5. Guximi dhe kuraja e fortë
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
guximi kuraja

Pika e pestë dhe e fundit që kam zgjedhur për fjalimin e sotëm është guximi dhe kuraja e fortë. Vullneti dhe kuraja e fortë mund të bashkëjetojnë me zemërbutësinë. Nëse ato nuk arrijnë të bashkëjetojnë te dikush, ai njeri mund të jetë i dobët, por jo i virtytshëm. Të jeni zemërbutë, asnjëherë nuk do të thotë të trembeni para vështirësive dhe të mos gjeni forcën për t’u bërë ballë atyre.

Në këtë aspekt, Hazret Ebu Bekri r.a. që gjendej në gradën e të vërtetit (e sidikut), gjithmonë do të mbetet një shembull në histori. Këtë model, padyshim, ai e ka marrë nga Hazret Profeti Muhammed s.a.v.s., megjithatë, në jetën e tij, erdhi një moment, kur ky virtyt tek ai shkëlqeu aq fuqishëm, saqë gjithmonë mund ta paraqesim shembullin e tij para botës. Ai ishte një njeri tejet zemërbutë. Por, kur Islami u përball me një gjëmë që ditën e parë të Kalifatit të tij, madje me një gamë gjëmash, i njëjti që shquhej për zemërbutësinë aq shumë, saqë duke dëgjuar qoftë shqetësime të vogla të të tjerëve i shkonin lotët si rrëke, u vendos fuqishëm përballë tyre, sikur të ishte një mal përpara furtunës. Nuk mund të lindte pyetja që ai të bënte edhe lëkundjen më të vogël. Në këtë mënyrë Hazret Ebu Bekër Sidiku r.a., edhe pse zemërbutë, i tregoi botës sesi mund të shfaqej si një mal madhështor i kurajës.

Pra, të jesh zemërbutë asnjëherë nuk do të thotë që të tregohesh i dobët përballë vështirësive. Këtë virtyt duhet ta sjellim tek fëmijët që, “ne nuk e pranojmë dështimin”. Në lidhje me Hazret Mesihun e Premtuar a.s. kemi një thënie, një thënie madhështore, e cila rrezaton fuqishëm virtytin e tij në fjalë:

virtyte“Nuk ka brumë humbjeje në natyrën time”.
(“Ruhani Khezain”, vëll. 9, UK, 2009, “Envarul-Islam”, f. 23)

Kjo është një thënie shumë e bukur dhe shumë e fortë e Mesihut të Premtuar a.s..

Kështu që, edhe ata që janë të lidhur me Hazret Mesihun e Premtuar a.s., kurrsesi nuk duhet të kenë brumin e humbjes në natyrën e tyre. Ky guxim dhe kjo kurajë duhen brumosur tek fëmijët që në vegjëli, vetëm atëherë ajo mund të rrënjoset te ta. Ka njerëz që dëshpërohen qoftë edhe për gjëra të vogla. Dikush ngel në provim, zhgënjehet nga jeta. Dikujt nuk i përmbushet një dëshirë e jetës, i bie një tërmet në jetën e tij. Njerëzve të tillë u thotë mendja – nuk e di a ekziston Zoti apo jo?! Gjithësia e tyre e vogël, e ndërtuar prej fijesh kashte, me një lëkundje të lehtë shembet.

Për këtë arsye, popujt që synojnë të bëjnë vepra madhështore në botë, që kanë qëllime madhore, që kanë përgjegjësi të mëdha, periudha e vështirësive të të cilëve nuk shtrihet në pak vite, por përgjatë shekujve, të cilëve do t’u duhet t’i bëjnë ballë me burrëri çdolloj vështirësie, që do të ndeshen me çdo armik të fortë dhe që do të arrijnë edhe ta mundin atë, nëse fëmijëve të tyre nuk u jepet mësimi i kurajës së gjerë që në vegjëli, ata dhe brezat e tyre të ardhshëm nuk mund t’i realizojnë dot këto detyra.

Andaj, është shumë e nevojshme që, nga njëra anë, të kemi fëmijë gjuhëmbël, zemërbutë, që shqetësohen duke parë qoftë shqetësimet e vogla të të tjerëve, të cilëve u loton zemra duke parë brengat e të tjerëve, por nga ana tjetër, të jenë edhe mal kuraje, të jenë model dhe mësim për të tjerët për kurajë të gjerë.

Këto janë pesë virtyte themelore, të cilat, mendoj që organizatat tona ndihmëse t’i kenë parasysh në mënyrë të veçantë në programet e tyre të edukimit. Nëse ato do të përqendrojnë vëmendjen kryesore te to në të gjitha planet e tyre, besoj se do t’i sjellin dobi njerëzimit jo vetëm në shekullin e ardhshëm, por për shumë shekuj në vijim. Nëse sot Xhemati Ahmedia do të vendoset fuqimisht në këto pesë virtyte dhe të kemi besim që edhe pasardhësit tanë do t’u përmbahen fort këtyre virtyteve dhe do t’i përhapin ato, atëherë besoj se mund të japim shpirt me qetësi para Zotit tonë të Dashur dhe mund të jemi të bindur që përgjegjësinë e madhe me të cilën jemi të ngarkuar, e kemi përmbushur sipas mundësive tona.

Namazi është pjesa më e rëndësishme në adhurim

Një tjetër pikë që dëshiroj të cek shkurtimisht është adhurimi. Shumë herë i kam tërhequr vëmendjen xhematit tonë që duhet t’u japim rëndësi të madhe çështjeve themelore dhe më e rëndësishmja dhe më themelorja prej tyre është namazi. Ende ka shumë lloj boshllëqesh në namazet tona, që duhet t’i mbushim. Sigurisht, ato kanë lidhje me namazet e niveleve të larta dhe për këtë kam folur gjerësisht më përpara. Por, sot dua t’ju tërheq vëmendjen te një dobësi bazë, që ekziston te shumë të rinj tanë, pra te brezi i sotëm. Ka shumë fëmijë që nuk janë mësuar me faljet e pesë vakteve. Ka shumë të rinj që nuk i kanë shprehi namazet e pesë vakteve. Ka shumë pleq që nuk e kanë bërë zakon faljen e pesë vakteve. Nëse e shohim këtë si diçka të përditshme, duhet të shqetësohemi. Përse organizatat ndihmëse nuk shqetësohen sa duhet nga kjo? Përse ato nuk e shohin këtë dobësi dhe përse nuk angazhohen siç duhet për ta larguar atë?

Nuk mjafton vetëm të falni namazin, por është shumë e nevojshme që t’ia dini edhe përkthimin. Përkthimin e namazit duhet ta dijë çdo ahmedian, qoftë fëmijë, qoftë i rritur, qoftë burrë, qoftë grua. Për çdo njeri është e rëndësishme që të mësojë namazin me gjithë përkthimin. Përkthimin e namazit duhet ta dijë deri në nivelin saqë të kuptojë fjalët e namazit gjatë faljes.

Ka shumë tema të thella në kuadër të adhurimit, të cilat thellohen në shumë aspekte të tjera të mëtejshme. Por, më bazikja prej tyre është që i gjithë xhemati ynë të vendoset mbi namazin. Kurani Famëlartë nuk ka porositur kaq shumë për ndonjë mirësi tjetër, siç ka porositur për adhurimin dhe namazin. Gjithashtu, bashkë me porosinë për namazin, Zoti i Madhërishëm ka dhënë edhe porosinë për të pasur dhembshuri ndaj njerëzve.

Shkurt, shpirti i mësimeve të Kuranit është që ne ta gjallërojmë adhurimin dhe kaq fort ta vendosim atë, saqë asnjë sprovë, asnjë tërmet dhe asnjë vështirësi të mos na i lëkundë namazet tona. Hapi i parë që duhet hedhur në këtë drejtim është që çdokush nga ne të dijë namazin me përkthim dhe të bëjë shprehi faljen e namazeve të pesë vakteve.

Një gjë tjetër që duhet të shoqërohet bashkë me këtë është recitimi i Kuranit çdo mëngjes. Çdokush që fal namazin e sabahut, le ta bëjë shprehi edhe recitimin e Kuranit pas sabahut, sado pak qoftë.

Nëse arrijmë t’i vendosim këto baza, mund të ndërtojmë ndërtesa të mëdha të adhurimit sipër tyre. Pra, mund të arrijmë në lartësitë e mëtejshme të adhurimit. Por, po nuk i patëm këto baza, nuk do të kemi as ndërtesat që vijnë sipër.

Udhëzime për organizatat ndihmëse

Për këtë arsye, organizatat Khudamul-Ahmedia, Ensarullah dhe Laxhna imail-lah, në programet e tyre të ardhshme, le të fokusohen që të mos ketë asnjë njeri në mesin e tyre, që nuk di namazin me përkthim dhe që nuk i fal pesë vaktet. Gjërat e tjera inshaAllah do të mësoni gradualisht. Programi im është që në këtë aspekt t’i vëzhgoj të gjitha organizatat ndihmëse, t’i shkurtoj raportet e tyre përkohësisht, të pres nga ato që të mos më dërgojnë raporte të shtjelluara, të cilat as vet nuk do të mund t’i shoh, por, ta përmbledhin raportin e tyre që dëshirojnë të ma dërgojnë.

Pra, mos më tregoni se sa pemë keni mbjellë, si i keni vaditur, por më tregoni se sa fruta janë pjekur. Më jepni raport se tek sa ahmedianë i keni gdhendur këto pesë virtyte; sa fëmijë, sa të rritur, sa burra e sa gra kanë premtuar se nuk do të gënjejnë në të ardhmen dhe ju, si organizata ndihmëse, çfarë pune keni bërë në këtë drejtim. Pra, tani për tani më jepni raport vetëm për këto pika. Çfarë pune keni bërë për të bërë këtë analizë? Çfarë masash keni marrë që këto virtyte të gdhenden më shumë se përpara tek anëtarët e xhematit? Përveç sasisë së frutave, mund të më tregoni edhe për masat mbrojtëse që keni marrë për to. Pra, përpiquni të keni fryt në këtë drejtim dhe pastaj përpiquni edhe për ta mbrojtur atë. Këtë pjesën e dytë mund ta përmendni vetëm shkurtimisht në raportet tuaja.

Së dyti, dua të di nga raportet tuaja se sa ahmedianë, fëmijë e të rritur që nuk i falnin namazet e pesë vakteve, kanë filluar t’i falin, ose sa janë nga ata që nuk falnin asnjë namaz dhe tani kanë filluar të falin një a dy namaze. Mua më mjafton vetëm numri i tyre. Në raportin vijues të mos i përfshini ata që i keni numëruar, por të tregoni për prurje të reja. Gjithashtu, të më tregoni se sa ahmedianë nuk dinin namazin me përkthim dhe sa ahmedianëve ua keni mësuar dhe deri në çfarë mase. Edhe kjo do të ketë shkallë të ndryshme. Dikush tani mund të ketë filluar ta mësojë përkthimin e namazit e dikush tjetër mund ta ketë mësuar tërësisht. Pra, këtë gjë mund të ma tregoni në dy pjesë: kaq veta po e mësojnë përkthimin e namazit dhe kaq fatlumë janë ata që e kanë mësuar tashmë përkthimin.

Këto pra janë detyra të vogla për ju. Të gjitha organizatat ndihmëse le të përkushtojnë gjithë vëmendjen e tyre te to. Detyra të tjera gjithashtu do të vijojnë, por përkohësisht, ato do të kenë rëndësi dytësore. Nga kjo unë shpresoj se inshaAllah te’ala, do të hidhen themelet e fuqishme të xhematit në atë mënyrë, saqë me bekimin e Zotit të Madhërishëm, ne do të mund të bëjmë vepra madhështore për vendosjen dhe ngritjen e ngrehinës së Islamit në të gjithë botën. Allahu na e mundësoftë këtë! Amin!

(Marrë nga “Khutbaat-e-Tahir”, vëll. 8,
hutbeja e dt. 24 nëntor 1989, f. 755-770)

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp