Vlerat e xhenxhefilit - Kuptimi i pijeve me kamfur dhe xhenxhefil
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Kapitujt (Lexoni kapitujt Online)
  1. Pohimi dhe argumenti duhet të jenë nga Libri i Shenjtë
  2. PYETJA I – Cilat janë tri gjendjet e njeriut?
  3. Viti dyzet i jetës suaj mund të jetë shumë i bekuar
  4. Shpirti është krijesë
  5. Zhvillimi gradual i njeriut
  6. Kuptimi i vërtetë i Islamit
  7. Dallimi mes gjendjeve instinktive dhe morale
  8. Përgënjeshtrimi i doktrinës që ndalon therjen a mbytjen e kafshëve
  9. Tri stadet e reformimit
  10. Ardhja e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. në kohën më të nevojshme të reformimit
  11. Gjendjet instinktive, nëse mbahen në ekuilibër, shndërrohen në morale
  12. Moralet e vërteta
  13. Reformimi i parë – gjendjet natyrore
  14. Ndalimi i mishit të derrit
  15. Gjendjet morale të njeriut
  16. Moralet që aftësojnë njeriun për të hequr dorë nga mëkatet
  17. Pesë ilaçe për të qenë i dëlirë
  18. Moralet lidhur me mirëbërësinë
  19. Trimëria e vërtetë
  20. Vërtetësia
  21. Durimi
  22. Dhembshuria
  23. Kërkimi i një qenieje më të lartë
  24. Arsyeja pse Profeti i Shenjtë s.a.v.s. u shfaq në Arabi
  25. Mirësia e Kuranit Famëlartë ndaj botës
  26. Argumente për ekzistencën e Zotit të Madhërishëm
  27. Cilësitë e Zotit të Madhërishëm
  28. Gjendjet shpirtërore
  29. Një lutje e bukur
  30. Kuptimi i pijeve me kamfur dhe xhenxhefil
  31. Mjeti për të krijuar lidhje të përsosur shpirtërore me Zotin e Madhërishëm
  32. PYETJA II – Çfarë ndodh me njeriun pas vdekjes?
  33. PYETJA III – Cilat janë qëllimet e jetës së kësaj bote dhe si mund të arrihen ato?
  34. PYETJA IV – Cili është zbatimi praktik i Sheriatit në këtë jetë dhe pas kësaj jete?
  35. Urtësia e betimeve të Allahut në gjëra të ndryshme
  36. PYETJA V – Cilat janë mjetet për të arritur dijen dhe njohjen ndaj Zotit?
  37. Natyra e ndërgjegjes njerëzore
  38. Çfarë është shpallja Hyjnore?
  39. Folësi është i nderuar me komunikimin dhe shpalljen Hyjnore
  40. Shpallja e Zotit të Madhërishëm është mjeti për të arritur dijen e përsosur
  41. Dy periudha të jetës së Profetit Muhammed s.a.v.s.
  42. Qëllimi i luftërave të Profetit Muhammed s.a.v.s.
Related Contents from Topics
xhenxhefili vlerat e xhenxhefilit

Ju kam shpjeguar më parë se fjala kāfūr (kamfur) është përdorur në këtë ajet sepse në gjuhën arabe kefere do të thotë “shtyp” dhe “mbuloj”. Kjo nënkupton që këta njerëz pinë kupën e sinqeritetit dhe të tërheqjes drejt Zotit në atë mënyrë, saqë atyre u ftohet tërësisht dashuria për botën. Ne e dimë që të gjitha ndjenjat burojnë nga zemra. Dhe kur zemra largohet shumë nga mendimet e padenja, aq saqë të mos ketë më lidhje me to, edhe ndjenjat për to vijnë duke u ulur, derisa zhduken tërësisht. Pra, në këto ajete Zoti i Madhërishëm na mëson se ata që anojnë tërësisht nga Ai, largohen shumë nga tundimet vetjake, u ftohet zemra nga kërkimet e kësaj bote dhe ndjenjat e tyre mposhten, siç kamfuri mposht lëndët helmuese në trup.

Më pas tha se pas pijes së përzierë me kamfur, ata pinë një pije tjetër që është e përzierë me xhenxhefil (zenxhebil). Është interesante të dimë që fjala zenxhebil (زنجبیل) është e përbërë nga dy fjalë: زنا (zena) dhe جبل (xhebel). زنا (Zena) në arabisht do të thotë të ngjitesh lart, kurse جبل (xhebel) do të thotë mal. Kështu ajo ka dhe një kuptim të përbërë: të ngjitesh në mal. Më pas duhet të dimë që pas largimit të një sëmundjeje të rrezikshme, deri sa të gëzojë shëndet të plotë, njeriu kalon në dy gjendje.

E para është ajo kur elementet helmuese largohen tërësisht, trupi merr rrugën e përmirësimit dhe nuk ka më sulm të infeksionit. Pra, gjithë sulmi i sëmundjes bie. Megjithatë, trupi ende nuk ndihet i fuqishëm. Ai nuk mund të bëjë ndonjë punë të mundimshme, madje mezi mbahet në këmbë. Dhe gjendja e dytë është ajo kur njeriu e merr veten, i rikthehet shëndeti plotësisht gjë që i sjell forcë dhe gjallëri si më parë. Në këtë gjendje, ai tregohet i gatshëm edhe për t’iu ngjitur malit ose për të vrapuar nëpër lugina. E tillë gjendje i vjen njeriut në shkallën e tretë të rrugëtimit shpirtëror dhe pikërisht për këtë, Allahu i Madhërishëm flet në këtë ajet që njerëzit e shkallës së lartë pranë Zotit e pinë pijen që është e përzierë me xhenxhefil. Ata gëzojnë fuqinë e plotë të spiritualitetit dhe arrijnë të kapërcejnë edhe male të larta, të bëjnë punët më të vështira dhe të bëjnë sakrificat më të habitshme në rrugën e Zotit.

Ndikimi i xhenxhefilit

Këtu është e udhës të sqarojmë se sipas mjekësisë xhenxhefili (zenxhebil), që në gjuhën hindi i thonë sont’h, i jep energji trupit dhe qetëson dizenterinë. Në fakt, ai quhet zenxhebil pikërisht për arsye se i jep fuqi trupit të dobët dhe duke i dhënë energji të tillë, e bën të gatshëm për t’iu ngjitur edhe malit. Zoti i Madhërishëm solli këto ajete paralele, ku njëri flet për kamfurin dhe tjetri për xhenxhefilin. Kështu Ai u mëson robërve të Tij që kur të dëshirojnë të rrugëtojnë duke i lënë tundimet vetjake drejt mirësisë, së pari Ai u mundëson të mposhtin helmet e shpirtit, saqë tundimet e tyre vijnë duke rënë, njësoj si kamfuri që i mposht elementet helmuese. Për këtë arsye, kamfuri është i dobishëm për kolerën dhe tifoidin.

Pra, kur edhe robit i largohen helmet e shpirtit dhe ai gëzon shëndet, por të shoqëruar me dobësi, në fazën e dytë i jepet pija prej xhenxhefili. Atëherë ai fiton fuqi të jashtëzakonshme. Pija prej xhenxhefili në të vërtetë është manifestimi i bukurisë së Zotit të Madhërishëm që është ushqimi i shpirtit për njeriun. Kur njeriu fuqizohet me këtë manifestim, ai bëhet gati për të kapërcyer edhe malet më të larta dhe arrin të bëjë punë aq të vështira e të habitshme në rrugën e Zotit, sa askush nuk mund t’i bëjë derisa nuk e gëzon këtë afsh dashurie në zemër. Shkurt, për të shpjeguar këto dy gjendje, Zoti i Madhërishëm përdori dy fjalë të gjuhës arabe: kāfūr (kamfur) që do të thotë mposhtje dhe zenxhebīl (xhenxhefil) që do të thotë ngjitje në lartësi.

Pjesa tjetër e ajeteve të cituara më parë është:

اِنَّاۤ اَعۡتَدۡنَا لِلۡکٰفِرِیۡنَ سَلٰسِلَا۠ وَ اَغۡلٰلًا وَّ سَعِیۡرًا ﴿۵﴾ 1

Mohuesve, pra atyre që nuk duan ta pranojnë të vërtetën, Ne u kemi përgatitur zinxhirë, pranga që u hidhen nëpër qafë, dhe një zjarr flakërues. Kuptimi i këtij ajeti është që ata që nuk e kërkojnë Zotin e Madhërishëm me zemër të sinqertë, vuajnë nga një reaksion i rëndë. Ata përfshihen thellë në botën materiale, sikur të jenë të lidhur pas saj me zinxhirë nëpër këmbë dhe përkulen kaq poshtë në punët tokësore, sikur të kenë pranga nëpër qafë që nuk i lejojnë të ngrenë kokën drejt qiellit. Po kështu, në zemër ata kanë një zjarr lakmie dhe dëshirash, që i nxit të arrijnë këtë sasi parash, të fitojnë këtë pasuri, të pushtojnë këtë shtet, të mundin këtë armik, të kenë kaq shumë para dhe kaq shumë pasuri etj.. Zoti i Madhërishëm kur i sheh të padenjë dhe tërësisht të zënë në punët e këqija, ua ngjit këto tri gjëma.

Këto ajete gjithashtu tregojnë se kur njeriu bën një vepër të caktuar, në përputhje me këtë, edhe Zoti bën një vepër. Për shembull, kur njeriu vepron duke mbyllur të gjitha dritaret e dhomës, karshi kësaj vepre të tij, bëhet vepra e Zotit të Madhërishëm që ia errëson dhomën. Sepse gjërat, të cilat në ligjin e natyrës, janë bërë si rezultate të pandryshueshme të veprimeve tona të caktuara, në fakt janë veprat e Zotit, sepse pikërisht Ai është Shkaku i të gjitha shkaqeve.

Ngjashëm me këtë, nëse dikush pi helm vdekjeprurës, duke iu përgjigjur këtij veprimi të tij, ekzekutohet vepra e Zotit që e shkatërron atë njeri. Ose kur dikush bën një punë të padenjë të tillë që i shkakton atij një sëmundje ngjitëse, veprimi i Zotit i përgjigjet duke ia ngjitur atë sëmundje. Pra, ne shohim përditë që në jetën e kësaj bote çdo punë e jona sjell një pasojë dhe ajo pasojë është punë e Zotit të Madhërishëm. I njëjtë është ligji edhe për botën e besimit. Siç na tregon qartë Zoti i Madhërishëm në dy shembujt që vijojnë:

وَ الَّذِیۡنَ جَاہَدُوۡا فِیۡنَا لَنَہۡدِیَنَّہُمۡ سُبُلَنَا 2

فَلَمَّا زَاغُوۡۤا اَزَاغَ اللّٰہُ قُلُوۡبَہُمۡ 3

Për ata që përpiqen maksimalisht duke kërkuar Zotin, vepra Jonë e sigurt kundrejt kësaj vepre të tyre është që Ne ua tregojmë rrugët Tona. Po ashtu, ata që morën shtrembësinë dhe nuk deshën të ndiqnin rrugën e drejtë, vepra Jonë që u përgjigjet veprës së tyre është që Ne ua shtrembërojmë zemrat. Duke e bërë edhe më të qartë, Zoti thotë:

وَ مَنۡ کَانَ فِیۡ ہٰذِہٖۤ اَعۡمٰی فَہُوَ فِی الۡاٰخِرَۃِ اَعۡمٰی وَ اَضَلُّ سَبِیۡلًا ﴿۷۳﴾ 4

Ai që mbeti i verbër në këtë botë, po i verbër do të jetë edhe në botën vijuese, madje edhe më keq se të verbrit. Ky ajet tregon që robërit e mirë e shohin Zotin që në këtë botë. Që në këtë botë ata gëzojnë manifestimin e të Dashurit të tyre, për hir të të cilit, ata humbasin çdo gjë tokësore. Shkurt, thelbi i ajetit në fjalë është që themeli i jetës së parajsës vendoset që në këtë botë. Gjithashtu, edhe verbëria e ferrit e ka rrënjën në jetën e papastër dhe të errët të kësaj bote. Dhe Zoti tha:

وَ بَشِّرِ الَّذِیۡنَ اٰمَنُوۡا وَ عَمِلُوا الصّٰلِحٰتِ اَنَّ لَہُمۡ جَنّٰتٍ تَجۡرِیۡ مِنۡ تَحۡتِہَا الۡاَنۡہٰرُ 5

Ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, do të trashëgojnë kopshtet (xhenetet) nëpër të cilat rrjedhin lumenj.

Në këtë ajet, Zoti i Madhërishëm shëmbëlleu besimin me kopshtin, nëpër të cilin rrjedhin lumenj. Duke dhënë një filozofi shumë të lartë, Zoti i Madhërishëm në këtë shembull na tregoi që të njëjtën lidhje që kanë lumenjtë me kopshtin, kanë edhe veprat me besimin. Ashtu siç një kopsht nuk mund të gjelbërojë pa vaditje, në të njëjtën mënyrë, besimi nuk mund të qëndrojë pa veprat e mira. Nëse ka besim dhe mungojnë veprat, ai besim është i pavlerë. Dhe nëse ka vepra dhe nuk ka besim, ato vepra janë dukje.

E vërteta që tregon Islami është që xheneti është një pasqyrë e besimit dhe e veprave të kësaj bote dhe jo diçka e huaj për njeriun. Pra, xheneti i njeriut buron po prej njeriut. Xheneti është pikërisht besimi dhe veprat e mira të tij. Atë ai fillon ta shijojë që në këtë botë dhe, në një mënyrë të fshehtë, që këtu atij fillojnë t’i duken kopshtet e besimit dhe lumenjtë e veprave të mira. Në botën vijuese këto kopshte do t’i duken hapur. Mësimi i shenjtë i Zotit na udhëzon se besimi i pastër, i palëkundur dhe i përsosur në Zot, në atributet dhe në punët e Tij, është si një kopsht (xhenet) i bukur me plot pemë e fruta, dhe veprat e mira janë si lumenj që e vadisin kopshtin. Kurani Famëlartë thotë:

ضَرَبَ اللّٰہُ مَثَلًا کَلِمَۃً طَیِّبَۃً کَشَجَرَۃٍ طَیِّبَۃٍ اَصۡلُہَا ثَابِتٌ وَّ فَرۡعُہَا فِی السَّمَآءِ ﴿ۙ۲۵﴾ تُؤۡتِیۡۤ اُکُلَہَا کُلَّ حِیۡنٍۭ 6

Fjala e besimit që është e lirë nga çdo ekstrem, e pastër nga çdo e metë, nga çdo gënjeshtër dhe nga çdo kotësi dhe që është e përsosur nga çdo anë, i shëmbëllen pemës së shëndoshë, që ka rrënjët thellë në tokë dhe degët të përhapura në qiell dhe jep frutat e saj në çdo kohë. Nuk i vjen asnjë kohë, që degët e saj të mbeten pa fruta. Në këtë përshkrim, Zoti i Madhërishëm shëmbëlleu fjalën e besimit me një pemë përherë frutdhënëse, duke treguar tri shenja të saj:

Së pari, rrënjët e saj, që do të thotë kuptimi i besimit, të jetë i vendosur në tokën e zemrës së njeriut. Pra, ndërgjegjja dhe karakteri i tij ta kenë pranuar vërtetësinë dhe realitetin e tij.

Së dyti, degët e asaj fjale të jenë të përhapura në qiell, që do të thotë se besimi të jetë i logjikshëm dhe të përputhet me ligjin qiellor të natyrës, i cili është vepra e Zotit. Me fjalë të tjera, argumentet për vërtetësinë dhe saktësinë e asaj fjale të gjenden në ligjin e natyrës dhe se ato të jenë kaq të larta, sikur të jenë në qiell, të cilat të mos i zërë dot dora e akuzës.

Së treti, ajo të ketë frutën e saj të denjë për t’u ngrënë dhe për t’u gjendur në çdo kohë. Pra, pasi ajo fjalë të vihet në praktikë, të japë bekimet dhe ndikimet e saj pozitive në çdo kohë, dhe jo të japë rezultatin për një kohë të caktuar dhe të reshtë.

Ai vijon:

وَ مَثَلُ کَلِمَۃٍ خَبِیۡثَۃٍ کَشَجَرَۃٍ خَبِیۡثَۃِ ۣاجۡتُثَّتۡ مِنۡ فَوۡقِ الۡاَرۡضِ مَا لَہَا مِنۡ قَرَارٍ ﴿۲۷﴾ 7

Fjala e papastër i ngjan pemës që është e shkulur nga toka dhe që nuk zë karar asgjëkund. Kjo do të thotë se ajo nuk pranohet nga natyra e pastër e njeriut dhe nuk qëndron as sipas argumenteve të logjikshme, as sipas ligjit të natyrës dhe as sipas ndërgjegjes njerëzore. Ajo rri thjesht si një tregim a përrallë.

Për botën e ahiretit, Kurani Famëlartë siç i shëmbëllen pemët e pastra të besimit me rrush, shegë dhe fruta të tjera të shijshme dhe tregon se atë ditë ato do t’u përngjajnë këtyre frutave, në të njëjtën mënyrë, pemën e ndyrë të mosbesimit në botën e ahiretit, e quan زَقُّوْم zekkum, siç thotë:

اَذٰلِکَ خَیۡرٌ نُّزُلًا اَمۡ شَجَرَۃُ الزَّقُّوۡمِ ﴿۶۳﴾ اِنَّا جَعَلۡنٰہَا فِتۡنَۃً لِّلظّٰلِمِیۡنَ ﴿۶۴﴾ اِنَّہَا شَجَرَۃٌ تَخۡرُجُ فِیۡۤ اَصۡلِ الۡجَحِیۡمِ ﴿ۙ۶۵﴾ طَلۡعُہَا کَاَنَّہٗ رُءُوۡسُ الشَّیٰطِیۡنِ ﴿۶۶﴾ 8

اِنَّ شَجَرَتَ الزَّقُّوۡمِ ﴿ۙ۴۴﴾ طَعَامُ الۡاَثِیۡمِ ﴿ۖۛۚ۴۵﴾ کَالۡمُہۡلِ ۚۛ یَغۡلِیۡ فِی الۡبُطُوۡنِ ﴿ۙ۴۶﴾ کَغَلۡیِ الۡحَمِیۡمِ ﴿۴۷﴾ … ذُقۡ ۚۙ اِنَّکَ اَنۡتَ الۡعَزِیۡزُ الۡکَرِیۡمُ ﴿۵۰﴾ 9

Tregoni, cilat janë më të mira, kopshtet e xhenetit apo pema e zekkum-it, që është një bela për keqbërësit. Ajo është një pemë që del nga rrënja e xhehenemit, që do të thotë se lind nga arroganca dhe vetadhurimi, sepse kjo pikërisht është rrënja e xhehenemit. Fryti i saj është sikur koka e shejtanit (djallit). شیطان Shejtan do të thotë ai që shkatërrohet dhe kjo fjalë vjen nga një rrënjë e gjuhës arabe شیط she-je-ta.

Me pak fjalë, ta hash këtë frutë do të thotë të shkatërrosh veten. Më pas tha: Pema e zekkumit është ushqim për banorët e xhehenemit, të cilët zgjodhën me vetëdije mëkatin. Ajo do t’u valojë në bark atyre që do ta hanë atë, sikur të jetë bakër i shkrirë. Më pas, duke iu drejtuar banorit të xhehenemit thotë: Shijoje këtë pemë, se qenke i plotfuqishëm dhe i nderuar! Kjo është një shprehje me plot zemërim, e cila do të thotë: po të mos tregoheshe arrogant dhe po të të mos pengonte krenaria jote nga pranimi i së vërtetës, sot nuk do të ishe në këtë vështirësi. Ky ajet gjithashtu tregon se fjala زَقُّوْم zekkum, në të vërtetë është e përbërë nga ذق zuk dhe ام am, ku pjesa e parë është nga dhuk, kurse am është përmbledhja e fjalisë:

ذُقۡ ۚۙ اِنَّکَ اَنۡتَ الۡعَزِیۡزُ الۡکَرِیۡمُ

Ti ishe “i plotfuqishmi” dhe “i nderuari”.

Pra, ا (elif) është shkronja e parë e kësaj fjalie, kruse م (mim) është e fundit. Ndërsa, ذ (dh) është ndryshuar me ز (z) për shkak të përdorimit të shpeshtë. Përmbledhja është që ashtu siç Allahu i Madhërishëm i shëmbëlleu fjalët e besimit të zbatuara në jetën e kësaj bote me parajsën, në të njëjtën mënyrë, fjalët e mosbesimit të praktikuara në jetën e kësaj bote, i shëmbëlleu me zekkum-in dhe atë e quajti pemën e xhehenemit, duke treguar kështu, se rrënjët e parajsës dhe të ferrit hidhen që në këtë botë. Në lidhje me xhehenemin, Ai pohon edhe në një ajet tjetër:

نَارُ اللّٰہِ الۡمُوۡقَدَۃُ ۙ﴿۷﴾ الَّتِیۡ تَطَّلِعُ عَلَی الۡاَفۡـِٕدَۃِ ؕ﴿۸﴾ 10

Xhehenemi është zjarri që buron nga zemërimi i Zotit dhe që digjet prej mëkateve të njerëzve dhe që më së pari ua pushton zemrën. Kjo tregon që rrënjët e këtij zjarri në të vërtetë janë brengat, dëshpërimet dhe dhimbjet që kaplojnë zemrën, sepse të gjitha ndëshkimet shpirtërore më së pari zemra i vuan dhe pastaj ato përfshijnë gjithë trupin. Në një ajet tjetër Zoti tha:

وَقُوۡدُہَا النَّاسُ وَ الۡحِجَارَۃُ 11

Lëndët djegëse të zjarrit të xhehenemit që mbajnë atë të ndezur janë dy gjëra:

1) Njerëzit që në vend të Zotit të vërtetë, adhurojnë gjëra të tjera ose ata që duan të adhurohen nga të tjerët, siç thotë në një ajet tjetër:

اِنَّکُمۡ وَ مَا تَعۡبُدُوۡنَ مِنۡ دُوۡنِ اللّٰہِ حَصَبُ جَہَنَّمَ 12

Ju dhe të adhuruarit tuaj të rremë do të hidhen në ferr.

2) Lënda djegëse e dytë janë idhujt. Pra, po të mos kishin zota të rremë, po të mos kishin idhuj dhe as adhuruesit e tyre, nuk do të kishte as xhehenemi. Këto ajete tregojnë që në Librin e pastër të Zotit, xheneti dhe xhehenemi nuk ngjasojnë me këtë botë fizike, por burojnë nga çështjet shpirtërore. Po, këto në botën tjetër do të kenë një trup, që nuk do të jetë nga kjo botë fizike.


[1] “Sigurisht, për mohuesit Ne kemi përgatitur një sërë zinxhirësh, prangash dhe zjarr flakërues.” (Ed-Dehr 76:5).
[2] “Dhe (për) ata që përpiqen në rrugën Tonë, Ne patjetër do t’ua tregojmë rrugët Tona.” (El-‘Ankebut 29:70).
[3] “Pra, kur ata bënë shtrembëri, Allahu ua shtrembëroi zemrat.” (Es-Saff 61:6).
[4] “Dhe ai që është i verbër në këtë (botë), do të jetë i verbër edhe në ahiret, dhe më i devijuari nga udha.” (Beni Israil 17:73).
[5] “Dhe jepu lajm të gëzueshëm atyre që besuan dhe bënë vepra të mira, që për ta ka kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj.” (El-Bekare 2:26).
[6] “Allahu paraqiti shembullin e një fjale të mirë me një pemë të mirë, e cila rrënjën e ka të ngulitur dhe degën e ka në qiell! Ajo jep frutën e saj në çdo kohë”. (Ibrahim 14:25-26).
[7] “Dhe shembulli i një fjale të keqe është si një pemë e keqe, që është shkulur nga toka, (e që) nuk qëndron më.” (Ibrahim 14:27).
[8] “A është kjo më e mirë si pritje apo pema e zekkumit?! Ne e kemi bërë atë si sprovë për keqbërësit. Ajo është një pemë që del nga fundi i xhehenemit. Frutat e saj janë sikur kokat e djajve.” (Es-Saffat 37:63-66).
[9] “Sigurisht, pema e zekkumit është ushqimi i mëkatarit. Është sikur bakri i shkrirë; do të vlojë në bark, sikur vlon uji i nxehtë… Shijoje! Ti përnjëmend ishe i plotfuqishmi, i nderuari!” (Ed-Duhan 44:44-50).
[10] “Ajo (hutame) është zjarri i Allahut, djegës i vazhdueshëm, që godet befasisht në zemrat.” (El-Humeze 104:7-8).
[11] “…lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët…” (El-Bekare 2:25).
[12] “Njëmend, ju dhe ajo që adhuroni në vend të Allahut, jeni lëndë djegëse e xhehenemit.” (El-Enbija 21:99).

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp