Hazret Mirza Masrur Ahmed (a.b.a.) Kalifi i Xhematit Musliman Ahmedia
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Hazret Mirza Masrur Ahmed (a.b.a.)

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Shenjtëria e tij, Mirza Masrur Ahmed (Mirza Masroor Ahmad) është Kalifi i Pestë i Xhematit Musliman Ahmedia. Ai u zgjodh në këtë pozitë më 22 prill 2003. Ai shërben si udhëheqës botëror, në aspektin shpirtëror dhe administrator, i një organizate fetare muslimane që ka një aderim prej më shumë se 10 milionë njerëz në 210 shtete të botës.

Nismat e tij për paqen

Shenjtëria e tij është figura më e shquar muslimane për të promovuar paqen dhe harmoninë ndërfetare. Përmes fjalimeve, ligjëratave dhe takimeve personale, ai vazhdimisht predikon adhurimin ndaj Zotit të Madhërishëm dhe shërbimin ndaj njerëzimit. Ai gjithashtu orvatet vazhdimisht për të vendosur të drejtat universale të njeriut, një shoqëri të drejtë dhe ndarjen e fesë nga shteti.

Si një Kalif i zgjedhur, Shenjtëria e tij udhëhoqi fushata anekënd botës për të përhapur mesazhin e paqes të Islamit përmes të gjitha formave të medias së shtypit dhe digjital. Nën udhëheqjen e tij degët kombëtare të Xhematit Musliman Ahmedia lançuan dhe vijojnë të lançojnë fushata, që pasqyrojnë mësimet e vërteta dhe paqësore të Islamit. Muslimanët ahmedianë janë të angazhuar palodhur në mbarë botën në përpjekje për t’u shpërndarë fletushkat e paqes si muslimanëve ashtu edhe jomuslimanëve, për të mbajtur simpoziume për paqen dhe harmoninë ndërfetare dhe për të paraqitur ekspozita të Kuranit Famëlartë, me qëllim që t’i tregojnë botës mesazhin e tij të vërtetë e fisnik. Këto fushata kanë marrë mbulim të gjerë të medias globale dhe kanë demonstruar se Islami përkrah paqen, besnikërinë ndaj atdheut dhe shërbimin ndaj njerëzimit.

Në vitin 2004, Shenjtëria e tij lançoi Simpoziumin Vjetor për Paqen, në të cilin marrin pjesë miq nga çdo sferë e jetës dhe bashkëndajnë ide për të promovuar paqe dhe harmoni. Ky event tërheq çdo vit ministra, deputetë, politikanë, liderë fetarë dhe intelektualë të shumtë. Në vitin 2009, Shenjtëria e tij gjithashtu nisi “Çmimin e Xhematit Musliman Ahmedia për zhvillimin e paqes” (“Ahmadiyya Muslim Prize for the Advancement of Peace”), një çmim ndërkombëtar për paqe që u jepet individëve ose organizatave, që kanë bërë shërbime të jashtëzakonshme për kauzën e paqes dhe të humanizmit.

Në vitin 2012, Kongresi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës si dhe Parlamenti Evropian përfituan drejtpërdrejt nga mesazhi i Shenjtërisë së tij për paqen, drejtësinë dhe bashkimin.

uashington kalifiMë 27 qershor 2012, Hazret Mirza Masrur Ahmedi u mirëprit në Capitol Hill, në Uashington, ku ai mbajti fjalimin kryesor të titulluar “Rruga drejt paqes – marrëdhëniet e drejta mes shteteve”, përpara një audience me më shumë se 30 kongresmenë amerikanë. Në lidhje me këtë ngjarje historike, u miratua një rezolutë bipartiake në Dhomën e Përfaqësuesve në nderim të vizitës së Shenjtërisë së tij.

parlamenti evropian kalifiMë 4 dhjetor 2012, Shenjtëria e tij mbajti një fjalim historik në Parlamentin Evropian, në Bruksel, përpara një audience prej më shumë se 350 miq, që përfaqësonin 30 shtete, ku ndër të pranishmit ishte edhe vetë Presidenti i Parlamentit Evropian. Në fjalimin e tij 35-minutash, Shenjtëria e tij i bëri thirrje Bashkimit Evropian ta ruajë unitetin e tij dhe të ketë barazi dhe drejtësi në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Më 11 shkurt 2014, Shenjtëria e tij mbajti fjalimin kryesor në “Konferencën e Feve të Botës”, të zhvilluar në Guildhall të Londrës. Gjatë fjalimit të tij, ai nënvizoi zotimin e Islamit për të promovuar mirëkuptimin, tolerancën dhe respektin e ndërsjellë, bazuar në mësimet e Kuranit Famëlartë dhe në jetën e Profetit Muhammed, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të.

Shërbimi ndaj njerëzimit

Shenjtëria e tij udhëtoi globalisht për të promovuar dhe për të bërë shërbim ndaj njerëzimit. Ai rregullisht takon presidentë, kryeministra, kryetarë, deputetë dhe ambasadorë shtetesh.

  • Fjalimi i tij në Capitol Hill, Uashington: Video | Tekst
  • Fjalimi i tij në Parlamentin Evropian: Video | Tekst
  • Fjalimi i tij në Hotel Montage: Video
  • Fjalimi i tij në Dhomat e Parlamentit Britanik: Tekst

Shenjtëria e tij tregon interes të veçantë në zbutjen e vuajtjeve të vendeve në zhvillim, duke i ndihmuar në bujqësi dhe duke u krijuar lehtësim dhe qasje në ushqim, ujë të pastër dhe energji elektrike. Ai mbikëqyr punën e Shoqatës Ndërkombëtare të Arkitektëve dhe Inxhinierëve Ahmedianë (IAAAE), një organizatë që drejton projekte të ndryshme humanitare dhe zhvillimore në zonat më të varfra të botës. Qëllimi dhe ekspertiza e kësaj organizate janë rritur me shpejtësi nën udhëheqjen e Shenjtërisë së tij. Po kështu, Shenjtëria e tij përkrah punën e organizatës humanitare “Humanity First” (Njerëzimi në radhë të parë), një OJF ndërkombëtare humanitare, gjithashtu, përkrah edhe organizata të tjera të tilla.

Nën udhëheqjen e shenjtërisë së tij, Xhemati Musliman Ahmedia ka ndërtuar shumë shkolla dhe spitale që ofrojnë facilitete të klasës së lartë në zona të varfra të botës. Dhe përmes skemave të ndryshme të Xhematit Musliman Ahmedia, Shenjtëria e tij ka financuar shkollimin dhe edukimin e një numri të madh studentësh të varfër në mbarë botën, pa dallim prejardhje fetare të tyre.

Komunikimi me muslimanët ahmedianë

Shenjtëria e tij merr mijëra letra çdo ditë që i vijnë nga muslimanët ahmedianë nga e gjithë bota, që i kërkojnë t’i udhëzojë dhe t’i lutet Zotit për ta. Shenjtëria e tij përveçse u përgjigjet të gjitha këtyre letrave, takon edhe personalisht anëtarë të ndryshëm të Xhematit, për ditë dhe rregullisht.

Çdo javë, Shenjtëria e tij mban fjalimin e së xhumasë, me të cilin u drejtohet të gjithë anëtarëve të Xhematit Musliman Ahmedia. Fjalimi i tij transmetohet drejtpërdrejt në MTA International, një kanal satelitor i Xhematit Musliman Ahmedia, i lançuar në vitin 1994, dhe përkthehet në gjuhë të ndryshme të botës. MTA International transmetohet gjithashtu me live stream në mta.tv dhe në alislam.org. Fjalimi i tij të së xhumasë jepet në më shumë se 15 gjuhë të botës në formatin VideoonDemand. Në fjalimet e tij, Shenjtëria e tij predikon njerëzimin mbi çështje të ndryshme të rëndësishme dhe aktuale, në dritën e mësimeve të Islamit.

Reagimi ndaj persekutimit

Pas zgjedhjes së tij si Kalif në vitin 2003, Shenjtëria e tij u detyrua të mërgonte nga Pakistani, vendlindja e tij. Kushtetuta e Pakistanit dhe kodi i tij penal ndalon muslimanët ahmedianë nga të praktikuarit të fesë Islame, nga të shoqëruarit e tyre me Islamin dhe nga të identifikuarit e tyre si muslimanë. “Shkelja” e këtyre ligjeve shtypëse i dënon ahmedianët me gjobë, burgim dhe dënime të forta kapitale. Rrjedhimisht legjislacioni i vendit e ndalon Shenjtërinë e tij nga përmbushja e detyrave të tij si udhëheqës botëror i Xhematit dhe si pasojë ai nuk mund të kthehet më në vendin e tij.

Pavarësisht nga persekutimi i vijueshëm sektarian që u bëhet muslimanëve ahmedianë në vende të ndryshme me shumicë muslimane, Shenjtëria e tij e ndalon Xhematin reagimin e dhunshëm. Më 28 maj 2010, terroristët anti-ahmedia sulmuan dy xhami të Xhematit Musliman Ahmedia në qytetin Lahor të Pakistanit. 86 muslimanë ahmedianë u martirizuan gjatë faljes së të premtes dhe qindra të tjerë mbetën të plagosur, si pasojë e këtyre sulmeve brutale. Pavarësisht nga natyra barbare e këtij krimi të organizuar kundër njerëzimit, Shenjtëria e tij porositi muslimanët ahmedianë të mbarë botës që t’i kundërpërgjigjen vetëm me anë të lutjeve dhe mjeteve tërësisht paqësore.

Biografi personale

Shenjtëria e tij lindi më 15 shtator 1950 në Rabvah të Pakistanit në shtëpinë e të ndjerit Z. Mirza Mansur Ahmed (Mirza Mansoor Ahmad) dhe së ndjerës Znj. Nasira Begum Ahmad. Në vitin 1977, pas mbarimit të studimeve të Masterit në fushën e ekonomisë bujqësore nga Universiteti Bujqësor të Faisalabadit të Pakistanit, Shenjtëria e tij zyrtarisht dedikoi jetën e tij për t’i shërbyer Islamit.

Nga 1977 – 1985, Shenjtëria e tij shërbeu në Ghanë të Afrikës, në projektet sociale, arsimore dhe të zhvillimit bujqësor, duke jetuar në disa fshatra të largëta afrikane. Ai u akreditua për përpjekjen e tij për të kultivuar me sukses grurin në tokën e Ghanës për herë të parë në gjithë historinë e kombit. Në 1985 Shenjtëria e tij u kthye në Pakistan ku do të shërbente për 18 vjet të ardhshme në poste të ndryshme të larta administrative, duke përfshirë Kryetari ekzekutiv (Nazir-e-Ala) i Xhematit Musliman Ahmedia të Pakistanit, nga 1997 deri në zgjedhjen e tij si Kalif.

Shenjtëria e tij jeton në Londër me bashkëshorten Znj. Amtul Sabooh Ahmad. Ata kanë dy fëmijë dhe tre nipër.

Në hobitë e tij përfshihen leximi, kopshtaria, fotografimi dhe ecja.

Rreth Xhematit Musliman Ahmedia

Xhemati Musliman Ahmedia është bashkësi botërore dinamike me rritje të jashtëzakonshme brenda Islamit. Shenjtëria e tij, Hazret Mirza Ghulam Ahmed i Kadianit të Indisë (paqja qoftë mbi të) me urdhrin e Zotit të Madhërishëm themeloi Xhematin në vitin 1889. Muslimanët ahmedianë besojnë se ai është Mesihu i shumëpritur dhe Imam Mehdiu, të cilin e parashikoi vetë Profeti Muhammed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të). Qendra aktuale e Xhematit ndodhet në Angli, ku banon edhe Shenjtëria e tij, Hazret Mirza Masrur Ahmed.

Xhemati Musliman Ahmedia predikon mësimet e vërteta të Islamit dhe mesazhin e paqes dhe të tolerancës përmes kanalit satelitor MTA International, uebfaqes alislam.org në anglisht, shtëpisë botuese Islam International Publications si dhe xhemateve kombëtare në më shumë se 200 vende të botës në gjuhët e tyre përkatëse.

Xhemati Musliman Ahmedia është një organizatë tërësisht e vetëfinancuar dhe ajo nuk ka asnjë qëllim politik.

Rreth Kalifit të Mesihut të Premtuar

Kurani Famëlartë, të cilin të gjithë muslimanët besojnë se është Fjala e Zotit të Madhërishëm, u premtoi Kalifatin muslimanëve që bëjnë mirësi dhe që kanë druajtje ndaj Zotit. Pozita e Kalifit është një përgjegjësi që vjen prej Zotit të Lartësuar për ta vijuar misionin e Profetit. Procesi i zgjedhjes së tij ndonëse zhvillohet nga një kolegj elektoral, ai mbështetet nga Shpirti i Shenjtë prej Zotit të Lartësuar. Kalifi i Islamit është njeri i Zotit në Tokë.

Sot Xhemati Musliman Ahmedia është e vetmja bashkësi ndër sektet muslimane në të gjithë botën, e cila është e bashkuar në dorën e një lideri të vetëm, i cili njihet si Kalif. Khalifatul-Mesih do të thotë Kalif (mëkëmbës) i Mesihut të Premtuar. Institucioni i Kalifatit u vendos më 27 maj 1908, një ditë pas vdekjes së Mesihut të Premtuar Hazret Mirza Ghulam Ahmed (paqja qoftë mbi të). Në vitin 2008, Xhemati Musliman Ahmedia kremtoi njëqindvjetorin e Kalifatit.

komiteti i kulteve

Hazret Mirza Masrur Ahmed me Znj. Loreta Aliko, Kryetare e Komitetit Shtetëror për Kultet të Shqipërisë

Institucioni i Kalifatit është ai që bashkon Xhematin, i jep vitalitet dhe e mbarështon atë drejt progresit, duke fokusuar paqen. Shenjtëria e tij, Mirza Masrur Ahmed është Kalifi i Pestë i Xhematit Musliman Ahmedia. Pavarësisht se Kalifi nuk zgjidhet me kriterin e trashëgimisë biologjike, Shenjtëria e tij ka nderin që të jetë edhe stërnipi i Hazret Mesihut të Premtuar a.s..

Dokumentar në shqip: Kalifi, një lajmëtar i paqes

 

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp