7 : 55 - Kurani shqip dhe arabisht. Lexo Online Kuranin, përkthim e komentim
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
  • اِنَّ رَبَّکُمُ اللّٰہُ الَّذِیۡ خَلَقَ السَّمٰوٰتِ وَ الۡاَرۡضَ فِیۡ سِتَّۃِ اَیَّامٍ ثُمَّ اسۡتَوٰی عَلَی الۡعَرۡشِ ۟ یُغۡشِی الَّیۡلَ النَّہَارَ یَطۡلُبُہٗ حَثِیۡثًا ۙ وَّ الشَّمۡسَ وَ الۡقَمَرَ وَ النُّجُوۡمَ مُسَخَّرٰتٍۭ بِاَمۡرِہٖ ؕ اَلَا لَہُ الۡخَلۡقُ وَ الۡاَمۡرُ ؕ تَبٰرَکَ اللّٰہُ رَبُّ الۡعٰلَمِیۡنَ ﴿۵۵﴾
    7 : 55 Pa dyshim, Zoti juaj, Allahu është Ai që krijoi qiejt dhe tokën në gjashtë ditë, më pas u vendos në Arsh. Ai e mbulon ditën me natën; (dita) e kërkon atë nxitimthi. (Ai krijoi) diellin, hënën dhe yjet, të nënshtruara me urdhrin e Tij. Dëgjoni! Atij i takon edhe krijimi, edhe sundimi. Zotëruesi i bekimeve është Allahu, Zoti i botëve.
    Shpjegime

    1) Gjashtë ditë nënkuptojnë gjashtë periudha, ku një periudhë mund të përbëhet edhe nga miliona vjet.

    2) Kurani i Shenjtë nga njëra anë tregon lidhjen e fortë që ka Krijuesi me krijesat, duke pohuar se Ai është Shkaku i të gjitha shkaqeve, Mbështetja e çdo gjëje dhe Shpirti i çdo shpirti dhe, nga ana tjetër, zbuloi se Ai qëndron mbi çdo krijim e përtej çdo dimensioni njerëzor, në mënyrë që askush të mos e keqkuptojë Atë si një qenie brenda llojit. Andaj, tha – Zoti qëndron në Arsh. Fjala arabe arsh do të thotë fron. Arshi nuk është ndonjë krijesë, por është një term për të treguar pozitën e Zotit që është përtej të përtejmes. Arshi nuk është ndonjë karrige a fron fizik, ku Zoti të jetë i ulur siç ulet njeriu. Ajeti dhe shumë ajete si ky tregojnë se Zoti, pasi përcaktoi lidhjen e Krijuesit me të gjitha krijesat, pra, pasi i krijoi ato, u vendos në Arsh, që do të thotë se pas të gjitha krijimeve, Ai sërish është i Veçuar. Kështu që, koncepte që Zoti qëndron me njeriun (4:109; 58:8 etj.), Ai përfshin çdo gjë, etj., janë atribute të Tij në të cilat Ai e ka mundësuar edhe njeriun të marrë pjesë, në mënyrë që edhe njeriu ta perceptojë afrimin me Të. Dhe për të treguar se Ai është përtej çdo krijese, Ai është i Shenjti dhe i Pastri nga çdo e metë, tha se pas krijimit Ai është vendosur në Arsh, në mënyrë që të provohet se Ai është Një, i Vetëm, i Pashoq dhe i pastër nga çdo atribut njerëzor. Pra, Arshi me fjalë të tjera janë atributet e Tij ekskluzive. Një kuptim tjetër i vendosjes së Zotit në Arsh është se Zoti, pasi krijoi qiejt dhe tokën, manifestoi atributet e Tij. Atributet e Tij janë të përhershme, por atributi Krijues kërkon krijesë që të njihet, atributi Furnizues kërkon nevojtar, e me radhë. Manifestimi i këtyre atributeve gjithashtu quhet vendosja në Arsh. Si një mbret që sundon dhe ruan popullin e tij duke u ulur në fronin e tij. Kështu, fjalët “më pas Ai u vendos mbi Arsh” tregojnë manifestimin e Zotit që Ai bëri pasi “krijoi qiejt dhe tokën”. Pra, Atij i takon edhe krijimi, edhe sundimi. Lexoni edhe 42:12; 11:8; 57:5; 69:18.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutem