Perla urtësie nga Hazret Kalifi i Dytë r.a.
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Perla urtësie nga Hazret Kalifi i Dytë r.a.

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

(Pjesë e shkëputur nga ky fjalim)

Allahu i Madhërishëm mbron edhe fëmijët e të dashurve të Tij, të atyre që tregohen të qëndrueshëm në veprat e mira, madje edhe fëmijët e fëmijëve të tyre dhe u jep pamasë, me kusht që edhe fëmijët të vijojnë me qëndrueshmëri veprat e mira. Duke treguar këtë praktikë të Zotit, Hazret Kalifi i Dytë r.a. na kujton shembullin e Hazret Aliut r.a. dhe thotë:

Shikoni se kur i Dërguari i Allahut s.a., në fillim të periudhës profetike të tij, ftoi fisin e tij për t’u dhënë mesazhin e Isalmit, shtroi një vakt buke. Kur njerëzit e përfunduan ushqimin, Profeti s.a. u ngrit dhe nisi t’u fliste për Islamin. Ebu Lehbi ndërhyri dhe i çorientoi të ftuarit dhe i shpërndau. Të Dërguarit të Allahut s.a. i erdhi keq nga kjo sjellje e tyre, por ai nuk u dëshpërua. Ai e ngarkoi Hazret Aliun që të organizonte një gosti edhe një herë. I Dërguari i Allahut s.a. ua mesazhin e Islamit. Këtë herë të gjithë qëndruan të heshtur. Askush nuk foli. Më në fund, Hazret Aliu u çua dhe tha

– Edhe pse jam i vogël në moshë nga të gjithë të pranishmit këtu, por jam gati ta mbështes Profetin në misionin e tij dhe betohem se do ta mbështes gjithmonë.

Pas kësaj, në Mekë, filloi një kundërshtim i ashpër i cili arriti edhe kulmin e vet, aq saqë të Dërguarit të Allahut s.a. iu desh të mërgonte. Edhe atëherë, Zoti i Madhërishëm pikërisht Hazret Aliut i dha mundësi të bënte një sakrificë madhore. I Dërguari i Allahut s.a. e porositi Aliun r.a. të shtrihej në shtratin e tij, në mënyrë që armiku të kuptojë se ai është në shtëpi. Atëherë, Hazret Aliu nuk i tha – O i Dërguari i Allahut! Armiqtë e kanë rrethuar shtëpinë dhe, sapo të gdhihet, ka mundësi që të më vrasin – përkundrazi, ai u shtri pa ngurrim në shtratin e Profetit s.a.. Në mëngjes, kur mohuesit e panë Aliun, e rrahën keqas, por deri atëherë Profeti s.a. kishte mërguar. Se sa shumë do ta bekonte Zoti i Madhërishëm Hazret Aliun më vonë, ai nuk e dinte, madje, ai këtë vepër nuk e kishte bërë për të marrë ndonjë bekim a pozitë nga Zoti, por vetëm për shkak të dashurisë së madhe që kishte ndaj të Dërguarit të Allahut s.a. dhe për të fituar pëlqimin e Zotit të Madhërishëm. Vetëm Zoti i Madhërishëm e dinte se sa shumë do të nderohej ai për shkak të kësaj sakrifice dhe jo vetëm ai, por të gjithë pasardhësit e tij që do të tregoheshin të qëndrueshëm në vepra të mira. Bekimi i parë që i erdhi Hazret Aliut ishte që ai u bë dhëndër i Profetit s.a. dhe pastaj, Profeti s.a. e lavdëroi Aliun r.a. në raste të ndryshme për veprat e tij të ndryshme. Njëherë kur i Dërguari i Allahut s.a. do të udhëtonte diku për një betejë, ai Aliun e porositi të qëndronte në Medinë. Hazret Aliu tha:

– O i Dërguari i Allahut! Po më lë me gratë dhe fëmijët?!

– A nuk do të doje o Ali – iu përgjigj Profeti s.a. – që me mua të kesh raportin që ka pasur Haruni me Musain?

Hazret Musai a.s. e kishte lënë Hazret Harunin në vend kur po udhëtonte dhe kjo nuk ia uli vlerën Harunin, përkundrazi. Allahu i Madhërishëm edhe Hazret Aliut i dha nder në të njëjtën mënyrë. Këto bekime nuk i mbeten vetëm deri tek ai, por shumica e eulijave në historinë e Islamit, janë nga pasardhësit e Hazret Aliut r.a.. Pra, Zoti u dha shenja edhe pasardhësve të tij dhe i mbështeti.

Hazret Kalifi i Dytë r.a. përmend një ngjarje të historisë së muslimanëve, duke iu referuar Mesihut të Premtuar a.s., ngjarje e cila është që Harunurreshidi, njëherë, burgosi Imam Musa Radaun për një arsye dhe e prangosi. …  Kur po flinte Harunurreshidi në shtratin e tij të butë të mbushur me pambuk, pa në ëndërr të Dërguarin e Allahut s.a. i cili kishte shenja zemërimi në fytyrë. Profeti s.a. i tha:

– O Harunurreshid! A pretendon të kesh dashurinë ndaj meje? Si s’ke turp që vetë po bën gjumë të ëmbël në këtë shtrat të butë, kurse fëmija im gjendet në pranga në vapë të madhe?!

Harunurreshidi u tmerrua dhe, bashkë me komandantët e tij, menjëherë e vizitoi burgun ku gjendej Imam Musa Radau. E liroi nga prangat. Imami e pyeti Harunurreshidin: – Çfarë ju ndodhi që erdhët vetë dhe po më lironi, ndërkohë keni qenë kundër meje? Ai ia tregoi ëndrrën dhe tha – Ju kërkoj falje, sepse nuk e dija realitetin.

Duke iu referuar kësaj ngjarjeje, Hazret Kalifi i Dytë r.a. thotë:

Shikoni pra, kjo ngjarje ndodhi shumë vonë pas kohës së Profetit Muhmmed s.a. dhe të Hazret Aliut r.a.. Kemi parë pasardhësit e mbretërve të ndryshëm që lypnin nëpër rrugë. Unë vetë kam parë një njeri në Delhi, i cili mbante një bidonë uji dhe punonte duke iu shërbyer të tjerëve, ai ishte pasardhës i mbretërisë mongole. Puna e tij ishte që shiste ujin nëpër rrugë, por ai ishte i ndershëm, sepse nuk lypte dhe mundohej maksimalisht për të jetuar. Edhe pse ishte pasardhës i mbretit, iu desh të jetonte si një punëtor i thjeshtë. Kurse në anën tjetër kemi Hazret Aliun dhe një pasardhës të tij që vjen pas shumë brezave, të cilin Zoti e bekon kaq shumë saqë tmerron një mbret duke i dërguar ëndërr që të çohej nga gjumi e të shkonte tek ai dhe të sillej mirë me të. Po të dinte të padukshmen Hazret Aliu dhe po të ishte në dijeni për këtë nder që do t’ia bënte Zoti e ta pranonte Islamin për shkak të kësaj, besimi i tij me siguri do të mbetej thjesht një marrëveshje dhe ai nuk do të mund të tërhiqte ndonjë shpërblim prej Zotit.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. duke përmendur ngjarjen e një ueliu tjetër, thotë:

Një ueli i Zotit po udhëtonte në anije, ndërkohë, erdhi një furtunë dhe anija u përfshij nga dallgët e fuqishme. Ishte gati të fundosej, por falë lutjes së ueliut, anija i kapërceu dallgët. Gjatë lutjes, ai mori ilham (shpallje) prej Zotit që thoshte: Falë teje, i kam shpëtuar të gjithë!

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. tha:

Shikoni, këto pozita nuk mund t’i gëzoni thjesht me fjalë goje, por ju duhet të punoni shumë, të krijoni lidhje me Zotin e Madhërishëm e të vijoni me qëndrueshmëri veprat e mira të paraardhësve tuaj. Kështu që, të qenët pasardhës të të mirëve, të sinqertëve dhe të eulijave ju vlen vetëm atëherë kur edhe ju do të tregoheni të qëndrueshëm në veprat e mira dhe të krijoni lidhje me Zotin e Madhërishëm.

Do t’ju tregoj edhe disa gjëra të tjera të Hazret Mesihut të Premtuar a.s., të cilat na i përcjell Hazret Kalifi i Dytë i tij.

Duke treguar sesa i përpiktë ishte Hazret Mesihu i Premtuar a.s. në faljen e namazit me xhemat, Hazret Kalifi i Dytë r.a. thotë:

Aq shumë e donte namazin Mesihu i Premtuar a.s. saqë, kur qe i sëmurë dhe nuk shkonte dot në xhami, merrte bashkëshorten ose fëmijët e tij dhe falte namaz me xhemat në shtëpi.

Duke treguar rëndësinë e namazit me xhemat, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Zoti i Madhërishëm dëshiron që të gjithë njerëzit të shndërrohen në një shpirt të vetëm. Kjo quhet njësi kolektive. Feja synon që të gjithë njerëzit të lidhen me një pe në një njësi kolektive, sikur kokrra tespihe. Feja është ajo që i mbledh të gjithë, duke i kthyer ata në një trup. Namazet me xhemat pikërisht këtë njësi e krijojnë, në mënyrë që të gjithë namazfalësit të llogariten si një trup i vetëm. Edhe porosia për të qëndruar bashkë me njëri-tjetrin në namaz erdhi, në mënyrë që ai që ka më shumë dritë, t’ia transmetojë tjetrit që është më i dobët dhe ta forcojë atë. Pra, namazfalësit fitojnë forcë nga njëri-tjetri. Për ta vendosur këtë njësi kolektive, Zoti i Madhërishëm porositi që të gjithë njerëzit e lagjes t’i falin me xhemat namazet e pesë vakteve në xhaminë e lagjes, në mënyrë që ata të shkëmbejnë virtytet e njëri-tjetrit; nga bashkimi i dritave ta ndriçojnë e ta forcojnë të dobëtin dhe njerëzit të fitojnë dashuri për njëri-tjetrin duke u njohur me njëri-tjetrin. Njohja është një gjë shumë e mirë, sepse kjo ju shton dashurinë, e cila është baza e njëshmërisë.

Në këtë aspekt, edhe ne duhet të mbrojmë namazet tona dhe të hyjmë në xhami me synimin që gjithë së bashku, duke u bërë një trup i vetëm, të falim namaze të pranueshme dhe të fitojmë pëlqimin e Zotit të Madhërishëm.

Për sa i përket prishjes së namazit, në historinë islame përmendet një ngjarje e Hazret Amir Muavijas. Hazret Kalifi i Dytë r.a. e tregon duke iu referuar Hazret Mesihut të Premtuar a.s.. Ai thotë:

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. tregonte një ngjarje që njëherë Hazret Muavijas nuk i doli gjumi në mëngjes. Kur u zgjua, pa që koha e namazit kishte kaluar. Për këtë, ai u pendua gjatë gjithë ditës. Ditën tjetër ai pa në ëndërr një njeri, i cili po e zgjonte për namazin. “Kush je ti?”, e pyeti Muavija. “Jam shejtani dhe erdha të të zgjoj”, iu përgjigj ai. Muavija e pyeti: “Po, ç’lidhje ke ti me ndërgjegjësimin për të falur namaz?” Ai iu përgjigj:

– Dje të nxita që të flije dhe ti ashtu bëre dhe nuk fale namazin, por më pas gjithë ditën i kërkove falje Zotit me të qarë e me dënesa, saqë Zoti tha se do të shpërblehesh më shumë sesa të faleshe namaz me xhemat. Kjo më ka goditur shumë. Prandaj, sot erdha të të zgjoj që të mos gëzosh shpërblim të shumëfishtë edhe sot.

Pra, shejtani atëherë të largohet, kur atij t’i japësh goditjen përfundimtare, e cila ta dëshpërojë atë. Atëherë ai vetvetiu largohet.

Pra, duhet që edhe ne të dëshpërojmë shejtanin në çdo situatë e të përpiqemi maksimalisht të arrijmë pëlqimin e Zotit, të ndjekim porositë e Tij, t’i mbrojmë namazet tona dhe t’i falim ato në kohë.

Disa njerëz nganjëherë nxitojnë të krijojnë mendimin e tyre për një çështje të caktuar, pa u thelluar në të dhe, për shkak të tyre, disa njerëz që kanë natyrë të dobët, rrëshqasin. Hazret Kalifi i Dytë r.a. thotë:

Njëherë, në një gosti, ndalova një njeri që pinte ujin me dorën e majtë. I thashë të pinte me dorën e djathtë, nëse nuk kishte ndonjë arsye të lejuar. Ai më tha se edhe Hazret Mesihu i Premtuar a.s. pinte ujin me dorën e majtë. Por e vërteta është që Mesihu i Premtuar a.s. ka pasur arsye për këtë. Gjatë fëmijërisë ai ishte rrëzuar duke vrarë dorën e tij të djathtë dhe kjo ia dobësoi dorën kaq shumë saqë ai mund të ngrinte gotën, por nuk e çonte dot deri te buzët. Për këtë arsye, ai e merrte gotën me dorën e majtë, por duke ndjekur praktikën e Profetit s.a., e mbështeste atë me dorën e djathtë.

Edhe Hazret Mesihu i Premtuar a.s. e përmend dobësinë e dorës së tij. Ai thotë:

Njëherë më erdhën disa njerëz, të cilët nuk ishin ahmedianë, madje ishin nga kundërshtarët. Në praninë e tyre kur ngrita gotën e ujit a të çajit, ata më akuzuan se nuk po e ndiqja synetin e Profetit s.a. dhe po përpiqesha të kapja gotën me të majtë. Akuzuesi në fjalë u nxitua dhe me paragjykim më akuzoi, kurse unë e kam dorën të dobët për shkak të një goditjeje të dikurshme dhe nuk mund ta sjell gotën deri te buzët me dorën e djathtë, por paharruar e mbështes atë me të.

Pra nga nxitimi kundërshtarët e akuzuan Mesihun e Premtuar a.s. dhe po nga nxitimi një ahmedian nguliti në kokë se Mesihu i Premtuar a.s. neudhubil-lah kështu vepronte, ndërkohë që të dyve u duhej të kërkonin arsyen se pse ai vepronte në këtë mënyrë. Kështu që, ahmediani në fjalë që po pinte ujin me dorën e majtë, të cilin kur e ndaloi Hazret Kalifi i Dytë r.a., ai duhet të tërhiqej. Kështu, disa njerëz, me arsyetime të nxituara, përhapin bidate, nxjerrin komentime të gabuara dhe përfundojnë në rrugë të gabuar.

Do t’ju tregoj edhe një ngjarje tjetër, e cila lidhet me mbështetjen që duhet të ketë besimtari tek Allahu i Madhërishëm. Duke iu referuar Mesihut të Premtuar a.s., Hazret Kalifi i Dytë r.a. e përmend këtë:

Kam dëgjuar shumë herë një ngjarje nga Hazret Mesihu i Premtuar a.s. që është e Sulltan Abdul Hamid Khanit të Turqisë, i cili, më vonë, u zhgradua. Mesihu i Premtuar a.s. thoshte se i pëlqente shumë një fjalë që kishte thënë ai. Kur iu desh të luftonte kundër Greqisë, vezirët e tij dhanë arsye të ndryshme për të mos luftuar. Pra, Sulltani donte të luftonte, por vezirët e tij nuk e donin një gjë të tillë. Njëherë, kur vezirët i jepnin raport Sulltanit duke thënë se edhe kjo është në gatishmëri, edhe ajo është në gatishmëri e me radhë, i përmendën një aspekt të rëndësishëm dhe rreth tij thanë se vetëm ajo pikë është e dobët, pikë e cila kërkonte zgjidhje për të nisur luftën. Për këtë pikën e dobët, le të imagjinojmë, madje mendoj ndoshta kështu ishte, që, të gjithë vendet e Evropës u bashkuan për ta ndihmuar Greqinë dhe te kjo pikë, turqit nuk kishin asnjë zgjidhje. Mesihu i Premtuar a.s. thoshte se kur vezirët ia dhanë mendimin e tyre dhe, duke treguar vështirësitë, i thanë se nuk kemi zgjidhje për filan çështje, Sulltani iu përgjigj:

– Duhet t’i lëmë një hapësirë edhe Zotit.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. me shumë kënaqësi e rrëfente këtë fjalë të Sulltan Abdul Hamidit dhe thoshte se kjo i pëlqente shumë. Kështu, në përpjekjet e tij, besimtari duhet t’i lër një hapësirë edhe Zotit të Madhërishëm. E vërteta është që jo vetëm besimtari, por askush tjetër nuk mund të arrijë në pikën kur të mund të thotë se ka bërë çdo gjë me perfeksion. Nëse dikush thotë se mund të bëjë punën e tij në një mënyrë aq të përsosur saqë të mos ketë asnjë mangësi, ai bën marrëzi. Po ashtu, marrëzia është edhe ajo, që t’i lësh pas dore mjetet që janë të nevojshme për të realizuar një punë të caktuar. Në këtë kohë, popujt evropianë po bëjnë marrëzinë e parë, pra, ata e kanë harruar tërësisht hapësirën që duhet t’ia linin Zotit, kurse muslimanët po bëjnë marrëzinë e dytë, të cilët, vetëm duke ëndërruar mbështetje hyjnore, kanë reshtur së vepruari.

Pra, popujt e Evropës në përgjithësi e kanë harruar Zotin dhe muslimanët në përgjithësi nuk punojnë në drejtimin e duhur, duke pretenduar mbështetjen e Zotit dhe duke nxjerrë përfundime të gabuara. Edhe këtu, njerëzit ngrenë pyetjen, sidomos të rinjtë, se mos vallë popujt e zhvilluar po përparojnë për shkak se largohen nga feja dhe muslimanët po bien për shkak se e ndjekin fenë? Por e vërteta është që përgjithësisht muslimanët e kanë humbur ndikimin e tyre për shkak të mos veprimit dhe për shkak të konceptit të gabuar të të pasurit të mbështetjes hyjnore, madje kanë një qasje të gabuar thuajse në çdo çështje.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Kurani Famëlartë thotë:

“Keni riskun tuaj në qiell dhe edhe atë që juve ju është premtuar”.[1]

Një naiv, duke lexuar këtë ajet, gabon dhe heq dorë nga mjetet dhe masat e nevojshme që duhen marrë. Shumë muslimanë kujtojnë se derisa Allahu i Madhërishëm ka thënë se ju është siguruar risku në qiell dhe do t’ju jepet çdo gjë që ju është premtuar, nuk kanë nevojë të veprojnë, sepse Zoti Vetë do t’u japë çdo gjë. Ndërkohë, në suren El-xhuma, Zoti i Madhërishëm thotë:

“Shpërndahuni në tokë dhe kërkoni bekimin e Allahut!”[2]

Bekimi i Zotit është pikërisht kërkimi i tij dhe përdorimi i aftësive që Zoti na ka dhënë neve. Kjo është një çështje tejet delikate. Duhet të marrësh masat e duhura në njërën anë dhe, në anën tjetër, të mbështetesh tërësisht tek Zoti i Madhërishëm. Kështu që, duhet të keni parasysh që të merrni të gjitha masat e të përdorni të gjitha mjetet e nevojshme e pastaj të mbështeteni tek Allahu. Kjo është shenjë e besimtarit të vërtetë. Midis këtyre dy pikave, shejtani gjen plot raste për të ndjellë të këqija dhe ai bën çmos për të krijuar pengesa dhe për t’i prishur besimin besimtarit. Këtë aspekt ju nuk duhet ta harroni. Disa njerëz humbin rrugën dhe fillojnë t’i adhurojnë mjetet, kurse disa të tjerë i quajnë të panevojshme aftësitë që ua ka lënë Zoti i Madhërishëm. Shikoni, i Dërguari i Allahut s.a. kur shkonte në luftë, bënte të gjitha përgatitjet. Merrte kuaj dhe armë me vete. Madje, disa herë, ai vishte dy parzmore. Mbante edhe shpatë në ije. Ndërkohë Zoti i Madhërishëm e kishte premtuar:

“Allahu do të të mbrojë nga sulmet e njerëzve”.[3]

Shkurt, duhet të mbështeteni tek Allahu, pasi të keni marrë masat e nevojshme. Kjo porosi vlen në çdo çështje dhe pa e plotësuar këtë nuk vjen ndihma e Zotit.

(Ju lutemi, ndiqni videon për të parë fjalimin deri në fund)


 

[1] Kurani Famëlartë 51:23.

[2] Kurani Famëlartë 62:11.

[3] Kurani Famëlartë 5:68.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp