Xhalsa Salana e Australisë, 2013
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Xhalsa Salana e Australisë, 2013

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Me Bekimin e Zotit të Madhërishëm, sot fillon Xhalsa Salana (mbledhja vjetore) e Xhematit Musliman Ahmedia të Australisë dhe edhe mua më është dhënë mundësia të jem i pranishëm këtu, afërsisht pas shtatë vjetësh. Xhalsa Salana është ajo mbledhje që u themelua nga Mesihu i Premtuar a.s., afërsisht para 123 vjetësh. Xhalsa Salana e parë, pra para 123 vjetësh, ishte zhvilluar në një qytezë të vogël të quajtur Kadian, të provincës së Panxhabit në Indi dhe në të cilën kishin marrë pjesë vetëm 75 veta. Sot pikërisht kjo Xhalsa zhvillohet në shumë vende të botës, ku janë përfshirë edhe vende të mëdha, edhe të vogla, edhe të varfra, edhe të pasura. Madje, nuk ka mbetur ndonjë kontinent ku kjo Xhalsa Salana nuk zhvillohet. Padyshim që kështu duhet të ndodhte, që kjo Xhalsa të zhvillohej anembanë botës, sepse kështu kishte parashikuar Mesihu i Premtuar a.s.. Ai tha:

Mos mendoni se kjo Xhelse (mbledhje) të jetë një mbledhje e zakonshme që bëjnë njerëzit. Kjo është ajo, themelet e së cilës janë vënë për mbështetjen e së vërtetës dhe ngritjen e fesë Islame. Gurthemelin e kësaj çështjeje e ka vënë vetë Zoti i Madhërishëm me dorën e Tij. 

Pra, organizimi i Xhalsave në botë nuk është thjesht mbledhja e njerëzve, por është një shenjë e vërtetësisë së Mesihut të Premtuar a.s., është shenjë e vërtetësisë së Xhematit Musliman Ahmedia, është shenjë e përmbushjes së profecisë së të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., është shenjë e plotësimit të fjalës së Allahut, në të cilën ai thotë:

Unë do ta dërgoj atë edhe në një popull, i cili akoma nuk i janë bashkuar.

(Kurani Famëlartë 62:4)

Fjalët e Mesihut të Premtuar a.s. që pohojnë:

Gurthemelin e kësaj çështjeje vetë Zoti i Madhërishëm e ka vënë me dorën e Tij,

nuk ishin vetëm fjalë, por janë shenjë e vërtetësisë së Mesihut të Premtuar a.s., pasi çdo ditë që lind, sjell ndihma të shumta të Allahut të Lartësuar në mbështetjen e tyre. Nëse sytë nuk janë të mbyllur dhe zemrat dhe mendjet nuk janë të vulosura, atëherë vetëm këto Xhalsa Salana që zhvillohen anembanë botës, përbëjnë argument të mjaftueshëm të vërtetësisë së Mesihut të Premtuar a.s.. Tashmë kjo Xhalsa zhvillohet edhe në këtë kontinent të botës, dhe po zhvillohet në qytetin më të madh të tij. Njerëzit, burrat, gratë e fëmijët, që morën pjesë në të, kanë ardhur duke bërë mijëra kilometra rrugë. Dhe pikërisht kjo Xhalsa, afërsisht para një muaji, me plot madhështinë e saj ishte zhvilluar edhe në kryeqytetin e atij vendi, i cili për një kohë të gjatë kishte pushtuar Indinë. Disa oficerë dhe priftërinj të atij vendi, gjatë kohës së Mesihut të Premtuar a.s., kishin ngritur edhe padi kundër tij, duke e tërhequr nëpër gjykata. Por sot, politikanët, liderët, madje edhe priftërinjtë e atij vendi nuk rreshtin së pranuari që mesazhi i Xhematit Musliman Ahmedia është një mesazh për të bashkuar popujt dhe njerëzit e botës, është një mesazh i dashurisë dhe vëllazërisë dhe si i tillë ai duhet të përhapet në mbarë botën. Në të njëjtën mënyrë, edhe politikanët e Amerikës, pra të atij shteti që mbahet si më i forti në botë, erdhën në Xhalsanë tonë dhe nuk kishin arsye për të mos thënë se mesazhin e vërtetë të Islamit e kanë marrë prej Xhematit Musliman Ahmedia.

Pra, këto Xhalse nëse në njërën anë bëhen mjete për ngritjen e nivelit edukativ dhe shpirtëror dhe duhet të bëhen ashtu, atëherë në anën tjetër i bindin edhe të tjerët për vlerat e Islamit dhe, në këtë mënyrë, plotësojnë me plot madhështi fjalët e Mesihut të Premtuar a.s. ku ai thotë se Gurthemelin e kësaj çështjeje e ka vënë vetë Zoti i Madhërishëm me dorën e Tij… ajo synon lartësimin e fesë islame në të gjithë botën.

Kështu që, në këtë kohë kur edhe të tjerët i pranojnë vlerat dhe bukuritë e Islamit, duke parë Islamin e vërtetë këtu, një Islam që është bazuar tërësisht mbi mësimet kuranore, atëherë a nuk duhet që ahmedianët të ndërgjegjësohen akoma më shumë për përgjegjësitë e tyre? Duke i parë të gjitha këto, një ahmediani i shtohen përgjegjësi akoma më shumë dhe ai obligohet që të rrisë nivelin e tij edukativ, fetar, shpirtëror, me pjesëmarrjen në Xhalsa Salana.

Duke treguar qëllimet e Xhalsa Salanës, Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Duke marrë pjesë në të, të bëheni shembuj të takuasë dhe të devotshmërisë ndaj Zotit. Kjo Xhalsa duhet t’ju dhurojë frikë ndaj Zotit. Të bëheni shembuj të zemërbutësisë, dashurisë dhe vëllazërisë për të tjerët. Të krijoni përulësi dhe modesti në veten tuaj. Të krijoni një patos dhe zell për t’i shërbyer besimit. Të përpiqeni për të krijuar një lidhje të gjallë me Zotin e Lartësuar.

Gjatë Xhalsasë të bëni një kontroll të bejtit (besëlidhjesë) tuaj duke analizuar se deri ku ia dilni përmbushjes së detyrimeve që keni ndaj Zotit dhe ndaj krijesave të Tij. Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Çfarë nevoje kam për ata njerëz që nuk i marrin përsipër me zemër të sinqertë porositë e fesë?!

Pra, një ahmedian ka përgjegjësi të mëdha. Mesihu i Premtuar a.s. kishte ardhur me një mision madhor. Nëse duam ta plotësojmë bejtin tonë dhe ta përmbushim misionin e ardhjes së tij, atëherë patjetër duhet të thellohemi në mësimet që Mesihu i Premtuar a.s. na ka dhënë. Ne duhet të përmbushim shpresat që Mesihu i Premtuar a.s. kishte prej nesh. Pra, ne nuk duhet të kujtojmë se kemi bërë bejt dhe e kemi arritur qëllimin, madje pasi jemi bërë ahmedianë, ka nevojë që të kërkojmë se çfarë ishin shpresat dhe pritshmëritë e Mesihut të Premtuar a.s. Këto tri ditët e Xhalsasë krijojnë një atmosferë shumë shpirtërore, andaj duhet ta shfrytëzojmë këtë moment për të kërkuar këto gjëra që sapo ju thash, duke përfituar nga fjalimet, nga programet e Xhalsasë, në mënyrë që të përpiqeni për t’u bërë ahmedianë të vërtetë. Sot, do të paraqes disa nga ato pika, që janë tregues për ne për të arritur pritshmëritë që Meishu i Premtuar a.s. kishte prej nesh. Një ndër qëllimet e Xhalsasë që ka përmendur Mesihu i Premtuar a.s. është që pjesëmarrësit të fitojnë takuanë. Çfarë është takauaja? Lidhur me këtë, Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Takuaja nuk është diçka e vogël, por ajo është arma, me të cilën luftohet kundër të gjithë djajve, që kanë pushtuar çdo aftësi shpirtërore të njeriut. Të gjitha aftësitë dhe forcat, kur njeriu është në gjendje të nefsit ammarah, janë djaj. Gjendja e nefsit ammarah është ajo kur njeriu vazhdimisht tërhiqet pas mëkateve, pra në vend t’u nënshtrohet porosive të Allahut të Lartësuar, i kushton vëmendje paturpësisë që shejtani ka përhapur në botë, duke zbukuruar ligësitë për njeriun. Mesihu i Premtuar a.s. vijon: Ky quhet shejtani i nefsit, i cili vazhdimisht përpiqet t’ju devijojë. Nëse forcat e njeriut që nxisin për të keqen, nuk do të shtrohen, ato e robërojnë njeriun. Në fakt, vetë mendja dhe dija me përdorimin e tyre të gabuar shndërrohen në djaj.  Disa njerëz mburren për dijen e mendjen e tyre dhe pikërisht kjo mburrje e tyre i bën ata shejtan. Njeriu që ka takua, duhet t’i shtrojë e t’i ekuilibrojë të gjitha forcat e tij. Do të thotë që njeriu duhet t’i përdorë aftësitë dhe forcat e tij drejtësisht dhe në vendin e duhur, e kur do të ndodh kjo, ajo quhet takua.

Mesihu i Premtuar a.s., në një vend tjetër, thotë:

Anëtarët e Xhematit tonë veçanërisht kanë nevojë të kenë takua, përderisa ata kanë lidhje dhe pretendojnë të jenë në besëlidhje me një njeri, i cili deklaron të jetë prej Zotit, në mënyrë që ata të gjejnë shpëtimin nga të gjitha belatë, edhe pse më përpara ata ishin të përfshirë në lloj-lloj urrejtjesh, mërish, shirkësh dhe dynjallëku.

Pra, nëse nuk do të kemi ndryshime të pastra edhe pasi kemi bërë bejtin, atëherë nuk përmbushet qëllimi. Në një vend tjetër, duke na këshilluar, Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Ka nevojë që të ndiqni rrugën e takuasë, sepse vetëm takuaja është ajo që mund ta përmbledhë gjithë sheriatin. Nëse do të na duhet ta shpjegojmë në një fjalë thelbin e sheriatit, atëherë ajo fjalë është pikërisht takua. Takuaja ka shumë nivele, por nëse kërkimtari i sinqertë hedh hapat me qëndrueshmëri e devotshmëri qoftë në fazën e parë, atëherë për shkak të vërtetësisë s tij, ai gëzon të kalojë edhe në fazat më të larta. Allahu i Lartësuar thotë:

Allahu pranon lutjet vetëm prej njerëzve me takua.

(Kurani Famëlartë 5:28)

Me fjalë të tjera, ky është premtimi i Allahut dhe Ai mban premtimet  e Tij. Ai thotë:

Me të vërtetë, Allahu nuk e thyen besën.

(Kurani Famëlartë 3:10)

Derisa takuaja është kushti i pazëvendësueshëm për pranimin e lutjeve, atëherë a nuk është naiv ai që edhe pse është i shkujdesur ndaj detyrimeve të tij, por prapëseprapë kërkon që t’i pranohen lutjet? Andaj, është e domosdoshme për anëtarët e Xhematit tonë që të ecin në rrugën e takuasë derisa të kenë mundësi, në mënyrë që të gëzojnë kënaqësinë e pranimit të lutjeve dhe të shtojnë besimin e tyre.

Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Nëse njeriu do të përdorë siç duhet aftësitë e tij, ai padyshim mund të bëhet ueli (i dashur i Zotit). Sinqerisht ju them të vërtetën, se në këtë umet ka shumë njerëz që janë të mbushur me dritë, vërtetësi dhe besnikëri. Andaj, askush nuk duhet të mendojë se është privuar nga këto gjëra. A ka botuar Zoti ndonjë listë, që na përjashton nga përfitimi prej këtyre bekimeve?! Zoti është shumë Bujar. Bujaria e tij përbën një oqean të madh bekimesh, që nuk shterohet. Kërkimtari i këtij oqeani kurrë nuk del i pafat dhe i privuar. Andaj, ju duhet të çoheni vazhdimisht gjatë natës dhe t’i krëkoni Zotit bekimin e Tij. Në çdo namaz ka plot raste për të bërë lutje. Ka ruku, kijam, ka’dah, sexhde etj. Pastaj, ky namaz falet pesë vakte në ditë: sabahu, dreka, ikindia, akshami dhe jacia. Për ata që përparojnë ka edhe namazin e ishrakut e të tehexhudit. Të gjitha këto janë raste pikërisht për të bërë lutje.

Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Qëllimi dhe thelbi i vërtetë i namazit është pikërisht lutja dhe ajo është plotësisht në përputhje me ligjet e vëna prej Zotit të Lartësuar. Për shembull, ne shpesh shohim se si nëna shqetësohet tej mase duke dëgjuar të qarat e fëmijës dhe i jep gji. Realisht, ky lloj lidhjeje ekziston edhe midis Krijuesit dhe robit, të cilën nuk mund ta kuptojë çdo njeri. Kur njeriu bie para pragut të Allahut të Madhërishëm dhe i paraqet hallet dhe kërkesat me një përulësi të skajshme dhe me dënesa, atëherë bujaria e Krijuesit merr një vrull dhe e mëshiron lutësin…. Edhe qumështi i bekimit dhe mëshirës së Allahut të Lartësuar kërkon një qarje, andaj duhet të shkosh te pragu i Tij me sy që dinë të lotojnë.

Disa sosh mendojnë se të qarat para Zotit nuk sjellin asnjë gjë. Sidomos sot, ateizmi i ka edukuar të rinjtë me ide të tilla. Lidhur me këtë Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Disa sosh mendojnë se të qarat para Zotit nuk sjellin asnjë gjë. Kjo është absolutisht e pavërtetë. Njerëzit që kanë këtë mendim, në fakt, nuk besojnë në atributet e Zotit dhe në plotfuqishmërinë e Tij. Po të kishin besimin e vërtetë, ata nuk do të guxonin të pohonin një gjë të tillë. Sa herë që ndonjë njeri shkoi te pragu i Allahut të Madhërishëm duke u penduar sinqerisht, Allahu i Lartësuar gjithmonë e ka bekuar. Pra, kushti është pendesa e vërtetë. Sa të vërtetë e ka thënë dikush:

عاشق کہ شد کہ یار بحالش نظر نہ کرد

اے خواجہ درد نیست وگرنہ طبیب ہست

I dashuri nuk mund të jetë i pavëmendshëm nga dashuria e të dashuruarit

Miku im! Këtu nuk ka dhimbje, por mjeku ekziston.

Zoti i Madhërishëm dëshiron që ju të shkoni tek Ai me zemër të pastër. I vetmi kusht është që duhet ta shndërroni veten sipas Tij e të krijoni atë ndryshim në veten tuaj, që ju mundëson t’i afroheni Atij. Nëse do ta bëni këtë, sinqerisht ju them të vërtetën, Zoti i Madhërishëm ka fuqi të çuditshme dhe njëkohësisht ka bekime dhe mirësi të pafundme. Por, duhet të keni syrin e dashurisë për t’i parë ato. Po të keni dashuri të vërtetë, Zoti i Madhërishëm dëgjon shumë lutje dhe ju ndihmon shumë.

Pastaj, duke na tërhequr vëmendjen për përulësi dhe modesti, Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Njerëzit me takua kanë si kusht të kalojnë jetën me modesti dhe përvuajtje. Kjo është një degë e takuasë, me anë të së cilës ne duhet të mbrohemi nga zemërimi i padrejtë. Edhe për njerëz të mëdhenj shpirtëror, shkalla më e rrezikshme është pikërisht ruajtja nga zemërimi. Vetëpëlqimi dhe mburrja vijnë nga zemërimi, po ashtu disa herë, edhe zemërimi vjen nga vetëpëlqimi dhe mburrja, sepse zemërimi shfaqet atëherë, kur njeriu vlerëson veten mbi të tjerët. Unë nuk dua që anëtarët e Xhematit tim të nënvlerësojnë njëri-tjetrin ose të shikojnë me nënçmim njëri-tjetrin. Zoti e di se kush është i madh e kush i vogël. Nënvlerësimi i njëri-tjetrit është si një farë dhe ka rrezik që ajo të përhapet e të bëhet shkak i shkatërrimit të atij që nënvlerëson dikë. Ka disa që tregojnë shumë respekt kur takojnë njerëz të mëdhenj. Por i madhi është ai që dëgjon fjalën e të varfrit me përulësi, që i jep zemër, që di ta respektojë e të mos nxjerrë asnjë fjalë të padenjë para tij. Allahu i Madhërishëm thotë:

وَلَا تَنَابَزُوۡا بِالْاَلْقَابِ ؕ بِئْسَ الِاسْمُ الْفُسُوۡقُ بَعْدَ الْاِیۡمَانِ ۚ وَمَنۡ لَّمْ یَتُبْ فَاُولٰٓئِکَ ہُمُ الظّٰلِمُوۡنَ

Mos e qesëndisni njëri-tjetrin me nofka të këqija. Sa e keqe është të thërrasësh me emër të padenjë pas (pranimit të) besimit! Ata që nuk pendohen, padyshim që janë të padrejtë.

(Kurani Famëlartë 49:12)

Ai që nënçmon dikë me nofka të këqija, nuk do të vdesë derisa nuk do të pësojë edhe vetë të njëjtën gjë. Mos nënçmoni vëllezërit tuaj. Gjersa të gjithë pini nga i njëjti burim, kush mund të thotë se kush e pi më shumë e kush më pak. (Domethënë, derisa të gjithë jemi robër të Allahut dhe të gjithë përfitojmë nga bekimet e Tij, atëherë si mund të dimë se kë Ai do ta bekojë më shumë). Njeriu nuk mund të jetë i nderuar dhe i respektuar me ligjet e botës. Te Zoti i Madhërishëm vetëm ai është i nderuar që ka takua:

اِنَّ  اَكْرَمَكُمْ عِنۡدَ اللہِ اَتْقٰكُمْ ؕ اِنَّ اللہَ عَلِیۡمٌ خَبِیۡرٌ

Më i nderuari nga ju tek Allahu është ai që ka më shumë takua. Me të vërtetë, Allahu di çdo gjë.

(Kurani Famëlartë 49:14)

Zoti nuk i kushton rëndësi askujt, përveç robërve të pastër. Kini dashuri dhe vëllazëri ndërmjet njëri-tjetrit dhe lëreni egërsinë dhe përçarjen. Hiqni dorë tërësisht nga çdolloj nënçmimi dhe talljeje, sepse talljet e largojnë dhe e shpien shumë larg zemrën e njeriut nga vërtetësia. Silluni me respekt ndaj njëri-tjetrit. Çdokush nga ju t’i japë përparësi rehatisë së tjetrit. Bëni një kompromis të sinqertë me Allahun e Lartësuar. (Padyshim që ne nuk jemi luftë me Allahun. Kompromisi i sinqertë me të do të thotë t’i pranosh porositë e Tij e të përmbushësh detyrimet e Tij dhe të robërve të Tij) dhe kthehuni në nënshtrimin ndaj Tij. Zemërimi i Allahut po bie në tokë dhe prej tij do të shpëtojnë vetëm ata që pendohen plotësisht nga mëkatet e tyre dhe vijnë te pragu i Tij.

Mbani mend! Nëse do të paraqisni veten në shërbim të Allahut, nëse do të përpiqeni në mbështetje të fesë së Tij, atëherë Zoti do t’ju largojë pengesat dhe ju do të korrni sukses. A nuk vëreni se si bujku prashit tokën, pra për të shpëtuar bimë të mira, i shkul dhe i largon ato të këqija dhe mbron fidanët dhe pemët e tij me të gjitha mundësitë nga çdo rrezik. Ndërsa për pemët që nuk japin frytë, bujku ose kopshtari nuk e vret mendjen, edhe sikur t’i hanë bagëtitë apo t’i marrë ndonjë druvar. Në të njëjtën mënyrë, edhe ju mos harroni! Nëse do të dilni të sinqertë në sy të Zotit të Madhërishëm, asnjë kundërshtim nuk mund t’ju dëmtojë dot. Por, nëse nuk e përmirësoni veten dhe nuk lidhni një besë të sinqertë me Allahun, Allahu i Madhërishëm nuk do t’ju kushtojë fare rëndësi. Mijëra bagëti theren përditë e askush nuk e vret mendjen për to, por nëse vritet ndonjë njeri, sa shumë shqetësohen të gjithë. Andaj edhe ju, nëse do të bëheni të pavlerë e të shkujdesur si bagëtitë, atëherë do të keni të njëjtin fat. Duhet që ju të hyni në grupin e të dashurve të Zotit, në mënyrë që të mos guxojë t’ju prekë ndonjë epidemi apo bela, sepse asgjë nuk mund të ndodh në këtë botë pa lejen e Allahut të Madhërishëm. Largoni çdo grindje, interes personale apo armiqësi që keni me njëri-tjetrin, sepse kjo është koha që ju t’u shmangeni gjërave të vogla e të angazhoheni për punë madhore. Ky është testamenti im, andaj mbajeni si të tillë që kurrsesi nuk duhet të veproni me ngushtësi dhe egërsi, por të mësoni çdokënd me butësi, virtyte e në mënyrë graduale.

Në një vend tjetër, duke tërhequr vëmendjen për përparimin moral, Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Anëtarët e Xhematit duhet të përparojnë moralisht. Është edhe shprehje:

الاستقامۃ فوق الکرامۃ

Ata duhet të mbajnë mend se nëse dikush sillet me egërsi ndaj tyre, maksimalisht duhet të përpiqen për t’i kthyer me butësi. As për t’u hakmarrë të mos e përdorni dhunën.

Këtë mësim ne i japim botës, sepse ky është edhe kriteri i vendosjes së paqes në botë. Prandaj edhe bota e pëlqen këtë, por ka nevojë që ne të paraqesim edhe shembuj tanë praktikë. Mesihu i Premtuar a.s. vijon:

Nefsi i njeriut ka tri gjendje: ammarah, leuamah dhe mutmainah. Në gjendjen e amarasë, njeriu nuk mund të përmbajë emocionet dhe impulset e tij dhe duke u bërë i papërmbajtur bie moralisht. Por, në gjendjen e leuamasë, ai e përmban veten. M’u kujtua një tregim që ka shkruar Sa’diu në Bustanin e tij. Një herë një qenë kishte kafshuar një plak. Plaku kur u kthye në shtëpi, të gjithë njerëzit e panë se atë e kishte ngrënë qeni. Ndër ta ishte edhe një vajzë e vogël, e cila me shumë habi e pyeti plakun: “Pse nuk e ke kafshuar edhe ti qenin?” “Njeriu nuk mund të bëhet qen, moj bije!” ia ktheu plaku.

Në të njëjtën mënyrë, nëse dikush shan, atëherë besimtari duhet ta anashkalojë, përndryshe do të aplikohet thënia e këtij plaku. Njerëzve të Zotit shpesh u janë drejtuar me sharje, i shqetësuan tej mase, megjithatë, Zoti i porositi: “Anashkaloji të paditurit!” Edhe vetë njeriut më të përsosur, profetit tonë Hazret Muhammedit s.a.v.s. i ishin dhënë shqetësime të mëdha, i ishin drejtuar me sharje, tallje e qesëndisje, por çfarë bëri ai model i përkryer i virtyteve kundrejt tyre? Ai ishte lutur për ta! Zoti i Madhërishëm e kishte premtuar se nëse do t’i anashkalonte të paditurit, Vetë do t’ia shpëtonte nderin dhe jetën dhe kështu ndodhi. Kundërshtarët e Hazurit nuk arritën t’ia njollosnin nderin, madje vetë u poshtëruan dhe më në fund u turpëruan para Profetit s.a.v.s.. Pra, vetia e leuvamasë është ajo që njeriu më në fund e përmirëson veten, edhe sikur të jetë në vështirësi. Në jetën e përditshme, nëse ndonjë rrugaç ju shan, atëherë sa më shumë t’i shmangeni, aq më shumë do ta ruani nderin tuaj dhe sa më shumë t’i kundërpërgjigjeni e të grindeni me të, aq më shumë do të blini poshtërimin. Ndërsa në gjendjen e nefsit mutmainah, të gjitha vetitë e njeriut shndërrohen në mirësi. Ai shkëputet tërësisht nga bota dhe nga gjithçka tjetër përveç Zotit. Ai ecën në këtë botë, takon njerëzit e kësaj bote, por në të vërtetë nuk gjendet këtu. Ajo botë ku gjendet ai, është krejt ndryshe. E ka tokën ndryshe, edhe qiellin ndryshe.

Për të ndërtuar pikërisht këtë tokë të re dhe qiell të ri, kishte ardhur Mesihu i Premtuar a.s.. Pra, nëse ne do të jemi të përmbajtur, atëherë në njërën anë do të forcojmë lidhjet tona dashurie, dhe anën tjetër do të hapen rrugë të reja të tabligut (të përhapjes së mesazhit) për ne. Me keqardhje më duhet të them se disa njerëz fillojnë të grinden edhe për gjëra fare të vogla dhe ngjarje të tilla, nganjëherë, ndodhin edhe gjatë Xhalsasë. Këto gjëra e prishin shenjtërinë e Xhalsasë. Më vijnë ankesa edhe nga këtu. Dikush del jashtë në parkim, ndeshet me një njeri për të cilin mund të ketë ndonjë urrejtje të vjetër, ose mund të ketë ndonjë mosmarrëveshje familjare apo tregtare, grindet me të dhe falë tij prishet e gjithë kjo atmosferë e shenjtë dhe shpirtërore e Xhalsasë. Ose ka të tillë që menjëherë pas mbarimit të Xhalsasë, harrojnë se përse kishin ardhur këtu dhe me çfarë po kthehen. Prandaj, gjithmonë mbani mend! Nuk duhet që të përmbaheni vetëm para të tjerëve, por duhet që ne të keni mëshirë edhe ndaj njerëzve tuaj. Mesihu i Premtuar a.s. thotë se mos u tregoni të duruar vetëm para të tjerëve, por sipas Kuranit, bëhuni mëshirë edhe për njëri-tjetrin. Kjo është shumë e rëndësishme. Çdokush nga ne duhet të analizojë veten se deri në çfarë mase ai përparon në këtë drejtim. Ata që i bashkohen Xhematit të tij e përpiqen për të ndjekur mësimet e tij, Mesihu i Premtuar a.s., duke u dhënë sihariq thotë:

Allahu i Madhërishëm, në Kuranin Famëlartë, thotë:

وَجَاعِلُ الَّذِیۡنَ اتَّبَعُوۡکَ فَوْقَ الَّذِیۡنَ کَفَرُوۡۤا اِلٰی یَوْمِ الْقِیٰمَۃِ

Zoti do t’i bëjë ndjekësit e tu të triumfojnë mbi ata që mohuan, deri në ditën e kiametit.

(Kurani Famëlartë 3:56)

Ky premtim i ishte bërë Mesihut që kishte lindur në Nazeret, por unë ju jap lajm të gëzueshëm që edhe Mesihut të Premtuar që ka ardhur me emrin e tij, të njëjtin sihariq ia ka dhënë Zoti i Madhërishëm. Tani mendoni pakëz, që ata që do të kenë lidhje me mua e do të dëshirojnë të jenë pjesë e këtij premtimi madhor, a mund të jenë si ata që gjenden në nefsin ammarah, që ndjekin rrugët e paturpësisë? Jo dhe kurrsesi jo! U drejtohem atyre që vlerësojnë drejt këtë premtim të Allahut të Madhërishëm dhe që fjalët e mia nuk i pandehin si përralla, që dëgjojnë me zemër dhe mbajnë në mend. Unë edhe njëherë dua t’u them atyre që kanë lidhje me mua, një lidhje që nuk i ngjan ndonjë lidhjeje të thjeshtë, por një lidhje të fortë, që nuk mbaron vetëm deri tek unë, por shkon deri tek Ai që më ka dërguar dhe më ka afruar deri tek ai njeri, i cili kishte ardhur me vërtetësi në këtë botë. Kjo lidhje juaja po të mbetej vetëm deri tek unë, nuk do të shqetësohesha aspak, por kjo nuk mbaron deri këtu, por ajo shkon deri tek Profeti ynë Hazret Muhammedi s.a.v.s. dhe deri tek Qenia e Lartë e Zotit të Madhërishëm. Prandaj, në këtë rast, dëgjoni me vëmendje që nëse doni të merrni pjesë nga lajmi i gëzueshëm që sapo ju dhashë, nëse vërtet jeni të etur për të pasur triumfin mbi kundërshtarët tuaj deri në ditën e kiametit, atëherë dua t’ju them vetëm kaq që nuk do ta gëzoni këtë sukses, deri sa nuk kaloni nga gjendja e leuvamasë për të ardhur pranë minaresë së mutmainasë. Ju keni lidhje me një njeri që ka ardhur prej Zotit, andaj fjalët e tij dëgjojini me veshët e zemrës suaj dhe bëhuni tërësisht të gatshëm për t’i praktikuar ato, në të kundërt, rrezikoheni të bëheni ndër ata që blejnë ndëshkim të përhershëm duke rënë gjithnjë e më shumë në poshtërsinë e mohimit, pasi të kenë besuar një herë.

Në një vend tjetër, Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Rruga e besimit është që t’i kërkoni Zotit t’ju përmirësojë dhe që të harxhoni aftësitë tuaja për hir të Tij. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. thotë në një hadith se ai që zgjat dorën e tij me bindje të plotë duke u lutur, Allahu i Madhërishëm nuk ia refuzon lutjen. Prandaj, kërkojini Zotit dhe kërkojini me bindje dhe vërtetësi të plotë. Këshilla ime përsëri është po kjo që shfaqja e virtyteve tuaja është keramet (mrekulli) në vetvete. … Shikoni, miliona njerëz muslimanë që gjenden në vende të ndryshme të botës a e kanë pranuar Islamin me detyrimin apo me trysninë e shpatës? Absolutisht që jo. Kjo është forca tërheqëse keramet e fesë Islame, e cila i solli pranë islamit. Kerametet janë të disallojshme. Njëri prej tyre është kerameti i virtyteve të larta që sjell sukses në çdo arenë. (Pra, Mesihu i Premtuar a.s. thotë se tregoni virtyte të larta, kjo në vetvete është një mrekulli). Ka shumë njerëz që janë bërë muslimanë, vetëm duke parë këtë keramat të muslimanëve të tjerë, e jo duke u ndikuar nga mizoria e shpatës. Shumë nga studiuesit anglezë e pranojnë faktin se shpirti i vërtetësisë së Islamit është aq i fortë që patjetër i tërheq të tjerët drejt vetes.

Kështu që, nëse veprat tona do të jenë në përputhje me mësimet, pra, me Kuranin Famëlartë, nëse veprat tona do të jenë ashtu siç na thotë Mesihu i Premtuar a.s., atëherë kjo mund të bëhet një mjet shumë i fortë i tabligut (i përhapjes së mesazhit). Këtu Ahmediati nuk mund të përhapet vetëm me ardhjen e disa pakistanezëve apo të njerëzve të Figjisë. Ju duhet të jeni shembull në veprat tuaja, që edhe vendasit të tërhiqen pas jush. Edhe ky është një ndër qëllimet e Xhalsasë.

Pra, nëse do të përparoni në takua, të shfaqni virtyte të larta, të keni lidhje të fortë me Allahun e Madhërishëm, të jeni të vëmendshëm ndaj lutjeve dhe namazeve, atëherë pikërisht këto gjëra do t’i forcojnë anëtarët e Xhematit edhe individualisht dhe t’i japin një ndihmesë kolektive edhe gjithë Xhematit në përgjithësi. Me anë të këtyre veprave, çdokush mund të bashkohet në dhënien e kontributit për përparimin e Xhematit. Andaj, në këtë atmosferë të Xhalsasë analizojeni veten tuaj. Çdo ahmedian duhet të kontrollojë veten e tij se deri në çfarë mase ai i arrin pritshmëritë që Mesihu i Premtuar a.s. ka prej tij. Gjithashtu, çdo ahmedian duhet të përpiqet për të trashëguar lutjet e Mesihut të Premtuar a.s. duke i përmbushur porositë e tij. Lutuni shumë gjatë këtyre ditëve. Falënderojeni Allahun e Madhërishëm për mirësitë që Ai ju ka bërë. Duke na mundësuar të marrim pjesë në këtë Xhalsa, Ai na dha mundësi për t’u përmirësuar. Lutuni që ne të mos bëhemi ndër ata që nuk fitojnë bekimet e Zotit, por të jemi ndër ata që i fitojnë. Allahu na mundësoftë gjithë neve që të përfitojmë sa më shumë nga këto ditë e të trashëgojmë lutjet që ka bërë Mesihu i Premtuar a.s.

Pas faljes së xhumasë, do të udhëheq xhenazen (në mungesë) e së ndjerës Ametur Rashid sahibasë, që ishte e bija e Kalifit të Dytë të Mesihut të Premtuar, e cila ndërroi jetë më 30 shtator në moshën 95 vjeçare. Innalillahi ue inna ilaihi raxhiun. (Ne jemi të Zotit dhe tek Ai do të kthehemi).

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp