prandaj, ose duhet të lypin forcimin nga Herakliu, ose të lidhnin një traktat paqeje, d.m.th., të pajtoheshin me kushtet e tyre, dhe të kërkonin mbrojtjen e jetës dhe pasurisë. Por, Tomasi iu përgjigj me arrogancë dhe krenari: “Arabëve nuk u jap asnjë rëndësi. Unë jam dhëndri i Herakliut dhe i aftë në çështjet e luftës. Përderisa jam këtu, muslimanët nuk do të kenë guximin të shkelin në qytet.” Kur udhëheqësit ushtarak u munduan ta bindnin Tomasin, ai i qetësoi ata duke premtuar se së shpejti do t’u vinte në mbëstetje një ushtri e madhe nga Herakliu. Pastaj, Tomasi urdhëroi ushtarët e tij për t’i sulmuar muslimanët ashpër nga të gjitha anët. Si pasojë e këtij agresioni, shumë muslimanë u plagosën ose u martirizuan.

Martirizimi i Hazret Eban ibn Seitit r.a.

Hazret Eban bin Seiti r.a. gjithashtu u godit nga një shigjetë helmuese. Edhe pse ai e kishte hequr shigjetën dhe e kishte lidhur plagën me çallmë, por helmi ishte përhapur në të gjithë trupin dhe ai ra pa ndjenja. Nuk kaloi shumë, dhe ai dha shpirt e ra martir. Ceremonia e nikahut (martesës) së Hazret Ebanit r.a. me Hazret Ummu Ebanit r.a. ishte zhvilluar gjatë pushtimit të Ajnadejnit. Martesa e tyre ishte aq e re saqë as ngjyra e kënasë nuk ishte zbehur akoma nga duart e saj e as parfumi nga flokët. Hazret Um Ebani r.a. llogaritej nga ato gra arabe që qëndronin në krye të xhihadit. Kur i erdhi lajmi për vdekjen e të shoqit, ajo erdhi me vrap duke kapërcyer pengesat e rrugës. Pasi e pa trupin e bashkëshortit, ajo qëndroi në këmbë pranë tij duke shfaqur durim dhe vetëpërmbajtje të plotë. Ajo nuk shprehu asnjë fjalë, që mund të tregonte mërzinë apo pakënaqësinë e saj, vetëm se recitoi disa vargje për ndarjen e të shoqit.

Hazret Halit bin Velidi r.a. udhëhoqi namazin e xhenazes së Hazret Ebanit r.a.. Pas varrimit, Hazret Umm Ebani r.a. shkoi në tendën e saj me një zotim konkret dhe një qëllim të qartë. Ajo i mori armët dhe lidhi një leckë rreth balliit të saj dhe shkoi te porta e Tomasit, në vendin ku i shoqi kishte rënë dëshmor. Aty zhvillohej një betejë e ashpër. Hazret Umm Ebani r.a. iu bashkua muslimanëve dhe luftoi trimërisht. Ajo plagosi shumë bizantinë me shigjetat e saj dhe disa i mbyti.

Gjatë betejës, ajo pati mundësinë të vinte në shënjestër rojen e Tomasit, i cili e mbante kryqin e madh. Ky kryq ishte prej ari dhe ishte gdhendur me gurë të çmuar. Ai që mban këtë kryq të madh do t’i nxiste bizantinët të luftonin dhe me anë të kryqit i lutej Zotit për fitore. Sapo e goditi rojen shigjeta e Hazret Umm Ebanit r.a., kryqi ra përtokë dhe përfundoi në duart e muslimanëve. Kur Tomasi pa që muslimanët e kishin mbizotëruar kryqin, ai bashkë me shokët e tij zbriti nga muret, me qëllim ta rrëmbente atë nga muslimanët. Në njërën anë bizantinët hapën portën për të luftuar muslimanët dhe në anën tjetër vazhduan të godisnin me gurë të mëdhenj apo shigjeta nga maja e kalasë. Gjatë kësaj kohe, Hazret Umm Ebani r.a. e gjeti mundësinë të qëllonte syrin e Tomasit. Ajo e vuri atë në shenjë dhe shigjeta e goditi mu në sy, duke e verbuar Tomasin përgjithmonë. Tomasi dhe ushtarët e tij u detyruan të tërhiqeshin. Ata hyrën prapë brenda fortesës dhe mbyllën portën. Duke dëshmuar gjendjen e Tomasit, banorët i thanë: “Kjo është arsyeja pse kishim thëmë se nuk kemi fuqi të përballemi me muslimanët. Duhet të gjejmë ndonjë mënyrë për të lidhur një marrëveshje paqeje me muslimanët.” Kur e dëgjoi këtë, Tomasi u mbush edhe më shumë me mllef dhe u tha shokëve të tij: “Si hakmarrje për këtë sy, do t’u heq një mijë sy.”

Populli i Damaskut kishte varur shpresat në mbështetjen e një ushtrie prej 20,000 vetësh e cila do të vinte nga Homsi, por muslimanët kishin marrë masat për të. Ata menjëherë planifikuan të nisnin një batalion të ushtrisë në rrugën për në Damask, dhe në këtë mënyrë arritën të ndalonin plotësisht lëvizjen e ushtrisë nga Homs drejt Damaskut.

Muslimanët vazhduan rrethimin e fuqishëm të Damaskut. Përmes shigjetave, katapultave dhe sulmeve ushtarake ata nuk i lanë kundërshtarët në rehat për asnjë çast. Me kalimin e kohës, banorëve të Damaskut u ishin prerë të gjitha shpresat për ndonjë përforcim nga jashtë. Unaza e rrethimit u kishte ngjallur dobësi dhe frikë. U ishte prerë hovi për të luftuar dhe kjo gjendje i kishte bërë të ngurrojnë nga ndonjë përpjekje. Kjo u dha shkas muslimanëve për të luftuar më trimërisht dhe për ta mposhtur armikun e tyre.

Populli i Damaskut kishte menduar se muslimanët nuk mund të duronin sfidat e një rrethimi të zgjatur gjatë dimrit të acartë, por muslimanët i përballuan rrethanat me trimërinë maksimale. Ata i shfrytëzuan shtëpitë e braktisura jashtë Damaskut për të pushuar. Nëse disat rupat ushtarake qëndronin në shërbim sipas planit javor, të tjerat pushonin dhe qëndronin në gjendje gatishmërie. Madje, kishte dhe një batalion rezerv, i cili pozicionohej menjëherë pas batalioneve që luftonin në portat e caktuara. Ata vëzhgonin situatën dhe sipas nevojës ndëryhnin dhe jepnin mbështetjen e tyre. Në këtë mënyrë, mbajtja e gjendjes nën kontroll dhe rrethimi i gjatë i Damaskut u bënë më të lehtë. Megjithatë, muslimanët nuk u mjaftuan vetëm me këtë, ata vazhduan të hetonin taktikat e armikut dhe të gjenin mënyrat për të kapërcyer pengesat e vendosura nga armiku.

Kështu, me heqjen e vazhdueshme të barrierave dhe përshkallëzimi i taktikave ushtarake, në këtë rrethim të gjatë, Hazret Halit bin Velidi r.a. arriti në zbulimlin e një vendi të përshtatshëm ku ishte i mundur depërtimi ushtarak në Damask. Ky ishte vendi më pjellor i Damaskut, dhe për shkak të thellësisë së ujit në llogore, hyrja prej andej ishte gjithashtu më e vështirë.

Sipas planit të hartuar nga Hazret Halit bin Velidi r.a. për të hyrë në Damask, disa ushtarë muslimanë duhet të lidhnin litarët për t’u përdorur si shkallë e pastaj që të ngjiteshin në mure dhe të hynin në Damask. Hazret Halit bin Velidi r.a. mori informacionin se komandanti i asaj ushtrie bizantine që përbëhej prej 10.000 vetësh dhe ishte rrugës për në Damask, i ka lindur një fëmijë. E gjithë ushtria, përfshirë rojet e tij ishin të zënë në festime. Ata të gjithë hëngrën dhe pijnë aq sa u ngopën, dhe pastaj në këtë gjendje dehëse ranë për të fjetur. Kështu, ata u bënë të pakujdesshëm ndaj detyrave të tyre. Pikërisht në këtë moment, Hazret Halit ibn Velidi r.a. dhe disa shokë të tij kapërcyen hendekun, duke përdorur çantat prej lëkure si kamerdare dhe mbërritën te muri. Pasi i lidhën litarët së bashku për të bërë një shkallë, ata e varën fort në mur. Në të njëjtën mënyrë, ata i varën një mori litarësh në mur. Pastaj, muslimanët filluan të ngjiteshin njëri pas tjetrit në mur duke përdorur litarët si shkallë. Sa zbritën në anën tjetër, ata shkuan te porta. Ata hoqën shulën e portës duke e goditur me shpata. Në këtë mënyrë, ushtria muslimane mundi të hynte në Damask.

Ushtria e Hazret Halitit r.a. mori kontrollin mbi portën lindore dhe nga paniku bizantinët lidhën një marrëveshje paqeje me Hazret Ebu Ubejden r.a. i cili kishte sulmuar nga porta perëndimore, edhe pse më parë ata kishin refuzuar marrëveshjen e paqes të ofruar nga muslimanët dhe ishin të prirur për luftë. Hazret Ebu Ubejda r.a. me kënaqësi pranoi marrëveshjen e paqes dhe kështu bizantinët hapën portat e Damaskut duke u thënë muslimanëve: “Hyni shpejt dhe na shpëtoni nga sulmi (d.m.th. nga Hazret Halit bin Velidi r.a.)”. Në fund, muslimanët mundën të hynin në qytet nga të gjitha portat, pasi kishin nënshkruar traktatin e paqes. Megjithatë Hazret Halit bin Velidi r.a. vazhdonte të luftonte me banorët e qytet nga porta e tij. Hazret Haliti r.a. dhe katër udhëheqësit e tjerë të legjioneve muslimane u takuan me njëri-tjetrin në qendër të qytetit. Edhe pse Hazret Halit bin Velidi r.a. kishte triumfuar një pjesë të Damaskut përmes luftës, kur ai mësoi se Hazret Ebu Ubejda r.a. kishte lidhur marrëveshjen e paqes me bizantinët, ai pranoi kushtet e paqes në të gjitha zonat e pushtuara.

Këtu duhet sqaruar se shpesh historianët ia atribuojnë fitoren e Damaskut periudhës së Kalifatit të Hazret Omerit r.a.. Megjithatë, ekspeditat në Damask kishin filluar qysh në kohën e Kalifatit të Hazret Ebu Bekrit r.a.. Por, para se të mbërrinte lajmi për triumfin mbi Damask në Medinë, Hazret Ebu Bekri r.a. kishte ndërruar jetë.

Kjo ishte beteja e fundit që u zhvillua gjatë kalifatit të Hazret Ebu Bekrit r.a.. Në dashtë Allahu, në të ardhmen do t’ju përmend edhe aspekte të tjera të jetës së Hazret Ebu Bekrit r.a..

Namazi i Xhenazes në mungesë 

Tashmë, do t’ju përmend rreth disa anëtarëve që kanë ndërruar jetë.

1. Omer Ebu Erkub, nga Palestina

I pari është i nderuar Omer Ebu Erkub Sahibi i cili ishte president lokal i Xhematit Musliman Ahmedia në Palestinën jugore. Ai ndërroi jetë më 15 gusht 2022 në moshën 70-vjeçare. إِنَّا لِلَّهِ وَإِنَّا إِلَيْهِ رَاجِعُونَ “Ne jemi të Allahut dhe tek Ai do të kthehemi.”

Omer Ebu Erkub Sahibi kishte mësuar rreth xhematit Ahmedia për herë të parë në vitin 2010, përmes kanalit televiziv të Xhematit MTA el-Arabija. Ai vetë ka rrëfyer këtë ngjarje:

“Kur kam parë për herë të parë MTA-në, kuptova se ahmediatët janë padyshim njerëz të sinqertë dhe të drejtë. Në njërën anë mund të shihja botën muslimane të përfshirë në gjakderdhje, vjedhje, mashtrim, armiqësi e urrejtje për njëri-tjetrin. Por në anën tjetër, shikoja Xhematin Musliman Ahmedia që përcillte mësime të paqes dhe harmonisë. Ahmedianët falnin namazin e Tehexhudit (lutja vullnetare para agimit) dhe recitonin Kuranin Famëlartë. Kjo më la një përshtypje të thellë. Mendova se ky është grupi i muslimanëve të vërtetë, dhe kemi për të detyrë t’i bashkohemi. Nëpërmjet Istihares (lutje të veçantë për të kërkuar ndihmë nga Allahu për ndonjë çështje të caktuar) u binda akoma më shumë.

Pastaj, pashë në ëndërr se kjo është bashkësi e vërtetë muslimane. Atëherë u zotova se do t’i qëndroj i përkushtuar këtij Xhemati deri në vdekjen time.” Ai me të vërtetë qëndroi i palëkundur përballë çdo fatkeqësie. Ai gjithmonë thoshte: “Unë do të qëndroj i palëkundur në zotimin tim deri në frymën time të fundit”.

Pas bejtatit (betimit për besnikëri), gruaja e tij pa një ëndërr. Ajo e rrfën vetë dhe thotë: “Pashë se disa njerëz kan çuar bashkëshortin tim në një dhomë. Ata e kanë larë, ia kanë hapur gjoksin dhe e kanë pastruar nga brenda. Pastaj, ata më drejtohen mua dhe thonë: Shikoje, a nuk e kemi kthyer në gjendje më të shkëlqyer.”

Ai ishte një njeri me përkushtim maksimal ndaj Kalifatit dhe i falte rregullisht namazet e pesë vakteve. I njderi kishte një lidhje të sinqertë me xhematin, prandaj pjesën e poshtme të shtëpisë së tij, e kishte dedikuar për nevojat e Xhematit. Xhemati në Palestinën jugore e përdorte këtë hapësirë për namazet, faljen e bajrameve, namazin e së xhumasë si dhe për mbledhjet dhe tubimet etj..

Djali i të ndjerit thotë: “Ai ka lënë në testament që kjo pjesë e shtëpisë t’i dhurohej Xhematit”. Gjatë kohës që ishte i sëmurë, kundërshtarët e Xhematit e kërkonin që të pendohej dhe të largohej nga Xhemati. Ata i thoshin se ai do të shërohej vetëm nëse do të hiqte dorë nga xhemati. Pavarësisht nga kjo, ai bënte bisedime e debate dhe u bënte thirrje. Në fakt, ai zhvilloi një debat me një kundërshtar të ashpër dhe e mundi atë duke e lënë të heshtur para argumenteve. Kur sëmundja i ishte acaruar, ai duhej të transferohej në kujdesin intensiv.

Gjatë debatit, djali i tij i kishte thënë atij kleriku musliman, i cili e kundërshtonte ashpër, që ta linte të atin të qetë, sepse ai kishte shumë përvojë dhe ai kleriku nuk mund ta bindte kurrë. Djali i tij thotë se në shtratin e vdekjes, i ati i këshilloi që ata të mos trishtohen për vdekjen e tij. Pastaj lexoi fjalët e Hazret Bilalit r.a. se, غدا نلقى الأحبة محمدا وحزبه “nesër do të takohem me të dashurin tim Muhamedin, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, dhe shokët e tij fisnikë”.

I ndjeri shquhej për personalitetin e tij të dashur, dhe karakter të bukur. Ai ka lënë pas gruan, tre djem dhe katër vajza. Allahu i mundësoftë që edhe fëmijët e tij që akoma nuk janë Ahmedianë, të pranojnë Xhematin Musliman Ahmedia. Allahu e lartësoftë gradën e të ndjerit dhe i dhuroftë mëshirën dhe faljen e Tij.

2. Sheik Nasir Ahmedi, nga Pakistani

Përmendja tjetër është e Sheik Nasir Ahmedit nga Mithi, Tharparkar, Pakistan, i cili ka ndërruar jetë kohët e fundit në moshën 93 vjeçare. إِنَّا لِلَّهِ وَإِنَّا إِلَيْهِ رَاجِعُونَ  “Ne jemi të Allahut dhe tek Ai do të kthehemi.”

Ai ishte Ahmedin i parë në Mithi, dhe kishte pranuar xhematin në vitin 1969. Ai ishte një thirrës i përkushtuar, që kishte sedër për fenë dhe i patrembuer për çështjne e Xhematit. Disa nga cilësitë e tij të spikatura ishin se ishte i përpiktë dhe i rregullt në pesë namazet ditore. Shquhej për mikpritjen e tij dhe për besnikërinë të thellë ndaj Kalifatit. Ai kishte nderin të sillte shumë njerëz nga Mithi dhe zonat përreth, në rrethin e Xhematit. Xhamia e parë e ndërtuar në Mithi, ishte ndërtuar mbi tokën që ai kishte dhënë si dhuratë. Atij iu desh të përballej me kundërshtime të ashpra nga familja, farefisi dhe populli i tij. Kur fëmijët i ishin rritur, fisi i tij ushtroi presion të madh që t’i martonte ata brenda fisit dhe jo në familjet ahmediane. Edhe pse farefisi i tij i kishte ndërprerë të gjitha marrëdhëniet shoqërore me të, dhe askush prej tyre nuk mori pjesë në dasmat e fëmijëve të tij, ai prapëseprapë përballë gjithë këtij kundërshtimi të ashpër, me mëshirën e Allahut, arriti të martonte të gjithë fëmijët e tij në familjet ahmediane.

I ndjeri i kushtonte një vëmendje të veçantë edukimin të mirë të fëmijëve. Ai ua mësoi leximin e Kuranit dhe i bëri të rregullt në faljen e pesë namazeve. Gratë në familjen e tij, të cilat më parë visheshin me veshje tradicionale hindu, shumë shpejt morën hixhabin. Një herë Hazret Kalifi IV r.a. kishte thënë disa fjalë lavdëruese për të dhe tha: “Po të kemi një Nasir në çdo qendër, ne me siguri do të triumfojmë”.

Ai ka lënë pas dy djem dhe katër vajza. Disa nga fëmijët e tij po i shërbejnë fesë dhe mes tyre ka edhe disa që kanë dedikuar jetë për hir të fesë. Allahu ua lartësoftë gradën e të ndjerit!

3. Melik Sulltan Ahmed sahib, nga Pakistani

Përmendja e tretë është e Melik Sulltan Ahmad Sahibit, ish-mualimit të Vakfe Xheditit. Ai ka ndërruar jetë kohët e fundit në moshën 84-vjeçare. إِنَّا لِلَّهِ وَإِنَّا إِلَيْهِ رَاجِعُونَ  “Ne jemi të Allahut dhe tek Ai do të kthehemi.”

I ndjeri lindi në vitin 1938 në Peka Nisvana, në rrethin Jhang. Ai ishte ahmedian i lindur, dhe xhemati kishte hyrë në familjen e tij përmes babai të tij, të nderuar Sexhada Sahib, të njohur me epitetin Shehzade. I ati kishte kishte bërë bejat gjatë kohës së Hazret Musleh Maudit r.a. duke shkuar vetë në Kadian.

I njderi kishte kryer shkollimin deri në shkollën e mesme dhe më pas në vitin 1960 ai dorëzoi kërkesën që të pranohen shërbimet e tij në sektorin e Vakfi Xhedidit, e cila u pranua. Kur Hazret Khalifatul Masih IV r.a. ishte në krye të Vakfe Xhedidit, i ndjeri punoi nën kujdesin e tij. Pas një kohe, ai u emërua si mualim në vitin 1960. Ai u dërgua në Terparkar ku punoi me përkushtim të plotë, dhe më pas ai shërbeu edhe në zona të tjera të Pakistanit. Për mbi 38 vjet ai kreu shërbimin e tij, të cilin e kreu në mënyrë të shkëlqyer. Ai ishte i apasionuar pas përcjelljes së mesazhit të fesë. Në vitin 1968, atij iu bë një atentat.

I ndjeri dallohej për sjelljen e tij miqësore, sociale, mikpritëse dhe mirëdashëse. Ai ishte i përpiktë në faljen e tehexhudit (namazit vullnetar para agimit) dhe namazeve ditore. I ndjeri kishte lidhje të sinqertë me Zotin. Ai e mbajti një lidhje besnike me kalifatin ahmedia deri në frymën e fundit dhe i këshilloi fëmijët e tij në këtë drejtim. Ai ka lënë pas bashkëshorten, tre djem dhe dy vajza. Allahu e mëshiroftë të ndjerin, e faltë atë dhe ia lartësoftë gradat shpirtërore!

4. Mehbub Ahmed Raxhejki, nga Pakistani

Përmendja tjetër është e Mehbub Ahmad Raxhejki Sahibit, i cili ishte nga Sadullahpur, Mandi Bahauddin. Ai ndërroi jetë së fundmi në moshën 86-vjeçare. إِنَّا لِلَّهِ وَإِنَّا إِلَيْهِ رَاجِعُونَ  “Ne jemi të Allahut dhe tek Ai do të kthehemi.”

Ai ishte pjesëtar i sistemit Vesijet dhe ka lënë pas dy djem dhe një vajzë. Njëri nga djemtë e tij jeton në Gjermani dhe një tjetër në Lahore. Ai ishte djali i sahabiut të Mesihut të Premtuar, Gulam Ali Raxhejki, dhe nipi i Hazret Maulvi Gulam Resul Raxhjeki Sahibit, dhe nipi nga nëna i Hazret Maulvi Gaus Muhammed Sahibit.

Djali i të ndjerit, Mabrur Sahibi, shkruan: “I ndjeri shërbeu për 37 vjet si President i Xhematit Ahmedia në Sadullapur. Ai ishte i përpiktë në lutje dhe ishte një ndjekës besnik i të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe të Mesihut të Premtuar a.s.. Ai kishte dashuri të thellë për kalifatin dhe ishte një shërbëtor i patrembur i Islamit. Në tri raste ka pasur nderin të jetë i burgosur në rrugën e Allahut. Ai ishte i përpiktë me pesë namazet ditore dhe falte namazet e gjata të Tehexhudit.

Në shumë raste atij ai dëshmoi pranimin e lutjeve nga Allahu i Madhëruar. Ai ndonjëherë përjetonte vizione dhe ëndrra. Gjatë burgimit, ai shpesh shihte ëndrra, p.sh. filan ditë ai do të lirohej, ose në filan datë do të ndodhej kështu. Ai e kalonte ditën shpesh i angazhuar në lutje dhe në dërgimin e selavateve. Dikush ka shkruar se një herë ka ardhur për namazin e sabahut, dhe kur ka e ka prekur me dorë, ka kuptuar se i ndjeri kishte temperaturë të lartë. Megjithatë kishte ardhur në xhami për të falur namazin me xhemat. Ai e shikonte rregullisht MTA dhe ishte i përkushtuar ndaj Kalifatit. Vitet e fundit kishte problem me dëgjim dhe dëgjonte me vështirësi. në mënyrë që ta dëgjonte me zë të lartë. Megjithatë gjatë hutbes së xhumave, nëse nuk arrinte të kuptonte, ai ulej pranë televizorit dhe bënte përpjekjet maksimale për ta dëgjuar atë.

Pas vdekjes së tij, kishin ardhur shumë joahmedianë. Edhe më parë, joahmeditë vinin rregullisht për ta takuar, pasi kishin besim tek ai dhe i kërkonin lutje. Shumë njerëz erdhën për të shprehur ngushëllimet e tyre. Ata thoshin që nëse ai nuk do të ishte ahmedian, do t’i kishte mijëra ndjekës të cilët do të pasonin rrugën e tij. Shumë joahmedianët kanë treguar ngjarjet, kur i ishin pranuar lutjet që i ndjeri kishte bërë për hallet e tyre.

Allahu i mëshiroftë dhe e faltë të ndjerin dha ia lartësoftë shkallët në xhenet! Allahu ua mundësoftë edhe fëmijëve të tij të vazhdojnë të ndjekin gjurmët e të ndjerit!

Unë, InshaAllah, do t’i udhëheq namazin e tyre të xhenazes pas namazit të xhumasë.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp