Duke mbrojtur nderin e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Duke mbrojtur nderin e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Dashuria e vërtetë ndaj Profetit Muhammed s.a.v.s.

Në emër të Allahut të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Përkthimi i këtyre ajeteve është:

“Me të vërtetë, Allahu dhe engjëjt e Tij i dërgojnë paqe Profetit. O ju që besuat, dërgojini edhe ju selevate të shumta atij. Vërtet, Allahu do t’i mallkojë në këtë botë e në Ahiret ata që e trazojnë Allahun dhe Profetin e Tij, dhe Allahu ka përgatitur për ta ndëshkim poshtërues.” (El-Ahzab, 33:57-58)

Gjendja e muslimanëve të lënduar

Këto ditë, në botën muslimane, pra edhe në vendet islamike po ashtu edhe te muslimanët që jetojnë anë e mbanë botës ka një valë të fortë dhimbjeje dhe zemërimi kundër veprimit shumë të pandershëm, të ulët dhe mizor që është bërë nga njerëzit anti-islam. Në shfaqjen e kësaj dhimbjeje dhe zemërimi, padyshim që muslimanët kanë të drejtë. Muslimani, edhe nëse di ashtu siç duhet apo jo se cili është statusi i vërtetë i të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.1, bëhet gati të flijohet e të theret për hir të nderit të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. Kështu që, nga filmi shpifës që kanë realizuar armiqtë e Islamit dhe nga mënyra mizore, me anë të së cilës, e fyejnë të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. në të, dhimbja dhe zemërimi i çdo muslimani janë gjëra të natyrshme.

Ai ishte favorbërës i njerëzimit, mëshirë për tërë botën dhe i dashur i Zotit të Lartësuar, i cili, edhe netët e tij i gjallëroi për dashamirësinë ndaj njerëzimit, i cili u mendua dhe u shqetësua kaq shumë për të shpëtuar njerëzimin saqë, Zoti i Arshit iu drejtua dhe tha: “A do të shkatërrosh veten për shkak se këta njerëz nuk e njohin Zotin e tyre?!” Nga një film plot urrejtje për favorbërësin e madh të njerëzimit, zemra e muslimanit patjetër që do të pikonte gjak, dhe kjo ndodhi, por më së shumti u lëndua muslimani ahmedian, sepse jemi ndjekësit e atij, që e donte më së shumti të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. dhe që e ndiqte më së miri atë, i cili na nxori në dritë statusin e lartë të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Prandaj nga ky veprim, po na copëtohet zemra, kemi rënë në sexhde te pragu i Zotit duke iu lutur që Ai të hakmerret kundër këtyre mizorëve, duke i bërë ata shenjë poshtërimi, që të mbetet si shembull deri sa të mbetet bota. Imami i Kohës neve na mësoi të kemi dashuri ndaj të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. aq shumë saqë, mund të pajtohemi edhe me gjarpërinjtë dhe bishat e pyllit, por kurrsesi nuk mund të pajtohemi me njerëzit që cenojnë dhe ngulin këmbë për ta cenuar nderin e udhëheqësit tonë Hatamul Embija Hazret Muhammedit s.a.v.s..

Mesihu i Premtuar a.s.2. thotë:

“Muslimanët janë ai popull që për nderin e Profetit të tyre të shenjtë e dhurojnë edhe jetën. Ata parapëlqejnë të vdesin se sa të pranojnë çnderim e të pajtohen dhe të miqësohen me ata njerëz, puna e përditshme e të cilëve është që ta shajnë Profetin e tyre të shenjtë s.a.v.s. dhe të përmendin emrin e tij në gazetat, librat e në publicistikën e tyre me çnderim të poshtër dhe t’i drejtohen me fjalë shumë fyese”.

Pastaj ai vijon:

“Mbani mend! Këta lloj njerëzish nuk janë dashamirës as për popullin e tyre, sepse ata mbjellin gjembat në rrugën e tyre. Sinqerisht ju them të vërtetën, është e mundur që ne të pajtohemi me gjarpërinjtë dhe egërsirat e pyllit, por kjo nuk është e mundur që ne të pajtohemi me ata njerëz që nuk heqin dorë nga sharjet ndaj profetëve të shenjtë të Zotit. Ata kujtojnë që në sharje dhe në përbuzje është fitorja, por, në të vërtetë, çdo fitore vjen prej qiellit… Njerëzit gjuhëpastër, me bekimin e fjalëve të tyre të pastra, përfundimisht i fitojnë zemrat. Por, ata që janë shpirtligë, nuk dinë më shumë sesa të krijojnë përçarje dhe ndasi në vend… Edhe përvoja dëshmon që njerëzit e tillë gjuhënepërkë nuk kanë përfundim të mirë. Sedra e Zotit patjetër shfaqet një ditë për të dashurit e Tij”.

(“Çashma Ma’rifet”, “Ruhani Khazain”, Vëll. 23, f. 385 – 387)

Në këtë kohë, përveç librave dhe broshurave, edhe mjete të tjera mediatike po përdoren për këtë vulgaritet. Pra, ata që po luftojnë me këmbëngulje, me Zotin e Lartësuar, inshallah do të kapen nga Ai. Ata njerëz me ngulm po përsërisin veprimet e tyre mizore.

Njerëzit fjalëkëqij nuk janë dashamirës as për popullin e tyre

Në vitin 2006, kur disa njerëz shpirtligë të Danimarkës i kishin bërë karikatura vulgare të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., i kisha tërhequr vëmendjen Xhematit që të bënte reagimin e duhur, i kisha thënë gjithashtu, që ky lloj njerëzish mizorë kanë lindur edhe më përpara dhe nuk do të marrin fund. Me këto protesta që po bëhen nga muslimanët, nuk do të ndryshojë gjë, madje ata do t’i përsërisin veprimet e tyre, dhe ne po shohim tani, që ata po bëjnë akoma më shumë vulgaritet dhe mizori. Që nga ajo kohë, sjellja e tyre vetëm po përhapet më shumë.

Në fakt, kjo është humbja e tyre përballë Islamit, e cila, në emër të lirisë së shprehjes, i detyron ata të tregojnë vulgaritetin e tyre. Ajo që tha Mesihu i Premtuar a.s.: Mbani mend, që këta njerëz nuk janë dashamirës as për popullin e tyre, një ditë, do t’u vërtetohet njerëzve të këtyre popujve. Ata do të kuptojnë që absurditetet që po bëjnë këta, në radhë të parë, janë në dëm të popullit të tyre, sepse këta janë vetëm egoistë, mizorë dhe duan t’i përmbushin vetëm dëshirat e tyre të ulëta.

Në këtë kohë, disa politikanë, në disa vende haptazi, dhe në shumë vende të tjera me fjalë jo të hapur, flasin edhe në mbështetjen e tyre dhe nganjëherë flasin edhe në mbështetjen e muslimanëve, por mbani mend që bota tanimë është bërë një fshat global i tillë, që nëse këto vende, të keqen nuk do ta quajnë haptas të keqe, atëherë kjo gjë do t’ua prishë qetësinë dhe rehatinë edhe këtyre. Pastaj, dënimi i Zotit do të jetë shtesë për ta.

Mbajini mend fjalët e Imamit të Kohës që, çdo fitore vjen prej qiellit dhe qielli ka vendosur që, Profetin që doni ta çnderoni, do ta mbizotërojë botën, dhe siç e tha Mesihu i Premtuar a.s., do të mbizotërojë duke fituar zemrat, sepse fjala e pastër ka ndikimin e saj. Fjala e pastër nuk kërkon të përdoret dhunë dhe nuk do që vulgariteti të luftohet me vulgaritet. Kjo gjuhë e tyre e ligë së shpejti do të ketë fund dhe pastaj ata do të ndëshkohen prej Zotit edhe në ahiret.

Reagimi më i bukur

Në ajetet që kam recituar, Allahu i Lartësuar u ka tërhequr vëmendjen besimtarëve për përgjegjësitë e tyre, duke thënë që, detyra juaj është që ju t’i dërgoni selavate dhe paqe këtij të Dërguari të Allahut s.a.v.s. Nderi dhe vlera e Profetit madhor aspak nuk dëmtohet nga vulgariteti, padrejtësia dhe përbuzja e tyre, sepse ai është një profet i tillë, të cilit i dërgojnë selavate edhe Zoti i Lartësuar dhe engjëjt e Tij. Detyra e besimtarëve është që ata gjithnjë të jenë të zënë në dërgimin e selavateve të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. E sidomos, kur armiku e tepron vulgaritetin, atëherë besimtarët duhet t’i shtojnë akoma më shumë selavate ndaj Profetit:

O Allah dërgoji paqe Muhammedit dhe popullit të tij ashtu siç i dërgove paqe Ibrahimit dhe popullit të tij. Me të vërtetë Ti je i Lavdëruar dhe i Madhërishëm. O Allah bekoje Muhammedin dhe popullin e tij ashtu siç e bekove Ibrahimin dhe popullin e tij. Me të vërtetë Ti je i Lavdëruar dhe i Madhërishëm. Ky Profet dhe këto selavate tashmë janë të përcaktuara të triumfojnë.

Kështu që, një musliman ahmedian, në njërën anë shfaq mospëlqimin, dhimbjen dhe zemërimin e tij kundër këtij vulgariteti, kurse në anën tjetër ai u tërheq vëmendjen bashkëkombësve të tij që edhe ata të distancohen dhe të largohen nga ky vulgaritet. Nga ana materiale ahmediani bën përpjekjet e tij modeste për t’i treguar botës realitetin kundër këtij komploti; t’i tregojë aspektet e bukura të jetës së të Dërguarit të Allahuts.a.v.s.; me çdo veprim të tij të shfaqë modelin e tij të bukur duke u bërë kështu një pasqyrë praktike e mësimeve të Islamit dhe atij të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. Por bashkë me këtë, siç ju thashë e theksoj edhe një herë, që duhet ta shtojë më shumë se përpara angazhimin e tij për t’i dërguar selavate të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. Burrat dhe gratë, të rinjtë, të moshuarit dhe fëmijët, të gjithë duhet ta mbushin atmosferën e tyre me selavate dhe paqe ndaj të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. Përkthejini mësimet e Islamit në veprën tuaj. Ky është reagimi më i bukur që duhet ta bëjmë.

Për sa i takon përfundimit të këtyre mizorëve, Zoti i Lartësuar e ka bërë të qartë në ajetin e dytë (që recitova) që Ai Vetë do të merret me ata që i shkaktojnë dëm Profetit të Tij ose që u lëndojnë zemrat muslimanëve duke e prekur padrejtësisht figurën e Profetit të tyre. Në këtë botë, mallkimi i Allahut të Lartësuar është mbi ta dhe për shkak të këtij mallkimi ata do të zhyten gjithnjë e më shumë në poshtërsinë e tyre, ndërkohë, pas vdekjes, njerëzit e tillë do të pësojnë ndëshkim poshtërues. Pikërisht këtë e tha edhe Mesihu i Premtuar a.s. që njerëzit fjalëkëqij nuk kanë përfundim të mirë. Kështu që, në këtë botë ata do të katandisen duke e marrë për vete mallkimin e Allahut të Lartësuar, ndërsa pas vdekjes do të përfundojnë në një ndëshkim poshtërues.

Edhe muslimanët e tjerë gjithashtu, duhet të tregojnë reagimin e tyre në përputhje me mësimet e Zotit të Lartësuar, pra ta mbushin atmosferën e rretheve dhe vendeve të tyre. Ky është reagimi i duhur.

Ndërsa sabotimi dhe djegia e pasurive të kombeve të veta dhe vrasja e bashkëqytetarëve, janë reagime krejtësisht të gabuara. Për shkak të protestave të dhunshme edhe trupat policorë detyrohen të hapin zjarr kundër shtetasve të tyre dhe kështu njerëzit e vet u vdesin.

Pro lirisë së shprehjes por kundër çnderimit të udhëheqësve fetarë

Lajmet që shohim nëpër gazeta dhe media tregojnë që edhe në Perëndim në përgjithësi shumica e njerëzve dinjitozë e kanë dënuar dhe nuk e kanë pëlqyer këtë film. Ata që kanë natyrë të pastër, edhe pse nuk janë muslimanë, qoftë në Amerikë, qoftë këtu, e kanë dënuar. Por, lidershipi i tyre në njërën anë thotë që ky veprim është i gabuar, por në anën tjetër, në emër të lirisë së shprehjes dhe të mendimit, edhe e mbështet atë. Ky standard i dyfishtë nuk mund të qëndrojë. Ligji për lirinë e shprehjes nuk është ndonjë vendim hyjnor. Në fjalimin tim në Amerikë, ua kisha thënë politikanëve edhe këtë, që ligjet që hartohen nga njerëzit mund të kenë të meta dhe gabime. Disa aspekte edhe mund të anashkalohen dhe të mos vihen re gjatë hartimit të tyre, sepse njeriu nuk e di të padukshmen, por, Zoti i Lartësuar është i Gjithëdijshëm i së padukshmes, prandaj, ligjet që janë vënë prej Tij, nuk mund të kenë të meta. Prandaj, mos kujtoni që ligji juaj është aq i përsosur saqë nuk mund të bëhet ndonjë ndryshim në të. Ju e keni ligjin e lirisë së shprehjes, por në asnjë ligj të botës, as në Kartën e Kombeve të Bashkuara nuk ekziston ligji që thotë se askujt nuk i lejohet të cenojë ndjenjat fetare të tjetrit dhe t’i përbuzë personazhet e shenjtë të feve të ndryshme, sepse nga kjo prishet paqja botërore dhe nga kjo gëlon lava e urrejtjes dhe pikërisht nga kjo thellohet gjithnjë e më shumë hendeku midis popujve dhe feve të ndryshme. Kështu që, nëse keni hartuar ligjin për lirinë e shprehjes, atëherë padyshim që keni të drejtë, por mos e bëni ligjin që lejon dikë të tallet me ndjenjat e dikujt tjetër. Për këtë shkak po dështon edhe Organizata e Kombeve të Bashkuara. Duke hartuar ligje të dështuara, kujton se ka bërë një punë të rëndësishme. Shikoni se sa i bukur është ligji i Zotit. Ai porosit: Mos i shani as idhujt që idhujtarët i adhurojnë, sepse nga ky veprim prishet paqja e shoqërisë. Kur ju do t’i shani idhujt e tyre, atëherë ata, nga padijenia, do të përmendin fjalë të padenja për Zotin tuaj të Gjithëfuqishëm3, gjë që do t’jua lëndojë zemrat, do të shtojë vetëm armiqësi, do të shkaktojë vetëm grindje dhe luftëra, do të krijojë çrregullim në vend. Pra, ky është mësimi i bukur që jep Zoti i Islamit, Zoti i kësaj bote, Zoti i Gjithësisë, Ai që dërgoi Profetin e tij të dashur për udhëzimin e gjithë njerëzve dhe për të vendosur dashuri dhe paqe në botë, Ai që e dërgoi atë duke i dhënë statusin rahmatulilalemin, mëshirë për tërë krijesat.

Intelektualët, autoritarët dhe politikanët e shteteve të ndryshme duhet të mendojnë se mos vallë po bëhen pjesë e shkaktimit të këtij çrregullimi, duke mos shtrënguar disa njerëz vulgarë dhe dashakeq. Gjithë njerëzit duhet të mendojnë që duke luajtur me ndjenjat fetare të të tjerëve dhe duke u pajtuar me disa lapërdharë të zhytur në fëlliqësitë e tyre, se mos vallë po marrin pjesë në prishjen e paqes globale?

Ndjekësit e vërtetë të Profetit Muhammedsavs gjithnjë janë të angazhuar në shërbimin ndaj njerëzimit

Ne Muslimanët ahmedianë nuk lëmë asnjë përpjekje pa bërë për t’i shërbyer njerëzimit. Vitin e kaluar, kur kishte nevojë për gjak në Amerikë, ne ahmedianët kemi mbledhur 12 mijë njësi gjak, dhe këtë po e bëjmë edhe sivjet. Kjo fushatë po vazhdon edhe këto ditë. Unë u thashë amerikanëve që ne muslimanët ahmedianë po japim edhe gjakun tonë për jetën e të tjerëve, ndërsa ju, nga këto veprime apo duke u pajtuar me njerëzit që bëjnë këto veprime, po na gjakosni zemrat. Kështu që, në njërën anë është sjellja e një muslimani ahmedian, e një muslimani të vërtetë dhe përballë saj është sjellja e atyre njerëzve që mëtojnë të vendosin drejtësi.

Si dështuan vendet islamike?

Muslimanët akuzohen që ata po bëjnë keq. Po, është e vërtetë që disa reagime janë të gabuara. Sabotimi i ndërtesave, djegia e pasurive, vrasja e të pafajshmëve, mosmbrojtja  e ambasadave, vrasja e ambasadorëve, të gjitha këto janë veprime krejtësisht të gabuara. Por, edhe përbuzja e profetëve të pastër të Zotit të Lartësuar dhe përdorimi i një gjuhe të ndyrë gjithashtu është një mëkat shumë i madh.

Duke imituar tjetrin, ditët e fundit revista franceze sërish botoi karikatura vulgare, më vulgare sesa që kishte botuar më përpara. Këta njerëz vetëm botën e kujtojnë gjithçka, por nuk kuptojnë që pikërisht kjo botë është mjet i shkatërrimit të tyre.

Këtu dua të them që, në një pjesë shumë të madhe të botës shtrihen vendet islamike. Pra, një pjesë të madhe të botës e sundojnë muslimanët. Shumicës së vendeve islamike, Zoti i Lartësuar u dha edhe burime natyrore. Po ashtu, vendet islamike janë edhe pjesë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Nëse ato vende besojnë në Kuranin, që është kod i përsosur për jetën e njeriut, dhe pretendojnë ta praktikojnë atë, pse atëherë ata nuk janë përpjekur bashkërisht për ta përhapur mësimin e bukur të Kuranit në çdo shtresë? Pse nuk e bëjnë këtë gjë? Pse nuk i tregojnë botës sipas mësimit të Kuranit, që tallja me ndjenjat fetare dhe çnderimi apo përpjekja për të bërë çnderim të profetëve të Zotit gjithashtu janë krime dhe janë krime shumë të mëdha, andaj, për të vendosur paqe në botë, është shumë e nevojshme që edhe ky mësim të bëhet pjesë e Kartës së Kombeve të Bashkuara. Vendet islamike duhet të promovonin që secili vend anëtar i OKB-së të mos lejojë asnjë shtetas të tij të tallet me ndjenjat fetare të tjetrit; të qartësojë që në emër të lirisë së shprehjes nuk do të lejohet të prishet paqja globale. Por mjerisht, këto gjëra po ndodhin prej shumë vitesh, por asnjëherë deri më tani, nuk u bë ndonjë përpjekje e fortë dhe e përbashkët nga vendet islamike që ato t’i tërheqin vërejtjen botës për mbrojtjen e nderit të të gjithë profetëve, pra edhe të Profetit Muhammed s.a.v.s. edhe të profetëve të tjerë  dhe këtë gjë ta promovonin dhe ta kalonin në arenën ndërkombëtare. Ndonëse, si rezolutat e saj të tjera, edhe ky ligj nuk do të zbatohej. Cila kartë e paqes së OKB-së po zbatohet që do të zbatohej kjo! Por, të paktën një gjë e tillë do të regjistrohet. OIC (Organizata e Konferencës Islamike) është themeluar, por kjo organizatë kurrë nuk bëri ndonjë përpjekje të fortë të kësaj natyre, në mënyrë të mbrohet dinjiteti i muslimanëve. Politikanët e vendeve islamike janë të angazhuar vetëm në përmbushjen dëshirave të tyre. Nëse nuk u kujtohet diçka, është pikërisht nderi i fesë. Po të bëhej ndonjë përpjekje e fortë nga ana e liderëve tanë muslimanë, atëherë nuk do të shfaqej as ky reagim i gabuar nga masat, që po shfaqet sot, për shembull, në Pakistan dhe në vende të tjera. Ata do të kishin besim që liderët tanë janë caktuar për të luftuar me këtë gjë dhe se ata do të përpiqen ta kryejnë detyrën e tyre. Ata do kishin besim që liderët tanë do të ngrihen në atë mënyrë në forumin ndërkombëtar për mbrojtjen e nderit të Profetit Muhammed s.a.v.s dhe të profetëve tjerë, që bota do t’u bindej duke thënë: po ata kanë të drejtë.

Përveç kësaj, në vendet Perëndimore, madje në çdo pjesë të botës, jeton një numër i madh muslimanësh. Për nga feja, nga numri i ithtarëve të saj, muslimanët janë forca e dytë më e madhe në botë. Nëse ata do të zbatojnë mësimet e Zotit të Lartësuar, mund të bëhen forca më e madhe në çdo aspekt. Atëherë, forcat kundra islame kurrë nuk do të mund të guxojnë të bëjnë veprime kaq lënduese, madje as nuk do t’u shkojë nëpër mend për të bërë diçka të tillë.

Çfarë mund të bëjnë muslimanët që jetojnë në Perëndim?

Sidoqoftë, përveç në vendet islamike, ekziston një numër i madh muslimanësh që jeton në çdo vend tjetër të botës. Vetëm turqit janë me miliona që jetojnë në Evropë, madje jetojnë me miliona në çdo shtet të Evropës. Po ashtu ka edhe popuj të tjerë muslimanë që jetojnë në këto vende. Këtu në Angli ka shumë muslimanë aziatikë, janë edhe në Amerikë, edhe në Kanada dhe në çdo vend të Evropës. Nëse të gjithë këta do të vendosin që votën e tyre t’ua japin vetëm atyre politikanëve, të cilët jo vetëm shprehimisht, por edhe praktikisht mbështesin lirinë fetare dhe gjithashtu që garantojnë të dënojnë njerëzit, të cilët bëjnë lapërdhi, shprehin vulgaritet dhe prodhojnë filma të tillë të poshtër, atëherë po nga këto qeveri materialiste mund të dalë një numër i arsyeshëm politikanësh, i cili haptas do të dënojë vulgaritete të tilla.

Pra, nëse muslimanët do të kuptojnë rëndësinë e tyre, mund të vijë një revolucion në botë. Ata mund të projektojnë ligje për mbrojtjen e ndjenjave fetare në vendet e tyre. Por, fatkeqësisht nuk po kushtohet vëmendje në këtë drejtim. Ndërkohë, ata janë të zënë në bllokimin dhe kundërshtimin e përpjekjeve që Xhemati Musliman Ahemdia po bën në këtë drejtim dhe kështu kundërshtarëve po ua forcojnë duart. Allahu i Lartësuar u dhëntë mendjen liderëve, politikanëve dhe dijetarëve muslimanë që ata ta mbledhin forcën e tyre, ta kuptojnë rëndësinë e tyre dhe t’u kushtojnë vëmendje mësimeve të fesë së tyre.

Niveli tepër i ulët moral i producentëve dhe aktorëve të filmit

Sa për të ditur se cili është niveli moral i njerëzve që ngrenë akuza vulgare ndaj të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., dhe që kanë prodhuar këtë film, mjafton të shikosh informacionin që jep media rreth tyre. Rolin më të madh që luajti, është një i krishterë koptik që jeton në Amerikë që quhet Nikola Besele (Nakoula Basseley Nakoula), i cili ka një bekgraund kriminel. Në vitin 2010 ka qenë në burg për mashtrime. Një tjetër që është regjisor i filmit, është regjisor i filmave pornografikë dhe aktorët që morën pjesë në këtë film, të gjithë janë aktorë të filmave pornografikë. Ky është niveli i moralit të tyre. Njeriu as nuk mund të marrë me mend se cili mund të jetë niveli i karakterit të atyre që bëjnë filma pornografikë. Çfarë jete të shthurur kanë këta njerëz, dhe ndërmorën ta akuzojnë atë qenie, për dëlirësinë dhe moralin e lartë të të cilit ka dëshmuar vetë Zoti i Madhërishëm!.

Kështu që, me këtë pisllëk që kanë bërë këta njerëz, e ftuan zemërimin e Zotit të Madhërishëm dhe vazhdojnë ta ftojnë atë. Po ashtu, edhe ata që e kanë financuar këtë film, nuk mund t’i shpëtojnë ndëshkimit të Zotit. Në këtë grup përfshihet edhe ai prift i krishterë, i cili, për reklamim të lirë, herë pas here përpiqet ta djegë Kuranin dhe bën gjëra të tjera të pahijshme. O Zot, copëtoji dhe shkatërroji ata tërësisht.

Muslimanëve u mungon lidershipi

Media është përpjekur ta dënojë këtë akt, po ashtu ajo ka dënuar edhe reagimin e muslimanëve. Në këtë rast, ajo ka të drejtë, sepse një reagim i gabuar duhet të dënohet, por, duhet parë edhe kush e ka marrë iniciativën.

Sidoqoftë, siç ju tregova, është fatkeqësia e muslimanëve, sepse e gjithë kjo po ndodh për faktin që muslimanët nuk janë të bashkuar dhe ata nuk kanë lidershipin e tyre. Muslimanët, edhe pse pretendojnë të kenë dashuri ndaj të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., gjenden larg fesë së tij. Pra, vetëm pretendojnë, por nuk veprojnë. Tani po dobësohen edhe materialisht. Asnjë vend islamik nuk bëri një reagim të duhur. Edhe atë që ka bërë, është kaq e dobët, saqë media nuk i ka dhënë asnjë vlerë. Lajmi që është dhënë për protestat e muslimanëve ishte “1.8 miliardë muslimanë janë duke reaguar si fëmijë”. Kur nuk ka ndonjë kujdestar, patjetër që do të çorientoheshin dhe atëherë, reagimi fëmijëror do të shfaqej. Pra, titulli i këtij lajmi është sa cinik aq edhe real. Të paktën tani Zoti i mundësoftë muslimanët të kenë turp e të shqetësohen për këtë gjë.

Ndërsa ata që kanë të verbër shikimin fetar, që nuk e kanë as idenë se çfarë do të thotë status i profetëve, që heshtin edhe kur poshtërohet edhe statusi i Hazret Isait a.s., padyshim që shprehja e ndjenjave nga muslimanët atyre do t’u dukej reagim fëmijëror. Megjithatë, siç ju tregova, në vitin 2006 kur ju kisha tërhequr vëmendjen, edhe kësaj radhe ju them që bëni një reagim të tillë të mirë-organizuar, që në të ardhmen, askush të mos guxojë të bëjë veprime të ulëta. Ah, sikur vendet islamike ta dëgjonin këtë. Çdo ahmedian, që ka mundësi t’ua përcjellë këtë mesazh vendeve islamike, duhet t’ua përcjellë.  Vetëm me protesta katërditëshe dhe pastaj me heshtje nuk arrihen rezultate pozitive.

Një ndër sugjerimet që më kanë ardhur nga anëtarët e Xhematit ishte që avokatët muslimanë të të gjithë botës, bashkërisht të bëjnë peticion. Do të ishte mirë nëse avokatët muslimanë që kanë vlerë në forumin ndërkombëtar të hulumtonin që a mund të realizohet një gjë e tillë apo jo, ose të gjenin ndonjë rrugëzgjidhje tjetër. Deri kur do ta tolerojmë këtë vulgaritet dhe deri kur muslimanët do të vazhdojnë të dëmtojnë pasuritë e veta? Protesta të tilla aspak nuk do të ndikojnë te perëndimorët, as nuk do të ndikojnë te producentët e këtij filmi. Nëse do të sulmoni njerëz të pafajshëm apo t’i kërcënoni ata, sabotoni ndërtesat, sulmoni ambasadat, këto gjëra janë kundër mësimeve të Islamit. Islami në asnjë mënyrë nuk i lejon këto gjëra. Përkundrazi, në këtë mënyrë do të shkaktoni që të tjerët të tallen edhe më shumë me figurën e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s..

Ekstremizmi nuk është përgjigjja e duhur ndaj këtij filmi. Përgjigjja ndaj tij është ajo që ju kam thënë pak më herët, që të pastroni veprat tuaja; të dërgojini selavate dhe paqe atij profeti që është shpëtimtari i njerëzimit; të bashkohen vendet islamike për të bërë përpjekje konkrete; muslimanët që jetojnë në vendet Perëndimore të arrijnë ta përdorin forcën e votës së tyre. Sidoqoftë, muslimanët ahmedianë le të veprojnë në këtë mënyrë sipas mundësive të tyre dhe të përpiqen që edhe shokët e tyre muslimanë t’i zbatojnë këto këshilla, që edhe ata të përdorin forcën e votës së tyre. Përveç kësaj, spikatini në mënyrë të bukur aspektet e jetës së të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. para botës.

Disa shembuj të lirisë së shprehjes të dhënë nga Profeti Muhammedsavs

Sot, këta njerëz bëjnë zhurmë për lirinë e shprehjes dhe bërtasin se në fenë Islame nuk ka liri të shprehjes dhe, si shembull, paraqesin botën e sotme muslimane duke thënë që muslimanët e vendeve islamike nuk gëzojnë liri. Nëse ato vende nuk e kanë lirinë, atëherë është fatkeqësia tyre, sepse nuk veprojnë sipas mësimeve të Islamit. Mësimet e Islamit asnjë lidhje nuk e kanë me këtë problem.

Ne lexojmë në historinë e Islamit edhe raste kur njerëzit i drejtohen ashpër Profetit Muhammed s.a.v.s., i flasin jashtë normave të etiketës, por prapëseprapë ai paraqet shembuj të pashoqë të durimit dhe vetëpërmbajtjes. Unë do t’ju tregoj vetëm disa nga ato. Këto raste, edhe pse përmenden si shembuj për bujarinë e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., përsëri po në to shfaqet sesi njerëzit guxonin të silleshin ashpër me të dhe sa i përmbajtur tregohej ai.

Hazret Xhubair Bin Mutam rrëfen: Një herë isha me Profetin Muhammed s.a.v.s.. Ishin edhe muslimanë të tjerë dhe ne ktheheshim nga Hunaini. Ndërkohë beduinët iu vërsulën Profetit për të lypur derisa e çuan pranë një gjembaçi, ku Profetit iu mbërthye çarçafi. Ai u ndal dhe tha: Ma jepni çarçafin! Nëse do të kisha deve aq shumë sa këto shkurre, edhe ato do t’jua shpërndaja juve dhe nuk do të më gjenit koprrac, gënjeshtar apo frikacak.

(Sahihul Buhari, Kitab fardil hams, bab ma kanen Nebiju j’util mualafata kulubihim ue gairihim … nr. i hadithit 3184)

Një tjetër rrëfim është nga Hazret Enesi r.a., i cili thotë: Isha me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. dhe ai e kishte mbuluar veten me një çarçaf që ishte i trashë anash. Një beduinë ia tërhoqi çarçafin aq fort saqë çarçafi i la shenjat e anëve të tij qafës së Profetit. Pastaj ai tha: “O Muhammed, m’i ngarko këto dy deve me pasurinë që ta dha Allahu, sepse ti nuk do të më japësh diçka as nga pasuria jote, as nga pasuria e babait tënd”. Në fillim, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. heshti, pastaj i tha:

 “Pasuria është e Allahut dhe unë jam rob i Tij”. Pastaj ai tha: “Për lëndimin që më ke shkaktuar, do të ndëshkohesh”. “Jo”, tha beduini, “nuk do të ndodhë ashtu”. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. e pyeti: “Përse nuk do të ndëshkohesh?” “Sepse, ti nuk e kthen të keqen me të keqe” u përgjigj ai. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. buzëqeshi dhe pastaj urdhëroi që njëra deve t’i ngarkohet me drithëra dhe tjetra me hurma.

(Esh-shifau, li Kadi Ejad, xhuz euel, f. 74, Elbab thani fi tekmilillahi t’ala … elfaslu ue emal hilm …, shtypshkronja “Ilmijjah” Bejrut, 2002)

Ky ka qenë standardi i durimit që kishte Profeti Muhammed s.a.v.s. dhe nuk e kishte vetëm për njerëzit e tij, por edhe për armiqtë. Këto janë ato virtyte të tij të larta që tregojnë edhe bujarinë, edhe durimin dhe përmbajtjen, edhe vullnetin e tij të fortë. Ndërsa akuzuesit janë fare injorantë dhe pa asnjë dijeni, i thurin akuza asaj qenieje që është mëshirë për tërë botën, duke thënë se ai ishte i vrazhdë etj.

Në këtë film, me sa kam dëgjuar, është edhe një akuzë tjetër që i bëhet Kuranit Famëlartë. Unë nuk e pashë, por më kanë thënë të tjerët që, sipas filmit, Kuranin Famëlartë ia ka shkruar Profetit Muhammed s.a.v.s. Uerka bin Neufeli, një kushëri i Hazret Hatixhesë r.a., kur Hatixheja, pas shpalljes së parë, e çoi Profetin Muhammed s.a.v.s. tek ai. Por, ne shohim që mohuesit gjatë jetës së të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. e kundërshtonin duke thënë, përse po na sjell pjesë-pjesë Kuranin? Nëse ai është fjala e Allahut pse nuk na e sjell të gjithën përnjëherë? Por, producentët e këtij filmi janë krejtësisht injorantë në histori, madje edhe ata dy priftërinj që janë bashkëpunëtorë të tyre dhe që mëtojnë të jenë dijetarë, janë injorantë fare. Uerka bin Neufeli ishte ai që i kishte thënë Profetit Muhammed s.a.v.s. “Sikur të jem i gjallë kur populli yt do të të dëbojë ty!”, dhe pas pak kohe ai ndërroi jetë.

(Sahih El-Buhari, Kitabul uehi, bab 3, nr. i hadithit 3)

Pra, këta priftërinj, siç ju tregova, s’kanë aspak dituri për historinë dhe faktet. Orientalistët gjithmonë debatojnë për çështjen se ku zbriti kjo sure (kapitull i Kuranit) dhe ku zbriti ajo sure? Në Mekë apo në Medinë? Debatojnë edhe çështjen se kush mund t’ia ketë shkruar këto ajete. Edhe Kurani Famëlartë i sfidon duke thënë “nëse kujtoni që ai është i shkruar prej dikujt, atëherë na sillni të paktën një sure të tillë!”

Lidhur me respektimin e ndjenjave fetare, nuk mund të gjejmë shembullin e Profetit Muhammed s.a.v.s. Edhe pse ai e dinte që ai ishte më i larti i profetëve, vetëm për të respektuar ndjenjat e një hebreu, ai tha? “Mos më jepni epërsi mbi Musain”.

(Sahih El-Buhari, Kitab fi khusumat bab ma jedhkuru fil eshkhas uel khusuma… nr. i hadithit 2411)

Profeti Muhammed savs vendosi standarde të larta edhe për respektimin e ndjenjave të të varfërve. Një herë një sehab (shok i Profetit) që ishte i pasur tregonte epërsinë e tij mbi të tjerët. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. kur e dëgjoi, i tha: A kujton që me krahët e tu i ke fituar forcën, fuqinë dhe pasurinë tënde? Absolutisht nuk është ashtu. Forca dhe pasuria kombëtare, në fakt, nga të varfrit vijnë.

(Sahih El-Buhari, Kitabul xhihad ues seir, bab man istiana bid duafai ues salihina fil harb, nr. i hadithit 2896)

Pretenduesit e sotëm për lirinë mëtojnë të vendosin të drejtat e të varfërve dhe deklarojnë që bëjnë përpjekje për këtë çështje. Por, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. katërmbëdhjetë shekuj më parë ua ka dhënë të varfërve të drejtat e tyre duke porositur:

“Punëtorit jepjani hakun e tij të punës para se t’i thahet djersa!”

(Sunen Ibni Maxha, Kitabur ruhun, bab exhril exrai, nr. i hadithit 2443)

Kështu që, në cilën mirësi ata mund të konkurrojnë me Profetin Muhammed s.a.v.s.! Ka plotë ngjarje të tilla në jetën e tij. Cilindo aspekt të virtyteve të merrni, tek i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ju do të gjeni standardin e tij më të lartë.

Një tjetër akuzë që është ngritur kundër tij në atë film është që ai i pëlqente shumë gratë. Zoti e dinte që kundërshtarët, në të ardhmen, do ta akuzonin Profetin për martesat e tij, prandaj vetë krijoi edhe situata që e hedhin poshtë edhe këtë akuzë.

Rreth Esmas bint Numan bin Ebi Xheun thuhet, që ajo ishte një ndër gratë më të bukura të Arabisë. Kur erdhi ajo në Medinë, gratë e vizituan dhe të gjitha pohuan që kurrë nuk e kishin parë ndonjë grua kaq të bukur sesa ajo. Duke pranuar kërkesën babait të saj, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u martua me të me pesëqind dirhemë si pajë kurorëzimi. Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. shkoi tek ajo, ajo tha: “Unë kërkoj mbrojtjen e Allahut nga ti”. Profeti Muhammed s.a.v.s. tha “Ti ke kërkuar mbrojtjen e një qenieje më të lartë” dhe doli jashtë dhe i the Ebu Usaidit, një sehabi të tij, që ta çonte atë pranë familjes së saj. Në histori gjithashtu përmendet që prindërit e saj, që ishin shumë të gëzuar duke menduar që vajza e tyre do të bëhej bashkëshorte e Profetit, por kur ajo u kthye në shtëpi, zunë ta qortonin.

(Marrë nga “Et-tebkatul Kubra” li Ibni Sa’di, pjesa e tetë, f. 318-319, shtypshkronja “Dar ihjait turath el-arabi”, Bejrut, 1996)

Ky është ai personalitet i lartë, të cilit i thuren akuza të poshtra, i cili çdo martesë e bëri nga urdhri i Zotit të Lartësuar. Mesihu i Premtuar a.s. shkruan që nëse ai nuk do të martohej dhe nuk do të kishte fëmijë dhe nuk do të përballej me sprovat e vdekjes së fëmijëve, atëherë si do të shfaqeshin virtytet e tij të larta që ai tregoi qoftë në lidhje me trajtimin e butë ndaj grave apo në lidhje me ndonjë situatë tjetër. Në fakt, çdo vepër ai e bënte për të fituar pëlqimin e Zotit.

(Përmbledhur nga “Çeshma Ma’rifet”, “Ruhani Khezain”, vëll. 23, f. 300)

Një tjetër akuzë është e lidhur me Hazret Ajshen r.a. që ajo ishte shumë e përkëdhelur prej tij, gjithashtu thuhen gjëra jo të sakta edhe për moshën e saj. Por, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. raportohet t’i ketë thënë disa herë asaj:

“Sonte, gjithë natën dua ta kaloj duke adhuruar Zotin tim, që është më i Dashuri për mua”.

(“Ed-Durri Menthur, fit Tefsiri bil ma’thur”, li Imam Es-Sujuti, sureja Ed-Duhan, ajeti nr. 4, vëll. 7, f. 350, shtypshkronja “”Dar ihjait turath el-arabi”, Bejrut, 2001)

Akuza të tilla zakonisht bëjnë ata që kanë mendje të pistë. Edhe në të ardhmen ata do të bëjnë sulme të tilla, siç jua kam thënë pak më herët. Por Zoti i Lartësuar e ka vendosur që Ai do të vazhdojë ta mbushë xhehenemin me këta lloj njerëzish. Prandaj, njerëzit e tillë dhe mbështetësit e tyre duhet t’i frikësohen ndëshkimit që vjen prej Zotit të Lartësuar, siç e tha edhe Mesihu i Premtuar a.s. që Ai ka shumë sedër për njerëzit e tij të dashur.

(Marrë nga “Tirjakul Kulub”, “Ruhani Khezain”, vëll. 15, f. 378)

Alarmi që dha Imami i Kohës, Mesihu i Premtuar dhe Imam Mehdiua.s.

Në këtë epokë, duke dërguar Mesihun dhe Mehdiun e Tij, Zoti i tërhoqi vëmendjen botës për reformim. Por, nëse njerëzit nuk do t’i japin fund talljes dhe padrejtësisë, atëherë edhe ndëshkimi i Zotit do të jetë shumë i fortë. Këto ditë, katastrofa qiellore vijnë në çdo cep të botës, gjithkund po ndodhin shkatërrime, edhe në Amerikë uraganet po vijnë më shumë se përpara, shqetësimet ekonomike po shtohen çdo ditë e më shumë, shumë vendbanime parashikohen të fundosen në ujë për shkak të ngrohjes globale, shkurt, bota është e rrethuar nga lloj-lloj rreziqesh. Prandaj, ata që i kalojnë kufijtë kanë nevojë të reflektojnë dhe t’i kthehen Zotit të Lartësuar, sepse të gjitha këto gjëra duhet t’i bëjnë ata të kthehen te Ai, e jo që të merren me vulgaritete të tilla. Por, për fat të keq, po ndodh e kundërta. Po bëhen përpjekje çdo ditë e më shumë për t’i kaluar kufijtë. Imami i Kohës tashmë ka dhënë alarmin dhe qartazi i ka treguar botës që nëse ajo nuk do t’i kushtojë vëmendjen atij, çdo hap i saj do të jetë drejt shkatërrimit.

Mesazhi i Mesihut të Premtuar a.s. që vazhdimisht duhet ta përsërisim, dhe që përsëritet në fjalime, edhe sot dua ta paraqes, ai thotë:

“Mbajeni në mend se Zoti më njoftoi në mënyrë të përgjithshme për tërmete. Prandaj, kuptojeni mirë se ashtu siç ishte parashikuar nga unë, edhe Amerika edhe Evropa pësuan tërmete. Po ashtu, edhe Azia nuk do të shpëtojë nga ato. Madje, disa tërmete do të shfaqin pamje të Kiametit dhe do të rrjedhin lumenj me gjak nga vdekja. As edhe kafshë edhe zogj nuk mund t’i shpëtojnë dot kësaj vdekjeje. Toka do të pësojë një shkatërrim të atillë, saqë njeriu nuk do ta ketë dëshmuar që kur ka lindur ai në këtë botë. Shumë vende do të pësojnë një shkatërrim total, duke lënë pas një pamje sikur të mos kishte jetuar njeri në ato vende. Bashkë me këto, do të vijnë edhe katastrofa të tjera dhe tokën e qiellin do të zërë një llahtari e tillë që çdo njeri i mençur do t’i quajë fenomene të pazakonta, të cilat nuk do të gjinden në asnjë faqe të librave të astronomisë apo të filozofisë. Atëherë njerëzit do të frikësohen dhe thonë: çfarë po ndodh?! Shumë prej tyre do të shpëtojnë dhe shumë prej tyre do të asgjësohen. Ato ditë janë pranë, në të vërtetë po shoh se janë te dera, kur bota do të dëshmojë një pamje kiameti. Do të ndodhin jo vetëm tërmete, por edhe katastrofa të tjera të frikshme, disa prej tyre nga qielli dhe disa nga toka. E gjithë kjo do të ndodhë sepse njeriu ka hequr dorë nga adhurimi i Zotit të tij dhe zemrat e njerëzve, synimet dhe ëndërrta e tyre, janë përqendruar të gjitha te bota.Nëse unë nuk do të kisha ardhur, këto fatkeqësi mund të ishin vonuar disi, por me ardhjen time janë shfaqur gjithashtu ato planet e fshehta të zemërimit të Zotit, që ishin në heshtje nga një periudhë e gjatë, siç ka thënë Zoti në Kuran:

“Ne kurrë nuk dënojmë ndonjë popull derisa të mos dërgojmë ndonjë profet tek ai.” (El-Isra 17:16)

Ata që do të pendohen do të jenë të sigurt dhe ata që i frikësohen Zotit përpara sesa ndonjë fatkeqësi t’i përfshijë ata, ndaj atyre do të tregohet mëshirë. A mendoni se ju mund të rrini në paqe nga këto tërmete, ose se ju mund të ruani veten nëpërmjet mjeteve tuaja? Kurrsesi jo! Mjetet e njeriut do të marrin fund atë ditë. Mos mendoni se Amerika dhe rajonet e tjera kanë përjetuar tërmete të forta dhe se vendi juaj është i sigurt … Nuk je e sigurt, oj Evropë, as ti, oj Azi. O banorët e ishujve, asnjë perëndi e krijuar nga ju nuk do të jetë e aftë t’ju ndihmojë. Unë shoh qytete që shemben dhe banime në rrënoja. Ai Zot i Vetëm heshti për një periudhë të gjatë. Vepra të këqija u bënë përpara syve të Tij dhe Ai u tregua i duruar. Por tani Ai do të shfaqet në një formë të tmerrshme. Ai që ka veshë le të dëgjojë se koha nuk është e largët. Unë jam përpjekur t’i mbledh të gjithë nën sigurinë e Zotit, por edhe dekretet hyjnore duhet të plotësoheshin… Ju do të jeni dëshmitarë të kohës së Nuhit (Noas) dhe sytë tuaj do të shikojnë atë që ndodhi në tokën e Lutit (Lotit). Por Zoti është i ngadaltë në zemërimin e Tij. Pendohuni që t’ju tregohet mëshirë. Ai që braktis Zotin është një insekt dhe jo njeri, dhe ai që nuk i frikësohet Atij është i vdekur dhe jo i gjallë.”

(“Hakikatul Vahi”, “Rruhani Khazain”, vëll. 22, , f. 268-269)

Allahu i dhëntë mend botës, në mënyrë që njerëzit të heqin dorën nga veprimet e pahijshme dhe të padrejta. Edhe neve Zoti na mundësoftë të përmbushim përgjegjësitë tona.

 

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp