Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Sulm i neveritshëm në Guxhranvala të Pakistanit

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

اَشْھَدُ اَنْ لَّا اِلٰہَ اِلَّا اللہُ وَاحْدَہٗ لَا شَرِیْکَ لَہٗ وَاَشْھَدُ اَنَّ مُحَمَّدًا عَبْدُہٗ وَرَسُوْلُہٗ. اَمَّا بَعْدُفَاَعُوْذُ بِاللہِ مِنَ الشَّیْطٰنِ الرَّجِیْمِ.

بِسْمِ اللہِ الرَّحْمٰنِ الرَّحِیۡمِ ﴿﴾اَلۡحَمْدُ لِلہِ رَبِّ الْعٰلَمِیۡنَ ﴿﴾ الرَّحْمٰنِ الرَّحِیۡمِ ﴿﴾ مٰلِکِ یَوْمِ الدِّیۡنِ ﴿﴾ اِیَّاکَ نَعْبُدُ وَ اِیَّاکَ نَسْتَعِیۡنُ﴿﴾ اِہۡدِ نَا الصِّرَاطَ الۡمُسۡتَقِیۡمَ﴿﴾  صِرَاطَ الَّذِیۡنَ اَنۡعَمۡتَ عَلَیۡہِمۡ ۬ۙ۬ غَیۡرِ الۡمَغۡضُوۡبِ عَلَیۡہِمْ وَلَا الضَّآ لِّیۡنَ﴿﴾

بِسْمِ اللہِ الرَّحْمٰنِ الرَّحِیۡمِ ﴿﴾ وَ السَّمَآءِ  ذَاتِ الْبُرُوۡجِ ﴿﴾ وَ الْیَوْمِ الْمَوْعُوۡدِ ﴿﴾ وَ شَاہِدٍ وَّ مَشْہُوۡدٍ ﴿﴾ قُتِلَ اَصْحٰبُ الْاُخْدُوۡدِ ﴿﴾ النَّارِ ذَاتِ الْوَقُوۡدِ ﴿﴾ اِذْ ہُمْ عَلَیۡہَا قُعُوۡدٌ ﴿﴾ وَّ ہُمْ عَلٰی مَا یَفْعَلُوۡنَ بِالْمُؤْمِنِیۡنَ شُہُوۡدٌ  ﴿﴾ وَ مَا نَقَمُوۡا مِنْہُمْ  اِلَّاۤ  اَنۡ یُّؤْمِنُوۡا بِاللہِ الْعَزِیۡزِ الْحَمِیۡدِ ﴿﴾ الَّذِیۡ لَہٗ  مُلْكُ السَّمٰوٰتِ وَ الْاَرْضِ ؕ وَ اللہُ  عَلٰی كُلِّ شَیۡءٍ شَہِیۡدٌ ﴿﴾ اِنَّ  الَّذِیۡنَ فَتَنُوا الْمُؤْمِنِیۡنَ وَ الْمُؤْمِنٰتِ ثُمَّ  لَمْ یَتُوۡبُوۡا فَلَہُمْ عَذَابُ جَہنَّمَ وَ لَہُمْ عَذَابُ الْحَرِیۡقِ ﴿﴾ اِنَّ الَّذِیۡنَ اٰمَنُوۡا وَ عَمِلُوا الصّٰلِحٰتِ لَہُمۡ جَنّٰتٌ تَجۡرِیۡ مِنۡ تَحۡتِھَا الۡاَنۡھٰرُ ۬ؕؑذٰلِکَ الۡفَوۡزُ الۡکَبِیۡرُ ﴿﴾

Për qiellin me yjësi! Dhe për ditën e premtuar! Dhe për një dëshmitar dhe për atë që dëshmohet! Do të shkatërrohen njerëzit e hendekëve. Të atij zjarri që është me lëndë djegëse. Kur ata do të jenë të ulur rreth tij. Dhe ata do të jenë dëshmitarë të asaj që do t’u bëjnë besimtarëve. Dhe ata i grindin besimtarët vetëm sepse këta besuan në Allahun, të Plotfuqishmin, të Lavdishmin. Të cilit i përket sundimi i qiejve dhe i Tokës. Dhe Allahu është Dëshmitar i çdo gjëje. Me të vërtetë, ata që i përndoqën besimtarët e besimtaret dhe nuk pendohen, do të kenë ndëshkim të xhehenemit dhe ndëshkim të zjarrit. Me të vërtetë, ata që besuan dhe bënë vepra të mira, do të kenë kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj. Ky është suksesi madhështor.

(Kurani Famëlartë 85:1-12)

Ky është përkthimi i ajeteve që kam recituar. Këto ajete na japin pikërisht pamjen e asaj që ndodhi me ahmedianët në Guxhranvala, e cila njëkohësisht përbën një argument të qartë të vërtetësisë së Ahmediatit e të Mesihut të Premtuar a.s.. Nëse muslimanët e drejtë do të thellohen në kuptimet e sures El-Buruxh, do të kuptojnë fare qartë realitetin e përndjekjes që u bëhet ahmedianëve, sidomos të asaj përndjekjes dhe veprimtarisë në të cilën kanë dorë dijetarët, liderët, politikanët dhe qeveritë e tyre dhe rrjedhimisht do të arrijnë edhe t’i besojnë Mesihut të Premtuar a.s. dhe nuk do të përfshihen në mizorinë që të padrejtët dhe pinjollët e tyre u bëjnë ahmedianëve. Por, edhe për të kuptuar Fjalën e Zotit, nevojitet një i dërguar. Kurse gjendja e tyre është e tillë, saqë ata as nuk duan ta dëgjojnë zërin e atij të dërguari, andaj, shtohen vetëm në mizori. Do të doja t’ju shpjegoj shkurtimisht këto ajete.

Komentim i sures 85, El-Buruxh

Në këto ajete është sjellë dëshmia e qiejve me yjësi, të cilat sipas astronomëve janë 12. Në kuptimin metaforik këto janë 12 yjësi shpirtërore, që kanë rëndësi të veçantë në historinë islame dhe që simbolizojnë 12 muxhedidët (reformatorët), të cilët u shfaqën dhe u shkëlqyen në qiellin e Islamit pas perëndimit të diellit të tij dhe të cilët bënë detyrën e tyre duke i dhënë dritë njerëzimit për një kohë të caktuar.

“Dita e premtuar” është shekulli XIII hixhri

Ka hadithe që përcaktojnë këtë periudhë dhe, edhe dijetarët e mëparshëm kanë folur rreth saj. Është e çuditshme që muslimanët e sotëm i pranojnë këta dymbëdhjetë njerëz të caktuar prej Zotit të Lartësuar, të cilët përgjatë dymbëdhjetë shekujve përhapën rreze drite në kohëra të errëta që i erdhën Islamit, por kur Zoti dërgoi të caktuarin e shekullit trembëdhjetë mu sipas premtimit të Tij që është bërë në ajetin وَ الْیَوْمِ الْمَوْعُوۡدِ ku Zoti sjellë dëshminë e “ditës së premtuar”, ata e mohuan. Për dymbëdhjetë të parët i Dërguari i Allahut s.a. kishte parathënë se do të vinin në krye të çdo shekulli, por këtë të premtuar e ka parashikuar në mënyrë të veçantë edhe Zoti i Lartësuar dhe, edhe i Dërguari i Allahut s.a. ka dhënë shenja të ndryshme rreth tij. Për shembull, një shenjë është ajo e eklipsit të hënës e të diellit gjatë muajit të ramazanit dhe ka edhe plot shenja të tjera që u shfaqën si drita e diellit, madje vazhdojnë të shfaqen. Mjerisht, të padrejtët ngulin këmbë ta mohojnë pikërisht të premtuarin. Madje, pas deklaratës së Mesihut të Premtuar a.s. dhe edhe sot, disa prej dijetarëve vijojnë të pohojnë me të madhe se nuk u duhet më ndonjë reformator. Kjo sepse ata kanë frikë se do t’u hiqet prijësia dhe do të demaskohet dija dhe mendja e tyre. Rreth ardhjes së vet në kohën e duhur pikërisht sipas parashikimeve, Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Është shumë e çuditshme dhe unë besoj se kjo është një shenjë prej Zotit të Lartësuar se unë modest pikërisht në vitin 1290 hixhri e gëzova bekimin e komunikimit me Zotin.

Pastaj, Mesihu i Premtuar a.s. deklaroi të ishte Mesih i Premtuar dhe u shfaqën shenja tokësore dhe qiellore në mbështetje të tij. Kjo temë gjerësisht është trajtuar në literaturën e Xhematit, në librat e Mesihut të Premtuar a.s., në të cilën nuk do të hyj sot. Por ajo që dua të them se mbështetja e Zotit të Lartësuar dëshmon se kjo kohë është e Mesihut të Premtuar a.s..

Më pas në këto ajete Allahu i Madhërishëm thotë se padyshim që Islami do ketë një rilindje në ditën e premtuar, por për këtë besimtarëve, pra atyre që do të pranonin Mesihun e Premtuar, do t’u duhet të jepnin sakrifica shumë të mëdha.

Besimtarëve do t’u duhej të jepnin sakrifica të mëdha për “ditën e premtuar”

Zoti thotë: قُتِلَ اَصْحٰبُ الْاُخْدُوۡدِ  “do të shkatërrohen njerëzit e hendekëve”, النَّارِ ذَاتِ الْوَقُوۡدِ  “domethënë njerëzit e atij zjarri që është me shumë lëndë djegëse”. اِذْ ہُمْ عَلَیۡہَا قُعُوۡدٌ  “Kur ata do të jenë të ulur rreth tij”. Këtu është paraqitur një skicë se çfarë do të bënin kundërshtarët. Pra, ata do ndiznin zjarr dhe më pas do të qëndronin rreth tij. Por përfundimisht ata do të shohin fundin e tyre të lig, do të shkatërrohen. Megjithatë, besimtarëve, për një kohë të gjatë, do t’u duhet të bëhen shënjestër të mizorive të tyre të llahtarshme.

Edhe Mesihu i Premtuar a.s. na ka tërhequr vëmendjen për këtë duke thënë se përparimi i Islamit na kërkon diçka dhe ajo është “vdekja” jonë. Pikërisht kjo është thënë në këto ajete që kundër jush do të ndizen zjarre të shumta të ushqyera me lëndë djegëse. Pra, ato zjarre vazhdimisht do të fuqizohen me lëndë djegëse. Ndërsa, zjarrvënësit do të qëndrojnë rreth zjarrit duke bërë sehir. Në mendjen e tyre dhe në përpjekjet e tyre ata do t’i rrethojnë besimtarët duke mihur hendeqe rreth tyre. Më pas do t’u vënë zjarr. Por Allahut i Madhërishëm që në fillim e bëri të qartë fundin e tyre duke thënë se do të shkatërrohen pikërisht ata që tentojnë t’i rrethojnë e t’i djegin besimtarët nga të katër anët, edhe pse besimtarëve do t’u duhet të kalojnë përmes vuajtjeve të zjarrit, të ndezur nga armiqtë. Kundërshtarët do të qëndrojnë rreth zjarrit për t’u mbyllur besimtarëve çdo rrugëdalje. Në ngjarjen që ndodhi në Pakistan, edhe policia qëndronte duke i bërë sehir mizorisë dhe në vend që të shpëtonte njerëzit, u bë pjesë në autorësinë e këtij krimi. Gjithë zjarrvënësit jo vetëm që qëndronin përjashta, por kënaqeshin duke parë se si po i digjnin besimtarët. Kjo është pikërisht ajo që është thënë “Kur ata do të jenë të ulur rreth tij”. Kjo nuk është vetëm një ngjarje e së kaluarës që përmend Kurani, por ishte edhe një parashikim, që thotë se kundërshtarët e besimtarëve do të ndezin zjarr në këtë mënyrë dhe do t’i bëjnë edhe rojë atij zjarri. Pra, kjo është një dëshmi tjetër e vërtetësisë që jemi në rrugën e drejtë, jemi besimtarë dhe njëkohësisht që kundërshtarët i përkasin atij grupi që ndezin zjarr kundër besimtarëve, më pas qëndrojnë rreth tij për t’u mbyllur besimtarëve çdo rrugëdalje dhe pastaj edhe kënaqen nga veprimi që bëjnë.

Do të përmend disa detaje të kësaj ngjarjeje kur do t’ju tregoj të dhënat e dëshmorëve, sipas të cilave do t’ju bëhet e qartë se pikërisht kjo ishte pamja e kësaj ngjarjeje. Kundërshtarët së pari i mbyllën dyert e shtëpisë dhe pastaj i vunë zjarr. Pastaj nga dritaret u tallën me ata 10 a 11 ahmedianë që kishin mbetur në një dhomë, shumica prej tyre ishin gra e fëmijë, u bënë shenjë me dorë, thurën parulla gëzimi dhe më pas ikën potershëm. E gjithë kjo për t’u treguar ahmedianëve të rrethuar: “Ja, ju zumë! S’keni më rrugëdalje”. Mjafton t’i shohësh videot që janë të publikuara. Fytyrat e këtyre mizorëve do t’ju tregojnë se ata janë duke kaluar në ekstrem çdo paturpësi. Janë dëshmuar veprimet e tyre, parullat e tyre dhe fjalët e tyre. Ky është ekstremiteti i armiqësisë së tyre! Madje, dy ditë pas kësaj ngjarjeje makabre, në një vend tjetër që është shumë afër vendit ku ndodhi kjo, një hoxhë grumbulloi njerëzit e qytezës dhe u tha se ky ishte minimumi që mund të bënim kundër ahmedianëve dhe i nxiti duke thënë “më premtoni se ju do të bëni më shumë se kaq kundër ahmedianëve dhe do të më ndihmoni në këtë punë”. Pra, këta muslimanë nuk janë të tillë për të cilët mund të themi se pasi i kanë martirizuar fëmijë dhe gra të pafajshme duhet t’u ketë ardhur turp. Ka edhe të paturp që ushqejnë mendime kaq mizore saqë pas kësaj ngjarjeje postuan mesazhe në Twitter duke thënë “Kjo që u bë me ahmedianët u bë shumë mirë dhe ishte e duhura”. انا للہ و انا الیہ راجعون  Jemi të Allahut dhe tek Ai do të kthehemi. Ajo që është më pikëlluesja është që e gjithë kjo po bëhet në emër të Allahut të Lartësuar dhe të Profetit të tij.

Fjalët اِذْ ہُمْ عَلَیۡہَا قُعُوۡدٌ  “Kur ata do të qëndrojnë të ulur rreth tij” tregojnë se kundërshtarët do të qëndrojnë gjatë atje duke zgjeruar planet e tyre ndëshkuese. Fjala “ku’ud” do të thotë “të ulur” dhe kjo përdoret edhe si shprehje për të treguar zgjatjen e veprimit prej vepruesve. Pra, përpjekjet e tyre për të nxjerrë gënjeshtra, për të bërë mashtrime dhe për të përndjekur besimtarët mbase do të vijojnë gjatë, sepse kundërshtarët do të vijojnë të dalin. Ata do të tentojnë t’i zgjerojnë përpjekjet e tyre, ama ato kanë një kufi. Kufiri i tyre është pikërisht ai që ua ka përcaktuar Zoti i Lartësuar duke u thënë: Bëni çfarë të doni! Ama Unë do t’ju bëj ju të hidheni përfundimisht në këtë zjarr. Dijetarët e tyre e dinë shumë mirë se po veprojnë me gënjeshtra. Ata nuk kanë asnjë argument për ta hedhur poshtë deklaratën e Mesihut të Premtuar a.s. përveçse të thurin gënjeshtra apo të paraqesin shkrimet e tij duke i deformuar. Kundërshtimi u ka verbuar sytë! Ata vetëm vijojnë të përhapin armiqësi e vijojnë të përhapin armiqësi kundër ahmedianëve. I bashkojnë edhe njerëz të thjeshtë në ndezjen e këtij zjarri. Zjarrin armiqësor kundër ahmedianëve ata gjithnjë janë duke e ndezur, por zjarrin e ndezin edhe fizikisht kundër nesh dhe nganjëherë ia arrijnë qëllimet dhe nganjëherë jo.

Sot, në çdo qytet dhe në çdo rrugicë të Pakistanit mund të gjeni banderola e postera plot gënjeshtra kundër Ahmediatit. Jo vetëm mbi muret e shtëpive, por edhe në muret e godinave shtetërore, madje në muret e godinave të gjykatës së lartë mund t’i gjeni postera të tilla, ku përmendin fjalë kaq të padenja e kaq të pavërteta rreth Mesihut të Premtuar a.s. saqë nuk mund t’i merrni me mend. Me fjalë të tilla, që nuk kanë kurrfarë lidhje me besimet e Xhematit, ata përpiqen t’i nxisin njerëzit.

Pema e Xhematit që është e mbjellë nga Zoti i Madhërishëm, me bekimin e Zotit do të vazhdojë të rritet

Por Mesihu i Premtuar a.s. duke e përshkruar pikërisht këtë kundërshtim të tyre, i jep zemër Xhematit me këto fjalë:

Mos mendoni se Zoti do t’ju lërë të prisheni. Ju jeni një farë që është mbjellë nga dora e Zotit në tokë. Zoti thotë se kjo farë do të shtohet, do të lulëzojë dhe nga çdo anë do të dalin degët e saj dhe do të bëhet një pemë madhështore. Prandaj, i bekuar është ai që beson fjalën e Zotit dhe nuk frikësohet nga sprovat që has në mes.

(“Testamenti”, Prishtinë, 2011, f. 12.)

Pra, anëtarëve të Xhematit do t’u duhet të japin sakrifica, por pema e Xhematit që është e mbjellë nga Zoti i Madhërishëm, me bekimin e Zotit do të vazhdojë të lulëzojë e të përhapet inshallah. Ndërsa këta zjarrvënës do të shohin veten duke u djegur në atë zjarr ose Zoti i Lartësuar në ndonjë mënyrë tjetër do të krijojë mjete të ndëshkimit të tyre.

قُتِلَ اَصْحٰبُ الْاُخْدُوۡدِ  “U shkatërruan njerëzit e hendekëve” është një profeci që po përmbushet kundër armiqve të Xhematit Ahmedia dhe do të vazhdojë të përmbushet. Ata do të vazhdojnë të shkatërrohen dhe edhe ata nuk do të ndalin mizoritë e tyre, por do t’i përsërisin. Megjithatë, pema e Ahmediatit që është e mbjellë nga dora e Zotit, do të vazhdojë të rritet inshallah ta’ala. Historia 125-vjeçare e Xhematit Ahmedia dhe ky përparim i tij duhet të jenë një mësim për ta për të kuptuar se kjo punë nuk është e njeriut, por e Zotit të Madhërishëm dhe se duke ndërhyrë në punë të Zotit dhe duke tentuar për ta penguar atë, ata do të kenë vetëm mospëlqimin e Allahut e asgjë tjetër jo. Ata e dinë shumë mirë se po gabojnë dhe se edhe Kurani i Shenjtë nuk i mbështet, asnjë fjalë e të Dërguarit të Allahut nuk i mbështet. Ngjarjet e sahabëve të Mesihut të Premtuar që ju tregoj herë pas here, madje edhe të atyre njerëzve që e pranuan dhe vazhdojnë ta pranojnë Mesihun e Premtuar a.s. në kohën tonë na japin dëshmi se të ashtuquajturit dijetarë muslimanë u thonë njerëzve: “Mos debatoni me kadijanitë (ahmedianët) në bazë të Kuranit, sepse me anë të Kuranit ata provojnë edhe vdekjen e Isait, edhe botëkuptimin e tyre rreth vulës së profetëve (khatme nebuvet), edhe vërtetësinë e Mesihut të Premtuar”. Madje, tani ata kanë filluar t’u thonë: “Mos i dëgjoni fare ahmedianët”. Kjo sepse ata e dinë shumë mirë se në argumente as nuk mund t’u qasen ahmedianëve. Prandaj, ata dinë vetëm të tregohen kokëfortë dhe nga kokëfortësia thurin edhe gënjeshtra kundër Xhematit dhe literaturës së tij. Ata përpiqen të hedhin hi në sytë e publikut duke paraqitur të deformuara mendimet e Xhematit dhe duke deklaruar se janë në shumicë, andaj gëzojnë të drejtën për të ushtruar mizori kundër ahmedianëve. Për sa i përket shtetit dhe medias, në Pakistan edhe ato janë në duar të hoxhallarëve. Vetëm para pak ditësh, një hoxhë pakistanez doli në televizor për të qetësuar publikun, por e nxiti duke thënë “edhe pakica duhet t’i respektojë ndjenjat e shumicës”. Pra, ata vetë i lëndojnë ahmedianët, vetë i akuzojnë, vetë dalin për t’i gjykuar dhe vetë i ndëshkojnë. Ngaqë hoxhallarët gëzojnë foltore dhe pushtet, madje edhe politikanët mendojnë se do t’u ecë politika vetëm nëse i përndjekin ahmedianët, prandaj edhe ata ngrenë të njëjtin avaz bashkë me hoxhallarët. Ata nuk dinë se cili është fundi që u ka gatitur Zoti i Madhërishëm. Allahu i Madhërishëm thotë:

اِنَّ  الَّذِیۡنَ فَتَنُوا الْمُؤْمِنِیۡنَ وَ الْمُؤْمِنٰتِ ثُمَّ  لَمْ یَتُوۡبُوۡا فَلَہُمْ عَذَابُ جَہنَّمَ وَ لَہُمْ عَذَابُ الْحَرِیۡقِ

Me të vërtetë, ata që i përndoqën besimtarët e besimtaret dhe nuk pendohen, do të ketë ndëshkim të xhehenemit dhe ndëshkim të zjarrit.

Pra, Allahu i Madhërishëm thotë se ata që ndëshkojnë ose tentojnë të ndëshkojnë besimtarët e besimtaret duke ndezur zjarr kundër tyre dhe më pas duke qëndruar të ulur rreth atij zjarri që të mos vijë ndokush për ta shpëtuar “gjahun” e tyre, i pret ndëshkimi i xhehenemit. Kundërshtarët përpiqen të ndezin edhe zjarrin fizik, edhe zjarrin e fshehtë, për t’i përndjekur besimtarët në çdo mënyrë.

Dashuria e Xhematit Musliman Ahmedia ndaj Profetit Muhammed s.a.

Këto ditë ata e ndezin këtë zjarr duke përhapur edhe gënjeshtrën se gjoja ne ahmedianët, neudhubil-lah, nuk e pranojmë Profetin Muhammed s.a. si profet, ose si profet të fundit ose neudhubil-lah e fyejmë atë. Kjo është një akuzë që na i lëndon zemrat jashtë mase. Ahmedianët janë ata të cilët në çdo cep të botës janë të angazhuar për të shfaqur nderin dhe madhështinë e Profetit Muhammed s.a.. Kudo që bëhet përpjekje për t’ia diskredituar emrin të Dërguarit të Allahut s.a., më së pari ahmedianët japin përgjigje. Pra, jemi ata që mund të pranojmë vdekjen, por nuk mund të durojmë qoftë një fjalë fyese ndaj Profetit Muhammed s.a. dhe pikërisht këtë na e ka mësuar neve Mesihu i Premtuar a.s.. Zoti i Madhërishëm e di shumë mirë që veprat dhe zemrat tona nuk kanë asnjë kundërshtim me njëra-tjetrën. Jo më kot Zoti i Madhërishëm vazhdon t’i japë përparime Xhematit të atij, të cilin ata e quajnë gënjeshtar, neudhubil-lah. Zoti e di shumë mirë se ky Xhemat i përket Atij dhe Atij i takon t’i japë përparime. Prandaj, Zoti i Madhërishëm thotë se nuk do t’i lërë pa ndëshkuar njerëzit, të cilët i trazojnë besimtarët e Tij duke i vënë në gjithfarë vështirësish, duke i shkaktuar djegie trupave të tyre, duke ua djegur shtëpitë dhe duke u veshur akuza të gënjeshtërta, edhe pse besimtarët ditë e natë qëndrojnë të angazhuar në vendosjen e teuhidit, të madhështisë së Zotit dhe të madhështisë së profetit të tij të fundit. Zoti thotë që përndjekësit e tillë patjetër do t’i fusë në zjarrin e xhehenemit, me përjashtim nëse ata do të pendohen, sepse Zoti është shumë Pendimpranues dhe Mëkatfalës. Por nëse nuk pendohen, atëherë le ta dinë  فَلَہُمْ عَذَابُ جَہنَّمَ وَ لَہُمْ عَذَابُ الْحَرِیۡقِ  “për ta është ndëshkimi i xhehenemit dhe për ta është ndëshkimi i zjarrit”. Ashtu siç ata ua dogjën apo tentuan t’ua digjnin zemrat, trupat dhe shtëpitë besimtarëve, në të njëjtën mënyrë edhe ata do të ndëshkohen. Mizorët e tillë do të kenë dy lloj ndëshkimesh: edhe së jashtmi, edhe së brendshmi; edhe të djegies, edhe të xhehenemit. Ata na trazojnë dhe tentojnë të na djegin zemrat duke përdorur emrin e atij, i cili për ne është më i dashur se jeta jonë, duke na veshur akuza të gënjeshtërta rreth tij.  Por u digjen zemrat edhe atyre nga zjarri i zilisë duke parë të vërtetën dhe duke parë përparimin e jashtëzakonshëm të Xhematit. Ata mendojnë se si ka mundësi që edhe pse bëjnë çmos për t’i përndjekur ahmedianët, prapëseprapë çdo ahmedian mbetet i vendosur në mënyrë të palëkundur në besimin e tij; pse çdo fëmijë, çdo i moshuar, çdo grua dhe çdo burrë ahmedian nuk u frikësohet, por merr çdo lëndim në gjoks duke i parë sy me sy përndjekësit e vet?!

Sakrifica të mëdha të ahmedianëve të Guxhranvala-s ndër vite

Ahmedianët e Guxhranvalasë kishin dhënë sakrifica të mëdha edhe gjatë trazirave të vitit 1974 dhe duke u bërë shembull për të tjerët dhe, edhe sot ata vendosën shembullin e sakrificave të tyre.

Këtë herë, ndër dëshmorët janë një vajzë shtatë muajsh, një vajzë tetë vjeçe, një grua dhe një fëmijë pa lindur

Këtë herë, një vajzë shtatë muajsh, një vajzë tjetër tetë vjeçe, një grua janë ato që dhanë sakrificën e jetës së tyre duke rënë dëshmore. Madje ndër to është edhe një fëmijë që nuk kishte ardhur ende në këtë botë, i cili vetëm pas një muaj e gjysmë do të shihte botën, për shkak të mizorive të mizorëve u privua nga jeta duke sakrifikuar jetën pa lindur akoma.

Shpërblimet e sakrificëbërësve nga Zoti i Lartësuar

Sidoqoftë, Zoti i Madhërishëm na ka treguar shumë qartë se si do të jetë përfundimi i këtyre zjarrvënësve dhe mizorëve, por ka edhe diçka tjetër. Ai ka treguar edhe shpërblimet që do të marrin besimtarët dhe sakrificëbërësit. Zoti thotë:

اِنَّ الَّذِیۡنَ اٰمَنُوۡا وَ عَمِلُوا الصّٰلِحٰتِ لَہُمۡ جَنّٰتٌ تَجۡرِیۡ مِنۡ تَحۡتِھَا الۡاَنۡھٰرُ ۬ؕؑذٰلِکَ الۡفَوۡزُ الۡکَبِیۡرُ

Me të vërtetë, ata që besuan dhe bënë vepra të mira, do të ketë kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj. Ky është suksesi madhështor.

Armiqtë ndezën zjarr kundër besimtarëve dhe e mbikëqyrën zjarrin që të mos shuhej, siç dëshmojnë edhe raportet e kësaj ngjarjeje. Kur erdhën zjarrfikësit, mizorët jo vetëm që i ndaluan, por i zmbrapsën duke vërshuar gurë drejt tyre që të mos bënin asnjë hap për ta shuar zjarrin dhe nuk u mjaftuan me kaq. Ata i ndaluan edhe ambulancat që të mos merrte asnjë të lënduar nga shtëpitë që po digjeshin. Madje, duke qëndruar para ambulancës, zunë të vallëzonin. Por për të përndjekurit e tillë, Zoti i Madhërishëm u jep lajm të gëzueshëm duke thënë se Ai ka përgatitur kopshte që janë të ndërthura me degët e njëri-tjetrit, që kanë hije të këndshme dhe nëpër të cilat rrjedhin lumenj. Ata do të freskohen prej lumenjve kur të dëshirojnë. Armiku tentoi t’u shkaktonte djegien e zjarrit, ndërsa Zoti u përgatiti freskinë nën hijen e xhenetit të Tij, ku nuk do të ketë as djegia e vapës. Armiku tentoi t’u shkaktonte vdekje nga asfiksia fëmijëve të pafajshëm dhe një gruaje të sëmurë, por Allahu u premton dëshmorëve të tillë atmosferë të këndshme, ujë të freskët dhe kopshte ku trupat dhe fytet e tyre gjithmonë do të ndiejnë freski. Ky është pra dallimi i qartë midis fundit të zjarrvënësve dhe vendit të të shtypurve besimtarë. Në mbrojtje nga këto mizori, ne edhe më përpara e thërrisnim Allahun e Lartësuar për ndihmë duke u përkulur para Tij dhe, edhe sot do të përkulemi vetëm para Tij.

Përgjigjja e pyetjes rreth një shpalljeje të Mesihut të Premtuar

Në këto ajete ka përgjigje edhe për atë zonjë nga Gjermania, e cila në një letër më pyeti se derisa Mesihu i Premtuar a.s. ka shpallje prej Zotit që thotë: “Mos më trembni nga zjarri! Zjarri është shërbëtori im dhe shërbëtor i shërbëtorëve të mi”. Zonja në fjalë nuk shtoi ndonjë koment, por nga letra më la të kuptoja që nëse kjo ishte shpallje, përse ndodhi e gjithë kjo?

Më së pari, mbajeni të fortë besimin! Sepse, pikërisht në këto ajete, Zoti paraprakisht na ka treguar edhe për këto sprova që do të ndodhnin. Këto ajete janë shumë të qarta. Ndërsa kuptimi i shpalljes në fjalë është që ne nuk jemi si ata që u tremben këtyre sprovave. Siç thotë Kurani Famëlartë që kundërshtarët do të ndezin zjarre të ndryshme dhe patjetër që do t’i ndezin, por nuk do të arrijnë qëllimin që duan ta arrijnë.

Zjarrvënësit ndezin zjarr sepse digjen në zjarrin e zilisë

Me këto zjarre, ata synojnë t’i largojnë ahmedianët nga Ahmediati. Por a ka ndodhur ndonjëherë që besimtari i vërtetë të mund t’u trembet edhe sprovave të tilla?! Asnjëherë. Por ndodhi që pikërisht ato zjarre si shërbëtore u erdhën në ndihmë besimtarëve në përparimin e tyre, duke hapur dyer të reja të përparimit dhe duke ua forcuar besimin besimtarëve. Edhe në rastin e ngjarjes së Guxhranvalasë, nëse na u bë humbje materiale, ajo na hapi dyer të reja të njohjes kaq të gjerë saqë befasohemi. Përveç kësaj, siç ju thashë edhe më përpara, që shumë herë armiku edhe dështoi në synimet e tij. Pra, nëse çdo herë rezultati na tregon fuqishëm ndihmën e Zotit të Lartësuar, atëherë duhet të dimë se edhe kjo shpallje ka kuptime të ndryshme. Ka edhe kuptim të drejtpërdrejtë por edhe metaforik. Pastaj, siç ju thashë Vetë Zoti i Lartësuar pohon që Ai do t’i ndëshkojë zjarrvënësit po me zjarr, ndërsa të prekurve nga zjarri u premton kopshte hijegjera.

Fëmijët e pafajshëm padyshim janë xhenetlinj, por duke dhënë jetën në këtë rrugë ata u bënë akoma më të dashur të Zotit. Zoti i Lartësuar i mbuloi me krahët e Tij të dashurisë. Shpallja e Mesihut të Premtuar a.s. nuk thotë se zjarri do të jetë si një shenjë që nuk do t’i djegë ahmedianët por vetëm kundërshtarët e tyre si ndëshkim. Nuk thuhet asnjë gjë e tillë në të. Mesazhi i saj është që ne ahmedianët nuk do t’i trembim zjarrit dhe kjo si shenjë do të përmbushet herë edhe fizikisht dhe herë metaforikisht. Ky zjarr herë edhe shuhet përpara se të na dëmtojë, e herë edhe na shkakton dëm. Një gjë e tillë vërehet edhe në kohën e Profetit Muhammed s.a.. Ndëshkimi që ishte i përcaktuar nga Zoti për mohuesit ishte ndëshkimi i luftës. Ata nuk patën ndëshkime të tjera. Këtë na e sqaron edhe Mesihu i Premtuar a.s. që lufta për ta ishte edhe si ndëshkim dhe nëpërmjet saj u thye arroganca e tyre. Por po në ato betejë, a nuk u martirizuan edhe muslimanë? Patjetër që po. Por, vdekjen e mohuesve Allahu i Lartësuar e ka quajtur vdekje xhehenemprurëse ndërsa për muslimanët dëshmorë tha se mos thoni se janë të vdekur, por janë të gjallë te Zoti i Lartësuar dhe bekohen me ushqime nga më të ndryshmet çdo ditë. Edhe dëshmorët tanë po shëtitin nëpër xhenete të Zotit.

Për herë të parë në historinë e Xhematit Ahmedia, të gjitha që ranë dëshmore janë femra. Këto sakrifica në asnjë mënyrë nuk do të shkojnë kot!

Mbase, është hera e parë në historinë e Xhematit Ahmedia që të gjithë dëshmorët që u sakrifikuan, janë femra, pra vajza dhe një grua. Asnjë mashkull nuk u përfshi në këtë sakrificë. Andaj, sakrificat e këtyre të pafajshmeve ua afruan akoma më shumë ndëshkimin mizorëve. Këto sakrifica në asnjë mënyrë nuk do të shkojnë kot! Këtu dua t’ju sqaroj edhe një gjë tjetër. Të gjitha vdekjet ndodhën për shkak të asfiksisë e jo nga djegia. Edhe pse mizorët nuk lanë përpjekje pa bërë për t’i djegur, madje duke qëndruar përjashta, sendet që nuk mund t’i rrëmbenin ose që ishin të prishura, vazhdimisht i gjuanin në zjarr për ta ndezur akoma më shumë. Kurse sendet e çmuara ata i rrëmbyen.

Disa të dhëna të kësaj ngjarjeje makabre

Tani do t’ju përmend shkurtimisht disa të dhëna të kësaj ngjarjeje. Ndër dëshmorët janë një grua Znj. Bushra Begum, bashkëshortja e të ndjerit Z. Munir Ahmed, dy vajzat e dashura Hira Tabasum dhe Kainat Tabasum që ishin të bijat e Z. Muhammed Buta-s. Megjithëse e keni dëgjuar apo lexuar raportin e kësaj ngjarjeje, do të doja ta përmendja edhe unë. Më 27 korrik të vitit 2014, në lagjen Arafat të Kaçipomp-it të provincës Guxhranvala, kundërshtarët ekstremistë sulmuan shtëpitë e ahmedianëve. U vunë zjarr. Mbetën të martirizuar Znj. Bushra Begum bashkëshortja e të ndjerit Munir Ahmed, e cila ishte 55 vjeçe, dy vajza të vogla: e dashura Hira Tabasum 6 vjeçe dhe e dashura Kainat Tabasum që ishte vetëm 8 muajsh dhe të dyja ishin të bijat e Muhammed Buta sahibit. انا للہ وانا الیہ راجعون  Jemi të Zotit te Zoti do të kthehemi.

Sipas raporteve, ditën e ngjarjes i biri i dëshmores Muhammed Ahmed sahibi, pas Iftarit kishte shkuar te një klinikë afër shtëpisë së tyre për të marrë ca ilaçe. Atje pa që disa njerëz kishin rrethuar kushëririn e tij Vakas Ahmedin. Ai shkoi për të ndërhyrë që ta zgjidhte problemin, por njerëzit filluan të fjaloseshin edhe me të dhe akuzuan se një djalë ahmedian gjoja se kishte postuar një fotografi të deformuar të Qabes në facebookun e tij. Neudhubil-lah. Muhammed Ahmedi u tha se ne as nuk mund ta imagjinojmë një gjë të tillë. Tani, kjo ngjarje tregon shumë qartë se e gjithë kjo ishte një intrigë, një plan i paramenduar. Sidoqoftë, të ligët që deri më tani fjaloseshin me dy të rinj ahmedianë, filluan edhe t’i rrihnin. Njëri mori një shishe, të cilën e theu dhe me të e goditi të riun ahmedian. Duke parë se situata po dilte jashtë çdo kontrolli, Muhammed Ahmedi mori në telefon të vëllanë Muhammed Buta-n dhe xhaxhanë Helil Ahmedin dhe i thirri për ndihmë. Ata erdhën dhe u përpoqën ta qetësonin situatën. Gjatë kësaj kohe, Helil Ahmedi u plagos nga goditja me shishe të thyer. Megjithatë, gjendja u qetësua përkohësisht. Ata u kthyen në shtëpi. Pas pak kohe, doktori i klinikës ku kishte ndodhur kjo ngjarje, i mori në telefon Muhammed Buta-n dhe Fazl Ahmedin dhe u tha se këtu po grumbullohen njerëz dhe kanë synimin që t’jua sulmojnë shtëpitë. Madje, u bë edhe njoftim në lagje nga organizata e tregtarëve (Enxhuman Taxhiran) që njerëzit të grumbullohen dhe t’i mbyllin dyqanet e tyre dhe kërcënuan se ai që nuk do ta mbyllë dyqanin e tij, vetë do të mbajë përgjegjësi për çdo dëm që do t’i shkaktohet. Pra, me një organizim të plotë kundërshtarët e nisën këtë mizori. Në këtë lagje ka afërsisht 18 shtëpi ahmediane. Me të dëgjuar njoftimin, ahmedianët e 15 shtëpive prej tyre dolën përjashta. Por Z. Muhammed Buta dhe dy familje të tjera që ishin vëllezër të Z. Muhammed Eshrefit, Presidentit të Xhematit, ende ishin nëpër shtëpitë e tyre. Turma që po grumbullohej, rreth orës 8:30 në mbrëmje i sulmoi shtëpitë e ahmedianëve duke bërtitur dhe duke ngritur me të madhe parullat e tyre. Hapën edhe armë zjarri. Filluan t’i thyenin dyert që ishin të mbyllura nga brenda. Këtu policia dha një raport të gënjeshtërt duke thënë se armë zjarri u përdor nga të dyja palët, kurse armët i përdorën vetëm sulmuesit. Anëtarët e Xhematit nuk përdorën asnjë armë për mbrojtje. Kundërshtarët i sulmuan nga çdo anë duke i rrethuar. Në këtë zonë ka shumë shitë. Shitët në përgjithësi flasin shumë për mbrojtjen e pakicave, por në këtë ngjarje edhe ata ngishëm morën pjesë. Presidenti i Xhematit tonë menjëherë e njoftoi komisarin S.H.O. dhe ai i tha se po gjendej vetë me trupa policore në vendngjarje dhe ishte duke i marrë sulmuesit me vete për të negociuar me ta. Ndërsa e vërteta është që ai nuk i mori me vete dhe sulmuesit bënë sulmin për të dytën herë. Ata ishin të armatosur dhe të pajisur me mjete të forta. Kjo turmë sa vinte e shtohej. Më së pari ata ndërpritën energjinë elektrike dhe i thyen sahatet. Në këtë gjendje, familja e Presidentit të Xhematit nga tarraca i kërkoi strehë fqinjit të tyre që i përkiste sektit Ehli Kuran. Ata ishin njerëz të mirë dhe i morën në strehë. Pra, nga tarraca kaluan në shtëpinë e komshiut. Kurse Z. Muhammed Buta dhe i vëllai Z. Fazl Ahmed u mbyllën në një dhomë në katin e sipërm të shtëpisë së tyre. Ekstremistët i thyen dyert e shtëpisë dhe u futën brenda dhe tentuan ta thyenin edhe derën e asaj dhome, ku ishin mbyllur 11 gra e fëmijë ahmedianë. Kur dera nuk u thye, ata e mbushën vrimën e drynit me elfi (një ngjitëse) që dera të mos hapej më as nga brenda, i thyen xhamat e dritareve dhe mu aty grumbulluan gjëra plastike, si karrige etj dhe u vunë zjarr. Tymi helmues filloi të futej brenda përmes dritareve të thyera dhe shumë shpejt dhoma u mbush me të. Ndërkohë, sulmuesit mizorë pas ndezjes së zjarrit u tallën me gratë dhe vajzat e mbyllura duke u bërë me dorë si shenjë lamtumire dhe më pas dolën përjashta. Nga asfiksia Znj. Bushra Begum dhe dy mbesat e saj Hira Tabasum dhe Kainat Tabasum humbën jetë. انا للہ وانا الیہ راجعون  “Jemi të Allahut dhe tek Allahu do të kthehemi”. Kundërshtarët ishin kaq shumë të egër saqë nuk i lejuan as ambulancat që kishin ardhur, një nga spitali e një nga urgjenca, dhe as zjarrfikësin që t’u afroheshin e t’i nxirrnin të lënduarit, madje i detyruan të ktheheshin andaj nga kishin ardhur. E më pas, ekstremistët shfrytëzuan kohën e tyre të plotë për t’i djegur të gjitha shtëpitë dhe duke e bërë këtë veprim makabër vazhdonin të vallëzonin me mburrje. Ndërsa policia qetësisht po i bënte sehir gjithë kësaj masakre duke qëndruar aty në vendngjarje. Ajo nuk ndaloi asnjë sulmues nga veprimi i tij. Edhe media shumë vonë erdhi dhe e mbuloi këtë ngjarje në lajme. Kryeministri i shtetit Guxhranvala Z. Shehbaz Sherif bëri koment atëherë kur gjithçka kishte përfunduar.

(Më pas Hazuri përmendi disa të dhëna rreth dëshmorëve dhe virtytet e tyre. Këtë mund ta dëgjoni në video)