Jeta e sahabëve të Profetit a.s.
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Jeta e sahabëve të Profetit a.s.

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Mesihu i Premtuar a.s. ka përshkruar fuqinë dhe ndikimin shpirtëror të Profetit Muhammed s.a.v.s. me këto fjalë:

“Unë besoj që fuqia shpirtërore e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s ishte e tillë, që nuk i ishte dhënë asnjë profeti tjetër në botë. Madje, forca kryesore e përparimit të Islamit ishte po kjo fuqi tërheqëse e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. Fjalët e tij ishin aq ndikuese, saqë e bënin për vete këdo që i dëgjonte. Ata që i tërhoqi Profetit s.a.v.s. përmes frymës së shenjtë, edhe i pastroi shpirtërisht”.

(Melfuzat Vëll. III, f. 84-86, botuar në 1985, Angli)

Duke folur për ndryshime të pastra që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u shkaktoi sahabëve të tij, Mesihu i Premtuar a.s. shkruan:

“Kur i hedhim vështrim gjendjes së sahabëve, nuk gjejmë askënd që gënjente, ndërkohë arabët e asokohe gjendeshin në shkallën më të ulët. Ata besonin në idhujtari dhe ua rrëmbenin pasurinë jetimëve. Madje, merreshin me kusari dhe krenoheshin për veset dhe shthurjet e tyre. Pra, ata ishin zhytur në ndyrësi e mëkate fund e krye”. (Si më parë)<

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. u solli arabëve një revolucion të tillë shpirtëror, që nuk ishte parë në një popull tjetër. Kjo mrekulli e Profetit a.s. është aq madhështore e mbresëlënëse, saqë mjafton si argument për mbarë botën. Mesihu i Premtuar a.s. nënvizon këtë epërsi duke thënë:

“Nuk është e lehtë të reformohet qoftë dhe një person i vetëm, ndërkohë këtu u përgatit një popull i tërë. Ata shfaqën shembullin aq të lartë të besimit dhe përkushtimit, saqë u flijuan si bagëti në mbrojtje të asaj të vërtete, të cilën e kishin pranuar. Me të vërtetë, ata nuk ishin më tokësorë, madje mësimi udhëzues dhe këshillat e urta të të Dërguarit të Allahut a.s. u kishin ngjallur atributet qiellore. Ky është ai model i Islamit, që ne po i tregojmë botës”.

… Për shkak të kësaj reforme dhe këtij udhëzimi, Allahu i Lartësuar i kishte dhënë Profetit emrin Muhammed (d.m.th. i lavdëruar) si një profeci. Ai u nderua me këtë emër në tokë sepse mbushi tokën me paqe, harmoni, morale të larta dhe vepra të mira”.                     (Si më parë)

Ne shohim edhe sot se ata që veprojnë me paanshmëri, nuk u mbetet tjetër veçse të pranojnë faktin se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte gjetur një popull të prapambetur dhe të zhytur në ndyrësi, dhe ai ua ndriçoi mendjen me dije dhe i bëri robër të Zotit. Para disa vjetësh, kam takuar një studiues hebre i cili më kishte treguar se kishte vizituar xhaminë Aksa në Jerusalem, edhe pse hebrenjtë nuk lejohen të shkelin brenda. Ai më tregoi se shoqëruesi i tyre kishte dyshime të forta ndaj meje se unë nuk jam musliman, ndërkohë unë gjithmonë shprehja diçka për ta bindur atë se jam musliman. Madje, i recitova edhe shehadetin لَا إِلَٰهَ إِلَّا اللّٰهُ مُحَمَّدٌ رَسُولُ اللّٰهِ‏. Kur përfundoi vizita, shoqëruesi më tha: Ndonëse ke recituar shehadetin, por akoma nuk jam bindur që je musliman. Tani që është përfunduar vizita, më trego të vërtetën”. Unë i thashë përulësisht: “Po, keni të drejtë. Unë jam hebre dhe nuk jam musliman. Por, nuk kam gënjyer duke recituar shehadetitin sepse besoj fuqimisht në deklaratën “la ilaha il-la-llah” se nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut. Unë gjithashtu besoj që Muhammedi është i Dërguari i Zotit, sepse di mirë gjendjen e katandisur të arabëve para ardhjes së tij. Vetëm një profet mund t’ua ndryshonte gjendjen, dhe jo ndonjë lider tokësor. Prandaj, pavarësisht a i bindem apo jo Muhammedit, unë jam i bindur se padyshim ai është profet i Zotit”.

Pra, pavarësisht bindjeve të tij, ai nuk mohoi dot revolucionin shpirtëror që kishte sjellë i Dërguari i Allahut s.a.v.s.ndër arabë. Nëse dikush studion me paanshmëri jetën e sahabëve, reformën e jashtëzakonshme që u shkaktoi fuqia shpirtërore e Profetit a.s., atij nuk i mbetet tjetër veçse të pranojë se ai ishte Profet i vërtetë i Zotit. Mesihu i Premtuar a.s. ka vënë në pah pozitën e lartë të sahabëve dhe reformën e jashtëzakonshme që ndodhi në jetën e tyre, në një shkrim. Ai shkruan:

“Studioni jetën e sahabëve, sepse tek ata mund të gjeni shembullin e të gjithë profetëve. Zotit i pëlqejnë vetëm veprat, dhe sahabët e vërtetuan këtë duke u flijuar si bagëti. Koncepti i profetësisë ekzistonte qysh prej Ademi a.s. por njerëzit e thjeshtë nuk e kuptonin dot. Por sahabët me shkëlqimin e tyre manifestuan sinqeritetin dhe besnikërinë e të gjithë profetëve. Nuk mund të gjejmë tjetërkund shembullin e jetës së tyre plotë mundime e sfilitje. Grupi i sahabëve ishte i jashtëzakonshëm. Jeta e tyre ishte shembullore dhe e lavdishme, dhe zemrat u ishin mbushur me besim. Në të vërtetë, kur njeriu fillon të besojë, ai fillimisht sakrifikon paratë, dhe kur përparon në bindje, dëshiron të sakrifikojë edhe jetën për hir të Zotit”.

(Melfuzat, vëll. V, f. 42, botuar në 1985, Angli)

Duke nënvizuar pozitën e sahabëve, ai shkruan:

“لَّا تُلْهِيهِمْ تِجَارَةٌ وَلَا بَيْعٌ عَن ذِكْرِ اللَّهِ(Allahu thotë në Kuran se njerëzit e tillë, nuk i pengon tregtia e as shitblerja nga të përmendurit e Allahut. [en-Nur 24:38]). Vetëm ky ajet është argument i mjaftueshëm që sahabët kishin sjellë ndryshime të thella në jetën e tyre. Edhe orientalistët perëndimorë çuditen nga fakti sesi ata beduinë endacakë arritën një trimëri të tillë të pashembullt”.

(Melfuzat, vëll. V, f. 304, botuar në 1985, Angli)

Ai shkruan:

“Burrat që nuk i pengoi as tregtia e as shitblerja për të përmendur Zotin. Pra, ata përparuan aq shumë në dashurinë e Zotit, saqë veprimtaritë e tyre të përditshme sado të dendura, nuk bëheshin pengesë për ta”.

(Brahini Ahmedia, vëll. I, f. 617, në fusnotë)

Ai gjithashtu shkruan:

“Robërit e Zotit janë ata, që përshkruhen në ajetin لَّا تُلْهِيهِمْ تِجَارَةٌ وَلَا بَيْعٌ عَن ذِكْرِ اللَّهِ  Kur ata krijojnë një lidhje të sinqertë besnikërie me Zotin, Ai bëhet shoqërues i tyre e qëndron gjithmonë me ta. Ky shembull mund të kuptohet nga gjendja e atij personi, i cili ka fëmijë të sëmurë. Kudo që shkon ai dhe çfarëdo që bën, mendja i ngelet te fëmija. Po kështu, ata që krijojnë lidhje të sinqertë dashurie me Zotin, nuk e harrojnë Atë në asnjë gjendje”.

(Melfuzat, vëll. VII, f. 20-21, botuar në 1985, Angli)

Sahabët e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. kishin krijuar një lidhje të sinqertë dashurie me Zotin. Ata nuk e harronin në asnjë situatë, dhe nuk i trembte asnjë sakrificë që e bënin për hir të Tij. Jeta e sahabëve është mbushur me shembuj të këtillë.

Hazret Habab bin Ereti r.a.

Hazret Habab bin Ereti r.a. ishte një ndër sahabët e shquar të Profetit s.a.v.s. Kur iu avit momenti i vdekjes, ai frikësohej dhe druhej. Kërkoi t’i tregohej qefini, i cili ishte një pëlhure cilësore e të shtrenjtë. Ai iu drejtua të afërme të tij dhe tha: ‘A do të më mbështillni me një pëlhurë kaq të mirë?’ Me të thënë këto fjalë, atë e mbytën lotët. Pastaj tha ‘Xhaxhai i Profetit, Hamzai r.a., kur ndërroi jetë, kishte vetëm një çarçaf i shkurtër për qefin. Nëse i mbulonim këmbët, i zbulohej koka, e nëse i mbulonim kokën, i zbuloheshin këmbët. Atëherë sipas porosisë së Profetit s.a.v.s., i mbështollëm këmbët me bar’.

Derisa Profeti a.s. ishte i gjallë nuk kisha asnjë pasuri, ndërsa sot falë bekimit të tij dhe sakrificave të asaj kohe, Allahu më ka begatuar aq shumë saqë vetëm në arkën e shtëpisë ka më shumë se dyzet mijë dirham. Druhem se mos vallë Zoti ka shpërblyer gjithë veprat e mi në këtë jetë dhe do të privohem nga bekimet e jetës së ahiretit”. Sahabët dhe njerëzit e tjerë, të cilët kishin ardhur për ta vizituar në këtë gjendje, e ngushëlluan duke thënë që ndoshta Zoti do ta bashkojë me vëllezërit e tij sahabë. Me ta dëgjuar këtë, ai nisi të qante dhe tha “Mos kujtoni se i trembem vdekjes, por më tremb fakti se ju më keni njëjtësuar me sahabët e tjerë. Për Zotin, ata janë në shkallë aq të lartë, saqë frikësohem se a jam i denjë për të qenë bashkë me ta. Sepse sahabët që janë ndarë nga kjo botë para meje, nuk kanë pasur pasurinë dhe të mirat materiale, siç kemi ne.

Pra, niveli i druajtjes dhe frikës së tyre ishte i tillë, që veten e konsideronin gjithmonë të dobët. E vetmja frikë që e shqetësonte Hababin r.a. në ato momente, ishte të fitonte pëlqimin e Zotit, edhe pse shërbimet dhe kontributet e tij për fenë nuk ishin të pakta.

(et-Tebkatul Kubra, nga Ibni Sa’ad, vëll. III, f. 88-89, Habab bin Ereti r.a. botuar nga Dar Ihjaut-Turathul-Arabi, Bejrut, 1996)

Hazret Aliu r.a. udhëhoqi xhenazen e tij, dhe i bëri homazh kontributit të tij me disa vlerësime historike. Ai tha: “Allahu e mëshiroftë Hababin! Ai e kishte pranuar Islamin me bindje dhe sinqeritet të plotë. Bëri hixhret dhe tërë jetën jetoi si një muxhahid (luftëtar). Sprovat e jetës i përballoi me durim e qëndrueshmëri. Me të vërtetë, ata që bëjnë vepra të mira, do të gjejnë shpërblimin prej Zotit”.

(Esedul Ghaba, vëll. I, f. 677, Habab bin Ereti r.a., botuar nga Darul Fikr, Bejrut, 2003)

Edhe Omeri r.a. e çmonte dhe nderonte Hababin r.a. Njëherë Kalifi i Muslimanëve Omeri r.a. e thirri Hababin r.a. dhe e porositi të ulej në fronin e tij duke thënë: “O Habab! Ju meritoni të uleni bashkë me mua. Nuk besoj që përveç Bilalit r.a., dikush tjetër meriton këtë nder, sepse edhe ai ka hequr vuajtje e tortura të rënda, për shkak të pranimit të Islamit”. Hababi r.a. iu përgjigj “O Prijësi i besimtarëve! Sigurisht, edhe Bilali meriton këtë nder, por ai kishte njerëz që mund ta shpëtonin nga tortura e idhujtarëve. Prandaj Ebu Bekri r.a. pagoi çmimin e tij dhe e liroi atë. Por, unë nuk kisha asnjë përkrahës që të më simpatizonte mua. Mosbesimtarët më bënin tortura çdo ditë. Njëherë ata më hodhën në zjarr. Njëri prej tyre vuri këmbë në gjoksin tim që të mos dilja nga flaka e prushit, derisa m’u përzhit shpina nga afshi i nxehtë i prushit”. Pastaj Hababi r.a. ngriti këmishën për t’ia treguar shpinën, ku dukeshin qartë vija të bardha nga djegia. Zjarri i kishte përcëlluar lëkurën.

Hababi r.a. gjatë jetës së tij mori pjesë në betejat e Bedrit, Handekut dhe Uhudit. Pavarësisht këtyre sakrificave, kur iu afrua vdekja, ai frikësohej se vallë a atë do të falte Zoti apo jo?

(et-Tebkatul Kubra, nga Ibni Sa’ad, vëll. III, f. 88, Habab bin Ereti r.a. botuar nga Dar Ihjaut-Turathul-Arabi, Bejrut, 1996)

Hazret Muadh bin Xhebeli r.a.

Muadh bin Xhebeli r.a. ishte gjithashtu një sahab i shquar i Profetit s.a.v.s. Tehexhudin dhe namazet e tjera, i kryente me ëndje dhe i zgjaste ato. Të afërmit e tiji kanë përshkruar namazin e natës me këto fjalë. A lutej:

O Zoti im! Në këto çaste, të gjithë janë në gjumë dhe u janë mbyllur sytë, ndërsa Ti je i Gjallë dhe i Vetëmjaftueshëm. Unë të kërkoj xhenetin tënd, edhe pse jam përtac dhe i pakujdesshëm në veprat e mia. Jam i dobët dhe i pafuqishëm për t’i shpëtuar zjarrit të xhehenemit. O Allah! Më udhëzo që të mbetem i udhëzuar edhe në ditën e kijametit”.

Muadhi r.a. shpenzonte bujarisht në rrugën e Zotit, derisa nganjëherë hynte në borxh.

(Esedul Ghaba, vëll. IV, f. 402, Muadh bin Xhebeli r.a., botuar nga Darul Fikr, Bejrut, 2003)

Djali i Ka’ab bin Mailkut r.a. ka treguar se Muadhi r.a. kishte një lidhje të veçantë me Zotin. Ai ishte i pashëm dhe bujar. Zoti i pranonte lutjet dhe falte çdo gjë që ai i kërkonte. Nëse hynte në borxh, Zoti vetë i krijonte mjete për ta shlyer atë. Zoti i kishte falur urtësinë dhe logjikën e shëndoshë.

(el-M’uxhemul Kebir Lit-Tabarani, vëll. XX, f. 30-32, nr. i hadithit 44, botuar nga Dari Ihjaut-Turathil Arabi, Bejrut, 2002)

Duke dashur të Dërguarin e Allahut, këtyre sahabëve u ishte ngjallur edhe dashuria e Zotit apo duke dashur Zotin u ishte rrënjosur dashuria ndaj Profetit. Dashurinë e Zotit, e kishin zbuluar përmes frymës së shenjtë të Profetit a.s. e cila u kishte sjellë një revolucion në jetë.

Hazret Shemas bin Osmani r.a.

Historia ka shënuar një ngjarje nga trimëria legjendare e Shemas bin Osmanit r.a., e cila është e pahurreshme në aspektin e besnikërisë ndaj Profetit s.a.v.s. Kjo ngjarje tregon nivelin më të lartë të sakrificës për Islamin. Lufta e Uhudit nëse na sjell ndërmend besnikërinë e Talhasë r.a., se si ai priti çdo shigjetë të armikut me dorën e tij për të mbrojtur fytyrën e Profetit a.s., ajo gjithashtu na përkujton trimërinë e Shemasit r.a., i cili qëndroi si një mur i kapërcyeshëm për çdo sulm që i drejtohej Profetit s.a.v.s. Ai ka krahasuar Shemasin r.a. me një shqytar i cili luftoi trimërisht deri në frymën e fundit si një mburojë për të në fushën e Uhudit. Kur i Dërguar i Allahut s.a.v.s. u rrëzua në tokë pas goditjes së papritur të armikut dhe humbi ndjenjat, Shemasi r.a. akoma vazhdonte të kacafytej me armikun. Ai mbeti i plagosur rëndë në luftë. Sahabët e sollën në Medinë,por, vetëm pas dy ditësh ai ndërroi jetë nga plagët e marra. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. porositi që Shemasi r.a. të varrosej në rrobat e tij, njësoj si dëshmorët e tjerë.

(et-Tebkatul Kubra, nga Ibni Sa’ad, vëll. III, f. 131, Shemas bin Usman r.a., f. 115 Telha bin Ubejd ra.,  botuar nga Dar Ihjaut-Turathul-Arabi, Bejrut, 1996)

Hazret Seid bin Zejdi r.a.

Hazret Seid bin Zejdi r.aishte kunati i Omerit r.a, të cilin ai e kishte rrahur pikërisht për pranimin e Islamit. Kur Omeri r.a. e ngriti dorën që ta qëllonte, ndërhyri motra e tij, dhe si pasojë u godit rëndë. Kjo ngjarje e tronditi Omerin aq shumë, saqë e shtyju për ta pranuar Islamin.

(Siret Ibni Hasham, f. 251-252, Islami Umer bin el-Hatab r.a., botuar nga Darul Kutubil Ilmije, Bejrut, 2001)

Seid bin Zejdi r.a. shquhej për bujarinë, zemërgjerësinë dhe druajtjen e tij ndaj Zotit. Ai siguronte të ardhurat nga një truall që e kishte në pronësi. Prona e tij kufizohej me tokën e një gruaje, e cila bëri padi në gjykatë se Seidi kishte rrëmbyer një pjesë nga toka e saj. Hazret Seidi r.a. refuzoi t’i kundërpërgjigjej dhe ia dorëzoi gjithë pronën vullnetarisht. Ai gjithashtu tha se kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. duke thënë se nëse dikush i merr tjetrit padrejtësisht qoftë edhe një pëllëmbë toke, ditën e Kijametit ai do të mbajë barrën e shtatë tokave. Prandaj, nuk dua të përballem me këtë padi, as që t’i kundërpërgjigjem. Nuk dua të akuzohem se kam përvetësuar padrejtësisht pronën e një gruaje. Ai besonte në lutje, prandaj u lut që derisa ajo grua ia kishte marrë pronën padrejtësisht, le të dënohet ajo nga Zoti dhe të pësojë një përfundim të keq. Thuhet se asaj iu verbuan të dy sytë, dhe mbeti shembull për të tjerët.

(Muslimi, kitabul Faraiz, nr. i hadithit 4134)

Sahabët i qëndronin besnik gjithmonë të vërtetës, dhe nuk tuteshin prej askujt. Njëherë Seid bin Zejdi r.a. ndodhej në Xhaminë Qëndrore të Kufës, ku ndodhej edhe guvernatori i Amir Muavijes. Guvernatori e priti me dashamirësi e nderim, dhe kërkoi të ulej pranë tij. Ndërkohë, aty erdhi një person, i cili filloi të qortonte Aliun r.a. Seidi r.a. u indinjua thellë nga sjellja e personit dhe nuk e fshehu pezmatimin, meqë qëndronte pranë guvernatorit. Por tha se kishte dëgjuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. duke thënë se “Ebu Bekri, Omer bin el-Hatabi, Osman bin Afani, Ali bin Talibi, Telha bin Ubejdullahu, Zubejr bin Avami, Sa’adbin Vakasi, Ebu Ubejdah binul Xherrah, dhe Abdurrahman bin ‘Aufi (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre) do të jenë në xhenet. Është edhe një person i dhjetë, që nuk dua të përmend këtu”. Kur e kërkuan me ngulm për ta përmendur emrin e dhjetë, ai u përgjigj se jam unë është Se’id bin Zejdi.

(Ebu Davudi, nr. i hadithit 4649,4650)

Ai ka transmetuar edhe këtë thënie profetike se kamata më e madhe d.m.th. gjëja më e urryer është sulmi ndaj nderit të muslimanit.

(Ebu Davudi, nr. i hadithit 4876)

Sot, për fat të keq, muslimanët u kanë kthyer shpinë këtyre porosive të çmuara, dhe si në nivel kolektiv po ashtu edhe në atë individual, nuk druajnë aspak për të njollosur nderine muslimanit tjetër. Ata mbrojnë vetëm interesat e tyre të ulëta.

Hazret Suhejb bin Sinani er-Rumi r.a.

Suhejb bin Sinani er-Rumi r.a. është gjithashtu një ndër sahabët e shquar. Kur muslimanët morën leje prej Zotit për të mërguar në Medinë, Suhejbi r.a. gjithashtu vendosi të shpërngulej. Suhejbi r.a. kishte nisur jetë në Mekë si një skllav, por me rrjedhën e jetës, ai fitoi lirinë, dhe filloi të merrej me tregti. Ai u bë tregtar i suksesshëm dhe grumbulloi mjaft pasuri. Kur do të largohej nga Meka, mosbesimtarët e Mekës i thanë që ai kishte ardhur si skllav në atë qytet, prandaj nuk do të lejonin të largohej me pasurinë që kishte fituar atje. Suhejbi r.a. pranoi kushtin e tyre dhe ua dorëzoi gjysmën e pasurisë. Kur u nis për në Medinë, bashkë me familjen e tij, një grup mekas e ndiqte nga mbrapa. Suhejbi r.a. ishte trim i madh dhe harkëtari i zoti. Duke ndierë praninë e armikut, ai menjëherë nxori të gjitha shigjetat dhe i shtroi në tokë. Pastaj, iu drejtua atyre dhe tha

“O Kurejshit! Ndajeni mendjen mirë! Ju dini shumë mirë se jam shigjetar i zoti. Nuk do të më arrini derisa të më sosen shigjetat. Por, më pas duhet të përballeni me shpatën time. Prandaj, është më mirë të mos më prisni rrugën. Unë kam lënë pasurinë time të mbetur në filan vend. Nëse doni, mund ta merrni si shpagim”.

Pra, ndonëse ai sakrifikoi pasurinë, por me zgjuarsinë arriti të shpëtonte jetën e tij dhe të familjes. Kur mbërriti në Medinë, Suhejbi r.a. ia rrëfeu të Dërguarit të Allahut a.s. këtë ndodhi sesi kishte arritur të shpëtonte fenë dhe jetën e tyre. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. e përgëzoi Suhejbin r.a. se kishte bërë një marrëveshje të mirë.

(et-Tebkatul Kubra, nga Ibni Sa’adi, vëll. III, f. 121, Suhejb bin Sinan r.a., botuar nga Dar Ihjaut-Turathul-Arabi, Bejrut, 1996)

Meqë Suhejbi r.a. ishte mjaft bujar dhe shpesh u shtronte gosti sahabëve, njëherë Omeri r.a. i bëri vërejtje se mos po shpërdorte pasurinë e tij. Suhejbi r.a. u përgjigj se ai vetëm ndiqte porosinë e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. që ai ibërikur Suhejbi r.a. kishte mbërritur në Medinë. “Profeti a.s. kishte thënë se më i mirë ndër ju është ai që fton të tjerët në gosti dhe përhap selam. Unë i përmbahem kësaj porosie, por nuk i shpërdoroj paratë e mia”.

(Musned Ahmed bin Hanbeli, vëll. VII, f. 924, nr i hadithit 24422, Musned Suhejb bin Sinani r.a., botuar nga Alemul Kutubil Ilmije, Bejrut, 1998)

Omeri r.a. ia çmonte meritat dhe vlerësonte karakterin e tij. Ai kishte lënë amanet që Suhejbi r.a. të udhëhiqte xhenazen e tij. Madje, derisa të zgjidhej Kalifi pasardhës, Suhejbi r.a. drejtonte namazet në xhami.

(Esedul Ghaba, vëll. III, f. 423, Ubejdullah bin Umer r.a., botuar nga Darul Fikr, Bejrut, 2003)

Hazret Usama bin Zejdi r.a.

Usama r.a. ishte djali i Zejdit r.a., skllavin që kishte liruar i Dërguari i Allahut s.a.v.s. Usama r.a. kishte nder që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i kishte shprehur dashurinë e tij.

(Esedul Ghaba, vëll. I, f. 91, Usama bin Zejd r.a., botuar nga Darul Fikr, Bejrut, 2003)

Profeti s.a.v.s. e donte aq shumë, saqë mbante Usamën dhe nipin e tij Husejnin në prehër, dhe lutej: O Allah! Duaji këta dy sepse edhe unë i dua.

(el-M’uxhemul Kebir lit-Tabarani, vëll. III, f. 47, nr. i hadithit 2642, botuar nga Dari Ihjaut-Turathil Arabije, Bejrut, 2002)

Por, për sa i përket çështjes së edukimit apo porosive të Zotit, kjo lidhje personale nuk qëndronte aspak para tyre. Usama r.a. ishte shumë i ri në jetën e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., madje edhe kur ndërroi jetë ishte vetme tetëmbëdhjetë vjeç. Ai mori pjesë në disa luftëra. Në një luftë, ai u ballafaqua me një jobesimtar, i cili menjëherë recitoi shehadetin. Por, Usama duke menduar se shehadetin e kishte recituar vetëm nga frika, e vrau. Kur Usama r.a. ia rrëfeu këtë ngjarje të Dërguarit të Allahut a.s., ai u zemërua dhe pyeti se përse e vrau, kur ai kishte recituar shehadetin? Pastaj tha se a ia kishte çarë gjoksin? Usama r.a. rrëfen Profeti a.s përsëriti aq shumë këtë fjali, saqë desha të mos isha musliman para asaj dite, dhe vendosa se nuk do të qëlloja më askënd që reciton shehadetin.

(Buhariu, Kitabul Maghazi, nr. i hadithit 4269)

(Esedul Ghaba, vëll. I, f. 91-92, Usama bin Zejd r.a., botuar nga Darul Fikr, Bejrut, 2003)

Gjendja e mjerueshme e muslimanëve të sotëm

Mjerë për muslimanët e sotëm, që nuk ua vënë veshin këtyre porosive. Jo vetëm që ushtrohet dhuna ndaj jomuslimanëve, por ata po hahen edhe me njëri-tjetrin. Vetëm lufta e Sirisë, e cila vijon prej disa vjetësh, ka shkaktuar qindra mijëra viktima. Muslimani ka derdhur gjakun e muslimanit tjetër. Ata i kanë vrarë duke ngritur shehadetin po ata që besojnë këtë shehadet. E njëjta dhunë po ushtrohet tashmë në Jemen, ku po vriten, torturohen dhe shtypen padrejtësisht muslimanët që i përmbahen këtij shehadeti. Allahu u dhëntë mend muslimanëve që të mos ngrenë vetëm slogane për dashurinë e Profetit a.s. apo të sahabëve të tij, por t’u përmbahen edhe veprave të tyre. Në realitet, këta nuk dinë as abetaren e Islamit, por në emër të kësaj feje ata duan të shuajnë egon e tyre e të vendosin epërsinë. Në gojë mbajnë emrin e Allahut, por shpirti i tyre është pushtuar vetëm nga dëshirat e djallëzuara.

Allahu i Madhërishëm ka dërguar Mesihun e Premtuar a.s. në këtë kohë, që të ripërtërihet druajtja dhe takuaja. Muslimanët nuk mund të ndreqin gjendjen e tyre, derisa nuk pranojnë Mesihun e Premtuar a.s. Ne duhet t’i përulemi Zotit me falënderim e mirënjohje që Ai na mundësoi për ta pranuar këtë prijës, dhe shërbëtor të vërtetë të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. Ai na mësoi pozitën e lartë të sahabëve, dhe na porositi që të ndjekim gjurmët e tyre. Ai na tregoi shembujt nga jeta e sahabëve, dhe na udhëzoi t’i përmbahemi modelit të tyre. Nëse e mbajmë parasysh këtë porosi të Mesihut të Premtuar a.s., dhe të veprojmë sipas saj, mund të bëhemi muslimanë të vërtetë.

Mesihu i Premtuar a.s. ka shkruar:

“Njeriu derisa nuk mënjanohet nga dëshirat dhe qëllimet vetjake, dhe nuk i dorëzohet tërësisht Zotit, ai nuk mund të fitojë asgjë, madje e çon veten në humbje. Por, kur largohet nga dëshirat dhe interesat personale, dhe qëndron duarzbrazur e me shpirt të pastër në oborrin e Zotit, Ai i jep gjithçka dhe ia plotëson nevojat. Por kjo lypset që robi të pranojë vdekjen dhe të mos frikësohet më nga asnjë poshtërim në këtë rrugë”.

“Bota është kalimtare, dhe kënaqësinë e saj e shijojnë vetëm ata që e braktisin për hir të Zotit. Ai që synon afërsinë e Zotit, i jepet famë dhe lavdi në botë, ndërkohë lakmitarët përdorin gjithfarë marifetesh për të fituar një titull, ndonjë pozitë të lartë apo gradë në shoqëri. Ata që dorëzojnë dhe sakrifikojnë çdo gjë për hir të Zotit, fitojnë nder dhe famë po në këtë botë. Zoti vendos lavdinë dhe epërsinë e tyre në çdo zemër. Ai që sakrifikon për hir të Zotit, nuk vdes derisa të fitojë disa herë më shumë se sa ka dhënë. Zoti nuk mban borxh prej askujt, por mjerisht shumë pak e besojnë dhe shumë pak e dinë këtë”.

(Melfuzat, vëll. V, f. 398-399, botuar në 1985, Angli)

Mos u dashuroni me botën, por me Zotin e Madhërishëm!

Mos u dashuroni me botën, por me Zotin e Madhërishëm!Pjesë e shkëputur nga hutbja e së premtes, të mbajtur nga Hazret Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht, me datën 12-01-2018Hutben e plotë e gjeni në këtë link:https://www.ahmadiyya-islam.org/al/fjalimet-e-xhumave/jeta-e-sahabeve-te-profetit-a-s-2018-01-12/

Posted by Xhemati Musliman Ahmedia on Wednesday, 17 January 2018

Allahu na mundësoftë të ndjekim porositë e Mesihut të Premtuar a.s. dhe të bëhemi ndjekës dhe zbatues të sinqertë të urdhrave të Zotit dhe të Dërguarit të Tij s.a.v.s.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp