- وَ لَا یَخَافُ عُقۡبٰہَا ﴿٪۱۶﴾91 : 16 Dhe nuk u interesua fare për fundin e tij.Shpjegime
Ajetet 1-16: Në parathënie, kjo sure është shpjeguar shkurtimisht në raport me suret e mëparshme, por në një këndvështrim tjetër, po kjo sure shpalos një temë të thellë shpirtërore. Përsosmëritë që gjenden të shpërndara në gjërat që përmend kjo sure nga ajeti nr. 2 e deri në ajetin nr. 7, shpirti i njeriut të përsosur i përmbledh të gjitha në veten e tij dhe ashtu siç këto gjëra i shërbejnë njerëzimit në mënyra të ndryshme, njeriu i përsosur i shërben i vetëm në të gjitha mënyrat. Pastaj thotë: U lirua nga vdekja dhe gjeti shpëtimin ai që e pastroi shpirtin e vet në këtë mënyrë, pra që u bë tërësisht i Zotit sikur dielli, hëna, toka etj., dhe u shërbeu krijesave të Zotit.
Të mos harrojmë që në këtë kontekst jeta nënkupton përjetësinë, që do të gjejë njeriu i përsosur. Kjo do të thotë se zbatimi praktik i Librit të Zotit sjell përjetësinë në jetën tjetër, e cila do të qëndrojë përgjithmonë falë ushqimit që vjen prej takimit me Zotin. Pastaj thotë: u shkatërrua dhe u dëshpërua nga jeta ai që e shkeli në baltë shpirtin e vet, dhe nuk përdori forcat që i ishin dhënë për të arritur përsosmëritë e caktuara, rrjedhimisht nuk i arriti përsosmëritë, përkundrazi u kthye duke kaluar një jetë të ligë.
Më pas si shembull tha se ngjarja e popullit të Themudit është e ngjashme me ngjarjen e këtij fatligu. Ata e lënduan devenë që ishte deveja e Allahut dhe e ndaluan të pinte ujë nga burimi. Kështu që, fatligu në të vërtetë e lëndoi devenë e Allahut dhe e privoi nga burimi. Kjo tregon që shpirti i njeriut është deveja e Allahut, mbi të cilën njeriu udhëton. Pra, zemra e njeriut është vendi ku projektohen manifestimet Hyjnore. Kurse uji i devesë nënkupton dashurinë dhe njohjen e Zotit, me të cilën ajo rron.
Më pas tha që populli i Themudit kur e lëndoi devenë dhe e ndaloi të pinte ujin e saj, ata i zuri ndëshkimi. Atëherë Zoti i Madhërishëm nuk e mori fare në konsideratë se çfarë do të ndodhte me fëmijët dhe vejushat e tyre, pas ndëshkimit të tyre. Në të njëjtën mënyrë, edhe ai që lëndon devenë e tij dhe e ndalon nga uji, pra e lëndon shpirtin e vet dhe nuk dëshiron ta çojë deri në përsosmëri, do të shkatërrohet.
Duhet sqaruar se betimet e Zotit në këto ajete, nuk janë në të njëjtin rrafsh me betimet e njerëzve. Në fakt, Zoti bën dy lloje veprash: të parat janë të hapura dhe që i kuptojnë të gjithë dhe askush nuk ka kundërshtime për natyrën e tyre, dhe të dytat janë të tilla që kanë nevojë për arsyetim që duhet zbërthyer (deduktiv), ku njerëzit tokësorë gabojnë në domethënien e tyre dhe i kundërshtojnë. Prandaj, Zoti i Madhërishëm deshi të provojë çështjet deduktive, duke sjellë dëshminë e veprave të Tij të dukshme. Tani, të gjithë e dinë që dielli, hëna, dita, nata, qielli dhe toka i kanë ato cilësi që përmend kjo sure, por që po këto cilësi i ka edhe njeriu, nuk e di gjithkush. Prandaj, edhe këtu, Zoti i Madhërishëm solli si dëshmi veprat e Tij të dukshme për të zbuluar veprat e Tij të padukshme. Si të thuash, Ai thotë: Nëse jeni në mëdyshje në i mbart njeriu këto cilësi, atëherë përsiatni diellin, hënën etj., që i kanë këto cilësi në mënyrë të dukshme, dhe ju e dini që njeriu është një mikrokozmos, në të cilin është gdhendur skema e të gjithë kozmosit. Pra, kur trupat e mëdhenj qiellorë i kanë këto veti që u bëjnë dobi krijesave, si mundet që njeriu që është krijuar si më i madhi dhe më i larti prej tyre në shkallë, të mund të mbetet i privuar nga këto cilësi?! Përkundrazi, edhe ai është porsi dielli, sepse ka dritën e dijes dhe mendjes, me të cilën ai mund ta ndriçojë gjithë botën; ai është porsi hëna, sepse merr dritën e vizionit (keshf), dhe të shpalljes (ilham dhe vahji) prej Zotit të Lartësuar dhe ua përcjell të tjerëve që ende nuk e kanë arritur përsosmërinë njerëzore. Atëherë, si mund të thoni që të qenët profet është gënjeshtër dhe të gjithë të Dërguarit, Sheriatet dhe Librat qiellorë janë mashtrime dhe përfitime të njeriut?! Ju vëreni se kur zbardhet dita, zbardhen të gjitha rrugët dhe spikaten të gjitha ulje-ngritjet. Njësoj si kjo, njeriu i përsosur është dita e zbardhjes shpirtërore, me agimin e së cilës, çdo rrugë vihet në dukje, dhe ai tregon rrugën e vërtetë se ku dhe si shkon, sepse ai është dita e zbardhur e drejtësisë dhe e vërtetësisë. Ju gjithashtu vëreni se si nata merr në strehë të dërrmuarit dhe të rraskapiturit. Punëtorët të këputur prej lodhjes së ditës, pushojnë në prehrin e natës. Pra, nata lodhjen e tyre ua shndërron në qetësi dhe përveç kësaj, ajo shërben edhe si mbulesë për çdokënd. Njësoj si kjo, edhe robërit e përsosur të Zotit që gëzojnë shpallje prej Zotit, vijnë për t’u dhënë prehje njerëzve të botës dhe, atyre që janë mendarë, u sjellin lehtësi në punët e tyre rraskapitëse. Falë tyre, zgjidhen çështje të mëdha të njohurive rreth Zotit. Po kështu, shpallja e Zotit shërben si mbulesë për dobësitë e mendjes së njeriut, saqë nuk lejon t’i dalin në shesh gabimet dhe papastërtitë e saj, sikur nata që shërben në të njëjtën mënyrë për krijesat. Sepse duke përfituar nga drita e shpalljes, i mençuri bën vetëreformim dhe në saje të bekimit të shpalljes Hyjnore, e shpëton veten nga ekspozimi.
Po ashtu, robërit e përsosur të Zotit, sidomos Profetët e Tij dhe ata që gëzojnë shpallje prej Tij, i marrin në strehë të gjithë ata që janë të pastrehë dhe porsi qielli lëshojnë shiun e bekimeve të tyre. Por njëherësh ata kanë edhe cilësinë e tokës, sepse nga shpirtrat e tyre të pastra, lartësohen pemët e diturive të shumëllojshme dhe njerëzit përfitojnë nga hija, frutat dhe lulet e tyre. Pra, ligji i natyrës që është i dukshëm për të gjithë, përbën një dëshmi të ligjit të fshehtë që sapo përshkruam. Shkurt, Zoti i Madhërishëm solli dëshminë e të dukshmit, në formë betimesh, për ta vërtetuar të padukshmen. Më shumë për këtë temë, lexoni librin “Filozofia e mësimeve të Islamit”, nga Hazret Mirza Ghulam Ahmed a.s., botuar në Tiranë, 2019.