1. Vërtetësia, 2. butësia

1. Shprehia e të thënit të vërtetën

Gjëja e parë është shprehia për të thënë të vërtetën. Shkaku kryesor i gjithë ligësisë së përhapur sot në botë, është gënjeshtra. Popujt që janë të përparuar, të cilët në dukje quhen popujt me virtyte të larta, gjithashtu e përdorin gënjeshtrën sipas nevojës së tyre: nëse jo ndaj njerëzve të vet, e përdorin ndaj të tjerëve. Filozofitë e tyre janë të bazuara mbi gënjeshtrën. Sistemi i jetesës së tyre është i bazuar mbi gënjeshtrën. Sistemi i tyre financiar është i bazuar mbi gënjeshtrën. Pra, nëse do t’i analizoni thellë punët e tyre, në dukje ato përmbajnë stemën e civilizimit dhe të kulturës madhore, por në të vërtetë, në epiqendër e kanë gënjeshtrën. Pikërisht mbi gënjeshtrën janë ndërtuar civilizimet e tyre. Por kjo është një temë tjetër. Unë interesohem në Xhematin Ahmedia. Shoh me vëmendje të veçantë fëmijët e Xhematit Ahmedia.

Sipas meje, nëse nuk i edukojmë fëmijët që në vegjëli me shprehinë për të thënë të vërtetën, është shumë e vështirë që ata të pajisen me këtë virtyt kur të rriten. Në fjalime të ndryshme, ju kam shpjeguar gjerësisht se edhe të thënët të vërtetën ka nivele dhe faza të ndryshme. Një që thotë pak të vërtetë, një tjetër që thotë shumë të vërtetë, një tjetër që thotë akoma më shumë të vërtetë dhe kështu kemi nivele pa fund të të thënit të vërtetën, të cilat arrijnë deri te profetësia, pra te të qenët profet. Pas nivelit të sidikut, pozita që Zoti i Madhërishëm ka caktuar, është pikërisht ajo e profetësisë. Pra, i vërtetë i tillë, saqë të mos ketë asnjë aspekt gënjeshtre në veten e tij. Këto janë planprograme madhore që na ka lënë Kurani Famëlartë për t’i zbatuar.

virtyte“Dhe kushdo që i bindet Allahut dhe të Dërguarit, do të jetë me ata që Allahu i ka bekuar (domethënë), ndër profetët, të vërtetët (sidikët), dëshmorët dhe të sinqertët (salihët). Sa shoqëri e mbarë qenka kjo!” (Kurani Famëlartë 4:70)

Sa synime të larta e madhore qenkan këto! Por, ato fillojnë me të vërtetën. Askush nuk mund të bëhet salih (i drejtë, i vërtetë), derisa nuk i përmbahet së vërtetës, andaj, është shumë e rëndësishme që t’i aftësojmë fëmijët tanë që nga fillimi edhe butësisht, edhe rreptësisht, që ata të qëndrojnë mbi të vërtetën dhe me asnjë kusht të mos durojmë as ndonjë shaka të tyre të gënjeshtërt. Po e bënë këtë detyrë nënat, hapat e tjerë për popullin do të bëhen shumë të lehtë.

Fëmijët që janë brumosur me të vërtetën, më vonë kur do t’u besohen qoftë organizatës së grave (të Laxhnasë), qoftë asaj të rinjve (Khudamul-Ahmedia), do të jenë të aftë të realizojnë çdo punë që do t’u kërkoni, sepse pa të vërtetën, nuk mund të gjeni dot atë fibër, ose atë thurje, që mund të ngrejë ngarkesa të rënda, ose me të cilën mund të bëni plane të mëdha.

Popujt gënjeshtarë janë të dobët. Ata nuk kanë as fuqi për të duruar vlera të larta, por kjo është një temë shumë e gjerë dhe më lejoni ta mbaj ndonjëherë tjetër. Në këtë moment, do të doja të më besoni se pa të vërtetën, nuk mund të hidhet themeli i asnjë vlere të lartë, i asnjë plani madhor. Prandaj, në Xhematin Ahmedia, është jashtëzakonisht e nevojshme që t’i brumosim fëmijët tanë me shprehinë e të thënit të vërtetën, që t’i aftësojmë ata të jenë të vendosur me qëndrueshmëri të plotë mbi të vërtetën. Të rriturit e xhematit duhet të jenë vigjilentë dhe të rinjtë, të moshuarit dhe gratë e xhematit vazhdimisht duhet të bëjnë programe për të ndërgjegjësuar vlerën e madhe që ka e vërteta dhe se sa e nevojshme është kjo për xhematin dhe për botën përmes xhematit.

2. Butësia dhe dëlirësia në fjalë

Virtyti i dytë për edukimin (e xhematit) është përdorimi i një gjuhe të butë e të dëlirë dhe respektimi i njëri-tjetrit. Edhe kjo në dukje është diçka e vogël dhe fillestare, por me sa kam analizuar, të gjitha grindjet që lindin përbrenda xhematit ose që shfaqen në marrëdhëniet tona midis njëri-tjetrit, pas gënjeshtrës, shkaku kryesor i tyre është që disa njerëz nuk dinë të flasin butë. Kjo sepse ata janë të vrazhdë në fjalë, janë të prirë për të lënduar të tjerët me fjalët dhe gjestet e tyre dhe, nganjëherë, ata vetë nuk janë të vetëdijshëm për këtë ves të tyre. Ashtu siç gjembat të shpojnë, por vetë nuk janë të vetëdijshëm për veprimin e tyre, në të njëjtën mënyrë, disa njerëz shpirtërisht vyshken dhe bëhen si gjemba. Fjalët e tyre të përditshme përhapin vetëm shpime e lëndime në katër anë, ndërkohë ata as nuk e ndiejnë se çfarë po bëjnë. Të tillët nëse janë burra, gratë e tyre të gjora gjithmonë mbeten shënjestër e mizorive të tyre dhe nëse janë gra, burrave të tyre u bëhet jeta skëterrë.

Edhe kjo pikë është aq e rëndësishme që duhet t’ua mësojmë fëmijëve që në vegjëli. Kur fëmijët flasin me njëri-tjetrin në shtëpi, me fjalët e tyre nëse nuk respektojnë njëri-tjetrin dhe nuk shprehin dashuri ndaj njëri-tjetrit, qoftë për gjëra të vogla, nëse fillojnë të grinden e të shajnë njëri-tjetrin, atëherë dijeni se jeni duke lënë pas një brezni të ligë; jeni duke krijuar një brezni, e cila në të ardhmen do ta mbush popullin me plagë e me dhimbje dhe do të jeni ju përgjegjës të kësaj situate, sepse kur fëmijët tuaj para syve tuaj kanë shkelur njëri-tjetrin, kanë shtrënguar njëri-tjetrin dhe kanë treguar mosrespektim ndaj njëri-tjetrit, ju nuk morët mundimin për t’i edukuar ata.

Fëmijët e tillë, madje, bëhen edhe më të këqij sesa prindërit e tyre. Ata prindër që nxitojnë të ngrenë dorën për t’i rrahur fëmijët e tyre në shenjë qortimi, edhe fëmijët e tyre fillojnë të ngrenë dorën kundër prindërve të tyre.

Prandaj, ka nevojë t’i japim rëndësi të jashtëzakonshme mirësjelljes sonë dhe respektimit të ndërsjellë në jetën e përditshme. Edhe ky edukim, nëse do t’u jepet fëmijëve që në vegjëli në shtëpitë e tyre, me bekimin e Allahut të Madhërishëm shumë lehtë mund të arrihet synimi. Por, nëse mungesa e këtij virtyti bëhet pjesë e jetës, atëherë fëmijët e tillë, siç e dini, edhe kur shkojnë në shkollë, bëjnë shfaqje prej keqsjelljes, shqetësojnë njëri-tjetrin dhe për mësuesit gjithnjë mbeten një dhimbje koke.

Fëmijët e tillë nëse hynë në organizatën e fëmijëve të xhematit (Atfalul-Ahmedia) ose vajzat në organizatën e grave (Laxhna Imail-lah), krijojnë vetëm probleme. Do të jetë i zorshëm edukimi i tyre. Dhe po të na mungojë kjo lëndë fillestare, nuk mund t’i realizojmë dot detyrat madhore të edukimit, me të cilat jemi ngarkuar. Nëse do të kemi të gatshme lëndën fillestare ose themelin, mund të bëjmë punë sado të mëdha mbi të, mund ta zbukurojmë atë si të duam. Por nëse vetë dheu nuk do të jetë i butë dhe ai nuk do të ketë aftësi të ndryshojë veten, artisti sado i madh qoftë, nuk mund ta kthejë atë në sende të bukura.

Në këtë aspekt, është shumë e domosdoshme mirësjellja jonë ndaj njëri-tjetrit, përdorimi i një gjuhe të butë dhe respektimi i njëri-tjetrit. Edhe grindjet e mëdha lindin për shkak të mungesës së këtij virtyti. Ngaqë mua më vijnë raste të ndryshme grindjesh nga e gjithë bota, herë në mënyrë të drejtpërdrejtë, herë edhe nëpërmjet të tjerëve, ndjeva të nevojshme t’ju tërheq vëmendjen se derisa nuk do t’i edukojmë fëmijët tanë me respektin e gjuhës, nuk mund të garantojmë kontributin e tyre në ndërtimin pozitiv të popullit tonë. Keqsjelljet e tyre mund të krijojnë trazira shumë të rrezikshme, për shkak të të cilave, mund të përhapen dhimbjet, mund të përçahen xhemate, mund të lindin hipokritë dhe mund të largohen njerëz nga xhemati.

Këto janë gjëra të vogla, që njerëzit i mendojnë si të pavlera, por pikërisht mbi to ngrihen popujt në të ardhmen dhe pikërisht përmes tyre mund të realizohen gjërat e mëdha.