Tregoju bekimet e Zotit - Turneu i ShBA-ve dhe Kanadasë
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Tregoju bekimet e Zotit – Turneu i ShBA-ve dhe Kanadasë

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

وَ اَمَّا بِنِعْمَۃِ  رَبِّکَ فَحَدِّثْ

“Dhe tregoji bekimet e Zotit tënd”. (Kurani Famëlartë 93:10)

Bekimet e Zotit të Lartësuar janë edhe materiale, edhe fetare, edhe shpirtërore. Bekimet materiale, pra të kësaj bote i jepen çdokujt, pa dallim. Ata që kanë lidhje me Zotin e Lartësuar, që besojnë në Të, Zotin e kujtojnë si burim i çdo bekimi dhe për këtë arsye, ata i tregohen mirënjohës Allahut të Lartësuar edhe për bekimet e kësaj bote. Po ashtu, duke përjetuar ndjenja mirënjohjeje, ata i tregojnë edhe botës që këto bekime ata kanë marrë vetëm e vetëm prej mirësisë së Zotit të Lartësuar. Por, krahas këtyre bekimeve të kësaj bote, siç e thashë, ka edhe bekime fetare dhe shpirtërore. Muslimanët, ata muslimanë të vërtetë, pra ne ahmedianët në këtë kohë, kemi edhe bekimin e pranimit të atij që është i dashuruari i vërtetë i të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Për këtë arsye, një ahmedian e ka për detyrë ta tregojë e ta shfaqë edhe këtë bekim dhe dhunti të Allahut. Një mënyrë e këtij tregimi realizohet duke kaluar jetën në përputhje me urdhrat e Zotit të Lartësuar dhe mënyra e dytë është që të njoftojmë me të madhe në gjithë botën, pra, të bëjmë tablig, që ejani dhe merrni pjesë edhe ju nga ky bekim dhe nga kjo dritë që kemi fituar dhe kështu trashëgojini bekimet e Allahut të Lartësuar, sepse vetëm kjo është drita e Allahut, ky është shpëtimi juaj , ky është shpëtimi i botës, ky është ai bekim që ju mundëson juve dhe botës mjetet për të rregulluar botën dhe ahiretin.

Pas përcjelljes së këtij mesazhi, dyert e bekimeve të Allahut që na hapen, bereqet të pafundmë që u jep Zoti i Lartësuar përpjekjeve tona tepër të pakta, mënyra siç ne bëhemi mjet i përhapjes së fesë së Allahut të Lartësuar, bekimet e Allahut që na vijnë shumë herë më shumë sesa shpresojmë, të gjitha këto përbëjnë një kapitull tjetër të tregimit të dashurisë dhe bekimeve të Zotit, i cili na shtyn akoma më shumë që të tregojmë bekimet e Zotit, duke e falënderuar Atë.

Pra, një besimtar i vërtetë duhet të kuptojë thelbin e kësaj teme, në mënyrë që të vazhdojë të fitojë bekimet e Allahut të Madhërishëm. Në këtë kohë, kur Allahu e ka dërguar Mesihun e Premtuar a.s. për të përhapur mesazhin e Profetit Muhammed s.a.v.s. në mbarë botën, atëherë Ai i ka dhënë edhe ndihmë të veçantë dhe shenja të veçanta prej Tij, të cilat u shfaqën dhe vazhdojnë të shfaqen çdo ditë e më shumë si drita e diellit, për të cilat ne jemi dëshmitarë. Këto ndihma janë sipas premtimit të Allahut që Ai i bëri Mesihut të Premtuar a.s.. Zoti i kishte thënë që në fillim që ti nuk mund të numërosh bekimet e Mia.

Mesihu i Premtuar a.s. në një vend thotë:

Ky modest, sipas urdhrit “tregoji bekimet e Zotit tënd”, nuk shoh ndonjë të keqe për të përmendur që Zoti Bujar dhe Mëshirëplotë, vetëm nga bekimi dhe mirësia e Tij, më ka dhënë mua të paaftë pjesë të bollshme të të gjitha bekimeve dhe nuk më ka dërguar duarbosh, e as nuk më ka caktuar pa shenja, madje Ai më ka dhënë të gjitha këto shenja që po shfaqen dhe do të vazhdojnë të shfaqen. Dhe Zoti i Madhërishëm, derisa nuk do të vendosë të vërtetën, do të vazhdojë të shfaqë shenjat e Tij… Përulësia apo modestia është një kusht i domosdoshëm i adhurimit (domethënë, nëse doni të bëheni robër të vërtetë të Allahut, atëherë duhet të keni përulësi dhe modesti, ky është kushti themelor. Pastaj Mesihu i Premtuar a.s. tha) megjithatë, sipas urdhrit që përmendet në ajetin “Dhe tregoji bekimet e Zotit tënd”, edhe përmendja e bekimeve të Allahut gjithashtu është e domosdoshme.

Pra, çdo herë kur Allahu i Lartësuar na jep bekimet e Tij, në përputhje me këtë porosi të Zotit, ne i përmendim ato dhe duhet t’i përmendim, por me përulësi dhe modesti, e jo për të treguar ndonjë arritje tonën.

Ditët e fundit isha në turneun për në Amerikë dhe Kanada. Në këto udhëtime, Allahu i Madhërishëm na mundësoi ta përcjellim mesazhin e vërtetë të Islamit. Kjo përcjellje dhe përhapje ka qenë me përmasa kaq madhore, sa që ahmedianët vendas, pra ata që i organizuan këto programe, as nuk mund të imagjinonin dot. Prandaj, ky është një ndër bekimet e Zotit të Madhërishëm, e jo përpjekje e dikujt, dhe si i tillë, përmendja e këtij bekimi na bën mirënjohës ndaj Zotit të Lartësuar. Në këtë kontekst, do të përmend disa gjëra të këtij turneu.  Përmes turit tim, kësaj radha, mesazhi i Xhematit u përhap në Bregun Perëndimor (West Coast) të Kanadasë. Kurse në Amerikë, kam vizituar Los Angjeles-in.

Do t’ju tregoj shkurtimisht se si janë bërë kontakte me jo muslimanët dhe se si u kemi treguar fytyrën e vërtetë të Islamit. Atje Xhemati kishte organizuar një pritje, në një hotel, në të cilën një numër i konsiderueshëm njerëzish kishte marrë pjesë. Organizatorët mendonin se këta janë njerëz që merren punët e botës, dhe mbase nuk do t’i kushtojnë shumë rëndësi evenimentit tonë, por deri në ditën e fundit vinin njoftime për pjesëmarrjen e tyre. Më në fund, ata u detyruan të zgjeronin sallën e pritjes. Të gjithë ata që morën pjesë në këtë eveniment, nuk ishin njerëz të thjeshtë, por ishin intelektualë dhe vinin nga një shtresë që shquhet në shoqëri.

Në këtë pritje, që u zhvillua më 11 maj të këtij viti, kam treguar shkurtimisht komentimin e ajetit “El-hamdulilahi rabil alemin” dhe duke iu referuar këtij ajeti, kam treguar edhe disa shembuj nga jeta e Profetit Muhammed s.a.v.s. për dashurinë dhe dhembshurinë që ai kishte ndaj njerëzimit. U kam treguar që ky është mësimi i vërtetë i Islamit dhe ky është model edhe për ne. Si është e mundur atëherë që ata që përhapin terror dhe ekstremizëm të mund të jenë muslimanë. Sidoqoftë, duke iu referuar këtij mësimi dhe modelit të Profetit Muhammed s.a.v.s., pjesëmarrësit morën mbresë të thellë. Çdokush thoshte që nëse ky është mësimi i Islamit, atëherë ai duhet të përhapet, bota ka nevojë sot për të. Këto komente nuk ishin boshe, madje, ata erdhën tek unë dhe më shprehën habinë dhe përshtypjet e tyre. Madje, disa prej tyre kanë dhënë edhe intervistë për MTA-në. Këtu do të përmend vetëm disa prej tyre.

Në këtë eveniment kishin marrë pjesë pesë kongresmenë të Shteteve të Bashkuara, përfaqësues të Mediasë, bëhet fjalë për media prestigjioze, intelektualë të ndryshëm, 17 persona të tjerë, që ishin krerë të zyrave shtetërore dhe oficerë të ushtrisë amerikane, 37 profesorë të universiteteve të ndryshme, një numër i madh prej përfaqësuesve të NGO-ve të ndryshme, 13 diplomatë, 36 apo 37 të tjerë me profesione të ndryshme, 19 liderë fetarë, përfaqësues të Think-Tank-ut, përfaqësues të forcave të armatosura, etj,.  Këtyre u është dhënë mesazhi i Islam Ahmediatit.

Zonjë Barbara Goldberg, drejtore e shoqatës “Wells Bring Hope”, thotë:

Më keni ftuar mua dhe familjen time në këtë eveniment. Me ndjenja më të thella sinqeriteti ju jam mirënjohëse. Pjesëmarrja në këtë program shkaktoi një zgjim dhe lëvizje tek unë. Jemi takuar me një komunitet i cili gjendej midis nesh, por ne nuk e njihnim.

Një tjetër pjesëmarrës shprehet:

Duke folur rreth meje, thotë: Ideja që ka spikatur ai në fjalimin e tij që “dashuri për gjithë urrejtje për askënd”,  ndjenjat e çiltra sinqeriteti për të tjerët që duhet të kemi për hir të Zotit të vetëm, çdo fjalë që dilte nga goja e tij ishte e vërtetë. Mesazhi i tij për paqen botërore, alarmimi për liderët botërorë ndaj rrezikut të një lufte bërthamore, të gjitha këto janë mjaft të rëndësishme. Ky mësim i Islamit padyshim është i vërtetë dhe i shkëlqyer, i cili i ndriçon edhe të tjerët me shkëlqimin e tij.

Z. Pete Aguilar, Kryebashkiaku i Redlands CA tha:

Falënderoj që më është dhënë mundësi për të marrë pjesë në përhapjen e mesazhit të paqes. Pastaj duke përmendur emrin tim thotë Mirëpres konceptin që ai ka përmendur në fjalimin e tij për ndarjen e kishës nga shteti. Ka nevojë që në të gjithë botën, njerëzve, të cilët persekutohen për shkak të fesë së tyre,  t’u mundësohet siguria dhe të vendosen themelet e paqes globale. Kryebashkiaku vetë është i krishterë, por vijon: Kjo paqe globale, ky mesazhi i tolerancës, në të vërtetë, mund të bëhet i mundshëm vetëm nëpërmjet mësimit të Islamit të vërtetë. Përmes këtij mësimi, ne, të rinjve tanë, mund t’u sigurojmë mundësi për ndërtimin e një të ardhme më të mirë.

Pra, shikoni dallimin se Amerika, ku flitet shumë kundër Islamit, atë ditë u lëvdua mësimi i tij.

I nderuar Lee Baca, Sheriff i Los Angelesit, i cili është një personalitet mjaft i njohur, duke folur për mua, thotë:

Në turneun e tij, ai ka dhënë mesazhin e dashurisë, paqes dhe drejtësisë pesëqind njerëzve që u përkisnin të gjitha feve që jetojnë në Los Angeles. Ndër ta ishin edhe kongresmenë, anëtarë të bashkisë së qytetit, përfaqësues të sigurisë publike, oficerë të lartë dhe profesorë të universiteteve të ndryshme. Mirza Masrur Ahmedi, sipas mësimit të vërtetë të Profetit Muhammed, theksoi mbi dashurinë për të gjithë dhe urrejtjen për askënd. Vendosja e paqes globale është përgjegjësia jonë e përbashkët.

Pra, siç e thashë, pikërisht në këtë vend flitet mjaft keq rreth Islamit dhe të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., por po në këtë vend, tani kur është treguar mësimi i vërtetë i Islamit dhe i Profetit Muhammed s.a.v.s., atëherë njerëzit që e kanë dëgjuar, nuk kishin për të thënë tjetër gjë, veçse ta lëvdonin këtë mësim e madje të thoshin se ky mësim është jashtëzakonisht i nevojshëm për çdokënd. Allahu i Lartësuar u dhëntë mendje gjithë muslimanëve që të paraqesin mësimin e bukur të Islamit nëpërmjet veprave të tyre.

I nderuar Grey Davis Ish-guvernatori i Kalifornisë tha:

Më ka lënë vërtet mbresë mesazhi i tij i paqes, mirëkuptimit, respektit për të gjithë krijesat e Zotit. Mendoj që ne duhet të kuptojmë që të gjithë ne jemi fëmijët apo krijesat e Zotit. Ka vetëm një Zot, Ai na krijoi gjithë ne dhe Ai kërkon prej nesh që ne ta duam Atë dhe fqinjët tanë.

Një ndër anëtarët e Bashkisë së Los Angeles-it, duke iu referuar fjalimit tim, tha:

Ai ka dhënë mësimin e dashurisë dhe të respektit dhe shpjegoi sesi mund të mbledhim njerëzit dhe se si mund të krijojmë unitet. Misioni i tij, mesazhi i tij i paqes ishte për të gjithë dhe për të gjithë ishte mjaft mbresëlënës. Të gjithë e kanë dëgjuar me shumë vëmendje. Jehona e këtij mesazhi në të gjithë botën do të dëgjohet ashtu siç ajo u dëgjua sot në Los Angeles.

Një Kongresmen amerikan Dana Rohrabacher thotë:

Mesazhin që na keni dhënë, e kanë pranuar mendjet tona. Ky është takimi im i parë me ju. Jam shumë e impresionuar nga njohuritë tuaja rreth gjendjes së sotme dhe rreth çështjeve të tjera të rëndësishme globale dhe rreth perceptimit tuaj logjik. Analiza juaj rreth situatës aktuale ishte shumë afër realitetit. Logjika dhe përshkrimi juaj efektiv më kë bërë përshtypje të thellë. Mesazhi është mjaft tërheqës dhe i denjë për ta dëgjuar dhe njëherësh i pranueshëm për të gjitha fetë.

Znj. Rachel Moran, dekani i Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Kalifornisë, tha:

Për mua ishte një nder i madh që isha në këtë event, qëllimi i të cilit ishte promovimi i paqes dhe tolerancës. Mesazhi që na është përcjellë nga Udhëheqësi i Xhematit Musliman Ahmedia ishte një mishërim i shkëlqyer i spiritualitetit dhe idealizmit, i cili është një mësim i rëndësishëm botën tonë plotë me shqetësime, probleme dhe çrregullime. Mesazhin që ne kemi marrë është që çdokush nga ne është i obliguar të përhapë dashurinë dhe vëllazërinë. Çfarë mund të jetë më shumë se kjo që ne jemi në një mbledhje që na jep një mesazh kaq të rëndësishëm, i cili mund t’u japë fund problemeve tona, grindjeve dhe urrejtjeve, duke shndërruar botën në një kopsht të vërtetë të paqes.

Konsulli i Egjiptit, i nderuar Muhammed Semir, thotë:

Shpesh kam dëgjuar fjalime dhe ligjërata të ndryshme. Një fjalim të tillë për paqen globale kurrë nuk kam dëgjuar në jetën time. Ky fjalim erdhi drejt në zemrën time dhe jam impresionuar nga ai. Jam i bindur që gjithë pjesëmarrësit këtë mendim e kanë. Ky mesazh duhet të shpërndahet te miliona njerëz të tjerë dhe edhe unë do ta përcjellë këtë.

Znj. Aziza Hasan, Ish Drejtore i Këshillit për marrëdhëniet shtetërore me çështjet e popullit musliman (Former Director of Government Relations of Muslim Public Affairs Council), pra, drejtor i një organizate të famshme muslimane të Amerikës, ishte e pranishme, që bëri këtë koment:

Duke marrë pjesë në këtë eveniment, si një muslimane, jam aktivizuar. Ju përgëzoj shumë të gjithë ju për këtë eveniment të sukseshsëm, që u zhvillua të shtunën. Jam ndarë nga eventi me një ndjenjë dhe patos të ri. Fjalimi ka qenë mjaft domethënës dhe ishte edhe nevoja e kohës. Ajo që më gëzon shumë është që Hazret…(thotë rreth meje) ka trajtuar mjaft bukur të gjitha akuzat që ngrihen kundër Profetit të Zotit. Shumë nga folësit përvidhen nga kjo temë dhe nuk japin ndonjë përgjigje të logjikshme. Por, ai ka dhënë drejtpërdrejt përgjigjet e të gjitha akuzave, përgjigje të mbështetura me argumente bindëse dhe e gjithë kjo në një event, ku të pranishmit janë njerëz shumë të lartë të shoqërisë.

I nderuar John McMahon, Sheriff-i i Bernardino County tha:

Ky fjalim ishte nevoja e kohës dhe duke ndjekur mesazhin e tij, ne mund të vendosim paqe në botë.

Dr. Franc Leivo, një mjek i mirënjohur, tha:

Shenjtëria e tij përfaqëson një komunitet, për të cilin unë nuk kisha shumë informacion, por prapëseprapë, më është dashur të reflektoj mbi çdo fjalë të fjalimit të tij dhe e kam gjetur të vërtetë. Fjalët e tij që bota po përgatitet për një luftë të tretë botërore, janë shumë të vërteta. Ky alarm u duhet dhënë të gjithë liderëve të botës.

i nderuar Jan Chase, një prift katolik, tha:

 Fjalimi juaj meriton të lëvdohet. Ju keni dënuar terrorizmin dhe para të gjithëve keni treguar mësimin e vërtetë të Islamit.

Kongresmeni amerikan z. Dana Rohrabacher është republikan dhe është nga Kalifornia. Në përgjithësi, ai kishte mendime të kundërta ndaj fesë Islame. Madje, ai kishte deklaratë pas sulmit që ndodhi para një muaji në Boston, duke thënë që Islami gjoja se inkurajon vrasjen e fëmijëve dhe se për shoqërinë e sotme Islami është një rrezik. Kjo ishte deklarata e tij. Pastaj, duke folur për Pakistanin dhe për situatën e politike të tij kishte thënë shumë gjëra që duhet bërë ashtu e kështu. Por, ajo që tha ai pasi dëgjoi fjalimin e këtij evenimenti ishte kjo:

Pas dëgjimit të fjalimit tuaj, mund të them që pikërisht ky është zëri i zemrave tona. Mesazhi juaj i dashurisë, i tolerancës për njëri-tjetrin dhe për të pranuar njëri-tjetrin është mjaft i rëndësishëm, një mesazh që do të na mbajë të bashkuar gjithë ne. Pastaj rreth meje tha: Ky ishte takimi im i parë me të, dhe më ka bërë përshtypje njohuria e tij rreth situatës aktuale dhe mënyra e të menduarit të tij të urtë. Çdo njeri, i çfarëdo feje t’i përkasë, mund ta pranojë këtë mesazh të Kalifit të Xhematit Musliman Ahmedia, një mesazh i denjë për ta dëgjuar. Ky mesazh na është përcjellë me guxim të madh.

Zotëria në fjalë, më vonë i ka shkruar edhe një letër Sekretarit tonë për çështjet e jashtme, në të cilën ai thotë:

Në turneun e tij të Kalifornisë, Mirza Masrur Ahmedi ka arritur qëllimin, duke mbjellë fara mirësie, dashurie dhe butësie në zemrat e njerëzve, të cilët do të vazhdojnë të marrin të korrat dhe bekimet e tyre.

Imagjinoni që ky zotëri dikur ishte kundër Islamit dhe tani shprehet në këtë mënyrë. Thotë që fjalët që kanë dëgjuar ata, do të përfitojnë nga bekimet e tyre për vite me radhë. Në këtë mënyrë mendimet e tij të gabuara rreth Islamit i ndryshuan.

Ish Guvernatori i Kalifornisë ishte ulur bashkë me mua. I kam treguar për kanalin tonë MTA, për qëllimin e Xhematit dhe se si ai përhapet, si ne e drejtojmë MTA-në etj. Ai i dëgjonte me shumë vëmendje, madje mori edhe frekuencat e kanalit dhe tha që do ta shikonte patjetër.

Në Los Angeles, dy gazeta prestigjioze më intervestuan, të cilat ishin “Los Angeles Times” dhe “Wall Street Journal”. Edhe në këto intervista më shumë kam folur rreth mësimeve të Islamit. Gazetari që ishte atje, pyetjen e parë më kishte bërë që si do të përhapni mesazhin e Islamit në mënyrë paqësore, ndërkohë, sjelljet dhe dhuna e disa muslimanëve tashmë kanë bërë një ndikim mjaft negativ? Çfarë po bëni për ta larguar këtë ndikim negativ. Unë iu përgjigja që Islami i vërtetë është mesazhi i paqes dhe se vetë kuptimi i fjalës islam është paqe dhe siguri dhe i tregova që Profeti Muhammed s.a.v.s. kishte parashikuar ardhjen e Mesihut të Premtuar dhe të Imam Mehdiut në ditët e vona dhe se besimi ynë është që ai ka ardhur dhe ne e kemi pranuar. Ai do të sillte dritën e vërtetë të Islamit jo vetëm për muslimanët, por për të gjithë botën. Ai do t’i tregonte botës mësimin e paqes të Islamit. Në përputhje me këtë profeci, Hazret Mirza Ghulam Ahmed Kadiani a.s. u shfaq dhe duke i përmbushur këto profeci, ai i tregoi botës mësimin e vërtetë të Islamit dhe e vijojmë pikërisht misionin e tij. Pastaj i kam shpjeguar që pse Islami pati nevojë të bënte luftëra. Këtë e kam trajtuar edhe në fjalimin tim, por kjo intervistë ishte bërë më herët. U tregova që gjatë kohës së Profetit Muhammed s.a.v.s. muslimanët kurrë nuk kanë qenë nismëtarë të luftës, madje atyre u ishte bërë çdolloj mizorie, e pastaj ata iu përgjigjën sulmit të tyre për vetëmbrojtje. Ndërsa tani në këtë kohë, ngaqë nuk kemi një situatë të tillë që muslimanët të sulmohen për shkak të fesë, andaj, çdolloj agresioni të quajtur xhihad është i ndaluar. Gjithashtu, gjitha lëvizjet xhihadiste që veprojnë për të luftuar, janë të gabuara. Nuk dëshmohet as edhe një rast në jetën e Profetit Muhammed s.a.v.s. dhe të sehabëve të tij që ata të kenë bërë mizori ndaj dikujt.

Një gazetare më pyeti që nëse mesazhi juaj është i paqes, përse nuk po përhapet? I thashë që mesazhi ynë po përhapet, ngadalë ngadalë bota po e pranon këtë. Nëse kjo gjeneratë nuk do ta pranojë këtë, do ta pranojë gjenerata e ardhshme. Ne, në mënyrë të guximshme, vazhdojmë ta përhapim këtë mesazh dhe ne nuk do të dorëzohemi. I thashë që nëse ne nuk do të arrijmë të fitojmë zemrat tuaja, zemrat e pasardhësve tuaja patjetër do t’i fitojmë inshallah ta’ala.

Pastaj një gazetar tha se për shkak të sulmeve terroriste, njerëzit, sidomos amerikanët kanë urrejtje të thellë ndaj Islamit. I thashë që ne po bëjmë punën tonë për t’i larguar këto keqkuptime dhe kjo kërkon kohë. Siç e thashë edhe më herët që nëse ky brez nuk e kupton, atëherë brezi i ardhshëm patjetër do ta shikojë pamjen e vërtetë të Islamit dhe ata do ta pranojnë këtë. Gazetarëve u thashë që në përgjithësi njerëzit janë larguar nga feja dhe nuk tregojnë ndonjë interesim, qoftë nga feja e krishterë apo ndonjë tjetër. Madje, nuk besojnë në Zot dhe njerëzit po bëhen ateist. Do të vijë një kohë kur kjo gjendje do të sjellë reaksionin e saj dhe njerëzit sërish do të fillojnë të besojnë në Zot dhe do t’i afrohen fesë. E kur do të ndodhë kjo, atëherë do të jemi ne, muslimanët ahmedianë, të cilët do ta mbushin këtë boshllëk. Atëherë, ata do të shikojnë mësimet e vërteta të Islamit. Këto gjëra gazetarja edhe i shkruante, edhe i incizonte dhe më vonë, edhe i ka dhënë në shtyp.

Përveç kësaj, më intervistuan edhe gazeta prestigjioze “Wall Street Journal”. Kjo është një gazetë e famshme në botë dhe më shumë lexohet nga shtresa e lartë. Edhe në këtë intervistë, pothuajse më kanë bërë të njëjtat pyetje. Nuk po i përsëris ato. Një pyetje tjetër që më kishte bërë: “Përse keni ardhur në Kaliforni?” I thashë që e gjithë bota është e jona dhe ne do të shkojmë në çdo vend inshallah ta’ala për të përcjellë mesazhin e Islamit. Së dyti, këtu kemi xhematin tonë dhe unë kam ardhur edhe për t’i takuar anëtarët. Zakonisht, ata kanë në mendje që edhe ne, sikurse liderët politikë ose si të tjerët që shkojnë në Amerikë për të lypur ndihma ose diçka tjetër, mendonin se edhe unë kisha shkuar tek ata për një qëllim të tillë. Më pyetën madje: A do të takoni politikanët e Amerikës këtu? Çfarë doni? Çfarë është agjenda juaj? U thashë që unë nuk kam ardhur për të marrë diçka nga Amerika, as për veten, e as për Xhematin tim. Unë dua vetëm që paqja të vendoset në botë dhe të zhvillohen programe të tilla, të hidhen hapa të tillë, që do ta ndihmojnë vendosjen e paqes botërore dhe ta shpëtojnë botën nga rreziku i luftës së tretë botërore. Nëse gjërat nuk do të vijnë në kontroll, atëherë luftën e tretë botërore e kemi te dera.

Shkurt, përfaqësuesit e gazetës “Wall Street Journal”, gazetës “Los Angeles Times”, gazetës “Chicago Times” dhe shumë gazetave të tjera ishin të pranishëm dhe në këtë mënyrë mesazhi i Xhematit është mbuluar mjaft mirë nga Media. Afërsisht 5 milionë e gjysmë njerëz kanë marrë mesazhin e Xhematit Musliman Ahmedia, përmes print media, ndërsa, 5 milionë njerëz e kanë marrë mesazhin përmes online media dhe 1.5 milion përmes radio dhe televizionit. Kjo llogaritje është e përmbajtur. Kjo nuk mund të ndodhte asnjëherë nga përpjekjet tona. Kjo është një frymë që ka nisur Allahu i Lartësuar për ne. Kjo është shfaqja e ndihmës së Allahut të Lartësuar për ne. Kjo është vetëm një refleks i vogël i dëshmimit që Allahu i Lartësuar është i Gjithëfuqishëm. Allahu i Lartësuar na tregoi që derisa synimi juaj është i pastër, përpiquni që Unë t’ju ndihmoj në misionin tuaj. Tani kjo është detyra e atyre xhemateve ku janë bërë këto programe, që ata të përfitojnë nga kjo përhapje dhe të përcjellin më tutje mësimin e bukur të Islamit.

Pas kësaj, u përurua xhamia “Bejtur Rahman” në Vankuver të Kanadasë. Edhe atje Xhemati kishte ftuar shumë jomuslimanë. Edhe këtë eveniment Media e ka mbuluar mjaft mirë. Gjithsej në Amerikë, mesazhi i Xhematit ka arritur te 12 milionë njerëz, gjë që ishte krejtësisht e pamundur me mjetet tona. Duke iu referuar xhamisë së re, edhe në Kanada kam dhënë disa intervista, nëpërmjet të cilave mesazhi i Xhematit ka arritur afërsisht deri te 8 milionë njerëz.

Në eventin që u zhvillua në Kanada, një i ftuar ishte ishte i nderuar Christian Becter, i cili tha:

Ajo që më pëlqeu ishte pohimi juaj “sa herë që një xhami e re ndërtohet, hapet një kapitull i ri për lirinë fetare”. Fjalimi juaj provon që muslimanët ahmedianë jo vetëm që nuk janë ekstremistë, por janë paqedashës. Ahmedianët janë ata që tregojnë vlerat njerëzore.

Një musliman nga Maroku tha:

Jeni duke promovuar mesazhin e paqes. Shpresoj që Media përmes jush, do të përhapë mesazhin e paqes të Islamit, jo siç përhap zakonisht në dëm të Islamit. Unë vetë jam musliman, por nga ky fjalim i sotëm, kam mësuar shumë gjëra të reja rreth Islamit.

Siç ju tregova më herët, që Media ka luajtur një rol të veçantë në mbulimin e këtij evenimenti, po ashtu edhe të atij që ishte zhvilluar në Kalgeri. Televizionet CBC, CTV, OMNI TV dhe në këtë mënyrë, afërsisht 8 milionë e gjysmë njerëz morën mesazhin e Islam Ahmediatit. Nëse shohim në total, gjithsej 20 milionë njerëz e kanë dëgjuar këtë mesazh. Më shumë se 4% i popullsisë së Amerikës, ose afërsisht 30% i popullsisë së atij shteti ku ishte zhvilluar programi, ka marrë mesazhin e Islam Ahmediatit. Ndërsa në Kanada, 25% e popullsisë e kanë marrë këtë mesazh, gjë që ishte krejtësisht e pamundur me mjetet tona. Ky është vetëm bekimi i Allahut të Lartësuar.

Përveç pyetjeve që ju tregova, në Kanada, gazetarja e CBC-së më kishte pyetur: Islami është feja e paqes. Po kjo paqe a shfaqet sot nga muslimanët? I thashë që mësimi i Kuranit Famëlartë është i paqes, por nëse ndonjë udhëheqës apo popull nuk e shfaqin këtë mësim, atëherë faji i tyre. Nëse popujt e vendeve arabe nuk gëzojnë të drejtat e tyre, atëherë faji është drejtuesve të atyre vendeve. Realisht, për këtë arsye Allahu i Lartësuar ka dërguar Mesihun e Premtuar a.s.. Ajo vazhdimisht më bënte këtë pyetje, duke iu referuar ngjarjeve të fundit, ngjarjes së trenit në Kanada, ngjarjes së shpërthimeve në Boston, ngjarjes së Londrës, por i thashë që të gjitha këto ndodhin për shkak se ata i janë larguar Zotit. Mësimi i Islamit nuk është ky. Nëse ata do të veprojnë sipas mësimit të vërtetë të Islamit, do të vendoset paqja. Ka disa grupe, të cilat në emër të Islamit bëjnë veprimtari terroriste. Ajo që ndodhi në Londër, Komuniteti Musliman i Anglisë, e cila është një komunitet mjaft i madh, e dënoi fuqimisht këtë akt dhe bëri gjithçka për të treguar që ky akt është jo-islamik. Qëndrimi i Komunitetit Musliman ishte shumë i prerë dhe e kanë bërë shumë mirë këtë detyrë.

Në të njëjtën mënyrë, ajo më pyeti se çfarë po bëjmë ne për të parandaluar terrorizmin në botë. I thashë që ne vazhdimisht po përpiqemi dhe për të vendosur paqe në botë, ne i shërbejmë njerëzve të vendeve të ndryshme. Ne nuk kemi forcë, duke përdorur të cilën të mund ta ndalonim këtë dhunë. Po, kemi mësimin e vërtetë të Islamit, të cilin po e përhapim dhe do të vazhdojmë ta përhapim.

Pastaj ajo më tha që edhe për xhamitë njihet që ato janë vende që përhapin dhunë.  I thashë që nuk di për të tjerët, nga xhamia jonë që është e Xhematit Musliman Ahmedia, gjithmonë është përhapur vetëm mesazhi i paqes, dashurisë dhe dhembshurisë. Për këtë ne po përpiqemi. Për këtë arsye, në çdo vend ku ka Xhemat, në përgjithësi nuk figuron asnjë ahmedian që ka bërë ndonjë krim. Edhe nëse do të dalë ndonjëherë ndonjë i tillë, Xhemati menjëherë do të marrë masa për ta përjashtuar atë nga Xhemati.

Gazetarja CBc-së vazhdimisht më sillte tek e njëjta pyetje. Intervista ka qenë rreth 20 apo 25 minuta dhe gjatë gjithë kohës ajo përpiqej që unë të thosha qoftë një fjali që pohonte se mësimi i Islamit nuk përkrah paqen. Në fund i thashë që ju vazhdimisht më bëni të njëjtat pyetje, por do ta keni të njëjtën përgjigje nga unë. Ajo qeshi dhe, më vonë u tha anëtarëve të Xhematit që unë e kisha kapur strategjinë e saj, sepse ajo përpiqej maksimalisht që unë të thosha qoftë një fjalë që linte ndonjë shteg për të kuptuar se Islami përkrah dhunën. Realisht, vetë mësimi i Islamit është i tillë që vjen natyrshëm.

Më pas ajo më pyeti: Si do ta përhapni këtë mësim? I thashë që ne po e përhapim këtë, dhe do të vazhdojmë ta përhapim dhe inshallah ta’ala nuk do të dorëzohemi. Mesihu i Premtuar a.s. ishte i vetëm kur kishte deklaruar, por kur ndërroi jetë, me të ishin afërsisht 500 mijë ahmedianë. Pas tij, nisi sistemi i Kalifatit dhe deri më tani kanë kaluar 125 vjet, dhe tani jemi në miliona. Njerëzit që aderojnë këtë Xhemat janë edhe nga muslimanët, në këtë Xhemat vijnë njerëz edhe nga krishterimi, edhe nga fe të tjera. Dhe inshallah brezat e ardhshëm do ta pranojnë atë, dhe, atëherë në mënyrë të vërtetë paqja do të vendoset në botë, sepse atëherë Islami i vërtetë do të përhapet në botë.

Me bekimin e Allahut të Lartësuar, siç ju tregova, me një llogaritje të përmbajtur, mund të themi se 20 milionë njerëz kanë marrë mesazhin e Islam Ahmediatit nëpërmjet këtij turneu. Përhapja e mesazhit me këto përmasa, pastaj edhe bindshmëria e njerëzve të ndryshëm ndaj këtij mesazhi, siç dëshmohet nga shembujt që ju kam treguar, në asnjë mënyrë nuk mund të ndodhë me përpjekjet njerëzore. Kjo është një frymë, e nisur nga Allahu i Lartësuar.

Në hytbenë time që kisha mbajtur në Los Angeles, ju kisha treguar një ëndërr të Hazret Kalifit të Katërt, në të cilën, ai kishte parë fusha dhe stepa të Los Angeles dhe kishte parë që nga toka e saj vinin zëra në mbështetje të Islam Ahmediatit. Edhe këto që keni dëgjuar, janë një pjesë të atyre zërave që kishte parë Kalifi në ëndërr.

Kjo vëmendje e njerëzve dhe këto komente të tyre, dëshmojnë që inshallah këto zëra do të vazhdojnë të ngrihen nga ajo tokë dhe në të ardhmen do të bëjnë një jehonë të fuqishme në mbështetje të Islamit.

Edhe një gjë, mendoj se është një mirësi prej Zotit. Një muaj përpara isha në udhëtim në Spanjë. Edhe atje mesazhi i Xhematit u përhap me përmasa të mëdha. Spanjë është ai vend që dikur ishte nën sundimin e Islamit, tani është e krishterë, por Islami përsëri po njihet atje. Më pas edhe në atë pjesë të Amerikës, ku pjesa dërrmuese janë spanjollë. Pra, është detyra jonë tani që ta bëjmë këtë detyrë. Mesazhin që Allahu i Lartësuar ka përhapur edhe te spanjollët e lindjes, edhe te spanjollët e perëndimit, detyra jonë është që ta vijojmë atë dhe t’i sjellim këta njerëz nën flamurin e Islamit. Sidomos në Amerikë, siç e kam thënë në hytbenë time atje, që spanjollët e asaj pjese vetë thonë se ata janë dhjetëfish më shumë sesa spanjollët e Spanjës dhe na kërkuan t’u kushtojmë më shumë rëndësi atyre. Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar, në një mbledhje, kishte thënë:

Sipas meje, në profecinë që “dielli do të lindë nga Perëndimi” Amerika ka shumë lidhje.

Pra, ne, në mënyrë të veçantë duhet të bëjmë programe për të përhapur mesazhin e Islamit, gjithashtu, gjatë përhapjes së mesazhit, kurrë nuk duhet të harrojmë edhe edukimin tonë, dhe të pasardhësve tanë. Këto të dyja gjëra janë shumë të nevojshme. Kjo mund të ndodhë vetëm atëherë, kur ne do ta shfaqim bekimin e Allahut përmes veprave tona.

Allahu u dhëntë të dy xhemateve, edhe të Amerikës, edhe të Kanadasë, po ashtu edhe xhemateve të vendeve të tjera të botës, përmbushjen e shkëlqyeshme të kësaj detyre.

Këtu dua të them edhe një gjë. Këto rrugë që u hapën për përhapjen e Xhematit, në të dyja vendet, Zoti u ka mundësuar të rinjve, ose anëtarëve relativisht të rinj, më shumë mundësi për të punuar. Pra, brezi i ardhshëm të përpiqet të kryejë përgjegjësinë e tij më mirë se përpara. Sekretarët për punët e jashtme të Xhematit, në të dyja vendet, janë të rinj në moshë. Edhe ekipi i tyre, me bekimin e Allahut, është mjaft punëtor. Që të dytë kanë bërë punë shumë të mëdha, nëpërmjet kontakteve të tyre. Tani, është përgjegjësia e zyrës së tabligut dhe të edukimit që të përfitojnë nga kjo.

Allahu i Lartësuar u shpërbleftë të gjithëve, i shtoftë ata në përulësi më shumë se përpara. Mos ndodhtë që duke bërë një punë, të fillojnë të krenohen, por, ata të kenë përulësinë ndaj Zotit. Ashtu siç Mesihu i Premtuar a.s. ka thënë: Përulësia dhe modestia janë shumë të domosdoshme. Allahu i Lartësuar na mundësoftë të gjithë ne t’i kemi këto virtyte.

 

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp