Si duhet t'i dërgojmë salavatet e selam Profetit s.a.v.s.?
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Si duhet t’i dërgojmë salavatet e selam të Dërguarit të Allahut s.a.?

Mesihu i Premtuar dhe Imam Mehdiu a.s.
Profeti Muhamed

Ajeti i Kuranit për salavatet

Allahu i Madhërishëm, në lidhje me salavatet, në Kuranin Famëlartë thotë:

salavatet“Padyshim, Allahu dhe engjëjt e Tij i dërgojnë selam Profetit. O ju që besuat! Edhe ju dërgojini salavatet dhe shumë selam!” (Kurani Famëlartë 33:57)

Një koment i Mesihut të Premtuar a.s. rreth këtij ajeti

Mesihu i Premtuar a.s., duke komentuar këtë ajet, thotë:

Ky ajet tregon se veprat e të Dërguarit të Allahut s.a. ishin të tilla që Allahu i Madhërishëm nuk zgjodhi fjalë për t’i përkufizuar ose për t’i përshkruar ato. Fjalët edhe mund të gjendeshin, por Ai nuk i përdori. Pra, përshkrimi i veprave të tij nuk përmblidhet. Ajet si ky nuk gjendet për ndonjë profet tjetër. Shpirti i të Dërguarit të Allahut s.a. kishte sinqeritet dhe besnikëri të tillë dhe veprat e tij ishin kaq të pëlqyera tek Allahu, saqë Allahu i Madhërishëm porositi njerëzit përgjithmonë që t’i dërgojnë salavatet Profetit s.a. në shenjë mirënjohjeje. 

(Malfuzat, vëll. 1, Rabvah 2003, f. 23-24; Tefsir Hazret Mesih Maud a.s., vëll. 3, f. 730).

Si duhet t’i dërgojmë salavatet Profetit Muhammed s.a.?

Në një letër që i kishte shkruar një miku të tij, për mënyrën sesi duhet t’i dërgojmë salavatet të Dërguarit të Allahut s.a., Mesihu i Premtuar a.s. shkruan:

Kushtoni rëndësinë maksimale që çdo vepër që bëni, të jetë krejtësisht e pastër nga pluhuri i zakonit dhe ritualitetit, madje, bëni veprat në atë mënyrë, që ato të burojnë me vrull prej dashurie nga zemra. Për shembull, mos përsërisni salavatet ashtu siç i përsërisin si papagall njerëz të tjerë në përgjithësi. Ata as nuk ushqen ndonjë gjë në veten e tyre prej sinqeritetit të përsosur ndaj të nderuarit Hazret Profetit Muhammed s.a. dhe as nuk kërkojnë me përkushtim bekimet hyjnore për të…

Besimi juaj, para se t’i dërgoni salavatet, duhet të arrijë në nivelin që ju të jeni të bindur se lidhja juaj dashurore me të Dërguarin e Allahut s.a. t’ju është bërë më e fortë se sa lidhja me çdokënd tjetër që ka ekzistuar që prej fillimit të botës e gjerë në fund. Arritja e kësaj bindjeje mund të bëhet kur ju përzemërsisht të jeni të gatshëm për të përballuar çdo problem dhe çdo vështirësi që kanë përballuar në të kaluarën të dashuruarit e të Dërguarit të Allahut s.a. në dashurinë ndaj tij si dhe atë që mund të përfytyrohet në të ardhmen. Mendja duhet t’ju mbetet e paaftë për t’ju paraqitur ndonjë vështirësi, të cilën zemra juaj të mos e përballojë atë. Po ashtu, mendja sërish duhet t’ju mbetet e paaftë për t’ju dhënë ndonjë porosi (të të Dërguarit të Allahut s.a.) që zemra juaj të ndihet i penguar apo i ngushtë për ta zbatuar atë. Gjithashtu, të mos ketë ndonjë krijesë tjetër në botë ndaj së cilës të ushqeni në zemër një dashuri të tillë.

E kur ta keni arritur këtë bindje, siç ju kam thënë edhe gojarisht [i drejtohet nxënësit], t’i dërgoni salavatet me qëllimin që Zoti Bujar të hedhë bekimet e Tij të përsosura mbi të Dërguarin bujar s.a., ta bëjë atë burim bekimesh për të gjithë botën e të shfaqë madhështinë dhe hijeshinë e tij edhe në këtë dhe në botën tjetër. Këtë lutje duhet ta bëni me sinqeritet të plotë, ashtu siç dikush lutet kur bie në vështirësi të madhe, madje të përgjëroheni edhe më shumë dhe në këtë lutje të mos keni asnjë pjesë për vete, duke menduar se do të fitoni shpërblime apo grada. Por, t’i dërgoni salavatet me të vetmin qëllim që bekimet e përsosura hyjnore të bien mbi të Dërguarin e dashur s.a. dhe madhështia e tij të shkëlqejë në këtë botë dhe në ahiret.

Duhet të keni vullnet për të arritur këtë synim dhe ditë e natë të keni qëndrueshmëri në të, derisa të mos keni ndonjë dëshirë më të madhe sesa kjo. Pikërisht salavatet e tilla janë larg riteve dhe zakoneve dhe ato pa dyshim që ju sjellin dritëza të çuditshme. Një ndër shenjat e qëndrueshmërisë në këtë punë është që shpesh do të qani dhe do të përgjëroheni në lutje dhe kaq shumë do t’ju ngulitet në mish e në shpirt ky përqendrim, saqë juve do të bëhen njësoj: edhe ëndrra, edhe zgjimi. 

(“Maktubat e Ahmed” (Letërkëmbimet e Ahmedit) vëll. 1, letra drejtuar Mir Abas Ali Shahut, numri i letrës 10, botuar nga Nazarat Isha’at, Rabwah, f. 522-523).

Duke treguar sesi duhet të përpiqet për lutje, Mesihu i Premtuar a.s., një nxënësi të tij i shkruan:

Falni me përkushtim namazin e tahaxhudit dhe falje të tjera. Tahaxhudi ka bekime të mëdha. Përtacia nuk sjell asgjë. I papunë dhe kërkues i rehatisë nuk sjell asnjë dobi. Ndërsa Allahu i Madhërishëm tha: “Ai që përpiqet në rrugën Tonë, Ne patjetër do t’ia tregojmë rrugët Tona”. (Kurani Famëlartë 29:70)Salavatet më të mira janë ato që dolën nga goja e bekuar e të Dërguarit të Allahut s.a. që janë:

اللہم صل علی محمد و علی ال محمد کما صلیت علی ابراھیم وعلی ال ابراھیم انک حمید مجید
اللھم بارک علی محمد و علی ال محمد کما بار كت على إبراهيم و على أل إبراهيم ا نك حميد مجيد

O Zot! Lartësoje Muhammedin dhe popullin e tij, ashtu siç e madhërove Ibrahimin dhe popullin e tij! Me të vërtetë, Ti je i Lavdëruar dhe i Nderuar!
O Zot! Bekoje Muhammedin dhe popullin e tij, ashtu siç e bekove Ibrahimin dhe popullin e tij! Me të vërtetë, Ti je i Lavdëruar dhe i Nderuar!

Fjalët që dalin prej gojës së një të dëliri, patjetër do të kenë ndonjë bekim. Imagjinoni atëherë se sa të bekuara mund të jenë fjalët që kanë dalë prej gojës së atij që është krye-dëliri dhe krye-profeti! Prandaj, salavatet më të bekuara janë pikërisht këto që përmendëm dhe edhe ky modest pikërisht këto ia dërgon. Nuk ka nevojë të kufizoheni në ndonjë numër sesa herë duhet t’i dërgoni. E rëndësishmja është që t’i dërgoni me sinqeritet, dashuri dhe përulësi të plotë aq shumë herë gjersa t’ju pushtojë një gjendje tejet emocionale dhe vetëmohuese dhe zemra t’ju ndiejë një çlirim e kënaqësi. 

(Po aty, f. 526).

Në librin e tij të famshëm, “Hakikatul Vahji”, Hazret Mesihu i Premtuar alejhiselam shkruan:

“Në jetën time ndodhi që për një kohë shumë të gjatë isha i përqendruar në dërgimin e salavateve ndaj të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., sepse besoja me bindje që rrugët e Zotit të Madhërishëm janë shumë të fshehta, të cilat nuk mund t’i gjeja dot, pa pasur ndërmjetësimin e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Siç e thotë edhe Zoti në Kuranin e Shenjtë: “kërkoni mjetin (për t’u afruar) drejt Tij” (5:36). Pas shumë kohe, pashë një keshf (vizion shpirtëror). Pashë që më erdhën dy (engjëj) ujëmbartës. Njëri prej tyre hyri në shtëpi nga rruga e jashtme, e tjetri nga një hyrje e brendshme. Ata po mbartnin bidonë drite nëpër shpatulla. – Këto janë ato salavate që i dërgove Muhammedit!, më thoshin.”

(“Hakikatul Vahji”, “Ruhani Khazain”, vëll. 22, f. 131, në fusnotë)

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp