Thelbi i dërgimit të salavateve ndaj Pejgamberit s.a.
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Thelbi i dërgimit të salavateve ndaj Pejgamberit s.a.

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Përderisa Vetë Allahu si dhe engjëjt e Tij madhërojnë Profetin Muhammed s.a. dhe i dërgojnë paqe, askush nuk mund ta pengojë përparimin e tij

اِنَّ اللہَ وَمَلٰئِکَتَہٗ  یُصَلُّوۡنَ عَلَی النَّبِیِّ ؕ یٰۤاَیُّہَا الَّذِیۡنَ اٰمَنُوۡا صَلُّوۡا عَلَیۡہِ وَ سَلِّمُوۡا تَسْلِیۡمًا

“Padyshim, Allahu dhe engjëjt e Tij i dërgojnë paqe Profetit. O ju që besuat! Edhe ju dërgojini selavate dhe shumë selam!” (Kurani Famëlartë 33:57)

Ky ajet tregon se Allahu i Madhërishëm i dërgon selavate  Profetit të Tij. Edhe engjëjt e Tij i luten Allahut për Profetin s.a. dhe kërkojnë madhërim për të. Pra, kur kjo është situata, atëherë ata që tentojnë ta pengojnë apo ta ulin me mashtrim e dinakëri përparimin e këtij Profeti s.a., kurrë nuk mund të kenë sukses. Ata që i thurin akuza të paqena Profetit të Allahut s.a. dhe e bëjnë shënjestër të talljes dhe qesëndisë së tyre dhe kujtojnë se fituan, jetojnë në “xhenetin” e kokëkrisurve. Intrigat dhe përpjekjet e tyre nuk mund t’i sjellin asnjë dëm këtij të Dërguari të dashur të Zotit të Madhërishëm. Qëllimi për të cilin Allahu i Madhërishëm e dërgoi këtë Profetit, me bekimin e Tij, do të vijojë të përmbushet. E sidomos në këtë kohë, duke dërguar edhe të dashuruarin e vërtetë të këtij Profeti s.a., Allahu i Madhërishëm ka hapur dyer të reja për të përhapur mësimet e bukura të Islamit.

Pra, Allahu i Madhërishëm, me mëshirën dhe bekimin e Tij, Vetë po përgatit udhën dhe mjetet për ta ndihmuar Profetin e Tij, të cilin e kishte dërguar për të gjitha kohërat dhe për të gjithë popujt. Kundërshtarët e Profetit s.a. nuk patën sukses as në të kaluarën dhe nuk do ta gëzojnë as tani. Ky është vendimi i Allahut. Prandaj, një musliman i vërtetë as nuk duhet të shqetësohet se ndokush të mund ta diskreditojë në këtë botë pozitën e Islamit ose të Profetit Muhammed s.a.. Po, ai duhet të ndërgjegjësohet për përgjegjësinë që i ka caktuar Allahu, e cila është që, ashtu siç i dërgojnë selavate Allahu dhe engjëjt Profetit të dashur, të përsosur dhe të fundit për t’ia ngritur pozitën, edhe ai ta përmbushë detyrën duke i dërguar selavate dhe selam pafund. Pra, kjo është detyrë e një muslimani të vërtetë. Duke u bërë ndër ata që i japin përparime misionit të këtij Profeti s.a., duke ndjekur Allahun e Madhërishëm dhe engjëjt e Tij, edhe ne duhet të t’i dërgojmë selavate dhe selam pafund Profetit Muhammed s.a..

Rreth shpërthimit të ndodhur në zyrën e gazetës franceze “Charlie Hebdo”

Xhumanë e kaluar, duke folur rreth ngjarjes së fundit që ndodhi në Francë sesi disa të ashtuquajtur muslimanë sulmuan redaksinë e një reviste duke u marrë jetën 12 njerëzve të saj, anëtarëve të Xhematit ndërkombëtar u kisha bërë thirrje t’i dërgojnë sa më shumë selavate Profetit s.a.. Ju kisha theksuar se ne nuk mund t’i sjellim triumf Islamit me dhunë e me vrasje, por duke i dërguar selavate Profetit Muhammed s.a.. Ju pata treguar edhe shqetësimin tim se do të shfaqej reagime të gabuara ndaj sulmit të bërë dhe pikërisht këtë mund ta shpresonim prej tyre. Ata përsëri i botuan karikaturat, gjë që përsëri na lëndoi thellë, dhe lëndoi çdo musliman të sinqertë. E terroristët ç’fituan?! Ndyrësinë që kishte bërë revista në fjalë para dy tri vitesh, e cila tashmë ishte bërë e harruar, të ashtuquajturit muslimanë, me veprimet e tyre të gabuara, e përhapën përsëri. Shumë nga liderët e botës perëndimore e kishin dënuar ashpër këtë revistë për veprimet e saj të mëparshme, madje disa shtete kishin deklaruar se nuk do të lejonin gazetat e tyre të bëjnë një gjë të tillë, por pas asaj që ndodhi javën e kaluar, shumë njerëz e liderë që mbahen si intelektualë e të përgjegjshëm, dhanë deklarata në mbështetje të kësaj reviste të padenjë. Jo vetëm kaq, ajo filloi të ketë ndihma të miliona dollarësh. Kjo revistë që kishte tirazh vetëm prej 60 mijë kopjesh dhe thuhej se së shpejti do ta shikonte fundin e vet, për shkak të veprimeve të gabuara të të ashtuquajturve muslimanë, tashmë arriti tirazhin më shumë se 5 milionë kopje, e gjithë kjo brenda javës. Disa analistë thonë se kjo revistë që mezi do ta shtynte veten për 6 muaj, tashmë mund të mbijetojë pa frikë për 12 vjet të tjerë.

Kështu, veprimet e të ashtuquajturve muslimanë, jo vetëm që zgjeruan imazhin e gabuar të Islamit në shumë vende të botës, por i dhanë jetë edhe armikut që po vdiste. Mjerë organizatat islamike, të cilat përhapin dhunë në emër të Islamit, sikur të kuptonin se mësimi i Islamit për dashurinë dhe dhembshurinë mund ta sjellë botën më shpejt në Islam! Mësimin e durimit e të kurajës siç e jep Islami, nuk e jep asnjë fe tjetër. Njerëzit materialistë (që e bënë këtë shëmti), janë të verbër fetarisht, të cilët, jo vetëm me profetët, nuk ngurrojnë të tallen edhe me Zotin e Madhërishëm. Nëse edhe ne do të bëjmë ndonjë reagim injorant ndaj veprimeve të injorantëve të tillë, ata do të zhyten akoma më shumë për të thelluar injorancën e tyre. Prandaj, Allahu i Madhërishëm thotë se në vend të zihemi me ta, të mënjanohemi prej tyre që janë kryekëput të padenjë. Është mëkat jo vetëm të qëndroni e të kuvendoni me ta, por edhe të reagoni padenjësisht ndaj veprimeve të tyre të padenja, sepse si kundërpërgjigje ata shprehin më shumë fjalë fyese e tallëse ndaj Zotit të Madhërishëm dhe Profetit Muhammed s.a.. Për këtë arsye, muslimani i sinqertë duhet t’i shmanget kësaj veprimtarie, duke ia lënë Zotit të Madhërishëm çështjen për gjykim. Ai këtë e thotë: “Kur të kthehen ata tek Unë, patjetër që do ta shohin pësimin”. Pra, përfundimisht, të gjithë do të kthehemi tek Allahu i Madhërishëm, atëherë Ai do t’u tregojë se çfarë bënin.

Armiku në këtë kohë, dëshiron t’i shkaktojë dëm Islamit dhe të Dërguarit të Allahut s.a. jo me dhunë, por duke përdorur pikërisht dredhi të tilla të ulëta.

Armiku në këtë kohë, dëshiron t’i shkaktojë dëm Islamit dhe të Dërguarit të Allahut s.a. jo me dhunë, por duke përdorur pikërisht dredhi të tilla të ulëta. Kurse Zoti i Madhërishëm, duke thënë se Ai dhe engjëjt e Tij i dërgojnë paqe Profetit Muhammed s.a., ka shprehur një gjë parimore, që veprimet e ulëta të armikut nuk mund të diskreditojnë aspak pozitën e lartë të Profetit Muhammed s.a.. dhe me këtë u tha besimtarëve se detyra juaj nuk është që të zhyteni edhe ju në llumin e tyre të padenjësisë duke iu përgjigjur injorancës me injorancë, por si muslimanë të sinqertë t’i dërgoni sa më shumë selavate e selam të Dërguarit të Allahut s.a.. Po e realizuat këtë siç duhet, e keni kryer detyrën.

Siç ju tregova më parë se disa prej atyre që ishin kundër kësaj reviste të padenjë, pas sulmit të ndodhur së fundmi, janë bërë mbështetës të saj duke thënë se çdokush gëzon lirinë e shprehjes, megjithatë, ndër ta ka edhe njerëz të drejtë e të mençur, të cilët shfaqën pakënaqësinë e tyre për shfaqjen e padenjë të revistës ndaj Profetit Muhammed s.a. dhe deklaruan shprehimisht se përgjegjësia e kësaj situate bie vetë mbi redaksinë e revistës. Për shembull, Henry Russel, një ndër themeluesit e revistës, të quajtur “Charlie Hebdo” tha se karikaturat që janë botuar në të, ishin fyese dhe me këtë veprim të papërgjegjshëm, kryeredaktori i shtyu ekipin e tij në gropën e vdekjes. Ai shton se veprime të tilla që ata bënin tashmë prej disa vitesh, ishin kundër politikës themelore të revistës.

Reagim i shkëlqyer i Papës

Në të njëjtën mënyrë, edhe Papa dha një deklaratë të shkëlqyer duke thënë se liria e shprehjes duhet të ketë kufi. Ai tha se liria e shprehjes nuk mund të jetë pakufi dhe se çdo fe ka dinjitetin e vet, i cili duhet nderuar. Duke iu referuar mikut të tij që është organizator i udhëtimeve të ti, Papa tha: Nëse miku im i ngushtë më shan e ofendon nga nëna, duhet të përgatitet për të marrë një grusht ai duhet të shpresojë një reagim të tillë nga ana ime. Pra, cenimi i ndjenjave është e padrejtë, prandaj, fajin e kanë ata që bënë një gjë të tillë. Kështu, pra, Papa dha një deklaratë shumë reale. Edhe muslimanët duhet t’i thirrin mendjes dhe duhet të heqin dorë nga reagimet e gabuara.

Veprimtaria e frytshme e Xhematit në reagim të kësaj ngjarjeje

Media në këtë kohë luan rol të rëndësishëm për të ndezur zjarr apo për ta shuar atë, kudo në botë. Kjo është hera e parë që pas kësaj ngjarjeje, agjenci të ndryshme mediatike na kërkuan edhe neve qëndrimin tonë në lidhje me ngjarjen. Ne u treguam shprehimisht se ky veprim ka qenë jo islamik dhe shprehim keqardhjen për këtë, megjithatë, edhe liria e shprehjes duhet të ketë ca kufi, përndryshe, përgjegjës për të shkaktuar trazira në botë do të jenë ata që luajnë me ndjenjat e të tjerëve. Kemi sqaruar edhe pika të tjera me hollësi në lidhje me çështjen.

Këtu në Angli SKY News, News 5, BBC Radio, LBC, BBC Leeds dhe London live, në ShBA Fox TV dhe CNN dhe në Kanada disa gazeta dhanë pikëpamjet e Xhematit tonë. Gjithashtu, edhe mediat në Greqi, Irlandë, Francë dhe gazeta të ndryshme në ShBA dhanë qëndrimin e Xhematit në lidhje me këtë ngjarje. Shumë nga këto morën në intervistë përgjegjës të Xhematit në studiot e tyre përkatëse dhe kështu mesazhi i Islamit të vërtetë dhe mësimet e tij u dëgjuan nga miliona njerëz në vende të ndryshme të botës. Këtu në Angli, mediat morën në intervistë Amir sahibin, Imam Ataul Muxhib Rashid sahibin, kurse në Amerikë, Kanada dhe Francë, përfaqësues të ndryshëm të Xhematit që janë zëdhënës tanë, e realizuan këtë detyrë. Shumë prej tyre u ftuan nëpër studio dhe disa të tjerë u pyetën (nëpërmjet linje telefonike). Po ashtu, gazeta të ndryshme botuan artikuj tanë. Kështu që, ekipi i shtypit e kreu këtë detyrë në mënyrë të shkëlqyer, edhe në Angli, edhe në Amerikë, edhe në Kanada. Duke parë përpjekjet e Xhematit, një gazetar kanadez në artikullin e tij ngriti pyetjen:

“Xhemati Musliman Ahmedia që bëri përpjekje për të përcjellë një mesazh të drejtë, edhe pse një sekt i vogël në Islam, cila mund të jetë arsyeja që ata u paraqitën kaq shumë në media?”

Kjo padyshim është caktim prej Allahut të Madhërishëm që drejtimin e saktë të mësimeve të Islamit tashmë do t’ia tregojë botës vetëm Xhemati i të dashuruarit të vërtetë të Profetit Muhammed s.a.. Prandaj, është përgjegjësia jonë, siç ju kam thënë edhe xhumanë e kaluar, që të këshilloni njerëzit në rrethin tuaj që reagimi i gabuar shkakton vetëm trazira dhe jo asgjë tjetër. Në këtë mënyrë situata do të vazhdojë të përkeqësojë dhe ky zjarr i trazirave do të përhapet në katër anë, të cilin bota në këtë kohë nuk është në gjendje ta durojë. Kështu që, tregojuni njerëzve që të mos provokoni të tjerët me reagime të gabuara dhe mos ftoni dënimin e Allahut të Madhërishëm. Zoti i dhëntë mendtë botës!

Kërkimi i urtësive në porositë hyjnore

Megjithatë, ahmediani ka një përgjegjësi të madhe, pikërisht atë që ia ka treguar Zoti i Madhërishëm duke thënë:

“O ju që besuat! Dërgojini këtij Profeti selavate e selam nga thellësia e shpirtit!” Besimtari duhet të përpiqet me të gjitha mundësitë e tij për të zbatuar porositë e Allahut të Madhërishëm duke mos ngritur pyetje “pse”. Përgjithësisht ai nuk bën pyetje të tilla, madje sa më shumë përparon në besim e në dijen e tij dhe sa më shumë fiton përvojë në lutje, aq më shumë fillon të shohë urtësinë e porosive, megjithatë, zbatimi i porosisë pasi ta ketë fituar dijen rreth saj gjithashtu është një aspekt i bukur i mësimeve të Islamit. Islami na mëson të fitojmë dijen, arsyetimin dhe intelektin, duke bërë njëherësh hapa drejt Allahut të Madhërishëm. Zoti na porosit të fitojmë dijen në mënyrë që të kuptojmë sa më shpejt urtësinë e porosive të Tij. Kështu, na duhet të gëzojmë urtësinë që gjendet në zbatimin e secilës porosi, që më pas t’i realizojmë ato në mënyrë të shkëlqyer. Për këtë arsye, sot do t’ju paraqes disa hadithe, dhe thënie të Mesihut të Premtuar a.s. të cilat hedhin dritë mbi rëndësinë dhe dobinë e selavateve.

Rëndësia dhe dobia e dërgimit të selavateve ndaj të Dërguarit të Allahut s.a. në bazë të haditheve

Jemi të dashuruar me Profetin Muhammed s.a., dhe për shkak të kësaj dashurie, na çirren zemrat kur thuhen fjalë të padenja rreth tij ose kur i thuren në mënyrë të padenjë akuza jo të drejta. Por cila është mënyra më e mirë për ta shfaqur këtë dashuri dhe cila është dobia e saj? Në lidhje me këtë, Hazret Abdullah Ibni Mes’udi rrëfen se i Dërguari i Allahut s.a. ka thënë:

Ditën e kiametit, më afër meje ndër njerëzit do të jetë ai, që më ka dërguar më shumë selavate.

(Tirmidhi, Kitabus-salat, ebuabul-vitr, bab ma xha’a fi fadlis salati alen-Nabiji s.a., nr. i hadithit, nr. i hadithit 484)

Kështu që, mënyra më e mirë për të shfaqur dashurinë ndaj Profetit Muhammed s.a., pa dyshim është dërgimi i selaveteve ndaj tij dhe kjo pikërisht do të na sjellë edhe afrimin me të.

Hazret Enesi r.a. rrëfen se i Dërguari i Allahut s.a. ka thënë:

Sa më shumë të më ketë dërguar dikush selavate në këtë botë, aq më shumë do të jetë i shpëtuar prej rreziqeve ditën e kiametit. Mua më mjaftonin selavetet që më dërgojnë Allahu i Madhërishëm dhe engjëjt e Tij, kurse juve ju ka dhënë mundësi për të marrë shpërblime duke më dërguar selavate.

(Kenzul Umal, pj. I, Kitabul-edhkar, f. 254; Kismul-ekual, nr. i hadithit 2225, shtypshkronja “Darul-kutub El-ilmija”, Bejrut, 2004)

Në një hadith tjetër përmendet mënyra e saktë se si duhet bërë lutja. Hazret Ezala Ibni Ubejdi rrëfen:

Një ditë teksa isha me të Dërguarin e Allahut s.a., erdhi një njeri, fali namaz dhe u lut duke thënë “O Alllah! Më fal dhe më mëshiro!” I Dërguari i Allahut s.a. tha: “O namazfalës! Ke nxituar. Kur të falesh, duhet të lavdërosh Zotin e Madhërishëm, të më dërgosh selavate dhe pastaj të bësh lutje që dëshiron”. Rrëfyesi vazhdon: “Pastaj erdhi një njeri tjetër, i cili lavdëroi Zotin e Madhërishëm dhe i dërgoi selavate të Dërguarit të Tij. I Dërguari i Allahut s.a. iu drejtua duke thënë: “O namazfalës! Lutu se do të të pranohet”.

(Tirmidhi, Ebuabud-da’uat, bab ma xha’a fi xhameis-salat anin-Nebiji s.a., nr. i hadithit 3476)

Hazret Abdullah Ibni Amr Ibni Asi rrëfen se ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut s.a. duke thënë:

Kur të dëgjoni myezinin duke thirrur ezanin, përsërisni fjalët e tij e më dërgoni selavate, sepse ai që do të më dërgojë selavat një herë, Zoti do t’i bëjë mëshirë dhjetë herë. Pastaj i Dërguari i Allahut s.a. tha: Kërkoni ndërmjetësim, sepse ai është një ndër pozitat e xhenetit që do t’i jepet njërit prej robërve të Allahut. Shpresoj se ajo do të më jepet mua. Prandaj, çdokush që i kërkon Allahut të më sigurohet ndërmjetësimi, do të fitojë të drejtën e pasjes së ndërmjetësimit tim.

(Muslimi, Kitabus-salat, bab el-keul mithla keulil-muezini limen samiahu thuma jusal-li alan-Nebiji s.a., nr. i hadithit 849)

Pra, selavatet në njërën anë na shtojnë dashurinë ndaj Profetit Muhammed s.a., në anën tjetër janë të rëndësishme edhe për pranimin e lutjeve tona si dhe për faljen e mëkateve tona.

Për këtë arsye Hazret Omer r.a. tha:

Lutja mbetet pezull midis tokës e qiellit dhe derisa nuk i dërgoni selavate të Dërguarit të Allahut s.a., asnjë pjesë e saj nuk shkon tek Allahu i Madhërishëm.

(Tirmidhi, Kitabus-salat, ebuabul-vitr, bab ma xha’a fi fadlis salati alen-Nabiji s.a., nr. i hadithit 486)

Duke i sqaruar një nxënësi të tij se si duhet t’i dërgojë selavate Profetit Muhammed s.a., Hazret Mesihu i Premtuar a.s. shkruan:

Si duhet t’i dërgojmë selavate të Dërguarit të Allahut s.a.? – sipas Mesihut të Premtuar a.s.

Jini i angazhuar në dërgimin e selavateve. Ashtu siç dikush kërkon me sinqeritetin e zemrës bekime për ndonjë të dashur të tij, me të njëjtën dëshirë e sinqeritet, duhet të kërkoni bekime për Profetin Muhammed s.a. dhe të kërkoni me shumë përulësi, përgjërime dhe lutje, në të cilat nuk duhet të ketë aspak artificialitet, madje ato të burojnë prej një miqësie e dashurie të sinqertë për Profetin Muhammed s.a. dhe me anë të tyre t’i kërkoni Zotit ato bekime për Profetin s.a. që janë përmendur në selavate. Shenjë e dashurisë personale është që i dashuruari asnjëherë nuk lodhet, as nuk tregon pakënaqësi dhe as nuk synon ndonjë interes vetjak. Selavatet duhen dërguar me të vetmen dëshirë, që bekimet e Zotit Bujar të shfaqen për Profetin Muhammed s.a..

(“Mektubat-e-Ahmed” (Letërkëmbimet e Ahmedit), vëll. 1, letër drejtuar Mir Abas Ali Shahut, nr. 18, botuar nga Nazarat Isha’at, Rabvah, f. 534-535)

Duke treguar urtësinë që gjendet në selavatet, Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Profetit Muhammed s.a. ndonëse nuk i nevojiten lutjet e askujt tjetër,

(siç e tha ai vetë në një hadith që atij i mjaftojnë selavatet që i dërgojnë Allahu dhe engjëjt e Tij)

megjithatë, në dërgimin e selavateve ka një sekret shumë të thellë. Kur dikush kërkon mëshirë dhe bekime për dikë nga dashuria personale ndaj tij, për shkak të kësaj dashurie bëhet pjesë e qenies së tij. Prandaj, bekimi që i sigurohet  atij për të cilin është bërë lutja, njëherësh i sigurohet edhe lutësit gjithashtu. Dhe bekimet e Zotit të Vetëm për të Dërguarin e Allahut s.a. janë të pafundme, edhe dërguesi i selavateve ndaj tij, sipas pasionit të tij, përfiton prej këtyre bekimeve të pafundme. Por, pak janë ata që përfitojnë nga bekimi që shkaktohet prej këtij pasioni shpirtëror e dashurie personale.

(Po aty)

Pra, kemi nevojë të krijojmë këtë pasion shpirtëror. Duke treguar arsyen e dërgimit të selavateve, Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Shikoni sinqeritetin e udhëheqësit dhe mikut tanë Profetit Muhammed s.a.! Ai i rezistoi çdolloj ligësie, u përball me gjithfarë vështirësish, por nuk u ngath. Ishte pikërisht ky sinqeritet dhe kjo besnikëri për të cilën Allahu i Madhërishëm e bekoi. Prandaj, Ai tha:

اِنَّ اللہَ وَمَلٰئِکَتَہٗ  یُصَلُّوۡنَ عَلَی النَّبِیِّ ؕ یٰۤاَیُّہَا الَّذِیۡنَ اٰمَنُوۡا صَلُّوۡا عَلَیۡہِ وَ سَلِّمُوۡا تَسْلِیۡمًا

“Padyshim, Allahu dhe engjëjt e Tij i dërgojnë selam Profetit. O ju që besuat! Edhe ju dërgojini selavate dhe shumë selam!”

Ky ajet tregon se veprat e të Dërguarit të Allahut s.a. ishin të tilla që Allahu i Madhërishëm nuk zgjodhi fjalë për t’i përkufizuar ose për t’i përshkruar ato. Fjalët edhe mund të gjendeshin, por Ai nuk i përdori. Pra, përshkrimi i veprave të tij nuk përmblidhet. Ajet si ky nuk gjendet për ndonjë profet tjetër. Shpirti i të Dërguarit të Allahut s.a. kishte sinqeritet dhe besnikëri të tillë dhe veprat e tij ishin kaq të pëlqyera tek Allahu, saqë Allahu i Madhërishëm porositi njerëzit përgjithmonë që t’i dërgojnë selavate Profetit s.a. në shenjë mirënjohjeje.

(Tefsir Hazret Mesih Maud a.s., vëll. 3, f. 730; Malfuzat, vëll. 1, Rabvah 2003, f. 23-24)

Duke treguar se selavatet janë mjet për të arritur qëndrueshmërinë dhe për pranimin e lutjeve, Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Salavatet janë të obligueshme në çdo namaz, që të freskojmë e të shtojmë dashurinë tonë ndaj të Dërguarit të Allahut s.a. dhe që të fitojmë qëndrueshmëri në lutjet. Dërgojini shumë selavate Profetit s.a. sepse ato janë një mjet shumë i fuqishëm për të gjetur qëndrueshmërinë, por jo si zakon a traditë, por duke marrë parasysh bukurinë dhe mirësinë e të Dërguarit të Allahut s.a. dhe duke dashur ngritjen e tij në pozitë e në gradë dhe duke synuar sukseset e tij. Si rezultat, ju do të gëzoni frytin e ëmbël e të shijshëm të pranimit të lutjeve.

(Revista “Review of Religions”, janar 1904, vëll. 3, nr. 1, f. 14-15)

Pak më vonë do t’ju tregoj sesi shkaktohet kjo ngritje në grada. Edhe në kohën e Mesihut të Premtuar a.s. Islami sulmohej në mënyra të ndryshme. Në këtë kontekst, Mesihu i Premtuar a.s. vijon:

Selavatet që i dërgohen Porfetit s.a. prej Allahut dhe engjëjve të tij, kërkojnë që në këtë kohë të vështirë patjetër të ngrihej një xhemat hyjnor

Sa e bekuar është kjo epokë! Për të shfaqur madhështinë e Profetit Muhammed s.a. edhe në ditët kaq të trazuara, vetëm me bekimin e Tij, Zoti i Lartësuar duke ngritur një xhemat nga e padukshmja, ndërmori të ndihmojë Islamin. Dua të pyes ata që u dhimbset zemra për Islamin, që e nderojnë dhe e respektojnë atë, të më thonë se a ka pasur Islami ndonjë kohë tjetër kur kaq shumë ishte sulmuar dhe sharë dhe kaq shumë ishte fyer edhe Profeti Muhammed s.a. dhe kaq shumë ishte bërë çnderim i Kuranit Famëlartë?! Më vjen shumë keq për gjendjen e muslimanëve dhe më dhimbset zemra aq shumë saqë herë-herë nuk përmbahem dot që ata nuk paskan as ndjeshmërinë për ta parë këtë çnderim. Vallë, a nuk i interesonte aspak Zotit të Madhërishëm nderi i Islamit që të mos ngrinte ndonjë xhemat pas gjithë këtij çnderimi fyes?! (Pra, Mesihu i Premtuar a.s. nuk u thotë muslimanëve të agresohen e të bëjnë kërdi me pushka apo shkopinj, por u tërheq vëmendjen që në një situatë të tillë, duhej të ngrihej një xhemat hyjnor. Duke treguar më tej detyrën e këtij xhemati, ai thotë) … që ky xhemat t’u mbyllte gojën kundërshtarëve e të përhapte në botë madhështinë dhe fisnikërinë e të Dërguarit të Allahut s.a.. (Padyshim, këtë detyrë ai do ta bënte me argumente, e jo me pushkë)  Pra, kur vetë Zoti i Madhërishëm dhe engjëjt e Tij i dërgojnë selavate të Dërguarit të Allahut s.a., sa shumë të nevojshme ishin selavatet e tyre pikërisht në këtë kohë fyese, andaj, Zoti i Madhërishëm ato i shfaqi në formën e këtij xhemati. (Domethënë në formën e Xhematit Musliman Ahmedia).

Pra, kjo tregon se edhe përgjegjësia jonë rritet që ne t’i dërgojmë selavate të Dërguarit të Allahut s.a. më shumë se përpara. Mesihu i Premtuar a.s. vijon:

Unë jam dërguar që të rishfaq madhështinë e humbur të Profetit Muhammed s.a. e t’i tregoj botës vërtetësitë e Kuranit.

(Malfuzat, vëll. 5, Angli 1985, f. 13-14)

Dërgimi sa më shumë i selaveteve sot është detyrë e çdo ahmediani

Shkurt, dërgimi sa më shumë i selaveteve sot është detyrë e çdo ahmediani, në mënyrë që ne ta përmbushim qëllimin e ardhjes së Mesihut të Premtuar a.s., t’i përgjigjemi thirrjes së Zotit të Madhërishëm e t’i dalim besnikë deklaratës sonë të dashurisë ndaj Profetit Muhammed s.a.. Kjo detyrë nuk mund të kryhet vetëm me parulla e protesta, siç bëjnë disa muslimanë jo-ahmedianë. Duhet që çdo ahmedian, për ta përmbushur detyrën e tij të dashurisë ndaj Profetit s.a., nga thellësia e zemrës t’i dërgojë miliarda herë selavate e selam e t’i çojë ato gjer në Arsh. Këto, padyshim, do të na ndihmojnë për ta asgjësuar armikun, më shumë se sa mund të ndihmonte pushka.

Në një letër që i kishte shkruar një miku të tij, për mënyrën sesi duhet t’i dërgojmë selavate të Dërguarit të Allahut s.a., Mesihu i Premtuar a.s. shkruan:

Kushtoni rëndësinë maksimale që çdo vepër që bëni, të jetë krejtësisht e pastër nga pluhuri i zakonit dhe ritualitetit, madje, bëni veprat në atë mënyrë, që ato të burojnë me vrull prej dashurie nga zemra. Për shembull, mos përsërisni selavatet ashtu siç i përsërisin si papagall njerëz të tjerë në përgjithësi. Ata as nuk ushqen ndonjë gjë në veten e tyre prej sinqeritetit të përsosur ndaj të nderuarit Hazret Profetit Muhammed s.a. dhe as nuk kërkojnë me përkushtim bekimet hyjnore për të… Besimi juaj, para se t’i dërgoni selavatet, duhet të arrijë në nivelin që ju të jeni të bindur se lidhja juaj dashurore me të Dërguarin e Allahut s.a. t’ju është bërë më e fortë se sa lidhja me çdokënd tjetër që ka ekzistuar që prej fillimit të botës e gjerë në fund. Arritja e kësaj bindjeje mund të bëhet kur ju përzemërsisht të jeni të gatshëm për të përballuar çdo problem dhe çdo vështirësi që kanë përballuar në të kaluarën të dashuruarit e të Dërguarit të Allahut s.a. në dashurinë ndaj tij si dhe atë që mund të përfytyrohet në të ardhmen. Mendja duhet t’ju mbetet e paaftë për t’ju paraqitur ndonjë vështirësi, të cilën zemra juaj të mos e përballojë atë. Po ashtu, mendja sërish duhet t’ju mbetet e paaftë për t’ju dhënë ndonjë porosi (të të Dërguarit të Allahut s.a.) që zemra juaj të ndihet i penguar apo i ngushtë për ta zbatuar atë. Gjithashtu, të mos ketë ndonjë krijesë tjetër në botë ndaj së cilës të ushqeni në zemër një dashuri të tillë. E kur ta keni arritur këtë bindje, siç ju kam thënë edhe gojarisht [i drejtohet nxënësit], t’i dërgoni selavatet me qëllimin që Zoti Bujar të hedhë bekimet e Tij të përsosura mbi të Dërguarin bujar s.a., ta bëjë atë burim bekimesh për të gjithë botën dhe të shfaqë madhështinë dhe hijeshinë e tij edhe në këtë dhe në botën tjetër. Këtë lutje duhet ta bëni me sinqeritet të plotë, ashtu siç dikush lutet kur bie në vështirësi të madhe, madje të përgjëroheni edhe më shumë dhe në këtë lutje të mos keni asnjë pjesë për vete duke menduar se do të shpërblime apo grada. (Pra, Mesihu i Premtuar a.s. thotë se t’i dërgoni selavate jo duke shpresuar shpërblime apo grada në këmbim të tyre. Ai vazhdon) Por, t’i dërgoni selavate me të vetmin qëllim që bekimet e përsosura hyjnore të bien mbi Hazret të Dërguarin e dashur s.a. dhe madhështia e tij të shkëlqejë në këtë botë dhe në ahiret. Duhet të keni vullnet për të arritur këtë synim dhe ditë e natë të keni qëndrueshmëri në të, derisa të mos keni ndonjë dëshirë më të madhe sesa kjo. Pikërisht selavatet e tilla janë larg riteve dhe zakoneve dhe ato pa dyshim që ju sjellin dritëza të çuditshme. Një ndër shenjat e qëndrueshmërisë në këtë punë është që shpesh do të qani dhe do të përgjëroheni në lutje dhe kaq shumë do t’ju ngulitet në mish e në shpirt ky përqendrim, saqë juve do të bëhen njësoj, edhe ëndrra, edhe zgjimi”.

(“Maktubat e Ahmed” (Letërkëmbimet e Ahmedit) vëll. 1, letra drejtuar Mir Abas Ali Shahut, numri i letrës 10, botuar nga Nazarat Isha’at, Rabwah, f. 522-523).

Duke treguar sesi duhet të përpiqet për lutje, Mesihu i Premtuar a.s. një nxënësi të tij i shkruan:

Falni me përkushtim namazin e tahaxhudit dhe falje të tjera. Tahaxhudi ka bekime të mëdha. Përtacia nuk sjell asgjë. I papunë dhe kërkues i rehatisë nuk sjell asnjë dobi. Ndërsa Allahu i Madhërishëm tha: “Ai që përpiqet në rrugën Tonë, Ne patjetër do t’ia tregojmë rrugët Tona”. (Kurani Famëlartë 29:70) Selavatet më të mira janë ato që dolën nga goja e bekuar e të Dërguarit të Allahut s.a. që janë:

اللہم صل علی محمد و علی ال محمد کما صلیت علی ابراھیم وعلی ال ابراھیم انک حمید مجید

اللھم بارک علی محمد و علی ال محمد کما بار كت على إبراهيم و على أل إبراهيم ا نك حميد مجيد

O Zot! Madhëroje Muhammedin dhe popullin e tij, ashtu siç e madhërove Ibrahimin dhe popullin e tij! Me të vërtetë, Ti je i Lavdëruar dhe i Nderuar!

O Zot! Bekoje Muhammedin dhe popullin e tij, ashtu siç e bekove Ibrahimin dhe popullin e tij! Me të vërtetë, Ti je i Lavdëruar dhe i Nderuar!

Fjalët që dalin prej gojës së një të dëliri, patjetër do të kenë ndonjë bekim. Imagjinoni atëherë se sa të bekuara mund të jenë fjalët që kanë dalë prej gojës së atij që është krye-dëliri dhe krye-profeti! Prandaj, salavatet më të bekuara janë pikërisht këto që përmendëm dhe edhe ky modest pikërisht këto ia dërgon. (Pra, Mesihu i Premtuar a.s. thotë se edhe ai këto selavate i dërgon Profetit Muhammed s.a. Pastaj vijon) Nuk ka nevojë të kufizoheni në ndonjë numër sesa herë duhet t’i dërgoni. E rëndësishmja është që t’i dërgoni me sinqeritet, dashuri dhe përulësi të plotë aq shumë herë gjersa t’ju pushtojë një gjendje tejet emocionale dhe vetëmohuese dhe zemra t’ju ndiejë një çlirim e kënaqësi.

(Po aty, f. 526).

Zoti i Madhërishëm bëftë që të gjithë ne të kemi këtë shpirt! Zemrat na lëshofshin selavate të tilla që arrijnë gjer në Arsh dhe që më pas na bekojnë edhe ne! Me bekimin e Allahut të Madhërishëm, ka shumë prej nesh që i dërgojnë selavate të Dërguarit të Allahut s.a. dhe i dërgojnë me shumë emocione dhe edhe Zoti u dhuron bekime të tyre. Zoti bëftë që njerëzit që dërgojnë selavate në këtë mënyrë të shtohen sa më shumë në Xhemat. Ata do t’i sjellin dobi edhe Xhematit sepse Xhemati do të përparojë falë tyre.

Një mënyrë interesante e Hazret Kalifit të Dytë r.a. për t’i dërguar selavate Profetit Muhammed s.a.

Mua më pëlqen një mënyrë e Hazret Kalifit të Dytë të Mesihut të Premtuar r.a. për t’i dërguar selavate të Dërguarit të Allahut s.a.. Edhe pse disa prej nesh e praktikojnë këtë mënyrë, por këtë më lejoni t’jua tregoj edhe juve, sepse përveçse ne do t’i dërgojmë selavate të Dërguarit të Allahut s.a., kjo metodë do të na shtojë dashurinë ndaj tij dhe po ashtu, në një aspekt të ri, do të na bëjë të kuptojmë sesi duhet të lutemi për përparimin e Xhematit. Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar r.a. thotë:

Kur bëjmë lutje për të tjerët, ajo lutje na sjell bekime edhe neve. Kështu që, kur dërgojmë selavate, ato në njërën anë e ngrenë të Dërguarin e Allahut s.a. në status dhe në anën tjetër na ngrenë edhe ne. Pra, bekimi që i jepet, nëpërmjet tij, na vjen edhe neve. Shembulli i kësaj është sikur një sitë, e cila, kur i hidhni ndonjë gjë, e kullon dhe e lëshon edhe mbi sipërfaqen që gjendet poshtë. Në të njëjtën mënyrë, Zoti i Madhërishëm edhe të Dërguarin e Allahut s.a. e caktoi si sitë për këtë umet. Zoti së pari atij i jep bekimet e Tij dhe e ngre në pozitë, dhe nëpërmjet atij, ato bekime na vijnë edhe neve. Kështu që, kur ne dërgojmë selavate dhe Zoti i Madhërishëm në këmbim të tyre e ngre pozitën e Profetit Muhammed s.a., atëherë patjetër edhe i dëfton që kjo dhuratë të ka ardhur prej këtij besimtari, gjë që do të motivojë në zemrën e të Dërguarit të Allahut s.a. që të lutet për ne dhe kështu, Allahu i Madhërishëm për shkak të lutjeve të tij, do të na dhurojë bekimet e Tij… Do t’ju tregoj mënyrën time që praktikoj kur shkoj te varri i Mesihut të Premtuar a.s. se si lutem për të. Së pari, lutem për të Dërguarin e Allahut s.a., pastaj lutem për Mesihun e Premtuar a.s. dhe e bëj lutjen me këto fjalë: “O Allah! Nuk kam asgjë të tillë që mund t’u paraqes këtyre njerëzve të mëdhenj. Çdo gjë që kam nuk u bën asnjë dobi. Por Ti ke gjithçka, prandaj, Ty të lutem dhe përgjërohem që të më bësh nder duke u dhënë atyre ndonjë dhuratë të atillë në xhenet, të cilën nuk e kanë pasur më parë!” Me pranimin e kësaj lutjeje, ata patjetër do ta pyesin Zotin: O Allah! Prej kujt na ka ardhur kjo dhuratë? E kur Zoti do t’u tregojë se prej kujt është ajo, ata do të luten për të dhe kështu edhe lutësi do të gëzojë pozitë te Zoti dhe kjo vërtetohet edhe nga Kurani dhe hadithet. Një besim i pranuar në Islam, të cilin askush nuk mund ta rrëzojë është që lutjet u bëjnë dobi edhe të vdekurve. Po ashtu, Kurani Famëlartë në ajetin:

فَحَیُّوۡا بِاَحْسَنَ مِنْہَاۤ

kur dikush ju bën ndonjë dhuratë, “edhe ju bëjini ndonjë dhuratë më të mirë sesa ajo” (Kurani Famëlartë 4:87), na tërhoqi vëmendjen se kur dikush ju bën ndonjë dhuratë, edhe ju bëjini ndonjë më të mirë sesa ajo, ose të paktën të ketë të njëjtën vlerë sa ajo. Sipas këtij ajeti të Kuranit Famëlartë, kur ne do të bëjmë lutje për të Dërguarin e Allahut s.a. ose për Mesihun e Premtuar a.s. e t’u dërgojmë selam e selavate, Zoti i Madhërishëm në këmbim të lutjes sonë do t’u japë ndonjë dhuratë atyre. Ne nuk dimë se çfarë bekimesh ka në xhenet, por Zoti i Madhërishëm natyrisht që di, andaj kur ne lutemi duke thënë: O Allah! Jepi Profetit Muhammed s.a. ndonjë dhuratë të atillë, që ai nuk ka pasur më përpara, dhe kur kërkesa jonë pranohet, Profetit s.a. patjetër që do t’i thuhet se këtë dhuratë e ke prej filanit. Atëherë nuk është e mundur që ai të heshtë e të mos bëjë ndonjë lutje për dërguesin, madje shpirti i tij vetvetiu do të bjerë te pragu i Allahut të Lartësuar dhe do të lutet: O Zot! Shpërbleje me të mirë! Në këtë mënyrë, sipas ajetit “edhe ju bëjini ndonjë dhuratë më të mirë sesa ajo” lutja e tij do t’i vijë në ndihmë të atij që ia ka dërguar selavatet, duke i ngritur nivele. Pra, ky është një mjet, nga i cili mund të përfitojmë ne, dhe i gjithë Xhemati po ashtu, pa u përfshirë në veprime që kanë të bëjnë me shirkun. E thënë ndryshe, nga ky mjet mund të kemi dobi edhe personale, edhe kolektive.

(“Mazar Hazret Mesih Maud a.s. per dua aur uski hikmet”, “Envarul Ulum” vëll. 17, f. 190-192)

Pra, kjo është një metodë, e cila, siç ju kam thënë edhe më herët që do të hapë rrugët për përparimin e Xhematit. Sa më shumë të përparojë Xhemati dhe sa më shumë të shtohet numri i atyre që dërgojnë sinqerisht selavate të Dërguarit të Allahut s.a., aq më shumë do të reduktohet numri i kundërshtarëve.

Përse ka dy selavate?

Përveç kësaj, dua t’ju them edhe një gjë tjetër. Disa njerëz pyesin se përse ka dy selavate: اللہم صل علی محمد  “O Allah! Madhëroje Muhammedin…!” dhe اللھم بارک علی محمد  “O Allah! Bekoje Muhammedin…!” Sipas fjalorit, salat (që është përdorur në pjesën e parë) gjithashtu do të thotë “madhërim”. Në bazë të kësaj, lutja “Allahuma sal-li ala Muhammedin”, do të thotë: o Allah, madhëroje Muhammedin në këtë botë, duke ia ngritur emrin, duke i mundësuar fitore e triumf mesazhit të tij dhe duke i dhënë qëndrueshmëri të përhershme sheriatit të tij! Po ashtu, o Allah, madhëroje atë edhe në ahiret, duke pranuar ndërmjetësim prej tij për umetin dhe duke ia shumëfishuar shpërblimin!

Këtë shpjegim e keni dëgjuar hollësisht edhe në citatet e Mesihut të Premtuar a.s., por nuk jua kisha treguar nga ana gjuhësore. Pastaj është ajo pjesa e dytë e selavateve që thotë “Allahuma barik ala Muhammedin ue ala ali Muhammedin” (O Allah! Bekoje Muhammedin dhe popullin e tij!”

(Buhariu, Kitabu tefsirul-Kuran, bab keuluhu “in tubdu shejan eu tukhfuhu…” nr. i hadithit 4797)

Kuptimi i saj është: O Allah! Nderin, madhërinë dhe lartësinë që Ti i ke caktuar Profetit Muhammed s.a., realizoje dhe jepi përjetësi!

Shkurt, në pjesën Allahuma sal-li ala Muhammedin, kemi lutje për triumfin e sheriatit të Profetit s.a., për përjetësinë e tij dhe për të pasur ndërmjetësim prej Profetit për umetin e tij, ndërsa në pjesën Allahuma barik ala Muhammedin, kemi lutjen për shfaqjen e nderit, madhërisë dhe lartësisë së Profetit s.a. dhe për përjetësinë e tyre.

Allahu na mundësoftë t’i dërgojmë selavate siç duhet dhe nëpërmjet këtyre selavateve, të fitojmë edhe afrimin me Zotin e Lartësuar, të shtojmë dashurinë ndaj të Dërguarit të Allahut s.a., të harxhojmë aftësitë tona në përhapjen e sheriatit të tij, të luajmë rolin tonë sipas mësimeve të tij për të zhdukur trazirat e çrregullimet nga kjo botë! Allahu na e mundësoftë këtë!

[Në fund, Hazuri tha se pas namazit të xhumasë do të udhëheqë dy xhenaze gaib dhe gjithashtu tregoi edhe disa detaje të jetës së tyre].

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp