Perla të urtësisë nga Hazret Kalifi II i Mesihut të Premtuar r.a.
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Perla të urtësisë nga Hazret Kalifi II i Mesihut të Premtuar r.a.

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Qëllimin e ardhjes së tij, Mesihu i Premtuar a.s. e ka ndarë në pesë degë, njëra prej të cilave është edhe botimi i fletushkave për thirrjen ndaj fesë Islame si dhe për t’i dhënë argumentet për ardhjen e tij.

Ai e shtron rëndësinë e tyre duke thënë se:

“Për t’u bërë thirrje kundërshtarëve dhe mohuesve dhe për t’ua paraqitur të gjitha argumentet, kam vendosur të botoj një fletushkë me një tirazh prej dymijë kopjeve, që të jetë dëshmi para Zotit në ditën e Kijametit, se e kam përmbushur misionin tim, për të cilin isha dërguar në këtë botë.”

Nuk është se Mesihu i Premtuar a.s. ka botuar vetëm disa fletushka, por nëse ia studiojmë jetën, mësojmë se nga qysh para deklaratës e gjer në vdekje, Mesihu i Premtuar a.s. kishte botuar fletushka dhe njoftime të shumta, dhe nëse studiohen në tërësi këto fletushka që tashmë janë të botuar në një vepër të vetme, ata përbëjnë një thesar të çmueshëm për botën fetare. Mesihu i Premtuar a.s. kishte një ndjenjë të thellë dhembshurie dhe mëshire për të shpëtuar muslimanët dhe të krishterët. Ai e bënte këtë tërësisht i vetëm, pa asnjë mbështetje dhe ushtronte përpjekje të mëdha për këtë qëllim. Ndonëse ka shkruar edhe vepra voluminoze, por këto fletushka të shkurtra gjithashtu shpërfaqin dhimbjen dhe ngashërimin e tij për të reformuar njerëzimin. Përjetësimi i këtij ngashërimi për të reformuar botën dhe vazhdimi i këtij misioni është detyra e çdo pjesëtari të xhematit të tij, dhe secili prej nesh duhet të rreket fort në këtë drejtim. Duke u ndalur te dhembshuria e madhe dhe përpjekjet e tij stërlodhëse Kalifi II r.a. tregon se:

Ne kemi shembullin e Mesihut të Premtuar a.s. Ai pavarësisht problemeve shëndetësore i përkushtohej punës ditë e natë, dhe shkruante njoftim pas njoftimi. Njerëzit mahniteshin nga punët e tij. Pa u zbehur ndikimi i një fletushke dhe pa u pushuar vala e kundërshtimit, ai botonte fletushkën tjetër. Nganjëherë njerëzit i thoshin se botimi i fletushkave në këto rrethana mund të sillte rezultate të kundërta, por ai nuk e merrte në konsideratë asnjërën prej këtyre mendimeve, madje thoshte se hekuri farkëtohej kur është i nxehtë, prandaj para se të ftohej dëshira e njerëzve, ai menjëherë botonte fletushkën e re, që e ndizte sërish flakën e kundërshtimit. Ai punoi në këtë mënyrë ditë e natë, dhe këtu qëndron çelësi i suksesit. Nëse edhe ne i përmbahemi kësaj rruge, mund të korrim suksese. Nuk duhet të mendojmë për të pushuar valën kundërshtuese, por nëse bashkë me kundërshtimin, vazhdojnë të shpërndahen edhe fletushkat, atëherë kjo sigurisht do të sjellë rezultate.

Kalifi II r.a. duke vënë në dukje periudhën e Mesihut të Premtuar a.s. shprehet se në kohën e tij predikimi dhe thirrja ndaj xhematit realizohej me anë të fletushkave dhe njoftimeve. Ato fletushka përbëheshin nga dy apo katër faqe, dhe bënin jehonë të gjerë në mbarë vendin. Ato botoheshin në tirazh të madh, pra nëse botohej në dy mijë kopje, konsiderohej një tirazh i madh. Disa herë botoheshin me tirazh prej njëzet mijë kopje. Sot xhemati ynë është dhjetëra herë më i madh, andaj mënyra e të predikuarit duhet të jetë që fletushka të botohej me tirazh prej pesëdhjetë mijë apo njëqind mijë kopje, e atëherë shikoni sesi ato i tërheqin njerëz. Nëse përpara fletushkat botoheshin dymbëdhjetë herë në vit, tashmë mjafton të botohen vetëm dy apo tri herë në vit, por në një tirazh prej njëqind apo dyqind mijë kopje. E kështu ato do të shkaktojnë një tronditje të tillë që çdokush do të mësojë rreth tyre.

Para tri apo katër vjetësh, edhe unë i kisha porositur xhematet e botës, për të kryer punën e thirrjes, duke përgatitur fletushkat dyfaqëshe. Unë u kisha dhënë objektivën për ta botuar atë në tirazh prej disa qindra mijë kopjesh, që njerëzit të mësojnë mësime të bukura të Islamit, me qëllim që botës t’i përcillet mesazhi i vërtetë i Islamit, t’i përcillet mesazhi i ardhjes së Imam Mehdiut alejhiselam për rilindjen e Islamit, dhe që bota të dijë se Zoti edhe sot dërgon të dërguarit të Tij për të çliruar njerëzimin nga kthetrat e djajve. Sigurisht, me mëshirën e Zotit, ato xhemate që kanë punuar në këtë drejtim, kanë arritur rezultate mjaft mbresëlënëse. Kisha dërguar grupin e studentëve të Institucionit të Teologjisë pra të Xhamias në Spanjë për të shpërndarë këto fletushka, dhe ata kryejnë një punë të shkëlqyeshme duke shpërndarë rreth treqind mijë fletushka. Së fundmi, edhe studentët e Xhamiasë së Kanadasë kanë shpërndarë këto fletushka në Meksikë dhe në shtete të tjera latine. Kjo fushatë ka zgjeruar terrenin e thirrjes dhe kanë fituar edhe disa bejte.

Prandaj, në vend që të shpërndahen libra të trashë, duhet të botojmë fletushka dyfaqëshe njëra pas tjetrës, dhe të koordinojmë shpërndarjen e tyre.

Duke u ndalur në metodologjinë e shpërndarjes së fletushkave, Kalifi II r.a. shprehet se ndonjëherë individët dëshirojnë të botojnë vetë fletushkat. Pra, si sot edhe në atë kohë, disa individë kishin dëshirë që me mjetet e tyre të botonin dhe shpërndanin fletushka. Kalifi II r.a. ka theksuar se duhet shpërndarë ato fletushka që botohen nga Qendra. Ndonjëherë, përpjekjet individuale shkaktojnë vetëpëlqimin, pra individët duan që fletushkat të mbajnë emrat e tyre. Vetëpëlqimi është një sëmundje e rrezikshme. Mesihu i Premtuar a.s. duke shtruar rrezikun e vetëpëlqimit, kishte treguar një tregim se një herë ishte një grua, e cila kishte blerë një unazë, por askush nuk e kishte vërejtur unazën, apo t’ia lavdëronte asaj. Duke u mërzitur nga kjo, ajo i vuri zjarr shtëpisë. Njerëzit u mblodhën dhe e pyetën se a kishte shpëtuar diçka. Ajo tha se nuk më ka mbetur përveç kësaj unaze. Dikush e pyeti: o sa e bukur kjo, kur e kishe blerë? Ajo iu përgjigj: Po të kishe pyetur përpara, nuk do të kishte nevojë që të digjej e gjithë shtëpia. Pra, vetëpëlqimi është një sëmundje që e gërryen njeriun dalëngadalë përbrenda, e ai nuk e kupton këtë. Kështu që nuk bëhet fjalë vetëm për përgatitjen dhe shpërndarjen e fletushkave, por nëse vetëpëlqimi dhe fama ngulitet në mendje edhe në raste të tjera, atëherë edhe nëse njeriu mundohet mjaft, ai akoma nuk fiton asgjë prej tyre, dhe pëson vetëm humbje. Elhamdulilah, tani projektet në fushën e thirrjes kanë marrë përmasa aq të mëdha saqë përpjekjet individuale mund të gjejnë një hapësirë shumë të kufizuar. Megjithatë, vetëpëlqimi akoma nxjerr krye në hapësirën e vet. Por, nëse dikush e merr përsipër këtë detyrë me sinqeritet, atëherë i duhet të zgjerojë punën e vet. Pra, nëse dikujt i vjen ndonjë ide sesi mund të përmirësohen fletushkat apo të bëhen tërheqëse si nga pamja ashtu edhe me tematikë interesante, atëherë ai duhet të kontaktojë xhematin. Nëse ajo punë vërtetë vlen, atëherë do të botohet nga xhemati. Tani dua të citoj disa rrëfime lidhur me Mesihun e Premtuar a.s. dhe sahabët e tij.

Kalifi II r.a. rrëfen se martirët e Afganistanit nuk trembeshin aspak kur gjuheshin me gurë, madje i duronin me trimëri dhe qëndrueshmëri. Kur u gjuajtën rëndë, Sahibzada Abdyl Latif shehid, Nematullah Khan sahibi dhe martirët e tjerë u lutën me këto fjalë: O Zot! Mëshiroji këta njerëz dhe udhëzoji në rrugën e drejtë. Kur ndjenjat e dashurisë pushtojnë shpirtin, atëherë çdo fjalë merr tjetër ndikim, dhe rrezet e ndritshme që lëshohen nga fytyrat tërheqin njerëzit drejt vetes. Kalifi II r.a. duke rrëfyer nga kujtimet e tij, rrëfen se mijëra njerëz erdhën në Kadijan për të parë Mesihun e Premtuar a.s. dhe dëshmuan se fytyra e tij nuk ishte fytyra e një gënjeshtari. Ata e pranuan dhe iu bindën padëgjuar asnjë fjalë prej tij. Shembuj të tillë gjenden edhe sot. Unë shpesh marr letra, dhe njerëzit më shkruajnë se vetëm duke parë fotografinë e Mesihut të Premtuar a.s., ne kuptuam se ajo fytyrë nuk i përkiste ndonjë gënjeshtari dhe kemi bërë bejt.

Mesih i Premtuar a.s. thoshte se janë tre lloj njerëzish në xhematin tonë. Së pari janë ata që kanë pranuar xhematin duke më parë mua dhe duke studiuar deklaratat e mia. Gjendja e Islamit ishte e mjerueshme dhe një përçarje e thellë kishte copëtuar umetin musliman, andaj edhe muslimanët ishin të ndarë në kategori të ndryshme. Kategoria e parë kupton deklaratat e mia, dinë qëllimin e ardhjes sime, dhe janë të ndërgjegjshëm se ata duhet të ofrojnë po ato sakrifica siç kanë bërë ndjekësit e të dërguarve të mëparshëm. Kategoria e dytë u përket atyre njerëzve, të cilët kanë hyrë në xhemat vetëm sepse Molvi Nuruddin sahibi kishte bërë bejt në dorën e Mesihut të Premtuar a.s. Molvi Nurudin sahibi ishte mësuesi i tyre, dhe ata e respektonin me nderim të thellë dhe e çmonin si një dijetar të madh, prandaj kur Molvi Nuredin sahibi pranoi xhematin, edhe ata vendosën të bëheshin ahmedianë. Pra, lidhja e tyre me xhematin është kushtëzuar nga Molvi Nurdein sahibi r.a. Këta nuk e kanë kuptuar qëllimin dhe rëndësinë e ardhjes sime. Përpos këtyre dyve, kategoria e tretë u përket atyre të rinjve, zemrat e të cilëve ndonëse ngashëreheshin nga gjendja e muslimanëve, ata donin në aspektin kombëtar e jo në aspektin fetar, që edhe muslimanët duhet të ishin të bashkuar. Pra, u mungonte dhembshuria ndaj Islamit, por duke parë gjendjen e muslimanëve, aspironin për bashkimin e tyre. Pra, edhe kësisoj njerëzish iu bashkuan xhematit, por duke parë se këtu kushtohej më shumë rëndësi për fenë, atëherë shumica prej tyre në momente të ndryshme gjatë periudhës së Kalifatit të dytë u ndanë prej Xhematit.

Kjo dëshirë e zjarrtë gjendet sot edhe tek ata të rinjtë, të cilët padrejtësisht u bashkohen organizatave dhe grupeve të ndryshme ekstremiste dhe terroriste. Ata dinë vetëm kaq se duhet të kenë një grupim, ku ata ndiejnë identitetin musliman dhe vetëdijen islame. Ata nuk dinë asgjë nga ana fetare. Prandaj, kur pyeten në Siri ose në Irak, se këto vepra janë në kundërshtim të hapur me Kuranin dhe Hadithin, ata shprehen se nuk dinë asgjë, veçse veprojnë ashtu siç u kërkohet nga paria e tyre. Ata tregojnë gatishmërinë e tyre për të krijuar e për të vendosur identitetin e tyre në emër të Islamit. Pra, Mesihu i Premtuar a.s. tregon se disa individë nuk dëshirojnë asgjë më tepër se bashkimin, organizmin dhe përforcimin e muslimanëve, me anë të shoqatave, medreseve apo institucioneve fetare. Meqë muslimanët e tjerë nuk kishin mundësi të formonin bashkësinë e tyre, prandaj ata u interesuan për ne, dhe kur panë bashkimin tonë, edhe ata u bashkuan me ne. Tani ata duan të themelojnë medrese dhe t’u japin nxënësve dëftesa, pra për këtë arsye ata kujtojnë se xhemati ynë qenka shoqatë që nuk ka lidhje me fenë. Mjete për të përparuar në botë janë krejt ndryshe prej atyre që janë në fe. Organizatat zhvillohen krejt ndryshe nga fetë. Përparimi i besimit synon përmirësimin dhe reformën e moralit, brumosjen dhe nxitjen e sakrificës dhe vetëmohimit. Përparimi i besimit realizohet përmes namazeve dhe agjërimeve që lartësojnë nivelin shpirtëror, duke iu mbështetur Allahut dhe duke ia kushtuar nënshtrimin dhe bindjen e plotë. Nëse ne realizojmë këto synime, atëherë para botës sigurisht mund të konsiderohemi të çmendur, por në sy të Zotit, nuk do të jetë askush më të mençur se ne. Sipas Kuranit Famëlartë, kur muslimanët bëjnë sakrifica vetëmohuese, hipokritët i quajnë naivë dhe mendjelehtë, se muslimanët po çojnë në dëm paratë e tyre, dhe nuk dinë të shfrytëzojnë pasuritë e tyre në punë të dobishme. Kur besimtarët sakrifikojnë kohën e tyre, ata prapë i quajnë të marrë dhe të shkalluar, dhe thonë se këta kurrë s’mund të përparojnë. Pra, ata i quajnë muslimanët ose naivë e mendjelehtë, apo të marrë dhe të shastisur. Këta ishin dy tituj kryesorë të cilët hipokritët u jepnin muslimanëve, por ja shiko se po këta njerëz naivë dhe të marrë u bënë prijës për të mençurit e botës. Andaj, xhemati ynë nuk mund të korrë asnjë sukses derisa ai nuk e ndjek këtë rrugë “të marrë”. Nëse doni të gënjeni kur ju del nevoja, apo të veproni me mashtrime e batakçillëk, të silleni me dinakëri apo djallëzi, apo doni të përdorni edhe përgojimin dhe pas të gjitha këtyre mjeteve të gabuara, të shpresoni se do t’ia dilni mbanë detyrës suaj, atëherë të dini se ju kurrë nuk do ta arrini atë sukses që Zoti i ka premtuar Mesihut të Premtuar a.s. Sigurisht, mjete të tilla si mashtrimi, dredhia, përgojimi dhe thashethemet mund t’ju vijnë në ndihmë në organizatat tokësore, por përmes tyre kurrë u vjen hair besimit, përkundrazi ato ndjellin mallkimin e Zotit. Prandaj bashkësitë fetare duhet të shquhen patjetër me morale të larta dhe përparësi shpirtërore. Pra, çdo musliman ahmedian duhet të lartësojë shkallën e tij shpirtërore dhe morale.

Duke shtruar prapavijën e themelimit të shkollës Talimul Islam dhe rëndësinë e saj Kalifi II r.a. tregon:

“Kur u themelua kolegji Talimul Islam, ne planifikuam se do të duheshin urgjentisht kaq qind mijë rupi, ndërsa duhen siguruar kaq qind mijë rupi si buxheti vjetor për mbarëvajtjen e tij, dhe planifikoheshin projektet madhore, ndërsa na ishte një kohë kur nuk kishim kushte as për të vazhduar mësim në shkollën e mesme. Në Kadijan, kishim një shkollë të mesme, që menaxhohej nga sekti Arija. Fillimisht fëmijët tanë u regjistruan atje. Mësuesit arija gjatë ligjëratës predikonin kundër konsumimit të mishit, duke thënë se hindutë nuk përdorin mish dhe është gjynah dhe mizori të hahet mishi. Në Kadijan, kishim edhe një shkollë fillore, dhe mësuesit arija edhe atje predikonin kundër mishit. Kalifi II r.a. rrëfen se kur mësoja në këtë shkollë fillore, për të ngrënë drekë, shkova nën hijen e një peme. Unë mbaj mend mjaft mirë se në termos kisha pak mëlçi të skuqur. I ndjeri Mian Umerdin sahib babai i Mian Abdullahut ishte gjithashtu nxënës në atë shkollë, veçse ai ishte më i madh se unë. Kur u ula për të ngrënë bukë, ai m’u afrua dhe duke parë ushqimin tim, më tha “uao, a po ha mans (mish)?” Ai ndonëse ishte musliman, ishte ndikuar prej predikimit të mësuesve arija, të cilët vazhdimisht e quanin konsumimin e mishit si mizori, barbari dhe një veprim të neveritshëm. Unë nuk e kisha dëgjuar fjalën mans, andaj nuk e kuptova se mans do të thotë mish. Unë i thashë “Jo, ky nuk është mans, kjo është mëlçi.” Ai më tha se mishi quhet edhe Mans. Kështu që e kisha dëgjuar atë fjalë për herë të parë prej tij. Ai më tha me aq neveri saqë m’u duk se me të vërtetë konsumimi i mishit është i neveritshëm. Pra, mësuesit arija vazhdimisht bënin kritika e akuza ndaj Islamit, dhe nxënësit u tregonin prindërve të tyre. Kështu që edhe Mesihu i Premtuar a.s. kishte mësuar për këtë problematikë, dhe ai porositi se sidoqoftë xhemati duhet të themelojë shkollën e tij fillore. Kështu që u përurua shkolla fillore, dhe një nismë e tillë në ato rrethana u konsiderua si arritja më e madhe xhematit. Në atë kohë, kunati im rahmet pastë Nevab Muhammed Ali Khan sahibi ishte shpërngulur në Kadijan. Ai ishte shumë i pasionuar pas shkollave, andaj kishte themeluar një shkollë 9-vjeçare në Malerkotla. Ai shprehu dëshirën për ta kaluar këtë shkollë fillore  në atë 9-vjeçare, madje tha se do të mbyllte shkollën 9-vjeçare të Malerkotlas, dhe i gjithë donacioni të kalonte në llogarinë e shkollës së Kadijanit. Kështu që shkolla fillore e Kadijanit u bë shkolla 9-vjeçare. Pastaj nga interesimi i Nevab Muhammed Ali sahibit dhe të Hazret Kalifit I r.a., u vendos të hapet një shkollë e mesme në Kadijan. Pra, në këtë mënyrë u përurua shkolla e mesme e Xhematit. Kjo shkollë e mesme më shumë ishte vetëm si titull, sepse shumica e arsimtarëve kishin kaluar vetëm provimin e regjistrimit në shkollën e lartë. Madje, disa prej mësuesve kishin ngelur në këto provime, megjithatë xhemati nuk kishte mundësi financiare për të investuar më shumë. Por, kur qeveria detyroi për të ndërtuar godinën e shkollës dhe të konviktit, madje premtoi edhe për mbështetje financiare, atëherë gjatë kohës së Kalifit I r.a. u ndërtuan godinat e shkollës dhe të konviktit. Me kalimin e viteve, u përmirësua ndjeshëm edhe niveli dhe kualifikimi i stafit dhe u rrit numri i nxënësve. Fillimisht ishin njëqind e pesëdhjetë nxënës, e pastaj u bënë tre katërqind dhe më vonë u bënë shtatë e tetëqind nxënës. Ky numri mbeti i pandryshuar për disa vite radhazi, por gjatë tre-katër viteve të fundit, numri i nxënësve ka arritur një mijë e shtatëqind, ndërsa numri i nxënëseve është rreth një mijë, pra vajzat dhe djem bashkërisht janë rreth tre mijë. Më vonë u themelua edhe Medreseja Ahmedia si dhe kolegji. Alhmadulilah, pas thirrjes sime, numri i studentëve është rritur edhe në Medresenë Ahmedia dhe çdo vit rreth 25-30 studentë po regjistrohen në të. Nëse ky ritëm vazhdon, nuk është larg kur numri i nxënësve do të arrijë deri gjashtë apo shtatëqind studentë, dhe kështu do të kemi njëqind misionarë çdo vit. Derisa nuk e arrijmë këtë numër, ne nuk mund të punojmë ashtu siç duhet.

(Ky ishte numri minimal që kishte parashikuar Kalifi II r.a., ndërsa tani çdo vit qindra misionarë përfundojnë studimet e tyre dhe shërbejnë në xhemat.)

Në 1944 kisha themeluar Kolegjin, sepse kisha ndjerë se tani ishte koha, kur duhet të merrnim frenat e arsimit të lartë të të rinjve tanë. Dikur, anëtarët e xhematit kishin grada të ulëta dhe të ardhura të vogla. Pa dyshim, disa anëtarë kanë pranuar xhematin duke qenë në fakultet apo universitet, por ne e konsiderojmë këtë të rastësishme, sepse përveç disave xhemati nuk kishte anëtar me grada të larta apo me të ardhura të mëdha. Ishte një tregtar Set Abdurrahman Haxhi Allah Raka sahib nga Medrasi, por biznesi i tij u falimentua.  Pastaj ishte Sheik Rahmatullah sahibi. Pra, nuk kishim asnjë tregtar apo titullar të rëndësishëm në radhët e xhematit, derisa Kalifi I r.a. m’u drejtua njëherë duke thënë: “Shiko i dashur! Kurani Famëlartë dhe hadithet e Muhammedit s.a.s. na tregojnë se fillimisht njerëzit e mëdhenj nuk i pranojnë të dërguarit e Zotit. Andaj, edhe ky është një argument në mbështetje të Mesihut të Premtuar a.s. se nuk ka asnjeri i njohur apo i rëndësishëm në xhematin tonë. Pra, nuk kemi asnjë EAC oficer. (Huzuri shton se EAC ishte një gradë shumë e lartë në atë kohë në administratën publike), ndërsa sot EAC ecin nëpër rrugicat e Kadijanit dhe askush nuk e vështron, megjithatë dikur në xhemat na mungonin njerëz me grada të larta.

Alhamdulilah, sot xhemati po financon dhe menaxhon qindra shkolla në mbarë botën, dhe ekspertë të fushave të ndryshme janë pjesëtarë të këtij xhemati. Kemi ahmedianë që janë deputetë në kuvendin kombëtar të disa shteteve. Ata jo vetëm që janë shquar në botën politike apo në fushën e tyre përkatëse, por kanë përparuar edhe në përulësinë dhe sinqeritetin e tyre. Madje në Afrikë kemi anëtarë që janë pjesë të kabinetit dhe drejtojnë ministri të rëndësishme. Pra, edhe këto janë prej mirësisë së Allahut dhe si Ai ka bekuar këtë xhemat.

Duke u ndalur në vështirësitë me të cilat ishin përballuar ahmedianë të parë, dhe mirësitë e Allahut, Kalifi II r.a. thotë se na ishte një kohë kur xhemati shtrëngohej nga katër anët, dhe hoxhallarët kishin lëshuar vendime fetare sipas të cilave vrasja e ahmedianëve, grabitja e plaçkave të tyre, rrëmbimi i pronave të tyre, dhe martesa e grave të tyre me dhunë pa e prishur kurorëzimin e parë, jo vetëm se janë të lejueshme por janë mjete për të fituar sevap. Pra, në atë kohë xhemati përbëhej nga njerëz të thjeshtë, ndaj të cilëve ushtroheshin mizori të ashpra. Njerëz të pamoralshëm dhe të ligtë, të cilët gjithmonë gjurmojnë mënyra për të plotësuar lakminë dhe babëzinë e tyre, menjëherë iu përgjigjën këtyre vendimeve fetare. Pra, ata me forcë i morën për bashkëshorte gratë e martuara ahmediane, apo i detyruan të ndaheshin nga burrat e tyre. Ahmedianët dëboheshin dhe shpronësoheshin nga shtëpitë dhe pronat e tyre, dhe shkarkoheshin nga punët. Pronat e tyre po rrëmbeheshin me dhunë. Shumëkush duke mos gjetur asnjë shpëtim nga këto shtrëngesa dhe persekutime morën rrugën e mërgimit. Meqë ata nuk kishin ku të shkonin përveç Kadijanit, shpenzimet e mikpritjes u rritën ndjeshëm. Ndonëse xhemati i Kadijanit kishte rreth një mijë apo dy mijë anëtarë, por secili prej tyre kishte qenë viktimë i këtyre sulmeve armiqësore. Këta një mijë apo dy mijë persona, të cilët ishin të angazhuar në mbrojtjen e jetës, nderit, pronave dhe të pasurisë së tyre, ishin të ngarkuar tërësisht në debate me të tjerët, të cilët sakrifikonin përulësisht nga pasuritë e tyre për të mbështetur përhapjen e Islamit, të cilët morën përsipër mikpritjen e të gjithë atyre mysafirëve që vinin në Kadijan për të mësuar fenë, e tani së fundmi u ngarkuan edhe me përballjen e të gjitha harxhimeve në strehimin dhe mikpritjen e vëllezërve të tyre të shpërngulur, ishte me të vërtetë një sakrificë e pashembullt.

Huzuri shton se ne duhet ta mbajmë mend këtë pjesë të historisë sonë, sepse ky nuk është ndonjë fakt i thjesht. Qindra njerëz ushqeheshin për dy vakte në sofrat e xhematit, dhe përpos kësaj xhemati u përgjigjej edhe nevojave të njerëzve të vobektë. Për shkak të kësaj shpërnguljeje, përveç bujtinës së xhematit ku strehoheshin mysafirët, çdo familje ahmediane në Kadijan ishte shndërruar në një bujtinë ku akomodoheshin familje të tëra. Çdo dhomë e banesës së Mesihut të Premtuar a.s. ishte bërë strehimore për familje të shpërngulura. Pra, nuk kishte shtëpi së cilës i mungonin mysafirë apo muhaxhirë. Kjo barrë e rëndë financiare ishte përtej fuqisë njerëzore. Çdo ditë gdhihej me sfida dhe sprova të reja, ndërsa ngrysej me vështirësi dhe përgjegjësi të reja, por flladi i fjalës së Zotit përmendur në ajetin الیس اللہ بکافٍ عبدہٗ  d.m.th. “A nuk është i Mjaftueshëm Allahu për robin e Tij” i largonte të gjitha shqetësimet si kashta bari, dhe ato re të zeza që kanosnin shkuljen dhe përmbysjen e themeleve të Xhematit, shndërroheshin në retë e mëshirës dhe mirësisë së Zotit, dhe çdo pikë që binte prej tyre jehonte tingullin inkurajues të الیس اللہ بکافٍ عبدہٗ  . Pra, pavarësisht vështirësive të shumta, anëtarët e xhematit gëzonin një bindje të pathyeshme se rrethanat do të ndryshohen për së miri.

Ndonëse në Pakistan në veçanti dhe në shtete të tjera muslimane në përgjithësi, muslimanët ahmedianë po përballen me situata shtrënguese, por akoma nuk është ajo gjendje e mjerimit që ekzistonte atëherë. Anëtarët e xhematit jo vetëm në anën ekonomike por edhe në organizimin e tyre janë shumë herë më të mirë, dhe manifestojnë mirësitë e Zotit. Ahmediati ka mbërritur në skajet më të largëta të Tokës. Pas mërgimit nga vatrat e tyre, ahmedianët nuk janë grumbulluar në një vend, por janë përhapur në mbarë botën. Nëse janë shtrënguar në vendet e tyre, ata kanë dalë jashtë, dhe Allahu i Madhërishëm na ka zgjeruar edhe mundësitë tona. Po kështu, kurdoherë jemi përballuar me shtrëngime, kemi gjetur mbështetje në thirrjen e fjalëve të Zotit se الیس اللہ بکافٍ عبدہٗ . Sot kuzhina e Mesihut të Premtuar a.s. gjendet në çdo cep të botës, dhe njerëzit përfitojnë prej tyre. Allahu kurrë nuk na ka braktisur, dhe dashtë Allahu edhe në ardhmen Ai do të mbetet me ne, derisa edhe ne jemi lidhur me të. Sigurisht ne duhet të japim sakrifica, dhe muslimanët ahmedianë gjithmonë janë të gatshëm në sakrifica, por çdo sakrificë na çel rrugë të reja të mirësisë së Zotit, dhe Ai kurrë nuk pakëson mbështetjen e Tij.

Duke u ndalur në mbrojtjen e Allahut, Kalifi II r.a. rrëfen një ngjarje nga jeta e Mesihut të Premtuar a.s. Z. Kunver Sen është dekan i fakultetit të Juridikut në Lahor, ndërsa babai i tij kishte lidhje shumë të ngushta me Mesihun e Premtuar a.s, madje nëse Mesihu i Premtuar a.s. kishte nevojë për borxh, ai i kërkonte. Ai ndonëse ishte hindu, kishte respekt dhe ndjenja dhembshurie për Mesihun e Premtuar a.s. Në çështjen gjyqësore të Xhehlemit, ai i kishte dërguar kabllogram djalit të tij, që të përfaqësonte Mesihun e Premtuar a.s. si avokat. Kjo lidhje e sinqertë midis tij dhe Mesihut të Premtuar a.s. buronte nga koha e rinisë së Mesihut të Premtuar a.s. kur ai bashkë me disa miq të tjerë banonte në Sijalkot dhe kishte parë shumë shenja prej tij. Një prej këtyre rasteve ishte kur Mesihu i Premtuar a.s. bashkë me shokë të tjerë flinte në banesë, kur Zoti e lajmëroi se ajo shtëpi ishte e rrezikshme. Ai menjëherë i zgjoi shokë të tij se ajo shtëpi kishte rrezik, andaj ne duhet të dalim prej saj. Ata për shkak të gjumit, nuk i kushtuan shumë vëmendje, dhe duke thënë se ishte veç imagjinata e tij, ranë në gjumë prapë. Por Mesihu i Premtuar me ankth të madh, i zgjoi sërish ata, dhe u tregoi kërcitjet që vinin nga binarët dhe kërkoi me ngulm që të lirohej shtëpia menjëherë. Por, ata ende nuk i morën seriozisht dhe thanë se është normale të vijë zhurma e tillë nëse insektet e gërryejnë drurin, ju pse na prishni gjumin. Mesihu i Premtuar a.s. prapë insistoi se u tha: ju lutem, më besoni mua, dhe dilni për hirin tim. Ata përfundimisht u pajtuan të lironin banesën. Meqë Mesihu i Premtuar a.s. ishte i bindur se Zoti për të më mbrojtur mua, do të vonojë shembjen e godinës, andaj ai u kërkoi që së pari të zbrisnin ata, e ai të vinte nga pas. Kur ata dolën përjashta, dhe në fund doli edhe Mesihu i Premtuar a.s., ai ende një këmbë kishte në shkallë, kur e gjithë banesa u shemb. Tani shikoni, Mesihu i Premtuar a.s. nuk ishte inxhinier që vetëm duke parë gjendjen e çatisë, të kuptonte se ajo do të shembet. Madje, derisa ai këmbëngulte për t’i zgjuar të tjerët nga gjumi, çatia mbeti e sigurt, por momentin që ai hodhi hapin e fundit jashtë shtëpisë, ajo u rrëzua përtokë. Kjo tregon se kjo ngjarje nuk ishte e rastësishme, por ishte Allahu Mbrojtësi, i Cili vonoi shembjen e shtëpisë, derisa Mesihu i Premtuar, të cilin donte të mbronte Zoti, të mos dilte jashtë shtëpisë. Pra, shfaqja e atributit el-Hafiz d.m.th. Mbrojtës në këtë ngjarje, dëshmon për ekzistencën e Zotit të Plotfuqishëm.

Mesihu i Premtuar a.s. rrëfen një ngjarje tjetër, që dëshmon sjelljen e veçantë të Zotit ndaj tij. Mesihu i Premtuar a.s. rrëfen se njëherë u nisa nga Amritsari në karrocë, ndërsa bashkë me mua ishte një hindu i shëndoshë. Ai hyri para meje, dhe për t’u rehatuar shtroi këmbët përpara, derisa bllokoi edhe sedilen e përparme ku duhet të ulesha unë. Mesihu i Premtuar a.s. rrëfen se kisha shumë pak vend për t’u ulur ndërsa dielli shkëlqente aq fort, saqë e rraskapiste njeriun. Për të më mbrojtur nga dielli i fort, Allahu dërgoi një re, që na shoqëroi deri në Batala, duke bërë hije sipër nesh. Duke parë këtë, ai hindu më tha se duket se jeni njeri i Zotit.

Pra, Allahu i Madhërishëm në këtë mënyrë sillet me robërit e Tij, që i mahnit njerëzit e tjerë, megjithatë kushti parësor është nënshtrimi i plotë ndaj Tij. Njeriu i tillë me siguri më në fund gëzon hair. Ai ndonëse shfaqet si i poshtëruar në sytë e atyre që i japin rëndës pamjes së jashtme, por në fund ai gëzon vetëm nderim. Ndonëse, të tjerët tentojnë t’ia njollosin emrin, por përfundimisht do të gëzojë respekt të pakrahasueshëm. Pra, njeriu i tillë niset nga nënshtrimi dhe përfundon në mbështetje, d.m.th. nëse i nënshtrohemi Zotit duke qenë adhurues i vërtetë, atëherë do të na shoqërojë mbështetja e Zotit, përballë çdo të keqe që na godet.

Në lidhje me ndikimin shpirtëror, në përhapjen e veprave të mira, në edukimin dhe reformën e ndjekësve të tyre dhe në ndjenjat dhembshurie ndaj njerëzimit, Kalifi II shtron çështjen se çfarë është dallimi midis një dervishi të thjeshtë dhe të dërguarit të Zotit? Kalifi II r.a. tregon se Munshi Ahmed Xhan sahib nga Ludiana kishte ndërruar jetë, para se Mesihu i Premtuar a.s. të shpallte deklaratat e tij, por ai ishte vështrimi i tij shpirtëror ishte aq i mprehtë saqë ai i kishte shkruar Mesihut të Premtuar a.s.:

“ہم مریضوں کی ہے تمہیں پہ نگاہ     تم مسیحا بنو خدا کے لئے

d.m.th. ne të sëmurit kemi varur shpresë prej teje, prandaj bëhu Mesih për hir të Zotit.

Ai u kishte bërë porosi djemve të tij se unë po vdes tani, por ju mos harroni se Mirza sahibi ka për të bërë një deklaratë. Unë po ju lë amanet për ta pranuar atë. Pra, ai ishte njeri jashtëzakonisht shpirtëror. Në rininë e tij, mësuesi i tij i kishte vënë kusht që të bluante miell në mullirin e tij në vend të kaut për dymbëdhjetë vjet. Pra, ai punoi 12 vjet në këtë mulli, e kur të përmbushi këtë kusht, ai i dha mësimet shpirtërore. Ata që konsideroheshin mësues shpirtëror, silleshin me koprraci të madhe për t’u mësuar të tjerëve çështje shpirtërore. Ndërsa Mesihu i Premtuar a.s. zbuloi të gjitha këto çështje, madje në ato përmasa që ishin qindra herë më të mëdha. Ai u tregoi atyre edhe ato çështje që nuk ishin zbuluar deri më tani, dhe i shpërndau në mbarë botën, por sipas parashikimit të haditheve, njerëzit nuk e vlerësuan këtë thesar të çmuar. Pra, njerëz që shtiren si shpirtëror, nuk mund krahasohen me ata që janë ngarkuar prej Zotit për reformën e botës, për t’ia afruar Zotit dhe për t’ia shtuar pasurinë shpirtërore. Sepse ky është misioni i Mesihut të Premtuar a.s., siç ai deklaron vetë se Zoti më ka caktuar reformator me qëllim që të zhduk hendekun që gjendet në lidhje midis Zotit dhe krijesës, dhe të vendos dashuri dhe dëlirësi midis tyre. Që të shpërfaq të vërtetat e besimit, që ishin zhdukur nga sytë e botës, dhe ta zbuloj atë spiritualitet që ishte varrosur dhe fundosur në errësirat e dëshirave personale, dhe më shumë se çdo gjë tjetër të rrënjos tehuidin e pastër dhe rrezatues që është e privuar nga çdo përzierje shirku, dhe që nuk gjendej më në botë.

Allahu na mundësoftë të lidhemi sinqerisht me Zotin e Lartësuar duke plotësuar përgjegjësinë e bejtit. Allahu na mundësoftë të njohim esencat e besimit dhe t’i zbatojmë ato, të pasurohemi shpirtërisht dhe të marrim pjesë nga shkëlqimi i teuhidit. Allahu i mundësoftë edhe banorët e kësaj bote të pajisen me këtë njohuri, dhe veçanërisht umetin musliman të kuptojnë dhimbjen e Mesihut të Premtuar a.s. dhe hyjnë në xhematin e tij. Amin

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp