Falja dhe pajtimi
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Falja dhe pajtimi

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

(Pjesë të shkëputura nga ky fjalim. Për hutben e plotë, ju lutemi, ndiqeni videon!)

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Zoti dëshiron revolucion të plotë në shpirtin tuaj. Ai ju kërkon një vdekje, pas së cilës Ai do t’ju japë jetë. Andaj, pajtohuni me njëri-tjetrin sa më shpejt dhe faluni gjynahet vëllezërve tuaj, sepse i lig është ai që nuk dëshiron pajtim me vëllain e tij. Ai do të këputet prej nesh, sepse krijon përçarje. Lëreni vetveten tuaj në çdo aspekt dhe çlirohuni nga pakënaqësitë e ndërsjellë. Hiqni dorë nga uni dhe vetvetja dhe mos krijoni hatërmbejtje për këtë shkak. Edhe duke qenë të vërtetë, tregoni përulësi sikur të jeni gënjeshtarë, që ju të faleni. Mos i vini dhjamë shpirtit tuaj, sepse nga dera që ju jeni thirrur, nuk mund të hyjë një njeri i dhjamosur”.

Duke treguar gjendjen e vet sa shumë i gatshëm ishte ai për t’ia falur gabimin tjetrit, ai thotë:

“Betohem, nëse dikush një mijë herë më ka quajtur dexhall e gënjeshtar dhe ka bërë çdo përpjekje kundër meje dhe më pas dëshiron të pajtohet, nuk më vjen fare në mendje se çfarë fjalësh më ka thënë ai dhe çfarë sjellje ka pasur ndaj meje deri më parë”.

 

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Kush është trim i vërtetë?

Në xhematin tonë nuk kemi nevojë për të fortët dhe mundësit fizikë, por na nevojiten ata që mund të përpiqen për të ndryshuar sjelljet e tyre. E vërteta është që i fortë dhe mundës nuk është ai që lëviz malin nga vendi i tij. Jo, jo. Trim i vërtetë është ai që arrin të ndryshojë sjelljet e tij. Ndaj, shfrytëzojeni gjithë kurajën dhe forcën tuaj për të sjellë virtyte në jetën tuaj, sepse kjo pikërisht është trimëria dhe forca e vërtetë.

Sipas mendimit tim, çdokush që heq dorë nga moralet e këqija dhe sjelljet e gabuara të tij dhe përvetëson virtyte të mira, kjo është mrekullia e tij. Për shembull, ai që është shumë i rreptë në natyrë dhe që zemërohet shpejt, nëse arrin t’i largojë këto sjellje dhe përvetëson dhembshurinë dhe faljen; ose ai që është koprrac, nëse heq dorë nga koprracia, duke e zëvendësuar me bujarinë; ose ziliqari shpëton nga zilia dhe krijon dhembshuri në veten e tij, kjo pa dyshim është mrekulli. Gjithashtu, kur njeriu heq dorë nga vetëpëlqimi dhe vetëlavdërimi dhe përvetëson modesti dhe përulësi, përulësia e tij është mrekullia e tij.

Andaj, kush është nga ju që nuk dëshiron të bëhet mrekullibërës? E di që çdokush dëshiron të bëhet i tillë. Atëherë, dijeni se kjo është mrekulli e gjallë dhe e përhershme, që njeriu të arrijë ta përmirësojë moralin e tij. Sepse, kësaj mrekullie kurrë nuk i humbet vlera, madje dobia e saj përhapet deri larg.

Besimtarit i duhet që të bëhet mrekullibërës si para krijesave (njerëzve), ashtu edhe para Krijuesit. Ka shumë nga ata që ishin pijanecë dhe qejfli, të cilët nuk u bindën nga asnjë shenjë e jashtëzakonshme, por ulën kokën, kur dëshmuan virtytet e dikujt dhe nuk gjetën asnjë rrugë, përveçse ta pranonin atë. Në jetëshkrimet e shumë njerëzve mund të lexoni se ata e kanë pranuar besimin, vetëm sepse panë mrekullinë e virtyteve.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. në librin “Filozofia e mësimeve të Islamit” thotë:

Në kategorinë e tretë të moraleve që aftësojnë njeriun për të hequr dorë nga e keqja, hyn ai që në arabisht thuhet ھُدنہ ھون, që do të thotë: të mos lëndosh fizikisht dikë në mënyrë të padrejtë dhe të mos bëhesh njeri dëmprurës dhe të jesh i pajtueshëm në jetë. Padyshim, pajtueshmëria është një virtyt shumë i lartë dhe i pazëvendësueshëm për njerëzimin. Gjendja instinktive që gjendet te fëmija, që i përgjigjet këtij morali dhe me baraspeshimin e së cilës realizohet ky moral është dashuria (afrueshmëria).

Dihet që njeriu nuk mund të perceptojë as paqësimin e as luftimin kur është në gjendje instinktive, domethënë kur është i privuar nga intelekti njerëzor. Ndaj, pikërisht ajo prirje afrueshmërie që gjendet tek fëmija në atë kohë, është rrënjë e pajtueshmërisë, por ngaqë ajo nuk ushtrohet duke përdorur mendjen, arsyen dhe dëshirën e vullnetshme, nuk mund të quhet moral. Ajo mund të vlerësohet si moral atëherë kur njeriu, në mënyrë të vullnetshme bëhet jo dëmprurës, kur ushtron virtytin e pajtueshmërisë në vendin e duhur dhe kur ruhet nga përdorimi i tij aty ku duhet. Lidhur me këtë, Allahu xhel-la shanuhu jep këtë mësim:

وَ اَصۡلِحُوۡا ذَاتَ بَیۡنِکُمۡ

وَالصُّلْحُ خَیۡرٌ

وَ اِنۡ جَنَحُوۡا لِلسَّلْمِ فَاجْنَحْ لَہَا

وَ عِبَادُ الرَّحْمٰنِ الَّذِیۡنَ یَمْشُوۡنَ عَلَی الْاَرْضِ ہَوْنًا

وَ اِذَا مَرُّوۡا بِاللَّغْوِ مَرُّوۡا کِرَامًا

اِدْفَعْ  بِالَّتِیۡ  ہِیَ  اَحْسَنُ فَاِذَا الَّذِیۡ بَیۡنَکَ وَبَیۡنَہٗ  عَدَاوَۃٌ کَاَنَّہٗ  وَلِیٌّ حَمِیۡمٌ

Domethënë: Bëhuni të pajtueshëm ndaj njëri-tjetrit. Në pajtim është mirësia. Nëse ata anojnë nga paqja, atëherë edhe ti ano nga ajo. Robërit e mirë të Zotit ecin me pajtueshmëri nëpër tokë. E, nëse hasin diçka të kotë, që mund të nxisë e të nisë luftën, atëherë e anashkalojnë me dinjitet dhe nuk luftojnë për gjëra të vogla. Domethënë, derisa nuk u shkaktohet ndonjë dëm i madh, ata nuk dëshirojnë të grinden. Ky është edhe parimi që tregon se si duhet të ushtrohet virtyti i pajtueshmërisë, pra nuk duhet të vrasësh mendjen për gjëra të vogla, madje duhet t’ua falësh.

Fjala “kot” [لغو] që është përdorur në këtë ajet, sipas gjuhës arabe nënkupton gjeste të kota të tilla, për shembull, një njeri nëse të llomotit, ose me qëllim të keq të bën ndonjë veprim, që nuk të shkakton ndonjë humbje a shqetësim të madh. Virtyti i pajtueshmërisë kërkon që t’i anashkalosh veprime të tilla marrëzie dhe të tregohesh dinjitoz ndaj tyre. Por, nëse shqetësimi i shkaktuar e kalon kufirin e kotësisë, madje, me të vërtetë të rrezikon jetën, pasurinë apo nderin, atëherë nuk është virtyti pajtueshmëri që ka lidhje me të, por për të falur një mëkat të tillë ka virtytin e faljes (af’u), të cilin inshallahu t’ala do ta shtjellojmë pas kësaj. Pastaj, Allahu i Lartësuar thotë: Nëse dikush ju dërdëllit ligësisht, atëherë përgjigjuni dashamirësisht me paqe. Nga kjo mënyrë, edhe armiku do të të bëhet mik”.

 

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Qëllimi i krijimit të këtij Xhemati është që gjuha, veshi, syri dhe çdo organ i njeriut të rrezatojë takvanë. Drita e takvasë të jetë brenda dhe jashtë tij. Anëtarët të shfaqin virtytet në mënyrën më të bukur. Të mos kenë zemërime vend e pavend. Kam vënë re që një pjesë e madhe e anëtarëve të Xhematit ende ruan të metën e zemërimit. Nganjëherë njerëzit inatosen për gjëra të vogla dhe fillojnë të grinden. Të tillët nuk përbëjnë pjesë në këtë Xhemat. Nuk e kuptoj se çfarë vështirësie ka njeriu të heshtë e të mos i përgjigjet kur tjetri e shan.

Reforma gjithmonë fillon nga morali i anëtarëve të Xhematit. Në këtë fillim ka nevojë që besimtarët të praktikojnë durimin. Metoda më e mirë e kësaj është që kur dikush ju shan, ju me gjithë zemër e me gjithë dhimbje të bëni lutje për të që Allahu i Madhërishëm ta përmirësojë atë dhe të mos ushqeni mëri dhe inat ndaj tij aspak. Ashtu siç bota i ka ligjet e saj, edhe Zoti i ka ligjet e Tij. Përderisa edhe bota nuk i lëshon ligjet e veta, si mundet që Zoti i Madhërishëm t’i shkelë ligjet e Tija. Kështu që, derisa nuk bëni reformë, nuk mund të keni vlerë në sy të Zotit.

Zoti i Madhërishëm kurrsesi nuk e do që virtytet e larta si butësia, durimi dhe falja të zëvendësohen me egërsinë. Nëse do të përparoni në këto virtyte të bukura, shumë shpejt do të arrini te Zoti”.

 

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp